
Adem Lushaj, Deçan
_____
Ka rrugë që maten me kilometra, por ka edhe të tilla që maten me guxim, qëndresë dhe përkushtim. Rrugëtimi i Artan Sadikit, birit të Botushës, nga Durrësi deri në Selanik, duke përshkuar në këmbë rrugën e lashtë “Via Egnatia”, është dëshmi e një sfide që tejkalon kufijtë e një udhëtimi të zakonshëm.

Më pëlqen veçanërisht ideja e tij për ta sfiduar vetveten, për të ecur i vetëm, për t’u përballur me lodhjen dhe vështirësitë, por edhe për ta njohur nga afër historinë dhe trashëgiminë e vendeve nëpër të cilat kaloi.

Siç shprehet edhe vetë Artani, ky rrugëtim ishte një sfidë personale, por edhe një mundësi për të njohur më mirë historinë dhe rrënjët. Pikërisht këtu qëndron vlera e veçantë e kësaj përvoje: ai nuk përshkoi vetëm një rrugë të lashtë, por krijoi një histori të re personale mbi gjurmët e historisë.

I lindur dhe i rritur në Zvicër, por me prejardhje nga Botusha, Artani dëshmon se largësia gjeografike nuk e zbeh dashurinë për vendlindjen dhe respektin për prejardhjen.
Të sfidosh vetveten është guxim, ta përfundosh atë që ke nisur është karakter, ndërsa të ecësh mbi gjurmët e historisë është edhe një mënyrë për ta njohur më mirë identitetin tënd.
Urime, Artan! Me këtë rrugëtim i ke dhënë kuptim të veçantë fjalës këmbëngulje dhe krenari të ligjshme vendlindjes sate, Botushës.
Të priftë e mbara në sfidat e ardhshme!


