ARKIVI:
16 Maj 2026

Dardha nën dardhë bie

Shkrime relevante

Pabarazia gjuhësore dhe heshtja institucionale në Ulqin

Prof. Dr. Nail Draga, Ulqin Dilemat tona Çështja e barazisë gjuhësore nuk është...

Për synimet e disa pseudointelektualëve dhe hoxhallarëve për të na e mohuar përkatësinë kombëtare shqiptare

Prof. Xhemaledin Salihu, Preshevë E DREJTA LEGJITIME : TË JEMI SHQIPTARË  ME...

Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK, ringjallje e karizmës apo vetëvarrim politik?

Prof.Dr. Fadil Maloku, sociolog Ka shumë raste kur politikanët e heqin maskën...

Shqiptarët Ndër Shekuj – Popull i Mbijetuar mes Perandorive dhe Pushtimeve

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan ____ Historia e shqiptarëve është ndër historitë më...

Dardha nën dardhë bie

Eshref Ymeri Kush është Skënder Kapiti (Nacionalizmi, si ideologji,  i ka rrënjët në...

Shpërndaj

Eshref Ymeri

Kush është Skënder Kapiti

(Nacionalizmi, si ideologji,  i ka rrënjët në edukatën familjare)

Sot, në Shqipërinë Londineze, në mjetet e informimit masiv, në tekstet shkollore dhe universitare, nuk haset kund termi nacionalizëm. Jo vetëm kaq, por edhe kur përmendet, ky term shoqërohet me një mbiemër shpotitës: nacionalizëm folklorik. Por njëherë e një kohë, kur komunistët nuk kishin dalë në skenën e historisë shqiptare, ky term ishte mjaft i respektuar. Madje për lartësimin e kuptimit të këtij termi, ishin të interesuara drejtpërsëdrejti strukturat më të larta të shtetit shqiptar, deri te vetë Mbreti Ahmet Zogu. Dhe një interesim i tillë nuk ishte i rastësishëm. Sepse nacionalizmi, në thelb, përfaqëson në vetvete një ideologji dhe një orientim të politikës, që ka si parim themelor tezën për vlerën e kombit, si formën më të lartë (më supreme) të unitetit shoqëror në procesin e shtetformimit. Nacionalizmi, si një lëvizje politike, ka si pikësynim mbrojtjen e interesave të bashkësisë kombëtare në raport me pushtetin shtetëror. Në themelin e vet, nacionalizmi predikon besnikërinë ndaj kombit, pavarësinë politike dhe punën në të mirë të popullit, ngritjen kulturore dhe shpirtërore të tij, forcimin e vetëdijes kombëtare për mbrojtjen e kushteve të jetesës së kombit, të territorit ku ai banon, të resurseve ekonomike dhe të vlerave shpirtërore. Ai mbështetet mbi ndjenjën kombëtare, e cila do të thotë atdhetari. Si ideologji, nacionalizmi ka për qëllim të bashkojë shtresat e ndryshme të shoqërisë, pavarësisht se ato mund të kenë edhe mospërputhje interesash.

Në veprën e një historiani të njohur, thuhet :

“Mbreti Zog kishte merak të madh edukimin e fëmijëve të shkollave me ndjenja patriotike e nacionaliste. Më 1927 Ministria e Arsimit shpalli konkurs kombëtar për tekstin më të mirë për “Patriotizëm e nacionalizëm”, konkursin e fitoi Kristo Floqi, një intelektual mjaft i njohur i kohës, dhe me leje nr. 1290, datë 24. XI. 1927, botohej teksti i tij “Patriotizëm dhe nacionalizëm”, i detyruar “Për shkollat publike e private të shtetit. Tiranë 1928”, shkruhet në faqen e parë të tekstit. Është tekst shumë i mirë që edhe sot nga të rritur e të rinj do të lexohej me kënaqësi” (Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re”. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 206).

Në vazhdim, Dr. Vasfi Baruti, nga libri në fjalë, ka shkëputur një fragment mjaft domethënës:

“… Po cili është atdheu juaj? Atdheu juaj s’është kodra ose fusha e katundit tuaj, xhamia ose kisha e fshatit tuaj, minaretë ose kambanoret kryepërpjeta, oxhakët e shtëpive ose kasollet tuaja. Atdheu juaj është Shkodra për Korçarin, Korça për Kosovarin, Kosova për Kolonjarin, Kolonja për Hotasin e Grudasin, Hoti e Gruda për Devollasin, Devolli për Bregdetasin dhe Çamin dhe Çamëria e Himara për Dibranin e Lumjanin. Atdheu juaj është gjithë Shqipëria ku flitet, si thamë, gjuha e lehtë zanore shqipe dhe ku jetojnë shqiptarë, është gjaku jonë, ai gjak i vlertë që kanë derdhur gjyshstërgjyshët tanë mbi altarin e Atdheut për shpëtimin e tij, është bashkimi jonë dhe ndjenja e dëshira për një rrojtje të lirë e të panjollë; është Qielli i bukur e i kaltër që mbulon Shqipërinë; është Dielli i flakët dhe i ëmbël që ndriton Shqipërinë; është deti i blertë me tallazet e valët e tij që përlak zallet e Shqipërisë; janë fushat e malet e kodrat e bregoret e pllajat e lumenjtë e kulluar të Shqipërisë. Atdheu është kombi jonë, të cilin kemi detyrë ta duam e ta ndërtojmë e ta mbrojmë me mish e me shpirt kundër çdo mësyesi e invadori e të mos lëmë kurrë asnjë pëllëmbë dheu të shkelet prej thundrës së një të huaji. Ky duhet të jetë programi e ideali juaj, o djelmosha!…” (po aty).

Shovinizmi europian, nën diktatin  e shovinizmit kriminal rus, në Kongresin e Berlinit të vitit 1978 dhe në Konferencën e ambasadorëve të vitit 1913 në Londër, na copëtoi trojet etnike për llogari të serbogrekëve, armiqve tanë shekullorë. Prandaj edhe tani, pas 113 vjetësh, trojet tona etnike, si të asnjë kombi tjetër në mbarë rruzullin tokësor, vazhdojnë të mbeten të copëtuara në 6 shtete.

Në këto kushte, ideologjia nacionaliste duhej të shërbente si yll karvani për orientimin e krerëve politikë drejt një objektivi të përbashkët: ribashkimit të trojeve tona etnike, në një shtet të unifikuar, me një stemë dhe një flamur kombëtar.

Është shkruar e ç’nuk është shkruar për themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Por sipas burimeve arkivore partiake, me të cilat dr. Vasfi Baruti është njohur nga afër, rezulton një e vërtetë tragjike. Në mbledhjen themeluese të  8 nëntorit 1941, qe aprovuar një Rezolutë, të cilën e patën përgatitur paraprakisht Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Pikërisht në atë rezolutë, “mbillet, që atë natë, fara e helmët e rrezikshmërisë që vjen nga nacionalizmi shqiptar për Shqipërinë natyrale dhe Rezoluta publikohet për herë të parë po nga Hoxha në shkrimin e tij kushtuar Titos në revistën Shqipëri-Jugosllavi (nëntor 1947)” (po aty, f. 229).

Të vërtetën tragjike për rrezikshmërinë që vjen nga nacionalizmi shqiptar, e pranon edhe biografi i Titos V. Dedijer, në librin me titull “Marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri”, 1949, f. 25 (po aty, f. 255).

Dhe dr. Vasfi Baruti vjen në një përfundim logjik:

        “Fara e helmët e kundërnacionalizmit që u hodh në mbledhjen themeluese të Partisë, prodhoi fryte të helmëta për “dekorimin” me plumb pas shpine të qindra nacionalistëve gjatë luftës e pas lufte, me “rrezikun” e nacionalizmit u përgatit dhe strategjia për qëndrimin antikombëtar ndaj Kosovës, në interes të politikës kolonialiste të Titos” (po aty, f. 256).

Pra, Partia Komuniste e Shqipërisë, e themeluar nga emisarët e Titos – Popoviçi dhe Mugosha -, s’ishte gjë tjetër, veçse një agjenturë në shërbim të Jugosllavisë titiste. Shovinizmi serbosllav, ashtu si edhe Titoja, përgatiti dhe zbatoi në Dardani të njëjtin skenar për krijimin e së njëjtës agjenturë, me në krye Hashim Thaçin, agjentin e rekrutuar nga shërbimi sekret francez për llogari të Serbisë fashiste. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi në praktikë se të dy skenarët, e përgatitur nga Beogradi, funksionuan si jo më mirë gjatë dhe pas luftës për vrasjen e nacionalistëve në Shqipëri, si edhe gjatë dhe pas luftës, po për vrasjen e nacionalistëve në Dardani.

Në këto kushte, duhej të kishte qenë e domosdoshme lindja e ideologjisë nacionaliste në të dy shtetet shqiptare, duke e vlerësuar si një domosdoshmëri historike në Shqipëri pas shembjes së sistemit komunist dhe pas shpalljes së pavarësisë së Dardanisë më 17 shkurt 2008. Në Republikën e Dardanisë, pas largimit nga pushteti të bandës tradhtare të Hashim Thaçit, në skenën politike dolën dy personalitete me formim të shkëlqyer nacionalist – Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, çka është një ogur i mirë për mbarë kombin shqiptar. Megjithatë, për fatkeqësinë tonë kombëtare, opozita në Republikën e Dardanisë, si besnike e tradhtisë thaçiste, vazhdon të luajë rolin e agjenturës së Serbisë fashiste. Ndërkohë, në Tiranë, partia në pushtet, ka qenë dhe vazhdon të mbetet trashëgimtare e tradhtisë së argatit të Beogradit Enver Hoxha, çka mishërohet më së miri në figurën kryeministrit Rama, si tradhtar i Republikës së Dardanisë dhe argat i Serbisë fashiste.

Në këto kushte, roli i intelektualëve, te edukuar në frymën e nacionalizmit, është i një rëndësie të jashtëzakonshme për mbarë kombin  shqiptar.

Një personalitet i tillë, i mirënjohur në fushën e ideologjisë nacionaliste, është intelektuali shumë i respektuar dardan, Skënder Kapiti. U bënë vite të tëra që ky intelektual me brymosje nacionaliste shembullore, vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje të kombit shqiptar nga shovinizmi serbogrek dhe nga zuzarët politikë të të gjitha ngjyrave. Nuk ishte aspak rastësi dalja në mbrojtjen dhe propagandimin e ideologjisë nacionaliste ng ana e këtij intelektuali të shquar. Është pikërisht ky intelektual me vetëdije të lartë kombëtare, me një arsimim dhe kulturë të gjerë në fushën e jurisprudencës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili është bërë flamurtar i nacionalizmit shqiptar. Sepse, siç pati thënë dikur intelektuali i ndjerë, diplomati Abdi Baleta, “vetëm nacionalizmi e shpëton kombin shqiptar”.

        Atdhetari model Skënder Kapiti dha një kontribut të madh në Durrës, ku lokali i Kapitëve pati shërbyer si një nyjë lidhëse mes Diasporës dardane dhe Dardanisë gjatë luftës. Në atë lokal u pritën nga Diaspora dhe u përcollën drejt kufirit qindra e qindra trima dardanë, për të shtuar radhët e UÇK-së në luftë kundër ushtrisë fashiste serbe. Vetë Skënder Kapiti u rreshtua në radhët e asaj ushtrie dhe sot gëzon statusin e veteranit të nderuar të saj.

Si autor i disa librave, me tema të mprehta atdhetarizmi, Skënder Kapiti ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të shquar me publicistikën e tij nacionaliste. Analizat e tij, të botuara në qindra e qindra artikuj në faqet e internetit, kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si një “universitet” i edukimit nacionalist.

Personaliteti i këtij intelektuali ka ardhur dhe është ngritur mbi një truall tejet të shëndoshë për edukimin dhe formimin e tij nacionalist. Ai ka lindur, është rritur dhe është edukuar në një familje me tradita të shkëlqyera atdhetarizmi. Prindërit e tij patën  lindur dhe e patën kaluar rininë në Dardani, por kur atje qe vendosur diktatura e egër titisto-rankoviçiane, ata  u larguan  nga vendlindja dhe erdhën në Durrës, ku Skënderi pati lindur në vitin 1959. Pikërisht Babai i tij i nderuar, patrioti i njohur Sadri Kapiti, ishte ai që i pati futur në gjak të birit që në fëmijëri frymën nacionaliste, dashurinë për Dardaninë, frymën e atdhetarizmit, çka pati ndikuar drejtpërsëdrejti për rrënjosjen e ndjenjave nacionaliste në vetëdijen e këtij publicisti me emër në mbarë trojet shqiptare. Pikërisht në saje të asaj edukate të mrekullueshme, kombi shqiptar ka sot një intelektual kaq të formuar, kaq të përgatitur dhe kaq të vendosur në mbrojtje të Çështjes Kombëtare Shqiptare, ende të pazgjidhur në Gadishullin Ilirik.

Domosdo, dardha nën dardhë bie. Është pikërisht Skënder Kapiti ai, i cili është radhitur fuqimisht në mbrojtje dhe në përkrahje të Kryeministrit Albin Kurti, si figura më emblematike në radhët e politikanëve shqiptarë. Artikujt analitikë të Skënder Kapitit shërbejnë si thirrje për mbarë kombin shqiptarë për t’u rreshtuar vendosmërisht rreth Albin Kurtit, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosja,  formacion politik ky në mbrojtje të nacionalzmit shqiptar.

Nuk është rastësi që Dardania, tradicionalisht, ka pasë shërbyer si “Tanku i kreut” në mbrojtje të interesave jetike të kombit shqiptar, prandaj edhe nga ai truall kanë dalë Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe intelektuali Skënder Kapiti, që të tre të formatit nacionalist.

Para më shumë se pesë vjetësh, kam theksuar në internet:

“Do të ishte një mrekulli e vërtetë që intelektuali i shquar nacionalist Skënder Kapiti të gëzonte mandatin e deputetit dhe të ndodhej në Kuvendin e Ri të Kosovës pranë Albinit dhe Vjosës”.

        Le të shpresojmë që intelektualin nacionalist Skënder Kapiti ta shikojmë një ditë deputet në Kuvendin e Dardanisë.

Kaliforni, 13 maj 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu