Kreu Blog Faqe 1517

“Takimet e Gjeçovit” të shtunën e 30 Tetorit 2021 në edicionin e 50-të jubilar 

Shkruan: Behlul Jashari

-Të shtunën e 30 Tetorit 2021 në Zym të Hasit, zonë e kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri, mbahen në edicionin e 50-të  jubilar “Takimet e Gjeçovit”, manifestim tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare/

PRISHTINË, 26 Tetor 2021/ Në Zym të Hasit, zonë kufitare e Kosovës me Shqipërinë në rajonin e Prizrenit, të shtunën e 30 Tetorit 2021 mbahen “Takimet e Gjeçovit”,  në edicionin e 50-të  jubilar të këtij manifestimi tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare.

Manifestimi i sivjetmë mbahet nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani,  ndërsa mysafir pritet të jetë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëhet e ditur në ftesën e dërguar nga Këshilli Organizativ.

Në ftesën e dërguar nga Frrok Kristaj theksohet se, në manifestim marrin pjesë shumë shkrimtarë, shkencëtarë, etnografë, arkeologë, historianë, pedagogë, artistë të teatrit, të filmit, të muzikës, të artit figurativ, pastaj veprimtarë të aktiviteteve kulturore dhe të tjerë nga mbarë viset etnike shqiptare dhe nga diaspora.

Manifestimin “Takimet e Gjeçovit” e organizon Klubi Letrar “Shtjefën Gjeçovi” në Zym në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit të Republikës së Kosovës.

Pjesë e manifestimit do jetë ora letrare  “Anton Pashku” – me emrin shkrimtarit të lindur në fshatin Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit, ku lexojnë 15 poetë nga viset etnike shqiptare.

Në tre ekspozita prezantohen veprat letrare, shkencore e publicistike të autorëve hasianë, Llesh N. Biba nga kryeqyteti shqiptar Tirana me drugëdhendje dhe Luan Rr. Çoçaj nga Gjonaj – fshat i Hasit me eksponate etnografike.

Para se të përmbyllen “Takimet e Gjeçovit” me programin kulturo-artistik të Ansamblit Etno-Kulturor “Katarina Josipi” të Zymit dhe me Mikpritjen Zymjane bëhet ndarja e katër çmimeve tradicionale: “Unaza e Katit (Katarina Josipit)”, Plaketa “Pena e Pjetër Bogdanit”, Plaketa “Pena e Shtjefën Gjeçovit” dhe Plaketa “Pena e Anton Pashkut”.

Manifestimi “Takimet e Gjeçovit”  nis mbrëmjen e të premtes së 29 Tetor 2021 me promovimin e tre veprave të Atë Ndue Kajtazit: “Ai vetë është Drita” (Përsiatje përshpirtshmërie) – vëllimi I, “Çështje të identitetit të krishterë” – vëllimi II dhe “Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi”- vëllimi III (Botues “Faik Konica” dhe Kuvendi Françeskan i Gjakovës 2020). Vazhdohet me promovimin e monografisë “Buka e Zymit” të Frrok Kristajt si dhe me prezantimin e disa personaliteteve zymjane që veprojnë në botë.

 “Takimet e Gjeçovit” mbahen çdo tetor.  Në Zym të Hasit të Thatë, në 14 Tetor të vitit 1929, nga okupatorët serbë u vra prifti i devotshem, arkeologu, etnografi, shkrimtari, dramaturgu, speleologu, përkthyesi, pedagogu e atdhetari i spikatur Atë Shtjefën Konstantin Gjeçovi – Kryeziu, të cilin zymjanët e varrosën në oborrin e Kishës së Shën Prenës në fshatin Shëngjergj të Hasit. Kjo figurë poliedrike la mbi 75 vepra, duke filluar nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (e mblodhi dhe e kodifikoi Gjeçovi), “Agimi i Gjydetnis”, “Trashegime thrrako-ilirijane” e shumë të tjera, prej të cilave deri më tash i janë botuar rreth 25.

Në një nga “Takimet e Gjeçovit”, akademik Mark Krasniqi theksonte se “Zymi dhe në përgjithësi Hasi i  kanë dhënë njerëz të mëdhenj kombit, kurse Gjeçovi, pas Ungjillit, në rend të ditës kishte çështjen kombëtare, duke marrë pjesë edhe vetë si luftëtar me armë në dorë në luftën e Vlorës më 1920”.

Shami besnikërie: Tregim (i vocërr) nga Bajram Sefaj

0

Nga: Bajram Sefaj, Paris

Rilexime nostalgjike

Shami besnikërie
(noliane)
———-
Tregim (i vocërr) nga Bajram Sefaj

Në tregtoren e modës së lartë, Ndreu i qaset peliçes më të shtrenjtë. Cilësinë dhe ekskluzivitetin e saj, më së miri, e dëshmonte çmimi.
Marramendës, sa i lartë ishte!
– Ma prit këtë copë, këtu! – i tha shitësit, duke zënë me pëllëmbë, peliçën për mënge!
– Je në vete, ore! Je normal!?! Të pritet një copë nga një peliçe! Ku ke parë ti!
– Në shitore të mishit!
– Shko bli mish!
– As atje nuk do ta blej një ka të tërin, pos një copë edhe më të vogël se kjo! – ia ktheu Ndreu e iku!

*
Përnjëmend, bëri ashtu siç bën blerësi, kur, nga një shitore e madhe e konforamës, del me një grusht gozhdësh mbështjellë në letër. Të mjaftueshme për ndreqjen e një elementi të imët në hajat të shtëpisë!
Jo me një grusht gozhdë, por me dhjetë-pesëmbëdhjetë rreshta, Ndreu, doli nga thesari i «merkatos» së librit, të një biografie të madhe!
Kaq i duheshin për sajimin e një tregimi të shkurtër. Për diçka më shumë, sigurisht se do t’i nevojiteshin më shumë!

*
Anonimisht, siç ishte zakon, shaminë e qëndisur, e mori kur ishte në moshën nëntëvjeçare. Pak pas kryerjes së vitit të parë të shkollës fillore!
Gjyshja mentë plasi gazi, kur, nipi shëndetlig, e pyeti se ç’do të thoshte ajo shami!
– «S’mund të them…Ti s’ishe caktuar të bëheshe çun. Jot ëmë, pas lindjes së birit të parë, Dhimitrit, donte të lindte një çupë. U bë si u bë… ajo u pendua dhe, në çastin e mbramë, lindi një çun, i cili, sipas të gjitha qëllimeve praktike, duhej të ishte çupë».
– «Unë jam kryekreje çun!».
– «Tregoje, pra. Unë u them djem vetëm atyre që mund të përdorin koburen…!».
Çuni shëndetbrishtë, rrëmbeu një kobure nga këndi… doli me vrap… ia tërhoqi këmbëzën… Bam!
– «Tani e di se je mashkull!» – i tha gjyshja me fytyrë të ngrysur, si të aktronte hijerëndësi!
Vallë, cila ishte çupa që ia kishte dërguar shaminë?
Ish dhjetëvjeçarja Shasha, ajo që njohu shaminë në dorën e plakës, të gjyshes së çunit, kur i printe valles në sheshin e fshatit, ku… »Gjëja e vetme që mungonte ishin vashat!».

Shasha s’donte të merrte një «jo» si përgjigje.
Një epidemi e tifos e zgjodhi nyjën gordiane.
Shashën e mposhti vdekja.
Çuni shpëtoi dhe u shërua.

*
Kurrë në jetë nuk ishte martuar!
Kishte ruajtur kujtimin eternel për Shashën. Kur ajo vetë e kishte zgjedhur, duke qenë e gatshme t’i bëhej kujdestare! Pa kërkuar prej tij, as të qesë me kobure, as të pijë përnjëherë kovën e madhe plot me ujë sa s’mund të pinte një ka!, as kurrgjë tjetër, me ç’gjëra, tradicionalisht, matej burrëria mashkullore në »…fshatin e ngritur në një varg kodrinash valë-valë… që i ndante një përroskë e vogël, që gjarpëronte midis tyre…».

(Gaillard, prill 2001)

Kryeministri Kurti priti delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR)

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), të prirë nga Vessela Tcherneva, Zëvendësdrejtore dhe Shefe e zyrës së ECFR, në Sofje.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit dhe krijimin e vendeve të punës, në mënyrë që të ofrojmë mundësi të barabarta për të gjithë.

Ai veçoi synimet për krijimin e një ambienti të favorshëm për të tërhequr investitorët e huaj drejt krijimit të një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimit të vendit.

Kryeministri theksoi se zgjedhjet demokratike dhe fitorja bazuar në përkrahjen masive e qytetarëve kanë sjellë rezultate pozitive në të gjitha fushat. Ai vuri theksin te rritja e hovshme e ekonomisë, që sipas Bankës Botërore është 9,9%.

Për shkak të rritjes së besimit të qytetarëve në qeveri janë rritur edhe të hyrat buxhetore, investimet e jashtme si dhe remitancat nga diaspora. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar në shëndetin dhe rritjen e ekonomisë, tha kryeministri.

Delegacioni u interesua për zhvillimet e gjithmbarshme në vend në këta shtatë muaj të qeverisjes, me theks në bashkëpunimin rajonal dhe bisedimet me Serbinë.

Në fushën e bashkëpunimit rajonal, Kosova është pro bashkëpunimit dhe integrimit në kuadër të agjendës evropiane dhe me prezencën e pjesëmarrjen e BE-së. Kryeministri potencoi se bashkëpunimi duhet të jetë ekonomik, por edhe i bazuar në vlera ku avancojmë të drejtat dhe liritë.

Bisedimet me Serbinë janë për statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku zgjidhen çështjet e pazgjidhura sikurse borxhet, dëmet e luftës e reparacionet, e që rezulton me njohje reciproke, tha kryeministri.

U bisedua edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, për çka përfaqësuesit e ECFR shprehen brengën për vonesën në këtë proces.

Delegacioni nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë shprehu mbështetje për punën dhe objektivat e Qeverisë.

 

Pjesë e delegacionit nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ishin:  Sylvia Kauffmamn, Drejtore editoriale e Le Monde , njëherit anëtare e Këshillit të ECFR, Hannes Swoboda, President, Instituti Ndërkombëtar për Paqe, ish-deputet i Parlamentit Evropian, Vesna Pesic, deputete; ish ministre e Jashtme e Kroacisë, Engjëllushe Morina, anëtare e lartë e politikave, Programi Wider Europe , Maria Simeonova, Koordinatore e Programit, zyra e Sofjes dhe Ballkani Perëndimor,  Ivan Vejvoda, Drejtor, Projekti i Evropës dhe Anëtar i Përhershëm, Instituti për Shkenca Humane.

Ne mashtrohemi nga iluzionet tona, vetëm në kohën e Sali Berishes dhe Pjetër Arbnorit ishin shenja që jemi një komb!

17

Nga: Diana Rexhepi, gazetare, Zagreb 

Nuk na mashtrojnë asnjë herë të tjerët , por na mashtrojnë iluzione tona intime që kemi pasë për ata të tjerët. Kosovën e bastardhoi nga Shqipënia Enver Hoxha. Dhe ajo shpërlarje e Enverit, shpërlarje e trunit të shqipetarëve të Shqipnisë ndaj Kosoves, ka zgjatë gjatë, me dekada, e me gjenerata. Një kohë të shkurtë, në kohë të Berishes dhe Pjetër Arbnorit, ishin shenjat që jemi një.

Por… me zor e hiqen atë tendencë Fatos Nano dhe tash pasardhësi i Nanos dhe i Enverit, Edi Rama.

Pse te vajtojmë që s’na dojnë?

Dhe i kultivojnë gjenerata që mos me na dashtë e as mos me na konsideru si vllazën dhe motra? Nuk o ajo çështje e jona, e që na me zor të i imponohemi Shqipërisë. Por, as Shqipëria ne, që i mëson qytetarët e saj se nuk duhet të na konsiderojnë as si kushëri, nuk ka mandat mo na diktu çka ne në Kosovë duhet me bo, dhe se na duhet te jemi “Ballkan i hapur” dhe te vllazërohemi përsëri me serb.

No Pasaran!

A e zgjedhën përsëri Edi Ramen, bashkëmenduesin e Fatos Nanos, pasardhësin mental të Enver Hoxhës, i cili në kohë kyçe dhe apokaliptike për Kosovën i tha Slobodan Miloševićit: “Kosova është çështje e mbrendshme e jotja”.

Po, okej!

A e zgjedhen përsëri qytetarët e Shqipërise Edi Ramën?

Pak ka rëndesi a i bleu apo nuk i bleu ai votat. Nëse edhe i bleu votat, pra qytetaret e Shqipenisë iu shiten Ramë, pra për pare edhe votat. Okeej. Punë e tyre. A bon na mos me qajt e mos me vajtu se na la Shqipnia? A jemi shtet në vete? Jemi. A bon pak dinjitet na dhe mos me qajt e as mos me vajtu e mos me humb kohë në qajtje e as vajtim patetik? Nuk domethënë kjo qe jemi idhnu me ta. Por as me marrë doemos atë çka ata duan me na diktu apo imponu. Nuk ka Ballkan te hapur. Jo, me Kosovën. Le te lidhen me dashni Serbia dhe Shqipnia nëprmes Malit te Zi, n’mujshin. Apo nëpërmes të Maqedonisë, n’mujshin.

Mos të pranojmë të jemi urë nëpër të cilën do të shkelin as serbët kah Shipnia e as Shqipnia e Ramës, kah Beogradi.

A i mori paret, që nuk mund të imagjinoni sa pare morën, a e mori Shqipnia tu i shitë, kontrabandu, armët nëpër Botë, e që vinin në Durrës për Kosovë në kohë kyçe per neve. E bënë edhe atë punë.

A deshtën me e vra Rugovën në maj 1999 , në Shqypni? Deshtën! Pra?

A bon në vend të vajtimit për Shqypni, na me u profilu si shtet? A tha Bullgari ne fillim te mileniumit te ri, e në midis të Zagrebit, në konferencë , publikikisht se nuk e pranon gjuhën maqedone, masi e pyeta haptas në atë konferencë a e pranon se eksiston gjuha maqedone.

Bukur. E marrim këtë avantazh. Dhe e luajmë lojën ndryshe. Ia prejmë rrugën Ramës dhe Serbisë me lojë çfarë i konvenon edhe Bullgarit edhe neve. Dhe, ditën e mirë, tashpërtash, Edi Rama, Shqipnia e Edi Ramës dhe Serbia e Vučićit apo cilitdo presidentit të atij shteti kancerogjen. Kemoterapia Serbise …, që don mi ia dhanë Rama, le t’ia jep.

Por, JO më nëpërmjet Kosovës.

Game Over me kësi lojnash të Shqipnisë dhe Serbisë në kurrizin e Kosovës.

Game Over.

__________

  • Reagim dhe sqarim plotësues i Diana Rexhepit, gazetares nga Zagrebi, ndaj shkrimit “Beogradi e nokautoi Shqipërinë!

Beogradi e nokautoi Shqipërinë!

Takim i mësimdhënësve të shkollës shqipe në Bavari dhe Austri dhe shkëmbimi i përvojave të ndërsjella

0

Shkruan: Mustafë Krasniqi, Vjenë

  • Takimi i mësimdhënësve dhe shkëmbimi i përvojave të tyre

Në takimin dyditor, më 23-24 tetor 2021, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në Bavari dhe Shoqata e Mësuesve Shqiptarë „Naim Frasheri“ (SHMSH) në Austri, organizuan një takim të përbashkët pune me mësimdhënësit në Vjenë, me temën: „Njohja, shkëmbimi i përvojave, ideve dhe bashkëpunimi në mes të mësuesve të gjuhës shqipe në Bavari dhe Austri, si dhe për masivizimin e rritjes së interesimit të numrit të nxënësve, për vijimin e mësimit të gjuhës shqipe në këto dy vende“.
Të pranishëm, në këtë takim ishin edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Vjenë, z. Roland Bimo së bashku me ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Lulzim Pllana, të cilit pas fjalës përshëndetëse, ata folën për kontributin e mësimdhënësve dhe i përgëzuan për punën dhe angazhimin e tyre, që bëjnë për ndërgjegjësimin e bashkëkombësit, për rëndësinë e shkollës shqipe.


Moderimin e këtij projekti e bëri Osman Ademi, kurse takimin e hapi kryetarja e SHMSH- së “Naim Frashëri” në Austri, Miradije Berisha dhe kryetari i LAPSH-it në Bavari, Milazim Ukaj. Berisha dhe Ukaj pasi i përshëndeten ambasadorët, Bimo, Pllana. Mësimdhënësit folën edhe për sfidat që po përballen mësimdhënësit, në përpjekje për ta ngritë vetëdijen e bashkëkombësve për t’i sjellë fëmijët në shkollën shqipe.
Zonja Berisha e falënderoi LAPSH-in për iniciativën e këtij projekti të nisur, ndërsa Ukaj foli për punën, suksesin dhe sfidat e LAPSh-it në Bavari, ku ndër të tjera tha: “ LAPSh-i në bashkëpunim me institucionet, konsullatat shqiptare në Munih, bashkëkombës, Këshillat e Prindërve, prindërit, shoqata dhe biznese, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Landin e Bavarisë, janë të angazhuar që Mësimi Plotësues i Gjuhën Shqipe të jetë i pranishëm te çdo fëmijë mërgimtarë!
Ndërsa, koordinatori i LAPSh-it, z.  Mustafë Krasniqi, foli për vështirësitë që po përballen mësimdhënësit, ku ndër të tjera theksoi se ky takim i mësimdhënësve jo vetëm që ka një vlerë të shkëmbimit të përvojave dhe bisedave didaktike, në mes të kolegëve mësimdhënës, por mbi të gjitha është një porosi për prindërit:
Mos i ndalni fëmijët nga shkollën shqipe, por t’ua hapim dritaren, përmes të cilës njohja e gjuhës amtare ua ngroh zemrat fëmijëve mërgimtarë shqiptarë! Kemi edhe përgjegjësi për t’ ndërgjegjësuar prindërit shqiptarë, që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe, njëkohësisht dhe për të mos e lënë vetëm në këtë rrugë të përpjekjes, që është fakt shqetësues, që nuk shkojnë fëmijët e tyre,  në mësimin e gjuhës amtare!


Ne, mësimdhënësi, me përvojat profesionale duhet ta luajmë një rol të rëndësishëm, duke i nxitur prindërit, për ta kuptuar se gjuha amtare është vlerë shpirtërore, përmes të cilës fëmija e ruan gjuhën, kulturën, identitetin dhe ka njohuri mbi historinë! Por, megjithatë duhet ta pranojmë një realitet të hidhur se shkolla shqipe në diasporë është në krizë, me apo padashje, pjesa më e madhe e prindërve shqiptarë nuk po i sjellin fëmijët në shkollë. Prandaj, na duhet një bashkëpunim më i thellë me ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe të Kosovës, ambasadat e përfaqësitë diplomatike, që të bashkëpunojnë ngushtë, për ta gjetur një rrugëdalje, sa nuk është bërë shumë vonë. Po ashtu me keqardhje duhet ta pranojmë një fakt shqetësues, se diaspora shqiptare në përgjithësi nuk e ka një strategji të përbashkët të veprimit, siç e kanë komunitetet tjera joshqiptare, që pa këtë strategji nuk mund të arrijmë deri te vizioni, misioni dhe qëllimi i realizimit të aspiratave tona për shkollën shqipe, tha Krasniqi. Krasniqi, para të pranishmëve, paraqiti ditarin e punës, të punuar me profesionalizëm nga Selim Hoti.
Nga ky takim i Vjenës, doli si kërkesë e përbashkët, që së bashku me të gjitha institucionet që janë me ndikim, të bashkëpunojmë për unifikimin e diasporës, për shkollën shqipe, njëkohësisht edhe kërkesë prindërve, që t’i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe!
Mësimdhënësit, vizituan edhe Muzeun e Vjenës, ku patën rastin të përkulen para përkrenares dhe shpatës së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Ndërsa, Osman Ademi foli për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, luftën heroike të popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij dhe për rrugëtimin e armëve të Skënderbeut deri në Muzeun e Vjenës! Pas vizitës në Muzeum, mësimdhënësit vizituan qendrën e Vjenës, Bibliotekën, Katedralen, Operën dhe bënë një shëtitje te parku i pallatit mbretëror në Schönbrunn. Kurse në orët e vona, shfrytëzuan kohën e lirë me këngë, humor, kuiz diturie dhe biseda kolegjiale.


Në përmbyllje të takimit, Osman Ademi, dhuroi për të gjithë mësimdhënësit, librin “Ja ku jam!”, botuar nga Ministria e Arsimit në Austri, për fëmijët që të mësojnë dhe përforcojnë njohuritë e tyre në gjuhës amtare, të përkthyer edhe në gjuhën shqipe! Përkthyes është edhe Ademi. Kurse një komplet të librave, autori i këtij kompleti, Mustafë Krasniqi, i dhuroi SHMSH “Naim Frashri” në Austri, kryetares Miradije Berisha.
Në fund, Ukaj falënderoi anëtarët e kryesisë dhe mësimdhënësit e LAPSh-it, Entin social të Mynihut, që mbështeti këtë projekt financiarisht, sekretarin Z. Avdi Kulukaj, Osman Ademin për moderimin, përfaqësuesin e Fondacionit „Besa“ Rexhep Nikçin dhe në fund z. Halil Jashari që u përkujdes për muzikën dhe fotografinë.

Nën çdo kosh plehrash fshihet ndonjë këlysh shqipfolës

0

Nga Aurel Dasareti

Shqiptarët duhet të heqin dorë nga urrejtja ndaj vetvetes. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Vendit dhe Kombit nga armiqtë e përjetshëm, qeveria dhe opozita duhet të luftojnë së bashku, të gjitha mosmarrëveshjet midis tyre mund të zgjidhen me përgjegjësi.

***

Dështakët e dy shteteve tona dhe servilët shqipfolës të FYROM-it, që gjatë 20-30 viteve pothuajse shkatërruan tërësisht shqiptarinë në të gjitha aspektet, janë një turmë e dhunshme mafioze mercenare që meriton të jetë në burg, jo të lavdërohet, jo të rizgjidhen që të mbesin në pushtet edhe pasi vdekja t`i dërgoj në ferr. Përbuzja ime ndaj “politikanëve” të tillë, hajdutë gjysmë analfabetë por me diploma false, është e pakufishme.
Cili është vendi juaj i lindjes? Është butësi për të kaluarën, për të tashmen, shpresë për të ardhmen. Është një dëshirë e zjarrtë që çdo kupë (filxhan) do të vërshojë me bekime të pasura dhe të përjetshme dhe që çdo rrugë të çojë drejt mirëqenies, ribashkimit kombëtar dhe paqes.
Ju duhet t’i merrni njerëzit me fjalën e tyre. Unë kurrë nuk kam qenë një pajtimtar i zjarrtë i teorive të vetëdijes së rreme ose formave të tjera të formimit të mendimit të pavetëdijshëm. Por kur shqiptarët thonë se e duan padronin që 20-30 vjet i shfrytëzon dhe shkatërron, por që ende voton për të, unë mendoj se ata thellë brenda janë blof, ndoshta viktima të një psikoze kolektive.
A është tradhti të dënosh tradhtarin? Pothuajse duket kështu. Ndoshta jo aq tabu sa zhytja e flamurit në një pellg, por mafia sigurisht që nuk është për plogështinë mes nesh.
Prindërit, veçanërisht nënat, duhet të trajnohen se si të rrisin fëmijët e tyre në mënyrë që ata të mos bëhen tiranë imoralë në fushat e jetës. Sjellja e keqe (dhe liria e pakufizuar për të bërë atë që duan) duhet luftuar herët, sepse morali dhe krimi janë të lidhura.
Një formë e re e robërisë-skllavërisë-feudalizmit do të zbresë mbi botën shqiptare. Një elitë e përbërë nga mafia dhe miliarderë tradhtarë, pseudo-media dhe elita politike bëjnë gjithçka që munden për të shtypur klasën e mesme. Vetëm ata që betohen për besnikëri ndaj shtetit të lartësuar vlerësohen. Njerëzit humbën vullnetin e tyre për liri dhe mirëqenie, dhe popullsia u drogua me bukë dhe cirk dasmash të shtrenjta, mijëra xhamish dhe kishave të financuara nga të huajt dashakeq për asimilimin-zhdukjen tonë përfundimtare. Tani, nga mungesa e shpresës, më tepër se gjysma e rinisë, intelektualëve dhe zejtarëve e kanë braktisur atdheun, shkollat pa nxënës, kanë mbetur pothuajse vetëm pleqtë, qytetërimi ynë pellazg-ilir-shqiptar po shpërbëhet, dhe kjo po festohet në rrugë. Qytetërimi ynë antik kryen vetëvrasje dhe gëzimi nuk përfundon kurrë. Sepse ne e meritojmë.
Shqiptarët janë aq naiv, të thjeshtë dhe aq të ngarkuar nga problemet e përditshme saqë një mashtrues profesionist i shtetit amë, gjen gjithmonë dikë që i lejon vetes të mashtrohet.
Ai është një mjeshtër në largimin e vëmendjes. Pasi ai krijon një problem serioz, që të mos merremi gjatë me të, krijon problemin e radhës…
***
Qëllimi djallëzor i strategjisë së Serbisë me «dialogun» nuk është asgjë tjetër veçse një shaka, të shtyjnë sa më shumë kohën (të përfitojnë sa më shumë në kohë) derisa të vije momenti i volitshëm për të sulmuar dhe pushtuar sërish Kosovën. Dhe, ata shpresojnë dhe presin që me kohën, interesi i Amerikës për Kosovën do të zvogëlohet, do të pushojë fare, apo forcat ushtarake do të tërhiqen prej andej (siç ndodhi në Afganistan). Nëse përbindëshit pushtojnë sërish Kosovën, atëherë është radha e hyrjes në thertore e shqiptarëve të FYROM-it, të cilët me një “krenari” tragjikomike e tjetërsojnë veten në çdo gjë tjetër të keqe, vetëm shqiptarë të mos mbeten.
Dhe, e gjithë kjo, jo vetëm me asistimin e BE-së që gjithmonë i ledhaton çetnikët gjakatar, por edhe me ndihmën e nudistit të stërzgjatur, sulltanit shqipfolës që asnjëherë nuk ka besuar në Zot megjithatë disa herë ka “ndryshuar fenë”. Vuan nga çrregullimet mendore, prandaj është dashuruar në “sivëllain” e tij, kryekriminelin e gërditshëm çetnik, i cili kur të kryej punë me shqiptarët jashtë kufirit të imponuar, do t`i vendosë në thertore edhe të gjithë shqiptarët e shtetit amë (përfshirë “sivëllain”), duke filluar me ata që lotojnë nga mallëngjimi kur në mes të Shqipërisë dëgjojnë muzikën e pistë terroriste të Serbisë.
Merrni shumë seriozisht këto që them. Unë nuk jam aq i ditur si “politikanët” e kënetave” dhe “analistët” e shumtë, por as që foli për havaje si ata. Detyra ime nuk është t`u jap të tjerëve atë që është objektivisht më e mira, por atë që është imja me sa më pastërti e sinqeritet që të mundem.
Unë nuk kam asnjë konflikt interesi në trojet arbërore. Zero. Nuk jam përkrahës i rregullt i asnjë partie, përveç që në rastet e veçanta mbështes punën e secilës nëse ajo është për të mirën e përgjithshme të çështjes kombëtare. Nëse nuk ju bashkon dashuria vëllazërore që nuk e keni aspak, atëherë le të ju bashkoje armiku i përbashkët (i përjetshëm), egërsira e etshme për gjak shqiptari, e cila nëse në momentin e caktuar ju gjen të përçarë dhe të dobët, do të ndalet vetëm pas eliminimit fizik të të gjithë juve pa marrë parasysh si quheni, çfarë fe, moshë e gjini keni, kë simpatizoni, ku jetoni…
***
Ne shqiptarët varemi në një fije të hollë, dhe ajo fije rrotullohet nga hija e rastësisë. Asgjë nuk është e rastësishme. Të gjitha situatat në jetë funksionojnë drejt një qëllimi të caktuar.
Shikoni një qiri, ai shkëlqen. Një simbol i shpresës dhe gëzimit. Shikoni një qiri, ai krijon hije. Një simbol i pikëllimit dhe humbjes. Shikoni një qiri, ai fiket. Një simbol i gjithçkaje që ishte por tashmë ka vdekur.
Me sa kam mundur të vërtetoj, armiku më i madh e korruptues për shqiptarin është shtysa e cila i ka rrënjët tek plogështia-apatia dhe nevoja për qetësi ndaj kolektivizmit, ndaj komuniteteve që merren si dogma të palëkundura, qofshin këto fetare apo politike. Ndryshe, mungesa e emocioneve të dukshme ose reagimet emocionale, letargjia, pandjeshmëria dhe indiferenca ndaj përshtypjeve.
Gjithçka varet nga guximi. Edhe më trimi shpesh e humbë atë dhe përfundon duke kërkuar programe, garanci, siguri. Guximi ka nevojë për arsyen, por s`është pjellë e saj, që vjen nga shtresa më të thella.
Kushdo që ngjitet në një pozicion të caktuar dhe merr përsipër detyra të rëndësishme, nuk duhet të ndihet më i lirë, por vetëm më i ngarkuar me përgjegjësi. Të jetë shembull, model për të tjerët.
“Unë jam i papërshtatshëm për ta sepse e dua timen, është më mirë që publiku të më dënojë sesa të tradhtoj vendin tim. Si dikush që ka lindur në Shqipëri, unë kurrë nuk do të gjunjëzohesha para dikujt që dëshiron që atdheu ynë të mos ekzistojë! Ushtrisë i dhashë gjithçka që munda, faleminderit për gjithçka”- Gjyshi im.

  • Aurel Dasareti, është USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

SKANDALI/ Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare: Do të rishihen tekstet shkollore, gjuha turke do të hyjë në shkolla!

1
TIRANË- Kryeministri Edi Rama me një vendim të botuar në Fletoren Zyrtare më 2 mars 2021 dhe të miratuar nga Këshilli i Ministrave më 24 shkurt 2021, planifikon që në bashkëpunim me shtetin turk të rishihen testet shkollore, ku përfshihet automatikisht edhe lënda e historisë. Në këtë vendim përfshihet edhe futja e gjuhës turke si gjuhë e huaj për nxënësit në shkolla, si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke.

Dosja.al gjeti këtë vendim të dyshimtë, të pasqaruar dhe pakonsultuar me askënd përveçse palës turke, që është botuar publikisht nga qeveria në QBZ. Në nenin 2., pika 9, parashikohet shkëmbimi i përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet. Termi “përmirësim”, që është i barabartë me fjalën rishikim, nuk është përmendur në asnjë nga daljet e kryeministrit Edi Rama, e as në vizitat e tij në Turqi.

“Shkëmbimin e përvojave në hartimin dhepërmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet,”– shkruhet në pikën 9.

Pika 9, neni 2

9. Shkëmbimin e përvojave në hartimin dhepërmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet,”– shkruhet në pikën nëntë.

Ndërkohë që më poshtë, neni 3., pika 2, sanksionon edhe futjen e gjuhës turke në shkolla. Në këtë pikë thuhet qartë se palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e  gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.

Pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve ose të studentëve turq në seminaret e kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare, ndërsa pala turke do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve ose studentëve shqiptarë në seminaret apo kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.

Përmbatja e nenit tre:

Mësimdhënia dhe nxënia e gjuhëve zyrtare

  1. Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.
  2. Pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke.
  3. Pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
  4. Pala turke do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.
  5. Neni 3

Kush e ka kërkuar futjen e gjuhës turke në shkollat shqipe?

Aktualisht në vendin tonë, në arsimin parauniversitar, nxënësit gjuhën angleze si gjuhë kryesore, dhe kanë mundësinë e zgjedhjes së gjuhëve të dyta si: frëngjisht, italisht, spanjisht apo edhe greqisht, në ato zona ku ka edhe minoritete.

Ky vendim i futur në Fletoren Zyrtare, shpjegon më së miri atë që fshihet pas marrëdhënieve vëllazërore Rama-Erdogan. Shqetësimi se Turqia kërkon të rrisë influencën në Shqipëri përmes ndërtimit të xhamive dhe investimeve, tashmë po del hapur tek ajo që kritikët e kanë shprehur jo pak: rishikimi i historisë kombëtare.

(f.m;f.g/dosja.al)

Beogradi e nokautoi Shqipërinë!

1

shkruan Fahri Xharra

Apo humbi trimëria, 
apo s’doni mëmëdhenë? 
A u shua Shqipëria, 
që ka pjellë Skënderbenë? 
( Çajupi )

Shqipëria nga frika se po denohet për mos pjesëmarrje për dhjet vjet, e theu vëllazërinë me Kosovën dhe shkoi në Beograd. Por ç` ndodhi atje : “Nelson Hysa. deklaroi se gjatë hapjes zyrtare të Kampionatit, momenti i parakalimit të sportistëve nga Shqipëria me flamurin shtetëror, është përcjellë me fishkëllima dhe gjuajtje me gjësende të ndryshme. “
Ku mbeti “Ballkani i hapur”? A nuk është ky NOKAUT për Shqipërinë?
Zoti Rama, nuk ka miqësi me Serbinë, atyre nuk iu ha fort se çka flasin me ty e ti me ne.
Bëhu burrë e qëndro pranë dhe me Kosovën ! Mos e luaj lojën e para-ardhësve të tu.

“Kampionati Botëror i Boksit u hap zyrtarisht të dielën, më 24 tetor, në Beograd.”

Kosova përfundimisht nuk merr pjesë në këtë organizim, për shkak moslejimit të autoriteteve serbe që sportistët të hyjnë në teritorin e Serbisë me simbole shtetërore.

Të shkon ndonjë herë mendja moj Shqipëri, se pa Kosovë edhe ti je e humbur?
Pse Serbia po e ka këtë forcë që të pengojë Kosovën për pjesëmarrje edhe në gara
sportive ?
Po, ti ku je ? Vet vetiu të lindë pyetja : A ju humbi trimëria, apo s’doni mëmëdhenë?

Me dëshprim që jam shqiptar

Fahri Xharra, Gjakovë më 25.10 21

Akademia bullgare: ”Gjuha maqedone nuk ekziston!”

0

Akademia bullgare gjithmonë qëndron në pikat e pandryshuara, gjithonë pohon me plotë bindje e plot fakte se pozicioni i Maqedonisë së Veriut është i rremë!

Ky institucion gjithnjë sillet rreth një konstatimi, rreth një qëndrimi, duke theksuar e duke mbrojtur parimet e tyre se maqedonishtja ishte një dialekt i bullgarishtes, dhe dokumentet shoqëruese përmbajnë një seri kualifikimesh dhe fyerjesh për këtë gjuhë.

Akademia bullgare pranon se pozicioni i djeshëm, i sotëm  dhe i ardhshëm është i drejtë, është i drejtpërdrejtë ndaj Kartës së Gjuhës Maqedonase të miratuar nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve”.

_____________

Kuptimi i fjalës gjuhë

  • gjúh/ë,-a I emër i gjinisë femërore; numri shumës; -ë(t) 1. organ i mishtë e i lëvizshëm në gojë, që shërben për të shijuar dhe që ndihmon për të përtypur e për të gëlltitur ushqimin: maja (shpina) e gjuhës; lëpij me gjuhë. 2. ky organ te njeriu që shërben si organ i të folurit dhe si shprehës e kumtues i mendimeve e i ndjenjave të njeriut; të folurit; numri shumës; ata që thonë e përhapin diçka; gojë (edhe në njësi frazeologjike): gjuhët e këqija (e liga) (keq.); e dredh gjuhën i bën bisht bisedës; nuk i qëndron fjalës; i dridhet (i ngatërrohet) gjuha mezi i nxjerr fjalët nga goja, mezi flet (nga shqetësimi, nga frika etj.); i jep gjuhës flet shumë, flet mbarë e prapë; ka gjuhë di t’i shprehë bukur e qartë mendimet, është i gojës; me kuptim keqësues; është llafazan, flet shumë e pa vend; merr të tjerët nëpër gojë; mbaje (mblidhe, rrudhe) gjuhën! përmbahu në të folur!, mbaje gojën!; e lakon gjuhën nuk i qëndron fjalës, e dredh gjuhën; e lëshoj gjuhën e lëshoj gojën; nuk i rri gjuha (rehat) nuk pushon së foluri; është i gjuhës është i gojës; m’u mbërthye gjuha m’u lidh gjuha, m’u mbërthye goja; e ka lëshuar gjuhën flet shumë vend e pa vend,; është gojështhurur; e ka mbledhur gjuhën nuk flet më aq shumë, nuk llap më, i ka vënë fre gjuhës; e ka zgjatur (e ka rritur) gjuhën (keq.) është bërë llafazan, merr nëpër gojë; merret me thashetheme; mbaje (shtrëngoje) gjuhën pas dhëmbëve (ndër dhëmbë, në mes të dhëmbëve)! mos fol!, kyçe gojën!; e ka gjuhën bilbil është i zoti për të folur, flet qartë e bukur; e ka gjuhën brisk është i zoti i gojës, e ka gojën brisk; e ka gjuhën të gjatë (një pëllëmbë, një pash) është llafazan; nuk mban dot gjë të fshehtë, i tregon të gjitha; ta kthen fjalën menjëherë, është gjuhustër; e ka gjuhën shpatë flet me zjarr për të mbrojtur një çështje; flet prerë e me të madhe; ia lëshoi frerin gjuhës nuk përmbahet kur flet; ia shtrëngon frerin gjuhës flet me kujdes, përmbahet në të folur; i vë fre gjuhës përmbahet në të folur, i vë fre gojës; s’i zë gjuha vend ndër dhëmbë (s’i rri gjuha prapa dhëmbëve) nuk rri dot pa folur; s’pushon së foluri; i bredhërin gjuha para mendjes flet pa u menduar mirë, i ecën gjuha para mendjes; gjuha është prej tuli (fj. u.) gjuhën mund ta vërtitësh si të duash e të thuash ç’të duash; gjuha pret hekurin (çan gurin, çan shkëmbin) (fj. u.) gjuha ka forcë të madhe; gjuha kocka s’ka e kocka thyen (fj. u.) gjuha ka fuqi të madhe; më mirë të shkasë këmba se gjuha (fj. u.). 3. diçka e zgjatur, e ngjashme me këtë organ: gjuhët e flakës; gjuhë dheu (toke) (gjeogr.) rrip i ngushtë toke që zgjatet në ujë; gjuhë lope (bot.) gjuhëlopë. 4. gjuhëz2: gjuha e këmborës.

  • gjúh/ë,-a II emër i gjinisë femërore; numri shumës; -ë(t) 1. sistem tingujsh të nyjëtuar, fjalësh, trajtash e rregullash për formimin e fjalëve dhe për lidhjen e tyre në fjali, i cili është mjeti themelor e më i rëndësishëm i komunikimit ndërmjet njerëzve; një sistem i tillë, i krijuar e i zhvilluar historikisht, si një nga tiparet themelore të një kombësie a të një kombi: gjuha si dukuri shoqërore; lindja (prejardhja) e gjuhës; gjuha shqipe (amtare); gjuha letrare (standarde) forma më e përpunuar e gjuhës së një populli, me norma të ngulitura e të përgjithshme në të shkruar e në të folur; gjuhët indoevropiane; fjalori i gjuhës shqipe; libri i gjuhës; thyej gjuhën fitoj aftësi për të folur një gjuhë të huaj. 2. tërësia e fjalëve, e mjeteve gramatikore etj., që përdoren në të folur sipas kërkesave e veçorive të një norme, të një fushe a të një gjinie; ligjërim: gjuhë e shkruar (e folur); gjuhë poetike (bisedore); / mënyra karakteristike e shprehjes së dikujt në të folur; tërësia e veçorive të përdorimit të mjeteve gjuhësore nga dikush a në një vepër, stil: gjuhë e zhdërvjellët (e qartë); gjuha e shkrimtarit (e një vepre); në gjuhën e… (libr.) nga pikëpamja e…, sipas…, duke e shprehur sipas mënyrës së… 3. edhe kuptim i figurshëm; tërësia e mjeteve për të kumtuar, duke përdorur shenja të caktuara, tinguj, lëvizje etj.; tërësi mjetesh shprehëse që marrin një kuptim konvencional: gjuha e gjesteve; gjuha e pikturës (e muzikës); gjuha e formulave (e shifrave); / tërësia e tingujve ose e lëvizjeve të disa kafshëve dhe të shpendëve për komunikimin e thjeshtë instinktiv ndërmjet tyre: gjuha e kafshëve (e zogjve). 4. i ligjërimit bisedor; e folme, dialekt; të folurit.

“Ibrahim Rugova dhe UÇK/ Udbashët e djeshëm, gjenden akoma dhe bëjnë punën e tyre papenguar!”

4

Nga: Lis Bukuroca, Gjermani

“Shpallja e Rugovës tradhtar, ka pasur vetëm një qëllim: marrjen e pushtetit nga ata që Rugova i kishte refuzuar, ose shpërfillur. Në krye të atij orkestrimi ishte Rexhep Qosja dhe me diskursin e tij, më i pasionuar dhe më i bindshëm. Ai dinte se Rugova nuk takohej me politikanë botëror për Serbinë, por për të krijuar empatinë nevojshme dhe përfituar përkrahjen, megjithatë, e konsideron tradhtar! Rugova vdiq, ata që deshi Qosja morën pushtetin dhe jemi aty ku jemi, përsëri as të lumtur, as të gatshëm për të qëndruar brenda, por presim me padurim anulimin e vizave. Një gjë por mund të thuhet qysh tani: me Rugovën vizat do t’ishin hequr vite më herët. Ai ishte dhe kishte autoritet në Perëndim.

Sado të ketë bërë mirë UÇK, komandantët e saj e kanë dëmtuar pas luftës! Ajo nuk mund më të mbrohet nga jashtë, sepse imazhi i është rrënuar nga brenda. Për historinë do të ketë vlerë, sot e kanë rrënuar më shumë se sa arriti ta bënte Millosheviqi dhe Serbia me Rusinë! Madje, për ta përfunduar komedinë patriotike, prodhuan edhe një armatë të veteranëve, që do të kushtojë më shumë se sa ushtria e nesërme!

Sikur Qosja të kishte bërë apel për festim të përbashkët pas luftës, – për çfarë kishim miliona arsye – sot do të kishim pasur shtet, jo blegtoral, siç e quajti ai veprën e vet. E quajti ashtu për të mënjanuar emërtimin “katundar”, siç mendonte në fakt ai!

Qosja ndau shqiptarë në tradhtarë dhe atdhetarë dhe kështu, nuk vlerësohej më dija, por kategorizimi arbitrar, nga bindjet subjektive! Ai ndihmoi në ndërtimin e shtetit si të partizanëve, ku madje edhe sfilatat, edhe procesionet, ishin mu si edhe ato të Titos! Jo vetëm kjo, por ia mbushën mendjen ta sekuestrojë lirinë dhe krejt kontributin e para luftës. Si pasojë, është normale, u uzurpua edhe shteti.

Një injorant nuk mund të përçajë një popull, sa mund ta bëjë një akademik i nivelit të Rexhep Qosjes. Fati jonë i madh ishte Rugova dhe UÇK, si i pari, si e dyta, janë histori të një suksesi kombëtar. Tradhtarët e vërtetë janë duke punuar për Serbinë dhe në veprat e tyre, lexohet paguesi, por ne, u besojmë shpjegimeve të kolonës së pestë! Udbashët e djeshëm, nuk janë shfarosur nga ndonjë epidemi, por gjenden akoma dhe bëjnë punën e tyre të papenguar! Sespe ne kërkojmë tradhtarin aty ku na pëlqen të ishte, jo aty ku është!

Ata që degradojnë kontributin e Rugovës dhe UÇK-ës, pikërisht ata kultivojnë përçarjen dhe defaktorizimin nacional. Një komb ka dhe një sedër kolektive, kur ajo shndërrohet në fragmente, në poçavër, atëherë as dreqi nuk i bie më në fije. Njerëzit dhe shteti sillen si patat në mjegull. Nëse nuk gaboj, ne jemi tashmë aty: shpërbërja është përmbaruar dhe Perëndimi na detyron të durojmë njëri tjetrin dhe ne shtiremi se kemi kuptuar sistemet dhe nënsistemet e demokracisë. Në fakt, kemi kuptuar vetëm si vidhet, si vritet dhe si zhduken gjurmët. Më shumë jo! E duam drejtësinë dhe demokracinë jashtë, gjersa e rrënojmë në shtëpi!

Sot në një raport të Deutschlandfunk, një zyrtar i Palermos tha:” Merreni me mend, para vrasjes së Falcones dhe Borsellinos, kryetari i Palermos ishte pjesëtar i mafies…” Sigurisht kjo ka qenë arsyeja pse mafia vepronte e papenguar, kriminelët nuk ziheshin, nuk gjykoheshin, por kryetari me fjalë, ka sulmuar krimin, kurse prokurori, nuk ka pasur guxim të ngrejë akuza.
Ju duket e njohur kjo gjendje? Atëherë dini mirë se në çfarë epoke jetojmë dhe pse nuk mund të zhduket krimi!
Albert Camus frikën nga lufta konsideronte arritje qytetare të shekullit XX. Pra, frika nga lufta, nga vdekja ishte normale. Në shoqëri tribale, ndodh e kundërta. Hyjnizohet vdekja, jo dija! Dija quhet oportunizëm, ose tradhti! Në fakt, çdo angazhim tjetër dhe çdo njeri që nuk është i gatshëm ta vejë kokën në cung, quhet tradhtar! Ata nuk njohin dhe nuk perceptojnë mënyra tjera të angazhimit!

Në një shoqëri postheroike, mund të kuptohet një intelektual si Rugova, një pacifist, por kurrë jo në një shoqëri me mendësi fisnore, ku ekziston kulti i heroizmit, martirizimit dhe kulti i sakrificës, kua pastaj çiftelia apo sharkia prodhon balada!
Aty konsiderohet më i madh një njeri, që i shan nënën një polici, se sa një filozof i madh, që lufton në themele pushtimin. Madje, i pari konsiderohet trim dhe patriot, i dyti tradhtar dhe tuc. Aty njohin vetëm dy mënyra ekstremiste logjikimi dhe procedimi: sakrificë, ose tradhti, ndërmjet nuk ka asgjë!

Rugova ngriti çështjen e Kosovës në një problem të botës së qytetëruar, çfarë nuk e bënë dy akademi shqiptare. Edhe kurdët, edhe palestinezët, mendojnë se me kryengritje mund të çlirohen, por ja ku janë edhe sot, sepse u mungon njeriu i urtë, i cili do ta ngrinte çështjen e tyre në problem të ndërgjegjes njerëzore!

Nëse i shpallim të gjithë tradhtarë, atëherë duket se kemi humbur kontaktin me realitetin, sepse jemi komb i vetëm, ku tradhtarët me pasion, angazhohen për lirinë e kombit!
Po e vërteta? Teorikisht mundësoi çlirimin e Kosovës Rugova dhe UÇK, praktikisht e çliroi NATO. Qosja duhet falur se ka kuptuar gabimin e vet sa i përket atyre që ua trasoi rrugën, por në raport me Rugovën, nuk mund të shëlbohet, e as nuk do të kërkojë kurrë ndjesë. Në psikologjinë e tij, nuk ekziston pranimi i gabimit dhe kërkimi i ndjesës, por në mënyrë krejt subtile, ndryshimin e qëndrimit.

Rugova nuk mund më të bëjë gabime, por këta që kemi, nuk pushojnë së gabuari, sepse ndarja që u bë pas luftës, prodhoi një klimë kaotike për shtetin e ri. Kosova nuk ka kuadër për të mbajtur në këmbë aq shumë parti, që mendojnë se mund të drejtojnë një shtet”.

________

Kuptimi i fjalës dokument

  • Dokumént,-i emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -e(t) 1. shkresë zyrtare që dëshmon ose që vërteton diçka; akt i shkruar me ato që janë thënë e që janë vendosur në një mbledhje, në një gjyq etj.; shënim i mbajtur sipas rregullave të caktuara; diçka e shkruar a e vizatuar, që ka vlerë si dëshmi historike: dokument i rëndësishëm (sekret); dokumente arkivore. 2. librezë ose fletë e posaçme që i jepet dikujt nga organet shtetërore a nga një organizatë për të vërtetuar anëtarësinë ose kush është ai: i pajisur me dokument”.