Kreu Blog Faqe 1144

Kosova priti gëzuar Vitin e Ri 2023, të 15 vjetorit të Pavarësisë e 24 vjetorit të Lirisë 

0

Prishtina, mesnatë 2019-2020 – foto e Behlul Jasharit për Gazetën DIELLI dhe portalin DRINI

 

Nga: Behlul Jashari, Prishtinë 

PRISHTINË, 1 Janar 2023/ Në Kosovë, edhe me koncerte në sheshe e plot njerëz në festë u prit si tradicionalisht  Viti i Ri 2023,  i jubileut të 15 vjetorit të Pavarësisë e 24 vjetorit të Lirisë. Në Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të dytë të shqiptarëve e më të ri evropian, Viti i Ri 2023 u prit gëzuar në sheshet Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti, Ibrahim Rugova,  Zahir Pajaziti, Xhorxh Bush, Bill Klinton, Medlin Olbrajt, Robert Doll… 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në mesazhin për Vitin e Ri 2023, mes tjerash, theksoi: 

“Në këto ditë, sheshet e rrugët tona janë të mbushura. Në mesin e shumë njerëzve që dalin për të përshëndetur e uruar njëri-tjetrin janë shumë pjesëtarë të mërgatës sonë. Mirë se vini në atdheun tuaj! Jemi vërtetë të lumtur t’u kemi në mesin tonë. Dua që edhe juve në veçanti t’u falenderoj që vazhdoni të jeni zëri ynë e sytë tanë në kryeqendra e vendet të ndryshme rreth e rreth globit.” 

E ngjarja e vitit 2022  e Kosovës ishte kjo: Në 15 Dhjetor, Kryeministri Albin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës, i dorëzoi Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Një ditë më parë në Prishtinë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti. 

E në prag të Vitit të Ri  2023 Qeveria kosovare në mbledhjen e 112-të ka themeluar Këshillin Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

  Viti Ri – Prishtina 

Në Vitin e Ri 2023 Kosova  me Axhendë Shtetërore do festojë jubileun e 15 vjetorit të  Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit 2008 në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00. 

  

     Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm i Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën  e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie në atë kohë drejtorin e përgjithshëm të  Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”… 

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,   në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur. 

Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. 

  

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. 

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës. 

Pas shpalljes së Pavarësisë Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete. 

Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta, dhe 2018-ta. 

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. 

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij. 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008. 

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje. 

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë. 

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari. 

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike. Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës. 

Në 10 Shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë. 

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”. 

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë. 

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. 

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016… 

 Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.  

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999. 

Në 2023-tën festohet edhe 24 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynte në Kosovë raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe për Radio Televizionin Shqiptar… 

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë… 

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve… 

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999. 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete. 

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. 

Viti i Ri 2023 i 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës erdhi për të gjithë shqiptarët kudo edhe me një fastë tjetër pavarësie pas festës së madhe kombëtare të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë … 

Forhåndsvisning av bilde

Shqiptarët kanë dy festa të pavarësisë, të Shqipërisë të shpallur në Vlorë në 28 Nëntor 1912 dhe të Kosovës të shpallur në Prishtinë  në 17 Shkurt 2008 . 

Gëzuar! 

*** 

Gëzuar Vitin e Ri 2023 

Edhe për shumë e shumë vite me gjithë të mirat  

Për të gjithë 

Gëzuar 

Si një kartolinë urimi po ju dërgoi edhe lajmin e pritjes së vitit të parë në liri në Kosovë, që e kam raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në 1 Janar 2000: 

ATA  Message 1 of 3 , Jan 1, 2000 

  

Afro 100 000 qytetarë e pritën Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës

PRISHTINE, 1 janar /ATSH- B. Jashari/ - Afro 100 000 qytetarë në
Prishtinë e pritën Vitin e Ri në sheshe dhe rrugët e mbushura me borë në
shoqërinë e koncerteve dhe programe të ndryshme festive.
Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri,
ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive
bënë transmetime të drejtpërdrejta.
Një mesazh solidariteti, me kërkesën për lirimin sa më të shpejtë të
7 000 djemve dhe vajzave kosovare, që vazhdojnë të mbahen peng në burgjet e
Serbisë, u lexua në sheshin kryesor “Nënë Tereza” të Prishtinës.
/dast/ 

http://www.hri.org/news/balkans/ata/2000/00-01-01.ata.html#06 

 [02] Some 100 000 citizens welcome New Year on Prishtine Squares 

PRISHTINE, January 1 (ATA)-By B. Jashari, Nearly 100 000 citizens of Prishtine received the New Year on snow covered squares and streets in the company of various festive concerts and programmes. 

The capital of Kosova, which celebrated the New Year for the first time in freedom, was one of the five cities of the world from which the biggest TV centers carried live broadcasts. 

A message of solidarity, appealing for the rapid release of 7 000 Kosovar sons and daughters, who continue to be held hostage in Serbia’s prisons, was read at the main square “Mother Teresa” of Prishtine. /dast/lm/ 

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail: 

Albanian Telegraphic Agency 

Gënjeshtrat

0

Jochen Mai, gazetar

Para ca ditëve rastisi t’i hiperbolizoj ca “degjenerime” minore gjatë kohës se studimeve në Gjermani (mars 1977 – prill 1981).

Tashmë jam në dilemë t’i (dis)kualifikoj, nëse ishte vetëm gënjeshtër pozitive, sepse shpresova të ishin afirmuese, apo propagandë (vet)mashtruese, siç i bëjnë rëndom ata që ndiejnë se kanë pas deficite në marrëdhëniet seksuale?

Gënjeshtra ime ngjason me përfoljen për Ardian Fullanin, ish drejtorin e Bankës Kombëtare. Ai, si student, në dallim nga shokët e tij, nuk paskësh pas sukses të kishte shoqe me të cilën do kishte edhe marrëdhënie seksuale. Një ditë në plazhë, Ardiani, që të mos tallej nga shokët si deri atëherë, simulon një truk. Ai ia kërkon shokut qelsin e banesës. Ai gjest duhej të vetëkuptohej, Ardiani paskësh gjet shoqe dhe prandaj i duhej qelsi të shkonte me shoqe atje. Shoku gabimisht ia jep qelsin e biçikletës. Ardiani sorollatët rreth dy orë dhe kthehet të shokët, duke ia kthye qelsin shokut më falënderim që përmbante reklamimin për kënaqësinë që kishte pas me shoqe.

Shoku, duke e ironizuar: “Të kërkoj falje, sepse gabimisht ta pata dhënë qelsin e biçikletës, në vend që ta jepja qelsin e banesës!”

Për shkak të keqkuptimeve diskualifikuese, sidomos nga ish bashkëveprimtarët revolucionarë, “enveristë” e “marksist-leninistët”, nuk po e rrëfej gënjeshtrën time (sepse edhe ata, si muhamedanët dhe kristianë, seksin para martese e diskualifikonin si degjerim). Por, gjatë reflektimit gjurmova në google, nëse ka trajtime tematike për gënjeshtra, pse bëhen, sa lloje ekzistojnë, sa të shpeshta janë. Menjëherë gjeta shtjellimin që kishte bërë gazetari gjerman Jochen Mai, të cilën po e sjell të shqipëruar.

Gjatë leximit u befasova, sa pak informim dhe njohuri kisha për gënjeshtrën.

* E vërtetë është se ne të gjithë gënjejmë. Madje disa herë në ditë. Spektri i të pavërtetave varion nga justifikimet, gënjeshtrat e bardha, dëshmitë e rreme, mburrja, hipokrizia, intrigat deri te gënjeshtra e plotë. Një studim zbuloi se 84 për qind e aplikantëve për punësim, gjatë bisedës prezantuese, mashtrojnë. (…) Intersant dukuria se edhe fëmijët (…) fillojnë të gënjejnë me vetëdije që në moshën katër vjeçare. Disa ekspertë supozojnë se të rriturit gënjejnë mesatarisht rreth 200 herë në ditë, duke përfshirë në këtë shifër mburrjet pa mbulesë. Por, vërtet, pse gënjejmë? Mashtrimi ka qenë i neveritshëm që nga kohra të lashta. Filozofë të tillë si Aristoteli, Augustini apo Immanuel Kant stigmatizojnë mashtrimin e vetëdijshëm si të pamoralshëm dhe të dënueshëm. Madje Bibla e quan gënjeshtrën si mëkat. [Në Islam gënjeshtra/mashtrimi preferohet të përdoret kundër kundërshtarëve dhe armiqve. Ajo në kohën e Mohamedit është quajt tekija / تقية / sqarim nga unë.] Çfarë duhet të dini për gënjeshtrat…

ARSYET PËRSE GËNJEJMË?

Mesatarisht njerëzit gënjehen çdo tetë minuta, sipas hulumtimit të psikologut Gerald Jellison nga Universiteti i Karolinës së Jugut. Gjatë një bisede dhjetë minutëshe, 60 për qind e të gjithë partnerëve të bisedës gënjejnë njëri-tjetrin deri në tre herë. Çdo ditë përballemi me një sasi thuajse të paimagjinueshme të pavërtetave, ekzagjerimeve dhe formave të tjera të gënjeshtrave.

POR PSE NE NJERËZIT GËNJEJMË (AQ SHPESH)?

Një arsye dhe një problem në të njëjtën kohë: rendom as që e vërejmë në momentin e bisedës, përse spekulimet përbëjnë pothuajse një të tretën e të gjitha gënjeshtrave. Pjesa tjetër, sipas Jellison, janë kryesisht të pavërteta për katër motive thelbësore: • 41 për qind gënjejnë për të shmangur telashet (“Ushqimi juaj ka shije të mrekullueshme!”). • 14 për qind mashtrojnë për ta bërë jetën më të lehtë (“Nesër? Oh, nuk mundem!”). • 8.5 për qind manipulojnë për t’u dashuruar (“Unë po mendoj vetëm për ty!”). • 6 për qind mashtrojnë nga dembelizmi (“Sigurisht, e kam menduar këtë!”). Gënjeshtra – është gjithashtu diçka si një kit social.

Një studim britanik nga Universiteti Nottingham Trent, për shembull, sugjeron të njëjtin përfundim. Shkencëtarët vlerësuan sjelljen e përdoruesve të Facebook dhe identifikuan arsye të ndryshme për të gënjyer në internet: Disa gënjyen kryesisht për të bërë përshtypje dhe për të përmirësuar imazhin e tyre.

Për shumë, megjithatë, gënjeshtra shërbeu për të ruajtur marrëdhëniet e tyre. Kjo tingëllon skizofrenike, por funksionon, për shembull, duke përshtatur mendimin e tyre me shumicën ose duke specifikuar ngjashmëri të tjera. Gjëja kryesore është të vazhdosh t’i ngjasosh sojit me të cilët komunikon. (…) Në të shumtën e rasteve gënjejmë edhe me vetëdije. Meshkujt priren të justifikojnë një ose dy gënjeshtra në rrethanat kur janë të përshtatshme. Një sondazh tregon se ndonjëherë më shumë se gjysma e të anketuarve pajtohen me gënjeshtra – për sa kohë që ato favorizojnë. [Vijoj shqipërimin, nëse ekziston interesimi për ta lexuar.]

* Shjellimi në origjinal: https://karrierebibel.de/luegen/

Krimi i pandëshkuar, përsëritet

0
Idriz Zeqiraj, Gjermani
   – Protesta e PAN-it dhe e “veteranëve” të tij, kundër Amerikës!
Protestat e dhunshme huligane e kriminale, të mars-prillit 2004, të projektuara nga Serbia, por të realizuara nga partitë-banda të PAN-it, përkatësisht, PDK, AAK, NISMA, së bashku me të ashtuquajtura “Shoqata të dala nga lufta”, rezultuan fatale për Kosovën! Huliganët, të instruktuar dhe të prirë nga krerët partiakë, të handakosur, me vetëdije apo pavetëtdije për pasojat, sulmuan pleq e plaka serbe, duke u vënë zjarrin shtëpive dhe kishave të tyre. Argatët e Serbisë, nuk kursyen nga zjarri as Flamurin e Dardanisë Antike!
     UNMIK-u i pikasi organizatorët dhe sulmuesit faktikë. I arrestoi, i mbajti disa muaj në burg dhe, si me sustë, i liroi, edhe pse vandalizmi i tyre shkaktoi 19 viktima, në mesin e tyre 11 shqiptarë, kryesisht, të rinj të mashtruar. Psenë e di UNMIK-u, por edhe ne dimë mjaftueshëm, për këto krime të pandëshkuara. Rrjedhojat dihen: “Nuk jetohet me shqiptarët”,- reaguan serbët pakicë dhe, ndërkombëtarët e gjetën zgjidhjen, të ofruar nga Serbia, vendosën për decentralizimin, duke krijuar – fshat e komunë -, ku kishte popullatë shumicë serbe!
     Dhe, nga -Decentralizimi-, oreksi për zgjërimin e kompetencave u shtuan, për të ardhur ke -“Zajednca”-, e cila, sot, ka bllokuar Kosovën, si shtet. Kjo është “dhuratë” nga disa komandantë – hafije të Serbisë -, gjithnjë, nën urdhërat e shefave të partive të tyre. Pra, krimi i pandëshkuar, prsëritet. Dhe, kjo po dëshmohet me protestën e paralajmëruar nga tellalli i PAN-it, Dardan Molliqaj, me “partinë” e tij fantomë, PSD, dhe “Shoqatat e dala nga lufta”, me akronimin “OVL të UÇK-së”, pra, “veteranët” e rremë të PAN-it.
     Qëllimi i protestës të PAN-it, me autorësi të rreme, kinse, e PSD-së të Molliqaj, dhe “veteranët” e PAN-it, është i qartë: Zhbërja e Gjykatës Speciale, përmes ndryshimit të Kushtetutës, rrjedhimisht, lirimit të akuzuarëve aktual, për krime të luftës në Hagë dhe amnistimin nga akuzat të komandantëve, në pritje të arrestimit. Dhe, kur dihet se kjo Gjykatë është themeluar, ekskluzivisht, nga amerikanët, kjo protestë është, qartësisht, kundër Amerikës!
     Vardisja e vizitave, si në “haxhillëk” në Hagë, nga horrakë e provokatorë, të familjeve të viktimave të terrorit të kuq të  komandantëve, në veçanti, dhe të shqiptarëve, në përgjithësi, është poshtërsi dhe imoralitet i skajshëm. Përjashto, këtu, familjarët e tyre dhe zyrtarët, që detyra zyrtare i lidhë me mbikëqyrjen e të drejtave të akuzuarëve, të gjithë të tjerët janë aprovues të krimit, rrjedhimisht, pjesë e krimit.
     Kjo flet edhe për mungesën e seriozitetit, të kësaj Gjykate, me dyshimin edhe për pazaret e pista korruptive, siç edhe ka ndodhur më parë, me një Gjykatë të ngjashme. Harrohet se Kosova ka 800 dëshmorë të luftës, por ka 1.826 viktima të vrasjeve politike dhe të dëshmitarëve, si ushtarakët luftëbërës të FARK-ut, përfshi edhe Ministrin e Luftës; bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova; veprimtarët e LDK-së; gazetarë – reporterë me integritet të luftës, njëherësh, edhe denoncues të krimeve politike; si dhe kuadro të hershëm të LPK-së. Dhe, kjo është rivrasje e viktimave. Kriminelët e PAN-it dhe llumëhania që u mbanë -isonë-, si në kor, kur mbrojnë krimin dhe kriminelët, flasin në emër të popullit, duke “harruar” se tej 85 % e sondazheve, kërkojnë, madje, ngulmërisht, ndëshkimin e krimit dhe të kriminelëve.
     PAN-i, me argatët e tij, është i ndjeshëm, kur ia kujtojnë krimet e djeshme. Dhe, kërcëjnë “si zorra në prush”. Kujtoni rastin, kur vajza dinjitoze e krenare e Jusuf Gërbvallës, Donikë Gërvalla, deklaroi se krimi në Kosovë ka emër dhe mbiemër, reagimi ishte i ashpër dhe fushata kundër saj vazhdon. Sepse e vërteta dhembë.
     Njëjtë po ndodhë, sot, edhe me letrën-analizë, të shkruar nga kryetari i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja dhe të aprovuar nga Kryesia e saj. Sepse, edhe zyrzarisht, denoncohen dhe pranohen krimet vrastare, hajnia zyrtare, haraçi i përgjakshëm, gabitja e pasurive shtetërore, tenderimet korruptive, kapja e sistemit të drejtësisë dhe e të gjitha institucioneve shtetërore. Rrjedhimisht, shkatërrimi i bërthamës shtetërore, tradhtia e madhe ndaj Kosovës, deri në tjetërsimin e trojeve tona!
     Pavarësisht përpjekjes, për ta lokalizuar autorësinë e letrës-analizë, prej 36 faqësh të përmasës A4, kohëzgjatja, nga shkruarja fillestare, rishkruarja e mëvonshme, ose variant i dytë, flet qartë e bindshëm, se opinioni i shprehur në atë letër, është kolektiv, pra, i Kryesisë të Akademisë. Edhe pse Akademia, si zë intelektual kolektiv, ka heshtur gjatë kohë, për këto probleme domëthënëse, për vendin, shpërthimi i saj, në vulosjen e së vërtetës, ngushëllon, sado pak.
    Fushata aktuale kundërshtuese, ndaj ASHAK, madje, edhe akuzuese, por, tërësisht e pabazuar e deshtake, që nga kupola e PAN-it, e deri ke lakejtë e tij të bollshëm, është “lehje në hënë”, sepse krimet dhe tradhtia e disa të ashtuquajtur komandantë, ka ndodhur. Marrosja e kritikuesëve, ndaj Akademisë dhe kryetarit të saj, Kraja, shpërfillë çdo logjikë njerëzore, kur thonë se “nuk është punë e Akademisë të merret me politikë!” Kemi parë dhe po shohim se si po belbëzojnë e shkumojnë, analistë dhe banalistë të paguar të PAN-it, duke shpërfaqur injorancën mjeruese dhe rrugaçërinë e tyre kulmuese, në përpjekje për të mbrojtur krimet dhe tradhtitë e padronëve të tyre!
     Përpjekja për ta krahasuar letrën e Akademisë të Kosovës, me at të Akademisë serbe, në kohë lufte, është krahasimisht e kundërt. Vërtet, serbët kanë vrarë shqiptarë, por, nuk kemi dëgjuar që ata të kenë vrarë serbë, gjatë dhe pas luftës, siç ka ndodhur me disa nga “komandantët” tanë, të cilët kanë vrarë bashkëkombasit e tyre, për pushtet dhe pasuri!
     Por, siç thotë populli: “Marrja nuk ka mbytur askënd!”

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Ukrainë do t’i jepte fund politikës së gjenocidit që është duke u zbatuar nga Rusia putiniane!

0

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyj dhe gruaja Olena në një foto të dërguar nga organet ukrainase në natën e vitit të ri mbrëmë.

Bardhyl Mahmuti

Republika e Ukrainës 

Presidentit të Republikës së Ukrainës, z. Volodimir Zelenski 

I nderuari z. President, 

Në ndërrimin e motmoteve 1998/1999 ishte acar i madh, ndërkohë që populli shqiptar i Kosovës përballej me operacionet e tmerrshme të forcave të armatosura serbe që zbatonin planin gjenocidar të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës. 

Si pasojë e këtij plani mbi 2000 civilë shqiptarë ishin vrarë dhe 433.300 të tjerë ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Që ta keni të qartë përmasën e këtij dëbimi, shifra e lartpërmendur paraqiste çerekun e popullsisë së përgjithshme të Kosovës! 

Sikur një gjë e tillë të ndodhte me popullsitë civile të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë, të SHBA-vë apo Ukrainës ky proporcion do të manifestohej me dëbimin e 15 milionë britanikëve, të 17 milionë francezëve, të 20 milionë gjermanëve, të 80 milionë amerikanëve, të 11 milion ukrainasve. 

Sado dramatike që ishte situata në Kosovë dhe kriza e përgjithshme humanitare me të cilën ballafaqohej populli shqiptar i Kosovës, Serbia nuk i ndali aksionet e veta. Përkundrazi ata intensifikuan operacionet e forcave të armatosura për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së shqiptarëve në Kosovë, ngjashëm si “zgjidhja përfundimtare e çështjes çifute” të nazistëve gjermanë. 

Për disa muaj të vitit 1999 Serbia vrau edhe mbi 11 mijë shqiptarë dhe dëboi nga Kosova mbi 90% të popullsisë shqiptare. Falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, regjimi terrorist i Beogradit kapitulloi dhe në këtë mënyrë iu dha fund pushtimit serb të Kosovës.   

I nderuari z. President i Republikës së Ukrainës, 

Edhe në këtë ndërrim motmotesh 2022/2023 në Ukrainë është acar i madh. Me shqetësim dhe dhembje të madhe jemi duke ndjekur pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës dhe zbatimin e politikës së gjenocidit ndaj popullit ukrainas.  

Jemi të vetëdijshëm për sakrificat e mëdha që është duke bërë populli i Ukrainës dhe të revoltuar që, për shkaqe të interesave ekonomike, vendet e demokracive perëndimore tregojnë hezitimet e tyre për t’i dhënë fund gjenocidit të Rusisë në Ukrainë! 

Regjimi nazist i Kremlinit nuk do të ndalë krimet në Ukrainë deri në momentet kur të bindet se NATO do të ndërhyj ushtarakisht, përkrah forcave të Ukrainës, për të dëbuar forcat e okupatorit rus. 

President Zelensky

Uroj që ndërhyrja e NATO-s të bëhet sa më shpejt, sepse është e vetmja rrugë e shkurtër për t’i dhënë fund krimeve ruse kundër popullit ukrainas! 

SLAVA UKRAINI! 

Gjenevë, 31 dhjetor 2022 

_____ 

Bardhyl Mahmuti 

Kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” 

Bokshiqi dashuria dhe ëndërra ime jetësore!

0

Nga: Florim Zeqa, Itali 

Meditim

Vendi ku njeriu lind, rritet dhe edukohet është dhe mbetet vendi më i dashur, më i çmuar dhe më i shenjtë i jetës. Edhe pse jam i lindur në Spitalin e qytetit të Pejës, vendrritja ime, Bokshiqi mbetet vendi më i bukur dhe më i dashur, më i ngrohtë dhe më atraktiv për të jetuar.

Bokshiqi vend i vogël me histori të lavdishme

Bokshiqi është fshat në jug-perëndim të Komunës së Klinës i cili kufizohet me Lugun e Baranit, përkatësisht me Gllogjanin e Pejës. Bokshiqi përveqse njihet si vend kodrinoro-malor, me toka të plleshme bujqësore dhe blegtori të zhvilluar, njihet edhe me histori të lavdishme dhe rezistenca të shumëta ndaj pushtuesve serbo-sllav.

Në malet e Bokshiqit, në marsin e vitit 1948 është zhvilluar lufta heroike e prijësit të çetës antikomuniste, Ndue Përlleshit nga Paskalica kundër forcave sllavo-komuniste e ndihmuar nga atdhetarët e fshatit dhe fshatrave përreth.

Edhe në historinë më të re të Kosovës, Bokshiqi u bë pjesë aktive dhe e pandalshme e rezistencës aktive kundër pushtimit klasik të Serbisë Millosheviqiane.

Rezistenca e Bokshiqit e 23 shkurtit të vitit 1993, kundër aksionit famëkeq të armëve nga policia serbe, i kishte kaluar përmasat e martirizimit. I madh dhe i vogël ishin të gatshëm për sakrificë dhe vetflijim, mirëpo falë sugjerimeve të institucioneve Republikës së Kosovës dhe rekomandimeve të miqëve ndërkombëtar u tërhoqëm nga rezistenca e armatosur.

Përseri edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, Bokshiqi ishte caku i parë i sulmit të forcave serbe në Komunën e Klinës dhe jo vetëm. Organizimi ushtarak dhe rezistenca ishin në nivelin e duhur për aq sa ishin mundësitë e përballjes me një armik shumfish më të fuqishëm me armatim dhe artileri ushtarake.

Dashuria e vërtetë është hyjnore

Po i kthehem dashurisë dhe ëndërrave për kthim në atdhe, në Bokshiqin e fëmijërisë, edukatës, rritës dhe kalitjes time burrnore. Aty nga nëna Hysnije i mësova ninullat e para, u rrita duke dëgjuar rrëfimet e gjyshërve dhe pleqëve të fshatit për sfidat e jetës dhe sakrificat e panumërta të tyre. U rrita me ndejat nëpër Oda të burrave, me traditat dhe zakonet e bukura popullore, u rrita në harmoni familjare dhe fqinjësi të mirë me të gjithë bashkëfshatarët.

Për herë të parë në moshën 5 vjeçare, nga babai Halili mësova për prejardhjen, origjinën dhe historinë e të parëve tonë nga Kalimashi i Shqipërisë, nga e cila buron edhe emërtimi i lagjës tonë, si Mëhalla e Kelmekshve, emërtim ky i trashëguar ndër shekuj në fshatin Bokshiq.

Bokshiqi është një ndër fshatrat e rralla në Kosovë, në të cilin nuk kanë ndodhur asnjëherë dhe në asnjë kohë vrasje ndërvëllazërore apo ndërfqinjësore. Kjo, përveqse madhështi është edhe krenari e papërshkruar më fjalë.

Respekt dhe mirënjohje atdhetare të gjithë vëllëzërve dhe kusherinjëve, të gjithë fqinjëve dhe bashkëfshatarëve të mi, këtyre njerëzve të mirë dhe atdhetarë, të urtë dhe punëtorë të cilët gjithnjë dijtën të bëhen bashkë në festa dhe gëzime, por edhe në momente të hidhura pikëllimi duke i lehtësuar dhimbjet njëri-tjetrit.

Mirënjohës për jetë e mot prindërve të mi, babait Halilit dhe nënës Hysnije, të dytë edukator dhe pishtarë të arsimit shqip në kohën e tyre.

Mirënjohës dhe falenderues parardhësve dhe trashëgimtarëve, familjarëve të familjes së madhe Zeqa për edukatën e shëndoshë dhe në frymën atdhetare.

Mirënjohës dhe falenderues mësuesit të parë, Enver Rexhepi nga Peja dhe të gjithë arsimtarëve dhe profesorëve të ciklit të mesëm dhe universitar.

E dua qytetin e Pejës sikurse çdo qytet tjetër të Kosovës, por qytetëza e Klinës është më afër zemrës time. Për zemër e kam edhe Mitrovicën, qytetin e studimeve dhe të dashurisë time. Në Mitrovicë përveq dijes u pasurova edhe me bashkudhëtaren e jetës, Sebihanen e cila i dha kuptim dhe rrugëtim të mbarë jetës time. Ishte zonjusha e parë nga qyteti që zbriti në fshatin Bokshiq, në fshatin e 1001 ndodhive historike. Ishte ky një kontrast i madh, por edhe gërshëtim i bukur i traditave qytetare me ato katundare.

Dashuria e vërtetë e kapërcen çdo pengesë në jetë, është hyjnore!

Fizikisht në Itali, me shpirtë e zemër për Bokshiqin legjendar

Edhe pse po bëhen 28 vite në mërgim, asnjëherë dhe për asnjë qast nuk u ndava nga atdheu im. Lidhjet e fuqishme me vendlindjen më shkaktojnë emocione të papërshkruara shpirtërore, mall dhe nostalgji të pakufijshme për Bokshiqin legjendar.

Për të mos thënë çdo minut dhe çdo sekond, për çdo ditë meditojë për fëmijërinë time, meditojë për fushat dhe malet, për kroin e fshatit, meditojë për kohën e rinisë dhe për kohën e pjekurisë time.

Por ja që vitet po ikin shpejt dhe mosha e pleqërisë po më troket tek dera, por unë nuk po i përgjigjem dot, me shpresën që të kthehem shpejt në vendlindje për të shijuar përseri aromën e gjithçkaje të mirë në vendin më të bukur në botë.

Këtë meditim dëshirojë që ta përfundojë me poezinë time, të shkruar shtat vite më parë.

Ëndërra për atdhe

Ditët e gjata në mërgim,

shpresat për kthim n’vendlindje m’i shtojnë.

Të shoh si rritet atdheu im,

ta ndjejë frymarrjen e lirë,

të popullit tim.

Vendlindja ime e shtrenjtë,

këtu n’mërgim rri e vuaj,

me mallin për ty, jetës kornizë i bëj,

panoramë e ndjeshme, këtu në vend të huaj.

E kur të vdes,

dua që dheu i yt të më mbuloj.

Edhe i vdekur, në varr,

aromën e dheut ta shijoj,

nën erën e blinit të djegur ndër shekuj,

ndoshta shpirtin qetësoj!

Gëzuar Viti i Ri 2023 … I shkruar më 31 djetor 2022 

0

Sinan Kastrati

Nga: Sinan Kastrati, Suedi

Është i vetmi vit i vjetër që po e përcjellim e vit i ri që po na vjen që nuk kisha vullnet të shkruaj. Barikadat në Veriun e Kosovës dhe lirimi i policit serb për terrorizëm ishin shkak dhe shkas që s`kisha dëshirë të shkruaja. 

Mendoja se pas disa ditëve do të publikoja shkurt për ato tema që po na përcjellin dhe vazhdojnë të jenë aktuale, tema nga jeta e përditshme, letërsia, kultura dhe më shumë nga politika.  

Kisha bërë gati edhe disa anekdota që në Turjakë iu themi mesele por edhe mahi e tregime e doja ti publikoja. 

Rastësisht pash një shkrim timin, i shkruar dhe i publikuar më 31 dhjetor 2018, i para katër vjetëve që nuk më pëlqeu jo pse nuk është real por pikërisht pse ishte dhe është edhe sot kështu siq ishte para katër e katërmbëdhjetë vjetëve. Po e publikoj me ndonjë përmirësim të vogël (jo koorrigjim, sikur Hashimi), vetëm titullin dua të ia ndryshoj nga Pafytyrësia politike e “gjeneralit” Rexhep Selimi Paftyrësia e gjithë opozitës   

Gjeneralët e fushave të mejdanit e të artit, kush janë ata? 

Para disa vjetëve, kur ishte “bota marë”, në programin e vitit të ri, në ish RTP-në përveç këngëtarëve të njohur, humoristëve e aktorëve, merrte pjesë edhe ansambli “Rugova” me “Vallja me shpata”.   

Të nesërmen kishte shumë reagime, sepse shqiptarët e festojnë vitin e ri me shpata kur të tjerët festojnë në mënyrë krejt tjetër. Ndër ta që krtikoi ishte rugovasi, Ramiz Kelmendi, një penë e mprehtë e gazetarisë. 

Po nuk ishte vetëm R. Kemendi që shkruajti dhe e madhëroi Shqipen e Shkodrën. Ishte edhe Ali Sutaj e … I. Kadare. Madje Kadare më mirë se gjithkush na dëshiroj urimet më të mira për vitin e ri, të shkruar në ditën e fundit të vitit të vjetër,”e shkruar më 31 dhjetor”. 

Dhe kjo fjalë, “Gjeneral” sikur të kish hieje vetëm ty o Kadare. Ajo më vonë sikur e humbi kuptimin që kishin pasur gjeneralët si Aleksandri i Madh (Leka), Napolen Bonaparta, Genghis Khan, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Attila i Hunëve, në Luftërat e ndryshme deri te ajo e Punike e … shqiptare, romake e luftëra të tjera çlirimtare e pushtuese (Marrë nga fjal. Encikop.). 

Por me të drejtë fjala “Gjeneralë” u fut edhe në art e letërsi por mjerisht në fjalorët tanë ende nuk ka zënë vend. 

Eh Kadare, Gjenerali i Letërsisë, të jemi mirënjohës o Gjeneral që na dhurove vepra që veç Gjeneralët si ti dinë dhe munden o Gjenerali i Letërsisë, Kadare. 

(E SHKRUAR ME 31 DHJETOR 

Desha t`ju uroja sonte gjithë të mirat 

Juve të dashurve, 

Juve të mirëve . 

T`u uroja maleve pleqëri të mbarë 

Fushave dhe deleve – pjellori; 

Oxhakeve -tym tëzi , 

Nënave – qumsht të bardhë  

Rrugëve -zhurma kalamajsh. 

Të rënëve – qetësi) 

Zotëri Gjeneral, me keqardhje e them, por më nuk mundem as ty të quaj ”Gjeneral”, sepse në Kosovën e ”pas luftës) u bënë shumë ”gjeneralë”. Gjeneral Ramush, Daut e Nasim Haradinaj, Lah Ibrahimi (Magjupi) …dhe Rexhe Selimi që paska lexua e shkrua ”shka” është ”guha” e ”shka” vjersha (?) u bë ”gjeneral”, natyrisht ai nuk deshi të ”bëhej” por ”puna” e palodshme e ”lufta” me maska (”dhjetëshin”), e bëri ”gjeneral”. 

Zotëri Gjeneral Kadare, ne në Kosovë nuk kemi më male e as fusha, nuk kemi as dele e as qumsht të bardhë, që ti aq mirë i thua në vjershën programatike ”E shkruar më 31 dhjetor”. Të gjithat i hëngrën ”gjeneralët” tanë që u mësuan e u stërvitën atje, te ”Nëna Parti” e juaj, të nëna Shqipëri e jonë. 

Po sot, si është? 

Deri sa atherë kishim teatro e balet, shoqëri kulturo-artistike, humor e satirë, por që luheshin nga aktorët, sot ato batuta, humor të vrazhd e satirë, na vijnë nga “politikanët” e nga parlamenti që më tepër i ngjan një teatri antik latin por që nuk ka aktorë e gladiatorë por kllounë. 

Sot kemi “gjeneral me … je” 

Sot, jo nga dëshira që kam të lexoj, sidomos jo nga një ish i përfolur për krime e përqarje, një “opinion” nga njeriu më enigmatik, “gjeneral” Rexhep Selimi, lexova: “Nuk e rrezojmë Haradinajn me votat e Listës Srpska” 

”Lista Srpska”, që edhe tash është parti ”parlamentare” i ka ofruar opozitës kosovare dhjetë votat e saj për ta rrezuar Qeverinë. Partitë e mëdha opozitare tash kanë mundësinë që ta realizojnë kërkesën e tyre për ta rrezuar Ramush Haradinajn. Megjithatë, anëtari i kryesisë së L. Vetëvendosjes, Rexhep Selimi deklaron se nuk i bashkojnë votat e tyre me deputetët e ”Listës Srpska. … ” 

Sa mirë. Këta e duan shqiptarizmën dhe nuk duan ”votat” e tyre, po qysh u bë atherë o ”gjeneral” që edhe në vitin e tretë kalendarik po hyn Ramushi si kryeministër me votat e listës serbe (dhe ” Listën Ibrahim Rugova”)? 

Këso pshtjellëci nuk gjen as në Shqipër. Ky ”gjeneral” veç llugë e bënë kudo që shkel. 

Shkurt: O Rexhep rrenci, qysh doni me e rrëxua qeverinë pa votat e ”Listës …” pra? 

Po ti o Rexhë nuk ke B… me ia këthye fjalën Ramushit. Ai t`shkel ty dhe “gjeneralet” si ti, ish studentin e SHLP-së. Ti veç vërtitesh “Si por … nëpër tlina”. 

E çka të them për fund? 

Që të kemi sa më shumë bukë e krip në sofrat tona e Kosova të behet e lirë. 

Të mos ketë më “gjeneralë” e as “komandantë”, … “veteranë” (mashtrues), parti e shoqata “të dala nga lufta”! 

Të shkojnë nga kanë ardhur ato hordhi vrasësish të farës së kuqe, lpk-istë! 

Të ikin bashkë me soj-sorollopin Hashimin e Xhavitin, Rexhepin, Jakupin e Kadriun, Fatmirin e … e bashkë me ta edhe Daćić e Vućić të shkojnë atje ku e kanë vendin se mjaftë na ndihmuan. 

Ti marrin me vete “meritat” e marret, dekoratat e duartrokitjet … . ! 

Gëzuar vitin e Ri, edhe ju “gjeneralë” e gjeneralë. 

Hamëz e Adme Jashari a ishin Gjeneralë? 

P.S. Gati harrova: A ishin të gjithë “komandantët” e “Luftës së Kosovës” më 1981-1999 “Gjeneralë? 

Po Hamzë e Adem Jashari, a ishin Gjeneralë? 

-Jo !  

Sa mirë së pakut paska pakëz ymyd se jo të të gjithë ishin udhëheqësit e luftës, siq janë Hamza e Adem Shaban Jashari nuk ishin gjeneralë.  

Marrë nga fokuesi.org me titull: 

«Pafytyrësia politike e “gjeneralit” Rexhep Selimi» 

Publikuar më 31.12.2018 12:53:21 

Sinan Kastrati, Suedi 

Malmö, 31 dhjetor 2019  

Vazhdon  

Malmö, 31 dhjetor 2022 

Sinan.kastarti@hotmail.com

Vjosa Osmani në adresimin drejtuar qytetarëve për Vitin e Ri 2023 kërkoj që të luftohet edhe femicidi

0
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që të luftohet femicidi, në adresimin e saj drejtuar qytetarëve për Vitin e Ri 2023.
Në një videoadresim të dërguar të shtunën për media, ajo ka thënë se kjo çështje duhet të trajtohet si emergjencë kombëtare.

“Sot s’mund të mos flas edhe për dhimbjen e përjetuar e të mos përmend ata që s’janë më në mesin tonë. Dua të kujtoj gratë e vajzat që u bënë viktimë e femicidit, fenomenit të tmerrshëm që duhet ta luftojmë të gjithë së bashku. Keqtrajtimi i grave në shoqërinë tonë e mbarë botën po shndërrohet në epidemi. Prandaj duhet ta trajtojmë si emergjencë kombëtare. Në këtë përpjekje kemi nevojë për angazhimin e të gjithëve, politikanëve, institucioneve të drejtësisë, sigurisë, punëtorëve socialë, aktivistëve të shoqërisë civile e mediave. Duhet të shndërrohet në kauzën tonë të përbashkët. Lufta për barazi gjinore duhet të jetë lufta jonë e çdoditshme”, ka thënë Osmani në adresimin e saj.

Osmani e ka cilësuar vitin 2022 si vit të jo të lehtë me sfidat globale që “kanë ndikuar në krizë ekonomike e të energjisë të cilat janë ndier nga secila familje në Kosovë”.

“Duhet edhe shumë mund e punë e vazhdueshme për t’i adresuar këto sfida me sukses”, ka thënë ajo.

Osmani po ashtu ka thënë se Kosova ka shënuar arritje e suksese të shumta, por sipas saj duhet të punohet gjithmonë e më shumë për të tjera arritje.

Ka falënderuar aleatët ndërkombëtarë për mbështetje, ndërsa falënderim të veçantë ka pasur për Policinë e Forcat e Armatosura.

Për 2023, Osmani ka uruar të jetë vit i veprimit për arritjen e synimeve.

Në vitin 2023 lufta për ndriçimin e gjenocidit në Kosovë vazhdon!

1

Serbia kreu gjenocidin në Kosovë dhe ende nuk është dënuar për krimin më të rëndë që njeh njerëzimi. Fatkeqësisht, përveç Kuvendit të Kosovës që ka përkufizuar në mënyrë të qartë natyrën e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, deri në ditën e sotme asnjë vend tjetër nuk e ka emërtuar qartë dhe pa ambiguitet faktin se shteti serb ka kryer gjenocid kundër  shqiptarëve. Dihet se faktet nuk flasin vet, prandaj është në përgjegjësinë e intelektualëve të fushave të ndryshme që t’i bëjmë “të flasin” për të nxjerrë në shesh të vërtetën e plotë për atë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës. 

Duke u përballur me mohimin e vazhdueshëm të gjenocidit nga ana e shtetit serb si dhe propagandës sistematike që ai përhapë për të shtrembëruar të vërtetën e luftës në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” do të vazhdojë me angazhimet e veta me qëllim që e vërteta për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë të pranohet botërisht. 

Vetëm duke u angazhuar për të ngadhënjyer drejtësia për të gjitha viktimat e gjenocidit, për ata mijëra fëmijë, gra, pleq, plaka dhe shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë mizorisht nga forcat e armatosura të Serbisë, për ato dhjetëra mijëra femra shqiptare të përdhunuara seksualisht dhe për poshtërimet që u janë bërë rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre, ne mund t’i urojmë njëri-tjetrit një vit të ri të përpjekjes për të mbyllur plagën e gjenocidit që kullon gjak, dhembje dhe vuajtje të qindra mijëra familjeve shqiptare. 

Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” ju uron Vitin e Ri 2023, me shpresë që angazhimet tona individuale dhe kolektive të kurorëzohen me rezultate pozitive në përpjekjet për të ngadhënjyer drejtësia. 

Gjenevë, 31 dhjetor 2022 

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” 

Kryeministri Kurti priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia

0

PRISHTINË, 31 Dhjetor 2022

Bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pritën në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe oficerë të tjerë të lartë të KFOR-it e të karabinierëve italianë në kuadër të Njësisë Multi-nacionale të Specializuar (MSU).

Bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes dhe sigurisë, ishin në qendër të këtij takimi. Në veçanti u trajtua largimi i suksesshëm i të 16 barrikadave të cilat po shkelnin rendin e ligjin dhe lirinë e lëvizjes për qytetarët në katër komunat në veri të Ibrit.

Forhåndsvisning av bilde

Kryeministri Kurti dhe Gjenerali Ristuccia u pajtuan për vazhdimin e komunikimit të shpeshtë dhe bashkëpunimit të rregullt në shërbim të ruajtjes së sigurisë, paqes dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës dhe lirisë së lëvizjes, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.

Në përmbyllje të këtij takimi, u shkëmbyen urimet për vitin e ri 2023.

Lufta me Serbinë s’është fituar ende, ajo vazhdon në “betejat” vijuese…!

0

Tankat e Rusisë që i dhuroi Serbisë

Image

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

Profesori universitar, Fadil Maloku thotë se lufta me Serbinë nuk është fituar ende, e cila do të vazhdojë në betejat e radhës.

Ai pohon se, gjithkund në botën e civilizuar, kur mbretërojnë kohëra krizash dhe shfaqen dilema hamletiane për fatin e kombit dhe shtetit, akademikët e atij vendi janë adresa e parë e kërkimit të zgjidhjeve!

“Në shoqëritë gjithëshqiptare, përkundër të gjitha problemeve (politike, sociale, ekonomike, e kulturore) që metastazuan dhe u (ri)cikluan në këtë fillimileniumi e këndej… ata veç mrizojnë!? Mrizimi intelektual, qoftë si status social por edhe si “meritokraci” kombëtare pa ndonjë përditësim të theksuar, flet shumë si për një lloj skleroze ofensive ashtu edhe për një tip apatie, seniliteti madje edhe një lloj çoroditje e varfërie të plotë të mendjes sonë!? Atrofia (në mendje), papërgjegjësia (në vendimmarrje), dembelia (në analiza e interpretime të fenomeneve dhe dukurive) e hedonizmi (nëpagat ë majme) janë viruse tani të dukshme që e kanë “pushtuar” ambicien dhe obligimin moral të kësaj kaste parazitesh që e ka obligim si para Zotit, ashtu edhe para kombit; të jap përgjigje meritore në pyetjet e poshtëshënuara”, shprehet Maloku.

“A mund të bëhen pengesa serioze në të ardhmen, çështja e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana pesë vendeve evropiane; “A kemi kapacitete të mjaftueshme administrative për t’i përmbushur të gjitha obligimet dhe kriteret strikte; sundimit të ligjit, qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave, të parapara nga BE-ja; A ka ide (të përpunuara; politike, ekonomike e ushtarake) se si duhet të veprojmë në rast se projektet integrues dështon? Cilat janë alternativat tona (edhe si; dy shtete por edhe si komb) dhe cilin plan rezervë duhet ta kenë në tavolinë Kosova me Shqipërinë?”, thotë ai.

Ai pyet tutje se a ka nevojë dhe a duhet të shprehë rezerva Kosova e Shqipëria, rreth një debati të brendshëm rreth temë, se; “Si duhet të hyjmë në Evropë; si Kosovë apo si të bashkuar me Shqipërinë”?

“Cilat janë pengesat lokale (sundimi i ligjit, mediet e lira, qarkullimin e lirë, etj.), ato rajonale (shantazhi nga ana e Serbisë dhe presioni i mosnjohjes,etj.), ato kontinentale (sfidat me pesëshen mosnjohëse) dhe ato globale (a kemi ndonjë strategji të përpunuar, të paktën në vija të trasha; çka pas shprirjes së konstelacioneve aktuale politike, ekonomike, e sidomos atyre ushtarake që mund të krijohen si rezultat i zgjerimit të luftës në Ukrainë…); Çfarë kapacitetesh politike, ekonomike, ushtarake, e çfarë sosh sociale e kulturore duhet t’i bëjnë gati shqiptarët, në ndërkohë? Sepse, historia e fillimit të shek XX, kur kolapsoi Perandoria otomane, ishte një përvojë që nuk duhet te na përsëritet kurrë me…; A ka përllogaritje milimetrike dhe ekspertiza të duhura, se a është më mirë të integrohemi ndaras, si dy shtete apo si një shtet i vetëm unik në Ballkan?”, vazhdon pyetjet profesori.

Ai tutje pyet se, kush duhet t’u paraprijë proceseve integruese brendashqiptare; Qeveritë, Akademitë, Kuvendet, Mediet sociale, Arsimi, Ekonomia, Kultura, Shkenca, Religjioni, etj.?

“U takon elitave lokale apo elitave politike ndërkombëtare planimetria e (mos)bashkimit të trojeve etnike shqiptare; Sepse, unifikimi nuk varet vetëm nga dëshirat dhe aspiratat individuale e kolektive, por, edhe nga animimi i miqve dhe partnerëve tanë afatgjatë strategjik; Sa kohë merr i gjithë ky Projekt unifikimi? Cila është kostoja e tij; materiale, morale, politike, kulturore e ushtarake? Kush duhet të jenë agjensit dhe artikuluesit e vërtetë, të cilët me kompetencën morale dhe sidomos atë kombëtare, duhet ta vijimëzoj e artikuloj këtë  Projekt gjithëkombëtar; Çfarë kostoje (morale, politike, ekonomike e kulturore) ka i gjithë ky projekt  dhe planimetri milimetrike për të ardhmen e kombit? Çfarë raportesh duhet t’i kultivojnë shqiptarët në ndërkohë? A duhet në të ardhmen e afërt ta përdorim më shumë diplomacinë apo sensin dhe forcën e munguar ushtarake e ekonomike”, pyet ai.

Profesori vazhdon me pyetjet e radhës.

“A ka dhe cilat janë ato sfida të cilat në bazë të një eksplorimi empirik munden eventualisht të bëhen pengesa të pa kapërcyeshme në proceset tjera integruese evropiane? Cilat interesa tona lokale përputhen me interesat globale? Apo si mund t’i materializojmë në nivel gjithëkombëtar këto interesa, në mënyrë që të mos përsëritet sindroma historike e ngecjes? Cilat potenciale të partneritetit ushtarak duhet ta fuqizojnë idenë sigurisë dhe mbrojtës së vendit? Sepse, siguri dhe stabiliteti i rajonit është interes edhe i vendimmarrësve kontinentale e global; Me çfarë agjende: politike, ekonomike, ushtarake e kulturore duhet t’i joshim dhe afrojmë interesat e lidershipit botëror në këtë pjesë të Ballkanit? A duhet të kemi edhe planin B-e, në rast të kontestimit të këtij Projekti (mbarë)kombëtar? Cili duhet të jetë ai Projekt? Kujt duhet t”i besohet “mirëmbajtja”? Dhe ku duhet të “banoj” i njëjti!?”, pyet ai, i cili shton se, apo, duhet ta vazhdojmë varësinë aktuale nga interesat globale e ato kontinentale.

“Këto dhe një milion pyetje, çështje, dilema, pritje, sugjerime, rekomandime, këshilla e avokime tjera që realisht do te duhet të kenë përgjigje të duhura nga “truri” i kombit (në momentin e duhur dhe vendin e duhur) , çka është edhe me e keqe nuk po gjejnë përgjigje: as nga institucionet tjera politike e as nga ato civile: as nga partitë politike (që më shumë po i kushtojnë “llukut” ideologjik e inateve idiotike, se sa interesit kombëtar); as nga klasa “afrikane” e të papunëve (që sytë po i mban vetëm kah arratisja sa më e shpejt, në tregjet evropiane); studentët e blerë me “qetësi sociale” nga politikanët e pangopur për fuqi ndikuese (që si makiavelistë të regjur, nuk po zgjedhin “mjete” për mbetur në pushtet!)”, përfundon profesor Maloku.(B.S)