
Bekim Sejdiu President, a po i kthehet Kosova profilit institucional?

Një deklaratë e papërgjegjshme nga Podgorica?
Paqja nuk ndërtohet duke heshtur për shkaqet e konfliktit
Letra e intelektualëve, lutje apo qortim
Jo, Naim Tërnava, “ne nuk shkojmë në Beograd”, qysh do ti, pasi në Zogaj e kemi tokën, gurët, flamurin dhe Atdheun tonë

Mirushe Musa – Zogaj
Zogaj, Vushtrri, 31 gusht 2026
JO, Z. TËRNAVA – NE NUK SHKOJMË NË BEOGRAD! NË ZOGAJ KEMI TOKËN, GURËT SHEKULLORË, FLAMURIN DHE ATDHEUN TONË
Familja Musa nuk e mëson shqiptarinë në oborrin e askujt – atë e merr që në barkun e nënës
Ka fjalë që thuhen dhe harrohen. Por ka edhe fjalë që, kur dalin nga goja e një drejtuesi fetar, mbeten si dëshmi e një mendësie.
Formulimi që i atribuohet Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava:
“Kush s’mun i sheh xhamitë, le t’ia mësyjë Beogradit”
nuk mund të kalojë si një batutë e zakonshme.
Nëse është nxjerrë jashtë kontekstit, le të sqarohet. Por, nëse ky është kuptimi i deklaratës, atëherë përgjigjja jonë nga Zogaj është e prerë:
Jo, z. Tërnava. Ne nuk shkojmë në Beograd.
Në Beograd nuk na dërgon as hoxha, as politikani, as turma.
Ne qëndrojmë këtu, në tokën tonë shqiptare.
Sepse Familja Musa nuk e ka marrë atdhedashurinë me certifikatë nga ndonjë institucion fetar.
Atë e kemi trashëguar.
E kemi në kujtesë.
E kemi në gjak.
E kemi në tokë.
E kemi në gurët shekullorë të kësaj treve.
Dhe e kemi në flamurin që nuk e kemi ngritur sot për fotografi, por e kemi bartur brez pas brezi.
Te ne, fëmija njihet me atdheun para se të lindë
Në familjen tonë shqiptaria nuk fillon kur fëmija hyn në shkollë.
Fillon më herët.
Që në barkun e nënës.
Nëna ia përcjell fëmijës dashurinë për tokën, gjuhën, flamurin dhe njerëzit e vet.
Pastaj vjen ninulla.
Vjen gjuha shqipe.
Vjen kujtesa e të parëve.
Vjen flamuri kuqezi.
Vjen historia e familjes.
Vjen Kosova.
Kështu jemi rritur ne.

Prandaj kur dikush sot përpiqet të na japë leksione se kush është shqiptar e kush duhet “t’ia mësyjë Beogradit”, na lejohet edhe pak ironi:
- Tërnava, hartën e atdheut e kemi mësuar shumë përpara se të dëgjonim predikimet tuaja.
Dhe në atë hartë, Zogaj është këtu.
Kosova është këtu.
Shqipëria është këtu.
Beogradi nuk është adresa jonë.
Në tokën e Familjes Musa flasin edhe gurët
Në Zogaj nuk kemi vetëm një copë truall.
Kemi gjurmë.
Kemi kujtesë.
Kemi gurë të vjetër që flasin shumë më qetë, por shumë më fuqishëm se zhurma e ditës.
Për ne, kisha nuk është projekt kundër dikujt.
Është pjesë e të drejtës sonë për të kujtuar, për të besuar dhe për të respektuar trashëgiminë tonë.
Dhe këtu lind absurdi:
Një kishë shqiptare në tokën e një familjeje shqiptare paraqitet nga disa sikur të ishte rrezik për shqiptarët.
Çfarë paradoksi!
Nëse kryqi shqiptar ju tremb më shumë se projektet që Serbia ka hartuar kundër Kosovës, atëherë busulla duhet kontrolluar – jo familja Musa.
Flamuri ynë nuk vendoset sipas fesë
Ne nuk pyesim shqiptarin:
“A shkon në kishë apo në xhami?”
Ne pyesim:
“A e do Kosovën?
A e do gjuhën shqipe?
A e respekton flamurin?
A e respekton lirinë e tjetrit?”
Kaq.
Shqiptari i besimit islam është vëllai ynë.
Shqiptari katolik është vëllai ynë.
Shqiptari pa besim fetar është po aq shqiptar.
Por kush kërkon ta vendosë fenë mbi kombin dhe institucionin fetar mbi Republikën, aty fillon kundërshtimi ynë.
Sepse Kosova nuk është teokraci.
Është Republikë.
Kur Skënderbeu bëhet i padëshiruar, por flamujt e huaj mirëpriten, pyetjet lindin vetë
Në shoqërinë tonë prej vitesh kemi dëgjuar zëra që përçmojnë figura kombëtare, relativizojnë historinë shqiptare apo përpiqen ta zëvendësojnë identitetin tonë me narrativa të importuara.
Këto nuk duhet t’ia atribuojmë çdo besimtari dhe as çdo hoxhe.
Por kur shfaqen, duhet kundërshtuar pa frikë.
Sepse për ne Skënderbeu nuk negociohet.
Flamuri kuqezi nuk negociohet.
Gjuha shqipe nuk negociohet.
Pavarësia e Kosovës nuk negociohet.
Dhe kushdo që përpiqet t’i paraqesë këto si pengesa për fenë, është ai që po e fut fenë në një konflikt ku ajo nuk duhet të jetë.
Feja që respekton kombin nuk ka pse të frikësohet nga Skënderbeu.
As nga Nënë Tereza.
As nga flamuri.
As nga historia jonë.
Dhe pastaj vjen rasti Sheholli…
Këtu ironia bëhet pothuajse e hidhur.
Në një kohë kur qytetarëve u thuhet se kritikët duhet “t’ia mësyjnë Beogradit”, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh, duke pretenduar se ai ka vepruar në ndihmë të BIA-s serbe. Në materialet e sekuestruara, sipas raportimeve mbi aktakuzën, është gjetur edhe dokumenti “Top Secret 2”, ku përshkruhet një skenar për përdorimin e radikalizimit fetar dhe shtimin e xhamive si pjesë e një strategjie që synonte dëmtimin e Kosovës. Sheholli mbetet i akuzuar, jo i dënuar përfundimisht, derisa gjykata të vendosë.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja therëse:
Kush duhet t’ia mësyjë kujt?
Ne që mbrojmë tokën, flamurin dhe kujtesën tonë?
Apo duhet që institucionet tona të hapin mirë dosjet dhe të shohin se nga kanë ardhur ndikimet që synojnë përçarjen e shqiptarëve?
Dokumenti i përmendur në aktakuzën Sheholli flet, ndër të tjera, për fonde që pretendohej se do të mblidheshin nga ambasada të vendeve islamike në Beograd dhe do të përdoreshin për ndërtimin e xhamive në vende të dukshme në Kosovë. Kjo është një pretendim i përmbajtur në materialin e sekuestruar dhe kërkon hetim institucional; nuk është provë që çdo xhami apo BIK-u ka qenë pjesë e një skeme të tillë.
Por pas kësaj, pyetjet nuk mund të quhen më tradhti.
Mos na tregoni rrugën për Beograd – kërkojuni institucioneve të hapin dosjet
Në vend që qytetarëve kritikë t’u drejtohet gishti, do të ishte shumë më e dobishme që të thuhej:
Hapini dosjet.
Hetoni çdo financim të dyshimtë.
Kontrolloni çdo ndikim të jashtëm.
Shikoni kush ka punuar për Republikën dhe kush kundër saj.
Dhe pastaj le të flasin faktet.
Sepse patriotizmi nuk provohet me zë të lartë nga mikrofoni.
Provohet me qëndrimin ndaj shtetit.
- Tërnava, shqiptaria nuk është pronë e Bashkësisë Islame
BIK-u është institucion fetar.
Jo Ministri e Shqiptarisë.
Myftiu është drejtues shpirtëror i besimtarëve të vet.
Jo doganier i identitetit kombëtar.
Nuk vendos ai kush hyn dhe kush del nga shqiptaria.
Dhe aq më pak kush duhet të shkojë në Beograd.
Në familjen Musa shqiptaria nuk matet me numrin e xhamive dhe as me numrin e kishave.
Matet me atë që kemi bërë kur Kosova kishte nevojë.
Me atë që kemi ruajtur.
Me atë që u kemi lënë fëmijëve.
Me gjuhën që flasim.
Me flamurin që nderojmë.
Me tokën që nuk e kemi harruar.
Kisha jonë nuk e rrëzon xhaminë tuaj
Ky është absurdi që duhet të marrë fund.
Nëse ndërtohet një kishë shqiptare në Zogaj, asnjë xhami nuk shembet.
Asnjë besimtar i fesë islame nuk humbet të drejtën e tij.
Asnjë hoxhë nuk pengohet të predikojë.
Atëherë pse gjithë kjo zhurmë?
Një kambanë nuk ia merr zërin ezanit.
Një kryq nuk e rrëzon një minare.
Por fanatizmi mund ta rrëzojë bashkëjetesën.
Dhe kjo është shumë më e rrezikshme se çdo objekt fetar.
Ne kemi një adresë: Zogaj – Vushtrri – Kosovë
Prandaj po e mbyll me përgjigjen që meriton kjo çështje:
Jo, z. Naim Tërnava.
Ne nuk shkojmë në Beograd.
Ne jemi në Zogaj.
Në tokën tonë.
Mes gurëve tanë.
Mes varreve dhe kujtesës sonë.
Me gjuhën shqipe.
Me flamurin kuqezi.
Me Kosovën në zemër.
Dhe me atdheun që fëmijëve tanë ua mësojmë ende pa ardhur në këtë botë.
Kush dëshiron dialog, është i mirëpritur.
Kush kërkon respekt, do të marrë respekt.
Por kush kërkon të na trembë, të na përjashtojë ose të na japë adresë tjetër, duhet ta dijë:
Familja Musa nuk është mysafire në atdheun e vet.
Ne nuk e kemi marrë këtë tokë me qira.
Nuk e kemi marrë shqiptarinë hua.
Dhe nuk do t’ia dorëzojmë kujtesën tonë askujt.

Flamuri ynë është kuqezi.
Gjuha jonë është shqip.
Shteti ynë është Kosova.
Adresa jonë është Zogaj.
Beogradin mbajeni për dosjet që duhet të hetohen – jo si adresë për shqiptarët që guxojnë të mendojnë ndryshe.
Mirushe Musa – Zogaj poete luftare ne te gjitha etapat e okupatorëve dhe veprimtare shume vjeçare për atdheun tone te shtrenjtë
Zogaj, Vushtrri
31 gusht 2026
“Top Secret 2” dhe “lufta” e Serbisë për ta goditur Republikën nga brenda
Ditëve të fundit, në sferën mediatike, por edhe në atë (jo)publike, po bëhet një “xhurullti” e panevojshme dhe pa kurrfarë sensi për një sekret të ditur publik. Po debatohet me lloj-lloj “kutish” për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria në rastin e Fatmir Shehollit, ku flitet për një “dokument” që bart mbishkrimin “Top sekret 2”, i cili është shkruar në një gjuhë tejet të dobët serbe (!) dhe ku pretendohet për fonde të mbledhura “nga ambasadat islame në Beograd, të cilat do të investohen në ndërtimin e xhamive në Kosovë”.
Në këtë farë “komploti” antishqiptar, ndër të tjera, taksativisht thuhet se “udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës, Kosmetit [Kosovës] janë nën kontrollin tonë…”, që nënkupton, gjithnjë sipas pretendimit, nën kontrollin e BIA-s dhe shërbimeve të tjera serbe.
Fillimisht, ky farë “dokumenti”, edhe ashtu siç thuhet me të drejtë në aktakuzë, duhet trajtuar “vetëm si pretendim”, përderisa Prokuroria nuk ka sqaruar asgjë më shumë dhe as gjykata nuk i ka vendosur vulën e verdiktit. Si i tillë, përveçse duhet marrë me rezervë dhe me dyshime, është një problem që Prokuroria dhe gjykatat duhet ta çojnë deri në fund, e jo “xhurulltia” e ngritur nëpër rrjetet sociale.
Ndërkaq, pasojat dhe reperkusionet që mund të shkaktojë një dokument i tillë, padyshim, në një ambient të kontaminuar nga narrativa të ndryshme antishqiptare, mund të krijojnë, përveç hutisë e konfuzionit, edhe një lloj pasigurie dhe ndjenjë rreziku për atë që kinse mund të na ndodhë në të ardhmen.
Nëse i përcjellim “(sh)fajësimet”, por edhe akuzat e ndërsjella të të gjitha kampeve fetare, jofetare, po edhe të publikut të gjerë injorant nëpër mediet sociale, hetojmë një shtrirje të shfrenuar të deklarimeve “pro et contra” këtij “dokumenti”, ku nuk përjashtohet së atakuari as Bashkësia Islame e Kosovës.
Qytetarët, por edhe komunitetet fetare, bashkë me shoqërinë civile dhe sidomos “kartelet” mediatike, duhet të kuptojnë se “arkitektët” e këtij projekti dhe të kësaj narrative mund të kenë qëllime jo vetëm djallëzore për të krijuar një lloj “kaosi” ndërfetar në Kosovë, por edhe për të avancuar klimën e pasigurisë dhe të dyshimit midis njerëzve të rëndomtë në shtetësinë e arritur me sakrifica. Këto “kartele”, duke prodhuar në vazhdimësi polarizim politik dhe sidomos tash së fundi edhe ndërfetar, që asnjëherë nuk ka “banuar” në trojet shqiptare, synojnë që, përmes triadës sonë fetare, ta “promovojnë” Republikën si projekt i dështuar që nuk e meritojnë shqiptarët.
Meqenëse tendenca, që ende nuk ka ndonjë verdikt definitiv gjyqësor për përfshirjen e një institucioni dhe komuniteti fetar në këtë farë “pretendimi”, përveç të tjerash, duket se si imperativ e ka marrë “përsipër” jo vetëm dëmtimin, njollosjen, kontestimin dhe zbehjen, por edhe simulimin e një paragjykimi e stigmatizimi të ri, shumë më të fuqishëm se ato të pasluftës, që u lançuan po ashtu me këtë destinim.
Qytetarët shqiptarë s’duhet të harrojnë asnjëherë se te institucionet fetare të të gjitha religjioneve, përveç normës së besimit institucional, ajo që i “mirëmban”, i ushqen dhe madje edhe e kultivon statusin e tyre social në shoqëri janë normat dhe kodi i tyre i besimit moral.
Dhe tani kur ky kod dhe kjo normë morale, atakohen nga grupe radikale e ekstremiste të të gjitha llojeve dhe të gjitha ngjyrave, natyrisht që cenojnë autoritetin formal të trashëgimisë sonë mbi tolerancën shekullore. Dhe ata që e kanë “licencuar” këtë “dokument”, me siguri e kanë pasur parasysh pikërisht këtë fakt të trashëgimisë sonë. Sepse është e ditur se stigma dhe përgjegjësia penale, kudo në botë, po edhe sipas ligjeve tona, mund të jetë vetëm individuale e assesi kolektive. Së këndejmi lind dyshimi tjetër: a mund të ndikojë kjo stigmë kolektive që po mendohet t’u amputohet institucioneve tona fetare edhe si lloj perceptim kolektiv? Nga përvojat e vendeve të tjera, ku është “testuar” kjo formulë, shanset janë më se reale që edhe të ndodhë.
Mirëpo, në rastin tonë, rreziku është shumë i lartë që një “dokument” i tillë i pretenduar, pra një aktakuzë dhe një rast individual, të shndërrohen në një narrativë shumë më të gjerë. Sepse, kur “dikush dyshohet për veprimtari të paligjshme”, gjasat që stigma e tillë të shpërndahet me plausibilitet marramendës mbi një komunitet të tërë fetar apo edhe laik, bëhet reale.
Suma sumarum, kjo tendencë apo kjo “frymë” stereotipizuese me background antishqiptar, ku përgjegjësia individuale pretendohet të bartet e të artikulohet edhe në publik ekskluzivisht si fajësim kolektiv, bart me vete edhe rreziqe të tjera konfrontuese të paparashikueshme. Ku shihet ashiqare se ky “dokument”, bashkë me arkitektët e tij djallëzorë, po synon ta arrijë këtë objektiv.
Mirëpo, këtu kemi të bëjmë edhe me një hipotezë tjetër, që po ashtu mendoj se do të mbetet pezull edhe për një kohë. E ajo ka të bëjë me shkallën e reagimit mbrojtës brenda vetë komunitetit mysliman, i cili me këtë farë “dokumenti” atakohet ashiqare si shumicë. Dhe, nëse nuk dekonspirohet shpejt nga Prokuroria, ai do të vazhdojë të qarkullojë si mjegullnajë dhe do të krijojë situata të atilla kërcënuese që mund të aktivizojnë një mbrojtje të pakontrolluar zinxhirore e masovike. Po them kështu, sepse, kur kemi parasysh faktin se brezi i ri (apo “brezi i Tik-Tokut”, siç e kam identifikuar sociologjikisht) ka shumë më shumë prirje e afinitet të marrë informacione të fragmentuara dhe të cunguara, madje edhe të nxjerra qëllimisht nga konteksti, si ato të luftës hibride dhe “fake news”-eve nëpër rrjetet sociale, sesa informacione valide, të verifikuara dhe të licencuara nga institucionet e sigurisë nacionale të Republikës
Gjithashtu, në këtë odisejadë të “reagimeve” zinxhirore, duhet theksuar edhe një fakt tjetër: atë të tendencës së krijimit të mosbesimit ndërfetar, i cili, kur përhapet me shpejtësi drite, ka shumë gjasa të prodhojë përçarje edhe brenda vetë komunitetit mysliman, sepse njerëzit mund të fillojnë të kërkojnë “fajtorët e brendshëm”, të dyshojnë te institucionet apo te figurat e tyre fetare, por edhe të hedhin faje të ndërsjella.
Megjithate, ky virus i dyshimit, kur futet në një grup apo komunitet, qoftë fetar apo edhe sociopolitik, dhe kur atakon në mënyrë sistematike dhe vazhdon të perceptohet gjithnjë si komunitet që kërcënon të tjerët, atëherë komuniteti tjetër nuk ngurron ta aktivizojë kodin e “solidaritetit mbrojtës” (që në sociologjinë e religjionit njihet si mekanizëm altruist) për ta shprishur dhe kontestuar bazamentin e mbindërtuar të tolerancës sonë shekullore. Tolerancë kjo me të cilën mburreshim para të tjerëve.
Në situata të tilla, individët fillojnë të krijojnë lidhje më të forta dhe solidaritet shumë më të theksuar sesa para atakimit. Duke u futur në spiralen e “solidaritetit mbrojtës”, anëtarët e tjerë të grupit me lehtësi priren të afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe të homogjenizojnë identitetin e përbashkët, në këtë rast identitetin e tyre fetar.
Në fund, po qe se “dokumenti Top Secret 2” vërtetohet ndonjëherë nga Prokuroria dhe Gjykësia se është autentik, lexuesi injorant i “xhurulltisë”, po edhe ai serioz, duhet ta kuptojë se objektivi dhe caku final i Serbisë nuk ishte vetëm religjioni e as vetëm raportet e tolerancës sonë ndërfetare historike, por ishte dhe mbetet aleanca jonë, e kurorëzuar tashmë fuqishëm me Perëndimin. Andaj, të gjithë duhet ta kuptojnë se synimi, ambicia dhe strategjia afatgjatë e narrativës së vjetër të Serbisë ende mbetet ajo e dobësimit të “kapilarëve” të përcaktimit tonë me vlerat euroatlantike, ku, përmes viruseve të radikalizimit, islamofobisë, perëndimofobisë, po tentohet të rritet “jazi” i kufirit të përçarjes së brendshme në shoqëritë shqiptare në rajon e diasporë.

Kush e kërcënon gazetaren Liridona Vejseli, ai e zgjon një popull dhe përgjigjen e tij
Pa Kosovën nuk do të ruhej gjuha shqipe në Ulqin, do të pësonte njësoj sikurse Plava







