ARKIVI:
20 Maj 2024

Kosova ankesë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar kundër Serbisë

Shkrime relevante

Shpërndaj

PRISHTINË, 1 Nëntor 2021-Gazeta DIELLI / portali DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

-Komiteti Olimpik i Kosovës dërgon në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar ankesën për ndalimin në kufi që Serbia i bëri delegacionit të boksit të Kosovës rrugës drejt pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd/

Komiteti Olimpik i Kosovës ka deponuar ankesën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON/IOC)  pasi  nga autoritetet serbe në kufi delegacionit të boksit të Kosovës tre herë iu refuzua hyrja në shtetin e Serbisë, ku do të duhej të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që po mbahet në kryeqytetin serb Beograd.

Ekipi i boksit u ndalua në kufi nga policia serbe, e cila me urdhër të Qeverisë së Serbisë nuk lejoi ekipin e Kosovës të kalonte kufirin tek “Dheu i Bardhë” një herë dhe në Merdarë dy herë, në datat 23 dhe 24 Tetor 2021.

Komiteti Olimpik i Kosovës bëri të ditur sot se ka deponuar gjithë materialin me dëshmitë e refuzimit të hyrjes së ekipit të boksit në kufi, duke bashkëngjitur foto, video, shkrime të mediave ndërkombëtare, letrat dërguar Federatës Botërore të Boksit Amator (AIBA) nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Federata e Boksit të Kosovës, etj.

Në e letrën e dërguar nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, për presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, krahas përshkrimit të gjithë ngjarjes në mënyrë kronologjike, është kërkuar nga shtëpia e Lëvizjes Olimpike në botë, të marrin të gjitha veprimet e duhura ndaj organizatorëve të botërorit të boksit dhe të gjithë akterëve të përfshirë në moslejimin e hyrjes së ekipit të boksit të Kosovës në Serbi.

“Në rast se këto veprime shpëtojnë pa ndonjë dënim të vërtetë, mesazhi i gjithë komunitetit sportiv do të jetë se sporti mund të përdoret si platformë e veprimeve politike dhe dëmtuese. Ekipi i Kosovës është dëmtuar në të gjitha aspektet e mundshme: moralisht, fizikisht, psikologjikisht dhe financiarisht. Ne jemi bërë edhe një herë dëm kolateral i marrëdhënieve të paqarta dhe ne nuk jemi gati të vazhdojmë duke vuajtur nga regjimet politike të një vendi tjetër. Kjo është një mundësi e mirë për familjen olimpike, në mënyrë që të sjellin vendime të përshtatshme dhe të drejta, dhe t’i tregojmë botës se jemi gati t’i mbrojmë vlerat tona dhe për këtë nevojiten të përfshihen të gjitha palët e interesit në sport”, thuhet mes tjerash në letrën e presidentit Krasniqi.

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm Besim Aliti janë në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, me të cilët kanë diskutuar gjerë e gjatë çështjen e boksit gjatë takimeve në Kretë të Greqisë, ku javën e kaluar u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Asociacionit Ndërkombëtar të Komiteteve Olimpike (ANOC).

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu