Deputetja e pavarur Marjana Koçeku është përfshirë në një përplasje publike në rrjetin social X me politikanin serb Vladimir Štimac, pjesë e Listës Studentore në Serbi, pas deklaratës së tij se Kosova është dhe do të mbetet përgjithmonë serbe. Štimac ka pretenduar se lëvizja studentore, ndryshe nga Aleksandar Vuçiç, nuk do të tradhtojë interesat serbe në Kosovë.
Koçeku ka reaguar duke theksuar se ndryshimi politik dhe demokratizimi i Serbisë nuk mund të realizohen duke ruajtur të njëjtën retorikë nacionaliste ndaj Kosovës. “Nëse Lista e Studentëve përsërit retorikën nacionaliste të Vuçiçit për Kosovën, çfarë e bën atë politikisht të ndryshme nga ai?”, shkruan deputetja, duke kërkuar që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, të pranojë krimet e kryera gjatë luftës dhe të kërkojë falje për spastrimin etnik, viktimat, personat e zhdukur dhe dhunën seksuale.
“Nuk mund të pretendosh se lufton autoritarizmin në vend, ndërsa mbron dominimin mbi një komb tjetër”, ka deklaruar Koçeku, duke paralajmëruar se lëvizja studentore serbe rrezikon ta shpërdorojë energjinë e saj nëse nuk shkëputet nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
Debati ka tërhequr edhe vëmendjen e ish-ambasadores së Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, e cila ka shpërndarë reagimin e Koçekut në X, duke e cilësuar si një mesazh të brezit të ri shqiptar për studentët serbë: “Zgjohuni, është shekulli i 21-të dhe ne jemi në Europë”.


