Naile Ejupi, PrishtinëPërplasjet e vjetra politike brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë rikthyer në vëmendje pas deklaratave të ish-presidentes së Kosovës, tash deputete e kësaj partie, Vjosa Osmani. Kritikat e saj ndaj ish-udhëheqësve të LDK-së, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti, kanë nxitur reagime dhe kanë rikthyer në skenë tensionet që e shoqëruan largimin dhe më pas rikthimin e saj në këtë subjekt politik.
Në një intervistë për Kanal10, Osmani ka folur për qeverisjet e kaluara, zhvillimet brenda LDK-së dhe raportet me ish-bashkëpartiakët. Ajo ka kritikuar veçanërisht qeveritë e udhëhequra nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, duke thënë se edhe Qeveria Kurti duhet të nxjerrë mësime nga gabimet e paraardhësve.
“Le të përmirësohen, jo të bëhen kopje të këqija të Isës dhe Hashimit. Duhet të kenë më shumë ambicie. Edhe unë si presidente për dy vite është dashur të merrem me pasojat e dëmeve që i kanë bërë të tjerët përpara”, ka deklaruar Osmani.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa. I pyetur nga mediat për qëndrimet e Osmanit, Mustafa është përgjigjur shkurt: “Është dëm të merrem me të. Është katandisur keq”.
“Turizmi politik është aktivitet joetik në politikë. Koha po i sqaron të gjitha. Kur mbaron sezoni i turizmit politik, mbetesh në rrugë, i frustruar, i nervozuar, deri në ofertën turistike politike të radhës. Matrapazët politikë edhe mund ta gjejnë ndonjë ofertë. Por shtëpia nuk zëvendësohet me strehën e kundërshtarit, që të shfrytëzon për interesa të veta. Sërish, koha po i nxjerr në dritë të gjitha të vërtetat”, ka shkruar Hoti.
Raportet e Osmanit me LDK-në kanë një histori të gjatë përplasjesh. Ajo ishte njëra ndër figurat e rëndësishme të këtij subjekti politik, por pas mospajtimeve me udhëheqjen e atëhershme, veçanërisht me Isa Mustafën, u largua nga partia dhe vazhdoi rrugëtimin politik përmes Listës Guxo. Pas përfundimit të mandatit presidencial, Osmani u rikthye në LDK, duke e cilësuar këtë vendim si mundësi për të kontribuar në partinë ku kishte nisur karrierën politike.
Megjithatë, rikthimi i saj nuk u prit pa kundërshtime. Në intervistën e fundit, Osmani ka treguar se disa persona i kishin kërkuar të kërkonte falje para se të rikthehej, por ajo kishte refuzuar.
“Ata thanë para se të kthehet kërko falje, dhe unë ju thashë jo, nuk kërkoj falje për asgjë. Sepse LDK-ja më ka lutur me u rikthy. Asgjë nuk i kam kërkuar LDK-së, as nuk i kam kërkuar pozicion partiak, as sot nuk i kërkoj asgjë. Jam kthyer me ndihmu”, ka deklaruar ajo.
“Natyrisht që SHIK-ut i pengon kjo. Po pse disa po veprojnë në interes të tyre brenda partisë është e tmerrshme, është e dëmshme”, ka thënë Osmani.
Një tjetër çështje ku ish-presidentja ka drejtuar akuza ndaj ish-bashkëpartiakëve është formimi i Qeverisë Hoti në vitin 2020, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti. Ajo ka pretenduar se votat e marra prej saj në zgjedhjet e atëhershme, kur ishte kandidate për kryeministre, ishin përdorur në mënyrë të padrejtë për krijimin e qeverisë së re.
“Ndoshta Hoti e kupton që fakti që i ka kontrabanduar votat që i kam marrë unë si kandidate për kryeministre dhe me vota të vjedhura dhe me vullnet të vjedhur të qytetarëve ka krijuar atëherë Qeveri, ka qenë gabim”, ka deklaruar ajo.
LDK drejt zgjedhjeve të brendshme të vitit 2027
Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se deklaratat e fundit të Vjosa Osmanit janë tregues të një procesi të tensionuar që pritet ta shoqërojë LDK-në gjatë zgjedhjeve të brendshme të vitit të ardhshëm.
Sipas tij, kjo parti po përballet me krizë të thellë politike dhe organizative, ndërsa lidershipi aktual nuk po arrin të menaxhojë as strukturat partiake dhe as grupin parlamentar, duke humbur kështu edhe relevancën në skenën politike të Kosovës.
Sa i përket rikthimit të Osmanit në LDK, Haziri e konsideron atë një mision përçarës, me synimin për të marrë drejtimin e partisë dhe për ta shfrytëzuar atë në funksion të interesave të saj dhe të një grupi të vogël përreth saj.
“Marrë në përgjithësi, janë deklarata që paralajmërojnë një proces të tensionuar të zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, të cilat janë në vitin e ardhshëm, dhe një atmosferë armiqësore brenda LDK-së, parti kjo që po kalon në një krizë të madhe sa i përket veprimit politik dhe organizativ, ku po ashtu shihet qartë se lidershipi aktual nuk menaxhon dot me strukturat partiake e as me grupin parlamentar të LDK-së, e që kjo situatë ka bërë që ky subjekt politik ta humbë aktualisht edhe relevancën e vet në skenën politike kosovare. Sa i përket deklaratave të znj. Osmani, nuk më habisin fare, pasi rikthimi i saj në LDK është mision përçarës dhe dobësim i vetë LDK-së, me synimin e saj për ta marrë kreun e LDK-së, pavarësisht se cila do të jetë fuqia e kësaj partie, por që të jetë e mjaftueshme për t’i shërbyer interesave të saj dhe një grupi të vogël rreth saj”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka kritikuar ashpër edhe kredibilitetin e Osmanit për të folur për qeverisjet e Isa Mustafës dhe Avdullah Hotit, duke rikujtuar edhe një çështje që lidhet me mandatin e saj presidencial.
“Vjosa Osmani është personi më pa kredibilitet që të flasë për Qeverinë Mustafa dhe Qeverinë Hoti, e aq më pak të jetë në krye të LDK-së. Edhe kundërshtarët më të mëdhenj të LDK-së e pranojnë se Qeveria me kryeministër Isa Mustafën ka qenë dhe është qeveria më e mirë që ka pasur Kosova deri më tani. Ndërsa znj. Osmanit duhet t’i rikujtohet se në mandatin e saj si presidente, e propozuar dhe e zgjedhur nga LVV-ja, është dënuar Ministria e Punëve të Jashtme, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, për arsye të mospublikimit të shpenzimeve të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut, si zyrtar diplomatik. Andaj, është fyerje ndaj një shoqërie të tërë kur dëgjon Vjosa Osmanin tek flet për keqqeverisje e korrupsion”, ka deklaruar Haziri për “Bota sot”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është gjobitur në vitin 2022 me 13 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, për mosofrim të qasjes në dokumentet për shpenzimet e udhëtimeve të diplomatit Prindon Sadriu. Ministria atëkohë kishte deklaruar se në sistemin e saj nuk kishte të dhëna të ndara për shpenzimet individuale të diplomatëve.
Zgjedhjet e brendshme dhe e ardhmja e LDK-së
Analisti Milazim Maraj, nga ana tjetër, vlerëson se përplasjet e fundit brenda LDK-së janë pasojë e problemeve të akumuluara ndër vite, veçanërisht e mungesës së zgjedhjeve të mirëfillta demokratike dhe e dominimit të interesave individuale e grupore. Sipas tij, pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, në LDK nuk janë zhvilluar zgjedhje me votë të lirë, por kryesisht me aklamacion, gjë që ka dëmtuar demokracinë e brendshme dhe ka larguar kuadro të afta nga partia.

“Që nga kalimi në amshim i Presidentit Rugova, në LDK nuk janë aplikuar zgjedhje demokratike, me vota të lira. Më shumë është aplikuar votimi me aklamacion dhe duartrokitje. Kjo formë e zgjedhjeve ka rënë ndesh me filozofinë politike dhe standardet demokratike të LDK-së. Nga këtu kanë filluar lufta me bërryla dhe keqpërdorimi i votave. Këto defekte nuk janë luftuar, ngase kanë munguar faktorët demokratikë brenda LDK-së. Kanë mbisunduar interesat personale apo grupore të grupeve të vogla të interesit brenda LDK-së”, ka deklaruar Maraj.
Duke komentuar kritikat e Vjosa Osmanit ndaj gjashtë deputetëve të LDK-së, Maraj thotë se kundërshtimi i tyre ndaj marrëveshjes për çështjen e presidentit nuk i ka shërbyer interesit të elektoratit. Ai kritikon edhe reagimin e Isa Mustafës, duke e konsideruar atë të pabazë dhe duke e akuzuar ish-kryetarin për dëmtimin e partisë dhe ndjekjen e interesave personale.
“Reagimi i Isa Mustafës për këtë gjendje është mjaft i pabazë, madje shumë i papranueshëm. Asnjë këshillë e tij nuk ka efekt pozitiv dhe nuk pritet mirë në anëtarësinë e LDK-së. Njeriu që e ka shfrytëzuar LDK-në dhe që e ka dëmtuar deri në këtë masë është ai vetë. Tani reagimet e tij janë për t’i përkrahur vartësit e tij që i ka në këtë parti. Ai është mjeshtër për përfitime personale, madje edhe për të krijuar strategji për këto përfitime”, ka theksuar Maraj.
Sipas tij, e ardhmja e LDK-së varet nga mënyra se si do të organizohen zgjedhjet e brendshme, të cilat duhet të nisin nga baza dhe të zhvillohen me votë të lirë. Maraj beson se partia ka kuadro të mjaftueshme për ripërtëritje, por ato duhet të marrin hapësirën e merituar, në mënyrë që LDK-ja të rikthehet në funksionin e saj politik dhe në rrugën e presidentit Ibrahim Rugova.
Në këtë kontekst, ai konsideron se gjashtë deputetët nuk mund të shkarkohen vetëm për mungesën e bashkëpunimit, por qëndrimi i tyre ka dëmtuar partinë dhe ka pamundësuar një vendim unik për zgjedhjen e presidentit, duke ndikuar edhe në procedurat dhe imazhin institucional të Kosovës.
“Nëse zgjedhjet fillojnë nga baza dhe zhvillohen në mënyrë demokratike, do të dalin kuadro të reja të përgatitura që kanë perspektivë dhe që ardhmërinë e tyre do ta ndërtojnë në Kosovë. Këso kuadro LDK-ja ka mjaft. Kjo është rruga e ndërtimit të demokracisë dhe ruajtjes së lirisë e pavarësisë së Kosovës”, ka përfunduar Maraj.



