ARKIVI:
26 Prill 2026

Golda Meir: “Nëse arabët do t’i ulnin armët, nuk do të kishte më luftë, nëse armët ulen nga Izraeli, s’ka më Izrael”

Shkrime relevante

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Vuçiç: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës

Gani I. Mehmeti (A.P / 25 April 2026 - 17:34, Kosova Sot...

Bllokim të deputetevë në Kuvend deri në zgjedhjen e Presidentit!

Florim Zeqa Në demokraci sovrani (populli) është forca mbrojtëse e shtetit dhe...

Palestra e “trurit të mbyllur”, Drenica e Sami Lushtakut !

Lirim Gashi, Prizren DRENICA E SUPËS POLITIKE TË SAMI LUSHTAKUT, ËSHTË PALESTËR...

Shpërndaj

GOLDA MEIR KISHTE TË DREJTË – DHE PIKËRISHT PËR KËTË FJALËT E SAJ VAZHDOJNË TË PROVOKOJNË
Një citat. Një imazh. Një formulim që nuk zhduket.
Fjalët që i atribuohen Golda Meir-ës janë të thjeshta, por të pamëshirshme në logjikën e tyre:
“If the Arabs put down their weapons, there would be no more war. If Israel put down its weapons, there would be no more Israel.” (“Nëse arabët do t’i ulnin armët, nuk do të kishte më luftë. Nëse Izraeli do t’i ulte armët, nuk do të kishte më Izrael.”)
Është një citat që shpesh hidhet poshtë si i njëanshëm.
Por është gjithashtu një citat që prek një të vërtetë të pakëndshme.
1948: jo një keqkuptim, por një luftë për ekzistencë
Kur Izraeli shpalli pavarësinë, disa shtete arabe ndërhynë ushtarakisht. Nuk bëhej fjalë për kufij apo detaje.
Bëhej fjalë për të ndaluar krijimin e shtetit. Pesë shtete arabe hynë menjëherë në luftë. Përveç tyre, morën pjesë edhe forca vullnetare arabe dhe milici lokale palestineze që tashmë ishin në luftime para se shteti të shpallej.
Izraeli nuk u përball me një konflikt të kufizuar, por me një sulm rajonal. Në të njëjtën kohë, Izraeli nuk kishte atë që shpesh supozohet gabimisht: mbështetje nga Perëndimi. As SHBA-të dhe as Britania e Madhe nuk dërguan trupa. Nuk ishte një luftë e fuqive të mëdha ku Izraeli mbështetej nga aleatë të fuqishëm.
Përkundrazi, ekzistonte një embargo armësh, që në praktikë e la Izraelin pa mbështetje ushtarake të rregullt në fazën fillestare dhe vendimtare të luftës. Armët që megjithatë arritën në Izrael (u blenë) erdhën kryesisht nga Çekosllovakia, me miratim sovjetik – një vijë shpëtimi vendimtare, por e kufizuar, jo një shenjë e mbështetjes së gjerë ndërkombëtare. Ajo që bëri dallimin ishte mobilizimi i mbarë diasporës hebreje në botë; vullnetarë nga SHBA-të, Evropa dhe Afrika e Jugut, që iu bashkangjitën luftës. Shumë prej tyre kishin përvojë luftarake nga LDB dhe u bënë një forcë e rëndësishme, veçanërisht në aviacion.
Pra, Izraeli nuk e fitoi luftën sepse kishte aleatë të fortë.
Izraeli e fitoi luftën megjithë mungesën e tyre.
Lufta arabo-izraelite shënoi fillimin e një realiteti ku ekzistenca e Izraelit nuk mund të merrej kurrë si e mirëqenë.
Nga kjo përvojë flet Golda Meir.
Po, pati refugjatë – në të dyja anët
Qindra mijëra arabë u larguan nga territori që u bë Izrael. Arsyet ishin të ndryshme: lufta, frika, kolapsi i strukturave shoqërore, në disa raste dëbimi – në raste të tjera thirrje nga shtetet arabe për t’u larguar përkohësisht. Në të njëjtën kohë, shumë arabë mbetën dhe u bënë qytetarë të Izraelit. Paralelisht, në vitet që pasuan, qindra mijëra hebrenj u dëbuan ose u larguan nga vendet arabe. Ata u vendosën në Izrael dhe u bënë pjesë e shoqërisë.
Këtu përfundon ngjashmëria.
Dallimi vendimtar
Refugjatët hebrenj u integruan. Refugjatët palestinezë mbetën në një gjendje të përhershme pasigurie. Në Liban dhe Siri, ata u mbajtën në status refugjati, shpesh me të drejta shumë të kufizuara.
Në Jordani për një kohë të gjatë, pjesa palestineze që përbënte rreth 70% të popullsisë jordaneze nuk kishte as shtetësi të plotë, dhe edhe kur ajo u dha, nuk nënkuptonte integrim të plotë apo siguri politike.
Conquete de Jerusalem par le Calife Omar, disciple de Mahomet en 638. Vignette publicitaire Liebig, 19eme siecle. ©Selva/Leemage
Kjo është thelbësore; statusi i refugjatit nuk u zgjidh…
Pse?
Bota ka shumë kriza refugjatësh, por pothuajse asnjë që ka evoluar në këtë mënyrë. Në shumicën e rasteve, statusi i refugjatit përfundon me kalimin e kohës përmes integrimit. Për palestinezët ndodhi ndryshe. Statusi i tyre u trashëgua nga një brez te tjetri. Në vend që të zgjidhej, situata u institucionalizua. Shihet qartë edhe në faktin se ata trajtohen nga një agjenci e veçantë e OKB-së, UNRWA, diçka që nuk ka precedent. Të gjithë refugjatët e tjerë në botë janë nën mandatin e UNHCR. Pyetja, pra, nuk është vetëm pse nisi konflikti, por pse nuk u lejua të përfundojë?
Kjo është, pra, ajo pika ku diskutimi stakon. Nuk ka pse.
Integrimi i plotë i palestinezëve do të nënkuptonte, në praktikë, heqjen dorë nga ideja e kthimit. Mirë po, kjo nuk është diçka e paprecedentë. Gjatë ndarjes së Indisë dhe Pakistanit, miliona njerëz u zhvendosën me dhunë dhe humbën shtëpitë e tyre. Edhe pas kësaj, ata ndërtuan jetë të reja në shtetet ku përfunduan, pa mbetur përgjithmonë në status refugjati. As u krijua ndonjë “UNRWA pakistaneze”. Refugjatët nga ndarja e Indisë dhe Pakistanit, rreth 14 deri në 15 milionë njerëz, nuk morën një agjenci të veçantë të OKB-së. Ata u trajtuan brenda kornizave të zakonshme ndërkombëtare dhe, me kalimin e kohës, u integruan në shtetet ku përfunduan.
E njëjta gjë vlen për shumicën dërrmuese të krizave të tjera të refugjatëve në botë. Ato bien nën mandatin e UNHCR, e cila, që nga themelimi i saj, ka përfshirë dhe trajtuar qindra milionë njerëz në mbarë botën. Po kështu, pas ngjarjeve tragjike mes turqve dhe armenëve, zhvendosje masive ndryshuan përfundimisht përbërjen e popullsive. Edhe aty, kthimi nuk u bë realitet për shumicën, por statusi i përhershëm i refugjatit, ama, nuk u trashëgua brez pas brezi.
Dhe këtu qëndron ai thelbi. Dhe këtu kuptohet Golda Meir
Kur shikon këtë zhvillim, jo vetëm luftën e vitit 1948, por edhe gjithçka që pasoi, bëhet e qartë se konflikti nuk mbeti thjesht një çështje territoriale. Ai u shndërrua në një çështje të pazgjidhur, e mbajtur gjallë me kalimin e dekadave.
Pikërisht këtu merr kuptim ajo që shprehte Golda Meir. Fjalët e saj nuk flasin për detaje historike apo për përgjegjësi të ndara. Ato flasin për diçka më të thellë: se konflikti, në thelb, lidhet me pranimin. Pranimin e ekzistencës së Izraelit si shtet.
Për sa kohë që kjo nuk zgjidhet, përmes pranimit të realitetit apo një zgjidhjeje përfundimtare, konflikti nuk do të mbyllet.
Fjalët e Golda Meir-ës vazhdojnë të provokojnë sepse nuk përshtaten me një rrëfim të thjeshtë. Por ato mbijetojnë për një arsye: sepse prekin një realitet që ende nuk është zgjidhur.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu