ARKIVI:
28 Korrik 2026

Kryeministri Kurti: Thesari kulturor e artistik i Prizrenit inspirim për “Zgjim me art”

Shkrime relevante

A ishte në ujdi me politikën shtetërore, deklarata e Ministres së Serbisë Snezhana Paunoviq?!

Ryzhdi Baloku, Pejë Në opinionin e gjerë ka bërë bujë deklarata publike...

Një tubim nostalgjik në Malet e Idriz Seferit

Më 26 korrik,në Malet e Idriz Seferit (Karadak),në trojet shqiptare ngelur...

Çlirimi nuk është metaforë artistike – është sakrificë, kujtesë dhe ndërtim shteti

Agim Vuniqi, Vashington Liria nuk lind nga metaforat, as nuk mbrohet vetëm...

Pa një ekspertizë të pavarur shkencore, çdo analizë mbetët vetëm një interpretim politik”

Safet Sadiku, Zvicër a) Trajtime metodologjike: "Nëse administrata digjitale e Bashkimit Evropian rrit...

Shpërndaj

Prizren, 30 tetor 2021

“Ju përgëzoj për qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e këtij aktiviteti tradicional që sivjet po mbahet për të 19-ën herë me radhë. Por, për një artist që jeton në Prizren, besoj se nuk ka sesi të jetë ndryshe, sepse arti këtu të kaplon në shumë mënyra”, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën përshëndetëse në Festivalin Ndërkombëtar “Zgjimi me Art”, që u mbajt në hapësirat e hamamit historik Gazi Mehmed Pasha, në Prizren.

Tema e sivjetme e këtij festivali të pikturës ishte “Zbulimi i motiveve turke në veshjet tradicionale”.

Teksa ka përgëzuar komunitetin artistik turk për organizimin e mrekullueshëm të festivalit, kryeministri Kurti ka theksuar se askund tjetër me një hapësirë kaq të vogël, nuk gjen kaq shumë kultura e kaq shumë gjuhë sikurse në Prizren.

Nga thesari kulturor e artistik i Prizrenit, besoj se është inspiruar edhe festivali “Zgjimi me art”, ka thënë ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara zv.kryeministre znj. Emilija Redžepi,

I nderuari ministër Fikrim Damka,

I nderuari ambasador Sakhar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit, z. Enis Kervan dhe znj. Fidan Zhëllta,

I nderuari kryetar i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka,

I nderuari zotëri Ethem Bajmak,

E nderuara deputete e Parlamentit Evropian, raportuese për Kosovën, Viola von Kramon,

Të nderuar organizatorë të Festivalit “Zgjimi me art”,

Ju përgëzoj për qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e këtij aktiviteti tradicional që sivjet po mbahet për të 19-ën herë me radhë.

Por, për një artist që jeton në Prizren, besoj se nuk ka sesi të jetë ndryshe, sepse arti këtu të kaplon në shumë mënyra.

Qendra historike e qytetit frymëzon me stile të ndryshme të arkitekturës së shtresuar për më shumë se dy mijë vjet.

Nga kalaja atje lart e periudhës romake, kishat e kohërave paleokristiane e bizantine, arkitektura dominante e stilit osman, sikurse ky Hamam i Madh ku mbahet kjo ekspozitë, pastaj ndërtesat nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri te modernizmi evropian – të gjitha stilet e kohës i gjeni të përmbledhura në bërthamën e qendrës historike të Prizrenit. Mu sikurse në librat e Historisë së Artit.

Prizreni frymëzon artistin me teleisjen e Filigranit, me ikonat mesjetare të kishës së Shën Premtës, me natyrën e bukur, me Malet e Sharrit që i hijeshojnë fushat e Rrafshit të Dukagjinit.

Prizreni frymëzon edhe me llojllojshmërinë e veshjeve tradicionale nga qyteti e rajonet e Hasit, Gorës, Zhupës, Opojës e Anadrinit, që nuk i gjen askund aq ndryshe dhe aq të ndërlidhura me njëra tjetrën.

Askund tjetër me një hapësirë kaq të vogël, nuk gjen kaq shumë kultura e kaq shumë gjuhë sikurse në këtë vend.

Për krenarinë tonë dhe frymëzimin tuaj, Prizreni është qyteti i vetëm në Evropë që i ka 4 gjuhë zyrtare.

Nga ky thesar kulturor e artistik besoj se është inspiruar edhe festivali “Zgjimi me art”, i cili sivjet trajton temën “Zbulimi i motiveve turke në veshjet tradicionale”.

Përgëzoj komunitetin artistik turk për organizimin e mrekullueshëm.

Edhe kësaj here, sikurse çdo herë tjetër që vij në Prizren, mësoj diçka të re nga vlerat e pafundme të këtij qyteti unik.

Prandaj ju falënderoj shumë për ftesën dhe i dëshiroj shumë suksese festivalit edhe në të ardhmen.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu