Amina Nuraj, Novi Pazar (Pazari i Ri), 8 nëntor 2026
Televizionet në Republikën e Kosovës duhet ta kenë një emision të veçantë, të dedikuar vetëm historisë së kombit shqiptar, ku një historian i përgatitur dhe me përkushtim ndaj së vërtetës historike do të trajtonte, në mënyrë të vazhdueshme, rrugëtimin tonë kombëtar.
Fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të edukohen me historinë, sakrificën, gjuhën, kulturën, traditat dhe vlerat e mëdha që mbart kombi ynë.
Duhet ta dinë kush ishim, çfarë kemi përjetuar, sa kemi sakrifikuar dhe mbi çfarë themele është ndërtuar liria që gëzojmë sot. Një komb që nuk e njeh historinë e vet rrezikon të humbasë edhe orientimin për të ardhmen.
Nuk mjafton vetëm të flasim për atdhedashurinë, duhet ta kultivojmë atë te brezat e rinj përmes dijes, edukimit dhe njohjes së rrënjëve tona. Na duhet t’u japim hapësirë njerëzve të mençur, të përgatitur profesionalisht dhe me integritet, të cilët kanë dije, kulturë dhe përgjegjësi kombëtare.
Televizionet tona duhet të jenë platforma ku vlerësohet intelekti, promovohen historianët, studiuesit dhe njerëzit e shkencës, e jo vetëm fama dhe spektakli.


