Kreu Blog Faqe 1516

20 pyetje për ambasadoren Yuri Kim

3

Shpend Topallaj

Kam disa pyetje,
Zonja e nderuar Yuri Kim

Faqja e internetit “Fjala e Lirë”
Londër, 26 tetor 2021

Ju patjetër që e dini mirë se ne shqiptarët të dalë nga një diktaturë e pashembullt komuniste gjysmëshekullore, e kemi pritur para tre dekadash Xhejms Bejkerin si përfaqësuesin e një vendi të madh, kampion të mirëqenies, lirisë dhe demokracisë, me të cilin do të na lidhnin fort edhe interesat tona. Nuk e njihnim fare atë, por e mbajtëm në krahë si të qe Mesia, për të shprehur dashurinë tonë për atë shtet të fuqishëm, me ndikim në ecurinë politike të botës mbarë, atë shtet tek i cili shihnim edhe realizimin e shpresave dhe aspiratave tona të mohuara. Mbi të gjitha, masa e gjërë e atyre që e kishin provuar në shpinën e tyre mizorinë kriminale të atij sistemi, kishin bindjen se do të gjenin përkrahësen e palëkundur në mënjanimin e mentalitetit dhe praktikave të trashëguara nga regjimi i kaluar. E forcoi në sytë tanë respektin për SHBA, sidomos kontributi i ushtrisë së saj në kuadrin e NATO – s, për çlirimin e Kosovës nga hordhitë kriminale serbe. Mirëpo, duhet të jesh miop, ose fare pa dinjitet që të mos vëresh e shqetësohesh nga disa qëndrime të cilat duke shkaktuar turbullira politike, më shumë po i bëjnë dëm atdheut tonë. Kuptohet, se përgjegjësinë për këtë gjëndje aspak të pëlqyeshme e kanë në radhë të parë politikanët tanë, të cilët u nënshtrohen paturpësisht të huajve, duke i bërë ata zot në shtëpinë tonë. Para kësaj situate, nuk ka sesi të të mos habisin edhe veprimet e ambasadës që Ju drejtoni, veprime që bijen në kundërshtim me premtimin e sekretarit Bejker se “ne nuk do t`u japim të hani peshk, por do t`u mësojmë si kapet ai”. Para kësaj situate, ku opinionet e njerëzve janë bërë lëmsh, Ju qëndroni e padeshifrueshme, me një pamje plot sharm, ku ka ngrirë një buzëqeshje që nuk kuptohet në shpreh çiltërsi apo lojën dykuptimëshe të Pitisë së Delfit, prej nga dua të besoj se ka marrë shkas edhe torinezi Camillo Benso di Cavour kur thosh se “Mjeshtëria e diplomacisë është ta ndash kulaçin në mënyrë të tillë që secili të mendojë se ka marrë copën më të madhe”. Ju, më shumë se një nëpunëse e lartë e një administrate, jeni bijë e një populli shumëkombesh që e njeh si pakkush mirënjohjen, aq sa edhe festën më të shenjtë ka Thanksgiving, pra Ditën e Falenderimeve, ku nuk harron çka bënë në Plymouth, plot 400 vjet më parë indianët për kolonët puritanë, pas zbarkimit në Cape Code. Unë flas me ju hapur, pa drojën se do të më keqkuptoni, ndaj kini mirësinë t`ia bëni të qartë administratës tuaj, se populli shqiptar u do dhe do t`u mbetet përherë besnik, ndaj nuk është e nevojshme të praktikojmë ndaj tij akrobacira diplomatike. Është kjo arsyeja që si qytetar i këtij vendi, duke parë se nuk po gjen zbatim ai mësimi i amerikanit të shquar H. A. Kisinger, se “Diplomacia është arti i frenimit të pushtetit”, besoj se e kam të drejtën t`u drejtoj disa pyetje edhe pse nuk pres ndonjë përgjigje prej jush.
1 – A kishte të drejtë presidenti R. Regan kur thosh se “Politika supozohet se është profesioni i dytë më i vjetër, unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”?
2 – Si e vlerësoni pohimin e Henry Woton se “Ambasadori është një njeri i ndershëm, që dërgohet jashtë vendit për të gënjyer në favor të atdheut”?
3 – A ka të drejtë një ambasador të ndërhyjë brutalisht në punët e brendshme apo të marrë komandën e drejtimit në një shtet tjetër?
4 – Në administratën amerikane, a zbatohet me vendet e tjera parimi i marrëdhënieve reciproke?
5 – Si do reagonin te ju ndaj cilitdo ambasador të huaj që do të merrte përsipër të luante hapur rolin e tutorit?
6 – E quani normale ju mbajtjen e anës së një force politike në vendin ku jeni emëruar dhe a i parashikoni pasojat që vinë nga kjo?
7 – A mund të orientojë apo të ushtrojë ndikimin e vet mbi drejtësinë ambasadori i një vendi tjetër?
8 – I lejohet një ambasadori, qoftë edhe në emër të qeverisë që përfaqëson të urdhërojë se kush duhet të futet e kush duhet të dalë nga Parlamenti në shtetin ku është akredituar?
9 – A mund të shndërrohet selia e një ambasade në administratë ku paraqiten ankesat e popullit?
10 – Mund të thuash se po kryen detyrën e vet një ambasadë që për vite me radhë nuk realizon asnjë shkëmbim kulturor, artistik, letrar, shkencor a sportiv mes dy vendeve mike?
11 – A duhet të identifikoni kërcënueshëm, gjysmën e shqiptarëve, me një njeri të vetëm, kushdo qoftë ai, dhe t`i thuash opozitës ose zhduk atë ose do hani bar?
12 – E quani të drejtë të akuzoni e diskreditoni cilindo individ e sidomos politikan influent të një shteti tjetër, pa dhënë asnjë fakt?
13 – Çfarë rreziku mund të përbëjë për sigurinë e një superfuqie një njeri i cili qysh kur u njoh publikisht nuk resht së foluri për miqësinë me SHBA, e quan suksesin më të madh përfshirjen në NATO dhe ka krijuar të gjitha lehtësirat për vendosjen e forcave tuaja ushtarake te ne?
14 – Në vendin tuaj, a e keni shpallur “non grata” V. V. Putinin e Rusisë apo Kim Jong Unin e Koresë së Veriut që nuk ka ditë të mos demonstrojnë forcën e të mos vringëllijnë armët kundër jush?
15 – A duhet përkëdhelur Serbia agresore duke e barazuar me viktimën e saj dhe duke iu lutur të njohë Kosovën?
16 – Çfarë pengoi pas 78 ditë bombardimesh mbi Beograd dhe gjunjëzimit të ushtrisë gjakatare serbe, që SHBA të shtronte dhe çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke ndrequr një gabim historik ndërkombëtar?
17 – Çfarë mendoni ju për politikanët tanë të nënshtruar, kur thonë se edhe gabim ta ketë Amerika, ne duhet të bëjmë si thotë ajo?
18 – Ju e kuptoni apo bëni sikur nuk e kuptoni që një administratë kalimtare nuk është SHBA – ja në sytë e popullit tonë?
19 – Vërtetë nuk e shihni dhe nuk e ndieni se me veprimet tuaja jo gjithmonë të lavdërueshme, po ngjallni në popullin tonë pakënaqësi ndaj politikës që ndjek vendi juaj mik?
20 – A mendoni ndonjëherë sesi do t`u mbajnë mend shqiptarët kur të përfundojë mandati juaj dhe të largoheni nga vendi ynë?
Mos m’u zemëro, zonja ambasadore. Unë e dua Amerikën, por më shumë dua Shqipërinë!

Kritikë letrare: Induksioni i përditshmërisë poetike

0

Nga: Shefqet DIBRANI

Ajete Pavataj, “DERDH NDJENJËN E RILINDUR”, poezi, botoi Sh.B. “LENA grafik”, Prishtinë 2021. Redaktor Shefqet Dibrani”; ISBN978-9951-27-367-1

Emrin e poetes Ajete Pavataj, e kemi mjaftë prezent në jetën publike dhe kulturore në Kosovë. Jo vetëm kaq, por ajo është pjesëmarrëse e një varg manifestimeve të karakterit kulturor që mbahen në Kosovë dhe gjithandej në hapësirën shqiptare. Po ashtu, poetja lexuesit të saj iu ka prezantuar me një varg librash poetik, kurse me shumë poezi të tjera është prezantuar nëpër antologji dhe libra të sajuar nga grup auto-rësh, të cilët kanë krijuar mozaikun poetik dhe portretin e saj letrar.

Libri me poezi “DERDH NDJENJËN E RILINDUR”, që po i prezantohet lexuesit është i përbërë me lirika poetike të shkru-ara kryesisht viteve të fundit dhe të publikuara edhe nëpër rrjetet sociale, që kanë bërë portretin poetik që shprehë  botë-kuptimin artistik të autores.

Tashmë jemi në kohën e internetit dhe zhvillimin e për-shpejtuar të teknologjisë digjitale e cila me të gjitha përparësitë i ka edhe anët negative, sepse nga dinamika e përshpejtuar po ndikon drejtpërdrejt në nivelin e krijimit artistik. E ky ndikim po reflektohet sidomos tek shkrimi letrar dhe krijimet poetike të cilat jo rrallë na dalin si afekt i momentit se sa një përkujdesje e mirëfilltë artistike për të publikuar poezinë ose krijimet tjera letrare në mënyrë më të përsosur, traditë të cilën deri vonë e kanë ruajtur metodat e gazetarisë dhe mediave klasike, pran-daj edhe pjesëzat, vargjet dhe strofat e këtyre poezive janë pje-së e përditshmërisë krijuese, pjellë e modernizimit teknologjik,  që shprehin afektin e ndikimit të çastit dhe rastit.

Ky induksion është refleksion i përditshmerisë së nxituar që shprehin anën e brendshme shpirtërore dhe paraqesin edhe një dinamikë të krijimit letrar, e cila po zëvendësohet me më-nyrën e krijimit artistik e letrar që është kultivuar më herët.

Kjo tendencë për të regjistruar me çdo kusht ndjenjën e përditshmërisë, jo pak dhe jo rrallë ka ndikuar në anën artisti-ke dhe në shkrimin poetik. As Ajete Pavataj nuk i ka shpëtuar këtij trendi i cili reflektohet kudo nëpër këto poezi, (sidomos atëherë kur janë bërë publike në rrjetet sociale), andaj është mirë që krijuesit të jenë më të kujdesshëm në ruajtjen e pastërtisë së shkrimit letrar. Përpjekja për të shkruar sa më bukur, sa më drejt dhe pa gabime gjuhësore e ortografike është obligim i secilit autor a autore, të cilët shkruajnë dhe publikojnë poezitë e shkrimet e tyre edhe në rrjetet sociale.

Kjo tufë lirikash të  konceptuara në formë libri kanë pasur vështirësitë e saj, pikërisht për arsyet që i theksuam më lart, pasi tema dhe motivi ka qenë i përsëritur me teprim, gjë që harrja dhe përkujdesja artistike është dashur të jetë e domo-sdoshme. Prandaj për t’i shmangur përsëritjeve jemi shtrën-guar që  përmes strofave dhe vargjeve të bëjmë një kolazh poe-tik me vlerë, por që kanë motive të njëjta, gjë që mendojmë se si krijime artistike janë konceptuar mirë, janë më të lexueshme dhe shprehin më mirë përkushtimin poetik të autores, e cila me një kujdes më të shtuar, lexuesit të vet mund t’i jap poezi edhe më të realizuara të cilat jo vetëm që shprehin botën e saj krijuese por poezitë e saj, shprehin edhe një koncept filozofik.

Të shpresojmë se këto lirika të përfshira në librin “DERDH NDJENJËN E RILINDUR”, do t’i avancojnë më mirë vlerat e krijimit të saj poetik!

Në dijeni , Skënder Gjinushit, Mehmet Krajes dhe Ali Aliut: Pse vetëm akademitë shqiptarë nuk flasin për “ Kulturën e Vinçës ?

Shkruan: Fahri Xharra, Gjakovë

  • Në dijeni , Skënder Gjinushit, Mehmet Krajes dhe Ali Aliut

Serbët e festojnë vitin e tyre kalendarik 7527 , e ne ? Kur lindi kalendari ynë ?
Kalendari më i vjetër në botë qenka kalendari serb i cili e shënon vitin 7527

(A new 7527 year begins today at noon, according to the oldest calendar in the world, the old Serbian calendar. Every April 4th, when it comes to the northern hemisphere, north and south energy that comes from the sun cross paths and the summer starts, and vice versa, winter for the southern hemisphere. Summer will last in our areas until Mitrovdan, 8th November, when the roles will change. Have you ever wondered, although we all know that, or should know, why is the New Year on 31st December to 1st January, or 13th to 14th January?  (https://www.telegraf.rs/english/2948483-happy-new-7527-year-according-to-the-oldest-serbian-calendar )

Akademikëve tanë shqiptar po iu gjej unë shkrimet botërore për Vinçën afër Beogradit. Mos shkoni vetëm në Vinça se iu “mbysin” serbët. Jo për diçka tjetër por mendojnë që erdhën marsianët aty. Merrni me vete edhe edhe kryetarët e tri akademive shqiptare por mos e harroni më të rëndësishmin, “shefin “ e “ Ballkanit të hapur

S`kemi çka të bëjmë : Jemi të vonshëm ! Serbët janë të humbur në vorbullën e gënjeshtrave të tyre. Ata e kanë humbur edhe orientimin në botën e shkencave të historisë, dhe pa ndërprerje dalin me teori të cila logjikisht janë të pa kapshme , e shkencërisht të pamundura edhe për t´u besuar e edhe për t´u vërtetuar. Lakmia e tyre për t´u paraqitur si autokton në tokat ku janë ata shkojnë aq largë sa që dalin qesharak kur vetën e quajnë edhe foleja e Europës së vjetër. Një gjë më habitë se si është e mundur që shkenca moderne europiane i lejon gërrhatjet e tyre dhe e mundësojnë ” supremacinë ” serbe mbi çdo gjë europiane.
Sa keq! Por ne nuk do të heshtim.

E vërteta ishte se në vitin 1854 (pas disa zbulimeve në Shqipëri ) , historiani dhe filologut gjerman Georg von Hahn megjithë të dhënat e pakta, arriti përfundime të shkëlqyera, madje sendërtoi një alfabet, të cilin e emërtoi “shqiptar” dhe e identifikoi me pellazgjishten.”
Pra Kultura e Vinçës në anët tona qenka zbuluar më herët se në Vinça afër Beogradit sepse sipas burimeve serbe  : Kultura e Vinçes është quajtur sipas lokalitetit Vinça – Belo Bërdo , e cila gjendet në anën e djathtë të Danubit , 11km nga Beogradi në vitin 1908 nga profesori i universitetit të Beogradit dr. Milivoje Vasiç-i    (Винчанска култура је названа по локалитету Винча – Бело брдо, које се налази на десној обали Дунава, у селу Винча, 11 km низводно од Београда, на коме је ископавање започео 1908. професор Београдског универзитета др Милоје Васић, на простору од око 400 m². Ca мањим прекидима, радови су трајали све до Првог светског рата. 1924. године, обављено је ископавање али накратко, због недостатка материјалних средстава.[2] Откривени су остаци осам неолитских насеља, од којих најстарије насеље припада периоду средњег неолита и старчевачкој култури. ) Përkunder asaj që Kultura pellazgjike e vjetër deri në 9000 vjet e mbulon një territor shumë të madh; por emrin me të cilin e njef bota këtë epokë historike e mori nga gërmimi  “ i parë” në VINÇA !

Shkrimi pellazg i Vinçes

Ja se  çka  shkruante Aristidh Kola për Kulturën e Vinçes ; “Në zonën e banuar nga Dardanët dhe Arktanët ose Arkadët ishte krijuar atëkohë qytetërimi pellazgjik ballkanik, falë kushteve të veçanta klimaterike dhe pasurive nëntokësore. Mijëra vite më parë, siç dihet, u zhvillua kultura Minoike, egjiptiane dhe shkrimi sumerik, por duhet ditur se Dardanët kishin pasur po atë kohë jo vetëm shkrimin e tyre, por shkrimin linear.
Këto të dhëna nuk janë rezultat i fantazisë sime. I kanë zbuluar arkeologët evropianë në zonën poshtë Beogradit, ndërsa grekët i zbuluan në vitin 1994 në liqenin e Kastorias, (Kosturit -M.Q.) ku bashkë me një vendbanim liqenor arkeologu Hurmuziadhis solli në dritë një mbishkrim, i cili datohet rreth 5250 vjet para Erës së Re me shkronja të veçanta. E zbuluan, por të ndodhur në qorrsokakun e fantazisë shkencore indoevropiane, nuk e kuptuan se çfarë zbuluan. Kështu, atë qytetërim, i shtrirë nga jugu i Beogradit dhe që mbaron në Halkidhiqi, e emërtuan… “qytetërim të Vinçës”, sepse në fshatin Vinça, në jug të Beogradit, u gjetën për herë të parë të dhënat për atë qytetërim.

Veç fakte e gjetje për atë qytetërim – dhe këtë e dinë shkëlqyeshëm arkeologët – ka në të gjithë Epirin. Kanë qenë të njohura këto edhe në Shqipëri, së paku nga shekulli i kaluar, (shek. XIX – M.Q.), por askush nuk mund t‘i zbërthente. Një i ditur i asaj kohe ia tregoi disa nga mbishkrimet historianit dhe filologut gjerman Georg von Hahn, i cili, kur botoi veprën e tretë të “Albanesische Studien”, në vitin 1854, në qytetin Jena, shënoi se kishte zbuluar shkrimin pellazgjik. Por e gjithë teza e tij u kundërshtua sepse me mbishkrimet e gjetura nuk mund të ndërtohej alfabeti i plotë i asaj gjuhe. E vërteta ishte se, me gjithë të dhënat e pakta, Hahn arriti përfundime të shkëlqyera, madje sendërtoi një alfabet, të cilin e emërtoi “shqiptar” dhe e identifikoi me pellazgjishten.” Lajmet e fundit bëjnë të ditur se në këtë lokalitet është kyqur edhe Muzeu Britanik , mu për shkak të rëndësisë botërore arkeologjike dhe historike, të këtij zbulimi.
”Një shtet qe kur flet megjithatë zgjon respekt e dinjitet” – po sigurisht vetëm në atë mënyrë e bëjmë vendin tonë të vlerësohem. Si dhe pse?
Zbulimet më të reja të arkeologëve serb hedhin dritë në këtë civilizim që mendohej se ishte vetëm bujqësor dhe e përpunimit të qeramikës. Burimet serbe thonë ( se ku të marrim ato burime shqiptare për ketë qytetërim):” Hulumtimet në lokalitetin e Bellovodës tregojnë se banorët e lashtë të Serbisë( kush ishin ata? fxh) e kanë njohur edhe përpunimin e metaleve ,si dhe ekzistimin i minierave të asaj kohe”
Ne nuk dimë ti ruajmë gjërat tona që fati na i ka lënë në tokat tona që ne sot i zotërojmë; se ato gjëra që e vërtetojnë historinë tonë vetë i zhdukim apo iu ndihmojmë të huajve që sa më lehtë të na i zhdukin.: ”Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ( të Shqipërisë) sqaroi dje ngjarjen e rëndë që ka ndodhur ditët e fundit të 2012-s në Kishën e Shën e Premtes në Valsh të Elbasanit ku janë shkatërruar në mënyrë të përbindshme afreske të Onufrit.

Ministria nëpërmjet drejtorit të saj të Trashëgimisë Olsi Lafe e ka ndjerë për detyrë një sqarim për opinionin publik vetëm sepse media ka publikuar ngjarjen e rëndë dhe ka bërë përgjegjëse ministrinë me gjithë heshtjen e saj. Lafe ka paraqitur një kronologji të ngjarjes dhe qëndrimin e ministrisë, e cila e ka mësuar aktin e dhunës më 2 Janar 2013, kur e ka njoftuar Kisha Ortodokse. Dhunimi i kishës ka ndodhur duke u gdhirë 31 dhjetori. Kemi të bëjmë me një Monument Kulture të Kategorisë së Parë prej vitit 1963. Muret e kishës janë pikturuar nga Onufri në vitin 1554 dhe pasqyrojnë skena të ndryshme biblike. … Nga inspektimi i këtij grupi është konstatuar se afresku është dëmtuar, goditur, prerë dhe shkulur në mënyrë të dhunshme dhe mekanike nga mjete të forta dhe persona të pandërgjegjshëm dhe të painformuar mbi procesin e shkuljes apo heqjes se një pikture murale. Grabitja është bërë e fragmentuar dhe e fokusuar në pjesët e portreteve të shenjtëve kryesorë të ikonografisë biblike. Në tentativë për t’u vjedhur por në pamundësi për t’u shkulur ka qenë portreti në figurën e Shën Mërisë me Krishtin tek altari, portreti i figurës së Shën e Premtes (shenjti të cilit i është dedikuar kisha), shkrime të ndodhura në pjesën e brendshme të altarit (ndër to është shkruar emri i piktorit të kishës Onufri), figura mbi nike, pjesë të portretit të dëmtuar të një shenjti në të majtë të absidës (portreti i të cilit është dëmtuar gjatë shkuljes dhe është lënë i fragmentuar kishe.
Historia do i shkelë injorantet që jetojnë pa fije turpi në kurrizin e popullit, e këta janë akademikët.

Fahri Xharra, Gjakovë, më 26.10.21

Ambasadori gjerman “shuplakë” Ballkanit të Hapur: Pengimi i sportistëve kosovarë është shembull i Ballkanit të mbyllur

0
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se politizimi i sportit nuk është asnjëherë ide e mirë.

Ai këtë e ka thënë pas pengimit nga Serbia që u është bërë boksierëve kosovarë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror.

“Politizimi i sportit nuk është ide e mirë asnjëherë. Pengimi i boksierëve kosovarë për të marrë pjesë në kampionat shkon në drejtim të kundërt. Kjo fatkeqësisht është shembull i Ballkanit të mbyllur, jo të hapur”, është shprehur Rohde, transmeton Klankosova.tv.

“Ashtu sikurse e tha dje Zëdhënësi i BE-së “pajtimi afatgjatë në mes të shoqërisë nis nga shkëmbimi intelektual, kulturor, sportiv dhe artistik. Këto shkëmbime janë të domosdoshme për të ndërtuar mirëkuptim të ndërsjellë””.

Mos i lini më vetëm vajzat dhe gratë tona!

0

Ruben Avxhiu

Dy vjet më parë, në Manhattan, komunitetet shqiptare, boshnjake e kroate bashkuan forcat për të denoncuar një krim të përsëritur gjatë luftrave të viteve 1990, në Ballkan, por të lënë në harresë: përdorimin nga Serbia të përdhunimit si mjet lufte.
Përpara ndërtesës së konsullatës serbe në New York, të mbijetuarat e krimit serb, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyrete Tahiri-Sylejmani sfiduan tabunë dhe me guxim dëshmuan publikisht krimin që ende nuk është përballur me drejtësinë.
Mbi 20,000 gra e vajza shqiptare u përdhunuan në Kosovë nga ushtarët e paraushtarakët serbë. Bashkë me rastet në Kroaci e Bosnje, ky numër shkon në 70,000 e mbase më shumë. Këto nuk ishin incidente të shkëputura, por aksion i paramenduar për të thyer moralin dhe kurajon e popullatave vendase. Ushtria serbe përdori përdhunimin si armë, një mjet që duhet të shpallet i paligjshëm nga konventat ndërkombëtare.
Viktimat e përdhunimit janë shpesh viktima të shumëfishta. Për shkak të paragjykimeve dhuna ndaj tyre nuk njihet e përmendet nga askush. Ndryshe nga familjet e dëshmorëve të vrarë, të plagosurve, të rrëmbyerve, të burgosurve, të rrahurve, askush nuk e përmend përdhunimin. Shpesh viktimat janë përjashtuar e nuk kanë gjetur mirëkuptim as nga familjet e tyre. Këto janë viktima që nuk guxojnë të flasin e të tregojnë. Prandaj edhe kriminelët e kanë pasur shumë më kollaj të fshihen e të mos dënohen.
Por, sot me trimëresha si Vasfija e Shyretja, viktimat po guxojnë të dalin e të dëshmojnë të vërtetën që nuk duhet të turpërojë vajzat e gratë tona, por kriminelët serbë, burracakërinë e tyre, ndyrësinë e tyre.
Denoncimi i dy vjetëve më parë, nuk duhet të mbetet vetëm. Lufta jonë për drejtësi vetëm sa ka filluar.
Anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, që ishte në ballë të manifestimit dy vjet më parë, po punon përsëri bashkë me organizatën “Bashkohuni për Drejtësinë e Saj” #RallyForHerJustice për të përsëritur këtë manifestim çdo 28 tetor, derisa të vendoset drejtësi.
Krimi dhe turpi janë të Serbisë dhe bota duhet ta dijë. Sa kohë që kriminelët nuk dalin përpara ligjit, sa kohë që Serbia nuk pranon fajin, kërkon ndjesë dhe fillon përndjekjen ligjore të urdhëruese dhe zbatuesve të fushatës së përdhunimeve, sa kohë që nuk shpallet i paligjshëm përdhunimi si krim njerëzor kur përdoret si armë gjatë luftës, këto protesta duhet të vazhdojnë.
Njëzet e ca vjet më parë, këto vajza u ndodhën të vetmuara dhe të pambrojtura përballë dhunës mizore fizike e pskilogjike serbe.
Sot, frika u vra. Por duhet vrarë edhe indiferentizmi. Mos i lini më vajzat dhe gratë tona vetëm. Bashkoni me to zërin e protestës dhe të denoncimit. Bashkohuni me motrat dhe vëllezërit tanë të komuniteteve të tjera ballkanike.
Bashkohuni për Drejtësinë e Saj! Rallyforherjustice!
Protesta
Në 28 tetor 2021,në ora 12:00
Në adresën: 62 W 45th Street, New York, NY
Shkrimin në gazetën Illyria për manifestimin e dy viteve më parë mund ta lexoni këtu:

Nocionet: ”e djathta”, “e majta”, “qendra…”; janë rrëshqitëse në Shqipëri, ku kam kaluar vite e kohë nga 1992 deri më 1999

7

Albert: Fatkeqesisht Shqiperia nuk ka udhëheqës të mirë. Për mendimin tim as Saliu nuk është më i mirë se Rama. Ai ka shume mëkate, njëri ndër mëkatet më të mëdha është se ai e shkatërroi të djathtën. Ne Shqiperi nuk ka të djathte. Ne PD ka shumë njerëz të ish sigurimit komunist.

Nga: Diana Rexhepi, gazetare, Zagreb

  • Përgjigje për personin me nofkën albert.

Shumë është rrëshqitës kuptimi dhe kategorizimi i nocioneve: ” e djathta” , “e majta”, “qendra…”. Shume vite dhe shumë kohë kam kalu në Shqipëri nga 1992-1999. Nuk eksiston ndonjë vijë politike, e madhe apo pak më e vogël, populliste apo jo aq e ekspozume e kohës e që nuk kam qenë me ta. Nuk ishin vija aq te qarta – djathtë, e majtë, qendër …

Me stafin e Pjetër Arbnorit isha 0-24, dhe me ata të Berishës si dhe me vet Berishën. Sepse kuptohet që Kosova ishte në qendër të vëmendjes. Ne këtu në Kroaci përgatiteshim për Luftën, sikurse që kam shkru shumë herë, e me Bekim Berisha Abei me shume seriozitet. Dhe me radhë kuptohet që pika mbështetëse strategjike i kërkova në Shqipni. Kuptohet. Më kujtohet që isha gazetare e parë që kam hy në Ministri të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë… Diku në mes të vitit 1992. Te vet ministri i mbrojtjes. Prita kur hyna në zyrë te tij, që kanë me qenë harta përfundi atij xhami në tavolinë të vjetër, nga koha italiane …!

Tavolinë e drunit, e stilizuar.

Por… por përfundi xhamit nuk ishin harta me pika apo shigjeta strategjike, po ishte fotografia e Miss Shqipnia e Valbona Selimllari!

Kështu quhej ajo nëse se kam harruar mbiemrin e saj.

Dhe disa poezi që i kishte shkruar ministri!

Pastaj erdhën edhe disa gjenaralë tjerë, të gjithë me lexojshin poezi të veta!?…

Në një moment…, që nuk kam për ta harruar kurrë ministri e nxori faculetën e bardhë, asi klasike që ua hekurosin gratë burrave para se të shkojnë në punë; e nxori ai ministri aso faculete dhe ia nisi me qajtë…?!

Nga shpirti filloi të qante e dëneste për femijët kroatë, të vramë bestialisht nga serbët në Vukovar, në nëntor 1991!

Aty kuptova gjendjen … E kuptova që s’ka asgjë nga këso Ministrie e Mbrojtjes të Shqipërisë… Përfundi tavolinës “i fshiva duartë”. Simbolikisht, me domethëien: Kurgjë prej juve! Dhe kërkova kërkova… kërkova tutje, tutje, tutje. Berisha dhe Arbnori, sidomos stafi i Arbnorit ishin në detaje të informum e të angazhum reth çështjes së Kosovës. Dhe deri dikund edhe stafi dhe rojat e Mbretit Leka Zogu, të cilin e prita një orë dhe iu thash rojave të armatosura përreth të oborrit të shtëpisë mbretnore ku rrinte ai, thash që nuk lëvizi nga këtu derisa nuk më pranon në bisedë Leka Zogu.

E zgjuan nga gjumi dhe ai u taku me mue. U çudita sa ishte i gjatë si dhe se si e fliste  rrjedhshëm Gjuhën Shqipe. Aq rrjedhshëm e fliste megjithëse sapo kishte ardhë në Shqipni kah mesi i të nëntëdhjetave. E fliste shqipen njëmijë herë ma mirë dhe ma rrjedhshëm se une. Më pëlqej shumë që në roje kishte djemtë nga Çamëria, nga Kosova, nga Maqedonia Perëndimore, nga jugu e veriu i Shqipërisë, nga Presheva.

Atë ndjenjë krenarie që pata kur i pashë gjithë ata djemë bashkë aty… Disi ndjenjë e vërtetë dinjitoze ti shihje së bashku, e të barabartë, nuk mundem me përshkrue… Nuk përshkruhet asi ndjenje përveç me lot … lot…lot. Të kthehem të stafi i Berishes dhe Arbnorit. Nuk kam pa persona aq kompetent në Shqiperi, e për çështje të Kosovës aq të angazhum sikurse që ishte stafi i Berishës dhe Arbnorit.

Me orë, me ditë me netë e analizojshim situatën deri në imtësi. Dhe bënin plane. Këtu nuk mundem t’i them haptas çka dhe si jemi përgaditë për ngjarjet që do të pasojnë në Kosovë, por kjo ishte diçka çka i përngjante përgaditjes strategjike, gjeostrategjike, analizave dhe me skenarë të mundshme të fillimit të Luftës në Kosovë të themi më mirë të Mbrojtjes së Kosovës nga serbët. Luftës për të cilën Bekim Berisha dhe une, edha ata, e dinim se NUK MUND TI SHMANGEMI.

Kur ndodhi rrëimi i Berishës me skenar të Amerikanëve, po e përsëris: Me Skenar Të Amerikanëve, e kuptuam në gjithë atë rrëmujë dhe kaos dhe ushtimë të krismave të armëve nëpër Tiranë…, e kuptuam që të gjitha përgaditjet për mbrojtjen e Kosovës, mbrenda 48 orëve, pra MRENDA 48 orëve, ranë në ujë.

Dhe të mledhur sëbashku në një shtëpi…, shumë persona nga stafi i Arbnorit dhe atij të Berishës, disave prej nesh e kuptuam që Fuqi të Mëdha, Amerika, NUK DO që Shqipëria të përzihet në Luftën e Kosovës, në Luftën Mbrojtëse të Kosovës, e sidomos mbas disa deklaratave të Sali Berishës që Shqipëria si shtet do të reagoi nëse në Kosovë do të jetë e cënuar popullata civile nga invazioni i Serbisë.

E kur dëgjova në radio udhëzimet e ambasadës së SHBA në Tiranë për qytetarët e vet, shtetasve të SHBA që të qëndronin nëpër shtëpia, rezidenca etj., e që do të evakuoheshin nga njerëz kompetentë /lexo: CIA dhe ushtarë të armatosur), atëhere mu dridhën këmbët pasi e kuptova qartë se Sali Berisha është fundos. Qëllimisht. Nga amerikanët.

Atëhere një zotëri emrin e të cilit nuk do ta tregoj këtu, person me pozitë të lartë në shtetin shqiptar, më 28 shkurt 1997., me një dëshpërim dhe një shikim të zymtë, më tha: “Këtu mbaron çdo gjë. Për rrafsh një vit do të fillon Lufta në Kosovë”.

E ajo filloi me 5 mars në vitin 1998., në Prekaz. Pra, mbrenda një viti.

Kisha mujt të përshkruj këtu edhe shumë detaje të tjera, takimin e Bekim Berisha Abei me Sali Berishen dhe bisedën e tyre, por… do te ndalem këtu.

Do të ndalem …

Ndoshta më gjerësisht do të rrëfej një herë tjetër, në një tregim tjetër.

Ndoshta …!?

________

  • Më gjerësisht për temën gazetareja Diana Rexhepi do të shkuaj në ditët e ardhshme. 

Kosova në festën iliro-shqiptare, shtrohet Darka e Lamës

0

-Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, tradicionale e Kosovës, u organizua nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani në bashkëpunim me prodhuesit vendorë/

-Në Kosovën e lirë – moderne, në vitin 2002,  Ditën e Falënderimit – Darkën e Lamës Presidenti historik  i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli festë shtetërore/

-“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti Rugova në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 18 viteve – në 23 Tetor 2003/

Gazeta DIELLI / portali DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 26 Tetor 2021/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në bashkëpunim  me prodhuesit vendorë, mbrëmë organizoi festën e moçme shqiptare, Darka e Lamës, ku ishin edhe Kreministri Albin Kurti e përfaqësues tjerë institucionalë e politikë të vendit dhe të pranisë ndërkombëtare.

“Mirë se erdhët në Darkën e Lamës, në festën e lashtë shqiptare, e cila  daton që nga shekulli i V-të dhe shënon mbarimin e verës, kohën kur ne i mbledhim frutat, të lashtat e bereqetin dhe i shprehim falënderimet tona për të mirat e sivjetme”,  u shpreh fillimisht Presidentja Osmani duke përshëndetur të pranishmit.

Ajo tha se Darka e Lamës është pjesë e një trashëgimie të pasur shpirtërore, të cilën shqiptarët e kanë trashëguar dhe e kanë ruajtur qysh nga kohët e hershme.

“Krahas festave të tjera, Darka e Lamës u ka mbijetuar shekujve dhe është bartur deri në ditët tona, duke u bërë kështu pjesë e rëndësishme e kulturës sonë të lashtë dhe duke ndikuar në ruajtjen dhe kultivimin e shpirtit tonë solidar”, theksoi Presidentja Osmani.

Sonte, vijoi Presidentja e Kosovës, poashtu dua të shprehë mirënjohjen e thellë për kujdesin të cilin ati themeltar i shtetit tonë, Presidenti Ibrahim Rugova, e tregoi kur në vitin 2002 e riktheu traditën e mirë të gatimit dhe të shërbimit të bukës nëpërmjet festës së Darkës së Lamës.

“Ai e quajti atë Festë e Falënderimeve, të ngjashme me Festën e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne i jemi mirënjohës për këtë thesar trashëgimie, të cilin ai e riktheu në këtë truall.

Sikur e dini, Presidenti Rugova gjithnjë festonte me miq, punonte me miq dhe i falënderonte ata edhe për mirëqenien tonë. Ne do ta kultivojmë përherë ketë traditeë të vyer të popullit shqiptar, sepse vlerësojmë, njësoj sikur presidenti Rugova, se kultivimi i traditës së mirë e mbanë të gjallë shpirtin e një kombi”, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër, ndërsa autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në Kosovën e lirë – moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës.

Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit,  e cila  është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej vetëm në kryeqytet-Prishtinë, ndërsa nga viti 2014 edhe në qytete tjera, në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë e pastaj në Pejë…

Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në Sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës.

Në Prishtinë, në 23 Tetor 2003, në mjediset e një hoteli,  kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.

Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 Tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo festë e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.

Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar (në vitin 2002) e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.

“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.

“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.

Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.

“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.

“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 18 viteve – në 23 Tetor 2003.

Kryeministri Kurti priti në takim Sonja Biserkon nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

0

Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, ishin tema e takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Në takimin e përbashkët me drejtoreshën e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Izabela Kisiq dhe Mark Baskin nga Qendra për Dialog Humanitar  (Centre for Humanitarian Dialogue), kryeministri Kurti theksoi se paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, është parim i politikës sonë të jashtme, dhe se Bashkimi Evropian është vlerë dhe destinim për rajonin.

Ai veçoi rëndësinë e demokratizimit të rajonit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimit të ligjit dhe ballafaqimit me të kaluarën, si parakushte për marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë rajonal.

Kryeministri falënderoi znj.Biserko për kontributin e jashtëzakonshëm intelektual dhe civil tash e tri dekada.

U bisedua për projektet aktuale të Komitetit, që qysh nga themelimi në vitin 1994 është përpjekur të ekspozojë ideologjinë mbizotëruese të Serbisë – nacionalizmin – dhe të zbusë efektet fatale në fushën e të drejtave të njeriut, ekonominë e vendit, sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet rajonale.

Fëmijëria e Sylës, turjakasit tim

0

Nga: Sinan Kastrati, Malmö

Fëmijëria e Sylës

Vazhdon nga numri i kaluar “Sulo, nëse nuk shihemi, më mbaj në zemër!”, në Drini.us, 23 Tetor 2021, në rubrikën “Dossier”

Nga Ditari im (2)

Syla kishte lindur në një familje të madhe turjakase. Gjyshin nuk e mbante në mend por vetëm xhaxhain, Ganiun. Ganiu ishte vëllai më i madhi e ai vendoste çdo gjë në familje. Në mbrëmje ai i ndante punët për nesër, kush duhët të shkoj në mal, në mulli, e kush duhët të rrije të shpija, nëse thirr dikush, me qenë ni ”burrë” te shtëpia. Miftari, baba i Sylës, ishte më i vogël se Ganiu dhe vetëm dëgjonte vëllain.  Vetë Syla, si i vogël, habitej se çfarë rregulli e diciplinte mbretëronte në odën e burrave.

Në pazarin e Rahavecit dhe te miqt, në dasma, dreka e në deka, shkonte Ganiu.

Oda ishte e madhe e në mes kishte një oxhak. Në të dy anët e odës kishte të shrtuar qilima  e cerga 1*) e në mes ishte e ndarë më me nga një drua të gdhendur. Mesi i odës, i thonin ”arallak” që ishte i gjërë 1 meter. Kur vinin mysafirët, Ganiu iu thonte:

-O mirë se iu ka pru Zoti dhe dikush nga djemt e Ganiut vraponte e ia dathte opingat mysafirit. Dimrit, nëse mysafiri kishte bërë udhë të gjatë e iu kishin lagur këmbët, edhe çorapet ia dathnin dhe derisa i tereshin, ia jepte dikush një pale çorape të tjera.

Në anën e djathtë të gjysmëms së odës që e ndante në mes ”arallaku”, që nga oxhaki 3*) e deri te dera e odës, rrinte Ganiu e në ballë të axhakit, ulej mysafiri. Nëse kishte shumë mysafirë e miq, ai që ishte më i vjetër, ulej afër axhakit e të tjerët uleshin rreth e rreth odës. Ganiu iu zgjaste kutinë e duhanit mysafirëve. Nëse mysafiri, nuk kishte duhan në kuti e kjo ndodhte pas natës së parë e të dytë, Ganiu i thonte një djalit:

– Mushja kutinë me duhan … Edhe mysafirirët shkepnin duhan, pas të zotit të shtëpisë.

I zoti i shtëpisë, iu piqte nga një kafe turki 4*) mysafirëve e pastaj dhizej 5*) (fig. nga ndez-em.) muhabeti deri sa vinte darka që për pakë ndërpritej.

Darkën e pregadisnin gratë dhe dikush nga qikat e djemtë e Ganiut i ndihmonin ato ta merrnin e ta qonin ushqimin deri në hajat të odës. Gratë nuk hynin në odë e as nuk guxonte kush ta linte derën e odës të hapur që mysafirët ti shihnin gratë. Kur ato shkonin, një djalë që ishte më këmbëlehti e merrte një legen e një gjygym me ujë dhe fillonte që nga oxhaku te mysafiri i parë duke ia afrua legenin te perhëri me i larë duart. Ata i lanin por kishte edhe të tillë që në legen iu frynin hundëve dhe … por askush nuk reagonte. Edhe mysafirët e respektonin këtë ”rregull të pashkruar” që në kohën kur kur ishte ”kohë darke”, që duhej hëngër bukë, mysafirët nuk kërkonin të dilnin në ”yzerhane” .

Ai mysafir që ”kërkonte leje” për me dalur, kur kishte nevojë në kohën kur ishte koha e bukës, në darkë, ishte mysafir që nuk i dinte rregullat e odës e adetet e katundit.

Sofra e madhe kthehej në anën tjetër të odës, aty ku rrinin djemtë dhe babai i Sylës, Miftari i cili mbante ”qetësinë” që djemtë të mos flasin por ti dëgjojnë mysafirët.

Bukën e ndante i zoti shtëpisë dhe çdo njërit iu ndante nga një copë të madhe sepse kishte mysafirë që ngushtohej me i lyp bukë të zotit të shtëpisë dhe mund të qohej nga sofra i untë. Kishte raste kur Miftari i thonte vëllait:

-Bac, theja do bukë … !

Në mes të sofrës vendosej një enë e madhe me pasul me mish ku të gjithë hanin së bashku.

…..

Këto mendime nga fëmijëria, Sylës nuk i hiqeshin nga mendja, ndërsa ishte i shtrirë në krevat me sy herë të mbyllur e herë të hapur.

1*) (Cergë f.sh. -)

Qilim ose mbulesë e ashpër që është punuar zakonisht me lesh dhie. Cergë e dhirtë. Shtroj cergën. Hedh një cergë. Mbuloj me cergë.

Pëlhurë merimange. Cergë merimange. End cergën. Zë cerga. Fshij cergat.

Cipë e hollë; pëlhurë e hollë, tis. Cergë e mëndafshtë.

kryes. sh. Rrecka të vjetra, rroba të grisura e të bëra zhele, lecka. Vishej me ca cerga. Mori cergat në krahë. Mblodhi cergat. U bë fare cergë. Flak (hedh) si një cergë.

vjet. Shatorre e bërë me cohë a me velenxa të ashpra; tendë. Cerga e stanit. Ngre (prish) cergën.

Cergë e re njeri që sapo ka krijuar familje më vete. Zuri cergë (brumë) shih te zë. Iu be cergë i zuri derën tjetrit, ndenji për një kohë të gjatë tek tjetri pa dëshirën e tij; iu ngjit, iu qep. I kanë vënë (i kanë zënë) cergë sytë nuk e sheh qartë gjendjen rreth e rrotull, është verbuar.

Njeri që nuk ka një vend banimi të ngulur, endacak. E gjeti si cergatarët.

Që nuk ka një vend banimi të ngulur, endacak; që ka tiparet e jetës së endacakut. Fise cergatare. Jetë cergatare.

Rroba të holla dhe të vjetra, që grisen shpejt. Vishet me cergurina.

1*) QILIM m.

  1. Shtrojë me përmasa të ndryshme dhe me një a me disa fletë, e punuar në vegjë me fije të trasha leshi, pambuku etj., zakonisht me disa ngjyra e me zbukurime, që vihet mbi dysheme ose varet në mur si stoli. Qilim i vogël (i madh, i trashë, i rrahur, i shkelur). Qilim me vija (me lule). Qilim me thekë (me push). Qilim me lecka. Qilim muri. Fletët e qilimit. Ndërmarrja e qilimave. Shtroj (hap, ngre, mbledh, shkund) qilimin.

2*) ÇORAP m. kryes.

Veshje për këmbën, që thuret me dorë ose në makinë me fije leshi, pambuku a mëndafshi ose me fije sintetike. Çorapë të gjatë (të shkurtër). Çorapë të qëndisur. Çorapë burrash (grash, fëmijësh). Çorapë leshi (pambuku, mëndafshi, najloni).

Qafa e çorapit. Shputa e çorapit. Llastikat e çorapëve. Maja (thembra) e çorapit.

Shtiza çorapësh. Një palë çorapë. Bëj çorapë. Thur (punoj) çorapë. Mbath çorapët.

Heq (zhvesh) çorapët.

* E bëri çorap e bëri rrëmujë, e bëri lesh e li. S’po bëj çorap s’më ecën puna mirë, nuk bëj përpara në diçka. Nuk bën çorap me dikë nuk shkon mirë me dikë, nuk ka marrëdhënie të mira me të. E bën (e hap, e ka) gojën çorap flet shumë, llomotit tepër, është llafazan i madh. Ia bëj mendjen çorap ia prish mendjen dikujt, ia bëj mendjen çorbë.

3*) OXHAK m.

  1. Vendi në anë të një dhomë a në një ndërtesë, bashkë me pjesën e hapur deri mbi çati, ku ndizet zjarri dhe shkon tymi jashtë. Oxhak i lartë. Oxhakët e shtëpive. Oxhaku i fabrikës (i uzinës). Tymi i oxhaqeve. Bloza e oxhakut. Shtëpi me oxhak. Fshijnë (pastrojnë) oxhakun.
  2. fig. bised. vjet. Njerëzit e shtëpisë, familja; farefisi. E kishte oxhak. Ishin nga një oxhak.
  3. fig. hist. Familje e vjetër dhe e dëgjuar, shtëpia e parë dhe e njohur nga të tjerët; familje e shtresës së pasur. Oxhak i madh. Oxhaqet feudale. Djalë oxhaku. Ishte oxhak (ishte prej oxhaku). Iku koha e oxhaqeve.

* Ia mbylli (ia shoi) oxhakun shih te MBYLL. Oxhak pa tym shtëpi pa njerëz, vatër e shuar. U bë për rreth oxhaku u plak, e zuri pleqëria e rri në qoshe, nuk del dot nga shtëpia. Tymi të shkojë drejt, pa le të jetë oxhaku i shtrembër! fj. u. shih tek TYM,~I.

OXHAKËRI f. përmb. hist.

Njerëzit e shtresës së pasur; klasa feudale e vendit, paria feudale. Oxhakëria e vendit.

4*) Kafe turki, sade, jemeni.

Kështu quhej kafeja që piqej e pastaj bluhej në mulli të kafesë, kafe turku, kafe jemeni ndërsa kafe sade, ishte kafeja pa shiqer

5*) NDIZEM vetv.

vet. veta III. Merr zjarr, fillon, digjet, merr flakë; kund. shuhet, fiket. U ndez zjarri. U ndez një mullar. U ndez furra (soba). Ndizet plehu (pambuku, mielli…) fillon të digjet vetvetiu pak nga pak. U ndez vendi.

…..

  1. vet. veta III fig. Nis të zhvillohet diçka me vrull me hov, merr zjarr. U ndez biseda. U ndez një diskutim (një grindje, një sherr). U ndez beteja (lufta). U ndez vallja. U ndez pushka.

* Iu ndez (i hipi, i kërceu, iu ngrit, e zuri) damari shih te DAMAR,~I. Iu ndez (iu nxeh) gjaku shih te GJAKU,~U I. U ndezën (u nxehën) gjakrat shih te GJAKU,~U I. Iu ndezën shkotat shih te SHKOT/Ë,~A.

Vazhdon

Malmö, Suedi më  26 tetor 2021

Bastardim i traditave të lashta Iliro-Dardane!

0

Florim Zeqa 

Në një ndejë diku në Rrafsh të Dukagjinit, njëri e pyet hoxhën, çka ka pas xhenetit (parajsës), ai nuk iu përgjigj, e pyet përseri, ai nuk iu përgjigj, ndërsa kur e pyet herën e tretë, hoxha i mllefosur i përgjigjet; pas xhenetit “serrnisht” e ki shko kah të duash!

Siq duket, pushtetarët e rinjë të dehur pas luksit të pushtetit pak si herët na dolën në “serrnisht”!

Në mbrëmjen e së hënës së 25 tetorit, njëra nga hapësirat luksoze, poashtu të njërit nga hotelet më luksoze në vend (Emerald) mori pamje krejt tjetër. E mori pamjen e një shtalle kafshësh. Në vend të karrigëve u vendosen duaj sane e kashte, mbi të cilët u ulen njerëzit e veshur me petkun e pushtetit, familjarë të tyre dhe njerëz të afërt me ta.

Për mbarëvajtjen apo më mirë të themi për mosgërvishjen e prapanicave nga fijet e kashtës, iu kishin vendosur jastekë të butë pambuku!

Pak ka rëndësi, se e kujt ishte ideja e vendosjes së jastëkëve të pambukut mbi duaj të kashtës, po kjo ishte ide briliante për të evituar rastet emergjente gjatë këtij evenimenti cirkusial!

Si produkt i kësaj darke të pasur në ambient të “varfër”, i kësaj avanture të çmendur të pushtetarëve, më i pasuri na doli pronari i hotelit Emerald, i përzgjedhuri i pushtetarëve të pasur me para të shtetit, të cilit i mbushën mirë arkën dhe jo vetëm!

Me fat ishte edhe bujku apo fermeri, të cilit i janë paguar më shtrenjtë si asnjëherë më parë duajt e sanës dhe të kashtës!

Nuk i dihet, mbase ma shtrenjt i ka kushtuar buxhetit të shtetit një dukë kashtë sesa menyja e hotelit!

Pavarësisht çmimit të sanës dhe kashtës, ky ishte abuzim me ushqimin e kafshëve për një kafshatë të ëmbël nga buxheti i shtetit, apo më mirë më thënë nga djersa e popullit të varfër!

Asnjë pikë faji nuk e ka pronari i hotelit, fajtore është presidentja dhe kryeministri, këta dy gardianët e djersës së qytetarëve, të cilët gjatë fushatës zgjedhore patën premtuar se do ta ulin koston buxhetore për dreka dhe darka luksoze për ta ngritur mirëqenjen e qytetarëve!

Thaujse nuk gjetën vend tjetër pos në hotel luksoz për ta mbajtur “Darkën e Lamës”!

Nuk iu mjaftuan sallat e mëdha në ambientet e institucioneve të shtetit për ta shënuar në mënyrë simbolike këtë traditë të lashtë të popullit tonë!

Aq keq e bastarduan kësaj radhe këtë festë të lashtë Iliro-Dardane, saqë ngjau në gjithçka tjetër, por më së paku në Darkë të Lamës!

Na ishte kjo darkë familjare apo aheng i zyrtarëve me kollare të cilët fare nuk çajnë hallin e qytetarëve, që nuk po arrijnë dot t’i përballojnë ngritjes së çmimeve me pagat më të ulëta në rajon?!

Sikur pushtetarët ta organizonin Darkën e Lamës siq e organizojmë ne në mërgatë me forca vetanake, duke e mbuluar gjithçka nga buxheti familjarë, jo vetëm që nuk do të shkonin në Emerald, nuk do të ftonin kaq shumë njerëz dhe as që do t’u bie ndërmend për duaj të kashtës dhe sanës, por do t’iu përshtateshin traditave dhe zakoneve popullore.

Fotografitë nga vendi ku u mbajtë e ashtuquajtura “Darkë e Lamës”, e tregojnë në mënyrën më besnike gjithçka, filluar nga dizajni, ushqimet dhe pjesëmarrja e cila ishte shumë largë traditave popullore!

Kjo maskaradë e dy manipulantëve, Kurtit dhe Osmanit nuk guxon të përfundoj më kaq!

Duhet të ngritet si çështje abuzive në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, për t’ia kaluar më pas çështjen prokurorit të shtetit për të verifikuar koston tatale të këtij ahengu të pushtetarëve, pse jo, të mos bëhet edhe verifikimi i çmimit të duajve të kashtës dhe sanës!