Kreu Blog Faqe 1445

Kalaja e Artanës, një përjetim i bukur dhe kënaqësi e paharrueshme

0
Nga Sheradin Berisha
Artana (Novobërda) shtrihet në lindje të Kosovës. Në veri kufizohet me Prishtinën, në perëndim me Lipjanin, në jug me Gjilanin dhe në lindje me Dardanën (Kamenicën). Në këtë lokalitet, rreth 30-35 km në perëndim të Gjilanit dhe 35 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, mbi një kodër malore (ndërmjet fshatrave Përlepnicë dhe Krivarekë) ruhen rrënojat e Kalasë – qytetit të lashtë të Artanës (Novobërdës).
Ky kompleks monumental është ngritur mbi një kodër, prej 1.124 metra mbi nivelin e detit dhe i ka të gjitha elementet e një qyteti të lashtë, me lagje, objekte të kultit, varreza, kthina, strehimore e puse. Në veri ka minierën, ndërsa në kodrat paralele me të, por më të ulëta, ekzistojnë rrënojat e Katedrales, e ndërtuar mbi themelet e një tembulli antik të shekullit IV para erës sonë.
Gjatë gërmimeve arkeologjike (jo sistematike) në periudhën 1951-2003, janë gjetur fragmente të qeramikës dhe monedha bronzi të periudhave të ndryshme, që nga periudha e bronzit, hekurit, pastaj nga shekulli IV dhe III para erës sonë. Dhe këto artefakte tregojnë se qyteti mesjetar “Novobërdo”, ishte ngritur mbi bërthamën e një vendbanimi të lashtë – antik.
Në shekullin I p.e.s. Straboni në veprën e tij “Geographica” përmend shumë qytete urbane të Ilirisë, të cilat i quan qytete të vjetra (Polis arhaia). Përpos Scupit (Shkupit), Naissusit (Nishit), ai përmend edhe vendbanimet mbi Ulpianë, qytetin në Veletin të Janjevës, dhe atë mbi Artanë (Novobërdë). Lokacioni i Artanës (Novobërdës) njihej si zonë e minierave të argjendit dhe arit dhe ishte i njohur për zhvillim të farkëtarisë dhe prerjes së monedhave.
Sipas dokumenteve të zbuluara deri më sot, ky vendbanim me këtë emër për herë të parë përmendet në dekadat e para të shekullit XIV, me emërtimin “Nuovo Monte”. Ky lokalitet ishte një koloni romake e shekullit të IX, dhe rëndësia e saj ekonomike është bazuar pikërisht në minierat e saj të argjendit dhe të arit. Puset e vjetra të minierave mund të gjenden ende në kodrat përreth.
Kalaja e Artanës
Kalaja e Artanës (Novobërdës), e emërtuar si “Mbeturinat e Kalasë Mesjetare”, daton nga shekulli XIII-XIV. Strukturat e para të Kalasë janë ngritur nga aktivitetet e hershme minerare. Kalaja është ndërtuar në një kodrinë shumë strategjike në formë të tipit fortifikatë dhe përbëhet nga dy pjesë, nga: Kalaja e sipërme e quajtur “Citadela” dhe ajo e poshtme. Kalaja e sipërme është ndërtuar në pjesën më të lartë të kodrës (1.124 metra mbi nivelin e detit), ndërsa ajo e poshtmja shtrihet në kodra më të ulëta, në lindje dhe juglindje (në formë të freskores), deri te miniera nën Malin e Madh.
Kalaja e sipërme ka gjashtë kulla. Kulla lindore dhe ajo perëndimore kanë bazë drejtkëndëshe, kurse të tjerat bazë katrore, dhe kanë një sipërfaqe rreth 0.05 hektarë.
Kalaja e sipërme ka qasje vetëm nga pjesa lindore, ndërsa nga pjesët tjera, pjerrtësia e kodrës është shumë e rrëpirët në drejtim të luginës. Në pjesën lindore, terreni ngrihet gradualisht dhe kalon në një kodër tjetër më të vogël, në platenë e epërme, nën të cilën gjenden rrënojat e një kishe të madhe mesjetare të tipit katedrale.
Kakaja e Novobërdës, 03. 09. 2013
Restaurimi i Kalasë së Artanës
Për ti ruajtuar muret dhe artefaktet e shumta të Kalasë, qysh nga vitin e kaluar (2014) Instituti Arkeologjik i Kosovës (me financim të Komisionit Europian), ka nisur projektin për restaurimin dhe konservimin e saj. Në këtë projekt kanë punuar arkeologë kroatë dhe shqiptarë.
“Fazën e parë e kemi përfunduar. Është bërë zbulimi, hapja e mureve. Pastaj matjet, dizajnimi i tyre dhe tani përgatitjet për fazën e dytë, ku bëhet fjalë për konservimin, ndërtimin e mureve. Jo si kanë qenë më herët, por në njëfarë mënyre të konservuara mirë. Zakonisht hasim nëpër artefakte të vjetra, bëhet fjalë për artefakte nga mesjeta deri tek ato të luftës së fundit, të Luftës së Dytë Botërore”, – kështu ka thënë për Top Channel, Fitim Bunjaku – menaxher i projektit për konservimin e kalasë. Arkeologët kanë gjetur edhe hyrjen kryesore të kalasë, puset e ujit, si dhe gjëra të tjera që shfrytëzoheshin nga banorët e kalasë.
Kalaja e Novobërdës – Top Channel Albania – Lajme
***
Ndërkaq në tetor 2015, gjatë restaurimit dhe konservimit të Kalasë së Artanës është zbuluar edhe një kishë e vogël. Arkeologu Haxhi Mehmeti, ka thënë se për këtë kishë askush nuk ka qenë në dijeni më herët. Sipas tij bëhet fjalë për një kishë të vogël, e cila mendohet të jetë ndërtuar diku në shekullin XIV’të, e që u shërbente vetëm banorëve, para sundimit të tyre nga osmanët, – transmeton Klan Kosova.
Restaurimi dhe konservimi i kalasë së Novobërdës – 22.10.2015 – Klan Kosova
***
Kalaja në Artanë – 01. 08. 2015
Punët konservuese dhe restauruese të kryera në kalanë e Artanës, nga viti 2015 deri më 2017, janë bërë me fonde të Këshillit të Evropës dhe nën mbikëqyrjen e UNESCO-s. Hartimi i projektit për konservim e restaurim është bërë nga kompania kroate “Omega Engineering”, ndërsa punët ishin kryer nga firma beogradase “Koto”. Për restaurimin e kësaj kështjelle është siguruar fondi prej 1.1 milion euro nga Këshilli i Evropës.
————-
Burimet:
– Kalaja e Artanës, Wikipedia;
– Databaza e trashëgimisë kulturore – Kalaja e Artanës (Novo Bërdë)”. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019;
– Artana, Wikipedia;
– Historia e Kalasë së Artanës (ish-Novobërd)
– Kalaja e Artanës, fortifikatë e ish qytetit më të madh në rajon, prointegra.
– Qazim Namani: “Konservimi” i Kështjellës së Artanës gjatë viteve 2015-2017

Ideali atdhetar, metaforë e lidhur nyje

0

Nga Shefqet DIBRANI

Kritikë letrare

Mentor Thaqi, “TRUNGU”, poezi, botoi «LENA», Prishtinë, 2018, faqe 140. ISBN 978-9951-755-89-4.

Vargu “Për këtë Tokë, të lidhur nyje”, nuk është vetëm metaforë lirike, është togëfjalësh, në letërsi quhet syntagmë, dhe kështu “lidhur nyje”, materializon idealizmin e poetit Mentor Thaqi. Ky qëllim i lartë patriotik, është preokupimi i tij jetësor dhe angazhim i përhershëm, sëkëndejmi, në planin krijues është shndërruar në pikësynim kryesor për t’i ruajtur vlerat, zakonet dhe traditën, përpjekje këto që lexohen në secilin varg të autorit. Andaj, vargu lirik, është jehu i këngës së tij për atdheun, vargje këto që shprehin edhe shqetësimin e përgjithshëm intelektual, shqetësimin e tij kombëtar. Në një nuancë tjetër edhe mërgimi është brengë e përhershme poetit, këtë e dëshmon me vargjet: “Baba iku në pakthim, unë ika në mërgim/ Shelnja aty në rranjë të veta mbet/ Moçnisun, por po mbahet/ Edhe pse vetmisë po i kjahet”, (faqe 37).

Kjo metafora epike, është po aq tragjike, megjithatë mbetet lajtmotiv tematik për mërgimin. Si strukturë poetike, është vargu artistik i sforcuar me shprehje lokale – dialektikore, që përbëjnë njërën nga figurat më të fuqishme stilistike, e trajtuar edhe nga poetë të tjerë, ndonëse te “Trungu” i Mentor Thaqit, është temë obsesive e kapur përë “Rrënjët”, një tjetër vepër e këtij autori.

Pa e njohur mirë traditën e Dukagjinit, dhe të folmën alegorike të saj, jo rrallë vargu të hamend, më e pakta të detyron t’i rikthehesh së lexuari disa herë, dhe kjo për mua është art më vete, të cilin secili poet nuk mund ta shkruaj e thotë, as nuk mund ta shprehë kaq bujshëm. Në anën tjetër të gjitha këto shprehje në letërsi kategorizohen në dy grupe: Figura letrare alegoria e hiperbiola ndërsa stilistike janë ironia dhe epiteti.

Këto figura letrare, e kanë bërë lirikën më të dendur dhe herë të tjera me figuracion karakteristik. Gjithësesi, poezia është art i perspektivës, i progresit, i humanës dhe njerëzores njëkohësisht, prandaj poeti pretendon se, “Kullën mbi ato hatlla do ta maroj/ E kateve sall hatllat ua shtoj”, (faqe 12). Siç shihet, “Kullën”, poeti e ka shndërruar simbol në poezi, por atë – Kullën, ia la amanet “përtegjyshi”, përkatësisht stërgjyshi i cili kullës: “U vuri edhe çupri e dyreq/ Për dimra të zi e mot të keq”, një përdredhje e veçantë artistike, një shprehje e lartë poetike. Gjithashtu poeti shprehetse ka “… gjithmonë në kujtesë katragjyshin Xheç”, (faqe 12). Metafora e kësaj poezie sforcohet edhe me vargjet: “Verra t’Dukagjinit/ Autoktonë, heret a vonë”, për kujtesë historike ka përjetim magjik, dhe kurdoherë: “Në kujtesë më ka mbetur/ Kajusha n’ato degë/ Kasollë për gjashtë muaj verë”, (faqe 13). Kjo ndërthurje përbën mozaikun e përgjithshëm të të gjitha shtresëzimeve kulturore e historike në mes gjeneratave, gjerë tek poeti Mentor Thaqi. “Tevona… edhe vëllai u tha e ra/ Thanë se reja n’shpirt e kish vra/ Bashkë me t’vëllanë… varr’të pa ia pa”, (faqe 14). Mbase kjo ndodhi, sa tragjike po aq është trashëgimi zakonore e kulturore, e cila u bart nga brezi në brez, ndërsa poeti ynë paska vendosur për t’i lënë të shkruara në librin “Trungu”, që duket të jetë unazë lidhëse me “Rrënjët”, që përkon me titullin e një libri paraprak. Trungu i tanishëm është ndërmjetës në mes rrënjëve dhe kurorës, ku hipotetikisht mund t’ia llogarisim librat tjerë se janë kurora e angazhimeve poetike. Ky është Mentor Thaqi, poezia e tij është kjo, por për vete është shndërruar në personalitet dhe figurë e njohur në fushën e kulturës dhe të letërsisë, të skenës dhe skemës kulturore, kudo dhe kurdo, i gatshëm, i papërtueshëm dhe bujar, epitete që ndërthuren me traditën e tij familjare, por edhe me individualitetin krijues, së këndejmi edhe me tipin dhe motivin e poezisë që krijon, të cilat së bashku formësojnë sentencën lirike, e cila shpesh duket sikur të ishte fragment për pjesë teatrale, për recital a deklamim skenik, art të cilin Mentor Thaqi, veç edhe më shumë se sa poezinë, e zotëron dhe e ka pasion më mirë se kushdo tjetër, veçmas brenda arqipelagut të krijuesve shqiptarë në mërgatë.

 

MEN’O M’THA

(Mendo më tha)

 

Fjala e babës

Në frymën e fundit

“Biro, rri n’kamë tua

Edhe kur t’zezat dalin maje kreje

Meno për ata mas teje”

 

Mora frymë

Të dytë në ecje hymë

 

U mundua t’i mbyllte sytë

Po jo të dytë

Mua më mbet fryma e tij

Ende e mbaj në gji

Sot e për pleqëri

 

Faqe 10.

Poezia e Mentor Thaqit, në përmbajtje, përveç mesazhit të fuqishëm patriotik, ka qëllim ndërgjegjësimi dhe emancipimi. Tamam siç është shprehur në poezinë epitaf për “PLEQTË E LLUKËS”, poezi kjo që gjatë do të mbahet mend, prandaj ne po shkëpusim dy strofa të cilat i përjetuam më thellë:

PLEQTË E LLUKËS

Te tanë të një mase, te tanë të një pamje

Te një gjeni, të një gjaku, të një dere

Te një gjuhe, të një gjaku, të një pragu

Te tanë thaçjanë, shaljanë llukjanë

Pleqtë e llukës, urtakë shekulli

Pushojnë në rrajë të veta mbushur nderi

Me ballë prej veri

Me një epitaf i përthekon te tanë

“Vulë kjenësie ishin dhe janë

Nderë patën e nderë na lanë”!

Poezia, PLEQTË E LLUKËS, Faqe 17.

Ky portretizim për të parët e vet, është virtyt, prandaj poeti shkon gjerë në sakrifikim të lirikës për traditën patriotike, syntagmë (togfjalësh), e dukshme dhe e përjetuar edhe në këtë libër poetik, nga i cili mësojmë se “Premtë Mema i Lluksë/…/ Dy orë rrugë prej vrapit t’kalit/ Gjysma e rrugës hijeve t’malit/…/ U rikthye me prarim të diellit”, dhe bashkë me Premtë Memën e Lluksë, e zezë dita për shekuj me radhë mbuloi Dardaninë, por: “E zezë dita tha, kur e pvetën/ Ynë Zot Pjetër Bogdani nuk e fitoi luftën/ Fitoi një pëllëmbë të tokës së vet/ Do djem tanë bashkë me te na ranë në Prishtinë”, (faqe 18).

Vërtetë poezia ka figuracion magjik, ndërsa vet poeti ka frymën dhe arsyen e vet, pse nuk merakoset aq për formën e lirikës, kur nga shpati duket se poezinë fillimisht e ka mision e pastaj pasion, prandaj e krijon vetëm për shpirtin e vet dhe më pas edhe për shpirtin e të parëve t’vet, dhe kjo është tradicionale, është edhe patriotike, kështu si askush tjetër ka mbushur amanetin e Babait dhe të parëve të vet. Poezitë në librin “TRUNGU”, qëndrojnë stoike të mbështetura mbi “RRËNJËT” e veta. Në aspektin letrar, shihet se motivi ideor është vazhdimësi e librit “RRËNJËT”, dhe bashkë me librat tjerë, siç e theksuam edhe më parë, poeti e ka ndërtuar kurorën, jo vetëm si zbukurim artistik, por ka bërë pemën gjenealogjike të të parëve të vet, e sforcuar kjo përmes poezisë, pasi ruan motivin e traditës patriotike, duke u bërë më e dashur, më e kapshme dhe më e pranueshme, andaj ky sforcim pozitiv shihet nga poezia në poezi.

E Rrasa, përballë dëshmitare

Datat e trishta kallë

Ah! Po këtu i thonë Koshare

 

Do të doja t’i mbledh një dorë lulevere

Shpatijeve të mbjellura me plumba

Nënqiellit të vërshuar me pëllumba

Drejt, drejt te ato Lapidare të Lirisë

Koshare e Dardanisë, e Shqipnisë

E t’iu them

O Heronjtë e mi

Ju jeni kushtrimi që jehon, që s’pushon

Ju, Ju po po, Ju trimëri që bulon

 

Poezia “KOSHARE SHQIPTARE”, faqe 48

 

Në një rast tjetër poeti shkruan: “Sy e vesh çikat, shpatijeve në bjeshkë/ Harruan xherxhefet dhe kërrabzat në xhubletë/ Kënga e dashurisë, shpirtin sikur eshkë/ Ndezur në zemra, në dashuri na ishin tretë”, (faqe 76). Ky motiv, është tregues se poezia është art i tranzicionit të brendshëm kulturor. Është vetëvetja! Është vet Mentor Thaqi, dhe më në fund themi se është edhe “KËNGA E BARDH DUKAGJINIT”, ku poeti e paska derdhur tërë elanin poetik:

 

– O Bardh Dukagjini, mos e ndal baladën

Gjejmë bashkë zgjidhjen për atë tel t’lahutës

O Kreshnik legjendash, qe ku e ke dadën

Tel sot e kje këtë fije floku t’Tanushës

I hoq dy fije floku, të gjata plot një pash

I bëri dredhë, Bardhit në dorë ia dha

Vazhdoi Bardhi këngën edhe më me afsh

 

Ah sa jehuan shpatijet dhe Lugu i Lumëbardhit

 

Faqe 76-77.

 

Jo vetëm poezia si krijim lirik, por edhe vargjet ngjasojnë me baladat, janë pjesë e procesit, dinamikë e cila krah për krah zhvillimeve të gjithmbarshme nacionale, transformohet, jo vetëm si art letrar e si kulturë letrare, por edhe si kulturë politike e shprehje e lartë poetike e realizuar në këto lirika!… Poezia “PESHA E FJALËS” e materializon mendimin tonë të shprehur për poezinë në fjalë.

 

E shoshitën, e sitën, e bluan

Sa im, egër, e butë

guri as vulë s’un i vnuan

 

E tjerrën, e herrën, e djerrën, e bjerrën

Po ec e bëje pe t’i shkohet për filli

 

Sa e zbutën sa e egërsuan

Prapë guri s’i vnuan

 

Nuk i gjetën gjërsi as gjatësi

Me pash, hapa, kut e klic, as berxhik

N’hall të matnit, ore bre

 

Po po, e matën e ç’matën

Sa në vagë, në kandar, në terezi, me okë

Po peshën s’ia gjetën

E n’peshojë s’e vunë

 

Dikur, doli një i lënë kah shneta

Po bukur gjins nga mendja

I vuri guri e vulë, i gjet peshë e masë

E u tha

… “te arsyeja aty âsht’ nyja”

 

Faqe 84.

 

Në esencën e saj, poezia e Mentor Thaqit, është edhe strategji e kuptimit dhe mundësi e interpretimit më të thellë letrar, për t’i transmetuar deri tek tjetri pikëpamjet krijuese, imazhe që stimulojnë imagjinatën dhe nxisin fantazinë krijuese, pa të cilat nuk ka art e as vlerë letrare. Në këtë aspekt e shoh të udhës të citoj disa vargje të cilat përveç botkuptimit letrar, janë vargje të realizuara me sukses dhe kanë metaforë, shpeshherë të papërseritshme: “Zoti na ruajtë nga pjella jonë/ Herët a vonë“, (faqe 33), Trupova Drinin n’kapërcim/ Dhe rashë nën Dri/ Edhe pse i dola përmbi/…/ Shqipni, unë jam aty me ty/ Nën apo mbi Dri, po aty“, (faqe 34), “Bardhokë, moj faqekuqe/ Lum ai që të sheh në prag të vet/ Në pamje të parë, pse të tjerët nuk i vret“, (faqe 36), “E donte Zefi arën e vet, o babë…!” dhe “Çudi more babë. Çka asht’ ky farë beteri/ ato gjithmonë erdhen prej veri/ po t’thotë ty qyky Imeri“, (faqe 41-42), “Sa dhimbshëm tingëllojnë këto dhimbje/ Prapë n’udhëtim me lot për kthim/ Lutjet e tyre për jetën, për vdekjen/…/ Sall mallin sërish me vete/ Atë e patën kulm jete“, (faqe 45-46), “Fshiu sytë e lagun prej loti/ Ashtu siq shtrydhet reja në pikë moti“, (faqe 51), “Bjeri kah të duash poet/ As ti sot nuk je vetja jote“, (faqe 62). “Toka, Atij i dha emrin e vet/ Ai Tokës në Identitet-Dinjitet“, (faqe 65), “Tevona, telashe për farë/ Loti në sy e syri n’arë“, (faqe 82), etj.

Përveç metaforave të shumta të kësaj natyre, të cilat i theksuam më lartë, poeti Mentor Thaqi, ka ndërtuar edhe postulate të cilat shëmbëllejnë si urti, anekdota, këshilla e thënie popullore: “N’jetën tème pash’ sa m´pau menja“, “Po ti mso prej kohe, sall koha nuk gabon“, “Nuk po t’lâ shumë pasuni, se as vet nuk pata“, “Munohu me dhanë ma shumë se me marrë“, “Borxh Iratin (pasurinë), ruaje e mos e hup”, “Borxh neren, mos luaj me tâ, nuk âsht me luejt“, (faqe 50-51), “Dje, qaja kur këndoja/ Sot këndoj kur qaj“, (faqe 61), “Sall dhimbjen e zgjata/ Sall ligësinë e mata/…/ Ah! Shumë rëndë cinizmi i mikut/ Më i zi se nënshtrimi i vëlla manafikut“, (faqe 74), “Kot u munduam të blejmë lesh dreqi/ Me lesh nuk mshilet veshi“, (faqe 81), “Duhet me pa ma larg se pertej hune/ se maruem me t’rrxume“, (faqe 89), “Shpi, shpi, n’truallin tem/ për tjerat mun t’bâjm kuven“, (faqe 94), “Syri i untë sheh përtej deti/ E nuk të lë të shikosh përtej hunde“, (faqe 96), “E rëndë të shitet shpirti njëherë/ Tevona bëhet lojë shit-blerje/ Pa fije vlere, pa fije ndere// Që miu të mos bie për mustaqe/ Po u dashka që mustaqet të hiqen/ Fare miu mos të ndiqet“, (faqe 105), “I pa pjekur plaku e pleqnar fëmija“, (faqe 106), “E bënë të heshtë një njeri/ Vetë toka zbulon atë fshehtësi“, (faqe 107), e një varg i gjatë që nuk arritëm për t’i evidentuar e theksuar.

Karshi këtyre, poeti e ka zhvilluar edhe ironinë, kryesisht si figurë stilistike, që ka zënë vend meritor në vargun e tij. Ironinë, si figurë stilistike, poeti e ka përdredhur si varg artistik, duke përqeshur e vënë në lojë vese të shëmtuara. Sa për ilustrim po citojmë: “Më thanë, të thanë, na thanë“, (faqe 39), shpreh botkuptimin ironik për diskutimet pa rend e pa vend, pa fakte e argumente, ose në një rast tjetër ironizon kështu: “E ne të njëjtët si dje/ Kuaj pa fre/ Kris e mos the/ Me të vjetrën e re/…/ Ah, melodioze, vicioze/ Sa skandaloze, aq tekanjoze“, (faqe 53), etj.

Mendoj se lexuesi i vëmendshëm, kollaj e ka për t’i kapur këto fije, dhe pastaj për të transmetuar tutje imazhin lirik, i cili nëpërmes vargut artistik edhe te poezia “AI DHE AJO”, bëhet më e sforcuar, si nocion dhe si motiv lirik. Këto lirika, që nuk janë të bollshme, as të mjaftueshme, si motiv kanë shfaqur anën tjetër të angazhimeve letrare, dhe njëkohësisht shprehin nivelin artistik të kësaj poezie:

 

AI DHE AJO

 

Ai i tha, të shtatë ngjyrat e ylberit

I zbres në tokë për ty, për këta sy

 

Ajo i tha, ti vetëm një ngjyrë

Më sjell në fytyrë, atë të buzëqeshjes

 

I ranë trup heshtjes

 

Ajo vazhdoi, në të shtatat janë

Që ylberi i mban

 

Ai lehtë e puthi,

Ajo u skuq si prej fruthi

 

Të dy buzëqeshën

Ashtu si deshtën

 

Faqe 110.

 

Pa dyshim se dinamika jetësore është ndikuese e pashmangshme e proceseve, ajo ka vepruar dukshëm edhe në vetëdijen krijuese. Mërgimi po ashtu, e kjo ndjenjë mund të zbërthehet nëse i lexojmë edhe një cikël të tërë të poezive, të cilat shfaqin botkuptim tjetër dhe kanë fuqi për ta interpretuar mendimin krijues në formën më të saktë, psh.: “Borxhet e Babait”, “Loti i Babës”, “Dysllykët e Babës”, “Shpi do të maroj, tha”, “Syni i untë, Babo”, “Ka thanë Baba Zeqë”, pastaj, “Tha përtegjyshi im”, “Eh… Etërit’ dikur”, “Kur shmojke Babëgjyshi”, etj. Poezitë kushtuar grave e bëjnë figuracionin në poezi më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm: “Nëna Galë”, “Kur u nëm femra”, poezi këto që kanë ndërtim specifik dhe shoqërohen me karakteristikën e vargëzimit. Poezi me motivin e vendlindjes janë: “Pleqtë e Llukës”, “Ara e Zef Llukës”, “Llukjanët, vulë kohe”, “Shtatë copë Llukë”, të cilat bindshëm thonë se poeti është i lidhur për atë vend si mishi për kockën. Në ciklin me poezi përkushtuese do të veçonim: “Darka e Lamës”, kushtuar Presidentit Rugova, “Tha kolosi”, “Ju kam thanë qysh në lindje”, kushtuar Sofë Rugovës, “Në Prekaz”, “Te këmbët e legjendarit”, kushtuar Adem Jasharit, “Piktura e heroit”, kushtuar Agim Ramadanit, “Be e rrfe, komandantit”, kushtuar Mulla Idriz Gjilanit, “Jo jo, o kapedan”, kushtuar Prek Calit, “Ah more bir”, kushtuar Azem Shkrelit, “Gjergji, ky i treti që nuk treti”, kushtuar At Gjergj Fishtës, “Në Thethin tënd”, kushtuar Robert Elsie, etj. Ndërsa një cikël tjetër, janë përkushtime me vlerë por secila është pothuajse motiv më vete: “Disidenti”, “Erë fisnikërie”, “Eu Dardani, eu po të thonë”, “Medvegjë”, “N’Dulcinum, po ku tjetër”, “Jetë n’përplasje”, “I (pa)zhgënjyer sakaq”, “Vret njësoj”, “Po ju them”, “Syri i keq”, “Shoq”, “Ah, ëndja <kojtja>”, “Foli toka vetë”, “Mbi e nën dri, Shqipni”, “Ah, Shqipnia ime”, “U kry kur të bëhet Shqipni”, dhe të tjera që ngërthejnë një vister idesh e ndjenjash, prej më të ndryshmeve, motive e përkushtime të këndshme ritmike dhe tematike!

Nga i tërë ky material që kemi cituar, mund të përfundojmë se aspekti i poetikës në poezinë e Mentor Thaqit, dallon kryesisht për motivin ideor dhe ndërtimin karakteristik të këtij motivi. Struktura e kësaj poezie ka vlerë artistike, kurse përjetimi përvetëson ndjenjën patriotike, ndonjëherë jo me metaforë eliptike por me mesazh të drejtpërdrejt, por mirë e konceptuar, në të cilat elementi i atdhedashurisë është futur në funksion të verbit poetik. Jo rrallë, motivet janë të thella dhe po aq përjetuese. Kështu në formën më vetanake autori i ka adresuar problemet kombëtare, madje që nga antikiteti e gjerë në ditët e sotme. Prindi, gjyshi, kryeplaku, kryebajraku, janë me fat që i paskan falur simbolin poetik mbi figura të tyre. E qartë, poeti është fokusuar në këto figura, madje ka ndërtuar simbolikën e verbit poetik, pikërishtë mbi vlerën etnografike e etno-regjionale të Dukagjinit, pa të cilën poezia e Mentor Thaqit, nuk do të kishte këtë ndijim kaq artistik!…

 Eh, eh që nga iku Baca Belë

Janë ndryshkur edhe kazanët

Rakia u pi e shkoi

Po legjenda mbet e mbijeton

 

Poezia “RAKIA E BACËS BELË”, Faqe 117-118.

 Sipas vargut “Po legjenda mbet e mbijeton”, mund të themi sepo aq sa do të jetojë “Legjenda për Bacën Belë“, do të jetojë e mbijetojë edhe krijimtaria e poetit Mentor Thaqi, bashkë me të, sigurisht edhe poezitë e përfshira brenda librit “TRUNGU”, që e patëm subjekt trajtimi!

St. Gallen, 20.12.2021.

Zef Prekë Kaqinari atdhetari i urtë që kurrë nuk e vrau këngën e vet

0

Në foto: Zef Kaqinari, Nue Oroshi dhe Tom Kaqinari

Nga: Nue Oroshi

Zef Prekë Kaqinari atdhetari i  urtë që kurrë nuk e vrau këngën e vet

Fund nëntori i vitit 2021 në prag të festës se madhe të 28 nëntorit të ditës se Pavarsisë së Shqipërisë u hap lajmi e mori dhenë se në moshën 87 vjeçare vdiq një trim i urtë e atdhetar i mirëfilltë Zef Prekë Kaqinari.Si në legjendat e lashta kur mbrohet diniteti i shqiptarit dhe nuk lejohet që të shahet nëna shqiptare që u sakrifikua me shekuj për lindjen dhe rritjen e familjes e as Zoti që na ka krijuar, Zef Kaqinari nuk lejoi që të poshtërohet në atë mënyrë por e mbrojti dinitetin e shqiptarit.Ishte një rrugë jo e lehtë mbrojtja e këtij diniteti ku dy shqiptar nga  Mirdita, Zef Prekë Kaqinari e Mark Allaku u deshtë që të përballen me qindra përsona të tjerë në tramvajën numër 11 në 21 qershorin e vitit 1965.

Zefi sipas traditës kishte ruajtur revolën që e mbante me vete kurse Mark Allaku në këtë ditë kishte pas me vete vetëm një qadër të re, që sillte me ta si me qenë shpatë duke u pre,sepse kishte ardhur mysafir nga Kosova në Zagreb.Dy mirditor të edukuar më traditat shqiptare njëri nga Velezha e Prizrenit e tjetri  nga Moglica e Gjakovës u përballën me një furi përsonash por nuk u dorëzuan.Më në fund revolja belgiane i ndau punët ku mbeti i vrarë shoferi i tramvajit,por edhe Zefi e Marku u lënduan.Si në legjenda të lashta kur dy të rinj të dalë jashtë trojeve të tyre për një jetë më të mirë u përballën për një moment me vdekjën vetëm e vetëm se ishin edukuar në frymën kombëtare për mbrojtjen e dinitetit kombëtar.Familja e Zef Kaqinarit është me prejardhje nga Kaqinari i Mirditës e cila para disa kohesh ishte shpërngulur në Velezhë të Prizrenit ku në vitin 1934 kishte lindur Zef Kaqinari.Veshtirësitë jetësore dhe presioni i aksionit të armëve qe ishte shumë i vrazhdë në famullinë e Velezhës bëri që familja Kaqinari të kërkoj një jetë të re dhe u vendos në Zagreb.Zefi ishte një burrë i urtë dhe puntor.

Ai asnjëherë nuk e deshi që të lavdërohej me veprën e kryer por  e konsideronte vetëm si një rastësi ku nuk ka mundur ta duron shamjen e nënës shqiptare por ka vepruar në vetmbrojtje.Zef Kaqinari asnjëherë gjatë tërë jetës se ti nuk e vrau këngën e ti siç po ndodh sot me disa luftëtar që po i vrasin këngët e tyre me vepra jo të mira.Familja Kaqinari në Zagreb dhe rrethinë kishte ndihmuar shumë shqiptar në  hall dhe shumë student që studionin në Kroaci dhe që kishin kushte të rënda në familje.

Ata student kanë gjetur strehim dhe ushqim pa pagesë shumëherë tek familja e Zef Kaqinarit.Vlenë ta theksoj një fakt të një atdhetari të Shqipërisë Etnike bacës Emin Fazlia alias Emil Kastrioti që ma ka rrëfyer sa ishte gjallë.Pas lirimit nga burgu dhe mosmundësisë se gjetjes se një pune në Kosovë baca Emin kishte shkuar të jetonte në Kroaci.Meqenëse edhe atje bënte një aktivitet kombëtar ishte rrezikuar që të burgosej ose të vritej.Falë humanizmit të Zef Kaqinarit i cili i jep hua një sasi të mjeteve dhe i siguron një dokument udhëtimi.Ai arratiset nga Kroacia dhe vendosët në Gjermani.Gjatë bisedës me Emin Fazliun shpeshherë më ka folur për këtë rast dhe ju ishte mirënjohës për jetë të jetëve Zef Kaqinarit për faktin se i ka shpëtuar jetën dhe ka ruajtur një miqësi me të.Kur filloj lufta në mes të Kroacisë dhe Serbisë familja Kaqinari ishin rreshtuar në ushtrinë kroate.

Një luftëtar i shquar kundër serbëve ishte edhe djali i Zefit, Tomë Kaqinari që e udhëheq shoqatën e veteranve të luftës në Kroaci dhe është mjaft aktiv në komunitetin shqiptar në Kroaci.Për herë të fundit me bacën Zef kemi biseduar në festën e Pavarsisë së Kosovës më, 17 janar 2019, se bashku me Tunë Noc  Topallin kemi biseduar disa orë duke evokuar kujtimet në Kosovë e sidomos bisedat gërshetoheshin rreth bisedave të hershme që kishin me babain tim Markun.

Kur vransirat e kohës dhe të ftoftit e dhjetorit më sjellin kujtimet si në balada të lashta më mbesin në mendje trimëria dhe gjeturia e këtyre dy të rinjëve te rrethuar në një vend të huaj nga dhjetra udhtëar që sillnin panderprerë.Duke e kujtuar po ashtu edhe këngën e Zagrebit të këngëtarit legjendar Augustin Ukajt: moj allti moj belgianenam të madh në Zagreb na bane” dhe pastaj duke e përfunduar me fjalët:”Nuk luftuam për mendje t´madhe-as s´luftum se spatëm pare-na nxu puna e spatëm qare-se shqiptart kurr s´kan vdekë me marre.

Historianët shqiptar duhet ta shkruajnë në mënyrë korrekte përkufizimin e periudhave historike

0

Nga: Nue Oroshi

Metodologjia e punës së historianit luan një rol kryesor në paraqitjen e të vërtetës historike.Nëse që në fillim nuk përdorët si duhet metodologjia shkencore dhe historiani nuk është në gjendje të dalloj si duhet e sa duhet periudhat historike që shkruan studime atëherë që në start studimi që paraqet është një studim i orientuar gabimisht ku që në fillim historiani e bën ngatërrimin e periudhave historike.

        Për pesë dekada historianët shqiptar në Shqipëri,Kosovë dhe vise të tjera shqiptare i ngatërruan qëllimisht periudhat historike dhe dikush për të fituar privilegje e ndonjëri për të ngrënë një copë bukë dhe për ti rritur fëmijët e tyre shtrembëruan historinë.E shtrembëruan deri në atë mënyrë sa që e fallsifkuan edhe periudhat historike.Nëse e marrim si shembull vetëm periudhën e Luftës së dytë Botërore në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare në ish Jugosllavi komplet periodizimi i historisë ishte i gabuar që në përkufizimin e saj.Periudha kohore 1941 -1944 u karakterizua si periudhë e pushtimit gjerman të Kosovës gjë që nuk qëndron absolutisht ky fakt sepse është një fallsifikim i madh që na u servua për 50 vite të tëra.

      Ky përkufizim është i saktë vetëm sa i përket Jugosllavisë ai fakt qëndron se Gjermania e pushtoj Jugosllavinë por jo edhe Kosovën dhe viset e tjera shqiptare që ishin të pushtuara nga Jugosllavia.Një vend nuk mund të ketë dy pushtues në të njejtën periudhë historike.E vërteta qëndron se Kosova dhe viset e tjera shqiptare që ishin nën pushtimin e Jugosllavisë më përpjekjet e forcave atdhetare dhe nacionaliste kishin nxjerrë një protektorat gjerman që ju mundësonte përgatitjet për bërjen e bashkimit kombëtar në një shtet të përbashkët në Shqipëri Etnike.Populli shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish Jugosllavi e ka krijuar një shprehje shumë interesante dhe shumë të saktë “Koha e Shqipnisë”. Një gjë në histori dihet dhe duhet te thuhet është fakti se nuk kishte një qëndresë të komunistëve kundër forcave gjermane.

          Ato janë vetëm pallavra të komunistëve dhe fallsifikim i historianëve pakurrizor.E vërteta është e dhimshme por duhet te thuhet se periudha kohore në mes të viteve 1941-1952 ishte periudha e viteve të luftës civile në Shqipëri,Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare në ish Jugosllavi.Në një anë e kemi qëndresën e luftëtarve dhe nacionalistëve shqiptar të kryesuar nga komandanti legjendar Kapidan Mark Gjon Marku, Kapida Ndue Gjon Marku,Kapidan Llesh Gjon Marku,profesor Ymer Berisha,Marie Shllaku,Shaban Polluzha,Mehmet Gradica,Ndue Përlleshi,Xhemë Hasa Gostivari,Myfailat e Zajasit,Prekë Cali,Gjelosh Luli,profesor Bedri Pejani,Ukë Sadiku,Xhafer Deva,At Bernard Llupi,Mulla Idriz Gjilani,Rexhep Mitrovica,Ahmet Selaci,Bislim Bajgora,Gjon Sereqi dhe shumë e shumë atdhetar të tjerë të vijës e orientimit perëndimor që e donin Shqipërinë e bashkuar dhe demokratike ndërsa në anën tjetër e kemi vijën pansllavisto-komunsite në Shqipëri dhe Kosovë, të kryesuar nga komunistët  Enver Hoxha,Fadil Hoxha,Mehmet Shehu,Ali Shukriu,Milladin Popoviçi, Svetozar VukmanoviçTempo,Dushan Mugosha, kolonelet rus Sofolevski dhe Valevski dhe komplet vija pansllaviste.E vërteta duhet të thuhet se forcat e atdhetarisë shqiptare në Kosovë dhe në Iliridë u shuan edhe me ndihmën e tri brigadave komuniste të ardhur nga Shqipëria për të ndihmuar kriminelët Tito e Rankoviç që ta rikthejnë Kosovën dhe pjesët e tjera  shqiptare që tani vetëm e ndienin kohën e Shqipnisë nën pushtimin komunsit jugosllav ku edhe ja arritën qëllimit duke vrarë 47.000 shqiptar atdhetar e nacionalistë dhe duke djegur edhe fëmijet nëpër shtëpi siç ishte rasti i  djalit  të vetëm të Zef Përlleshit që u dogj në djep në moshën 9 mujore, vëllait të madh të Ndue Përlleshit në shtëpinë e ti në Paskalicë.Apo siç ishte rasti i vrasjes së djalit të vetëm të një nëne në një fshat te komunës se Vushtrisë ku komunistët i kishin vrarë djalin e vetëm dhe kishin filluar të luanin valle rreth kufomës së tij dhe ishin vendosur në atë shtëpi që ta bëjnë gjumin dhe  për të ngrënë darkën.

        Nëna e gjorë duke e përdorur moton nuk me nevojitët votra pa djalë ajo në mes të natës kur kriminelët komunist ishin fjetur i fut duajt e kashtës në odën e burrave dhe e ndez komplet shtëpinë së bashku me komunistët mbrenda duke u hakmarrur shumë mirë për djalin e vrarë.Kur u vijnë përfocimet komunsite dhe e pyesin nënëlokën pse e bëri këtë vepër ajo para se të pushkatohej i tha dy fjalë:”Nuk më nevoitët votra pa djalë” dhe jam e gëzuar që po vdes krenare që mora hakun e djalit te vetëm. Shoqata” Trojet e Arbrit” është i vetmi institucion shkencor, kulturore dhe  atdhetar që është duke e bërë si duhet periodizimin e historisë dhe është duke e shkruar historinë ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë dhe jo ashtu siç kanë deshirë disa të ketë ndodhur.

        Derisa në diktaturën pushtuese komuniste historianët kanë punuar sipas vallës që ua kanë servuar sot është koha që ata të punojnë në gjuhën e argumentëve shkencore dhe ti thonë saktë periudhat historike.Nëse Kosova qenka çliruar sipas disa pseudohistorianeve në vitin 1944 atëherë çka iu është dashur  Kosovës që të zhvilloj edhe një luftë për çlirimin e saj në vitin 1998-1999.Një vend që është çliruar njëherë nuk ka nevoj të luftoj dhe të jep prap edhe 15 mijë shqiptar që janë vrarë e mijëra shtëpi të shkatërruara dhe pasuri te shkretnuar në shumë aspekte që nuk jemi në gjendje ende të bëjmë identifikimin e tyre.Shteti i Kosovës i ka rrënjet në Kryengritjet shqiptare të burrave atdhetarë e nacionalistë e jo në veprimet e bashkëpuntorëve të Beogradit e Moskës.

      Historianët shqiptar duhet të kenë kujdes në këtë periudhë kohore që mos të shkruajnë gjëra të pavlera apo kopjet që kanë shkruar dikur në kohën e komunizmit.Fishta do t´iu thoshte: “ortë shkretë, ore t´mjer që u ka marrë koka erë“, ndërsa unë do ta përfundoja këtë shkrim për kolegët që ende nuk janë vetdijësuar kombtarisht se shkruani të vërtetën nëse dëshironi që studimet tuaja ti mbetën historisë në të kundërten do të hudhën në koshin e plehrave si propagandë politike e komunizmit.Historianët shqiptar duhet ta thonë te vërtetën historike se nuk kishte Parti Komuniste të Shqipërisë e as Parti Komuniste të Kosovës, të dyja kanë qenë dy degë apo dy filiale të Partisë Komuniste Jugosllave.Po ashtu duhet ta dinë historianët se nuk ka pasur fare ushtri nacionalçlirimtare të Shqiperisë e as ushtri nacionalçlirimtare të Kosovës sepse të dyja këto grupe ushtarake janë komanduar nga Beogradi dhe ushtarakët e emisaret e tyre ne Tiranë e Prishtinë.E vërteta është e dhimbshme por ajo duhet të thuhet.Historian i mirë është vetëm ai që e thotë të vërtetën.

     Si përfundim të këti shkrimi kam zgjedhur një dialogë që është zhvilluar në mes të atdhetarit Prenkë Cali dhe kriminelit Mehmet Shehu pasi të nxihet tradhtisht Prenkë Cali.Mehmet Shehu i drejtohet me këto fjal viganit të Malsisë Prenk Calit:”E more Prenkë Cali të pat ardhur koha që ta mbyllje historinë me shkronja ari po tu bëje me ne komunistët”, e atdhetari Prenkë Cali pa i rrahur fare qerpiku i lidhur këmbë e duar dhe më një trimëri të pashoqe i përgjigjet kriminelit Mehmet Shehu: “Jo zotni faji bjen mbi ju komunistët se ju u bëtë me anmikun shekullor të shqiptarit me shkaun”.

Letrat e dy suedezeve/suedezëve, ishin më shumë se kujtim-e

0

Albanologu suedez, Ullmar Qvick

Sinan Kastrati, Suedi

Vazhdon nga numri i kaluar ”A ishte porositur intervista me Ahmet Krasniqin …? ”Drini.us,

Nga Ditari im

Më 23 Dhjetor 2021

Për shkakun se fjalët i lash ”peng”, në ”Revistën Drini, e kur njeriu i len fjalët ”peng” (dorzan) vetëm kryet e nxjerrin, prandaj dua të vazhdoj edhe me disa letra nga një albanolog dhe një ish mësuese imja, të dytë suedezë, Ullmar Qvick dhe Ann- Britt Boman.
Në fillim të veprimtarisë së tij, Xhek London 1*) kur shtëpitë botuese, nuk ia kanë botua shkrimet, ai ka hyrë në zyrët e (krye)redaktorëve dhe fizikisht i ka sulmua, me grushta. Njëjtë ka veprua edhe Strindbergu 2*) suedez, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, por që nuk e ka ”fitu” qmimin NOBEL në Letërsi. Strindbergu, Akademinë Mbretërore (Akademinë e Shkencave), ku ndahet qmimi NOBEL në disa fusha të dijes, si në Letërsi, Kimi, Fizikë, Medicinë, Ekonomi, iu ka hy në zyre antarëv të akademisë dhe është rrahur me akademikët, pse nuk i kanë ndarë cmimin NOPBEL për Letërsi, sepse ai kishte nevojë për para.
Qmimi NOBEL për paqë, ndahet në Oslo të Norvegjisë, nga shkaku se kur jetonte dhe vepronte Alfred Nobel-i 3*), Suedia dhe Norvegjia ishin një Union (një shtet), prandaj Norvegjia e ndan qmimin për paqë ani pse Nobeli është suedez.
Dhe nuk është e habitshme që një ditë, edhe ne që po ”debatojmë” në ”Drini”, do ta sulmojmë Redaksinë e Revistës ”Drini.us” dhe përgjegjësin e saj, Gjergj- Bajram Kabashin por jam i sigurtë se ne (edhe unë) nuk do të behemi kurrë si Strinbergu e Jack London apo Alfred Nobel.
Kur erdha në Suedi, nuk njihja askënd. Kisha dëgjua për Univerzitetin e Upsalës, të Lundit, për Nobelin, për Göta Kanalen, për liqenet e shumta e lumenjët me ujë të pasër, për Vikingët e për Industrinë e rëndë të Suedisë, për fabrikat që prodhonin Traktorë, Tankse, Autobusë, makina, helikppreë e aeroplanë laftarakë, anije etj. Kisha një simpati për Suedinë edhe nga shkaku se shtypi i kohës parashikonte që një shtet do të behej ”komunist”, ai do të ishte Suedia. E ne në Kosovë, ishim sëmua nga sëmundjet ideologjike komuniste, nga kush tjetër pos nga xhaxhi Enver, ”Zëri i Popullit” dhe ”Radio Tirana”, zëdhënëse besnike të PPSH-së prandaj edhe vendosa që të shkoj e të jetoj, ndoshta edhe të vdes në Suedi.
Njeriun e parë që e njihja në Suedi, ishte Xhafer Durmishi, vëllai më i vogël në moshë i shokut tim të studimeve, Xhevat Durmishit, mjek.
Si i huaj që isha, nuk njihja gjuhën që është çelës i të gjitha dyerve, që i çel të gjitha bravat.
Ishte dita e parë e verës, 24 qershor 1992
Në Entin për të Huaj (SIV, Statens invardrarverket, tash ”Migracion verket”) kisha dhënë një deklaratë, kisha bërë një luetje që natën e parë kur zbrita nga anija në Ystad të Suedisë, më 24 qershor 1992, për Qëndrim në Suedi. E për me e marrë Lejën e Qëndrimit dhe të Punës, Pasaportën etj. në Suedi, duhej bindur Entin për të Huaj, me dëshmi se ”Kush Jam Unë”, prandaj përktyesit që i caktonte Enti, pa pagesë, shpesh nuk e njihnin si duhet suedishten. Dhe njeriu i parë që më ndihmoi, ishte padyshim Xhafer Durmishi. Ai, ishte përkthyes i autorizuar, por mua më propozoi që i vetmi njohës i mirë nga shiqpja në suedishte,që mund të përkthej (me shkrim) është Ullmar Qvick, përktyes, albanolog dhe natyrisht se e dëgjova.
Materjalisht, më ndihmuan me nga 1.000 korona, për përkthim, Xhevati e Xhaferi pasi që nuk e pranova përkthyesin e as advokatin e shtetit që ma kishte caktua Enti për të huaj (SIV), prandaj duhej paguar vetë, nga gjepi im.
Ullmar Qvick, radhitet krahas Johann Georg von Hahn,
Milan Šufflay,
Norbert Jokl,
Martin Camaj,
Shaban Demiraj,
Xhevat Lloshi,
Gustav Meyer,
Edith Durham,
Eqerem Çabej,
Stuart Edward Mann,
Carlo Tagliavini,
Wacław Cimochowski,
Eric Pratt Hamp,
Agnija Desnickaja (dhe Ullmar Qvick).
Deklaratën time, disa faqe ia dërgova Ullmarit, në Eskilstuna.

Ullmar Qvick, letra

Adresën dhe numrin e telefonit mi dha Xhaferi. Më parë, Xhaferi kishte bisedua me Ullmarin dhe iu kishte lutur që të mi përkthej përveç Lutjës apo Kërkesës për Qendrim në Suedi, edhe disa dëshmi të tjera, nga aktiviteti im politik, pasi që Ullmari kishte shumë kërkesa dhe ishte i vetmi dhe më i besueshmi sa i përket përkthimeve, edhe nga shteti, Enti për të Huaj dhe nga shqiptarët që kishin ardhur ato vite (1988-1992) afro 30.000 në Suedi për arësye ekonomike por si pasojë e politikës shfarosëse serbe që kishte ndaj shqiptarëve. Pra, mund të themi se të gjithë shqiptarët kërkonin Azil Politik.
Njohja me Ullmarin, më shtyri që të lexoj, të flas e të mbaj korespondncë me letra me Ullmarin për një kohë.
Ullmari ishte i dashur dhe i ndihmonte shqiptarët.

Ullmar Qvick, letra

Njëherë më tregoi se si një fëmi shqiptar që banonte afër Ullmarit e ka pyetur:
-Pse Xhaxhi Ullmar ke (vetëm) flamurin shqiptar, libra, foto, piktura e suvenire shqiptare (?), afërsisht kështu që do të thot, shtëpia e Ullmarit, ishte një bibliotekë, një muze dhe ajo ishte e hapur për shqiptarët. Kërkoj falje nga Ullmari për ndonjë pasajtësi sepse po bëhen 30 vjet nga ajo kohë e mund të kem harrua edhe unë ndonjë detaj me rëndësi.
Ullmari sa herë që i shkruaja, ma kthente letrën e nëse vonohej, kërkonte falje.
Kishte edhe një ”të metë”, nëse e thirrje ose të merrte në telefon, nuk dinte të ndalej, fliste ndoshta 1 orë e më shumë ….
Ullmari tash është plakur por është i kthjellët nga mendja dhe shqiptarët dhe shqipen i ka në zemër (e në shtëpi)
Një tjetër suedeze, ish mësuese imja e gjuhës suedeze, nga Boråsi, kur unë punoja si mësues më nxënës shqiptarë të shkollave fillore dhe të mesme (gjimnazeve), kishte një interesim të madh për Gjuhën, Letërsinë, Historinë dhe Kulturën shqiptare. Unë punoja (100%), ditën e studjoja (100 %) mbrëmjeve, pata fatin me e pasur mësuese, Ann-Britt Boman, mësuese- magjistre filologjike e suedishtës.
Ajo më çmonte shumë dhe ndodhte që kur flisja, psh për Letërsinë Latine, ajo dëgjonte me vëmndje dhe më përkrahte e shpesh, edhe më citonte para të tjerëve, më merrte, më përdorte si referencë.

Letra e Ullmar Qvick, 1 prill 1993

Me Ullmarin jemi takuar njeherë me një manifestim të poezisë dhe muzikës, manifestim (anti)kulturor shqiptar, nga një (ant)shqiptar ndërsa të Ann-Britt Bomman kam qenë disa herë, kam buajtur disa netë, si mysafirë. Burri i saj, atherë pensioner, gëzohej dhe edhe ai dëshoronte që të vije në Kosovë e në Shqipëri.

Letra e Ullmar Qvick, 1 prill 1993

Po e mbyll me disa fjalë nga letrat e tyre.

1*) Jack London
London in 1903
Born: John Griffith Chaney
January 12, 1876
San Francisco, California, U.S.
Died: November 22, 1916 (aged 40)
Glen Ellen, California, U.S.
• Novelist
• journalist
• short story writer
• essayist
Literary movement: Realism, Naturalism
Children: Joan London
Bessie London
Signature
Martin Eden
Bok av Jack London
89% gillade den här boken
Martin Iden, Xhek London
Botuesi OMBRA GVG
Ndoshta libri më i mirë i Jack London, Martin Iden përshkruan vuajtjet e një shkrimtari të ri proletar në përpjekje për t’u publikuar dhe për të nxjerrë jetesën. Publikuar fillimisht në vitin 1909, romani trajton temat e klasave shoqërore dhe përballjen e individualizmit me socializmin.
”Martin Eden” är en självbiografisk roman av Jack London, skriven 1909. Den första svenskspråkiga utgåvan kom 1912. Wikipedia
Publicerades första gången: september 1909
Författare: Jack London
Originalspråk: Engelsk
Först utgiven på svenska: 1912
Adaptioner: Martin Eden (2019), Martin Iden (1976), MER
Genrer: Roman, Fiktion, Künstlerroman
2*) August Strindberg
Författare
Beskrivning
Johan August Strindberg, född 22 januari 1849 i Stockholm, död 14 maj 1912 i Stockholm, var en svensk författare. Under fyra decennier var Strindberg en prominent gestalt i det litterära Sverige. Han var omdiskuterad och inte sällan involverad i personkonflikter. Wikipedia
Född: 22 januari 1849, Stockholm
Död: 14 maj 1912, Stockholm
Konstverk: Staden, Underlandet, Björken I (Höst), Wave VII, MER
Kan ses här: Nationalmuseum, Stockholm, Nordiska museet, Malmö Konstmuseum, Statens Museum for Kunst
Make/maka: Harriet Bosse (1901–1904), Frida Uhl (1893–1897), Siri von Essen (1877–1891)
Barn: Karin Smirnoff, Friedrich Strindberg, Anne-Marie Hagelin, Hans Strindberg, Greta Strindberg, Kerstin Strindberg
3*) Alfred Nobel
Kemist
Beskrivning
Alfred Bernhard Nobel, född 21 oktober 1833 i Stockholm, död 10 december 1896 i San Remo, Ligurien, Italien, var en svensk kemist, uppfinnare av dynamiten, industrialist, donator, ingenjör och stiftare av Nobelpriset. Wikipedia
Född: 21 oktober 1833, Stockholm
Död: 10 december 1896, Sanremo, Italien
Begravd på: Norra begravningsplatsen, Solna
Känd för: Uppfinnare av dynamiten, Nobelpriset
Syskon: Ludvig Nobel, Emil Oscar Nobel, Robert Nobel, Betty Karolina Nobel, Henrietta Nobel, Rolf Nobel, Emanuel Nobel
Föräldrar: Immanuel Nobel den yngre, Caroline Andrietta Ahlsell
(U shërbeva edhe nga Wikipendia suedeze).

Ann-Brit Boman, 18 maj dhe 5 qershor 2003

Fund

Malmö, 26 dhjetor 2021

Të kremtet e dimrit

0

Shkruan: Edibe Selimi-Osmani

Me të drejtë etnologu prof.dr.Mark Tirta, konstaton se një vend të rëndësishëm në etnokulturë zënë mitologjia e besimet popullore me ritet e tyre përkatëse. Ato janë në një mënyrë a në një tjetër,shprehje e jetës shoqërore e shpirtërore të popullit. Zanafillën e tyre ata e kanë në kohë shumë të vjetra e kanë evoluar bashkë me kushtet e bashkësisë njerëzore.Kanë përmbajtje të theksuar shoqërore dhe lidhin të kaluarën e lashtë të popullit tonë me të tashmen .
Duke parë vlererat e veçanta të besimeve popullore e të riteve të tyre me eksplorime terreni kemi mbledhur një material të konsiderueshëm për festat e ritet e motmotit.

I. BUZMI (Beniku)

Në studimin tim do t’i qasem ritualeve që kryheshi në Natën e Buzmit (6 janar (-Reka e Epërme ) Këtë ditë në terren e hasim me emërtimin Dita e Benikut.
Për ta festuar bëhen përgatitjet. Gjatë ritualeve që kryhen kanë rëndësi ,buka rituale,vatra dhe zjarri.
Buka,si një element shumë i rëndësishëm i të ushqyerit tradicional të popullit tone ,si një prodhim bazë i bujqësisë për jetën e njerëzve , ka zënë vend të dukshëm në rite të ndryshme fetare te ortodoksët e kësaj treve. Janë këto ceremoni rituale që gërshetohen me ata të fesë katolike.
Dihet se në përgjithësi , edhe druri nderohet e adhurohet ndër shumë popuj . Druri në pyll ka domethënie të posaçme ,kurse buzmi ka kuptimin magjik. Në këtë krahinë ai është një ah i ri i lartë ,i drejtë i bukur dhe kur pritet ,zgjidhet një që të jetë rritur me diell. Ky lloj druri vihet për t’u djegur në zjarrin e vatrës natën e Krishlindjeve.
I zoti i çdo shtëpie ,në familjet ortodokse,pa lindë dielli shkon në mal për ta sjellur buzmin në shtëpi. Në kohën kur pritet druri , në rast se ndonjëri e sheh prej së largu këtë gjë ,besohet se gjatë vitit do të jetë fatbardhë. Në këto fshatra bëhen gara se kush do ta sjellë më herët buzmin(drurin) ai do të konsiderohet si më i afti e më i shkathti i vitit në fshat.Deri në orët e pasditës druri i buzmit rrin mbështetur nën strehë të shtëpisë.
Gjatë shkrepjes së drurit mbi vatër personi ka kujdes që ana nga është prerë druri të vendoset andej nga duket ende dielli. Kur i pyetëm fshatarët pse shikohet dielli , na thanë se ndryshe është keq dhe ajo shtëpi nuk do të kishte mbarësi,fat gjatë vitit,nëse druri i buzmit vendosej mbi vatër pasi kish perënduar dielli.
“Kulti i diellit është dëshmuar edhe nga një lajm interesant i shkruar . Filozofi Maksim nga i cili jetoi në kohën e Antomonit në librin e tij A duhet t’u ngrihen perëndive shtatore, përmend Peonët , fis ilir në Maqedoninë e sotme, e adhurojnë diellin në formën e një disku të vogël ,të ngritur mbi një shtyllë të gjatë.
Drurin e buzmit mbi zjarr e shkrep një dalë i ri 13-15 vjeçar,nëse ka në atë shtëpi,ose nëse jo,e ndez i zoti i shtëpisë.Njëri nga anëtarët e familjes nga brenda pyet:
-Kush vjen?
Përgjigjen:
-Beniku.
-Kë na bie beniku?
-E vejmë në zjarr,të na lehen më shumë djem se vasha,fmija mashkull,shqerat femna.
Në të hetohen tri elemente tradicionale shumë të lashta; kulti i zjarrit, përmes vatrës dhe ceremonive kushtuar asaj, kulti i paraardhësve dhe elementet e kulteve agrare,që lidhen me natën e Buzmit ,me ç’rast bëhen përgatitje e plane në punë në bujqësi e blegtori.Pra, jeta dhe puna dalin të lidhura ngushtë.
Edhe vendosja e parmendës nga ana e hekurt mbi vatër pranë zjarrit të buzmit është njëfarë riti që lidhet me të mbjellurat vjeshtore. Kështu shpresohej se gjatë dimrit të mbjellurat vjeshtore do të mbroheshin nga ngricat.
Aty pranë vatrës parmenda qëndron shtatë javë.Kur prifti Ditën e kryqës ,viziton çdo shtëpi ortodokse,para se të fillojë nga ceremonitë fetare,më parë shkon te vatra,lëviz plugun nga vendi dhe shqipton fjalët::
-Prendija le t’ape bereqet!
Ditën e buzmit dhe të krishtlindjeve,besimtarët kungohen në kishën e fshatit.Në hyrje të kishës ,nuset e reja dalin me veshje festive bëjnë divan.Shënuam dhe këngën:
O dridhem, dridhem si zharpën-o,
Lypi “petkije” nuk m’apën,oooih!
Da shkaj , da u bije martina Shypnije
Se u paska hije.

Nga një nënë e moshuar,që kujtoi ditët e rinisë,shënuam këngën,që ajo vetë e ka kënduar me shoqet e saja para derës së kishës:

Çi na mblidhen panagjyr,
panagjyr e për nantë kishë,
N’mat ma shumë e trima t’ri
N’mat ma shumë e nuse t’reja,
N’mat ma shumë e shqera t’njoma,oooih!
Ndërsa etnografi Shreder është i mendimit se riti i buzmit është në analogji me adhurimin e diellit,sepse në ditët e solsticit dimëror kur fuqia e diellit është më e dobët,me ndezjen e buzmit, shpresohet të shtohet forca e tij.

II. KËRSHËNDELLA-Krishtlindjet(“Kshendellet”)

Është e kremte e madhe dimërore për të cilën bëhen përgatitje. Në terren e hasim me emërtimin “Kshëndellet”.Sipas gojëdhënave popullore që shënuam nga brezi i moshuar në fashatrat Beliçicë, Vallkavi dhe Bogdi,mësuam se para 60-70 vitesh mbajnë mend se për Krishtlindje bëheshin vetëm përgatitje ushqimore,kurse në ritualin e rastit është përdorur kashta e shtruar në gjithë shtëpinë.Kashta lihej shtruar me 6,7 dhe 8 janar dhe thuhej se në njerën nga këto ditë ka lindur Krishti në një grazhd me kashtë. Besohet se mushka është e nemur nga Krishti,që kinse i ka thënë:T’i kurrë mos z’bilofsh”,prandaj kjo kafshë nuk është e plleshme. Kurse delja është e bekuar se ka lindur Krishti në grazhd me të.
Vitet e fundit kashta nuk përdoret më nëpër shtëpia. Por për këtë ditë bëhet pastrimi i shtëpive,përgatiten ushqime më të mira dhe ëmbëlsira të llojllojshme.
Kashta rituale e Krishtlindjeve ,në të vërtetë ka origjinën e saj qysh në epokën e paganizmit , shumë shekuj para lindjes së Krishtit,kur ajo konsiderohej si objekt në të cilën shpesh herë rrinin hyjnitë e shpirtëra të tjerë. Kështu kur indoarianët u ofronin perëndive dhurata dhe bënin flijime të tjera , këto i shtronin në kashtë ose në barë. Pastaj thërrisnin shpirtërat e të parëve të tyre dhe perënditë që të vinin t’i mernin. Natën e Buzmit dhe të Krishtlindjeve, në ritualin e rastit përdoret kashta ose talla (misërishtja). Kisha këtë kashtë rituale e lidh me lindjen e Krishtit në grazhin me kashtë, në qytetin Betlehemit. Mirëpo rreth lindjes së tij ka shumë legjenda e zbukurime.
Edhe ditën e tretë shkohet në kishë , ku luten. Koha nuk është e caktuar.Për shëndet ndezin qirinj.Dita e tretë është Kërshëndella e Grave.Behet vizita për urime te të afërmit.
Ortodoksët e kësaj ane ,pa dallim moshe dhe gjinije (besimtarët) për këtë të kremte me fenere e pisha të ndezura shkonin nëpër kisha prej orës 24 të 6 janarit deri në orën 3 të dates 7 janar. Në kisha bëhej mesha nga prifti.

Pjesëmarrësit nuk e kuptojnë,por pëshpëritin me vehte:

-Prendija na nimoftë,n’mat t’mrijmë Kshëndellet ,
me shëndet e me bollëk.
Pra,edhe në këtë rast,lutjet,mendimet,lidhen me prodhimin ,me mbarësinë me jetën e njerëzve.
Mbasi mbarojnë ceremonitë fetare,fshatarët i urojnë njëri- tjetrit Krishtlindjet me disa urime si këto.:
Për shumë mat (mot) Kshëndellet!
Tjetri ia kthen me fjalët :
Gëzuar qofshim e për shumë mat.
Ngjefshim n’mat ma mirë!

Në traditën e kësaj të kremteje kungimi është riti fetar më i rëndësishmi. Çdo besimtar kungohet në kishën e fshatit të vet.
E zonja e çdo shtëpie përveç ushqimit që merr për të ngrënë në kishë,nuk harron edhe enën e bakrit që e mbush me ujë të bekuar në kishë. Pasi mbarojnë ceremonitë,sa kthehen në shtëpi,që në mëngjes ajo u jep fëmijëve të pijnë nga ky ujë për shëndetin e tyre. Riti përcjellet me fjalët:T’u boret shëndet,I gëzofshi Kshëndellet!
Fshatarët shëtisin te njëri-tjetri për urime. Edhe besimtarët mysliman ka raste që shkojnë te bashkëfshatarët e tyre për urime.Këto i gostitin me gjëra të mira.
Kjo e kremte është ditë motmoti,prandaj e zonja e shtëpisë i bën nder bereqetit;duhet çelur magja e duhet gatuar qoftë ndonjë fli ose të bëhet ndonjë lloj pete tjetër, sepse thuhet që po u bë kështu për Kërshëndella shtohet bereqeti gjatë vitit.
Banorët e Rekës së Epërme,nga kushtet e vështira që kishin, migruan në vise të ndryshme, por kudo që gjenden bartin mbi supet e tyre doket,zakonet,gjuhën, kulturën materiale e shpirtërore të tyre.

Të dhënat u shënua në vitet 1994-1997.

Veçuam nga vepra, Rite e besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivarit, Edibe Selimi-Osmani, 1997 Shkup, (faq.13-15)

22.12.2021
Tetovë

Në Kosovë festohet Krishtlindja, Meshë Solemne dhe Koncert në Katedralen Shën Nënë Tereza

0

-Mesha solemne e Krishtlindjes e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, u mbajt  nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA para katër vitesh në 5 Shtator 2017, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare/

Gazeta DIELLI dhe portali DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 25 Dhjetor 2021/ Në Kosovë festohet gëzuar Krishtlindja 2021 me urimet edhe për 2022-tën e 23 vjetorit të Lirisë e të 14 vjetorit të Pavarësisë.

“Për shumë mot Kërshëndellat e gëzuar e me bekime Viti i Ri 2022!”, ka uruar në porosinë e tij  Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji. E udhëhequr nga Ipeshkvi në bashkëmeshim me meshtarë të dioqezës,  Mesha solemne e Krishtlindjes u mbajt  nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar para katër vitesh në 5 Shtator 2017, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare.

Shumë solemne dhe madhështore ishte festa – shugurimi i Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Brenda Katedralës në meshën solemne të shugurimit nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botonte së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…

Në Kosovë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2017 ishte  shugurimi i Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë…

E për festën e Krishtlindjes 2021, para meshës solemne  të nisur në mesnatë në Katedralen Shën Nënë Tereza të kryeqytetit të Kosovës u mbajt Koncerti i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës.

Sot, në Ditën e Krishtlindjes, nga ora 11:00 u mbajt Mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, e në ora 18:00 Mesha e Shenjtë në Kishën e Shën Ndout në lagjen Ulpiana të kryeqytetit të Kosovës.

Në Kosovë, mesha u mbajtën edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 Dhjetorit  dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.

Krishtlindja festohet nga qytetarë edhe të besimeve tjera të shtetit të Kosovës,  me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.

Krishtlindjet në Kosovë festohen tradicionalisht, e në vitin 1999 për herë të parë në liri dhe në vitin 2008 për herë të parë në pavarësi.

Krishtlindjet janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para më shumë se 13 vitesh në 9 Prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti merr letër falënderimi nga Presidenti i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) të Sanxhakut, Dr. Sulejman Ugljanin

0

Prishtinë, 25 dhjetor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë letër falënderimi në urimin që ia ka dërguar Presidentit të Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) të Sanxhakut, Dr. Sulejman Ugljanin me rastin e mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor dhe rizgjedhjen e Dr.Ugljanin në krye të saj, për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Duke e falënderuar Kryeministrin Kurti për letrën dhe dëshirat më të mira të shprehura aty, Dr.Ugljanin ka thënë se koncepti i vetëvendosjes, sundimi i ligjit, integrimi evropian dhe integrimi në NATO mbeten tema të përbashkëta.

 “Republika e Kosovës, me ju në krye të Qeverisë, përfaqëson një bazë të fortë dhe legjitime për zhvillimin politik dhe ekonomik, në procesin e integrimit evropian dhe NATO, të Republikës së Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar në letër falënderim Dr. Sulejman Ugljanin, President i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) të Sanxhakut.

Rikthimi i Perendimit në vitin 1948: modeli i Austrisë për Ukrainën?

0
Frika nga vazhdimi i agresionit të Fedetarës Ruse ndaj Ukrainës është aktuale edhe sot. Pamje nga lufta e separatistëve prorus të armatosur rëndë nga Rusia në Ukrainën Lindore.

Shkruan: Dr Sadri RAMABAJA

Ultimatumi rus

Moska i dërgon NATO-s propozimin për garanci sigurie. Sipas AFP, propozimi do të diskutohet fillimisht nga ministrat e mbrojtjes dhe ka mundësi që të miratohet në samitin e ardhshëm të NATO-s në Madrid, në qershor.
Çka ka të bëjë Ukraina dhe “ultimatumi” rus me Kosovën?

Javën që lamë pas Rusia u ka dërguar ShBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Francës një të ashtuquajtur draft “Marrëveshje për garantimin e sigurisë së Rusisë dhe vendeve anëtare të NATO-s”.

Në fakt kjo “draft-marrëveshje” ishte një listë me një varg kërkesash ultimative që “Ivani i Tmerrshëm” i riinkarnuar në personin e Vladimir Putinit, i përcjellë Perendimit.

Në këtë dokument që ka publikuar Ministria e Jashtme ruse të premten e kaluar ,përveç tjerash, përmban kërkesën që Moska i ka parashtruar edhe publikisht NATOS, që ajo të heq dorë nga pranimi i Ukrainës dhe zgjerimi I saj me shtetet tjera post-sovjetike në aleancën ushtarake.
Përveç kësaj, Moska po kërkon që NATO të tërheqë çfardo projektimi politiko-ushtarak për zgjerimin dhe ta kthejë infrastrukturën e saj ushtarake në nivelin e 1997-ës.

Rusia gjithashtu kërkoi që Shtetet e Bashkuara të mos krijojnë baza ushtarake në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në vendet jo anëtare të NATO-s, si dhe të mos bashkëpunojnë me ato vende.
Ndërkaq ajo që ofron Moska si barazpeshë ndaj kërkesave që ka parashtruar, është heqja dorë nga stacionimi i raketave të veta me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi që mund të arrijnë objektivat në zonën e NATO-s, me kusht që aleanca të mos vendosë armë të tilla në shtetet e Evropës Lindore e Qendrore prej nga mund të arrijnë Rusin.
Për më tepër, sipas kërkesave ruse, të dyja palët duhet të marrin përsipër të negociojnë një zonë brenda së cilës manovrat me trupa të madhësisë së brigadës — rreth 5000 ushtarë — janë të ndaluara.

Ndërkohë nga Brukseli është konfirmuar pranimi i propozimit nga ana e selisë së paktit ushtarak. Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, tha se NATO pret që Rusia t’i marrë seriozisht shqetësimet për sjelljen e Moskës në raport me Ukrainën dhe ultimatumin e parashtruar.
NATO dhe SHBA hodhën poshtë menjëherë thelbin e kërkesave ruse, që kanë të bëjnë me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Ukraina është e lirë, si çdo vend tjetër, të vendosë në mënyrë të pavarur për aleancat që dëshiron, u shpreh Jens Stoltenberg qartë e pa ekuivoe.

Më poshtë po sjellë pjesët më të rëndësishme të dokumentit që Moska i dorëzoi Uashingtonit. Siç pohoi ndihmësi i Presidentit rus, Yuri Ushakov, pala ruse ka përcaktuar edhe afatin e diskutimit për këtë dokument (14 janarin e vitit të ardhshëm). Duket se kjo duhet të jetë arsyeja pse dokumenti u bë publik.
Secili lexues i vëmendshëm e me njohje modeste të historisë politike dhe marrëdhënieve mes Perendimit dhe Rusisë, dokumenti përmban elemente klasike të ultimatumeve.

Këtë bindje e përforcon deklarata e zyrtarit rus Sergei Ryabkov, e bërë tashmë publike, që potencon se ky dokument nuk është një “meny” nga e cila Shtetet e Bashkuara do të zgjedhin çfarë përgjigjesh duan të japin, por ajo përbën një paketë të vetme e hartuar mbi parimin “merre ose lëre”, duke pohuar edhe afatin e kadimit të “ultimatumit” (14.1.2022).

Dokumenti, në fakt një draft i përbërë nga 9 pika (nene), dhe titullohet si: Marrëveshja për Masat e Sigurisë së Federatës Ruse dhe shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe mund të gjendet në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme Ruse.

“Federata Ruse dhe shtetet anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), në vijim të referuara si “Pala”,

Duke riafirmuar angazhimin e tyre për përmirësimin e marrëdhënieve dhe thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, janë të vendosur të parandalojnë aktivitetin e rrezikshëm ushtarak dhe në këtë mënyrë të zvogëlojnë mundësinë e incidenteve ndërmjet forcave të tyre të armatosura, kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1
Palët në marrëdhëniet e tyre do të udhëhiqen nga parimet e bashkëpunimit, sigurisë së barabartë dhe të pandashme. Ata nuk do ta forcojnë sigurinë e tyre individualisht, brenda organizatave ndërkombëtare, aleancave ushtarake apo koalicioneve në dëm të sigurisë së palëve të tjera.

Neni 2
Për të zgjidhur çështjet dhe problemet, palët do të përdorin mekanizmat e konsultimeve urgjente dypalëshe ose shumëpalëshe, duke përfshirë Këshillin NATO-Rusi. …

Mes palëve do të vendosen linja telefonike emergjente.

Neni 3
Palët rikonfirmojnë se nuk e konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtarë.

Palët do të mbajnë dialog dhe ndërveprim për përmirësimin e mekanizmave të parandalimit të incidenteve në dhe mbi det të hapur (kryesisht në rajonet e Balltikut dhe Detit të Zi).

Neni 4
Federata Ruse dhe të gjitha palët që ishin anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut deri më 27 maj 1997 nuk do të vendosin forca dhe armë ushtarake në territorin e asnjë shteti në Evropë, përveç atyre të vendosura atje deri më 27 maj 1997.

Neni 5
Palët nuk do të vendosin raketa tokë-ajër me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi në zonat që i lejojnë ato të arrijnë në territoret e Palëve të tjera.

Neni 6
Të gjithë anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut marrin përsipër të përmbahen nga çdo zgjerim i mëtejshëm i NATO-s, duke përfshirë pranimin e Ukrainës si dhe vendeve të tjera.

Neni 7
Palët që janë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut nuk do të kryejnë asnjë aktivitet ushtarak në territorin e Ukrainës, si dhe në vendet e tjera në Evropën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore.

Neni 8
Për të përjashtuar incidentet, Federata Ruse dhe palët që janë anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk do të kryejnë stërvitje ushtarake ose aktivitete të tjera ushtarake mbi nivelin e brigadës në zonën e gjerësisë dhe konfigurimit të rënë dakord në secilën anë të kufirit midis Rusisë. Federata dhe shtetet e saj ushtarake. palët që janë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Neni 9
Kjo Marrëveshje nuk do të ndikojë dhe nuk do të interpretohet se ndikon në përgjegjësinë kryesore të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.[1]

Pavarësisht se dokumenti ka përmbajtjen e një ultimatumi, ai nuk do të trajtohet si i tillë nga Uashingtoni. Prandaj ai de fakto duhet lexuar si një platformë politike ruse për negociata me Uashingtonin. Këtë e dëshmon edhe njoftimi i djeshëm i palës amerikane se javën e ardhshme do t’ia paraqesë Moskës propozimin e saj për zhvillimin e negociatave (me gjasë pas konsultimeve me aleatët evropianë).

Moska e ka të qartë se Perëndimi nuk ka gjasa t’i pranojë kërkesat e saj ultimative. Por, sidoqoftë, “qëllimi i nismës është të paktën të sigurojë mosmarrëveshje mes partnerëve perëndimorë — dhe në fund të zbatojë një pjesë sa më të madhe të kërkesave për të kapërcyer status quo-në, e cila është e paqëndrueshme nga pikëpamja ruse.”[2]

Por derisa Uashingtoni pritet të konsultohet me aleatët, Moskës “i mungojnë aleatët ndërkombëtar të Bashkimit Sovjetik, boshti tërheqës ideologjik dhe uqia ushtarake.”[3]

Pavarësisht këtij fakti notar, Moska po insiston më fort për të ruajtur tutje influencën e saj në Ukrainë dhe në ish satelitët e saj në Lindje dhe Juglindje të Europës.

Marrëdhëniet Rusi-Perëndim arrijnë pikën kritike

Përderisa dokumenti i palës ruse shpreh qartë pozicion maksimal të Moskës, duke lënë të kuptohet se ata janë të gatshëm të negociojë rreth parashtresave në fjalë, ndërkohë mediat ruse komentojnë se, NATO-ja po vendos qartë kursin në drejtimin e kundërt.
E përjavshmja prestigjioze gjermane “Der Spegel” gjatë fundjavës raportoi se, aleanca ushtarake perëndimore po planifikon të forcojë “praninë e saj të zgjeruar të frontit” në Evropën Lindore dhe të shtojë forcat në krahun jugor. Kjo duket të jetë arsyeja përse gjykohet se njësitë luftarake të dislokuara më parë në shtetet baltike (2017), duhet të vendosen në Rumani dhe Bullgari në një të ardhme të afërt. Krejt kjo duhet të ketë për qëllim që NATO të zgjeronte praninë në Detin e Zi, duke krijuar kështu mundësi më reale për ndërhyrje më të përshpejtuar në Ukrainën jugore, tepër të rëndësishme strategjike në rast të një lufte ruso-ukrainase.

Sipas AFP, propozimi tani do të diskutohet fillimisht nga ministrat e mbrojtjes dhe paskërka mundësi që të miratohet në samitin e ardhshëm të NATO-s në Madrid, në qershor.

Ndërkohë gazeta më e madhe gjermane bulevardeske “Bild” publikoi “sekrete” të reja nga

shërbimet e intelegjencies së shteteve perëndimore në lidhje me planifikimin e supozuar rus të operacioneve në një luftë kundër Ukrainës. Shih për këtë, spekulohet aty, preludi mund të jetë një operacion zbarkimi pranë Odesës dhe një dislokim parashutistësh në urat Dnipro në Ukrainën jugore për të parandaluar mundësinë për furnizimet e NATO-s për Ukrainën nga deti.
Gazeta citon një ushtarak perëndimor të paidentifikuar, sipas t cilit, nëse Moska merr vendimin për të pushtuar Ukrainën, nuk pritet “asnjë masë gjysmake”.

Një tjetër e përditshme konservtore gjermane — Die Welt, sjellë një shkrim të gazetarit të njohur Jacques Schuster, në të cilin ai pohon se, vendet e NATO-s dhe BE-së në përballje me Rusinë bazohen ekskluzivisht në masa të ashpra, kryesisht ekonomike dhe neglizhojnë të njohin nevojën e Federatës Ruse për të garantuar sigurinë e saj.

Die Welt beson se vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke ndjekur një politikë presioni të vazhdueshëm ndaj Rusisë, po injorojnë rregullin e dytë të Luftës së Ftohtë, i cili siguronte respekt të pakushtëzuar për nevojat e sigurisë së armikut.

“Edhe presidentë të tillë amerikan si Harry Truman, Dwight Eisenhower dhe Ronald Reagan — skifterë të fortë amerikanë — ishin të gatshëm të merrnin parasysh interesat e BRSS për të siguruar sigurinë e shtetit në një shkallë ose në një tjetër. Nuk ka asnjë shenjë për këtë sot. “[4]
Tani thonë se është e pamundur t’i diktosh një shteti kaq të pavarur si Ukraina, nëse do të anëtarësohet në NATO apo jo”, konkludon autori i analizës në fjalë.

Die Welt na kujton shembullin e Austrisë, e cila në vitin 1955 u bë një shtet sovran vetëm duke promovuar neutralitetin e saj, por edhe Finlandën e pasluftës, e cila edhe pse ndoqi një drejtim properëndimor, respektoi me përpikëri dispozitat e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihma e ndërsjellë të arritur me BRSS në vitin 1948. Sipas marrëveshjes, Helsinki njihte interesat e veçanta strategjike të BRSS dhe ishte i detyruar të ruante neutralitetin.

Më tej, në analizën e saj, e përditshmja gjermane Die Welt, kujton se “Shtetet e Bashkuara” nën Presidentin John F. Kennedy ndaluan vendosjen e raketave (sovjetike) në Kubë dhe i kërkuan Bashkimit Sovjetik të respektonte të drejtat e SHBA-ve për të garantuar sigurinë në hemisferën e saj, gjë që Uashingtoni sot ia mohon Rusinë. “Ishulli i Fidel Kastros — i njëjti shtet i pavarur si Ukraina — nuk kishte zgjidhje”, duke na rikthyer në kulmin e Luftës së Ftohtë.
Kështu një lagje e mediave gjermane tashmë i bien kambanave se si “Perëndimi po injoron të drejtën e Rusisë për të garantuar sigurinë e saj” në rastin e Ukrainës.

Një lagje tjetër e mediave amerikane dhe evropiane vazhdojnë të ashpërsojnë retorikën anti-ruse pas “ultimatumit” rus ndaj Uashingtonit; ato kërkojnë me ngulmë refuzimin e negociatave dhe vendosjen e sanksioneve jashtëzakonisht të rrepta kundër Moskës.

Në rast se Pentagoni dhe NATO në konsultim me BE-në(para së gjithash me Berlinin dhe Parisin) marrin në konsideratë interesat afatgjata të Perendimit, duket se një pjesë e kërkesave të palës ruse do të mirren në konsideratë meqë nuk konsiderohen të vështira për t’u përmbushur. Në këtë rast, e qartë, Ukraina dhe Gjeorgjia do të humbnin të drejtën për t’u anëtarësuar në NATO.

Përgjegjia amerikane tok me propozimin e pritshëm (hartuar larg vëmendjes së opinionit) pritet të arrijë në Moskë javën e ardhshme.
Marrëdhëniet Rusi-Perëndim tashmë po arrijnë drejt pikës kritike. Nëse kalohet kjo masë kritike, nuk ka kthim prapa.

Si ndërlidhet Ukraina me Veriun e Kosovës?

Ndërkaq portali i njohur anglez neweurope.eu konfliktin e Ukrainës e ndërlidhë me interesat serbe në veriun e Kosovës. Sipas këtij portali të njohur “derisa administrata Biden është e fokusuar në Ukrainë, një skenar i ngjashëm po shpaloset në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës.”[5] Në një analizë të publikuar ndërkohë potencohet se për dy dekada rresht Rusia dhe Serbia kanë zgjeruar shumë bashkëpunimin në lëmin ushtarak. Serbia, pohohet tutje në analizën në fjalë, ka dyfishuar buxhetin e mbrojtjes gjatë tre viteve të fundit, duke kaluar shumën prej 1.5 miliardë dollarë.
Konkluzioni logjik: Serbia pavarësisht se vazhdon ta promovojë “Open Ballkn-in” ajo de fakto po përgatitet për luftë.

Disi pavenerueshëm e pa bërbujën e zakonshme, më 14 dhjetor në Bruksel u mbajt takimi i trembëdhjetë i Konferencës së anëtarësimit ministror me Serbinë. Kjo ishte Konferenca e dytë ndërqeveritare që kur Këshilli miratoi procedurën e rishikuar të zgjerimit.

Në kumtesën e lëshuar pas këtij takimi pune potencohet se “ndaj përparimit të Serbisë në zbatimin e kritereve për pranim do të vazhdojmë të jemi kritikë dhe fokusi thelbësor i kësaj kritike do të jetë ndihma dhe monitorimi i çuarjes përpara të negociatave me Kosovën, sepse ky është vetë kuptimi i negociatave. Progresi në kapitujt mbi sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën në përputhje me kornizën negociuese, do të mbetet vendimtar dhe do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit.”

Kështu njofton, përveç tjerash, portali consilium.europa.eu

Risjellja e togfjaëshit “negociatave me Kosovën” duket të jetë rishikim i thellë i pozicionit të Brukselit në raport me vetveten dhe qëndrimin e shumicës absolute të shteteve anëtare të BE-së që kanë njohur pavarsinë e Kosovës.

Elitat tona, jo vetëm ato të politikës, por edhe bota akademike, në këtë ripozicionim gjeopolitik dhe ofensivës ruse me objektiv edhe Ballkanin, do të duhej të ishin më unison, duke u ngritur mbi interesat pesonale e grupore, e në dobi të interesit nacional. Pozicionimi I qartë Perendimor nuk duhet konsideruar si flirt “me anën e fortë aktuale”. Tashti kur nga Shtëpinë e Bardhë është larguar Donald Trump, nuk duhet ushqyer gjatë kënaqësinë që na jep ndryshimi që sjell ardhja e demokratëve në krye me Joe Biden-in. Përkundërazi, këtë periudhë duhet shfrytëzuar për integrim brendakombëtar, deri edhe në integrimin e plotë të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.

Rusia kalon në pozicionin e ofensivës strategjike

Me strategjinë e re të saj Moska ka shkaktuar tronditje tektonike në Perëndim. Madje meqë nga fundi i Luftës së Ftohtë, Perëndimi ka qenë gjithmonë ai që ka diktuar dinamikën dhe ka pasur iniciativën strategjike, ndërkaq Rusia ka reaguar duke vepruar në mbrojtje strategjike.

Lufta speciale po zhvillohet krahas manovrave ushtarake dhe dislokimit ët mijra trupave ruse buzë kufirit me Ukrainën. Kanali shtetëror rus Rossiya 1, më i ndjekuri në vend, në lajmet kryesore (më 20 dhjetor), iu drejtua publikut me një mesazh të qartë nga moderatorja.
“Shtetet e Bashkuara, duhet të heqin dorë nga hegjemonia e saj, ajo hegjemoni ka përfunduar. O do të tërhiqen vullnetarisht ose do ta bëjmë ne me forcë. Rusia nuk garanton më për mbijetesën e Ukrainës, të paktën si shtet i pavarur. Ndoshta jemi vërtet afër luftës me NATO”.[6]

Rusia, tashmë e din që sanksionet do të pasojnë. Ndërkaq edhe mundsitë reale të Ukrainës për rezistencë të mirëfilltë vlerësohen si të mefshta. Çështja ndërlikohet edhe më shumë meqë të gjithë e kanë të qartë se Moska nuk po bën bllof. Shih për këtë, draft-marrëveshja ruse e shpallur publikisht javën e kaluar që ka të bëjë me çështjen e sigurisë së ndërsjellë strategjike midis Perëndimit dhe Rusisë, mbetet në qendër të vëmendjes së politikës botërore dhe medias.

Arroganca ruse ndërkohë është përshkallëzuar. Diplomati rus Ryabkov, duke komentuar deklaratën e djeshme të ministrit të Jashtëm të BE-së, Josep Borrell, për nevojën e pjesëmarrjes së detyrueshme të BE-së në diskutimet për garancitë e sigurisë, shpjegoi se Rusia niset nga premisa se, kontaktet për garancitë e sigurisë duhet të zhvillohen në një format dypalësh me Shtetet e Bashkuara.

“Kemi marrë shënim, do t’i hedhim një sy”, pohon Ryabakov si Zeusi nga Olimpi. “Unë konfirmoj atë që thamë javën e kaluar: ne sugjerojmë që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të zhvillojnë negociata dypalëshe për këtë temë. Sa i përket formateve të tjera, dëshirat e figurave të caktuara, përfaqësuesve të strukturave të caktuara, sigurisht që i marrim parasysh, por kjo nuk do të thotë se ndryshojmë qëndrim. Ne vazhdojmë të flasim në favor të procesit të negociatave dypalëshe me Uashingtonin”.
E qartë, Rusia pretendon të rikthehet në tavolinën e bisedimeve direkte me SHBA-të.

Në këtë pozicion, as SHBA-ja dhe aleatët nuk do t’i japin Rusisë veton mbi ambiciet e Ukrainës për t’u bashkuar një ditë NATO-s dhe BE-së. Kjo u theksua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një takimi që zhvilloi të mërkurën e kaluar me ministrat e jashtëm të aleancës në Riga të Letonisë.

“Vetëm Ukraina dhe 30 aleatët e NATO-s vendosin se kur Ukraina do të jetë gati t’i bashkohet NATO-s. Rusia nuk ka të drejtën e vetos, dhe as ndonjë zë mbi këtë çështje.
Ajo s’ka të drejtë të krijojë një sferë ndikimi, përmes përpjekjes për të kontrolluar fqinjët e saj”- theksoi ai.

Përfundim

Duke pasur parasysh dronë e evropianëve për një luftë të nxehtë, mundësia që Perendimi ta stopoj invazionin rus në Ukrainë duket fare të pamundura. Tashmë SHBA-të dhe Britania e Madhe e kanë bërë të qartë se, në rast të shpërthimit të luftës, ata nuk do të dërgojnë trupa për të mbështetur Ukrainën. Pjesa tjetër e Perednimit, as që bëhet fjalë për rirreshtim ushtarak pro Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë synojnë t’i përgjigjen agresionit rus në Ukrainë kryesisht përmes sanksioneve të ashpra ekonomike, që do të përfshinin jo vetëm zyrtarët rusë, por edhe sektorët kryesorë të ekonomisë ruse, duke përfshirë bankat që operojnë jo vetëm në Rusi, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian. [7] Gjithashtu po shqyrtohet mundësia e përdorimit të një “bombë nukleare” ekonomike, duke e përjashtuar Rusinë nga sistemi “Swift”, me të cilin akt do të parandalohej çdo transaksion pagese të huaj.

Tashti kur Rusia kaloi nga pozicioni i mbrojtjes strategjike në atë të ofensivës strategjike, ka hedhur dritë të qartë edhe për pozicionimin e saj sa i përket Ballkanit. Ky pozicionim rus, duket se ka shkaktuar nervozizëm në Perendim. Mjafton ky fakt që manovrat ruso-serbe edhe lidhur me projektin e Ballkanit të hapur të lexohen qartë nga diplomacia jonë (e të dy republikave tona). Projekti Ballkani i hapur ka gjasa reale që t’i shërbejë Beogradit për të vënë në gjumë Perendimin rreth planit të saj për të kaluar në ofenzivën strategjike si në Bosnjë ashtu edhe në Kosovë.

Sidoqoftë, edhe kjo e keqe, ka një të mirë. Pak ditë pas këtyre deklaratave që sinjalizonin marshin ushtarak rus në start, në media vijnë paralajmrime për rikthimin e mundshëm të Perendimit në vitin 1948, duke konsideruar modelin e neutralitetit të Austrisë për Ukrainën si hap racional, por edhe angazhimin e shtuar rreth Ballkanit. Mbrojtja e Evropës dhe Ballkanit rikthehet në krye të axhendës së NATO-s.

______________________________________

1.  https://www.geopolitika.news/analize/z-meter-ruski-ultimatum-sad-u-i-americki-odgovor/

2.  https://www.cicero.de/ukraine-putin-nato-washington-donbass?etcc_cmp=211222_1734&etcc_med=Push

3.  Ian Bremmer, Superfuqia, Tiranë 2021, f. 21

4.  https://www.welt.de/debatte/plus235700712/Ukraine-Krise-Der-Westen-muss-Putins-Aengste-ernst-nehmen.html

5.  https://www.neweurope.eu/article/conflict-in-ukraine-and-kosovo-are-connected/

6https://shekulli.com.al/kanali-shteteror-rus-hegjemonia-amerikane-ka-perfunduar-nuk-garantojme-me-per-pavaresine-e-ukraines/?fbclid=IwAR0FbTaOt1wfm3VvlVWlSgxWHxZ66YHQckTFs_D9qKr0fX5UAAtEU2yLa7o

7. https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-na-istoku-europe-ponovno-ce-se-krvavo-ratovati/

Botohet libri me poezi “TË NDRITURIT” nga Sami R. Dërmaku

0

Nga: Shefqet Dibrani

Vitrina e librit:

Botohet libri me poezi “TË NDRITURIT” nga Sami R. Dërmaku

Doli nga shtypi libri me poezi, “TË NDRITURIT”, me autor Sami R. Dërmaku. Vargjet e librit, janë poezi përkushtimi për ngjarje dhe personalitete të njohura të kulturës dhe të rezistencës shekullore të popullit shqiptar, kurse poeti Sami R. Dërmaku, ka qenë edhe vet pjesë e atyre zhvillimeve, bashkëveprimtar i hernjëve, dhe ka bashkëvuajtur nëpër burgje të rënda politike, duke përjetuar persekutimin barbar të Sërbisë, madje disa herë.

Të gjithë ata që e njohin, Sami R. Dërmakun, përveç pamjes së njeriut madhështor dhe zërit të zotëriut autoritar, ai gjithmonë është shquar për rezistencë të pathyeshme përpara hetuesisë, kurse me kalimin e kohës është shndërruar në simbol qëndrese shembullore, kudo nëper ato vende ku ka mbajtur burgun nëpër kazamatët jugosllave. Ai është vet Heroi i asaj rezistence, i asaj besnikërie të fisme që ka dominuar ndër të burgosurit politik, është shembulli i rezistencës idealiste, i qëndrueshmërisë dhe pathyeshmërisë në gjithë karrierën e tij jetësore. Sami R. Dërmaku, është i njohur edhe për falje, sidomos kur janë në pyetje interesat e mëdha kombëtare. Sami R. Dërmaku, ka falur gjithëmonë, prandaj këto poezi përkushtuese për Simbolin e Rezistencës Kombëtare Adem Demaçi, me të cilin ka bashkëvepruar dhe së bashku janë dënuar, bile edhe kanë mbajtur bashkë ose në të njëjten kohë burgje të rënda, prandaj poezitë janë përkushtime, fillimisht njerëzore, pasi ato janë të nisura nga vetvetja, nga karakteri dhe burrëria e tij. Pastaj, na është i njohur raporti i tij me prof. dr. Shaqir Shaqiri, po sidomos përkushtimi për t’ia shpëtuar shëndetin dhe jetën, sa ishin së bashku duke mbajtur burgun politik. Janë këto veti të tija, pse ne besojmë se autori i librit është Hero i rezistencës aktive dhe sakrificës intelektuale e patriotike. Mjafton poezia kushtuar, Metush Krasniqi, vrarë me tortura mizore nga UDB-ja, për ta besuar këtë që tjamë, dhe mbase për të kuptuar lidhjen shpirtërore të autorit me protagonistin, prandaj përkushtimi është perlë përjetuese e cila edhe një herë e rikthen të gjallë në mesin tonë, Heroin Metush Krasniqi!

Frymëzim e përkushtim të rrallë, Sami R. Dërmakut, i japin edhe Komandanti Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, Heroi i Flamurit, Fazli Grajçevci, Eruditi dhe frymëzuesi i tij, Isa Kastrati, si dhe bashkëluftëtarët: Rexhep Mala dhe prindëri e tij, Kamandant Plaku ose Xheladin Gashi, janë vetëm disa nga ata që i japin pamje “KOSOVËS SË PËRGJAKUR NËPËR SHEKUJ”, (titull poezie). Po ashtu në këtë libër gjejmë përkushtime e përjetime të rralla. Më i veçantë duket ai për Sabit Hajdinin, nga fshati Çerkez i Kumanovës, kurse poezia “NË VIZITË”, që iu kushtohet, Ahmet Haxhiut, Xheladin Rekaliut, Jashar Saliut, Xhavit Hoxhës, Fadil Vatës, Shabi Hajdinit dhe shumë bashkëveprimtarëve të tjerë të shtrirë në spitalet e Zvicrës, të cilët nga sëmundjet vdiqën, shëmbëllejnë për mirësi e humanizëm në njërën anë, kurse në anën tjetër janë poezi, janë poema, janë uvertyra të realizuara me pasion dhe dashuri të rrallë.

Pa dyshim të gjithë Heronjtë e Sami R. Dërmakut, kanë bërë Histori dhe kanë treguar Qëndresë. Ashtu siq e theksuam më lartë edhe vet poeti, shndërrohet në Hero i Veprës së tij. Nga kjo na duket se Sami R. Dërmaku, përseri jep nga vetja, pasi të gjitha përkushtimet, heroizmat, qëndresa dhe pathyeshmëria janë përkushtime të tij për te tjerët, por në esencë e gjitha e ka burimin nga shpirti i tij fisnik, nga qëndrueshmëria dhe nga atdhedashuria që ka pasur Sami R. Dërmaku, gjithmonë për Kosovën. Këto vlera materializohen edhe në poezitë: “Tryezë e shtruar”, “Lugetërit e errësirës”, kushtuar të burgosurëve në Burgun e Dubravës, por për një nuancë poezia me plotë dashuri është ajo për Shipashnicën me titull “Kujtesë për vendlindjen”. Vargjet mund të përjetohen emocianlisht, por në të njëjten kohë kuptohen edhe si rezstencë shekullore e bashkëfshatarëve të tij, nga të cilët e për të cilët, do të nisin udhë edhe veprimtaria e tij dhe këto përkushtime të Samiut, po ashtu janë frymëzimi më heroik dhe perkushtimi i tij lirik.

Kur jemi tek poezia kushtuar bashkëfshatarëve të vet, përmendoren që ia ndërton me vergje vendlindjes, në imagjinatën e lexuesit, po aty, do të shihet saktë, Permendorja e Veprimtarit dhe Heroit të gjallë Sami R. Dërmaku, i cili një jetë ia kushtoi veprimtarisë kombëtare dhe atdhetare. Pikërisht janë këto arsye, të cilat na shtyjnë që këtë shënim të shkurtër për libin e tij të sapobotuar, ta kompletojmë edhe me disa shënime kronologjike për veprimtaritnë e tij, të shkëputura nga shënimi biografik i përfshirë edhe brenda librit me poezi, “TË NDRITURIT”.

***

Sami Rexhep Dërmaku, lindi më 7.11.1948 në Shipashnicë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Hogosht, ndërsa të mesmen (gjimnazin) në Dardanë dhe Gjilan. Fakultetin elektroteknik e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Është pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968. Ka punuar arsimtar në fshatin e lindjes, etj.

Më 1970, me rastin e ardhjes së Titos në Kosovë, bashkë me Rexhep Malën dhe Isa Kastratin, e izolojnë dhe e burgosin në burgun e Gjilanit. Është dënuar tri herë me kundërvajtje me pesë muaj për veprimtari armiqësore dhe dy herë penalisht, me gjashtë dhe dy vjet, gjithsej 8.5 vjet burg. Pas mbarimit të fakultetit është punësuar në ndërmarrjen “Elektromontazha”, me drejtor Zaim Kurtin, babai i Albin Kurtit, të cilit, (edhe në libër), i shpreh mirënjohje për guximin e treguar me rastin e pranimit në punë, meqë paraqiste pengesa sigurimi shtetëror jugosllav.

Për t’iu shmangur burgimit të tretë, më 1986 emigron në Zvicër, dhe vendoset në Gjenevë. Sami R. Dërmaku, ishte njëri nga themeluesit e LDK-së, dhe ka qenë edhe Kryetar i Nëndegës së LDK-së në Gjenevë, pastaj Kryetar i Parë, në Fondin Humanitar të LDK-së, Fondit Humanitar Gjithëkombëtar dhe shtabit të mobilizimit në kuadër të Fondit “Vendlindja thërret”. Sami R. Dërmaku edhe në kuadër të UÇK-së ishte i angazhuar qysh nga data 01.09.1998, kurse në muajin mars të vitit 1999 në Tiranë është angazhuar në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Përkohshme. Kurse pas përfundimit të luftës, në Prishtinë, po në atë Qeveri, ka qenë ndihmësministër i mbrojtjes, nënkryetar i komisionit për kontrollim dhe evidentim të pronës private dhe shoqërore.

Për vite me radhë, ka punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, këshilltar i kryetarit të KEK-ut, menaxher projekti, koordinator i komisionit për kontroll financiar, udhëheqës i sigurisë në punë, udhëheqës i infrastrukturës dhe garazheve për termoelektranat A dhe B., etj.Përveç veprimtarive që i theksuam më lartë, Sami R. Dërmaku, ka botuar librat: “EKLIPSIMI I FIGURËS SË DËSHMORIT” (2015) dhe monografinë “SELMON Sh. DËRMAKU – Veprimtar e humanist” (2018). Vlenë të theksohet se redaktor i librit me poezi ”TË NDRITURIT”, është mr. Kadri Rexha, kurse recensentë: Sulejman Dërmaku dhe Shefqet Dibrani. Libri u botua nga Sh. B. “DRITAPRESS”, Prishtinë 2021, dhe ka 132 faqe, dhe regjistruar me Nr. përkatës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës: ISBN 978-9951-825-30-6

Sami R. Dërmaku, tani është në pension, i paangazhuar politikisht. Jeton në Prishtinë dhe në Gjenevë të Zvicrës.

St. Gallen, 25 dhjetor 2021.Shefqet Dibrani