Kreu Blog Faqe 147

Buxhovi godet përsëri me pendën e tij të artë!

0
“Jeniçeri i Fundit” i autorit Jusuf Buxhovi është një roman historik që trajton periudhën e Perandorisë Osmane dhe fundin e sistemit të jeniçerëve.
Përmes personazheve dhe ngjarjeve dramatike, autori paraqet konfliktin mes traditës së vjetër dhe ndryshimeve politike e shoqërore të kohës.
Libri sjell një reflektim të fortë mbi historinë dhe mënyrën se si ajo përsëritet kur harrohet.
Në roman mësohet edhe për rolin që kishin bektashinjtë si frymëzues të rëndësishëm të jeniçerëve shqiptarë. Përmes kësaj teme, autori prek çështje të identitetit, besimit dhe ndikimit ideologjik në periudha të ndryshme historike.
Citat i imi ;
Një mendim që lidhet me mesazhin e librit është:
“Kur historia harrohet, ajo të godet përsëri.” Dikur shkonin “jeniçerë” në luftën e Çanakalasë për të mbrojtur Islamin, ndërsa në vitet e fundit pamë përsëri shqiptarë që iu bashkuan grupeve ekstremiste si ISIS.
Kjo krijon një paralele të fortë mes së kaluarës dhe gabimeve që mund të përsëriten në kohë të ndryshme.
Stili i Jusuf Buxhovit është i pasur me elemente historike dhe filozofike, duke e bërë librin një kombinim mes historisë dhe letërsisë artistike.

Hijejoni, poezi nga Atdhe Geci

0

H I J E J O N I

Ah, kjo birrë dardane e  maleve  me  borë

më krijon drithmë dashurie në tërë qenien

drithmë që rend pandalshëm nga truri tek

mendja dhe, nga shqisa në shqisë e përtej,

në kohëra të  hershme  të  fillimit  pellazg

në kohëra Ilirësh,  epirotësh  e  dardanësh

dhe në kohëra të Zeusit dhe  të  Apollonit

në shtëpinë e  Dhemetrës, Thotit e Eskilit

mesha mbahej shqip faltoreve të Dodonës.

Nga shtëpia në shtëpi dhe në tërë atdheun

gjuha shqipe është identiteti i shqiptarëve

është gjuhë e dheut, e gurëve dhe bimëve

është gjuhë e pemëve, e drujve dhe qiejve

gjuhë e pëshpërimave të rrezeve të diellit

gjuhë e fëshfëritjeve  të erërave të stinëve

gjuhë e flakëve të zjarreve dhe të vullkanit,

gjuhë zyrtare në shkolla  dhe  universitete

gjuhë perëndie që nga kohërat e kryeherit.

Shqipet e tërë Mesdheu  e kanë dëshmuar

forcën e gjuhës shqipe, -shkrimin pellazg

për gjuhën Ipe të Thotit dhe t´Aleksandrit

për gjuhën shqipe të Pirros dhe Apollonit

për gjuhë shqipe  të  Sokratit dhe Platonit

për gjuhën shqipe të Kadmit dhe Homerit

për gjuhën shqipe të bukës dhe të armëve

për gjuhën Ipe të 4 papëve të krishterimit.

Në këtë çast të dehur  me  birrën “Korça”

kam ca shënime nga shtëpia  ime  letrare

dhe kam arsyet të marr fatin  tim në dorë

për poezinë, poemat dhe për publicistikën.

Pyes, sa jetë e jona mund  të jetë poetike,

dhe çfarë do të ndodhte po të fitonte Iliria

Roma , Athina, Shkupi, do të ishin tonat,

dhe Iliri do të quhet  i  gjithë atdheu ynë.

Atdhe Geci – Mesopotami, Onhezmë, 2018

Ftesë për pjesëmarrje në librin “Dritë mbi plagë 2”, afati i fundit për dorëzim të punimeve është 31 korrik 2026

Të nderuar autorë,

Në vazhdën e angazhimeve tona për të sensibilizuar mbi gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë, ju ftojmë të bëheni pjesë e përmbledhjes së poezive “Dritë mbi plagë 2”, një projekt letrar që synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të fuqizojë zërin artistik mbi një nga periudhat më të dhimbshme të historisë sonë.

Ftohen të gjithë autorët të kontribuojnë me krijimet e tyre poetike. Çdo autor mund të dërgojë deri në tri (3) poezi, të cilat duhet të jenë të lidhura tematikisht me krimin e gjenocidit në Kosovë, duke trajtuar përjetimet, kujtesën, dhimbjen, qëndresën dhe shpresën.

Afati i fundit për dorëzim është: 31 korrik 2026

Për më shumë informacione dhe për dorëzimin e punimeve, ju lutemi kontaktoni në:

poezia@kosovogenocide.com

Me respekt,

Qendra – “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”

Në emër të redaksisë,

Isuf Sherifi

Gjenevë, 23 maj 2026

Pas padisë në Prokurori, gazetarët e “Rilindjes” angazhojnë edhe avokat për truallin e “Rilindjes”

0
Çështja e 20 përqindëshit për punonjësit e gazetës “Rilindja”, por edhe të ndërmarrjes “Rilindja”, ende nuk ka përfunduar. Një pjesë e mjeteve që i kishte ndarë Qeveria në fund të vitit 2021 ende mbahen “peng” dhe nuk u janë shpërndarë punëtorëve, me arsyetimin se ende ka ankesa të pakryera në Dhomën e Posaçme.
Ndërkohë, procesi i pagesës së 20 përqindëshit për truallin prej 5.5 hektarësh as që ka filluar. Kohë më parë, zyrtarë të AKP-së kishin deklaruar se mjetet për privatizimin e truallit të kompleksit “Rilindja” i kishte marrë Komuna e Prishtinës. Mirëpo, pas hulumtimit të kësaj çështjeje dhe padisë së ngritur në Prokurori, doli e kundërta.
Komuna e Prishtinës nuk ka marrë asnjë mjet për këtë çështje, madje as Qeveria nuk ka paguar mjete për truallin. Këtë e pohuan të njëjtit zyrtarë të AKP-së në takimin e djeshëm me sindikalistët e gazetës: Igballe Rexha, Zeqir Bekolli dhe Besim Kajtazi.
Meqë janë shterur të gjitha mundësitë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, grupi i sindikalistëve autorizoi një avokat, i cili do ta ndjekë ligjërisht çështjen e truallit, në mënyrë që punonjësit e ndërmarrjes “Rilindja” ta realizojnë 20 përqindëshin edhe për truallin.
Për procedurat e mëtejme, punëtorët do të njoftohen me kohë.

Somnambul dhe histerik

0

Arif Ejupi, Gjenevë

  • Këta rreshta janë shkruar si akt proteste kundër të ashtuquajturve “studentë”, hartues të “Memorandumit rreth Kosovës dhe Metohisë”

Nga stepat e Karpateve
në Shumadi,
nga Teshliqi e Rogatica
në Gradishë e Knezhevë,
nga Baçka e Lika
deri në Kosovë,
u zvarritët ndër shekuj
me mendësi pushtuese,
duke u treguar
të egër dhe mizorë.

Harbutë mbetët,
si në shekujt VI dhe VII,
ashtu edhe në shekullin XXI:
me dorë hajduti,
me shpirt lugati,
të etur për plaçkë,
për vrasje
e shkatërrim.

Sikur të kishit forcë,
edhe botën
do ta ndiznit flakë.

Në armiqësi me sllovenët,
të urtë e punëtorë;
me kroatët,
detarë e ushtarë shembullorë;
me shqiptarët,
shqiponja denbabaden,
ilirë e dardanë;
me boshnjakët e pafat,
por të ndershëm
e trima.

Malazezë e maqedonas
i joshët
dhe i mashtruat,
derisa dredhitë
dhe hiletë tuaja
i kuptuan.

Sipas jush,
Perëndia krijoi
vetëm për ju
qiellin, diellin
dhe tokën.

Menduat
se historia shkruhet
me dhunë,
zjarr
e thika.

O të verbër,
i keni shpallur luftë
edhe qiellit,
diellit
e hënës,
të vdekurve
dhe të gjallëve.

Me rrëfime helmuese
të baballarëve
e nënave,
mbollët veçmas
urrejtje e fashizëm
ndaj shqiptarëve,
që kurrë nuk u thyen
dhe nuk u përkulën.

Aty ku shkel
këmba juaj,
nuk rrjedh ujë
dhe nuk mbin bar.

Mitomanë e shejtanë,
ende keni ngelur.

Krimi
nuk mbulohet
me heshtje,
as me propagandë,
as me memorandume
të shkruara
me ngjyrën katran
nga tërbimi.

Zgjohuni
nga gjumi,
zgjohuni!

Shërohuni
nga histeria:
s’pushtohen dot
Kosova
e   Shqipëria.

Bllokada si program politik: opozita kosovare mes krizës së legjitimitetit dhe sabotimit institucional

0

Në thelb, opozita nuk po flet më për alternativë qeverisëse, por për pamundësimin e funksionimit normal të shtetit nëse qytetari nuk voton sipas preferencave të saj. Kjo është një rrëshqitje serioze nga demokracia përfaqësuese drejt një logjike obstruksioniste, ku humbja zgjedhore tentohet të kompensohet përmes paralizimit institucional. Kur një ish-presidente paralajmëron publikisht krizë dhe zgjedhje të njëpasnjëshme si instrument presioni politik, ndërsa një figurë e lartë e PDK-së flet për “përmbysje të rendit kushtetues” pa ofruar asnjë provë konkrete, kemi të bëjmë me prodhim të qëllimshëm të frikës politike dhe me normalizim të gjuhës së destabilizimit.

Më problematikja në këtë qasje është fakti se opozita po përpiqet ta paraqesë bllokimin si akt patriotik dhe si “mbrojtje të demokracisë”. Kjo është një përmbysje klasike e kuptimeve politike. Demokracia nuk mbrohet duke refuzuar pjesëmarrjen institucionale, as duke bojkotuar votimin, e aq më pak duke paralajmëruar mosfunksionalizim të Gjykatës Kushtetuese apo krizë të qëllimshme parlamentare. Në fakt, një opozitë që deklaron paraprakisht se nuk do ta njohë funksionalitetin institucional në rast të humbjes së saj, po e zhvendos veten nga roli i opozitës demokratike në një subjekt pengues të rendit kushtetues.

Deklaratat e Hoxhajt janë veçanërisht simptomatike për krizën konceptuale të opozitës tradicionale kosovare. Kur ai flet për rrezikun e ndryshimit të sistemit politik “brenda dy ose tri ditësh”, pa asnjë bazë juridike apo institucionale reale, kemi të bëjmë më shumë me narrativë apokaliptike sesa me analizë politike. Kjo gjuhë nuk synon debat racional publik, por mobilizim emocional përmes frikësimit kolektiv. Në vend se të ndërtojë alternativë programore, opozita po ndërton skenarë katastrofikë, duke tentuar ta delegjitimojë paraprakisht çdo rezultat që nuk i shkon për shtati.

Në plan më të gjerë, kjo sjellje dëshmon krizën e thellë të elitave të vjetra politike në Kosovë. Përballë një elektorati që vazhdon t’i japë mbështetje të fuqishme Vetëvendosjes, opozita duket se ka hequr dorë nga beteja për bindje demokratike dhe po investon në strategjinë e konsumimit institucional të kundërshtarit. Mirëpo, kjo është një strategji me pasoja serioze për vetë shtetin. Sepse kur partitë politike fillojnë ta trajtojnë krizën si instrument legjitim të luftës për pushtet, atëherë vetë demokracia shndërrohet në peng të kalkulimeve taktike.

Paradoksi më i madh është se opozita po flet në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, ndërkohë që po promovon kulturën e mosfunksionimit kushtetues. Nuk mund të mbrohet rendi demokratik duke sabotuar institucionet që e mishërojnë atë. Demokracia parlamentare nuk nënkupton që opozita ka të drejtë vetoje mbi vullnetin elektoral të shumicës; ajo nënkupton garë politike, kontroll institucional dhe rotacion përmes votës, jo përmes bllokadës.

Në këtë kuptim, problemi nuk është më vetëm polarizimi politik. Problemi real është shfaqja e një mentaliteti politik që e konsideron shtetin funksional të pranueshëm vetëm atëherë kur pushteti kontrollohet nga vetë opozita. Dhe ky është një regres serioz për kulturën demokratike të Kosovës.

Share.

Gjykata e Sheriatit në Kosovë?

0
🟩
APO REPUBLIKË EUROPIANE?
Kosova po hyn në një terren shumë të rrezikshëm.
Jo vetëm politikisht, por identitarisht dhe kombëtarisht.
Sot një shqiptar dënohet me burg dhe mijëra euro gjobë sepse përdhosi flamurin turk gjatë një iftari në Mitrovicë.
Mund të mos pajtohesh me aktin. Mund ta konsiderosh provokim apo gabim.
Por pyetja që djeg është tjetër:
➖Pse shteti i Kosovës sillet me një ashpërsi ekstreme kur preket simbolika turke, ndërsa bëhet i verbër kur përdhoset simbolika kombëtare shqiptare?
Sepse këtu fillon era e standardeve të dyfishta.
Dhe standardet e dyfishta janë fillimi i kalbjes së shtetit.
♦️FLAMURI SHQIPTAR NË PLEHRA, HESHTJE ABSOLUTE
Ndërkohë, një tjetër personazh publik del hapur dhe hedh në kosh flamurin kombëtar shqiptar bashkë me plisin, duke e trajtuar si leckë pa vlerë.
➖Ku ishte atëherë drejtësia?
➖Ku ishte policia?
➖Ku ishin prokurorët patriotë të Facebook-ut?
Askund.
Sepse në Kosovën e sotme duket se është më e rrezikshme të prekësh simbolikën neo-otomane sesa të poshtërosh vetë identitetin kombëtar shqiptar.
Kjo nuk ashte më rastësi.
Kjo ashte klimë politike dhe ideologjike.
🔻Një frymë e errët anadollake po futet në çdo cep të jetës publike:
Në politikë, në ekonomi, në universitete, në banka, në drejtësi, në media, në aeroport, në rrugë dhe mbi të gjitha në mendjet e një pjese të shoqërisë, qe komenton gjithe dite ne fb e rrjete sociale.
Kosova po mbushet me xhami, ndërsa shkollat boshatisen nga mendimi kritik.
Po prodhohen besimtarë fanatikë, jo qytetarë europianë. Prizreni flet si gjuhe të pare turqishten, çdo dite shtohet numri i vajzave të mbuluara me shami të zeza.
🟪HESHTJA E PUSHTETIT DHE NORMALIZIMI I RADIKALIZMIT
Dhe kulmi i ironisë:
Kryeministri i Kosovës kandidon për deputet njerëz që publikisht nuk e pranojnë Gjergj Kastriotin si hero kombëtar dhe që flamurin shqiptar e trajtojnë si simbol pa vlerë.
Ky nuk është më pluralizëm demokratik.
Ky është dorëzim identitar.
Kur politika fillon t’i ledhatojë qarqet neo-otomane dhe islamizmin politik për interesa elektorale, atëherë kombi hyn në fazën më të rrezikshme:
Humbjen graduale të vetvetes.
♦️Dhe sot pyetja nuk është më:
“Kush e përdhosi një flamur?”
🔹
Pyetja është:
➖Ku po e çojnë Kosovën?
➖Në Europë apo në Anadoll?
➖
Në republikë moderne apo në mendësi sheriatike?
➖Në shtet kombëtar shqiptar apo në një territor pa identitet, ku historia, heronjtë dhe simbolika shqiptare trajtohen si pengesë?
Kosova nuk u çlirua që të turpërohej nga vetvetja.
Nuk u derdh gjak për ta kthyer kombin në provincë ideologjike të Lindjes anadollake.
Një popull që fillon të ketë frikë të mbrojë flamurin, historinë dhe identitetin e vet, është një popull që ka hyrë në krizë të thellë shpirtërore.
Dhe krizat shpirtërore janë më të rrezikshme se luftërat.

Shqiptarët në Mal të Zi vazhdojnë të jenë ndër pakicat më të rrezikuara në Evropë, andaj duhet të reflektojnë para se të festojnë

0

Në cilat kushte u lejua përkohësisht veprimtaria e shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip në Stamboll

Në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, gjatë Rilindjes, e veçanërisht pas krijimit të “Lidhjes së Prizrenit” u bënë përpjekje për të krijuar një shoqëri kulturore shqiptare. Intelektualë patriotë shqiptarë u mblodhën në Stamboll, nga të gjitha trevat shqiptare, më 12 tetor 1879 dhe themeluan një shoqëri kulturore shqiptare të njohur si “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, e njohur ndryshe si “Shoqëria e Stambollit”.
Formimi i Shoqërisë u bë në kushtet kur Perandoria Osmane nuk i lejoi shkollat në gjuhën shqipe, pavarësisht se me dekretin perandorak (Hatt-i-Humayun të vitit 1856) “të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim”. Nga ana tjetër, përhapja në Shqipëri e shkollave turke, greke, sllave etj. e bënin domosdoshmëri arsimimin në shqip, për t’i ruajtur shqiptarët nga asimilimi kulturor dhe etnik që u kanosej. (Historia e Popullit Shqiptar, II, 2002: 247).
Me qëllim që të bashkoheshin lehtësisht dhe të mos kishin asnjë problem nga qeveria turke, i ishte kërkuar Vezirit të madh Ali pashës për të lejuar veprimtarinë e grupit. Ali Pasha, duke ndjekur një politikë të afrueshme me shqiptarët, për të mos shtuar armiqësinë ndaj Perandorisë Osmane, “autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vazhdonte mbledhjet e tij”(Shabani, 2017:40).
Shteti osman fillimisht shfaqi një politikë të moderuar kundër kërkesës për arsim shqip. Edhe pas shfuqizimit të Lidhjes së Prizrenit, Ministria e Arsimit sugjeroi që librat e leximit dhe gramatikës në gjuhën shqipe, ndoshta të shkruara me shkronja arabe nga Daut Boriçi, të shtypeshin dhe të shpërndaheshin në shkollat shtetërore të rajoneve ku jetonin shqiptarët (Gençoğlu, 4922).
Por, sulltani Abdyl Hamiti II e lejoi shkollimin shqip aq sa i nevojitej dhe në ato vende ku i duhej. Në kushtet e veprimtarisë së ethëshme të Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit grek në jug të vendit, Sulltani ishte i interesuar për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar në trevat jugore, por kurrësesi nuk e lejoi në trevat veriore (Somel, 1997: 452, 453).
Për të kundërshtuar veprimet e ethëshme greke për greqizimin e shqiptarëve, që ishin kërcënuese për Perandorinë, në viset jugore të krahinës së Janinës dhe në krahinën e Manastirit, ku vepronte kultura ortodokse greke, u lejuan të ngriheshin disa shkolla shqipe.(Somel, 1997: 452). Në këto rrethana duhet parë dhe veprimtaria e Shoqërisë së Letrave, e cila u rrit brenda kontekstit të eksperimentit kushtetues të viteve 1876-1878 (Mitrojorgji, 2016:41).
Pas abrogimit të kushtetutës nga Abdülhamit II në shkurt 1878, reforma arsimore u kthye në sintezën e arsimit tradicional fetar me shkollimin më laik të Tanzimatit. Shkollat tani morën një rëndësi më të theksuar politike dhe strategjike, të krijuara për të frenuar kërcënimet e brendshme ndarëse dhe ato të jashtme kolonizuese.
Është pohuar se Porta nxori një ferman në nëntor 1879 që lejonte botimin e librave, revistave dhe teksteve shkollore shqipe me alfabetin e Stambollit. Por ky ferman nuk ishte një akt kushtetues, pasi Abdülhamit II e kishte shfuqizuar kushtetutën gati dy vjet më parë. Mund të ketë qenë thjesht një taktikë vonuese, për të qetësuar Lidhjen e Prizrenit, rezistenca e armatosur e së cilës po rezultonte e turpshme për shtetin osman. Megjithatë, Shoqëria e të shtypurit Shkronja Shqipe përfitoi plotësisht nga ligji i ri dhe ndërmori një fushatë të fuqishme botimesh që synonin të përhapnin alfabetin e Stambollit midis të gjithë shqiptarëve (Mitrojorgji, 2016:41-42).
Në Stamboll, Shoqëria e Letrave botoi dy periodikë jetëshkurtër, Drita (Drita) deri në 1884 dhe Dituria (Dituria) deri në 1885, pastaj botimi i tyre u ndërpre, pasi veprimtari të tilla ranë shpejt në kundërshtim me regjimin hamidian, i cili i shpalli ato të paligjshme. Edhe Kryeministri turk Ali Pasha, shumë shpejt ndryshoi mendje, dhe filloi t’u krijonte pengesa anëtarëve të Komisionit, deri sa u ndalua krejt veprimtaria e tij(Shabani, 2017:40).
Në rrethanat e reja politike të krijuara pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, Shoqëria e Stambollit nuk mundi ta vazhdonte veprimtarinë e saj. Disa nga anëtarët e lanë atë dhe pjesa tjetër së bashku me kryetarin e shoqërisë Sami Frashëri e vazhduan veprimtarinë e tyre individuale në ilegalitet. Për të siguruar vijimësinë, veprimtaria e Shoqërisë së Stambollit u zhvillua jashtë diktatit osman.
Qysh në vitin 1880, Shoqëria e Stambollit kishte dërguar në Bukuresht një nga anëtarët aktivë të saj Jani Vreto, me mision për të krijuar një degë të shoqatës atje (Peza-Perriu, Kaceli-Demirlika, 2022: 102).
Në ato kushte, lëvizja kulturore e shqiptarëve do ta kalonte qendrën e saj Bukuresht, pastaj dhe në Sofje, Kajro, Aleksandri etj, pra në kolonitë shqiptare, ku nuk mund të vepronte diktati os

Kriza e etikës publike dhe kredibiliteti i fjalës pa përgjegjësi

1

Prof. Musa Sabedini, gazetar hulumtues

Kjo tokë po mban gjithçka, edhe zhurmën e njerëzve që flasin shumë, por mbajnë pak përgjegjësi për fjalën që hedhin në opinion. Po jetojmë në një kohë kur komunikimi publik po humb gjithnjë e më shumë etikën, seriozitetin dhe kredibilitetin moral.

Në hapësirat politike, mediatike e shoqërore po shtohen zërat që akuzojnë pa prova, ofendojnë pa ndjenjë përgjegjësie dhe gjykojnë pa asnjë standard profesional apo njerëzor. Fjala është liruar nga pesha e ndërgjegjes, ndërsa shpifja dhe linçimi publik po shndërrohen në mjete të zakonshme të komunikimit.

Në vend të argumentit po triumfon agresiviteti verbal, në vend të mendimit kritik po instalohet urrejtja, ndërsa në vend të kulturës së debatit po kultivohet një klimë e rrezikshme përçarjeje dhe degradimi moral.

Më shqetësues është fakti se shumë prej atyre që flasin më së shumti publikisht, rrallëherë marrin përgjegjësi për pasojat e fjalës së tyre. Dhe kur fjala humb etikën, humb edhe besueshmëria e atij që e përdor, ndërsa shoqëria nis ngadalë të humbë shpirtin, dinjitetin dhe kulturën e saj qytetare.

Në një kohë kur shoqëria ka nevojë për urtësi, mirëkuptim dhe komunikim të qytetëruar, po përballemi çdo ditë me një valë të ashpër urrejtjeje, shpifjesh dhe fjalori degradues që po e helmon jetën publike dhe marrëdhëniet njerëzore. Është e dhimbshme të shohësh se si komunikimi ynë po humb njerëzoren.

Në vend të argumentit po triumfon britma, në vend të mendimit po sundon paragjykimi, ndërsa në vend të debatit po kultivohet urrejtja patologjike. E kjo nuk ka qenë kurrë virtyt i shqiptarit.

Populli ynë është njohur për burrërinë e fjalës, për mençurinë në kuvend dhe për respektin ndaj tjetrit, edhe kur mendimet kanë qenë të ndryshme.

Sot, fatkeqësisht, po krijohet një klimë ku shpesh ofendimi konsiderohet forcë, shpifja quhet guxim, ndërsa poshtërimi i tjetrit trajtohet si fitore publike. Por asnjë shoqëri nuk ndërtohet mbi urrejtje. Asnjë shtet nuk forcohet duke shkatërruar dinjitetin e njerëzve të vet.

Dhe asnjë komb nuk ecën përpara duke ushqyer përçarje të pafundme. Prandaj, më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthejmë kulturën e komunikimit. Të flasim me qetësi. Të shkruajmë me përgjegjësi. Të debatojmë me argumente e jo me mllef.

Të kundërshtojmë pa fyer dhe të kritikojmë pa e humbur njerëzoren. Fjala ka peshë. Fjala ndërton, por edhe rrënon. Dhe kur fjala humb etikën, shoqëria fillon të humbë karakterin e saj.

Ky vend ka kaluar sfida të mëdha historike për të mbijetuar. Nuk duhet ta dëmtojmë vetveten me gjuhë urrejtjeje dhe me klimë toksike që po i largon njerëzit nga besimi, respekti dhe solidariteti.

Na duhet më shumë sinqeritet, më shumë kulturë dhe më shumë vetëdije qytetare. Sepse gjithçka ka një kufi, edhe heshtja ndaj degradimit moral të shoqërisë.

Sot më shumë se kurrë, bëhet i domosdoshëm rikthimi i etikës së komunikimit publik dhe kulturës së debatit në jetën tonë shoqërore, politike, intelektuale dhe mediatike. Fjala e thënë apo e shkruar nuk është vetëm mjet shprehjeje, por edhe akt përgjegjësie qytetare, morale dhe profesionale.

Në veçanti, elitat politike, intelektuale dhe gazetareske kanë detyrim publik që komunikimin ta ndërtojnë mbi argumentin, maturinë dhe respektin ndaj tjetrit, e jo mbi gjuhën e urrejtjes, linçimit apo degradimit personal.

Debati demokratik nuk matet me ashpërsinë e fjalorit, por me fuqinë e argumentit dhe integritetin etik të atij që flet. Kur komunikimi humb etikën, humbet edhe besimi publik, zbehet kultura demokratike dhe dëmtohet vetë struktura morale e shoqërisë.

Prandaj, nevojitet një kthim i vetëdijshëm drejt gjuhës së arsyes, dialogut dhe dinjitetit njerëzor, sepse vetëm përmes komunikimit të përgjegjshëm mund të ndërtohet një shoqëri më e shëndetshme, më e qytetëruar dhe më humane.

Zoti e ruajtë këtë popull nga humbja e vlerave njerëzore, familjare dhe morale.  Zoti na dhëntë mençuri që ta ndërtojmë komunikimin mbi respektin, dijen dhe të vërtetën, jo mbi urrejtjen dhe shkatërrimin.

Autori është ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT.