Kreu Blog Faqe 119

Bojkoti i qytetarëve dhe vota e shqiptarëve për partitë serbe!

0

Florim Zeqa

Zgjedhjet e 7 qershorit e nxorën në pah një paradoks të madh! Ndodhi për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, që në vendbanimet shqiptare pa asnjë serbë të votohen kandidatët e partive politike serbe!

Ndëshkimi me votë i mashtruesve ordinerë

Vërtetë nuk ka paradoks më të madh sesa kur në një venbanim autokton shqiptarë votohen serbët, ndërsa në anën tjetër bojkotohen partitë politike shqiptare.

Pa dyshim se përgjegjës për këtë situatë, në radhë të parë janë partitë politike shqiptare dhe liderët e tyre partiakë, të cilët e kanë sjellur popullin deri në këtë deregje sa t’i votojnë kandidatët e partive serbe dhe të mos i votojnë vëllezërit e tyre shqiptarë!

Përderisa, bojkoti është produkt i zhgënjimit të qytetarëve në partitë politike shqiptare, vota për kandidatët e partive serbe është ndëshkim i partive shqiptare nga vetë shqiptarët!

Mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve dhe mashtrimet serike të politikanëve kanë ndikuar në rënjen e interesimit të qytetarëve për dalje në zgjedhje!

Nga bojkoti qytetarë duhet të nxjerrin mësim partitë politike, të cilat, sa më parë duhet të gjejnë kompromisin e duhur në vend të bllokadës politike!

Ndryshe, nëse edhe kësaj radhe partitë politike nuk merren vesh mes tyre në Parlamentin e Kosovës për krijimin e institucioneve shtetërore, nga 36 % do të bie nën 30 % mosdalja e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme!

Rënja në 36 përqind e daljes së qytetarëve në zgjedhje është alarm i kuq për partitë aktuale politike!

Ngase janë 64 përqind e popullatës e cila nuk i beson më politik-bërjes kosovare!

Nëse edhe kësaj radhe partitë politike nuk gjejnë kompromis për bashkëqeverisje, ndëshkimi do të jetë akoma më i madh në zgjedhjet radhës!

Andaj, nëse partitë e duan mbijetesën në skenën politike, duhet të mobilizohen skajshmërisht në angazhimet e përditshme drejt reformimit të thellë, ngase ngjizja e një alternative të re politike do t’i nxjerrë jashtë Parlamentit shumicën prej tyre!

Indoktrinim i çuditshëm, poezi nga Brahim Avdyli

0

Brahim (Ibish) AVDYLI

Poezi

INDOKTRIM I ÇUDITSHËM

1.

 

Kaherë më përcjellë

hija e zbehtë e thënies së vjetër

e vjen me arsytimet e veta,

 

veçantinë e njerrë nga indoktrinimi

nxirrën teza jasht rrethit të natyrshëm

sikur i pandershmi

qenka i pari

dhe i nxjerrë të gjitha fjalët e potershme,

 

tradhëtija na quhet liri

e liria vetvritet me paliri!…

 

2.

 

Ashtu vjen te indoktrinimi i masave

indoktohet çështja e kthyer në rregulla

aq sa pëlcet në zemër të lirisë

dhembja jonë,

 

nuk e di askush

se cilat janë rregullat e çlirimit

kur masa mëson budallëkun e madh

të bëjnë induksion të plotë të lirisë,

të papriturën

e bëjnë si të mundur

dhe e mundshmja dështon masovikisht,

 

e ndyejnë mu në mes të emrit tonë

ata që kurrë nuk i kanë pasur të vetat

trojet e palçikura

midis nesh,

trojet e palçikura,

e kuti i matjeve të tyre

nxirret si monstër

e pavërteta të shitet si e vërtetë!…

 

3.

 

Të vjen keq

kur shumica i beson asgjësë

së verbërve të marrë nga nata,

 

parada e improvizuar me shalvare

i bjen tam-tumit të turpit-

Prizreni flet pavetëdijen e vet,

 

e Hoxha i Drenicës

nga veçantitë e supozuara

na i bjen tabanit

me tërë zërin e tij

e arsyetimi nxirret jashtë thelbit të vet!…

Kështu

trinohet thelbësisht

baza e pa bazë e çështjes,

 

mija vite

po futemi në terrinë

madje na zhduket

qenia jonë e veçantisë

 

doktrimi është zëvendësuar

me indoktrinim

sa e vërteta

kthehet në të pavërtetë

 

e zhduket

fillimi ynë

në fundin e fundrrinës!…

 

5.

 

Këtu

kthehet pyetja deri në gjenezë

të vërtetën nuk e gjëjmë askund,

 

I pari dhe I dyti

janë dënuar turpshëm,

 

ata e kthyen

tërë rregullin përmbys

e unë qeshë I pari

i të vërtetës integrale të shqipes

por askush nuk e njeh,

e vërteta

është përbaltur tërësisht

nga ata që u dënuan

nëpër thirrjet e tyre të pa bazë,

 

e fjalorin tonë e pëlset shëmtini!…

Katastrofa Evropiane dhe Paqja e Vestfalisë !

0
Përbëhet nga dy traktate paqeje të përfunduara më 24 tetor 1648, në Münster dhe Osnabrück, duke i dhënë fund Luftës Tridhjetëvjeçare. Së bashku me Paqen e Münster, të ratifikuar më 15 maj të të njëjtit vit, e cila u negociua njëkohësisht, por nuk konsiderohet pjesë e Paqes së Vestfalisë, ajo shënoi përfundimin e kongresit të parë të madh të paqes të epokës moderne.
Sipas vendeve të veçanta të takimit të kongresit të paqes, u negociuan dy traktate paqeje plotësuese.
Për Perandorin e Shenjtë Romak dhe Francën, kjo ishte Paqja e Münster (Instrumentum Pacis Monasteriensis), dhe për Perandorin dhe Perandorinë e Shenjtë Romake nga njëra anë, dhe Suedinë nga ana tjetër, Paqja e Osnabrück (Instrumentum Pacis Osnabrügensis,).
Të dy traktatet u nënshkruan përfundimisht në të njëjtën ditë, më 24 tetor 1648, në Münster, në emër të Perandorit Ferdinand III dhe Mbretit Louis XIV të Francës dhe Mbretëreshës Christina të Suedisë, përkatësisht.
Kjo pasoi një kongres paqeje pesëvjeçar të të gjitha palëve ndërluftuese, i cili u mblodh njëkohësisht në të dy qytetet.
Ishte kongresi i parë ndërkombëtar në të cilin u përfaqësuan pothuajse të gjitha fuqitë kryesore evropiane. Në një kongres të veçantë të ekzekutimit të paqes të mbajtur në Nuremberg midis prillit 1649 dhe korrikut 1650, i njohur si Dita e Ekzekutimit të Nurembergut, marrëveshjet detyruese mbi çarmatimin dhe dëmshpërblimet u arritën në dy ndërprerje.
Rezolutat e Paqes së Vestfalisë dhe ndryshimet e bëra në Ditën e Ekzekutimit të Nurembergut u trajtuan si ligji themelor i Perandorisë së Shenjtë Romake dhe u përfshinë fjalë për fjalë në Ndërprerjen Perandorake të 17 majit 1654, e njohur si Ndërprerja Finale e Perandorisë.
Paqja e Vestfalisë i dha emrin Sistemit Vestfalian dhe u bë një model për konferencat e mëvonshme të paqes, pasi ndihmoi në vendosjen e parimit të barazisë midis shteteve, pavarësisht nga fuqia e tyre aktuale.
Dispozitat ligjore perandorake të Paqes së Münsterit, Osnabrückut dhe Nurembergut u bënë pjesë e rendit kushtetues të Perandorisë së Shenjtë Romake të Kombit Gjerman deri në shpërbërjen e saj në vitin 1806.
Në të njëjtën kohë, paqja universale ( pax universalis )e Münsterit dhe Osnabrückut kontribuoi në stabilitetin pan-evropian, pasi traktatet e mëvonshme të paqes deri në Revolucionin Francez mbështeteshin vazhdimisht në parimet e saj.
Për të njohur rëndësinë pan-evropiane të Paqes së Vestfalisë, bashkive të Münsterit dhe Osnabrückut, si vende të negociatave, iu dha Etiketa e Trashëgimisë Evropiane nga Komisioni Evropian në prill 2015.
Në fund të shekullit të 16-të, Habsburgët katolikë, nën perandorin Rudolf II, u përpoqën të shtypnin përhapjen e besimit protestant.
I ashtuquajturi Rikatolicizim synonte t’i rikthente nënshtetasit tani protestantë në katolicizëm.
Kjo politikë arriti kulmin e saj nën perandorin katolik të vendosur Ferdinand II.
Kur pronat protestante në Bohemi u rebeluan në vitin 1618 dhe pronat e Austrisë së Epërme iu bashkuan atyre, Defenestration of Prague shkaktoi Luftën Tridhjetëvjeçare – me pasoja të gjera edhe për Austrinë e Epërme.
Katastrofa Evropiane !
Për të siguruar mbështetjen e Dukës bavarez Maksimilian I dhe për të financuar luftën, Perandori Ferdinand II ia premtoi Austrinë e Epërme Bavarisë në vitin 1620. Më vonë po atë vit, trupat perandorake dhe bavareze mposhtën rebelët bohemë dhe aleatët e tyre në Betejën e Malit të Bardhë pranë Pragës, beteja e parë e madhe e Luftës Tridhjetëvjeçare. Lufta solli shkatërrim dhe vuajtje të mëdha në pjesë të mëdha të Evropës. Ajo përfundoi vetëm në vitin 1648 me Paqen e Vestfalisë.
Austri 🇦🇹
Në Linc të Austrisë
Më 14.06.2026
I.Salihu / Temsi Semi

Dënimi i butë i Hysri Selimit zbulon misionin e rrezikshëm të BIA-s: islamizim dhe radikalizim i Kosovës

1
Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me vetëm 6 vjet burgim Hysri Selimin, agjent i paguar i BIA-s serbe. Ky vendim skandaloz ka ngritur indinjatë të madhe, pasi Selimi – i dënuar më parë për ISIS – ka vepruar për 15 vjet si vegël e Serbisë, duke mbledhur informacione për “mesxhide”, rrjetin vehabist, radikalizimin dhe veprimtarinë e shqiptarëve në Siri.
BIA e kishte rekrutuar që në 2009, e pajiste me para (deri 700 euro/muaj), telefona dhe premtime shtëpie, duke e dërguar madje në Siri me mision të caktuar. Qëllimi i qartë i misionit të tyre: islamizim sistematik dhe radikalizim i shoqërisë kosovare për të imponuar një islam ekstrem që sjell dhunë, përçarje, shkombëtarizim dhe, në fund, shkëputjen e Kosovës nga aleanca euroatlantike – NATO dhe Perëndimi.
Më skandaloze është mbrojtja. Avokati Ali Beka dhe Selimi hodhën aludime të rrezikshme për “bashkëpunim të dyfishtë” me AKI-në, duke tentuar të komprometojnë institucionet tona të sigurisë. Kjo nuk është mbrojtje – është vazhdim i operacionit të BIA-s brenda gjykatës.
Duhet reagim i menjëhershëm:
• Dënim maksimal në apel për tradhti dhe spiunazh.
• Hetim penal urgjent ndaj tërë mbrojtjes për insinuatat kundër AKI-së.
• Hetim i plotë për rrjetin e bashkëpunëtorëve të BIA-s në operacionin e islamizimit.
• Forcimi i luftës kundër radikalizmit fetar të importuar.
Ky rast është alarm kombëtar. Tradhtia dhe islamizimi i sponsorizuar nga Serbia nuk mund të trajtohen me dorë të butë. Drejtësi e fortë ose tradhti e vazhdueshme.

Në Kishën Katolike në Klinë u mbajt takim përkujtimor kushtuar meshtarit dhe atdhetarit Dom Kelmend Spaqi

0

Lekë Mrijaj, Klinë

Sot, në Kishën Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, në orën 18:00, u mbajt një takim përkujtimor kushtuar figurës së ndritur të meshtarit të Kishës Katolike, humanistit dhe atdhetarit Dom Kelmend Spaqi, njërit prej dëshmitarëve të rrallë të dashurisë njerëzore, guximit shpirtëror dhe bashkëjetesës ndërfetare gjatë Luftës së Kosovës.

Ky aktivitet përkujtimor u organizua nga Famullia “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, në bashkëpunim me Forumin e Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë, me qëllim të nderimit të jetës, veprës dhe dëshmisë së Dom Kelmend Spaqit, i cili, në kohë të rënda për popullin shqiptar, u bë zëri i ndërgjegjes, strehë e shpresës dhe mbrojtës i dinjitetit njerëzor. Krahas pjesëmarrësve nga Klina, në këtë takim morën pjesë edhe bashkëvendas të të ndjerit Dom Kelmend Spaqi, dhe intelektual dhe besimtarë të famullisë së Gllogjanit, duke i dhënë përkujtimit një peshë edhe më të veçantë njerëzore dhe vendlindëse.

Takimit i parapriu mesha përkujtimore, e cila u bashkëkremtua nga don Albert Demaj, i shoqëruar nga don Jeton Thaçi dhe dom Aleksandër Kola. Në pretkun e tij, don Alberti foli për jetën dhe veprimtarinë shumëdimensionale shpirtërore, kombëtare e kulturore të Dom Kelmend Spaqit. Gjatë meshës liturgjike u bë lutje për shpirtin e Dom Kelmendit, duke kujtuar me nderim shërbimin e tij meshtarak, përkushtimin ndaj Kishës, besnikërinë ndaj misionit baritor dhe qëndrimin e tij të palëkundur në shërbim të njeriut, veçanërisht gjatë viteve dramatike të Luftës së Kosovës.

Në atmosferën e lutjes, kujtesës dhe mirënjohjes, të pranishmit u bashkuan në përkujtim të një figure që e kuptoi meshtarinë jo vetëm si shërbim pranë altarit, por edhe si prani pranë plagës së popullit. Në kohë frike, ai dëshmoi guxim; në kohë përçarjeje, mbrojti bashkimin; ndërsa në kohë urrejtjeje, zgjodhi dashurinë, njerëzoren dhe dinjitetin e jetës.

Pas meshës liturgjike, programi vazhdoi me fjalë rasti dhe kumtesa kushtuar jetës dhe veprës së Dom Kelmend Spaqit. Në këtë pjesë të takimit, me dëshmi dhe vështrime të tyre, u paraqitën don Jeton Thaçi, kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës dhe famullitar i Kishës së Klinës; dr. Haxhi Ibishi, bashkëpunëtor dhe mik i Dom Kelmendit, prof. Pal Canaj, kryetar i Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë; si dhe Anton Antoni, kryetar i Bashkësisë Lokale të Gllogjanit. Ata, nga këndvështrime të ndryshme, ndriçuan figurën e tij si meshtar, humanist, atdhetar dhe dëshmitar i rrallë i harmonisë ndërfetare shqiptare.

Përmes fjalëve dhe dëshmive të tyre, folësit theksuan se Dom Kelmend Spaqi mbetet një nga figurat e çmuara të klerit katolik shqiptar, i cili në rrethana të vështira historike dëshmoi guxim, urti, përkushtim dhe dashuri të pakushtëzuar ndaj popullit të vet. Në mënyrë të veçantë u kujtua roli i tij gjatë Luftës së Kosovës, kur Kisha e “Shën Ndout” në Gllogjan të Pejës u shndërrua në vendstrehim për shumë civilë të përndjekur, pa dallim përkatësie fetare.

Në ato ditë të errëta të luftës, kur dhuna synonte të mbillte frikë dhe përçarje, dyert e Kishës Katolike në Gllogjan u hapën për të gjithë. Aty nuk u pyet kush ishte katolik e kush mysliman; u pyet kush ishte i rrezikuar, kush kishte nevojë për strehë, për bukë, për mbrojtje dhe për një fjalë shprese. Kjo dëshmi u vlerësua si një nga shembujt më të fuqishëm të humanizmit shqiptar në kohë lufte.

Një vend të veçantë në këtë përkujtim zuri edhe dëshmia e njohur e Dom Kelmendit për harmoninë ndërfetare, kur gjatë muajit të Ramazanit, në kohë lufte, kambanat e kishës u përdorën për të lajmëruar kohën e syfyrit dhe të iftarit për shqiptarët myslimanë të strehuar në Gllogjan dhe në fshatrat përreth. Ky akt, i thjeshtë në formë, por i madh në domethënie, u vlerësua si simbol i rrallë i respektit ndërfetar, i solidaritetit njerëzor dhe i shpirtit shqiptar të bashkëjetesës. Kambana e kishës, e cila zakonisht thërret besimtarët katolikë në lutje, në atë kohë u bë edhe zë i vëllazërisë për agjëruesit myslimanë. Ajo nuk ra për të ndarë, por për të bashkuar; nuk ra vetëm si tingull liturgjik, por si thirrje e ndërgjegjes njerëzore. Në këtë gjest u pa qartë se feja, kur jeton me dashuri dhe përgjegjësi, nuk ndërton mure, por ura. Po ashtu, në këtë takim u përmend edhe qëndrimi i guximshëm i Dom Kelmendit përballë policisë dhe ushtrisë serbe, në momentet kur civilët shqiptarë rrezikoheshin të ndaheshin sipas përkatësisë fetare. Në ato çaste të rënda, kur ndarja mund të paralajmëronte një tragjedi të re, ai dëshmoi se në kohë lufte dhe rreziku njeriu duhet parë para çdo dallimi tjetër. Me qëndrimin e tij, ai mbrojti jo vetëm civilët e pambrojtur, por edhe idenë e madhe se shqiptarët, pavarësisht fesë, janë një bashkësi e përbashkët gjaku, gjuhe, historie dhe fati.

Folësit e kësaj ngjarje theksuan se jeta dhe vepra e Dom Kelmend Spaqit përbëjnë një trashëgimi të rëndësishme shpirtërore, njerëzore dhe kombëtare. Ai u vlerësua si meshtar që nuk e kufizoi misionin e tij vetëm në altar, por e shtriu atë në shërbim të njeriut të rrezikuar, të përndjekur dhe të pambrojtur. Në këtë kuptim, ai mbetet shembull i një meshtarie të gjallë, të guximshme dhe të mishëruar në jetën konkrete të popullit.

Në takimin e sotëm u theksua gjithashtu se figura të tilla duhet të ruhen në kujtesën historike dhe t’u përcillen brezave të rinj jo vetëm si pjesë e historisë kishtare, por edhe si dëshmi e humanizmit shqiptar gjatë Luftës së Kosovës. Pjesëmarrësit vlerësuan se jeta dhe vepra e Dom Kelmendit meritojnë të dokumentohen, të studiohen dhe të nderohen, sepse ato përfaqësojnë ndërgjegjen morale të një populli në kohë të vështira.

Në këtë përkujtim u ndie qartë se kujtesa për Dom Kelmend Spaqin nuk është vetëm kujtim i një meshtari të devotshëm, por edhe nderim për një njeri që, në orët më të errëta të historisë sonë, mbajti ndezur dritën e humanizmit. Ai dëshmoi se atdhetaria nuk shprehet vetëm me fjalë të mëdha, por edhe me bukë të ndarë, me dyer të hapura, me mbrojtjen e të pambrojturit dhe me gatishmërinë për të qëndruar pranë popullit deri në fund.

Takimi përkujtimor në Klinë u mbyll me mirënjohje të thellë për jetën dhe veprën e Dom Kelmend Spaqit, duke e vlerësuar atë si një figurë që bashkoi në vetvete meshtarinë, humanizmin, atdhetarinë dhe solidaritetin ndërfetar. Ai mbetet në kujtesën e popullit si meshtari që nuk ndërtoi ndarje, por bashkim; si bariu që nuk u largua nga grigja në kohë rreziku; si njeriu që nuk predikoi vetëm me fjalë, por me jetë.

Kujtimi i tij mbetet thirrje për brezat: që feja të jetë urë dashurie, atdheu të jetë bashkim zemrash dhe njeriu të vendoset gjithmonë në qendër të çdo veprimi moral, shpirtëror dhe kombëtar.

Lavdi jetës dhe veprës së Dom Kelmend Spaqit!

Pushoftë në paqe!

Mes stuhive të kohës dhe gjykimit të historisë

1

Nga: Ramiz Tafilaj

Houston, ShBA, 14 qeshor, 2026

Një reflektim personal për Dr. Sali Berishën, Kosovën dhe rrugëtimin e kombit shqiptar

Ka raste kur historia e një njeriu lidhet aq fort me historinë e kombit të vet, sa bëhet e vështirë të ndash njërën nga tjetra. Jo sepse ai njeri është i përsosur, por sepse ka qenë i pranishëm në momentet kur janë marrë vendime që kanë ndikuar në fatin e një populli të tërë.

Kur mendoj për Dr. Sali Berishën, nuk mendoj vetëm për një politikan. Mendoj për një periudhë të tërë të historisë sonë. Mendoj për vitet kur Shqipëria po dilte nga diktatura, për vitet kur Kosova po kërkonte lirinë e saj, për vitet kur shqiptarët po përpiqeshin të gjenin vendin e tyre në Evropë dhe në botën demokratike.

Unë e njoh Dr. Sali Berishën që nga viti 1991. Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga ajo kohë. Kam pasur rastin ta takoj, ta dëgjoj dhe ta ndjek në shumë etapa të jetës së tij politike. Prandaj ky shkrim nuk është as biografi dhe as analizë e ftohtë politike. Është një reflektim personal i një njeriu që ka qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve që kanë formësuar historinë tonë moderne.

Në këto më shumë se tridhjetë vite, kam parë shumë figura politike që erdhën dhe ikën. Kam parë emra që dikur mbushnin titujt e gazetave dhe sot mezi kujtohen. Por emri i Sali Berishës ka mbetur pjesë e pandashme e debatit publik shqiptar. Kjo nuk ndodh rastësisht.

Sepse ai ishte pjesë e lëvizjes që shembi sistemin komunist. Ishte pjesë e brezit që hapi rrugën e pluralizmit politik. Ishte pjesë e proceseve që e orientuan Shqipërinë drejt Perëndimit. Dhe mbi të gjitha, ishte pjesë e një epoke që ndryshoi rrjedhën e historisë së shqiptarëve.

Shpesh, kur flasim për figura politike, harrojmë atmosferën e kohës në të cilën ato kanë vepruar. Brezat e rinj e kanë të vështirë ta imagjinojnë Shqipërinë e fillimit të viteve ’90. Ishte një vend i lodhur nga izolimi, nga varfëria dhe nga mungesa e lirisë. Në atë kohë, shpresa ishte ndoshta pasuria më e madhe që kishin shqiptarët.

Pikërisht në atë periudhë nisi edhe rrugëtimi politik i Dr. Berishës.

Më vonë, gjatë viteve, Shqipëria do të përjetonte sfida, kriza dhe përparime. Por ka disa arritje që kanë mbetur të gdhendura në kujtesën kombëtare.

Njëra prej tyre është pa dyshim anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009. Për shumë vende kjo mund të duket një ngjarje e zakonshme diplomatike. Për ne shqiptarët nuk ishte e tillë. Ishte konfirmimi se Shqipëria kishte lënë pas përfundimisht izolimin dhe ishte bërë pjesë e familjes së madhe euroatlantike. Ishte një moment krenarie kombëtare që do të kujtohet gjatë.

Një tjetër vepër që mbart jo vetëm rëndësi ekonomike, por edhe simbolike, është Autostrada e Kombit.

Për disa ajo është një rrugë. Për shqiptarët ajo është shumë më tepër. Ajo është lidhja fizike e dy pjesëve të të njëjtit komb. Ajo është rruga që afroi familje, biznese, studentë dhe qytetarë nga të dy anët e kufirit. Ajo është një nga ato vepra që nuk maten vetëm me kilometra asfalt, por me ndikimin që kanë në jetën dhe ndërgjegjen kombëtare.

Kur udhëton sot nga Tirana në Prishtinë dhe sheh lëvizjen e lirë të njerëzve, nuk mund të mos mendosh se sa shumë ka ndryshuar jeta e shqiptarëve falë kësaj vepre.

Por nëse ka një temë që ka prekur zemrën e çdo shqiptari, ajo është Kosova.

Brezi ynë nuk mund të harrojë vitet e vështira të Kosovës. Nuk mund të harrojë sakrificat, vuajtjet dhe ëndrrën e madhe për liri. Pikërisht në ato vite u krijua edhe një bashkëpunim i rëndësishëm mes Dr. Sali Berishës dhe Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Të dy vinin nga përvoja të ndryshme, por i bashkonte një ideal i madh: e drejta e popullit të Kosovës për liri, dinjitet dhe vetëvendosje.

Sot, kur Kosova është shtet i pavarur, është më e lehtë të harrojmë sa e gjatë dhe e vështirë ka qenë ajo rrugë. Por ata që i kanë jetuar ato vite e dinë se çdo zë në mbështetje të Kosovës kishte rëndësi. Për këtë arsye besoj se historia do të vazhdojë të zbardhë shumë ngjarje dhe shumë kontribute që ende nuk njihen plotësisht nga publiku.

Kam bindjen se me kalimin e kohës do të kuptohen më qartë edhe shumë aspekte të rolit që ka luajtur Dr. Berisha në mbështetje të çështjes së Kosovës dhe të interesave kombëtare shqiptare në përgjithësi.

Vitet e fundit ai u përball me sfidën më të madhe personale dhe politike të karrierës së tij. Shpallja “non grata” shkaktoi debat të madh në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Kishte nga ata që menduan se ky ishte fundi i tij politik. Kishte të tjerë që besuan se figura e tij do të zbehej me kalimin e kohës.

Por ajo që pashë unë ishte diçka tjetër.

Pashë një njeri që nuk u dorëzua.

Pashë një njeri që vazhdoi të dalë para qytetarëve, të mbrojë bindjet e tij dhe të kërkojë që historia ta gjykojë me fakte dhe jo me emocione të momentit.

Edhe gjatë asaj periudhe, unë nuk e humba besimin tim tek ai. Përkundrazi. Në shumë aktivitete patriotike, kombëtare dhe kulturore ku kam marrë pjesë, Dr. Berisha vazhdoi të ftohej si mysafir nderi dhe të pritej me respekt të veçantë. Kjo më bëri të kuptoj se lidhja mes figurave historike dhe popullit nuk ndërtohet vetëm nga pushteti. Ajo ndërtohet nga kujtesa, nga përjetimet dhe nga ndjenja e përbashkët e një rruge të kaluar së bashku.

Sot, kur shoh pas në kohë, nuk shoh vetëm sukseset apo debatet politike. Shoh një periudhë të tërë të historisë shqiptare. Shoh një popull që luftoi për demokraci. Shoh një Kosovë që fitoi lirinë. Shoh një Shqipëri që u bë pjesë e NATO-s. Shoh rrugën që bashkoi më shumë se kurrë shqiptarët në të dy anët e kufirit.

Historia do të vazhdojë të japë gjykimet e saj. Brezat e ardhshëm do të kenë këndvështrimet e tyre. Por besoj se një gjë do të mbetet e pandryshuar: vendi që ai zë në historinë moderne të shqiptarëve.

 

Sepse në fund të fundit, historia nuk kujton vetëm ata që kanë qeverisur. Historia kujton ata që kanë ndikuar në rrjedhën e kohës së tyre.

Dhe për shumë shqiptarë, Sali Berisha mbetet një prej tyre.

Dhe në shumë prej këtyre ngjarjeve, emri i Sali Berishës gjendet i pranishëm.

Bijë shqiponje, poezi e Arif Ejupit kushtuar Vasfije Krasniqit

2

Bijë shqiponje
(Kushtuar heroinës sime të gjallë, Vasfije Krasniqi Goodman)

Lindur në malet e Vicianës,
mbesë e tribunit Aziz Zhilivoda,
zemër luaneshë, me syrin pishë,
me guxim dhe dinjitet
denoncove kriminelë e dhunues.

Heroina jonë e gjallë,
nder për të vdekur, nder për të gjallë.
E ngrite ballin lart e më lart
dhe ece me hapa të shpenguar.

Me fjalën-shpatë
u bëre simbol guximi e krenarie
për burrat dhe gratë.

Motër qëndrese e amanetit të Zahir Pajazitit,
pa lëkundur qerpikun,
dëshmove krimin dhe gjenocidin,
mu në zemër e godite armikun.

Arif Ejupi
Gjenevë, 14 qershor 2026

Për një studim shkencor në temën „Kurvançe, shpeshherë ma ngule“

0

Shkruen e knon: Lirim Patrioti

NJË STUDIM SHKENCOR MBI NDIKIMIN E “KUMANÇE HERE GULE” NË PRODUKTIVITETIN TIM HORIZONTAL
Më pëlqen jashtëzakonisht shumë ajo kënga arabe „Kumançe here gule“, të cilën unë, si përkthyes i licencuar nga Akademia Ndërkombëtare e Keqkuptimeve Muzikore, e kam përkthyer prej kohësh si: „Kurvançe, shpeshherë ma ngule“.
Kur e këndon ajo biondja nga Bejruti, me ata sy që vezullojnë në të gjitha ngjyrat e semaforit urban, unë e humbas çdo aftësi për të menduar racionalisht.
Në ato çaste unë nuk jam më qytetar i përgjegjshëm, por një organizëm biologjik që rri para ekranit dhe e shikon videon për herë të pesëdhjetë e shtatë, me bindjen e palëkundur se hera e ardhshme do ta zbulojë ndonjë kuptim të fshehtë filozofik që më ka shpëtuar deri me tani.
Fatkeqësisht, nuk e posedoj talentin e Davide Copetfilde. Po ta kisha, nuk do t’i nxirrja nga ekrani televiziv Statujën e Lirisë, trenat japonezë apo aeroplanët amerikanë për t’i bërë asete shtetërore të Kosovës.
Jo, këto janë projekte modeste për amatorë.
Unë do ta nxirrja bionden libaneze të Bejrutit nga YouTube-i me një „hopus-pokus“ të vetëm dhe do ta vendosja pranë tavolinës sime të punës, të cilen unë për arsye historike, ekologjike dhe erotike e quaj shtrat.
Ajo do të rrinte aty duke e kënduar këngën „Kumançe here gule“, ndërsa unë do të shtiresha sikur po punoja në analiza të thella gjeopolitike. Herë pas here do ta tundja
kokën me seriozitet akademik dhe do të shënoja në një fletore:
— Këngëtarja përsëriti refrenin për herë të tretë. Kjo tregon një krizë të thellë ekzistenciale në Lindjen e Mesme.
— Këngëtarja buzëqeshi. Kjo dëshmon se dialogu ndërkulturor është ende i mundur.
— Këngëtarja më shikoi drejt në sy nga syri i kamerës. Kjo, sipas të gjitha gjasave, ishte një mesazh personal për mua.
Në atë moment do të hynte ndonjë mik i shqetësuar dhe do të më pyeste:
— Lirim, a je mirë?
Ndërsa unë do t’i përgjigjesha me dinjitetin e një profesori të lodhur:
— Të lutem, mos më ndërprit. Jam duke e zhvilluar një studim shkencor shumë të rëndësishëm mbi ndikimin e muzikës arabe në produktivitetin horizontal të këmbës sime të tretë që punon nga shtrati.
Dhe kështu do të kalonin ditët, muajt dhe ndoshta edhe vitet, derisa ndonjë komision ndërkombëtar i antropologëve do të vinte të studionte rastin tim si shembullin e parë të njeriut që kishte arritur ta shndërronte përfundimisht kërkimin shkencor, romantizmin, YouTube-in dhe dembelinë në një disiplinë të vetme akademike.

Lamtumirë, mendje racionale !

2
Dy miq po bëhen shkak që të mundohem ta shtjelloj tematikën “Lamtumirë, mendje racionale”. Njëri është poeti dhe politikani Preç Zogaj, i cili në dy-tre emisionet e para televizive të “Të Paekspozuarit”, e përsëriti sloganin “prona private është e shenjtë”. Bile, broçkulliti: “Nëse do të ishin në pyetje 40 miliardë euro investime, e jo vetëm 4 miliardë, nuk duhet të cenohet asnjë metër katror pronë private!” (perifrazim).
Tjetri mik është profesori Ilir Yzeiri, i cili sot, para 26 minutave, ka publikuar shkrimin e titulluar “Lamtumirë, Zvërnec!”. Fjalia e parë: “Në një kohë kur vendi zien nga lajmet për protestën që po mbahet çdo ditë në Tiranë, 96 organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për rishikimin me prioritet të politikave qeveritare që prekin zonat e mbrojtura, pas zhvillimeve të fundit në peizazhin e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë.”
Takimi me Preçin dhe vitet ’90
Me Preçin jam njohur në vitin 1991. Po përpiqesha të regjistroja një shtëpi botuese private, por ende nuk kishte ligj përkatës. Një nëpunëse më pati thënë: “Nëse Ministria e Kulturës të lëshon një shkresë se të lejohet kjo veprimtari, unë do ta regjistroj.” Duhet të ketë qenë fundi i qershorit të vitit 1991 kur shkova ta takoja Preçin, tashmë ministër i Kulturës. Nuk njiheshim. Ndoshta atij i bëri përshtypje mbiemri im, prandaj e udhëzoi sportelistin të më lejonte të ngjitesha te kabineti i tij.
Sapo u përshëndetëm, bëra një gjest rrugaçi:
– Të ndezim fillimisht nga një cigare “malboro”, sepse tani nuk po gjenden në treg as cigare të prodhimit vendor…
– Nga e more vesh se po vuaj për ta tymosur një cigare? – më pyeti.
Ia paraqita gojarisht lutjen. Ma lëshoi aty për aty shkresën, se më lejohet biznesi i botimit dhe tregtimit të librave.
Aty e tutje u bëmë miq. Në Hotel “Dajti” e shihja se po rrinte shpesh me Zef Camajn nga Malësia e Madhe, pjesa në Mal të Zi, i emigruar në SHBA. Në një rast u ula në tavolinën e tyre dhe ia plasa:
– Zef Camaj nuk është malësor patriot, siç po të mashtron, por është kuadër i UDB-së jugosllave…
Zefi më ndërpreu:
– Kush të dha leje të ulesh në tavolinën tonë?
Ia ktheva:
– Edhe në vitin 1982, kur të kam ardhur në shtëpinë tende në SHBA, nuk të kam marrë leje, sepse isha shoqërues i Nue Camajt, djalit të xhaxhait tënd. Mos më detyro t’ia rrëfej Preçit çfarë ka ndodhur atëherë. U ndjeva i obliguar ta paralajmëroja, sepse është ministër…
Më vonë ndodhi të më thoshte Preçi: “Jam i ftuar në Paris, si ministër i Kulturës, për të marrë pjesë në hapjen e panairit, por Ministria nuk ka dollarë për të më paguar hotelin. Po pate shokë atje të më ofrojnë konak, do të më bëje nder, sepse nuk dua të më kapë policia duke fjetur në stacion hekurudhor.” Po ma këpuste shpirtin Shqipëria e katandisur në atë mjerim, të cilin po detyrohej ta shfaqte edhe Ministri i Kulturës. I dhashë ca dollarë t’i kishte si “para xhepi” dhe e sigurova që do ta priste një bashkatdhetar në aeroport. Fatmirësisht, bashkëveprimtari Besim Elshani nga Suhareka, mërgimtar në Paris, shfaqi gatishmëri dhe e ka mirëprit.
Pasi u detyrova të arratisesha nga Shqipëria në fund të korrikut të vitit 1992, nuk e takova më Preçin deri në gusht të vitit 1998. Atëherë ai ishte në kabinetin e Presidentit Rexhep Meidani, i cili i bëri një pritje zyrtare delegacionit të LPK-së. Edhe unë isha pjesë e delegacionit si anëtar kryesie, ndërsa delegacionin e kryesonte kryetari Bedri (penel) Islami. Aty ndodhi një “skandal”, kur mua më plasi “filmi”:
– President, këta shokët po të bëjnë lajka me elozhe falënderuese, por e vërteta është se institucionet shtetërore nuk po na ndihmojnë me asgjë. Bile, edhe mundësitë për të lëvizur drejt veriut, me armë që po i blejmë kontrabandë, po detyrohemi t’i paguajmë policët në postblloqet të mos na ndalojnë e konfiskojnë armatimin…
Preçi, që po mbante me zell shënime i ulur buzë meje, më ra me gjurin e këmbës për të më sinjalizuar që nuk duhej të flisja ashtu. U ktheva nga ai:
– Mos më pengo se e informoj presidentin me të vërtetën e hidhur, cili je ti!
Origjina e “pronës së shenjtë” në Shqipëri
Nga ky Preç që prezantova, nuk do të duhej të më irritonte slogani që broçkulliti disa herë në emisione. Megjithatë, dua ta demantoj, sepse nuk e thotë vetëm Preçi.
Sidomos në rastin shqiptar, prona private tokësore nuk ka pasur aspak një zanafillë “normale” – ashtu siç nuk e ka as në kontinentin e Amerikës (Veriore e Jugore), ku emigrantët evropianë, si kriminelë ordinerë, privatizuan toka duke vrarë edhe popullsitë vendase. Në Gjermani kishat kanë pronësi private tokësore, me shumë se e gjithë hapësira e Shtetit të Kosovës!! Ndërsa në Shqipëri këtë mundësi nuk e patën shqiptarët; ndodhi ndryshe. Gjatë mbi 500 vjetëve pushtim e sundim osman, askush nuk kishte pronë tokësore private, meqë Sheriati dhe Kurani e definonin tokën si pronë vetëm të Allahut, shoqëruar me lajthitjen: “Allahu ngarkon kalifët (sulltanët) për ta menaxhuar pronën e tij tokësore.”
Që do të thotë, në vitin 1913, kur Shqipëria u bë shtet, askush nuk ishte pronar klasik i asnjë pëllëmbe tokë. Të gjithë e kishin në shfrytëzim të përkohshëm. Edhe pashallarët e agallarët, të cilëve sulltanët ua jepnin si shpërblim dhe për menaxhim, nuk e kishin si pronë të përhershme. Kur i ndërronte sulltani, shfrytëzimi u kalonte pashallarëve e agallarëve pasues. Këta ua jepnin me qira fshatarëve që e punonin, të cilët, në më të shumtën e rasteve, jepnin si “mall” një përqindje të produktit të tokave të punuara.
Nuk e di se kur e si qeveria e Shqipërisë duhet të ketë vendosur për njohjen e “tapive” osmane, të cilat ishin thjesht dëshmi zyrtare për posedim të përkohshëm të tokave, duke bërë një padrejtësi të madhe ndaj qytetarëve që nuk posedonin “tapi”. (Edhe Mbretëria serbe, sapo e pushtoi Kosovën në vitin 1913, i njohu “tapitë” osmane dhe për herë të parë edhe shqiptarët vendas u bënë pronarë klasikë tokësorë, gjë që përherë është zbatuar, me ndonjë devijim të vogël).
Regjimi i Enver Hoxhës e kolektivizoi të gjithë tokën, por për shkak të prapambetjes në zhvillimin bujqësor, kooperativat nuk jepnin rendimentin e pritur. Prandaj ndihmat sovjetike e kineze kishin rëndësi për ta sfiduar urinë. Po ai regjim e detyroi popullatën me angazhime “vullnetare” të thante këneta e moçale dhe tokat malore t’i kthente në tokë buke. Në vitin 1991, pushtetarët e atëhershëm miratuan Ligjin nr. 7501, i cili përmbante kthimin e pronave që kishte kolektivizuar regjimi pararendës. Por bëri padrejtësi kur “fshatarëve” ua dhuroi edhe tokat shtetërore – ato që “diktatura e proletariatit” i kishte kthyer në tokë pune nga kënetat, moçalet dhe shpatet me shkurre. Dhe qysh atëherë filloi kriminaliteti për të grabitur e përvetësuar sa më shumë prona tokësore. Përmasat e atij kriminalitet u shpërfaqen në mënyrën më idiote në Zvërnec…
Preçit i propozoj të informohet nga Inteligjenca Artificiale (IA) se në botë ka lloje të ndryshme të pronësisë tokësore, që të mos broçkullisë më se “prona private tokësore është e shenjtë”.
Kritikë mbi ambientalizmin selektiv
Mikun Ilir Yzeiri e këshilloj të mos e brengosin vetëm pelikanët, flamingot, breshkat dhe gjallesat e tjera në Zvërnec e Vjosë, por ta brengosin edhe peshqit që i kollofit pothuajse përditë, sepse ata “peshkohen” dhe vriten në mënyrën më mizore. Bile, duhet të revoltohet edhe kundër pelikanëve e flamingove të Zvërnecit, të cilët vijnë aty për të kollofitur peshq e gjallesa të tjera, e nuk vijnë sepse kanë ndonjë dashuri për Zvërnecin. Ilirin duhet ta shqetësojë kjo gjë edhe sa herë që konsumon mish, sepse derrat, lopët, qengjat e pulat nuk kanë pse të mos respektohen sa flamingot e pelikanët. Apo jo?
E sa u përket OJQ-ve “ambientaliste”, ato përbëhen kryesisht nga parazitë, e snobë, të cilët i financojnë institucione e agjentura, që mbrojtjen e ambientit e kanë prioritetin e tyre të fundit.
Unë po përpiqem të mendoj e veproj sa më racionalisht, prandaj jam kundër protestave të turmave (pseudo)ambientaliste, (pseudo)socialiste, (pseudo)islamiste, (pseudo)sovranistë, antitrampistë, antisemite…
P.S.:
Flamingot (Phoenicopterus roseus) nuk e kanë atdhe të tyre Shqipërinë, por vijnë si “turistë” në Nartë, pranë Zvërnecit, sepse ajo është një ligatinë e qetë dhe e pasur me gjallesat ushqimore që ata preferojnë. Meqë nuk e kanë atdhe Nartën, ata nuk vezojnë aty, por kthehen në vendlindjet e tyre, që shtrihen deri në Afrikën e Veriut apo gjetkë në Mesdhe. E preferojnë Nartën sepse është një “kënetë” me ujë të cekët dhe të kripur. Ushqehen me gafra dhe krustace të vogla, siç është një lloj karkaleci i imët (Artemia salina). Gjithashtu, konsumojnë insekte, larva, molusqe, krimba të vegjël, alga dhe mikrogjallesa bimore.
PSE ambientalistët nuk e mbrojnë biodiversitetin vendor nga flamingot “imperialistë”, të cilët nuk e respektojnë sovranitetin jetësor të asaj bote të imët amtare të Nartës?! Këta flamingo vijnë, i kollofitin ato gjallesa të pambrojtura dhe ikin – fiks si turistët – sapo të kenë mbushur plancet e tyre, për t’u rikthyer sërish në sezonin tjetër.
(Më falni, nuk di të shkruaj më shkurt e shqip, dhe nuk po kam kohë).

Aty ku pushteti e harron vetveten, vetëm populli e mban në mend të vërtetën

0
Menjëherë pas përfundimit të luftës u krijua baza e pakthyeshme e përçarjes shoqërore.
Nga kush?
Natyrisht nga partitë-banda, të cilat funksiononin si korporata të mirëfillta biznesore të financuara nga taksat e popullit.
Sepse krerët e këtyre bandave, në çdo fushatë zgjedhore, e akuzonin njëri-tjetrin për vrasje politike, ndërsa menjëherë pas shpalljes së rezultateve zgjedhore përqafoheshin me njëri tjetrin si fëmijë të të njëjtëve prindër dhe bënin pazare politike, ekonomike dhe financiare me pasuritë shtetërore, sikur ato të ishtin pronë e tyre private – sipas motos: ti futi në xhep të hyrat doganore, ndërsa unë marr gjithçka që ma sheh syri dhe ma do zemra.
Prandaj, Vetëvendosja nuk mund të konsiderohet fajtore vetëm pse protestoi kundër kësaj çmendurie, duke ia dhënë asaj jo vetëm emrin e saktë, por edhe diagnozën, terapinë, prognozën dhe përfundimin e pashmangshëm.
Sepse paralelisht ekzistonte edhe uniteti apo pajtimi i partive banda rreth normalizimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe shitjes së interesave kombëtare, por pikërisht atë disiplinë të tyre sportive e bojkotonte me vendosmëri Vetëvendosja.
Prandaj kushdo që ju flet ndryshe, ju rrëfen përralla fëmijësh, para gjumit, si gjyshe.
Dhe kështu, në këtë teatër të madh të quajtur “tranzicion”, aktorët përbindësh i ndërronin vetëm kostumet, ndërsa teksti mbetej çuditërisht i njëjtë.
Regjisori nuk dihej kush ishte, por të gjithë dyshonin se jetonte më mirë se Zeusi mbi Olimp, fare i pashqetësuar nga reagimi i publikut.
Në mëngjes ishin “luftëtarë të pamëshirshëm të drejtësisë”, në mesditë “mbrojtës të interesit kombëtar”, ndërsa në mbrëmje uleshin në të njëjtën tryezë dhe diskutonin me qetësi aristokratike se si ta ndanin më drejt mes vete plaçkën që ende nuk e kishin ndarë.
Populli, ndërkohë, jo vetëm që ishte spektator i përhershëm i tragjedisë së tij, por nuk i lejohej as ta ndryshonte kanalin televiziv.
Dhe kur përpiqej të protestonte, i shpjegohej me durim pedagogjik se “nuk e ka kuptuar ende kompleksitetin e procesit historik” – që përkthyer lirshëm do të thotë: “mos na shqetëso, jemi duke e ndarë tortën”.
Ironia më e madhe ishte se të gjithë këta “heronj” të fushatave zgjedhore vuanin nga një sëmundje e çuditshme e quajtur amnezi politike:
Sepse e harronin me saktësi kirurgjikale çdo akuzë që ia kishin bërë njëri-tjetrit një ditë më parë dhe shëroheshin nga armiqësia pikërisht në momentin kur i numëronin votat.
Kështu lindi një “shkencë” e re politike, e cila nuk mësohej në universitete, por praktikohej në studiot televizive:
“Kooperativa e armiqësisë së përkohshme”.
Sipas kësaj “shkence”, armiku nuk është gjendje, por fazë – një fazë që zgjat vetëm deri në momentin kur hapet dera e negociatave për ndarjen e buxhetit.
Në këtë sistem, e vetmja gjë e qëndrueshme ishte ndryshimi i qëndrimeve. Dhe e vetmja gjë e parashikueshme ishte se, pavarësisht zhurmës, gjithçka përfundonte gjithmonë njësoj:
Me një marrëveshje të re, me një premtim të ri dhe me një kujtesë kolektive edhe më të shkurtër se ajo e fushatës së mëparshme.
Dhe ndërsa historia vazhdonte të shkruhej me bojën e përkohshme, publiku më në fund kuptoi një të vërtetë ngushëlluese:
Në këtë vend, e vetmja gjë që nuk ndryshon kurrë është fakti se të gjithë betohen se gjithçka do të ndryshojë.
DIAGNOZA EPISTEMOLOGJIKE E SËMUNDJES POLITIKE
Në këtë pikë, kjo gjendje politike nuk mund të mbetet më vetëm në nivelin e metaforës morale apo satirës publike. Ajo kërkon një analizë epistemologjike – pra një shqyrtim të mënyrës se si prodhohet “e vërteta”, se si deformohet ajo dhe se si konsumohet nga një shoqëri që jeton mes kujtesës selektive dhe amnezisë institucionale.
Sepse këtu nuk kemi thjesht një konflikt interesash politike, por një krizë të prodhimit të manipulimit të kujtesës individuale dhe shoqërore.
Në këtë sistem, e vërteta nuk është më në përputhje me realitetin, por në përputhje me momentin.
Ajo nuk verifikohet, por negociohet.
Ajo nuk argumentohet, por shpallet e pavlefshme.
Dhe më pas fshihet me një lehtësi tronditëse, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.
Kjo është forma më e lartë e amnezisë institucionale: kur gjuha politike e humb aftësinë për të mbajtur përgjegjësi për vetveten.
Në një rend të tillë, partitë opozitare nuk janë më bartëse idesh, por mekanizma të përkohshëm për prodhimin e narrativave të leverdishme. Ato nuk e përfaqësojnë më realitetin – ato e rishkruajnë atë sipas nevojës.
Dhe këtu lind rreziku më i madh epistemik: kur qytetari nuk mund të dallojë më nëse po përballet me fakte, keqinterpretime apo inskenime.
Në këtë mjegull, ku kufijtë midis së vërtetës dhe strategjisë janë shkrirë, opozita përballet me një provë historike që nuk është vetëm politike, por ekzistenciale.
Sepse nëse opozita vazhdon të sillet si pengesë e një pushteti që e përballë me të vërtetën – duke përdorur të njëjtat mekanizma, të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën logjikë hakmarrëse si në kohët e saj më të errëta – atëherë ajo nuk është më alternativë, por vetëm një variacion tjetër i sëmundjes nga e cila nuk është shëruar kurrë.
Dhe çdo opozitë që nuk prodhon alternativë reale, por vetëm ndërrim rolesh brenda të njëjtës skemë, nuk është më demokraci – por ritual.
Prandaj, këshilla ime për opozitën nuk është vetëm e natyrës taktike, por e natyrës strukturore:
Ajo nuk duhet të luftojë për pushtet, nëse nuk e mirëkupton rolin e saj.
Ajo nuk duhet të garojë vetëm për vota, por për besueshmëri epistemike – pra për aftësinë që fjala e saj të ketë peshë edhe kur nuk është në pushtet.
Ajo nuk duhet ta reduktojë kritikën time në reagim, por ta ngrejë në analizë të sinqertë të sjelljes së saj dhe ta nxjerrë një mësim të dobishëm.
Përndryshe, ajo rrezikon të mos zhduket nga kundërshtari politik, por nga votuesit që e shohin politikën e saj si një cikël të pafund pa pendim dhe transformim.
Dhe kur një shoqëri arrin në këtë pikë, nuk ka më pushtet dhe opozitë në kuptimin klasik.
Ka vetëm pushtet dominues dhe opozitë e cila e imiton punën që nuk e kryen.
Në fund, diagnoza epistemologjike është e thjeshtë dhe e ashpër njëkohësisht:
Kur politika pushon së prodhuari të vërteta dhe fillon të prodhojë vetëm narrativa, demokracia nuk vdes menjëherë – ajo fillon ta përsërisë vetveten deri në padallueshmëri.
Dhe aty rreziku më i madh nuk është gabimi.
Por normalizimi i tij.