
Studiuesi Mark Panikaj sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë për dokumentet për Kosovën në Arkivat e Vatikanit

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Gazmend HOXHA viziton tre policët që ishin kidnapuar me 14 qershor
Prishtinë, më 29 qershor 2023
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Gazmend HOXHA viziton tre policët
që ishin kidnapuar me 14 qershor, tani më të liruar
Sot, më 29.06.2023, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Gazmend Hoxha, së bashku me drejtorin e Departamentit të Kufirit z. Ragip Bunjaku, vizituan tre policët e PK-së, të cilët ishin të kidnapuar nga forcat e armatosura serbe më 14 qershor.
Drejtori Hoxha u shpreh se ndihet i gëzuar që tre policët e Policisë Kufitare të PK-së, të cilët ishin kidnapuar nga forcat serbe në territorin e Republikës së Kosovës, tashmë janë liruar. Ata janë mirë dhe iu kthyen familjes së tyre, kolegëve e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ai shprehu mirënjohjen dhe i inkurajoi ata për qëndresën dhe besimin e treguar, si dhe falënderoi ata për punën dhe angazhimet e tyre në kryerjen e detyrave policore me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës e krimeve ndër-kufitare. Familjet e policëve të rrëmbyer me 14 qershor e tashmë të liruar, i uroi që festën e Kurban Bajramit e pritën së bashku me më të dashurit e tyre.
Drejtori i përgjithshëm së bashku me manaxhmentin e PK-së që vizituan policët, ndër të tjera u ofruan mbështetjen dhe përkrahjen morale për ta dhe presin që të njëjtit t’u kthehen punëve dhe angazhimeve policore në të mirë të vendit e qytetarëve pa dallim.
Libri i ri për Nënë Terezën i Dr Gëzim Alpion, akademikut të Universitetit të Birminghamit, vlerësohet me çmim ndërkombëtar

Gëzim Alpion
Libri i ri për Nënë Terezën i akademikut të Universitetit të Birminghamit vlerësohet me çmim ndërkombëtar
Libri i Dr Gëzim Alpion në gjuhën angleze ‘Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj’ fiton ‘Çmimin e Ekselencës në Botime’ për vitin 2023 në SHBA
Zyra e Shypit
Universiteti i Birminghamit
Mbretëria e Bashkuar
https://www.birmingham.ac.uk/news/2023/new-book-on-mother-teresa-by-university-of-birmingham-academic-receives-international-award
Libri i ri i një eksperti të Universitetit të Birminghamit për Nënë Terezën është vlërsuar në Amerikë me ‘Çmimin e Ekselencës në Botime’ për vitin 2023 në kategorinë e ‘biografisë’ nga Shoqata e Botuesve Katolikë, Association of Catholic Publishers (ACP).
Monografia Mother Teresa: The Saint and Her Nation (‘Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj’) i Dr Gëzim Alpion, Profesor i Asociuar i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit, ofron një portret të detajuar të misionares shqiptare.
Libri përqëndrohet në rrethanat familjare të Nënë Terezës, kontekstin e saj etnik, kulturor dhe shpirtëror, traumat, sprovat dhe arritjet e saj si individ dhe misionare publike, si dhe besimin e saj të ndërlikuar.
Botuar nga Bloomsbury Academic, libri është vlerësuar gjerësisht nga ekspertë të fushave të ndryshme. Menjehere pas botimit, revista ndërkombëtare katolike The Tablet në Londër i dedikoi librit kopertinën e numrit te gushtit 2020. Ndersa në 2022, revista LIFE në Nju Jork botoi një shkrim të posaçëm për këtë vepër dhe studimet e tjera të Alpion për Nënë Terezën.
Pas botimit të librit, Dr Alpion u ftua të flas për librin në disa vende, ndërsa në SHBA ai zhvilloi ligjerata vitin që kaloi në Universitetet e Harvardit dhe Georgetown.
I specializuar në disa aspekte të sociologjisë si feja, nacionalizmi, fama, mediat dhe autorësia, Alpion është përqëndruar në figurën e Nënë Terezës për më shumë se 20 vjet. Ai konsiderohet si “autori më autoritar në gjuhën angleze” për Shën Terezën e Kalkutës dhe “themeluesi i Studimeve për Nënë Terezën”.
Në vitin 2021, Dr Alpion u nderua nga Presidenti i Shqipërisë me ‘Medaljen Nënë Tereza’ në shenjë mirënjohje për “kontributin e tij të çmuar akademik në studimin e plotë të jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës, si dhe promovimin e saj si përfaqësuese e vlerave të kombit shqiptar”.
Në lidhje me vlerësimin e ri dhe jehonën e librit, Dr Alpion tha: “Jam i kënaqur që studimi është pritur kaq mirë. Felenderoj ACP-në për çmimin dhe përgëzoj autorët e tjerë që u vlerësuan.”
“Studimi i figurës së Nënë Terezës është një nga pasionet e mija prej dy dekadash. Është mahnitëse që edhe tani kur është shkruar kaq shumë për të, po zbulohen të dhëna të reja, dhe njerëzit vazhdojnë të jenë të lidhur thellë me të si individ dhe me historinë dhe punën e saj.”
Në emër të Bloomsbsury Academic në New Delhi, botuesi Chandra Sekhar, u shpreh: “Ne jemi të lumtur për Profesor Gëzim Alpion që u vleresua me çmimin e fundit për librin e tij të rëndësishëm Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj. Jemi vërtet të gëzuar që ai na zgjodhi ne për ta botuar këtë vepër. Ne falenderojmë ACP-në që vleresoi librin dhe nivelin shkencor te Profesor Alpion”.
Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj është botuar në gjuhën angleze me kopertinë standarde, speciale dhe si eBook.
Historiani Jusuf Buxhovi për Betejën e Kosovës dhe islamin politik në Pressing
Historiani dhe shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi, në intervistën e tij ekskluzive në Pressin të T7 .
Shih videon:
Kryeministrit Kurti në lidhje me ngjarjet në veriun e Kosovës
Prishtinë, 29 qershor 2023
Adresimi i Kryeministrit Kurti në lidhje me ngjarjet në veri të Kosovës dhe diskutimet më të fundit se si t’i qasemi de-eskalimit të situatës
Adresimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me ngjarjet në veri të Kosovës dhe diskutimet më të fundit se si t’i qasemi de-eskalimit të situatës.
Adresimi i kryeministrit në gjuhën angleze:
Honorable Ladies and Gentlemen,
Dear Friends,
I would like to address you all in response to the events in the north of Kosova and the most recent discussions on how to approach de-escalation. At our last meeting in Brussels, a week ago, in response to a table proposing de-escalatory steps by Mr. Josep Borrell, Vice President of the European Commission and High Representative of the European Union for Foreign Affairs and Security Policy, I made the following proposal with concrete steps on what Kosova is ready to do and what we’d expect from Serbia in return.
The Republic of Kosova is keen to contribute to de-escalation. We believe that urgent action should be taken towards this aim, and we are eager and ready to commit to concrete steps that support the goals of de-escalation and stability in the region.
More specifically, the steps we deem necessary and are ready to commit to are the following:
1) Decrease Kosova Police presence in and around municipal buildings gradually in proportion to reduction in violence;
2) Provide full access and monitoring, by EULEX and interested Human Rights NGOs, of judicial proceedings in relation to perpetrators of violence;
3) Organize early elections in the four northern municipalities when triggered by a recall petition supported by at least 20 percent of the electorate, as foreseen by Kosova law. Election date is to be set following a confirmation of having met the recall requirements by the President;
4) Instruct subsequently the four mayors in question to hand over their authority to the newly elected mayors after certification by the CEC in accordance with Kosova law.
Meanwhile, from Serbia we expect the following:
1) Withdraw violent protesters from the municipal buildings and surrounding areas;
2) Pledge to cooperate in detention and judicial processing of offenders by Kosova with EULEX monitoring and full due process guarantees;
3) Reduce readiness of the armed forces to a low level, no new troop movements, removal of 48 Forward Operating Bases situated along the border.
4) Refrain from impeding or interfering with the right of ethnic Serb citizens and of all political parties to freely participate, without intimidation, coercion, or corrupt influence, in the local electoral process.
Both parties, Kosova and Serbia, pledge to fully respect Berlin Process Common Regional Market rules and compliance with the EU acquis on free regional trade according to established agreements.
To conclude, we would like to restate our commitment to an intensive dialogue for a full, unconditional, balanced and fairly sequenced implementation of Basic Agreement and it’s Implementation Annex.
De-escalation of the situation and normalization of relations is doable, you have my readiness and willingness.
Best regards and warm greetings from Prishtina. Thank you very much.
***
Përkthimi në shqip i adresimit të kryeministrit:
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Dëshiroj t’ju drejtohem të gjithëve në përgjigje të ngjarjeve në veri të Kosovës dhe diskutimeve më të fundit se si t’i qasemi de-eskalimit. Në takimin tonë të fundit në Bruksel, para një jave, në përgjigje të një tryeze që propozonte hapa de-eskalimi nga z. Josep Borrell, Zëvendës President i Komisionit Evropian dhe Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, bëra propozimin e mëposhtëm me hapa konkretë se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova dhe çfarë presim nga Serbia në këmbim.
Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim. Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon.
Më konkretisht, hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim:
1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;
2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;
3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;
4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.
Ndërkohë nga Serbia presim si në vijim:
1) Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;
2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;
3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.
4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.
Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra.
Si përfundim, ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj.
De-eskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm, keni gatishmërinë dhe vullnetin tim.
Gjithë të mirat dhe përshëndetje të përzemërta nga Prishtina. Ju faleminderit shumë.
Video: https://we.tl/t-oc1ltZiTxr
Disa fjalë për librin “Këngë e valle popullore në rrethinën e Bujanovcit”
Shkruan: Xhemaledin SALIHU
Libri: “ Këngë e valle popullore në rrethinën e Bujanovcit”, Instituti I Akademisë të Shkencave dhe Arteve, Beograd, 1980, me redactor Dr. Petar Vllahoviq, drejtor I Institutit.
/Disa fjalë mbi librin në fjalë të lexuar, disa të meta në libër mbi këngët e vallet popullore shqiptare dhe motivim që të shkruhet libri: “Këngë e valle të Preshevës me rrethinë”/1
Libri është përkthyer edhe në gjuhë të huaja.
Në fillim, në pjesën e përgjithshme të librit shkruhet mbi Rajonin e Bujanovcit, mbi popullsinë, e tjerë.
Materiali për libër është mbledhur në teren nga Aksioni hulumtues I të Rinjve “Morava Jugore 78”, prej hulumtuesve ishin 18 veta, asnjë shqiptar, edhepse u mblodhën disa këngë e valle popullore shqiptare.
Bashkëpunëtorë professional ishte Olivera Vasiq, etnologe dhe Dimitrije Golemoviq, etnomuzikolog.
Pra, në libër flitet për mbledhjen e këngëve dhe valleve popullore të Serbëve, Shqiptarëve dhe të Romëve në rrathinën e Bujanovcit.
Në këtë vështrim do të shkruajë vetëm për këngët dhe valet popullore të Shqiptarëve, ashtu si shkruhet në libër.
Tradita muzikore në rrethinën e Bujanovcit është e pasur dhe e llojlloshme, përshkak të kontributit muzikor të përbërjes së popullatës të Bujanovcit: Serbë, Shqiptarë dhe Romë.
Në libër kur shkruhet për traditën muzikore të Shqiptarëve, bëhet një gabim në konstatimin se muzika e Shqiptarëve me shumicë është vokale dhe përcillet më daire.Lirisht mund të themi se vetëm këngët e vajzave në dasmat shqiptare dhe në disa raste përcillet më daire, ndërsa këngët të tjera, sidomos ato të mashkujve përcillen edhe me instrumente të tjera: çifteli e orchestra popullore.
Pastaj në libër me shumicë dhe detajisht shkruhet për këngët dhe valet e Serbëve, ndërsa për traditën muzikore të Shqiptarëve shkruhet vetëm për traditën muzikore vokale dhe jo më shumë se kaq.
Tradita muzikore e popullatës shqiptare është e përfaqsuar vetëm me 9 këngë dhe se këto këngë me shumicë I këndojnë meshkujt me daire, për çka nuk është një traditë e tillë, sepse këngët në shumicë këndohen nga vajzat edhe ate në grupe.
Në libër pa të drejtë konstatohet se femrat nuk këndojnë, sepse janë të mbyllura dhe nuk janë lajmëruar për këndim gjatë aksionit hulumtues në rrethinën e Bujanovcit.
Pra në libër ceken se këngët që këndohen janë: balada, 2 këngë dasme, 3 këngë nga Lufta e Dytë Botërore dhe 3 këngë qytetare.
Një konstatim I padrejtë se një këngë nga LDB përcillet me def nuk qendron, por përcillen këto këngë me çifteli apo ndonjë instrument tjetër.
Në libër shkruhet edhe për traditën muzikore të popullatës Rome dhe nuk qëndron konstatimi se në traditën muzikore vokale-instrumentale, këngët përcillen më def. Në përvojën time shumëvjeçare: punëtor kulturor dhe përcjellës I shumë manifestimeve muzikore nuk kam hasur në përcjellje vokale-instrumentale te Romët përdoret çiftelia.
Në pjesën e librit ku shkruhet për vallet popullore, shkruhet se janë mbledhur valet popullore të popullatës serbe dhe rome, ndërsa thuajse aspak hulumtuesit nuk mblodhën valle popullore shqiptare.
Në libër konstatohet se Shqiptarët I luajnë vallet popullore me përcjellje të çiftelisë, çka nuk qëndron, sepse vallet popullore shqiptare përcillen në të shumtën e rasteve me zyrle dhe daulle apo edhe me orchestra popullor.
Në libër kur shkruhet për vallet e Romëve ceket se vallja “Pembe” eshtë valle rome.Po e kundërshtoj këtë konstatime, duke shkruar për vallen “Pembe, Pembe” valle qytetare shqiptare, marrë nga libri im: Presheva, monografi:
“Vallja “Pembe, pembe…” me motive lirike, është krijuar nga valltari dhe këngëtari anonim, i cili dashurinë ndaj një vajze e shprehu duke kënduar: Pembe, Pembe, ti na i more zemrat… Vallja ka hap të rëndë dhe luhet pos në Luginë të Preshevës edhe në rajone të tjera shqiptare. Në të parë duket sikur ka elemente të këndimit dhe të valles turke, por vallen dhe këndimin e përvetësuan shqiptarët dhe e bënë valle tradicionale shqiptare.”
Në traditën muzikore të Shqiptarëve janë regjistruar 9 këngë:
1.”Çou Rexho, çou djalo”, këngë që nuk është vetëm e popullatës shqiptare e rrethinës së Bujanovcit, por më gjërë.
2.”Ani shkoj maqina ori nanë” që regjistrohet në Nasalcë,
3.”Çuni shkon sokakut” regjistrohet burimore në Verban,
4.”Oj Lulja jonë me limona” regjistrohet në Nasalcë,
5.”Na u nis dasma për me u nisë” regjistrohet burimore në Verban,
6.”Ani moj Hatixhe” regjistrohet burimore në Verban,
7.”Kjo fusha e Banatit nanë” regjistrohet burimore në Verban,
8.”Italija ç’na asht trenue” regjistrohet burimore në Verban dhe
9.”Ushtari në luftë asht nisë” regjistrohet burimore në Verban.
Sidomos këngët nr.1 dhe 6 janë këngë që këndohet në të gjitha trevat shqiptare.
Në fund të librit shkruhet për meloditë të notuara të këngëve dhe valleve ppullore, afro 166 melodi, një e mirë e librit në fjalë.
Krizat në Kosovë i shkakton Serbia, jo qeveria e Albin Kurtit
1389-2023, 634 vjet nga Beteja e Fushë-Kosovës kundër Osmanëve

Prof. Pirro Prifti, Tiranë
Serbët e festojnë si fitore të veten një betejë të humbur të koalicionit të krishterë ballkanik, pra edhe shqiptarë të asaj kohe .
Për Betejën e Kosovës së 28 qershorit 1389 është folur e shkruar shumë , në të cilën Koalicioni i Krishterë Ballkanik , ku morën pjesë edhe ajka e Princave Shqiptarë (Arbër dhe Epirotë) , e humbi luftën ndaj osmanëve të komanduar nga Sulltan Murati dhe i biri Bajazidi .
Pas kësaj beteje çdo gjë ndryshoi , madje edhe Dardania u quajt , sipas serbëve , Kosovë për shkak se në vendin ku u zhvillua lufta kishte shumë mëllenja .
Mëllenjës në sllavishte i thonë “kos” (cërnij kos) , dhe Fusha e Mëllenjave , në të cilën u zhvillua lufta , u quajt “Kosovo Polje”, e më vonë Kosovë . Ekzaktësisht sipas burimeve historike , beteja u bë në rrjedhën e poshtme të lumit Llap , në verën e vitit 1389 , më 28 qershor 1389 , kurse sipas kujtimeve të Konstandin Jeniçerit , ajo filloi të mërkurën dhe përfundoi të premtën .
Ka shumë të dhëna për këtë betejë . Por të dhënat më të hershme janë nga burimet osmane dhe më vonë nga burimet serbe dhe ato të Venedikut e të të tjerëve përfshirë dhe kujtimet e njërit nga nipërit e Muzakës , që mori pjesë në luftë .
Burimi i parë historik, deri tani i panjohur vjen , nga poema “Iskender-name” i poetit Ahmedije të Anadollisë , të shkruar më 13 mars 1390 , pra pothuajse një vit pas betejës së Fushë Kosovës , por dhe nga shkrimtari Persian , Ardardshir Astrabadija , në vepren “Bazm u Razm” ku flitet për komplotin e Bajazitit , njërit nga djemtë e Sulltan Muratit , kundër të atit dhe të vëllait të tij Jakupit Vepra u përfundua më 1398 në persisht .
Kjo Poemë hedh dritë për komplotin e djalit të Sulltan Muratit të Parë me emrin Bajazit, i cili mori fronin pas vrasjes së të atit nga trimi Milosh Kopili (Kopiliq) dhe vrasjes se vëllait të tij Jakupit , por gjithashtu hedh dritë edhe për komplotin e djalit të Sulltan Muratit të Parë me emrin Bajazit , i cili mori frontin pas vrasjes së të atit nga trimi Milosh Kopili (Kopiliq) dhe vrasjes së vëllait të tij Jakupit . Ky është rasti i parë ku përmendet Princi i Arbrit , që jetonte në Fushë Kosovë , në Kopiliqin e Sipërm , Millosh Kopiliq , një nga vasalët e Vuk Brankoviçi t.
Sulltan Murati i Parë erdhi në Gjilan e pastaj në Prishtinë që më 14 qershor në krye të një ushtrie prej 40-60 mijë vetash , dhe përbëhej nga 2000 jeniçerë , 6000 spahinj , 20.000 azapë dhe akinçinj , 2.500 vetë nga kavaleria e Sulltanit , dhe 8.000 trupa nga vasalët .
Car Llazari grumbulloi trupat e veta në Nish në anën e djathtë të lumit Morava (e jugut) .
Ushtria e tij përbëhej nga 12.000 – 30.000 trupa , 15.000 të Car Llazarit , deri në 10.000 nga Vuk Brankoviqi (këtu shumica ishin arbër të Kosovës) , disa mijëra trupa u dërguan nga mbreti i Bosnjës , Tvrtko i Parë Kotromaniq (nën komandën e Vllatko Vukoviq) ishin të pranishëm nga sllavët e Kroacisë dhe Kalorësit e Kroacisë të udhëhequr nga Gjon Palisna . Disa mijëra ishin kalorës .
Në këtë betejë morën pjesë edhe princërit e Arbërisë dhe të Epirit . Nga forcat e Arbërisp dhe Epirit morën pjesë princërit : Gjergji I Balsha , Teodor Muzaka I , Pal (Gjegj-Jorgji) Kastrioti , Dhimitër Jonima (zotëruesi i Lezhës dhe Rrëshenit) , dhe Marash Nikolla Kopili (Komneni) ose Kopiliq , Princi i Fushë Kosovës .
Sipas Jeraksit , në Betejën e Kosovës nuk shkuan vetëm sundimtarët arbëresh nga Shqipëria (Gjergj I Balsha , Dhimitër Jonima , Theodor Muzaka etj.) , por edhe feudalët shqiptarë nga Kosova : Milosh Nikollë Kopiliqi , sundimtar i Drenicës , Ban Strahinja , sundues i Trepçës , Gjon Kosançi , sundues i Llapit , Musa Arbanasi , sundues i Ibrit të Poshtëm . Po kështu nga Shqipëria morën pjesë edhe Lekë Dukagjini , Gjon Kastrioti etj . Është e njohur se në traditën mesjetare fshati merrte emrin e zotërisë , e së këndejmë fshati Kopiliq i Drenicës , përgjithësisht njihet si vend i Milosh Kopiliqit .
Historiografia e princit Arbër Millosh Kopiliq është e ndërlikuar , sepse historia serbe e mohon ose flet pak për të por flet vetëm për Car Llazarin , kurse historia e zonës dhe këngët epike të shqiptarëve të Kosovës flasin kryesisht për Millosh Kopiliqin dhe aspak për Car Llazarin . Jean Palerne Forensien , një udhëtar që vizitoi viset e Dardanisë vitet 90 të shek XVI , regjistroi kujtesën historike të shqiptarëve për Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe për Milosh Nikolla Komneni , ose Milosh Kopiliqi , apo siç e quanin serbët Milosh Obiliqi , nga fshati Kopiliq i Epërm .
Humanisti raguzan Tuberoni , nënshtetasit e Car Llazarit i quan Dardanë , Ilirë dhe Maqedonas , ndërkaq vetë Llazarin mbret i Dardanëve , të cilët gjatë betejës mbroheshin me aq guxim , sa që turqit mezi bënin ballë . S`ka dyshim se është fjala për popullsinë arbërore të Kosovës , që autori e përmend me emrin e saj të vjetër . Se arbërit e Kosovës kishin marrë pjesë masivisht në betejë , dëshmohet edhe nga një e dhënë tjetër , ”despoti Lazar i Serbisë, bullgarët … dhe sundimtarë të Arbërit nga Dardania … u mblodhën … u hapën luftë turqve , por Lazari dhe shumë të tjerë humbën jetën në betejë”.
Sipas Filip de Mezier , jo rastësisht këtë betejë e vendosi në pjesët e Arbërit, me çka la vend që të kuptohet drejt karakteri etnik arbëror i Kosovës , pasi kuptimi gjeografik , parimisht nuk e mohon kuptimin etnik .
Edhe rrënja Mil (Mill) lidhet me emrat shqiptar , si , bie fjala , Mëhill , Mhill , Milo , (humanisti raguzan F. Petançi e përmend Milloshin me emrat : Milon dhe Milo) dhe diç të ngjashme .
Milosh Kopiliqin , humanisti raguzan Feliks Petançi , e quan “Princ ilir”; humanisti arbëror nga Kosova , ipeshkvi i Ulqinit , Martin Seguni , e quan “Baron” ; arqipeshkvi i Tivarit , Andrea , e quan “Ban” ; kurse humanisti ynë Marin Beçikemi e vë atë në cilësinë e “Perandorit të Mizisë”) , i cili për kryezot kishte Vuk Brankoviqin .
Kronisti osman Enveri thotë : “Llazari i dha Miloshit një gotë me pije duke i thënë : thonë për ty që je bërë tradhtari im…- Miloshi i`u përgjigj : – nesër ke për ta parë tradhtarin , ke për të parë nëse jam njeri i drejtë apo tradhtar .- Llazari në atë moment e mori në dorë gotën e dollisë dhe e piu “.
Aq e vërtetë është se trimi Marash Nikollë Kopili (disa i venë mbiemrin Komneni) ishte arbër i Kosovës , sa që edhe sot në Kopiliq të Poshtëm ka vende që quhen : “Te trolli i Miloshit”, “Veneshta e Miloshit”, “Te kisha e Miloshit” etj . Në Sallabajë gjendet “Vorri i Milosh Kopiliqit”. “Milloshi e mbante ushtrinë në pyjet e Çiçavicës e të Kukës” (pyje të Drenicës) . “Car Llazari… vendin e tij e ka pasur kah Kraleva dhe jo në Kosovë”.
Interesant është përshkrimi i historianes Ana di Lelio për problemin e vrasësit të Sulltan Muratit në Betejën e famshme të Fushë Kosovës – Millosh Kopiliqin , për të cilin historiografia serbe flet pak , por ka qenë e detyruar të pranojë se ai vrau Sulltan Muratin në luftë . Për këtë arsye ata e kanë bërë shenjtor dhe ikona e tij gjendet në Hilandar , mali Athos .
Ana di Lellio ,e cila erdhi për herë të parë në Kosovë me trupat e NATO-s në vitin 1999 , gjatë takimeve me ushtarët e UÇK-së , dëgjoi së pari për këngët shqiptare mbi Betejën e Kosovës (1389) dhe për një të dhënë të re , origjinën shqiptare të Millosh Kopiliqit .
Autorja Ana di Lellio , pas vite pune takimesh intensive me njerëzit në terren dhe pas vite kërkimesh për dokumente e literaturë nëpër biblioteka dhe arkiva , arriti të dalë publikisht me qëndrimin e saj lidhur me këtë problematikë , duke e botuar librin “The Battle of Kosovo 1389 : An Albanian Epic” (Beteja e Kosovës 1389: Një epikë shqiptare) . Afër 50 faqet e para të librit përmbajnë komentet e detajuara të saj lidhur me gjurmimet për origjinën e Kopiliqit si dhe shumë komente të tjera që lidhen me arsyet se pse kujtesa popullore e ka ruajtur deri më sot origjinën shqiptare të tij , dhe pastaj pjesa tjetër e librit , 150 faqet e tjera , përmbajnë tetë variante .
Nga këto këngë , e para është e mbledhur nga Glisha Elezoviq (1923) , e dyta nga Margaret Hasluck (1931) , e treta nga Albert Lord (1937) , nga Anton Çeta , e katërta (1952) dhe e pesta (1954) , e gjashta (1954), e shtata (1955) dhe e teta (1998) janë të mbledhura në Karaçevë , Rahovec dhe Shkodër nga studiuesit e Institutit Albanologjik , e gjenden të botuara në vëllimin e parë të Këngëve historike (2007) , botim i Institutit Albanologjik .
Gjurmëve të kërkimit të mitit serb , i cili pikënisjen e kishte në Betejën e Kosovës , me ç‘rast sjell të dhëna e dëshmi nga burimet osmane-turke , italiane , frënge , angleze , serbe dhe shqiptare , autorja konfirmon se në fillimet e tij emri i vrasësit të Sulltanit del si Millosh Kobila , Kobiliq , Kopiliq dhe nuk përmendet identiteti i tij kombëtar , pos si “një i pafe” që vrau sulltanin . Emri Obiliq , si emër heroi serb është zbulim i shekullit XVIII , kur e paraqitën së pari dy historianët serbë , Petroviq dhe “Unë jam prej Kopiliqit , prej vendit ku ka lindur njeriu që e vrau Sulltanin”, përderisa një plak kish thënë “Millosh Kopiliqi ishte prej Drenicës , Llazari ishte serb , por Milloshi ishte yni” (fq.25).
Për Millesh Kopilin thoshte se , siç kishte dëgjuar nga pleqtë , mbiemrin e ka marrë “kopil” për shkak se që i vogël kishte qenë i zhdërvjelltë , djalë që s’kishte lënë dy gurë bashkë , por edhe i mençur sa të duash ! “Ja kjo luginë , thoshte ai , edhe sot thirret Lugina e Sharanit” dhe ky emër i ka mbetur që nga koha e Millesh Kopilit ! Kishte ai , siç thoshin pleqtë , një kalë të sharmë (të zi e me lara të bardha) dhe kur i binte huj çdo ditë e kalëronte nga disa herë , andej e këndej kësaj lugine !”
Sipas një burimi tjetër , Milosh Kopiliqi kishte marrë pjesë në Betejën e Kosovës si prijës i djalërisë së Drenicës me 2000 luftëtarë , numër i konsiderueshëm ky , pasi i tërë koalicioni krishter përbëhej prej 40.000 luftëtarëve Ballkanas .
Sa i përket përkatësisë fisnore të trimit në Drenicë që të gjithë pohonin se ishte nga fisi Gash ,
Kurse për emrin e babait të Milloshit , përveç emrit Nikollë , në popull dëgjohet edhe një emër tjetër Sharrjan .
Origjina e familjes fisnike Kopili duhet kërkuar në Drenicë . Figura më e shquar është Mëhill/Milush/Millosh Kopili , që mori pjesë në Betejën e Kosovës (1389) . Pas pushtimit Osman të Shqipërisë , familjes Kopili e ndeshim në Republikë të Raguzës , ku gëzonte titullin fisnik “kavalier”. Stema e Kopilajve është e kuqe me tri koka të argjendta kali (2-1) . Mbi shqyt një përkrenare e kokërrethëzuar me një kokërreth (kurorë kavalieri) dhe me një kryq të madh “të ndarë trish” ; në qafë të përkrenares një kryq i zi patent , me pëlhurë koke të hapur nga të dy anët dhe dy xhufka që varen në fund të saj (pëlhurës) . Pëlhura Brenda është e bardhë dhe jashtë e kuqe . Kreshta përbëhet nga një gjysmëkalë i kuq i ngritur dhe me një zambak të kuq në kokë.
Sipas Ana di Lellio , rekruti serb Veselin Cajkanoviq gjate luftërave ballkanike (1912-1913) , i cili duke lëvizur me armatën serbe , në Elbasan kupton se ishin disa vendas qe deklaronin se janë pasardhës të drejtpërdrejtë të luftëtarit mesjetar .
Sipas këtij burimi , Millosh Kopiliqi ka lindur ne rrethin e Ohrit dhe ishte djali i një prifti ortodoks shqiptar , nga familja Blloshmi , i cili me vone shkoi ne Drenicë dhe u bë kapetan i Vuk Brankoviqit .
Me sa duket më vonë edhe mbreti serb Aleksandri i shkroi një ftesë Hajdar Bej Blloshmit për të shkuar ne Beograd dhe të nderohet ne emër të “Heroit të Kosovës”, mirëpo ai e refuzoi .
Sipas K. Filozofit , vrasës i Muratit është një njeri i shquar ; sipas Oruçit , ai është një beg nga kundërshtarët e fuqishëm të krishterë ; sipas kronikës së Bogdanit “Kronikës bullgare” një ushtar trim etj . Të huajt para shkruesve serbë do të përmendin emrin e tij si bizantinasi Halkokondili dhe Ashik Pasha Zade nga historianët turk .
Kështu K. Mihajloviq në fillim të shekullit XVI do të thotë se vrasësi i Muratit është Millosh Kobiliq dhe e dhëna doli më tepër se 100 vjet pas Betejës .
Përkatësia thjesht arbërore e heroit të betejës dëshmohet edhe nga vetë kënga arbërore – shqiptare për Betejën e Kosovës , ku ai del si figurë kryesore e këngës . V. Çajkanoviq , duke shpjeguar motivet e këngës arbërore – shqiptare , të botuar nga ana e G. Elezoviqit , e karakterizon atë “epopeja shqiptare… nuk është gjë tjetër veçse kënga për Miloshin”.
Debatet historike të akademisë serbe për t`i ulur vlerën Millosh Kopiliqit dhe për të ngritur në shenjtor Car Llazarin janë mesa duket vazhdimi i përpjekjeve politike serbomëdha për të shuar historinë e arbërve të Kosovës duke i quajtur ata sllavë apo serbë . Këtë gjë e përmend dhe një historian serb J.Tomiq . Pasi që ishte sulmuar nga kritika , J. Tomiq kishte dhënë përgjigje : “Mbytjani dikujt të kaluarën e tij , me këtë ia keni rrezikuar ardhmërinë” .
Serbët për shkak të mbiemrit (sepse ata e përkthyen në Kobilla – pelë , në fakt fjala ka rrënjë shqiptaro-thrake-kopil- djalë) , Kopili ja ndërruan mbiemrin dhe e vendosën – Obiliq- në vend të Kopiliq .
Shkurtimisht beteja përfundoi me humbje të rënda të të dy palëve aq sa nuk u mor vesh se kush fitoi , por burimet osmane thanë që Car Llazari i koalicionit të krishterë u vra në dyluftim , kurse Sulltan Murati u vra nga një i pafe .
Humbja e luftës ndodh edhe për shkak se Vuk Brankoviqi , duke parë se beteja do të humbej , iku. pasi Car Llazari u kap dhe u vra (por disa thonë që u vra në dyluftim) . Në atë moment për të vërtetuar që ai Princ Milloshi nuk ishte tradhtar si komandanti i ushtrisë Vuk Brankoviq , u afrua ngadalë afër çadrës së Sulltanit dhe i tha rojeve që donte të takonte Sulltanin për ta “nderuar”, dhe se ishte princi Millosh Kobiliq . Rojet e lanë dhe sapo iu afrua për t’i dhënë dorën , Millosh Kopiliqi nxori kamën dhe ja nguli në lukth . Sulltani vdiq menjëherë . Rojet e kapën dhe e vranë në vend
Epika legjendare shqiptare i ka thurur princit të saj këngë që këndohen me lahutë .
Sa i përket legjendës shqiptare , ajo thotë se Millosh Kopiliqi , kur ia prenë turqit kokën ai kapi kokën me duart e veta dhe shkoi tek një krua që ta ngjiste me ujin e kroit . Por kur shkoi aty disa vajza bërtitën “shih një njeri pa krye”, dhe Milloshi iu bërtet “Unë pa kry e ju pa sy”, në kuptimin se ato nuk ia kanë parë kokën që e ka me vete . Në atë moment sipas legjendës i zuri mallkimi , Milloshi vdiq dhe vajzat u verbuan .
Epika , këngë legjendare Arberore-Kosovare për Millosh Kobiliqin kur vret sulltanin flet vetëm për Millosh Kobiliqin dhe aspak për Car Llazarin :
Se zhag shkinën ma kanë afrue
se me dhambë Milloshi e ká kafshue .
At’her shpata Milloshit i ká mshue
kryet Milloshit , tha , i ka flutrue
se n’Magrip Milloshi kur á shkue
gra e çika tuj la janë qillue :
– Kqyrne , motra , nji njeri pa kry !
– Un pa kry kish thanë , ju pa sy !
Qat’her kryet Milloshit n’tok i ra .
Kështu përfundoi koalicioni i krishterë me humbj e, sepse nuk dëgjuan këshillën e Pal Kastriotit , i cili u tha t`i sulmonin papritur natën , por nuk u pranua nga Car Llazari . Kështu u vranë edhe të gjithë princat shqiptarë .
Bajrush Behrami i fjalëve të pakëta dhe i sakrificave të shumëta

Nga: Arif Ejupi
Bajrush Behrami i njohur si njëri nga organizatorët e demonstratave studentore të pranverës së vitit 1981, plot dy dekada me tërë qenien e tij, luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ai ishte edhe themelues i celulës “Liria “anëtarë të së cilës ishin; Kadri Hysen Llugaliu,Shaqir Hasani, Xhafer Spahiu, Hakif Mehmeti, Çun Hajdini dhe Avdi e Fatime Gjata.
Jetën e bujshme dhe të përshkuar me plotë dallgë të Atdhetarit dhe luftëtarit të paepur për çlirim dhe mëvetësi të Kosovës, Bajrush Behrami, është e pamundur ta përmbledhim në një shkrim gazete.
Ne do të bëjmë përpjekje që lexuesit t’i ofrojmë kujtime të shkurtra të familjes, shokëve dhe miqve me të cilët Bajrushi, ndau të mirën dhe të keqën.
Bajrushi lindi më 9 gusht të vitit 1956 në fshatin Gegaj të Besianës ( ish-Dobratin i Podujevës) Viti kur ai lindi konsiderohet si njëri nga vitet më të rënda, jo vetëm në Llap, por në mbarë Kosovën.
Tito udhëheqës i Jugosllavisë komuniste pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e tij, ia kishte besuar serbit monstruoz Aleksandër Rankoviq, i njohur me nofkën Leka.
Rankoviq me idetë e tij fashiste dhe urrejtjen e paparë ndaj shqiptarëve në dimrin e ashpër të viteve 1955-1956, vetëm në Kosovë, sajon Aksionin famëkeq të kërkimit të armëve.
Shqiptarët e zhytur në varfëri për armët që si posedonin fare, vriteshin dhe keqtrajtoheshin në mënyrën më mizore. Përveç kësaj ata në numër të madh burgosën dhe dëbohen në Turqi.
Odat në Llap, e regjione të tjera të Kosovës, në atë përudhë luanin edhe rolin e mësonjëtoreve.
Në ato në mungesë objektesh zhvillohej edhe mësimi me klasa të kombinuara si; I- dhe III- e- II e IV.- Kjo formë mësimi nëpër shumë fshatra malore të Kosovës, është zhvilluar deri kah mesi i viteve të 60-ta.
Po ashtu në oda trajtoheshin edhe tema të cilat i preokuponin shqiptarët ,e ballafaquar me varfëri e tortura të llojllojshme nga pushteti sllavo-komunist i Jugosllavisë.
Bajrushi një fëmijë i shëndosh dhe i pashëm që ishte pagëzuar me emrin e gjyshit të tij, porsa i mbush 7-vjet, kishte privilegjin të qëndroj në odë, kur vinin miq e shokë të babait të tij, Fazliut.
Ai edhe pse i njomë incizonte si në shirit magnetofoni të gjitha bisedat e zhvilluara . Këtu edhe mëson për vuajtjet dhe historitë e përgjakshme të popullit të tij.
Mësues të parë të Bajrushit, në shkollën e fshatit Gegaj, që asokohe i kishte vetëm klasat -I- II- III-dhe IV-do të jenë Xhafer dhe Nazmi Ajvazi.
Bajrushi pas përfundimit me sukses shembullor të katër klasave, vitet tjera të mësimeve do t’i vazhdojë në shkollën 8-vjeçare “Emin Duraku”të fshatit Bajçinë të Besianës.
Ai edhe këtu do të jetë njëri nga nxënësit më të mirë të shkollës . Madje,” Rilindja” në rubrikën e saj “Këndi i fëmijëve” që redaktohej nga shkrimtari ynë i mirënjohur Vehbi Kikaj, ia kushton një artikull ekskluziv Bajrushit, ku flitet për sukseset e tij, të arritura në mësime dhe aktivitete të lira.
Më 1 shtator të vitit 1971,Bajrushi i fillon mësimet në gjimnazin “8 Nëntori “tani “Aleksandër Xhuvani” të Besianës.
Si çdoherë i sjellshëm, i qetë dhe korrekt edhe në mjedisin e rinj, adhurohet nga shokë, shoqe e mësimdhënës.
Meqenëse kishte prirje të theksuara për Artin-vizatimin, bashkëpunonte ngushtë me Arsimtarin e kësaj lënde z.Nexhmi Hamit Sejdiu.
Me rastin e organizimit të ekspozitave në ambientet e gjimnazit dominonin pikturat dhe portretet e Bajrush Behramit, të punuara me pendë e tush të zi.
Rreth temave historike me bartës të ngjarjeve dhe autorë të ndaluar në Kosovë, e matanë pjesës tjetër të Atdheut-Shqipëri, Bajrushi jashtë orarit të mësimeve bisedonte me z. Bajram Blaku, mësimdhënës shumëvjeçar i lëndës së Historisë në gjimnazin e Besianës.
- Bajram Blaku ishte shumë i afërt me nxënës dhe kolegë. Andaj,me të drejtë respektohej nga të gjithë.
Bajrushi bashkëpunim mjaft korrekt pati edhe me arsimtarët e tjerë si: Ramadan Salihu,Abdullah Vokrri, Tefik Mehmeti, Ahmet Çitaku, Hazir e Rifat Raçi, Shyqeri Hasanxhekaj, Xhafer Visoka, Jahir Bahtiri, Nazif Lepaja,etj.
Në vitin e parë të mësimeve në Shkollën e Mesme, Bajrush Behrami, Drejtor të Përgjithshëm të gjimnazit të Besianës, do ta gjejë z. Zeqir Muçolli .
Pastaj, kjo detyrë prej vitit 1972 e deri në shtator të vitit 1974,me votën unanime të Këshillit të arsimtarëve të gjimnazit”8 Nëntori” do t’i besohet z. Fetah Rrushtem Sheholli, profesor i diplomuar i Gjuhës shqipe.
Me gjithë kushtet e rënda Bajrushi edhe gjimnazin e përfundon me sukses. Mirëpo, kur vije koha e regjistrimit në ndonjërin prej Fakulteteve apo Shkollave të Larta të Universitetit të Kosovës, tek ai nisin të shfaqen dilema .
- Z. Behrami sikur ta kishte gjendjen e mirë materiale pa u hamendur fare do ta studionte Artin figurativ.
Studimet në këtë degë e kishin edhe koston e vet . Të gjitha materialet e nevojshme për punë shumica e studentëve që s’ kishin bursë duhej t’i paguanin nga xhepi i tyre .
Kjo ishte edhe arsyeja që Bajrushi Behrami, vendosi të studioj në Fakultetin Juridik të Prishtinës.
Fazliu dhe Fetija si prindër të shtatë djemve dhe një vajze me dëshirën e flaktë që t’i arsimojnë ata, më 1980, shpërngulën nga fshati Gegaj ( ish-Dobratin) në Besianë.
Meqenëse babai i Bajrushit, dikur minator i Kombinatit Metalurgjik “Trepça” në Stantërg e kishte ndërprerë punën në mungesë të qarkullimit të mjeteve në linjën Podujevë-Mitrovicë dhe anasjelltas, gjendja ekonomike në familjen Behrami, ishte rënduar tepër.
Bajrushi edhe pse i vetëdijshëm që do të jetë e vështirë të vazhdohet me studimet krahas punës, në vjeshtën e vitit 1980, krijon marrëdhënie pune si faturist në “Kosovatrans” OTHPB në Podujevë.
Në këtë periudhë në Kosovë, kishte rënie të dukshme të ekonomisë. Edhe ato pak fabrika që ishin plaçkiteshin nga Beogradi . Kudo ndihej mungesë e artikujve të domosdoshëm ushqimor .
Kosova edhe pse ishte pjesë konstituive e Federatës së Jugosllavisë, ishte lënë në harresë.
Asaj nga Beogradi sikur në etapat e më hershme i merreshin të gjitha produktet e xeheve të Trepçës, Kishnicës dhe Goleshit. Deri në palcë shfrytëzoheshin edhe Kombinatet Energjetike në Kastriot (ish-Obiliq) dhe ai në Drenas (dikur Gllogoc) i njohur për prodhimin e nikelit dhe kobaltit.
Këtij sundimi dhe shfrytëzimi të egër të Kosovës nga Jugosllavia, veçanërisht Serbia, studentët e Universitetit të Kosovës, mendonin që duhej dhënë fund. Ata më 1 prill të vitit 1981, në të gjitha qytetet e Kosovës organizojnë demonstrata.
Dihet që demonstrata në Prishtinë ishte shumëfish më e fuqishme, sepse aty ishin të gjithë studentët, duke përfshirë edhe ata nga Maqedonia e Veriut, Kosova lindore, Ulqini e Kraja.
Në këto protesta kërkohej që Kosovës t’i njihej statusi i Republikës, në mënyrë që edhe shqiptarët të jenë të barabartë me popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë .
Vërtetë pabarazia dhe diskriminimi kishin arritur zenitin. Malazezët, maqedonasët, dhe sllovenët edhe pse në numër ishin dyfish më pak se shqiptarët statusin e Republikës e gëzonin kaherë.
Këto demonstrata edhe pse ishin të qeta dhe pa eksesin më të vogël Beogradi, i tmerruar nga guximi i të rinjve tanë do të ndërhyjë në mbarë Kosovën, me egërsi të paparë.
Nga e gjithë ish-Jugosllavia do të zbarkojnë në Kosovë, policë e ushtarë. Ata nën urdhrat e eprorëve të tyre fashist dhe të armatosur deri në dhëmbë do të keqtrajtojnë dhe burgosin mijëra të rinj e të reja të Kosovës.
Po ashtu me “fajin” e vetëm pse ishin shqiptarë vetëm brenda muajve prill e maj të vitit 1981,vriten : Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Ruzhdi Hiseni, Rizah Matoshi, Ibrahim Krasniqi, Xhelal Maliqi, Sherif Frangu, Salih Maloku, Salih Abazi, Nesimi Dana, Tahir Meha, Nebih Meha dhe Sinan Bajrami.
Vrasja e këtyre të rinjve që asnjëri me përjashtim të Nebih e Tahir Mehës, s’ kishte arritur t’i kaloj të 28-tetat e pezmatojnë në kulm Bajrush Behramin dhe shokët e tij.
Ai edhe pse ishte në ballë të këtyre demonstratave për fat të mirë mbetet jashtë grilave të burgjeve jugosllave.
Këto demonstrata merren si pretekst dhe në Kosovë ushtrohet dhunë çnjerëzore . Në Universitetin e Kosovës, nis diferencimi, burgosja dhe përjashtimi nga puna i profesorëve të konsideruar si ajka e kombit tonë.
Masa të njëjta u shqiptohen edhe mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollave të Mesme të Kosovës.
Kjo barbari e sllavëve i godet edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës lindore, Ulqinit e Krajës. Një numër i madh i tyre dënohen me burgim të rëndë, vetëm pse kishin marrë pjesë në demonstratat e Prishtinës.
Çmenduria serbo-sllave mbërrin deri në Universitetin e Sarajevës, ku me tri vite burgim të rëndë dënohet Behxhet Shala-Bajgora,i cili si student i Fakultetit të Mjekësisë, hapur i kishte përkrahur demonstratat e kolegëve të tij në Kosovë.
Nga ky moment Bajrush Behrami me shokët e tij, që emrat nuk po ua lakojmë nga frika që mund ta harrojmë ndonjërin prej tyre, punon pandërprerë.
Ai me bukur shkrimin e tij do t’i shkruaj dhe shpërndaj qindra afishe, nëpërmjet të cilave kërkohet liri dhe barazi me popujt tjerë të ish-Jugosllavisë.
Jugosllavia nga frika ç’ s’do të ketë sukses në frenimin e Kryengritjeve të njëpasnjëshme të shqiptarëve, mobilizon edhe policë të rinj, edhe nga radhët e shqiptarëve.
Bajrush Behrami, shënjestër e UDB-ës, jugosllave edhe më herët arrestohet në shtëpinë e tij, në Podujevë, në fund të dhjetorit të vitit 1983.
Kurse më 2 janar të vitit 1984, e deri kah fundi i qershorit të këtij viti, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, do t’ua shqiptoj me procedurë të përshpejtuar Bajrush Behramit dhe nëntë shokëve të tij, dënimin me shumë vite burgim.
Behrami dënohet me 10 vite burgim sipas nenit 136 /1-114 të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisës.

Bajrushi do ta vuajë dënimin në burgun e Prishtinës, Gjilanit, Shabacit dhe Pozharevcit të Serbisë.
Me gjithë trajtimin prej skllavi ai, do të qëndrojë porsi Bungu i Dyzit, përballë rrebeshesh dhe stuhish . Bile, ai do të dalë nga burgu edhe më i fortë.
Dëshirë e nënës së tij Fetijes dhe insistim i vazhdueshëm i saj, ishte që Bajrushi të martohej.
Mirëpo, ai ishte betuar që pa e parë Kosovën të lirë dhe të pavarur, as që mendon për martesë.
Zaten, këtij premtimi i mbetet besnik deri në çlirimin definitiv të Kosovës nga Serbia.
Bajrushi pas daljes nga burgu do të angazhohet dy-tre muaj në KMDLNJ, Nënkëshilli në Podujevë.
Ai në këtë shoqatë joqeveritare u inkuadrua me insistimin e zotit Adem Demaçi dhe z. Behxhet Shala -Bajgora.
Bajrushi çmohej shumë nga Behxheti dhe bashkëshortja e tij Fexhrije Bilalli – Shala, po ashtu e burgosur politike.
Me formimin e UNIKOMB-it ,që programi i tij, synim të vetëm kishte bashkim e të gjitha trojeve shqiptare, Bajrushi, do të aktivizohet me tërë potencialin e tij
Ai në verën e vitit 1993, në Kuvendin e mbajtur të kësaj Partie, dega në Besianë, zgjidhet kryetar i këtij subjekti politik.
Behrami në të njëjtën kohë kryen edhe funksionin e zëvendëskryetarit të UNIKOMB-it, në
shkallë vendi.
Bajrushi bashkëpunoi ngushtë me dy intelektualët e mirënjohur Halil Alidemaj dhe Ukshin Hoti, ideatorë dhe ideologë të kësaj partie.
Aktiviteti i tij kombëtar merret si pretekst dhe në fund të korrikut të vitit 1993,Bajrushi arrestohet nga Sigurimi i fshehtë i Serbisë . Ai mbahet dy javë në burgun e Prishtinës.
Pas lirimit nga burgu gjatë vizitës që i bëjnë në shtëpinë e tij, anëtarët e KLMDNJ-së, Nënkëshilli në Podujevë, z. Nexhmi Adem Balaj dhe autori i këtyre rreshtave, Bajrushi do ta rrëfejë tmerrin e përjetuar.
Në arrestimin e tij kishte dorë Millosh Nikoliq, i njohur më tepër si i biri i Dragçit, inspektor i lartë i Sigurimit shtetëror të Serbisë.
Meqenëse, bënte vapë e madhe Bajrushit, në dhomën ku po mbahej i vendoset edhe një aparat, që ngrit temperaturën.
Nga temperaturat e lartë ai, ishte alivanosur disa herë . Kjo shihej edhe nga rënia e tij, e madhe në peshë.
Me rastin e z.Behrami, një grup gazetarësh të huaj që gjatë atyre ditëve po qëndronin në Kosovë, i njofton z. Sylejman Blaku, anëtar i Kryesisë së KMDLNJ-së, Nënkëshilli në Podujevë.
Pas vitit 1995, Bajrush Behrami, do të jetë në ballë të UNIKOMB-it. Ai më 17 maj të vitit 1995, do të shkojë së bashku me Nuhi Bunjakun,Sami Muçollin dhe Jusuf Ejupin në Tiranë.
Nuhiu,Samiu dhe Jusufi, pas një jave kthehen në Kosovë . Ndërkaq, Bajrush Behrami, do të qëndrojë në Tiranë, deri kah mesi i qershorit të vitit 1995, në banesën e bashkëvendësit të tij, Arif Ejupi.
Bajrushi në cilësinë e zëvendëskryetarit të UNIKOMB-it, do të zhvillojë takime të shumta me udhëheqës shtetëror dhe partiak të Shqipërisë.
Ai kërkonte unitet dhe bashkim forcash ndër shqiptarë, sepse ishte i sigurt që Lufta me Serbinë, ishte vetëm çështje ditësh.
Opinionin e tij mbi zhvillimet në Kosovë, z. Behrami e shpreh më 1 dhjetor të vitit 1995. Ai, i intervistuar nga shkrimtari dhe publicisti Merxhan Abyli, një ish- i burgosur politik thotë; “ Pa sakrifica s’ ka fitore” ( Zëri i Kosovës, nr.23 )
Paraqitjes publike të UÇK-ës, në varrimin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë të Skenderajt, z. Behrami i gëzohet pamasë.
Ai edhe më herët njihej me disa prej themeluesve të celulave të para të UÇK-së. Bajrushi pa u kursyer për asnjë çast do të punojë në rritjen dhe masivizimin e saj.
I njohur si njeri i guximshëm dhe besnik, gjatë viteve 1998-1999, kur z. Adem Demaçi, e kryente në zemër të Prishtinës, detyrën e zëdhënësit politik të UÇK-ës, z. Behrami, do të qëndrojë pranë tij.
- Behrami i besohet edhe funksioni i Përgjegjësit për Informim në këtë Zyrë . Ai së bashku me z. Adem Demaçi dhe z Albin Kurti, do të kenë takime të shumta edhe me diplomatë të njohur ndërkombëtarë, me ndikim në vendimmarrje.
Në mënyrë që kjo Zyrë, të jetë sa më funksionale dhe sa më e suksesshme z.Behxhet Shala-Bajgora, Sekretar ekzekutiv i KMDLNJ-së, një kompjuter me të gjitha pajisjet donacion nga Gjeneva, do t’ua japë përfaqësuesve të saj.
Patjetër duhet theksuar edhe guximin e zonjës, Raza Kelmendi nga Lipa e Mitrovicës, e cila nëpër krisma e flakë pushkësh, kishte arritur që këtë kompjuter ta çojë nga Zvicra në Kosovë.
Pas çlirimit të Kosovës, z. Bajrush Behrami, do të ndihmojë në ndërtimin e institucioneve të vendit, sidomos të atyre në Besianë . Ai me prirje edhe në gazetari më 21 qershor të vitit 2000, e themelon mediumin lokal “Radio Llapi”.
Po ashtu me z. Afrim Fusha, i burgosur i ndërgjegjes në vitet e 80-ta, do të japin kontribut të jashtëzakonshëm në Shoqatën e të Burgosurve Politik të Kosovës, dega në Besianë.
Bajrushi që të gjitha ia kishte falur çlirimit të Kosovës, martohet më 7 korrik të vitit 2002,me zonjën Gyltene Rrustemi, nga Bardhoshi i komunës së Prishtinës, edukatore në shkollën 9-vjeçare“Enver Maloku”në Besianë.
Ajo që zgjon indinjatë dhe rrit zemërimin, është se z. Bajrush Behrami, deri më 1 maj të vitit 2016,nuk kishte vend fikës të punës.
Vetëm dy vjet para se të vdiste punoi me orar të plotë, si përfaqësuesit ligjor, në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Kosovës.
E, po ashtu kulm mbi kokë siguroi falë ndihmës së shokut dhe mikut të tij, të hershëm z. Murat Xhemaili .
- Xhemali një mjeshtër i mirë i ndërtimit punoi në shtëpinë modeste,të Bajrushit, derisa ajo u bë e gatshme për banim.
Ajo që befason për të mirë është që edhe pse kanë kaluar goxha vite, bashkëshortja e Bajrushit dhe fëmijët e tij, i janë përjetësisht mirënjohës z. Murat Xhemaili, dhe të gjitha atyre që ndihmuan në ndërtimin e kësaj shtëpie, qoftë edhe me vënien e një tulle.
Andaj, thirrjet në emër të Bajrushit dhe thurja elozhe nga disa njerëz që pas Luftës, u bënë milionerë janë djallëzore dhe të pamoralshme.
- Bajrush Behrami, që vdiq papritmas më 30 qershor të vitit 2018,ka lënë pas vetes gruan dhe fëmijët; Dalmanën 20 vjeçe, Olsën 19 vjeçe, Arilën 17 vjeçe dhe Dastidin 12 vjeç.
Në bisedë me vajzën e tretë të Bajrushit, e cila këto ditë i ka përfunduar me rezultat të shkëlqyer mësimet në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani “ të Besianës, Arila Behrami , mësojmë që edhe pse në moshën 87 vjeçare, nëna e Bajrushit, gëzon shëndet të mirë dhe kujtesë të kthjelltë.
Ajo mungesën e Bajrushit e kompenson duke u dhuruar dashuri të pafundme fëmijëve të tij, të cilët në mësime dhe sjellje janë shembull për të mirë.
Bajrushi, i ra zjarrit shtatë pashësh për çlirimin e vendit, kur ishte vetëm 23 vjeç, pa menduar asnjëherë se çfarë do të ndodhë me Te, dhe familjen e Tij.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës martire, sepse disaherë dëshmoi që ishte njëri prej bijve të saj, më të devotshëm dhe më të guximshëm !
Këngëtarja Donna Dafi mbrëmë përformoi me këngën “Bajat” në Universitetin e Shtutgart-it
Shtutgard, 29 qershor 2023
Mbrëmë, në aktivitetin e organizuar nga Universitetit i Stuttgart-it në Gjermani, rreth zhanrit të muzikës hip- hop dhe rokut, kanë përformuar disa këngëtarë dhe debatuar disa njohës të këtyre zhanreve.

Në mesin e tyre ka qenë edhe këngëtarja Donna Dafi, e cila përformoi me këngën e saj të fundit “Bajat”, ndërsa gjatë debatit tregoi si ka arritur muzikën dhe tekstet e këngëve të saj të i shkruaj vetë.

Donna Dafi tha se me gra e ka shumë më lehtë të bashkëpunojë për realizimin e një këngë të zhanrit hip-hop, dhe se ju bën thirrje atyre të shkruajnë tekste të tilla.

Po ashtu Donna Dafi, foli për biografinë e saj, duke e cituar se familja e saj përbehet nga tri nacionalitete, babai shqiptar, nëna nigeriane, ndërsa gjyshi gjerman. Sipas saj, nacionaliteti, religjioni, vendi nga vjen në muzikë fare nuk kanë rendësi.

Këngëtarja Donna Dafi, Fakultetin e Arkitekturës e ka përfunduar në Universitetin e Stuttgart, tani është duke i vazhduar studimet për master po në këtë drejtim.


