Kreu Blog Faqe 1421

Kush mashtroi në Laç me banesat turke ?

1

Fahri Xharra, Gjakovë

“Zoti Erdogan shkoi personalisht në Laç për ti dorëzuar bashkë me kryeministrin Edi Rama, në mënyrë simbolike çelësat e banesave të reja katër familjeve kurbinase, të cilat do të nisin të jetojnë në kompleksin me 522 banesa, dhuratë e Turqisë me vlerë 42 milion euro.”
Ai tha:”Ne do të vijojmë t’ju qëndrojmë pranë. Shpresoj që kjo miqësi me baza të forta të vijoj deri në pafundësi. Gjatë pandemisë dhe gjatë situatës së ngushtë të gjithë shtetet e fuqishme u kyçën përbrenda, duke mbyllur sytë e tyre, Ne nuk bëmë ashtu, dolëm jashtë kufijve për ti qëndruar pranë me çdo mundësi që kishim ne. Duke besuar në bekimet dhe mirësinë e ndarjes me të tjerët, dhe fuqisë së solidaritet ne ndihmuam miqtë tanë në luftën kundër pandemisë dhe ndamë me ta çdo mundësi që kishim. Si fryt i këtij solidariteti kaq të fortë kemi spitalin e miqësisë Shqipëri Turqi, spitalin i fierit, i cili është ndërtuar brenda 60 ditëve”, tha Erdogani.
(https://top-channel.tv/2022/01/17/erdogan-dorezon-shtepite-ne-lac-lagjja-e-re-u-ndertua-si-ndihme-nga-turqia-per-shqiperine/

Edhe unë i falem dhe e nderoj Turqinë për këtë ndihmë sa të nevojshme por aq edhe njerëzore.

Deshta të shtoj një vërejtje që të tjerët ia nisën, për çmimin e ndërtimit dhe shumën e eurovo të dhëna për këtë humanizëm turk;
Janë dhënë 42 000 000 euro ( dyzet e dy milion euro) për 522 banesa .
Një llogaritje e thjesht tregon :
42 000 000: 522= 80 400 euro për një banesë
Një banesë pra paska kushtuar 80 400 Euro?
Nëse e marrim çmimin e shitjes , i bie që në Laç me 80 mijë euro e blenë një banesë 100 metrash katror. Sa kushton në të vërtetë metri katror i banesave për shitje në Laç ?
Po sa ishte në të vërtetë çmimi i ndërtimit ? Të supozojmë një banesë me të gjitha standardet , me banjo dhe kuzhinë të pajisur.: Sa kushton? Llogaritni këtë anomali të Laçit . Supozojmë çmimi i nsërtimit 400 euro/ metër katror:

42 000 000 euro : 400 euro/ metra katrorë =105 400 metra katrorë, ndertim final.
Nëse të gjitha banesat do të ishin 100 metërshe, i bie të kishim pasur 1 000 banesa. Pra?

Kush manipuloi me paratë e Turqisë, koordinatorët turq apo ata shqiptar , apo në bashkëpunim ?

Pak kujdes, se nuk jemi lopë që hamë bar !

Foto credit: https://www.trt.net.tr/shqip/ballkani

Lufta e “Don Kishotit dhe Sanço Panços” ndaj Rugovës apo rrahja e Gjergj Dedajt nga Hashim Thaçi dhe dashuria e mirëkuptimi mes tyre!

0

Don Kishotit dhe Sanço Panço (barkëmadhi), të ngrirë në statujë

Sinan Kastrati, Suedi

  • Një letër të hapur apo të mbyllur për Gjergj Dedajn dhe Blerim Latifin

Gjergj Dedaj njihet si politikan i dështuar, dyftyrësh e karierist kurse Blerim Latifi, këto viteve të fundit, njihet më shumë si opinionist kryeneq, i njëanshëm, nevrik, hakmarrës e hatrambetës.
Pas një pushimi disa ditor, adro 5 ditë, përsëri nuk munda të rrije duarkryq e të bëjë sehir, të shikoj si aktor gjithë at turmë ”ushtarësh” me hargjarë në amfietetrato e Butrinit e ato të Rpmës, gjergjat e dedajve, blerimat e Drenicës dhe (ish) Veprimtarët si ylber durmishat i cili e e quan Hashim Thaçin Ismail Qemal.
Prandaj, jo kot thuhet se harresa është një armik ”i vogël” prandaj edhe pse vetë kisha shkruajtur nja 2 e 3 herë për Gjergj Dedajn, se si ”ju hap goja”, kur filloj të flas për Hashim Thaçin, prap mendova të shfletoj shtypin e të shoh edhe të tjerët çka flasin për Gjergjin dhe vetë Gjergji.
Po paraqes disa nga to:
Më 16 janar titujt e portaleve në gjuhën shqipe, si lajm kryesor kishin një ngjarje jo të zakonshme, kur një ish ambasador i shkarkuar me (ose pa) të drejtë, dëshiron ti gëzoj privielgjet që nuk i takojnë: “Policia në kërkim të ish-ambasadorit Gjergj Dedaj”, e diel 16 Janar 2022
Gazeta Sinjali mëson se MPJD ka lëshuar urdhër për konfiskimin e tabelave të veturave zyrtare dhe të ID-ve diplomatike që po vazhdojnë të mbahen paautorizim nga ish-ambasadori Dedaj dhe ish-konsulli, Lindon Kqira, i cili po ashtu e pati vlerësuar si jokushtetues vendimin e Osmanit.
Sinjali merr vesh se tani Policia është në kërkim të tyre, për t’ua konfiskuar targat dhe ID diplomatike të ish-diplomatëve dhe familjarëve të tyre.
Dedaj ende nuk i ka kthyer targat diplomatike NMK 50-CD-001, të cilat janë të vendosura në veturën e tij të tipit Mercedez Benz E.
Ndërkaq, targat diplomatike NMK 50 -CD – 005, po vazhdojnë të shfrytëzohen pa autorizim nga Kqira në veturën e tij, të tipit VW Passat, carvan.
Policia është vënë në kërkim të Dedajt dhe Kqirës për t’ua konfiskuar edhe ID-të diplomatike që nuk janë dorëzuar ende nga ta dhe familjarët e tyre….”
Të nesërmem, e hënë, 17 janar 2022 Gjergji regon “Dedaj thotë se ndjehet i rrezikuar nga “klani i Osmanit”, paralajmëron hakmarrje përmes Kanunit”
Po a është për me e marrë Gjergjin e dedajve dhe kërcnimin e Gjergjit si serioz?
-Jo, jo!
Gjergji edhe me Hashimin e thirri në ndihmë bacën Lekë-Kanunin:
“Gjergj Dedaj në Rubikon të KTV-së: Thaçi më torturoi”, 30 JANUARY 2017
Dikur Gjergji e lavdëroi qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi aq shumë sa kishte thënë se Qeveria Thaçi meriton çmimin Nobel. Ish-partneri i PDK-së dhe Hashim Thaçit në qeveri, kryetari i PLK-së, Gjergj Dedaj kishte vendosur që të hapë dosjen ndaj ish-kryeministrit Hashim Thaçi. Ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, e më pas edhe zëvendësministër i Transportit, ka shpërthyer me akuza të rënda për kreun aktual të ekzekutivit të vendit.
“Shuplaka e Hashim Thaçit”, Gjergj Dedaj heq dorë nga akuza e vjetër: Kam qenë i inatosur” 21/10/2020
Ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut ka thënë në emisionin Pressing në T7 se deklarata e tij që Hashim Thaçi së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK’së e kanë ndaluar dhe e kanë maltretuar atë nuk qëndron.
“Kur e kam dhënë deklaratën për Thaçin, nuk kam qenë Gjergji. Jam krenar për ata djem që i dolën përballë njërës prej armatave më të forta në Europë”, thotë ai.
“Jam malësor dhe i qëndroj fjalës sime deri në fund. Nuk e kam marrë seriozisht këtë Gjykatën Speciale deri sa është votuar në Kuvendin e Kosovës. Ende nuk e di pse duhet një gjykatë të krijohet kundër nesh dhe kundër UÇK’së. Pas luftës kam menduar se do të krijohet një gjykatë ndërkombëtare me katër përfaqësues nga NATO, SHBA, BE’ja dhe dy nga Kosova”, përfundon ai.

Sancho Panza (barkëmadhi)

Kryeministri Thaçi shkarkon zëvendësministrin Gjergj Dedaj
Prishtinë, 15 korrik – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë sot vendim që të shkarkojë nga detyra e Zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Gjergj Dedaj.
Këtë vendim Kryeministri Thaçi e ka marrë bazuar në të gjeturat e fundit nga organet kompetente, që flasin për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin që z.Dedaj e ka bërë gjatë periudhës kur ka ushtruar detyrën e Zëvendësministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ky veprim i kryeministrit Thaçi vjen në vazhdën e luftës së pakompromis ndaj korrupsionit, dukurive negative dhe është në funksion të fuqizimit të qeverisjes së mirë, transparente dhe efektive, në shërbim të interesave të qytetarëve të vendit (FacebookTwitterLinkedInMer…).
Gjergj Dedaj merret në pyetje për deklaratat se ishte rrahur nga Hashim Thaçi
Gjergj Dedaj merret në pyetje për deklaratat se ishte rrahur nga Hashim Thaçi
Gazeta Alo, 29/07/2020 21:42
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj ka njoftuar se është kontaktuar nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë, të cilët siç tha ai e kanë telefonuar për të pyetur nëse është i gatshëm që t’i përgjigjet një ftese eventuale për intervistim nga kjo gjykatë.

Don Kishoti dhe Sanço Panço, në luftë të pamëshirshme ndaj mullinjve të erës …

Dedaj tha se prokurorët e kanë kontaktuar edhe më herët, ndërkaq telefonata e fundit iu bë gjatë ditës së sotme.
“Unë jam kontaktuar edhe vite më parë nga autoritetet e Gjykatës Speciale. Ata edhe sot më kanë kontaktuar me telefon autoritetet e Gjykatës Speciale, prokurorë të caktuar më kanë pyetur dhe janë interesuar rreth kësaj gjykate. Ku më kanë thirrur, edhe sot, edhe nëse më thirrin nesër, edhe jam i gatshëm në çdo kohë të ju përgjigjem, por kamë dëshirë dhe kërkoj prej tyre që së pari të më japin një përgjigje se kush m’i ka vra 12 anëtarët e familjes sime, kush e ka bërë masakrën në Meje, kush i ka bërë 400 masakra në Kosovë, kush ka bërë 20 mijë dhunime në Kosovë. Këto nuk i ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është ushtri që ka bërë një luftë të drejtë, një luftë vetëmbrojtëse. Na nuk kemi shkuar të luftojmë në Serbi, na e kemi mbrojtur pragun e shtëpisë, e kemi mbrojt nderin e kemi mbrojt familjet tona”, thotë Dedaj.
Dedaj tha se prokurorët e kanë pyetur edhe nëse ka shqetësime apo nëse po kërcënohet nga dikush.
”Gjergj Dedaj akoma e mban fotografinë e Hashim Thaçit në zyrë”
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, akoma e mban fotografinë e ish-presidentit, Hashim Thaçit, në zyret e tij. Ani pse Thaç ka dhënë dorëheqje nga posti i presidenti dhe aktualisht detyrën e tij e ushtron Vjosa Osmani, Dedaj nuk e ka hequr fotografinë e tij nga muri.
“Gjergj Dedaj nuk e lëshon zyrën, publikon foto nga ambasada”
Ai ka publikuar një fotografi nga ambasada e Kosovës atje, duke shkruar se “misioni historik vazhdon”. Dedaj është një prej 12 ambasadorëve që Presidentja Vjosa Osmani i largoi nga misionet diplomatike, me kërkesë të Ministres Donika Gërvalla.
Ai ka refuzuar të kthehet në Kosovë, derisa vendimin e ka quajtur hakmarrje politike. Dedaj ishte emëruar si ambasador në gusht të vitit 2018 nga ish-presidenti Hashim Thaçi.
Para kësaj pozite, ai ka qenë zëvendës i Behgjet Pacollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Dikur e akuzonte Hashim Thaçin për dhunë, sot flet ndryshe”, 24 Dhjetor 2017
Gjykata Speciale duhet të shfuqizohet dhe të themelohet në Kosovë. Komandantët e UÇK’së nuk e kanë vendin ku është gjykuar Milloshevici e Shehsheli. Serbia ka kryer krime e gjenocid. E jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prokurorët vendorë duhet të merren me secilën vrasje që ka ndodhur para, gjatë dhe pas luftës. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, flet për Express.
Gjergj Dedaj, Kryetar i Partisë Liberale të Kosovës, në dhjetor të vitit 2011, e kishte denoncuar në “Rubikon” të KTV’së Hashim Thaçin, se në vitin 1998 kishte ushtruar, për tri ditë e tri net rresht, maltretime fizike, psikike dhe morale ndaj një delegacioni që vizitonte Drenicën.

“Hashim Thaçi edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Na ka maltretuar fizikisht, psiqikisht, moralisht…. Është një krim, e jo një incident”, pati thënë Dedaj.
“Pendohet Gjergj Dedaj: Kur e kam dhënë deklaratën për Thaçin, nuk kam qenë Gjergji”
Gjergj Dedaj, ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, që pretendonte se është rrahur fizikisht e torturuar nga Hashim Thaçi gjatë kohës së luftës tani po deklaron diçka tjetër.
Ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut ka thënë nëse deklarata e tij që Hashim Thaçi së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK’së e kanë ndaluar dhe e kanë maltretuar atë nuk qëndron.
Ai thotë se kur dha këto deklarata nuk ishte Gjergji.
“Kur e kam dhënë deklaratën për Thaçin, nuk kam qenë Gjergji. Jam krenar për ata djem që i dolën përballë njërës prej armatave më të forta në Europë”, thotë Dedaj në një debat.
“Hashim Thaçi dekoron Gjergj Dedajn me ”Medalje Presidenciale”
Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka vazhduar të ndajë dekorata presidenciale, në kuadër të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kësaj radhe, Thaçi ka bërë të ditur se ka nderuar me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, zëvendëskryeministrin e Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, njofton Klan Kosova.
Përveç tij, dekorim ka pranuar dhe e gjithë familja Dedaj për kontributin e dhënë:
”Për veprimtarinë, sakrificën dhe vetëmohimin e Gjergj Dedajt dhe tërë familjes Dedaj, sot i dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Si lider politik, Gjergj Dedaj ka internacionalizuar kauzën e Kosovës në botë, ka qenë pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë dhe është kontribuues i pashoq për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në tri dekada. E madhe është edhe veprimtaria e familjes Dedaj. Për angazhimin e tyre, shumë anëtarë të familjes kanë paguar me jetë në Mejë të Gjakovës, në vitin 1999. HTH”

“Hashim, nuk na duhet Gjergj Dedaj, mbaje për veti ose çoje në BDI”
Hamdi Nuhiju
Propozimi i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për ta emëruar ambasador në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedajn ka nxitur reagime të shumta të opinionit.
Të gjithë kanë reaguar kundër këtij emërtimi përveç militantëve dhe përfaqësuesve të Bashkimit Demokratik për Integrim.
“Hashim Thaçi gjithmonë ia bën një vend në Qeveri, Gjergj Dedajt. A thua pse?”
KOSOVALipjaniNews.Com 03/12/2015
Hashim Thaçi gjithmonë ia bën një vend në Qeveri, Gjergj Dedajt. A thua pse?
“Dedaj: Thaçi më torturoi”, Bota Sot, 15 DHJETOR 2011
Dikur lavdëroi Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Hashim Thaçi aq shumë sa kishte thënë se Qeveria “Thaçi” meriton çmimin Nobel. Ish-partneri i PDK-së dhe Hashim Thaçit në qeveri, kryetari i PLK-së, Gjergj Dedaj ka thënë se ka vendosur që ta hap dosjen ndaj kryeministrit Hashim Thaçi.


“Gjergj Dedaj, i pari që ia ndjelli Hashim Thaçit nobelin”.by A L B A Y J E T • 24/12/2013
Emri i Hashim Thaçit po lakohet në mesin e emrave të tjerë të lidëve botërorë për çmimin Nobel për Paqe, çmim të cilin do të mund ta ndante me Kryeministrin serb, Ivica Dacic e baronesha që ndërmjetësoi bisedimet Kosovë-Serbi, Catherine Ashton. Ende nuk dihet se kush e ka nisur kësaj here idenë që Thaçi të jetë një nga përfituesit e çmimit Nobel, por dihet mirëfilli se kush i pari e lidhi emrin Hashim Thaçi me çmimin Nobel.
Është kryetari i pazëvendësueshëm i Partisë Liberale të Kosovës (LPK), Gjergj Dedaj, aktualisht zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë Thaçi II.
Ky ishte Gjergj Dedaj por ai ashtu qysh e njohim, nuk do të ndalet para “stuhive” dhe me “shpatën” e Don Koshotit në njërën dorë e kanunin e Lekë Dukagjinit në tjetrën, do të luftoi e nuk do të ndalet deri në fund. Sanqo Pancon1*), kojshinë e Don Kishotit, alias Hashim Thaçin, nuk e “harron” Gjergi, kur ti duhet për pozitë, pushtet, pare dhe “vëmendje”.
Një ditë pune bisedoja me një mësues të spanjishtes për Servantesin. Ai më tregoj se Sancho është emri kurse “Panza”, dmth barkmadh.

1*) Sancho Panza
Sancho Panza är Don Quijotes väpnare i Cervantes roman Don Quijote.
Sancho Panza, som var Don Quijotes granne, var en fattig småbonde med fru och barn. Med löften om att få en egen ö att regera över övertalades han att bli Don Quijotes vapendragare under dennes vandrande ridderskap.
Sancho är ursprungligen ett baskiskt namn, som i Kastilien andades bondaktighet eller rent av tölpighet. Panza betyder mage eller buk. Tölpen med magen är alltså en ganska god översättning av namnet Sancho Panza.
Sancho är den som i sin jordnära folklighet (för den goda historiens skull) skapar balans till Don Quijotes världsfrånvända tokigheter. Han fungerar som romanens sidekick.
P. S. Shpesh në mungesë të të dhënave në gjuhën shqipe, shërbehem me ato në gjuhën suedeze.Vazhdon
Në numrin tjetër për blerim latifat dhe Ibrahim Rugovën, ish presidentin historik të Kosovës.

Malmö, 18, 19 janar 2022

La Quotidienne (1831) / Fjalimi i Mustafa Pashë Bushatlliut para njerëzve më të rëndësishëm të Shkodrës : “Preferoni të qëndroni nën zgjedhën e Portës apo të mbroni lirinë tuaj?

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Janar 2022

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“La Quotidienne” ka botuar, të hënën e 18 prillit 1831, në ballinë, një shkrim në lidhje me fjalimin e mbajtur nga Mustafa Pashë Bushatlliu para njerëzve më të rëndësishëm të Shkodrës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Shqipëri

Shkodër, 5 mars. (Korrespondencë nga Gazeta Augsburgut.)

Pak ditë më parë, Mustafa Pasha thirri njerëzit më të rëndësishëm të qytetit tonë, për të marrë mendimin e tyre për raportin që kishte marrë se Veziri i Madh kishte marrë vendimin për fillimin e luftimeve kundër Pashallëkut të Shkodrës. Mustafai iu drejtua këtij kuvendi në një fjalim, pasazhet më të shquara të të cilit janë si më poshtë :

Veziri i madh (e ka fjalën për Reshid Pashën) dëshiron të ndajë territorin tonë. Tashmë, qoftë me kërcënime, qoftë me premtime të rreme, ai ia doli të nënshtrojë nën pushtetin e tij qytetetet e Elbasanit, Tiranës, Kavajës, Durrësit, Krujës dhe Ohrit.

Ju kam thirrur së bashku për t’ju bërë të ditur gjendjen e gjërave dhe për të ditur nëse preferoni të qëndroni nën zgjedhën e Portës dhe t’i nënshtroheni sistemit të ri ushtarak dhe sistemit të ri të taksave, apo të mbroni lirinë tuaj; në këtë rast jam gati të sakrifikoj deri në pikën e fundit të gjakut tim; Më duhet t’ju them se e gjithë forca e Vezirit të Madh përbëhet nga vetëm 16.000 burra. Prandaj nuk është e frikshme dhe nuk duhet të frymëzojë ndonjë frikë serioze.

Djali im është vendosur në Dibër me 8.000 burra të fisit të Madganit (Matjanit), gati për të hyrë në fushatë. Boshnjakët, zotërit e Gjakovës dhe Prizrenit, si dhe një pjesë e Serbisë, më dhanë sigurinë se do të më vinin në ndihmë në luftën që po përgatitet. Unë kam kërkuar një burrë nga çdo familje e pashallëkut tim dhe besoj se jam në gjendje të hyj në fushatë katër ditë pas festës së Bairamit.

Ky ligjërim ndërpritej shpesh nga shenja të qarta pëlqimi. Kuvendi njëzëri deklaroi se duhej luftuar për ruajtjen e pavarësisë së vendit.

 Mësuam se qytetet e përmendura më lart ishin të pushtuara vetëm nga një pjesë e vogël e ushtrisë së Vezirit të Madh, ai vetë ishte ende rreth Korçës me dhjetë mijë burra.

* Aurenc Bebja, Francë-(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/la-quotidienne-1831-fjalimi-i-mustafa-pashe-bushatlliut-para-njerezve-me-te-rendesishem-te-shkodres-preferoni-te-qendroni-nen-zgjedhen-e-portes-apo-te-mbroni-lirine-tuaj/.

Dashuria dhe motivi për tu flijuar

0

Shefqet Dibrani, Zvicër

Remzi Limani, “58 DROMCA DASHURIE”, prozë poetike, botoi Shtëpia Botuese “ARSA”, ballina dhe ilustrimet, Uran R. Limani. Prishtinë 2014, faqe 140. ISBN 978-9951-8862-5-3.

FILLIMI

Vitin e kaluar, sa isha për pushime në Kosovë, të premten e 15 tetor 2021, lam për të nesërmen, kafen e mëngjesit për të pirë me piktorin dhe autorin e shumë librave Remzi Limani. E nesermja ishte ditë e shtunë dhe mundësia e lëvizjes nëpër qytet ishte më e lehtë. Nga Lagjja Arbëria ku banoja unë, për tek “Mati I“ ose siç njihet më mirë në Prishtinë te “Rruga B“, e kalova me taxi, dhe në restorantin “PAUSE” më priste Remziu, i shoqëruar nga dy miqë, me të cilët ai pinte kafën e mëngjesit të asaj dite.

Ndeja “me sebep“, slogan i Remziut, shkoi si është ma së miri. Njerëz të qetë, me humor të lehtë, me njohje të proceseve në themel, dhe si karaktere shumë të dashur. Pas një orë e ca, kur u ngritëm për të dalë, njëri nga ta më shoqëroi gjerë në qendër të qytetit, rrugë të cilën e bëmë këmbë duke folur, siç themi ne “për Shkup e Shkodër!

TË LEXOSH DY LIBRA NJËHERËSH

Remziu, më dhuroi librin “58 DROMCA DASHURIE”, dhe sikur t’i kishte dy libra, për t’më krijuar mundësinë e përzgjedhjes, sigurisht, unë do të isha përcaktuar për ndonjë libër me poezi, pasi diçka nga poezia e tij kisha lexuar, dhe shumë të tjera kur i bënte publike në rrjetët sociale. Pa asnjë ekuivokë, përzgjedhja ime do të ishte e gabuar! E them kështu, kur tash i lexova këto tregime të shkurtëra, njëkohësisht, lexova dy libra përnjëherë. Rrallë më ka rastisur të lexoj një prozë kaq poetike se sa libri në fjalë. Dhe ku ka më mirë se “të bëshë një udhë, e t’i kryesh dy punë“, sikurse më ndodhi edhe mua kësaj radhe, për t’ia lexuar Remziut prozën dhe poezinë njëherësh.

Edhe tash, por edhe në mot, do të mbetet mister, momenti kur ma dhuroi librin, pasi në qenien e tij sikur u manifestua një ndjenjë jo aq e zakont?! Mu bë enigmë, ose poeti kishte diçka fort të dhembshme e tejet misterioze nëpër ato DROMCA DASHURIE, ose ndoshta ashtu ishte natyra e tij njerëzore, se qe një reagim më ndrysha në mimikën e tij kjo s‘ka dyshim, prandaj mu bë pikë në zemër, mu duk sikur më falte edhe mua ato copëza trishtimi të prozës së tij lirike, të asaj dashurie hyjnore të cilën e kishte gdhendur e skalitur me durim e përkushtim nëpër tregimet e shkurtëra dhe krejtësisht poetike, që lexohen me pasion dhe do të përjetohen thellë, siç mund të shijohet edhe peizazhi i pikturuar nga brusha e tij, e preftë, e hollë, e saktë, në kohën kur dihet se autori sukseset më të mëdha i ka të realizuara në fushën e artit pamor, përkatësisht në pikturë dhe dizajn grafik.

SKICAT EROTIKE

Libri, teknikisht ka një koncept për tu veçuar. Secili tregim është ilustruar me skicat e vizatuara nga i biri i autorit, Urani. Janë vizatime artistike të cilat paraqesin 58 forma e mënyra të gruas së zhveshur nudo me pamje të ndryshme, të cilat si pamje psikikisht përgatisin lexuesin për temën e librit. “Nga kjo del se dashuria ndaj një femreje të bukur e të edukuar mirë, është gërshëtim i hyjnores me njerëzorën e domosdoshme, të cilën secili prej nesh e lakmojmë!…“, (faqe 11). Ky gërshetim artistik, mes pamjes dhe përjetimit, edhe pse në dukje moralizues, në përmbajtje është shprehje meditative dhe paraqet formën e përjetimit si ndijim i dashurisë. Pastaj secila “Dromcë Dashurie“, e shkruar sikur të ishte Letër dërguar personit të caktuar, ka numërin përkatës i futur në kllapa, (1-58). Edhe tregimet kanë titullin përkatës si: “Pa yje, pa hënë“, “Fiksion imazhi“, “Takim puthjesh“, “Dalldi arome“, “Froni i dashurisë“, etj., kurse nëntitujt, kryesisht janë mesazhe psikologjike, por me tematikë nga dashuria: “Gracka e parë, ku bie çdo njeri, është dashuria!“, “Dashuria është matematikë me plot të panjohura!“, “Nëse nuk e ndjen dhimbjen e dashurisë, nuk do ta ndjesh as aromën e saj!“, etj. Ky mozaik me mesazhe dashurie, janë këshilla dhe porosi me vete, që do të mbesin gjatë në kujtesën e lexuesit. Pastaj tregimet janë të shkurtëra, një faqe, eventualisht edhe në faqen vijuese. Pra në kaq pak hapësirë, në kaq pak rreshta, autori ka zhvilluar tematikën erotike të perfeksionuar e cila ngërthen mendimin më poezitiv për jetën, e cila nuk mund të ishte e tillë po të mos kishte dashuri, pasi “Jeta s’është asgjë tjetër përpos një aferë dashurie!“, (faqe 107).

PROZA POETIKE

Siç e theksuam edhe më parë, tregimet janë të shkurtëra dhe të realizuara mirë. Janë strofa poezish me varg pak më të gjatë, një estetikë e papërseritshme, një mendim figurativ e eliptik që të përvetëson për magjinë e fjalës së shkruar: “E dashur, të lus sërish: eja me shiun e vjeshtës, së bashku t’i lajmë fytyrat e prushta nga etja e dashurisë, sepse, dashuria do të na rikthejë frymën e humbur dhe lotin e tretur tok me shiun e sivjetshëm. Eja, mos ngurro! Edhe ashtu, një ditë do të ta zëjë rrugën dashuria e pamëshirshme!“, (faqe 24). Andaj të gjithë ata që nuk e dallojnë sa duhet prozën poetike, do t’ua kisha sygjeruar këtë libër, i cili lexohet sikur të ishte me poezi të shtrira në rrafshin horizontal. Ja, një tekst i njejtë si mund të strukturohej në formë poezie:

E dashur,

të lus sërish:

eja me shiun e vjeshtës,

së bashku t’i lajmë fytyrat e prushta

nga etja e dashurisë,

sepse,

dashuria do të na rikthejë frymën e humbur

dhe lotin e tretur

tok me shiun e sivjetshëm.

Eja,

mos ngurro!

Edhe ashtu,

një ditë do të ta zëjë rrugën

dashuria e pamëshirshme!

Faqe 24.

Pra, siç duken ky motiv i dashurisë së skajshme është përjetim real, i përthyer nga një metaforë që honeps mendjen, me elementin psikologjik për brenda, që të prek ndjenjën, duke u përthurur brendësia e mendimit meditativ të shprehur kaq figurativisht, sa s’bëhet më. Shprehje të rralla erotike ose erotika rrallë të përjetuara, që të hamendin për magjinë e fjalës artistike, për shprehjen e bukur estetike, mendime të prera vertikalisht sa të të ngrihen ndjenjat, të bëhet sikur ashensori emocional po tërhiqet me rrëmbim drejt graviteti tokësor, dhe s’ka se si, zemra të mos bëhet akull, të fanitin halucinacione sa për një qast bëhesh se je në një botë akullnajash siberiane, pastaj shfaqen emocione të ngrohta të përjetuara thellë, dhe shpirti ngadal ngrohet po nga ai lumturim?! Këto halucinacione epshërore manifestohen si shkëndija magjike të zbritura nga ylli polar që rrezaton çastin a rastin e përjetimit, tashmë të hipnotizuar magjishëm, dhe të bënë për të menduar gjatë, se jeta pa dashuri është zbrazti, është hiq, është zeroja absolute e hiqit, kurse autori shprehet: “Jeta është një kandil i zbehtë, vetëm dashuria mund ta ndrin!“, (faqe 23).

Nëse “Për të mbijetuar na duhet pak bukë, krip dhe ujë. Për të bërë jetë na duhet shumë dashuri!“, (faqe 41). Siç e kemi theksuar edhe më parë, fjalitë e kësaj proze janë të shkurtëra, gati gati në gjatësinë e vargut poetik. Psh.: “Çfarë të të shkruaj më? Të të them se më mungon shumë? Këtë e di e gjithë bota! Të të shkruaj se nuk mundem pa ty? E di fryma ime e hargjuar… Pra, mos t’i lëndojmë kujtimet e bukura… Megjithëse, e di që e dëshiron vajin e varur n’qepalla të mia, sepse, aty ruhet përjetësisht loti im që derdhet vetëm për ty.“, (faqe 48), përveç se ky fragment e paraqet një moment emocional e trënditës, me tri pikat në mes, jo vetëm ndërpritet rrëfimi por të të ndalet fryma gjatë leximit të kujdesshëm, ndërsa dyshimi hipotetik të kall strallin: “Më thuaj të lutem, ku të bartëtën erërat e natës? Kush të ka pranë? Kush të mbanë në gji?…“, (faqe 115), megjithatë autori nuk bie në letargji edhe pse e din se, “Çdo natë, para se të fle, duhet të gëlltisë gotën e mbushur me heshtjen e përlotur!“, (faqe 123). E për ta kthyer në jetë, e sidomos në artin letrar muzën e tij krijuese, edhe imagjinatën e këtij momenti përjetues e kthen në metaforë artistike: “Nuk do ta fik dot flakadanin e kësaj nate. Do të vazhdoj kërkimet… Shpresoj të ma kthesh shpirtin e humbur, muza ime e dashur!“, (faqe 126).

EPITETI

Për tu veçuar është epiteti, si figurë stilistike, tejet i sforcuar: “nurbardha, zog dëbore, nuse e maleve” etj, madje deri në nivel hyjnor, por siç shihet, këtu është pjesë e pjesëz e procesit letrar kjo ndjenjë e fuqishme, kjo prirje e brendshme e kënaqësisë së veçantë, që quhet “dashuri” e shprehur nëpër këto dromca të projektuara mirë. E ky përkushtim për dashurinë, dhe epiteti si figur stilistike, ka të bëjë me respektin e lartë ndaj femrës, me rolin e saj në shoqëri, jo vetëm si pamje artistike, e pikturuar për ndjenjat e veta, siç derdhen të gjitha ngjyrat, por në këto tregime, janë shprehur edhe pasionet e mundshme të çastit kur muza krijuese i përkushtohet rolit të gruas, femrës, zonjës, përkatësisht shtyllës së shtëpisë. Nga kjo mund të themi, sikur letërsia jonë të mos kishte edhe të tjera përkushtime, dhe nga të tjerë burra artist, vetëm me këto “58 Dromca Dashurie“, do të duhej të gjitha gratë të ndjehen të nderuara, të respektuara, dhe mbase të falin dashurinë që falin, dhe krejt hyjnishëm edhe më tej ta mbajnë gjallë botën, dhe së këndejmi edhe shkrimtarin, poetin dhe piktorin Remzi Limanin!

TREGIMI I SHKURTËR

Këto “Dromca Dashurie“, siç e kemi theksuar sa e sa herë, janë tregime poetike, të konstruktuara si “Letra“, se kështu e thotë vet autori. Por tregimi i shkurtër është aq konçiz dhe me porosi artistike. Për ta konkretizuar mendimin e shprehur në këtë kritikë letatre, (sa për ilustrim), po sjellim një tregim të shkurtër, të cilin po ia bashkëngjesim pamjen e thyerjes dhe të ilustrimit, ashtu siç janë të gjitha këto Letra të ilustruara me skica, të nisura për personin fiktiv a të imagjinuar, dhe si personazhe të shënuara si: Lulebora ime, Lulja ime, Zog dëbore, Vala e Dashurisë, etj.:

 (51)

FAQE KUJTIMESH

Putheni rininë, të mos e vajtoni pleqërinë!

Mes nesh ende qëndron dashuria me stoli kujtimesh të varura mbi ballë. Në ty, sikur gjithçka është rikthyer e paprekur me gjithë shkëlqimin verbues. Qëmoti, nga kohët dhe epshet e ndrydhura, mbete e patrajtuar rreth trëndafiltit të kërthizës. Më beso, e dashur, ty të është rikthyer vajzëria e brishtë, dhe brenda teje sërish është ngjizur gjaku me formë zemre virgjërore…! Tani, në prag kujtimesh, duke arnuar plagët e mia, po i numëroj ditët e sosura që ikin dhe shkrihen syve tu!

Faqe 119.

ENIGMA E “NUMRIT 58”

Pikërisht sintagma e “NUMRIT 58”, është edhe një enigmë tjetër e cila na shfaqet në këtë libër. Kështu si është, dhe pa asnjë sqarim brenda librit, duket se fsheh në brendësinë e saj, një enigmë tjetër, sa figurative po aq edhe enigmatike?! Megjithatë, mund të supozojmë se “Dromca Dashurie” janë 58 Vitet e lumtura të Autorit, dhe duket se këtu muza e tij krijuese sikur ka përjetuar një prerje transverzale kohore, të atij emocionit lirik mbi dashurinë reale, të ëndërruar e përjetuar kaq hyjnishëm. Pastaj, mbetet mister, cila fuqi morale e paska ndihmuar, për të vazhduar jetën, sepse jeta, edhe ai ka thënë, është dashuri, e cila ringjallet dhe jeton përsëri, në qenien dhe vetëdijën e krijesës Njeri.

Pra prerjet e tilla, rastet e ndodhura e dhembjet e mëdha, e sfidojnë njeriun për të jetuar dhe mbase shkrimtarin edhe për të dashuruar, pasi edhe misioni i kësaj proze poetike është jo vetëm vazhdimësia e jetës fizike, por hyjnishëm ringjallja artistike e dashurisë, e cila poetit iu ka bërë balsam mëkues a ilaç shërues, e si rrallë kush, dhembjen e ka kthyer në dashuri për jetën, dhe mbi të gjitha krijuesit letrar iu paska zgjuar muza me përmasa të mëdha erotike, kurse në anën tjetër, dashuria e ka inspiruar për ta vizatuar jetën, përjetimin për ta pigmentuar, ashtu si ai di dhe ka mundësi. Të gjitha këto elemente, poetike e psikologjike, përmes metamorfozës kanë riprodhuar gjithë këtë dashuri magjepse e artistike, por krijimi letrar si prozë poetike shëmbëllen për thellësinë e përjetuar si ndjenjë dhe si emocion i erosit artistik.

FLIJIMI PËR DASHURINË ose dy dëshirat e fundit

Sipas kësaj, duket se dashuria fiktive, dhe kjo kulturë e rrallë e shkrimit shëmbëllyes është letërsi e realizuar artistikisht, me vlerë të papërseritshme estetike, andaj s’ka faj artisti kur shkruan se: “Po të më vendosnin para tytës së armës dhe të më pyesnin për dy dëshira të fundit, dëshirën e parë do ta kisha shfrytëzuar për të të puthur, kurse me të dytën do ta vishja qiellin me buzqeshjet tua!“, (faqe 75).

St. Gallen, 12 janar 2022.

Pse të kam respekt për ty, kur ti ma urrenë gjuhën ?

1

Fahri Xharra, Gjakovë

I zhytur në mendime , i thelluar në historinë tonë jo shumë të largët ( diku nja 500 vjet e këtu ) as se si nuk po mund të vij në përfundim të plotë që duhet të të respektoj ; të kam “dashur “ sepse isha i obliguar falë rrethanave të jetës, më vonë fillova të ndjej lehtas një simpati për ty sepse mendova që ke ndryshuar, por vitet e që rrjedhën e treguan të vërtetën tënde  .

E mendoja atë që thoshte Kadareja : “Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin! “  .  I thosha a vetes , ndoshta duhet harruar sepse ishin osmanët ata , ishin selgjukët ata .
Cila  është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar.
Mendoja se jemi mbushur mend , jo të ngjallim urrejtje por së paku të rindërtojmë urën e miqësisë , një urë e cila ishte rrënuar që nga 1912 – ta.; që atëherë kur  ia lamë lamtumirën njeri-tjetrit.
Unë dhe ne , e kërkonim armikun e gjuhës sonë hyjnore tjetër kah ; atë e gjetëm , dhe atë e kemi vazhdimisht , por nuk e besoja që ti do të mundohesh të ringjallesh  prapë mbi kurrizin tonë .
Sa “ ëmbël “ ia filloi  dhe të doli në pah fytyra e vërtetë. U deshën disa vite të lirimit nga komunizmi , u deshën disa vite të lirisë kombëtare për të kuptuar të vërtetën tënde; U shfaqën rimohuesit të cilët nuk e donin të vërtetën që e thoshte Kadareja , por ne turma iu shkonim pas dhe e harruam gjuhën tonë e harruam “ Tungjatjetën “  mijëra vjeçare

Pra, rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori, për të na bindur që pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq ; për të na bindur se sa e keqe dhe kundër produktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.

Ti nuk flitshe , na vijshe me “lodra” dhe “premtime “ por rimohuesit flitnin në vend teje . Më vonë e kuptuam se pse Kadareja thoshte : “Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij-  ( të Skënderbeut fxh ) . Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!”

Të kujtohet që deshe të na ndryshon historinë dhe ta shkruajmë ashtu si e doje ti ? Unë e rikujtoj me  helm në zemër , kur të mashtruarit  të cilëve nuk iu mjaftonte vetvetja por thirrshin edhe “argat “ nga të gjitha anët për të  na ulur në byth dhe t`i bindemi asaj që e doje ti.

Kështu , ditë pas dite doli e vërteta në shesh , rasti i fundit shqiptarët e Maqedonisë .Deri dje ata ishin unë e  dje u bënë ata ; deri dje ata flitshin si unë dhe sot janë kundër gjuhës së vet . Sot ata flasin ndryshe ,  e flasin gjuhën tënde dhe shtiren se gjoja është e tyre.

Në fund të fundit nuk mund të kam respekt në ty , kur ti ma urrenë gjuhën time; nuk mund të kam dashuri për lodrat dhe kurmet që m`i solle vetëm e vetëm të harroj se kush isha.

Unë e dua gjuhën time historinë time dhe kombin tim.
Me 11.03.17

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti në takim një delegacion të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, të përbërë nga Ragmi Mustafi, Lirona Zuka dhe Alban Alili.

Në takim me këtë delegacion, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmëri për ta mbështetur Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës. Ajo ka bërë të ditur se në vazhdimësi angazhohet për promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe ka adresuar problemet me të cilat ballafaqohen këta qytetarë, siç janë pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave nga Serbia dhe problemet e vazhdueshme me punësimin.

“E keni mbështetjen time dhe ju siguroj se do të përpiqem që zëri juaj të dëgjohet. Qytetarët e Luginës së Preshevës janë brengë e jona e përhershme, dhe do të ndërmarrim çdo veprim të mundshëm për t`i ndihmuar sa më shumë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke rikonfirmuar se problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vazhdojë t’i ngrisë në instancat më të larta ndërkombëtare.

Përse me 17 janar …?

0

Prof. Bajram Binaku, Pejë

Data 17 janar është ditë e rendësishme në Turqi, edhe se kjo, në kalendarin e festave të shteti turk nuk figuron si festë shtetërore! Me 17 janar vdiq armiku me i madh i osmanëve, Gjergj Kastrioti! Për Perandorinë Osmane, vdekja e tij kishte kuptim të dyfishtë. Përveç gëzimit, se kishte vdekur personaliteti e udhëheqësi shqiptar më i tmerrshem, për ta, ishte dhe shpresa, që pa rezistencë turqit mund të nënshtronin tokat europiane. Sikur ta ndihmonin sado pak, Vatikani dhe Europa e krishterë, Gjergj Kastriotin, turqit, qe në këtë kohë do të tërhiqeshin nga tokat e Balllanit, por fatkeqsisht, luajten lojën dyftyrëshe, politike, karshi shtetit shqiptar të mesjetës. Asnjë ceremoni e përkujtimit të kësaj date në Shqipëri! Përkundrazi më këtë datë pamë një ceremoni të pritjes se kryetarit të Turqisë, Erdogan! Ky, duke dhuruar çilësat e disa apartamenteve për të goditurit nga termeti kishte deklaruar dhe promovuar miqësinë pesëshekullore të vëllezërve turq e shqiptarë!

A ishte e qëllimshme dhe data e vizites se Erdoganit në Shqipëri? Përse, dorëzimi i çilësave dhe vizita të korespondonin me datën e vdekjes se heroit tonë kombëtar?

U festua, u bë ceremoni për çelësa apo për vdekjen e Kryetrimit tonë? Kësaj pyetje vetem Erdogani dhe Edi mund ti përgjigjën!

Përse bash më këtë datë në parlamentin shqiptar, të deklaronte, presidenti turk, “miqësinë pesë shekullore të dy popujve”!

Kjo nënkupton, se kushdo, qe është dhe ishte kundër kësaj miqësie, ishte dhe është armik i të dy popujve. Pra njeri nga armiqët , mbase dhe armiku kryesor, mbetët Gjergj Kastrioti. Madje dhe deklarimi i Erdoganit për miqësinë pesëshekullore, ishte jo veç llapsuz, po tendencioz dhe i pregatitur me mjeshtri, si trasim i rrugës për korigjimin e historisë dhe të kaluarës se vështirë të shqipetarëve nën okupimin osman.

Vizita ka mundur të realizohet në çdo ditë tjetër, po jo në ditën kur Shqipëria ishte në Zi, për vdekjen e udhëheqësit dhe komandantit ushtarak më famë botërore, Gjergj Kastriotit. Po e keqja nuk rri në prehër të turkut as të Erdoganit, po tek Edi Rama, qe e ka katandisur Shqipërinë në pamje të leckës, e cila mund ti shërbejë kujdo, qe ka nevojë për pastrim.

Turqinë mos e kerkoni në Edrene, as në Azi, e keni në çdo cep të Shqipërisë, me xhami, me hoxhollarë, me televizione e seriale.

Pushtimi modern është i tillë. Ja more, adetet, kulturen, fenë, e konsideron vëlla; asgje nuk të dallon, prandaj je si ai, je ai, je turk! Edhe një nivel të se keqes kemi këtu! Një profesor i shqipër kur na kishte spjeguar për shkallët e mbiemrit me kishte sjellur para tabelës dhe me tha:”sa shkallë ka mbiemri i keq”? Unë:”i keq, ma i keq, shumë ma i keq”! Profesori, me të qeshur ma ktheu:”ka dhe më keq, se sa shumë me keq, qe është mozomokeq”! Pra një mozomokeq, me rastin e vizitës se Erdoganit në Shqipëri!

Njeriun e parë zyrtar, qe e takoj si nikoqir, Erdogani, posa u kthye, ishte Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç! Kush mund të na bindë, qe ky trekëndësh famkeq Erdogan-Rama-Vuçiç, të mos kenë kurdisur ndonjë të keqe kundër Kosovës?

A kishte mundësi, qe vizita mes vëllezërve serbë e turqë, të realizohej, poashtu në një ditë tjetër, po fill pas ceremonisë dhe festës për vdekjen e Heroit tonë kombëtar të bashkë mendimtarëve, në Shqipëri?

Kush mund të garantojë, qe Kosova , në bisedimet dy palëshe të mos ishte e përfshirë si temë, madje shumë e rendësishme? Këto takime brenda dy ditëve, janë shumë të dyshimta, sidomos për qëllimin dhe strategjinë e tyre kundër interesave të Kosovës.

Të shpresojmë, qe Kosova ka miqë të mjaftueshëm, të cilët do ta mbrojnë dhe përkrahin, në vizionin e saj si shtet të pavarur, qe për momentin, me këta njerëz, si po duket i ka vdekë nëna!

Shtatë net në Dubovik, poezi nga Jusuf Gërvalla

0
Jusuf GËRVALLA
(1943 – 1982)
SHTATË NET NË DUBROVIK
1.
I dëgjoj do kambanë asnjë pirg përbri
vetëm bar e hithër anë lugjesh livadhe
e një qyqe vjeshte tash më kot gjëmon
i dëgjoj do zëra frymësh që s’janë më
një hije dhe një kërrutë që përvidhet
tatëpjetë shtegut për në log, o vëlla
po vij kaq i etur të të them pa fjalë
se zjarri që kall heshtja jote djeg valë
dhe duket natë me yje ditë me tëmbël të bardhë
thyej bukë i qes ujë të ftohtë me bucelë
argatit që në shtëpi të vet vjen i huaj
(e premte)
2.
e prek fijen e barit e ndihet e lënduar
plaga s’i çel e më kot e ndjell përfytyrimin
i huaj bëhet hapi im i egër në livadhin e butë
ndërsa dy brigjeve të heshtjes rritet me nxitim
trungu. Unë iki shtigjeve të fëmijërisë
ja këtu – ja atje, e pastaj borë e sqotë
kjo është rrjedhë e ngadalshme e verës
se dimër bën tash përmbi ballin tim
po erdhe edhe njëherë më thotë mani plak aty
thuaje më mirë me fjalë thuaje jetën tënde
se tash në mesin tonë vetëm si hije kaluron
(e shtunë)
3.
tash jemi bashkë të buzëqeshur e të dëlirë
si dita e re si biseda jonë për pemët
si të isha larg jush e mendoni se jam me ju
aq i lumtur e i hutuar pas fluturave në lule
a s’qenka ky një mashtrim i çiltër si purpur
si kur kërcehet lumi i turbull ditës me shi
pas hapit tim tash vjen vala e kthjellët
drita që do të ndizet buzë mbrëmjes në odë
se – ia mbaj mend sytë fytyrën – o e di
në zhubrat e mendimit tim e krijoj të gjallë
ja këtu mes nesh. Prandaj dhe kaq shpesh vij
këtu erën e grurit kur bluhet e bëhet bukë e nxehtë
e sjell e sjell këtu edhe emrin e mbiemrin e tij dashurinë
që kishte për ne e tokën për nën’ e xhaxhanë
tash ai ecën andej nga unë gjithmonë vetëm rri
(e diel)
4.
s’do t’i kthehem kurrgjësë as kotësisë së zezë
rrugës sime nga të largohem gjurmë do të lë
shtigjeve thepore nga vetja pas dhish
prore diçka mbetet për të ardhur atje se më pret
hapi i mendimit tim. Bucelë e verës e shelgjishtë
shoku që dikur më dinte për prijës ujërash
bërrakat e bari i keq me gjarpinj – aty janë
ku të ndalem dashuri – në dru e bar në bukë
– apo në fjalët që trëndafila bulojnë
trupi imë për to le të bëhet arkivol tash
se – në lëngun buzëtëmbëlor të pemës në brymë
nadjeve të zgjimit tim – ende po ëndërroj
të hapet qielli: i mbyll sytë përfytyroj
kam një dëshirë dy… e do të shkoj po do të shkoj
atje ku myshqet e verdha tash mbi gurë qëndisin
kohën që me gisht me ballë s’mund ta fshij
unë nuk jam çmendur kurrë për dashurinë jo
dhe emrin vonë ia mësova – kur vërtet që vonë
i kthyer me shpinë nga mbeti – shkëlqimi – di
koha u tall me rritën time lejlekët aq shpesh
mbi ballin tim lëshohen fluturim e u digjen krahët
këtu s’mora gjë tjetër pos një zog këngë. Hënën
diçka si rrogëzinë asnjë plaçkë disa belbëzime
trupin tim s’e shkelën me tokë si të tijin
ai tash rri e këndon ashtu si unë kurrë
s’do të di
(e hënë)
5.
ajo tash s’është më po unë e shoh tek ecën livadhit
me bucelë mbi kokë me fustan flut’re veshur
seç e tundit belin gjarpëron me të ecur livadhit
as pasqyrë në diell është as pehrri e ëndërruar
prej së afërmi të duket diçka aq e prekshme e të dridhë
e nuk është më – atje shkoi ku shkëlqimin do t’ia stërpikë
ndryshku i mallit për ditën për hijen që fshehu
hap e zë krah ballë dhe puthjen e tij
e vetmja mollë mbetur fund arke tash është brydhur
(e martë)
6.
po deshët ju barinj bota ka më shumë shkëlqim
sesa klorofil blerimi i gunës suaj të shkrryer
merrni nga fjala ime veç atë që s’është ndarje
s’po ju përshëndes për të fundit herë në këtë fushë
veçse në fundin tim po vij të vërtetë e të shëndoshë
si sëmundje prej së cilës në shtrat do të vdes
në bar në anije a në botë ndoku krejt esëll
ndërmend s’e pata të bëhem poet i çmendur
urtësi qartësi do t’i kem fjalë të para
në ngushticë do të jem me ju për ju në festë
do të këndoj. Këto këngët e mia janë zë i butë
i fushës i bagëtisë i dëllinjave të livadhit tonë
(e mërkurë)
7.
po rigon imët e qetë e ju të gjithë në fushë
së largu e ndiej zërin e ditës që ngryset ngadalë
kur të ktheheni, mahiçar të çiltër s’do të më gjeni
në prehrin e fjalëve që përherë duket se përsëriten
do të jem strukur atëbotë mes dritash vezulluese rrokaqiejsh
i mbytur në tingujt e Shopenit e të njëfarë Rafetit
vëlla e shok – e tok me mendime përsëri së bashku
kush na mban? Kënga e pikëllimi? Ngazëllimi ynë
nga pritjet e gjata i prirë? Jemi mësuar të falim
duke thënë përherë: ta duam njeriun, njeriun
( e enjte)
Kan være et bilde av 1 person
Poeti Jusuf Gërvalla …

Kthimi në Iran i një agjenti të demaskuar pasi u përdor për katër vite në Shqipëri

0

Haidarzadeh ishte një i burgosur i luftës tetëvjeçare të regjimit me Irakun, ai ishte bashkuar me PMOI – MEK. Pasi u transferua nga Iraku në Shqipëri, ai u përjashtua nga lëvizja dhe iu drejtua një agjenti të ambasadës dhe shërbimit të inteligjencës së regjimit kundër PMOI. Që në fillim të dëbimit të tij, ai u pendua për luftën e tij kundër regjimit iranian për t’u kthyer në Iran. Megjithatë, regjimi iranian e kushtëzoi kthimin e tij në këmbim të shërbimeve të tij për regjimin iranian. Për të vërtetuar besnikërinë e tij ndaj regjimit dhe inteligjencës së mullahëve, Haidarzadeh u angazhua në shpifje politike dhe misione të ndryshme të pista demonizuese dhe spiunazhi kundër PMOI në Shqipëri për katër vjet.

Haidarzadeh, i cili ishte demaskuar vazhdimisht nga raportet dhe botimet e rezistencës iraniane, së bashku me tradhtarë të tjerë, në maj 2018 shkoi në ambasadën e regjimit iranian në Shqipëri dhe kërkoi të kthehej në Iran. Ambasada iraniane hapi një dosje për të dhe tha se kërkesa e tij për të shkuar në Iran duhet të miratohet nga Ministria e Inteligjencës dhe se ai është subjekt i bashkëpunimit, spiunazhit dhe shpifjes kundër PMOI.

Hadi Sani khani, i cili është një person i mirëinformuar për aktivitetet e MOIS në Shqipëri dhe kishte bashkëpunuar ngushtë me agjentë si Haidarzadeh, i shkroi një letër të hapur Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres më 14 shkurt 2021, duke detajuar funksionin e MOIS. në Shqipëri. Sani Khani duke iu referuar atyre që janë “në kontakt publik me ambasadën dhe sesi duhet të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj Ministrisë së Inteligjencës për të rënë dakord për largimin e tyre në Iran”, shkruan: “Këta persona merrnin 500 euro në muaj nga ambasada iraniane.

Sipas ambasadës, këta agjentë janë të detyruar të krijojnë të paktën një llogari përdoruesi në Facebook dhe Instagram dhe të prodhojnë dhe postojnë 12 artikuj kundër muxhahedinëve çdo muaj, për t’u ribotuar çështjet e urdhëruara nga ambasada ose MOIS në mënyrë të përsëritur” (Ambasada Iraniane e regjimit të Iranit në Shqipëri, një qendër për spiunazhin dhe terrorizmin, nga Hadi Sani Khani, faqe 16)

Gjergji Thanasi, një agjent lokal i MOIS në Shqipëri, ishte një ndër agjentët iranianë që u mblodhën kur Haidarzadeh po kthehej në Iran. Për të vërtetuar besnikërinë dhe lidhjen e tij me regjimin e mullahëve, Gjergji Thanasi së bashku me agjentët e tjerë shkuan në aeroportin e Tiranës për t’i dhënë lamtumirën Haidarzadeh. Olsi Jazexhi dhe Gjergji Thanasi janë në kontakt të drejtpërdrejtë me agjentët e regjimit iranian si Hassan Heyrani. Kafeneja Frank e drejtuar nga Heyrani në Tiranë është streha e tyre. Komisioni i Sigurisë Kundër Terrorizmit i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit zbuloi se MOIS i paguan Gjergji Thanasit dhe një agjenti tjetër lokal, Olsi Jazexhi, një mijë euro në muaj.

Bazuar në modelet dhe përvojat e mëparshme, aktivitetet e demonizimit dhe spiunazhit të agjentëve të MOIS në Shqipëri po i hapin rrugën terrorizmit të shfrenuar të regjimit.

Zbulimet e fundit të rrjeteve të inteligjencës së mullahëve në vende të ndryshme nënvizojnë nevojën për të zbatuar dispozitat e Deklaratës së Bashkimit Evropian të 29 prillit 1997 mbi “Përqendrimi në dëbimin e personelit të inteligjencës së regjimit iranian”.

https://www.facebook.com/IranProbeAl/posts/457022219415781

Vdekja m’flet serbisht! Poemë e Shqipe Bytyqit për viktimat e gjenocidit në Kosovë

0
Shqipe Bytyqi, poete, Zvicër
NJE QIRI DHE NJE POEMË PER VIKTIMAT E GJENOCIDIT NE KOSOVE
VDEKJA M’FLET SERBISHT!
(Dren Cakës)
Jam shpirt i ngritur nga grumbull kufomash
Jetoj për me dëftue
Vdekja është fqinji im
Ai që genin dhe gjuhën time mallkoi
Vdekja është një llavë krijesash me maska
Pa fytyrë, pa shpirt
Vdekja ka veç sy, duar dhe imagjinatë ferri
Vdekja flet serbisht
Ajo është e paparashikushme
Herë përzgjedh’ hijet nga kolonat e të dëbuarve
Herë-herë u fal’ amshimin të gjithëve
Pa dallim, pa asnjë mëdyshje, pa lëvizur as qerpikun
Jam shpirt nga grumbull kufomash
që shtirem si i vdekur
apo kufomë që shtirem sikur jetoj!
Jam ai çuni vogël prej Gjakove
Jam në mesin e rrethit të shtatë të ferrit
Dëgjoj përgjërimin foshnjor t’motrës, Dionës
si nën trupin e nanës, plumbash kositur
në agoni vdekjeje shuhet
Ai çuni vogël në mua, nuk u rrit kurrë
ashtu i vogël mbush, stërmbush,
ngulfat qenien time
ngritem e shtrihem bashkë me të
as n’varr s’do më lerë të qetë
e vdekja ende serbisht flet…
Edhe mbrëmë, sërish
isha në pragun e shtëpisë që digjej
pashë Flakën lozonjare si vallzonte n’flakë
vdekja m’përzgjodhi t’i numëroj vdekjet
t’i thërras në emër
t’ju shoh retinën se si shuhet
Rita, Dalina, Diona, veç nga dy pranvera
Marigona, Sihana, Arlindi, Delvina t’gjithë fëmijë
dhe Flaka, ah Flaka e tëra n’flakë
Trembëdhjetë fëmijë
Shtatë gra
Një burrë, rëndë sëmurë
dhe rrethi i shtatë i ferrit
I përgjërova t’më vrisnin
Zgërdhiheshin, ulërinin si ujqër
me ulurimën si kodin e tyre vrastar
Unë përgjëroja, vdekjen kërkoja
tmerr i shpirtrave që therren
kundërmim i njerëzve që digjen
lemeritje e gjenocidit n’fundshekullin njëzet
Nuk m’kujtohet
sa kohë ka
që shtrihem e zgjohem mbytur n‘lot
e vdekja ende serbisht m’flet!
Sh.Bytyqi, nga antologjia “Dritë mbi Plage”
Nëntëvjeçarit Dren Caka, të mbijetuarit të vetëm nga masakra e Gjakovës me dt. 02.04.1999 ku forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe dogjën 21 fëmijë dhe gra.