Një analizë brilante nga Sarajeva të cilën do të ishte mirë ta lexonin edhe disa mendjehumbur të kasabasë shqiptare! Me probleme të ngjashme po përballet edhe shoqëria shqiptare si pasojë e radikalizimit fetar të një shtrese të hollë, por të rrezikshme! Mjafton të shikohen pamjet e radikalëve islamistë që po mblidhen para gjykatës në Ferizaj për t’u solidarizuar me të akuzuarit për vrasjen e policit kosovar Muhamed Lika në Kaçanik para një viti. Nuk ka sulm më të madh ndaj shtetit se vrasja e policit, pra mbrojtësit të rendit. Fatkeqësisht, shoqëria kosovare nuk është e vetëdijshme ende mbi dimensionin terrorist, kriminal dhe antikombëtar të këtij krimi.
(Enver Robelli)
______
ISLAMI NUK MUND TË JETË MË I RËNDËSISHËM SE BOSNJA
______
Danijal Haxhoviq, gazetar, kolumnist dhe komentator politik boshnjak
_____
Paradoksi më i madh i politikës boshnjake është se ata që e paraqesin veten si nacionalistët më të mëdhenj, shpesh sillen si antinacionalistë të rregullt. Flasin për kombin, por mendojnë për ymetin (bashkësinë globale myslimane). Betohen në Bosnjë, por e shohin atë vetëm si një episod në një bashkësi shumë më të gjerë fetare.
Nëse nesër dikush do t’i vendoste përpara zgjedhjes midis interesave të shtetit boshnjak dhe interesave të një solidariteti abstrakt islam, shumë prej tyre nuk do të mendoheshin gjatë.
Por ky nuk është nacionalizëm, por islamizëm, i cili në thelbin e tij është thellësisht antinacional, e jo më nacionalist.
Historia evropiane tregon një zhvillim ndryshe. Reformacioni (lëvizja për reformimin e kishës në shek. 16-të) nuk krijoi shtete kombëtare vetvetiu, por ndihmoi dukshëm në lindjen e tyre. Përmes dobësimit të autoritetit universal të Romës, përkthimit të Biblës në gjuhët popullore dhe fuqizimit të kishave lokale, u hap hapësira që lojaliteti politik të orientohej drejt shtetit dhe popullit të vet. Feja nuk u zhduk; përkundrazi, mbeti një pjesë e rëndësishme e identitetit. Por nuk ishte më mbi shtetin.
Në islam situata është më e ndërlikuar. Islami është një fe universale. Ideali i tij nuk është bashkësia kombëtare, por bashkësia e të gjithë besimtarëve. Kjo nuk do të thotë se myslimanët nuk mund të kenë shtete të fuqishme kombëtare. Mund të kenë, dhe shembujt e Turqisë, Indonezisë apo Malajzisë e konfirmojnë këtë. Por kjo kërkon që shteti të jetë autoriteti suprem politik, e jo të jetë i nënshtruar ndaj universalizmit fetar. Te një pjesë e elitës boshnjake ky proces nuk ka përfunduar kurrë deri në fund.
Prandaj prej vitesh mund të dëgjohet se si Erdogani apo Katari janë partnerë politikë gati më të rëndësishëm se aleatët evropianë. Prandaj në tubime valëvitet më shumë flamuri palestinez apo turk sesa flamuri i Bosnjë-Hercegovinës. Prandaj çdo krizë ndërkombëtare në Lindjen e Mesme përjetohet si personale, ndërsa pyetjet e ndërtimit të institucioneve boshnjake, ekonomisë apo demografisë shtyhen në plan të dytë. Prandaj politikanë të caktuar me vite kanë folur për “vëllezërit myslimanë” shumë më shpesh sesa për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës si një bashkësi e përbashkët politike.
Asnjë popull nuk mund të ndërtojë një shtet të fuqishëm nëse lojaliteti i tij politik është i orientuar përherë jashtë kufijve të vet.
Lufta në Gazë duhej më në fund të shkatërronte një iluzion. Me vite flitej për një ymet të unifikuar. Dhe çfarë ndodhi kur erdhi tragjedia më e madhe? Shtetet myslimane vazhduan të ndiqnin politikat e tyre. Disa mbajtën marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Të tjerat vazhduan bashkëpunimin tregtar. Të tjerat me radhë kujdeseshin mbi të gjitha për sigurinë e tyre. Askush nuk e sakrifikoi shtetin e vet për shkak të një uniteti abstrakt. Sepse shtetet nuk funksionojnë mbi emocione, por mbi interesa.
Përse atëherë boshnjakët duhet të jenë i vetmi popull që e konsiderojnë shtetin e tyre më pak të rëndësishëm se një ide që as midis shteteve myslimane nuk realizohet? E vërteta është se ne, përveç fesë së përbashkët, kemi relativisht pak gjëra të përbashkëta me shumicën e botës myslimane. Gjuha jonë nuk është arabishtja. Historia jonë nuk është ajo e Lindjes së Mesme. E drejta jonë, kultura, institucionet dhe mënyra e jetesës janë formësuar nga përvoja evropiane. Fatin tonë e përcaktojnë marrëdhëniet me Serbinë, Kroacinë dhe Bashkimin Evropian shumë më tepër se vendimet e marra në Rijad, Doha apo Islamabad.
Bosnja është i vetmi shtet që boshnjakët mund ta quajnë të tyrin. Nëse ajo do të dobësohet, nuk do ta shpëtojë as Arabia Saudite, as Turqia, e as Pakistani. Historia e viteve të nëntëdhjeta tregon mjaft qartë se sa kufij kishte solidariteti ndërkombëtar islam. Në fund Bosnjën e shpëtuan mbi të gjitha qytetarët e saj që e mbrojtën, së bashku me aleatët ndërkombëtarë që ndërhynë kur vlerësuan se kjo ishte në interesin e tyre.
Islami është pjesë përbërëse e identitetit boshnjak dhe askush që ka dy fije mend nuk e vë këtë në dyshim. Ai ka formësuar kulturën tonë, zakonet dhe përvojën historike. Por pikërisht për këtë arsye duhet të mbetet çfarë është feja – një pjesë e rëndësishme e identitetit dhe kuadër moral i jetës. Nuk duhet të shndërrohet në zëvendësim për kombin.
Shteti është i vetmi kuadër në të cilin një popull mund të mbijetojë. Ai mbron kufijtë, nxjerr ligje, organizon ekonominë, arsimon fëmijët dhe mbron liritë. Pa shtet nuk ka as gjuhë, as kulturë, as liri politike. Besimi mund ta ndihmojë njeriun të gjejë kuptimin. Vetëm shteti mund të sigurojë që njeriu të jetojë i lirë.
Boshnjakët janë popull tepër i vogël për t’i lejuar vetes luksin e lojaliteteve të ndara. Bosnja duhet të jetë prioriteti absolut politik. Çdo gjë tjetër mund të jetë e rëndësishme, por asgjë nuk mund të jetë më e rëndësishme.


