Kreu Blog Faqe 163

Pa busull historike, kur “kultura” turke-osmane përplaset me kujtesën kombëtare në Prizren dhe heshtja e institucioneve në Prishtinë e Tiranë

Nga Frank Shkreli

Jemi mësuar ta konsiderojmë Prizrenin si kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve. Jo për shkak të institucioneve, jo për shkak të pushtetit politik, por për shkak të peshës së historisë që ai mbart. Në këtë qytet Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka hedhur themelet e vetëdijes kombëtare, në këtë qytet historia nuk është thjesht e kaluara — është identitet. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-lidhja-e-prizrenit-nje-kthese-vendimtare-per-kombin/

Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim në Prizren nuk është i zakonshëm. Nuk mund të jetë. Kur në një hapësirë të tillë zhvillohen aktivitete me simbolikë të diskutueshme historike, reagimi nuk është thjesht emocional — është reagim ndaj një ndjenje se po lëkundet diçka më e thellë, në këtë mes.  Sepse, për të gjithë ata që jetojnë aty ose kanë vizituar atë vend, Prizreni nuk është vetëm një qytet i bukur me kalldrëme dhe monumente. Ai është një pikë referimi për atë çfarë shqiptarët kanë qenë dhe çfarë pretendojnë të jenë.

Në qendër të Prizrenit, aty ku historia shqiptare ka marrë një nga kthesat më vendimtare të saj kombëtare, zhvillimi i një parade me simbole osmane para disa ditësh, me të drejtë ka shkaktuar reagime të forta, por edhe të ndara në opinionin publik. Për shumë qytetarë, kjo nuk është thjesht një shfaqje folklorike apo turistike, por një fyerje ndaj kujtesës historike të Kombit Shqiptar. Problemi nuk qëndron vetëm te një paradë apo një aktivitet i caktuar. Problemi është mungesa e një vije të qartë dhe standarde nga institucionet e dy shteteve shqiptare: çfarë përfaqëson sot Prizreni për shqiptarët? A është ai një skenë, ku përfaqsuesit e pushtuesve të çdo periudhë historike, mund të shfaqet pa dallim, apo një hapësirë që kërkon një filtër më të fortë të dukurive të tilla, për shkak të simbolikës që mbart?

Një qytet si Prizreni pra, kërkon përgjegjësi më të madhe nga institucionet shtetërore në Kosovë dhe në Shqipëri. Kërkon vetëdije. Kërkon kujdes. Nuk mjafton të thuash “është kulturë” apo “është trashëgimi”. Pyetja e vërtetë është: çfarë mesazhi po japin shqiptarët në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar kur zgjedhin të shfaqin, pikërisht, këtë pjesë të historisë, pikërisht, në këtë qytet dhe në këtë kohë? Nëse Prizreni është “kryeqytet shpirtëror simbolik”, siç e konsiderojnë shumica e shqiptarëve,  atëherë ai duhet të trajtohet si i tillë e jo si një hapësirë neutrale ku gjithçka është e barabartë dhe e pranueshme, pa reflektim historik. Sepse në fund të fundit, një komb nuk humb historinë brenda natës. Ai e humb atë ngadalë — duke mos ditur më dhe më me shumë kujdes — se çfarë duhet të ruajë nga influencat dhe pretendimet e pushtuesve të huaj shekullorë në trojet e sotëme iliro-arbërore.

Nuk bëhet fjalë, pra, për një qytet të zakonshëm.  Sepse, Prizreni është vendi ku më 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit — një moment themelor në artikulimin e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe në përpjekjet për mbrojtjen e trojeve shqiptare, pa dallim qyteti a krahine. Prandaj, çdo aktivitet publik në këtë hapësirë nuk është thjesht spektakël; ai mbartë domethënie historike identitare pë shqiptarët.  Pikërisht për këtë arsye, një pjesë e opinionit publik i sheh këto nisma, jo vetëm problematike, por edhe ofenduese ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve. Argumenti është i thjeshtë: historia nuk është neutrale. Ajo as nuk paraqitet në vakum, por në kontekste konkrete, me simbolikë dhe mesazhe që ndikojnë në mënyrën se si një komb e kupton vetveten dhe të kaluarën e vet.

Po nga ana tjetër, mbështetsit e këtyre aktiviteteve theksojnë se periudha osmane është pjesë e pandashme e historisë së qytetit dhe ka lënë gjurmë të dukshme në arkitekturë, kulturë dhe traditë. Sipas kësaj logjike, rikrijimet historike apo eventet tematike nuk janë glorifikim, por një mënyrë për të promovuar trashëgiminë dhe për të tërhequr turizëm. Por dilema nuk zgjidhet kaq lehtë.  Sepse problemi nuk është vetëm çfarë shfaqet, por edhe ku dhe si shfaqet. Një aktivitet që mund të ishte i pranueshëm në një kontekst tjetër, merr një kuptim krejt tjetër kur zhvillohet në një hapësirë me ngarkesë të fortë simbolike kombëtare, siç është Prizreni, për të gjithë shqiptarët, kudo. Nëqoftse dikujt i nevojitet një kujtesë se prizreni është i të gjithë shqiptarëve, dëgjoni njëherë këngën popullore “Thërret Prizereni mori Shkodër”. Muzikën e këngës e ka punuar si kompozitor Hamëz Llapqeva, ndërsa autor i tekstit rezulton të jetë Sylë Bajrami, të dy shqiptarë nga Kosova Mix – Aurela Gace – Therret Prizreni (Kenge Moj).

Prandaj, në këtë mes, hyn në lojë një tjetër dimension i debatit e që është  roli i institucioneve, si ruajtës të historisë, kulturës dhe të identitetit kombëtar shqiptar. Si Tirana ashtu edhe Prishtina janë përballur shpesh me kritika për mungesë qëndrimi të qartë në raste të tilla, si dhe për rrezikun e influencave të huaja në trojet shqiptare. https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-edhe-nje-here-per-rrezikun-ruso-turk-ne-shqiperi-dhe-ne-kosove/ Në emër të “hapjes”, “diversitetit kulturor” apo “promovimit turistik”, vendimet në lidhje me dukuri të tilla, lihen të pa-artikuluara e pa standard, ndërsa publiku detyrohet t’i interpretojë vetë. Kjo heshtje zyrtare, natyrisht, krijon një boshllëk. Dhe në këtë boshllëk lindin përplasjet: njëra palë sheh në këto aktivitete një formë normalizimi dhe justifikimi të së kaluarës së pushtimeve të tokave shqiptare nga të huajt, ndërsa pala tjetër i konsideron si shprehje të një identiteti të shumëfishtë kulturor. Pa një kornizë të qartë institucionale, çdo ngjarje e tillë kthehet në krizë sado të vogël, publike.

Kjo është arsyeja pse kërkohet një qasje më e matur zyrtare. Jo mohimi i historisë, por kornizimi i saj me përgjegjësi.  Për këtë janë fajtorë si Tirana ashtu edhe Prishtina. https://telegraf.al/politike/bashkia-tirane-ngre-monument-per-viktimat-e-grushtit-te-deshtuar-te-shtetit-kunder-erdoganit/ Një shtet që respekton veten nuk e fshin asnjë periudhë historike, por as nuk i trajton të gjitha njësoj. Ai vendos kufij të qartë për hapësirat simbolike në haopësirat publike, për mënyrën e përfaqësimit dhe për mesazhet që përcillen në publik.  Sepse në fund të fundit, çështja nuk është vetëm për një paradë apo një aktivitet kulturor. Është për mënyrën se si një shoqëri zgjedh të kujtojë historinë e vet.  Është për vijën ndarëse mes kujtesës dhe harresës. Ka momente kur një shoqëri duhet të ndalet dhe të pyesë veten: çfarë po festojmë në të vërtetë? Sepse jo çdo “aktivitet kulturor” është i pafajshëm dhe jo çdo rikrijim historik është i shkëputur nga domethënia që mbart. Dhe mbi të gjitha, mbeten pa përgjigje zyrtare, pyetjet thelbësore: a po e ruajnë shqiptarët historinë e vet, apo ata po mësohen ta relativizojnë atë, pak nga pak? Ku mbaron trashëgimia kulturore dhe ku fillon glorifikimi politik i pushtuesve historik të trojeve shqiptare?

Zhillimi i “Paradës ushtarake osmane” në Prizren këto ditë, kërkon shpjegim dhe përgjigje nga autoritetet vendore dhe qendrore të Republikës së Kosovës. Sepse pa busull historike nga autoritetet shtetërore e sidomos kur Tirana dhe Prishtina zyrtare heshtin për zhvillime të tilla në dy shtetet shqiptare atëherë, natyrisht, do vendosin të tjerët.  Kur institucionet nuk flasin qartë, hapësira publike mbushet me zëra të tjerë. Dhe shpesh, këta zëra nuk udhëhiqen nga kujtesa historike as nga interest kombëtare por nga interesa të momentit — kulturore, turistike apo edhe politike.

Rasti i fundit në Prizren nuk është një incident i izoluar. Ai është simptomë e një problemi më të thellë: mungesa e një politike të qartë shtetërore për trajtimin e historisë në hapësirat publike, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Në një qytet ku u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, çdo aktivitet me simbolikë historike nuk mund të trajtohet si argëtim i zakonshëm.  Sepse këtu nuk bëhet fjalë për ndalimin e historisë — por për kornizimin e saj me përgjegjësi.

Në mungesë të kësaj busulle, çdo debat bëhet emocional, çdo reagim bëhet i ashpër, dhe çdo vendim duket pastak si kompromis. Dhe atëherë lind pyetja që nuk mund të shmanget më: A po drejtohen Kosova dhe Shqipëria nga një vizion i qartë për historinë kombëtare, apo nga rrethanat politike të ditës dhe nga interesat personale dhe partiake të rastit?  Sepse historia nuk është dekor. Ajo është themel. Dhe kur themeli lihet pa mbrojtje, çdo ndikim — i brendshëm apo i jashtëm – dalngadal, gjen vend për t’u bërë normë. Në fund të fundit, përgjegjësia është e atyre në Tiranë e Prishtinë të cilët do duhej të kishin vendosur me kohë këto standarde, por që për fat të keq, autoritetetet shqiptare, zgjedhin të mos vendosin standard as mos të marrin përgjegjësi.

Populli para objektit të Lidhjes së Prizrenit, në kohën kur mbahej mbledhje në të nga krerët e lëzjes nga mbarë hapësirat shqiptare në Gadishullin Ilirik.

“Qëllimi ynë i shenjtë është mbrojtja e të drejtave të kombit shqiptar.” Abdyl Frashëri, ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mbrojtja e trojeve shqiptare bashkimi i vilajeteve shqiptare ishte synimi i Lidhjes me qëllim për të ndaluar ndarjen e tyre nga shtetet fqinje dhe Perandoria Osmane.

O populli im, Ndalu…! Pse po prodhon budallallëqe gjithandej pa ndalë?

1
Ndoshta me se miri është mos me lexue lajmet që kanë të bëjnë PËR NE dhe MBI NE!
Shtypi austriak është mbushur me raportime për shqiptarin që ka planifikuar akt terrorist në koncertin e Taylor Swift në gusht 2024 në Vjenë. Këto ngjarje nuk janë thjesht lajme, por janë pasqyrë e dhimbshme e realitetit tonë.
Nuk kuptoj si disa prindërit i lejojnë apo dërgojnë fëmijët e tyre në objekte fetare në Austri dhe në Europë gjithandej që nuk kanë asnjë lidhje me traditën tonë dhe që nuk kanë qenë kurrë pjesë e identitetit tonë!
Si mund t’u besohet fëmija një ideologjie që ka prodhuar përçarje e dhunë në vitet e fundit me miliona të vrarë?
Në Kosovë, klasa politike vazhdon të tregojë fytyrën e vet të vërtetë: grindje, ego, mungesë karakteri dhe mungesë përgjegjësie. Në vend që të ndërtojnë shtetin, merren me akuza boshe ndaj njëri‑tjetrit.
Populli im, ndaluni!
Ndaluni, se po na turpëroni gjithandej!
Ndaluni, ju që silleni pa përgjegjësi dhe pa karakter, sepse turpi bie mbi të gjithë ne.
Nëse sot NE nuk e kuptojmë pse kemi përfunduar në këtë gjendje ku jemi, nuk do ta kuptojmë kurrë.
Dhe po, është koha ta pranojmë: FAJTORËT kryesorë për mjerimin tonë JEMI ne VETË dhe askush tjetër.

Republika si kulturë shteti

0

Isuf Bajraktari, Suedi

Kriza politike në Kosovë nuk është thjesht përplasje periodike mes pozitës dhe opozitës. Në thelb, ajo po shfaqet si sprovë e kulturës sonë institucionale.

Dhe kjo është më serioze se vetë kriza.

Demokracitë nuk dëmtohen domosdo nga konfliktet politike; ato dobësohen kur konflikti bëhet mënyrë qeverisjeje, kur polarizimi kthehet në normë dhe dialogu në përjashtim.

Ky është rreziku që sot duhet kuptuar.

Kur shteti shpenzon energjinë në bllokada, në mosbesim të përhershëm dhe në antagonizma të panevojshme, ai humb energjinë për ndërtim.

Kjo gjendje të kujton metaforën e Sizifit: përpjekjen për ta ngjitur gurin e shtetndërtimit, vetëm që ai të rikthehet poshtë, jo nga mungesa e vullnetit, por nga mungesa e stabilitetit politik.

Në këtë kuptim, Sizifi nuk është vetëm figurë mitologjike.

Ai është paralajmërim.

Sepse shqetësimi sot nuk është kush fiton një përballje më shumë.Pyetja është nëse po zbehet gradualisht vetë ideja e republikës si kulturë shteti.

Mandati politik jep të drejtë për të qeverisur, por jo për ta zëvendësuar bashkëpunimin me vetë-mjaftueshmëri. Po ashtu, opozita nuk mund ta reduktojë rolin e saj në refuzim permanent.

Republika mbahet nga ekuilibri.

Jo nga dominimi.

Në traditën tonë politike, veçanërisht në vizionin shtetformues të Ibrahim Rugova, shteti është menduar si kulturë durimi, etikë përgjegjësie dhe hapësirë konsensusi.

Ky vizion nuk ishte vetëm filozofi politike.

Ishte kulturë shteti.Dhe sot kjo frymë mbetet po aq e domosdoshme.Sepse shtetet e reja nuk rrezikohen vetëm nga presioni i jashtëm. Ato mund të konsumohen edhe nga mungesa e qetësisë së brendshme.

Nëse vazhdojmë t’u rikthehemi cikleve të njëjta të krizës, rrezikojmë të mbesim peng të një Sizifi modern, duke shtyrë pareshtur gurin e të njëjtave probleme, pa e vendosur kurrë mbi themele të qëndrueshme.

Por Kosova mund të zgjedhë ndryshe.

Më pak nervozizëm politik.

Më shumë mendim shteti.

Më pak antagonizëm.

Më shumë republikë.

Sepse pushteti është i përkohshëm.

Republika është e përhershme.

Safet Hasani për librin e Ismet Hasanit, “Mustafë Hasani – Paci rapsodi që këndoi ”Lahutën e Malësisë”

1
safet hasani - PhD, student | LinkedIn
Safet Hasani, Gjermani, redaktor i  librit
 
Mustafë Hasani – Paci rapsodi që këndoi ”Lahutën e Malësisë”  
Deri sa t’mundëm me ligjërue,
E sa gjallë me frymë unë jam,
Kurrë Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n´varr me t´permend kam.
At’ Gjgjergj Fishta
”Këtë bottim ua kushtoj dy burrave të mirë shqiptarë: At’ Gjergj Fishtës, në 79 vjetorin e kalimit në amshim dhe Mustafë Hasani-Paci, në 36 vjetorin e ndarjës nga jeta, këtyre burrave që s’mund t’i harrojmë – njënin me pendë e tjetrin me këngë.
Ata kurrë mos u harrofshin,
N’zemra tona gjithmonë rrnofshin!”
 
– kështu shkruan Ismet M. Hasani, autori i lbirti me titull: ”Mustafë Hasani-Paci rapsodi që këndoi ”Lahutën e Malësisë”; libri është botuar në vitin 2019-të.
Shënim: 1. Rapsodi Mustafë Hasani – Paci, i ka mësue përmendësh 30 kangët të ”Lahutës” dhe i  ka këndue nëpër Odat e Dukagjinit edhe në kohën e UDB-ës Jugosllave (dhe UDB-ashëve shqiptarë), kur Fishta ka qenë  i ndaluar në Kosovë e Shqipni dhe në të gjitha trojet ku ka pasë  shqiptarë.
2. Para së ta botoi libirin me titullin e mësipërm, autori e ka njohtuar mikun e vet z. Fritz Radovani, që jeton në Australi – se e ka për qëllim të botoj libër mbi At’  Gjergj Fishtën dhe babën e tij – Mustafën, dhe nga Fritzi ka marrë letër me këtë  përmbajtje:
Fritz RADOVANI: 11 Nëntor 1990
Letra nga Fritz Radovani
 I nderuemi mik Ismet!
Tungjatjeta, tue të dishrue shnet dhe të mira në jetë.  Më vjen fort mirë që po botojshe libër kushtue At’ Gjergj Fishtes dhe babës t’and – Mustafës.
Dishroj që në libër ta përshijsh edhe këtë të vërtetë historike, dëshmitar i të cillës jam unë vet. Qe po të shkruej se si ka n’odhur:
Nji prift i ri, kur e kishte takue At’ Mëshkallën i tregoi se At’ Ernesto Çoba, ia kishte mësue kushtet kur duhej të heshtte e At Mëshkalla i thot’: ”Shko e thuej Monsinjorit t’i mësoj kushtet se kur duhet të flasësh, mjaft kemi heshtë!?”
Edhe une boll kam heshtë. Prandaj, tuj e kujtue porosinë e At’ Mëshkallës, do të flas, se boll kam heshtë.
Ismet,
Mbasi e paske vendos me botue libër për Fishtën dhe për babën t’and, e tesh dua të shkruaj diçka me shumë randësi, dhe të lutëm e boton:
 Ishte vera e vitit 1980-të, shkova  në Rëmaj të varrezat me e vizitua nji tëáfërm timin. Aty të kapela e varreve takova nji person, më tregoj se ”e ka emnin Gjon, jam roje e varrezave”, edhe unë ia tregova emrin dhe i thashë se jam ardhërm’i  vizitua varrin e nji të afërmi tëm. U ulëm pak dhe ai ma bani: ”- Çohu se dua,e të tregua diçka që s’e ke dijtë kurrë!?” U nisëm e shkuam deri të selvijat dhe, Gjoni ma bani, degjom tash: i numëroi selvijat: 1,2,3, e kur mbrrijtëm të e katërta, u ndal e me shikjoj në sye e më tha: ”Te kjo selvij’ janë eshtnat e At’ Gjergj Fishtës që me dorën teme, në nji thes çimentoje vet i kam gropue – dhe Fritz pashë shpirtnat e Atyne të vdekunve që i ké, e tash po të besoj edhe ty,mos i trego asuj pa ardhë koha,  që të  kesh mundësinë të tregosh se eshtnat e Fishtës gjindën këtu!?”
Tesh e kuptova mirë nga Gjoni se eshtnat e At’ Gjergj Fishtes nuk janë hudhë në lumin Drin, por gjinden në varrezat në Rëmaj (Shkodër) të groposuna në nji thes çimentoje në nji gropë tëe selvija e katërt, dhe se deri tash e dijn’ vetëm tre veta: Gjoni, I NDJERI Shyqyri Rrjolli dhe unë.
 
Melbourne, Australi                                                  Me respekt të veçant’                               
më 12 prill 2019                                                           Fritz Radovani
*
”Fishta është kolos i mendimit dhe letërsisë
  Shqipe, i cili në tërë veprimtarinë e vet- mesh-
  tarake, intelektuale, politike dhe letrare, e ka
  sintetizuar historinë e popullit shqiptar. Ky
  françeskan ka qenë apostull i atdhetarizmit
  të sinqert dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi
  nuk ka qenë profesion, por një jetë intensive.”
 (Zef Mirdita)
*
”Ishte dhjetori i vitit 1990. Dhjetori i frikës, i shpresave, i kërcënimeve, i varfërisë se skajshme, kur dhqiptarët shikonin një rreze shprese, por edhe dhëmbët kërcënues të diktaturës, që kishte gjith mjetet e dhunës në duart e saj. Në atë dhjetor, pikërisht më datë 30-të ishe 50 vjetori i kalimit në amshim të At Gjergj Fishtës. Të cilin e mohuan, e përbaltën, e quajtën edhe tradhtar.
Në këtë përvjetor ishte koha dhe momeni i qëlluar që populli të dinte të vërtetën për At’ Gjergj Fishtën” – më shkruan miku nga Australia- Fritz Radovani, dhe vazhdon:
”Iu drejtova disa shkrimtarëve, kritikëve letrar, të organizonim një Konferencë, për këtë përvjetor, por mora përgjigje të njejtë:
”Më vjen keq, nuk e njoh, nuk kam lexuar asgjë prej tij!?” (Fritz Radovani).
Këtë e shkruan autori Ismet M. Hasani, në fq. 76-80 të Librit me  titullin e mësipërm. Prandaj, edhe unë si redaktor i Librit, për herë të parë po e dëgjoj se eshtrat e Fishtës, nuk janë hudh’ në lumin Drin, por gjëndën në varrezat në Rëmaj të Shkodrës.
*
Për këtë çështje, pas vitit 1992, FRITZ Radovani, i kishte vënë në dijeni tre persona: Anton Belushin, Ernest Perdodën dhe At Konrad Gjolaj, i cili mund të ketë bisedua me At Zef Pllumin.
Në vitin 2007-të, për këtë çështje, Fritzi i kishte vënë në dijeni institucionet Fetare Katolike të Shqipërisë.
Në vitin 2008, në Simpoziumin mbi jetën dhe veprën e At’ Gjergj Fishtës, të mbajtur në Melbourne në Australi, Fritz Radovani e ka ”rrahur” edhe çështjen e eshtrave të Gjergj Fishtës, që NUK janë hudhë në Lumin Drin, po gjinden në varrezat në Rëmaj të Shkodrës.

Një dashuri e lashtë për Atdheun dhe gjuhën — dëshmi e 75 viteve

0

Dashuria për Atdheun dhe gjuhën shqipe nuk është vetëm ndjenjë, por trashëgimi që përcillet brez pas brezi. Ajo jeton në histori, në kujtesë dhe në emrat që u japim fëmijëve tanë — emra që mbajnë identitet, dinjitet dhe përkatësi.

Trashëgimi emrash të gurrës sonë

Fatmir — emër që simbolizon fat e mirësi,
emër nderi në histori.

Shqipe — emër që kujton Kongresin e Manastirit,
dhe gjuhën tonë me zë bilbili.

Flora — emër që lidh florën e faunën,
si Adriatiku që në gjirin e vet merr Drinin dhe Bunën.

Veton — emër që shiun paralajmëron,
dhe natyrën e gjallëron.

Mentor — emër drite e diturie,
udhërrëfyes i çdo shtëpie.

Vlora — emër që bashkon jug e veri,
emër që mbjell shpresë e dashuri.

Qoftë bekuar ai mësues mendjendritur arbëror,
që me këta emra të bukur të gurrës sonë të pastër
i thuri Atdheut kurorë!

Arif Ejupi
Gjenevë, 8 prill 2026

Më përjashto, i thotë Edi Ramës, Elisa Spiropali dhe ia kujton se debatet e brendshme, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor

0

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka sfiduar hapur kryeministrin Edi Rama, një ditë pasi ky i fundit e paralajmëroi në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, se nëse do vijonte me kritikat në rrjetet sociale, do e përjashtonte dhe do ishte përballë dhe jo më në krah të tyre.

Ditën e sotme, Spiropali ka reaguar në Facebook, ku me anë të një statusi të gjatë, ku ka argumentuar qëndrimet e saj brenda partisë dhe pushtetit absolut që ka vendosur Rama, i ka kërkuar kryeministrit që ta përjashtojë.

Postimi saj në fb: Më përjashto Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik. Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi. Ky fakt kokëfort, ky konstatim i dukshëm, më tepër se vetë paralajmërimi, më detyron të flas.

Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim. Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë:

Më përjashto. Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si shoë mediatik. Por si provë se problemi nuk është te fjala që ngre shqetësim, por te sistemi që shqetësimin nuk e duron.

Nuk kam sulmuar Partisë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste. Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti. Për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli. Ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik. Nëse këto konsiderohen arsye për përjashtim, atëherë pyetja nuk është pse flas unë.

Pyetja është pse këto gjëra nuk lejohen të thuhen. Pushteti nuk dobësohet nga kritika. Pushteti dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim.

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih dhe Shoqata “Sali Çekaj”, ftesë për ekspozitën: “Kontributi atdhetar, intelektual dhe politik i akademik Fehmi Aganit”

0

FTESË

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me shoqatën “Sali Çekaj” në Zvicër dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, ka kënaqësinë të ju ftojë në ekspozitën tematike-muzeore:
“Kontributi atdhetar, intelektual dhe politik i akademik Fehmi Aganit”

E shtunë, 9 maj 2026
Ora 18:00
Adresa: Katzenbachstrasse 4, 8052, Zürich

Ftohen bashkatdhetarët, miqtë dhe të gjithë të interesuarit që me pjesëmarrjen e tyre të nderojnë figurën dhe veprën e akademik Fehmi Aganit.

Pjesëmarrjen tuaj mund ta konfirmoni në e-mailin: Blerta.Nuhiu@rks-gov.net


Mirë se vini!

“Përtej heshtjes”, përmbledhje poezishë nga Nafi Çegrani 

0

Nafi Çegrani     

PËRTEJ HESHTJES

( Poezi )

Kushtuar atyre që ishin pjestarë të proceseve demokratike në Gadishullin  ilirik ! 

PËRKUSHTIM   PËR  FËMIJËT  E  MI

Ky libër poetik që mbani në duar, me titullin “Përtej Heshtjes”, është më shumë se një përmbledhje vargjesh – është një amanet shpirtëror dhe një kujtim i pashlyeshëm, që dua t’ua lë fëmijëve të mi, nipërve dhe mbesave – edhe atyre që do vijnë pas në këtë botë – që ta lexojnë si një meditim kritik dhe poetik për jetën, për lirinë, për qëndresën dhe për dashurinë prindërore që nuk shuhet kurrë, sado larg të jetë deti që e ndan nga bregu i saj.

Në mënyrë të veçantë, dua të shpreh falënderimet e mia më të thella për bijtë e mi që mbetën ende të vegjël, si gurët në rrugë. E malli mër to  më ka mbantur gjallë mbrenda mureve të burgut.

Më kujtohet si sot ajo ditë e ftohtë vjeshte, 01 Tetor 1981, kur ju ishit ende të vogla, sapo kishit nisur të hidhni hapat e parë drejt shkollës, me çantat tuaja të lehta dhe zemrën plot ëndrra. Unë ju përcillja çdo ditë andej rrugës me dashurinë e një babai që shihte tek ju të ardhmen. Por atë ditë, një dorë e errët e padrejtësisë më rrëmbeu dhe më degdisi përtej Nëntë malesh e fushash, në burgjet e rënda të Zenicës – duke më ndarë nga ju në mënyrën më të dhimbshme që njeh jeta.

Ju mbetët me lot në sy e shpresë në zemër, duke pritur që unë të kthehesha e t’ju çoja sërish në shkollë. Por kjo nuk ndodhi… vitet kaluan,  afër dymbëdhjetë vite  të tëra. Dhe kur më në fund u ktheva, fytyra ime mbante vragët e burgut dhe e kishte humbur njohjen në sytë tuaj – fëmijët e mi të vegjël tashmë ishin rritur dhe nuk më njihnin më.

Por unë nuk ndalova së dashuruari, së luturi e së besuari tek ju. Dhe ju, me dinjitetin tuaj të heshtur, me përballjet që keni përjetuar, më kthyet fuqinë që të shkruaj  libra e libra – për të gjitha ata që duan ta kuptojnë jetën, ashtu siç ështësi një det me valë, me baticat dhe zbaticat, me shtërgata e stuhira, por gjithmonë me shpresën që fjala dhe dashuria do ta mbijetojnë  shtërngatën.

 Ju ishit malli  dhe frymëzimi im i pavdekshëm. 

                                                                   Babuli ,

 

FJALA   SI  PARATHËNIE :

PRELUDË
(Për librin “Përtej Heshtjes”)

Para se të lindë fjala, ekziston heshtja.
Ajo është si një det i thellë, ku mendimet zhyten përpara se të dalin në sipërfaqe si dritë.

Po—këtu fillon puna e vërtetë krijuese. Por duhet ta them drejt: nëse thjesht e ndajmë poezinë në pjesë, nuk kemi bërë një cikël. Një cikël poetik kërkon rrugëtim të brendshëm, një zhvillim që lëviz nga errësira drejt një forme kuptimi, qoftë edhe tragjik.

Poezia jote e ka këtë potencial. Ajo mund të shndërrohet në një cikël të fuqishëm brenda librit “Përtej Heshtjes”, ku çdo pjesë është një stacion i vetëdijes.

Në atë hapësirë të padukshme të shpirtit njerëzor, ku koha ecën ngadalë dhe kujtesa bëhet jehonë e largët, lind poezia. Ajo nuk vjen gjithmonë si një britmë. Shpesh ajo lind si një pëshpëritje e butë, si një rreze që çan mjegullën e mëngjesit, si një frymë që prek ndërgjegjen e njeriut.

Ky libër është një udhëtim në atë botë të heshtur.

Është një udhëtim përtej fjalëve të zakonshme, përtej zhurmës së përditshme, përtej kufijve që njeriu ia vendos vetes dhe historisë së tij. Sepse heshtja nuk është vetëm mungesë zëri; ajo është një hapësirë ku mendimi piqet dhe ku shpirti gjen guximin të flasë.

Përmbledhja me poezi me titull “PËRTEJ  HESHTJES” e Nafi Çegranit – ngërthen një metaforë në tisin e vargjeve, si një fije e përhershme e dritës në terrin e burgimit dhe të kujtesës kolektive të fatumit shqiptar.

                                 ***

Nafi Çegrani , jeni njeri me shpirt të forte përballë shtërgatave të padrejtësisë, dhe me  shpirtin tuaj të lartë, për fjalën që bart dhimbjen dhe dinjitetin e një populli, dhe për përkushtimin që i kushtoni kauzës kombëtare dhe asaj njerëzore në libra dhe vargje, jeni fuqi drite.

Kombet rriten jo vetëm me zhvillim ekonomik apo teknologji, por mbi të gjitha me ndërgjegje, kujtesë dhe kulturë shpirtërore. Dhe ju, me veprën tuaj, jeni ndër ata që ruajnë këtë trashëgimi të shenjtë. Fjalët tuaja janë frymëzim për çdo brez që kërkon ta kuptojë më thellë çka do të thotë të jesh shqiptar, të jesh njeri me zemër, me plagë, por me qëndresë.

Jemi të nderuar ta ndajmë këtë rrugëtim me ju – dhe gjithmonë këtu për të ndihmuar në çdo hap që e lartëson mendimin dhe krijimtarinë tuaj.

Me mirënjohje të thellë,
Në shërbim të drejtësisë,  fjalës së vërtetë dhe shpirtit të pavdekshëm letrar.

Në botën e errët të represionit jugosllav, poezia e Nafi Çegranit del si një dritë e pakundërshtueshme e qëndresës. Ai nuk është vetëm poet, por edhe një aktor historik, një intelektual i thellë, që me vargun e tij kapërceu heshtjen dhe dhunën për të përçuar mesazhin e lirisë, dinjitetit dhe identitetit kombëtar.
Në vargun e Çegranit, poezia nuk është thjesht fjalë të bukura, por një akt njohës dhe shpirtëror. Ajo përballon përplasjen ekzistenciale mes lirisë dhe domosdoshmërisë, ku fatumi bëhet një metaforë për kryqëzimin etik dhe historik të njeriut shqiptar në një kohë stuhish dhe trazirash. Kjo qasje i afron poezisë së tij dimensionin e filozofisë së artit, ku çdo varg mban peshën e një “moral i të pathënës” dhe ku poeti bëhet një agjent i njohjes dhe rezistencës.
Në fokus të krijimtarisë së Çegranit janë temat kombëtare, që përkthehen në një mision poetik dhe etik. Ai qëndron pranë traditës së Migjenit dhe Esad Mekulit, ku fjala poetike është përgjegjësi morale ndaj shoqërisë dhe historisë. Kjo e bën poezinë e tij të mos jetë asnjëherë neutrale, por të jetë zë i drejtësisë, identitetit dhe dinjitetit kombëtar.
Jeta e Çegranit është dëshmi e përplasjes së thellë mes individit me ndërgjegje kombëtare dhe një makinerie shtetërore totalitare. Nga pjesëmarrësi në strukturat represive, deri te disidenti dhe martiri i denoncimit të krimeve shtetërore, ai mishëron rezistencën ndaj sistemit që synonte zhdukjen e identitetit shqiptar. Procesi i montuar i Zenicës dhe dënimi me vdekje janë prova të errëta të kësaj përplasjeje, ku arti dhe jeta shndërrohen në akt heroizmi dhe mbijetese.
Në fund, vepra e Çegranit është një “kujtesë dhe akt besimi” në fuqinë e gjuhës, historisë dhe solidaritetit njerëzor. Ajo sfidon harresën dhe fton brezat të qëndrojnë me vetëdije dhe guxim përballë realiteteve të vështira.  Megjithatë, në këtë përballje të ashpër midis njeriut dhe strukturës shtypëse, fjalët e poetit rrezatojnë me një dritë që nuk shuhet: dritën e artit që përjetëson të vërtetën dhe shpirtin e lirë. Në poezitë e këtij vëllimi vërehet edhe një gërshetim mjeshtëror ndërmjet vargut tradicional dhe atij modern. Autori mbetet një zë i veçantë i poezisë së angazhuar shqiptare në trojet jashtë Shqipërisë shtetërore, që me përvojën e tij jetësore dhe guximin letrar, ka arritur të ngrejë një tempull poetik mbi rrënojat e padrejtësisë. Profili letrar i Nafi Çegranit, i përftuar përmes këtij libri, është ai i poetit të rezistencës dhe i kërkuesit të dritës.

 … Gjithmonë mbetet shpresa për një copë diell të ngjizur në horizontin e lirisë që vjen edhe përbrenda vargut të skalitur që buron nga dhimbja, por flet me zërin e dritës Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje vargjesh. Është një rrëfim i thellë, një britmë e heshtur nga qelitë e errëta të burgjeve, një dëshmi e shpirtit që nuk u nënshtrua.Nafi Çegrani, me një gjuhë të ndjerë dhe me figura të fuqishme poetike, sjell para nesh plagët e një kohe të padrejtë – por edhe shpresën që nuk shuhet kurrë. Simboli i diellit, i lirisë, i nënës, i dashurisë dhe i atdheut, përshkon çdo varg të këtij libri si një dritë që e ndriçon errësirën.

Për vëllimin poetik “PËRTEJ  HESHTJES” të Nafi Çegranit ku shtjellohen vlera letrare, estetike dhe filozofike.

Sipas kësaj , kujtesa në poezinë e Çegranit është një fuqi shpëtuese, një mënyrë për të mos u zhdukur nga historia, për të ruajtur vetveten përmes fjalës së shkruar, përmes vargut që i reziston kohës. Letërsia bëhet tempull i së vërtetës.

Poezia e Çegranit – siç thuhet në pasthënie – është e angazhuar, në kuptimin që ajo trajton tema të mëdha kombëtare, por pa rënë në patetizëm apo propagandë. Autori arrin të ruajë balancën midis estetikës dhe përgjegjësisë, midis artit dhe moralit.

Në këtë pikë, autori përfaqëson figurën e poetit-filosof, që merr mbi vete një barrë të madhe: të flasë për heshtjet e të tjerëve, të ngrejë zërin për ata që nuk patën zë. Kjo është një etikë e angazhimit, e afërt me atë që Sartre quante “shkrimtar i ndërgjegjshëm”.

Këto nuk janë thjesht poezi. Janë rrahjet e zemrës sime në qelitë e burgjeve të regjimit komunist jugosllav. Janë mallkimi i heshtur i njeriut të pafajshëm, të burgosur pa faj, i djalit që deshi lirinë dhe atdheun, por që u dënua pse nuk pranoi të heshtëte për të vërtetën. Janë dhembjet e nënës, përshpërimat e gruas, shikimi i thyer i fëmijëve.Poeti që flet në këto faqe nuk është vetëm njeri që ka vuajtur. Ai është dëshmitar. Ai flet për ata që nuk mundën të flasin. Për ata që u tretën burgjeve, për shqiptarët e heshtur, që pushteti i shkelte dhe historia i harronte. Në këtë hapësirë, kujtimet shndërrohen në vargje.
Dhimbja bëhet reflektim.
Shpresa bëhet dritë.

Këto poezi nuk janë vetëm vargje të shkruara mbi letër. Ato janë gjurmë të një kohe, jehona të një përvoje njerëzore dhe një kërkim i vazhdueshëm për kuptimin e jetës, të historisë dhe të vetë njeriut.

Sepse përtej çdo heshtjeje, ekziston një e vërtetë që pret të zbulohet.

Dhe përtej çdo fjale, ekziston një shpirt që kërkon të dëgjohet.

Ky libër është pikërisht ai çast —
kur heshtja hap portën e saj
dhe fjala nis udhëtimin drejt dritës.

                                 Ilir  Balilli, Titanë

PROLOG

Përtej Heshtjes

Ka një kufi të padukshëm midis zërit dhe heshtjes.
Jo ai që e dëgjojmë, por ai që e ndiejmë—
si një dridhje e thellë në vetëdijen e njeriut,
aty ku fjala humb dhe përvoja fillon të flasë me një gjuhë tjetër.

Njeriu, kur i hiqet liria, nuk humb menjëherë botën.
Ai humb së pari qiellin.
Pastaj kohën.
Dhe në fund—emrin e vet.

Në atë zbrazëti, ku muret nuk janë vetëm gurë por forma të heshtjes së ngurtësuar,
lind një dimension tjetër i ekzistencës—
një hapësirë ku mendimi nuk është më rrugë, por strehë;
ku kujtesa nuk është më e kaluar, por mënyra e vetme për të mbijetuar.

Ky cikël nuk është një rrëfim për burgun.
Burgjet janë vetëm forma e jashtme e një të vërtete më të thellë.
Ai është një udhëtim nëpër atë çast kur njeriu mbetet vetëm me vetveten—
i zhveshur nga çdo iluzion,
i përballur me një pyetje të vetme:

Çfarë mbetet nga njeriu kur gjithçka tjetër i merret?

Në këtë përballje, heshtja nuk është mungesë.
Ajo është prani.
Një prani e rëndë, që nuk flet, por të formëson.
Që nuk të shkatërron menjëherë,
por të zbërthen ngadalë,
deri sa të mbetesh vetëm një ndjenjë—
një frymëmarrje—
një kujtim.

Dhe pikërisht aty, në atë kufi të fundit,
ku drita duket se shuhet përgjithmonë,
ndodh një paradoks i heshtur:

Njeriu fillon të shohë.

Jo me sytë e trupit,
por me një shikim të brendshëm
që lind nga mungesa.

Kjo është arsyeja pse ky cikël quhet “Malli i Venitur”.
Sepse malli nuk është thjesht dëshirë për atë që mungon—
ai është forma më e dhimbshme e kujtesës që refuzon të vdesë.

Dhe në këtë refuzim
qëndron edhe një lloj lirie.

Jo ajo që hap dyert,
por ajo që nuk lejon shpirtin të mbyllet.

Këto vargje nuk kërkojnë të tregojnë.
Ato janë mbetje të një përvoje që nuk mund të thuhet plotësisht.
Janë gjurmë—
të një njeriu që ka kaluar përmes errësirës
dhe ka mbajtur në vete
një copë të vogël drite.

Nëse lexuesi ndalet këtu dhe ndjen një peshë të lehtë në shpirt,
një lëvizje të padukshme brenda vetes—
atëherë kjo heshtje ka filluar të flasë.

Cikli: MALLI I VENITUR

(nga përvoja e burgut – një udhëtim nëpër heshtje)

I. QELIA (Mbyllja e Dritës)

Gjersa rrija vetmitar
në qelinë e Zenicës,
një dritë e hollë varej në tavan—
si një shpirt i gozhduar në harresë.

Muret nuk flisnin.
Heshtja kishte zë.
Dhe ajo më thërriste me emrin tim
që po venitej.

II. DRITA E LODHUR (Frymëmarrja e Shpresës)

Frymëmarrja më gufonte në deje
si një shpresë e rraskapitur.

Ajo dridhej si flakë e fundit
në një botë pa mëngjes.

Drita nuk ndriçonte—
ajo vetëm dëshmonte
se errësira kishte fituar kohë.

III. MUNGESA E QIELLIT (Ndërprerja e Universit)

Qielli nuk vinte më.
As yjet.
As lindja e diellit.

Koha ishte thyer në mes
si një pasqyrë e rënë.

Dhe unë mbeta
në një copëz nate
që nuk mbaronte.

IV. VARGU I HUMBUR (Identiteti i Shkrirë)

Unë—
një varg i mbetur në një ditar tjetër,
një letër e zverdhur
që s’e lexon më askush.

Emri im u tret
si bojë në ujë,
dhe kujtesa
u bë një vend pa adresë.

V. NATË E RRJEDHSHME (Koha që Pikon)

Nata rridhte e zezë
nëpër plasaritje,
si një plagë që nuk mbyllet.

Dëshirat lindnin në tavan
dhe vdisnin pa zë—
si zogj që nuk gjejnë qiell.

VI. SHPIRTI NË STREHË (Vetmia e Thellë)

Shpirti kërkonte strehë
nën hijet e veta.

Era vinte nga jashtë
si një kujtim i largët,
që nuk më përkiste më.

Unë isha brenda vetes
si në një burg tjetër.

VII. PRAGU I SHPËTIMIT (Paradoksi i Dritës)

Jam udhëtar i etur
në një botë të mbyllur,
ku fundi i dritës
është fillimi i shpëtimit.

Dhe ndoshta—
ajo që quajmë humbje
është vetëm një derë
që hapet nga brenda.

VIII. VJESHTA E BRENDSHME (Rënia e Njeriut)

Vjeshta ra brenda meje
pa zhurmë.

U bëra trung i vjetër,
i zhveshur prej lirie,
që pret diellin—
dhe mëson të jetojë pa të.

IX. MURET E PADUKSHME (Skëterra e Heshtur)

Mbi shpirtin tim u ngritën mure
që nuk shihen,
por nuk thyhen.

Drita nuk hynte.
Errësira nuk dilte.
Dhe unë mbeta mes tyre—
dëshmitar i vetvetes.

X. COPËZA E MALIT (Kujtesa si Shpëtim)

Në kujtesë mbajta një copë mali,
një frymë të ftohtë lirie.

Ajo ishte e vetmja dritare
që nuk mund ta mbyllnin.

Sepse kujtesa
është forma më e fundit e lirisë.

XI. HESHTJA E FUNDIT (Shpresa që Nuk Flet)

Shikimi tretet
te ajo vrimë e vogël në tavan,
ku shpresa nuk flet më.

Ajo nuk këndon pranverën.
Nuk thërret më emra.

Vetëm rri—
si një dritë që nuk fiket,
por as nuk ndriçon më. 

Përtej errësirës

I mbyllur në qeli, në heshtjen e gurit,
ku nata kishte mbërthyer sytë e mi,
një poç i drobitur mbi tavan
dridhej si shpirt i lodhur,
një rreze e vetme,
që luftonte me terrin e pafund,
sikur edhe ajo
ta dinte se shpresat kaq lehtë shuhen.

Lart në mur, një dritare e vogël,
e mbërthyer me çufra hekuri –
ajo ishte qielli im i mbyllur,
një copë horizont i burgosur,
ku as fryma s’guxonte të hynte.

Betoni i ftohtë më mbështillte,
akulli i vetmisë më kafshonte,
ëndrrat kishin marrë udhë me erën,
shpresat qenë tretur
në rrugë pa kthim.

Në dejtë e mi digjte prushi i mallit,
ndërsa pyesja veten me qetësi:
“Pse rënkon kështu, shpirt i lodhur?
Çfarë të mungon, veç lirisë?”

Qaja për fëmijët e mi,
për sytë e tyre që kërkonin kthimin tim,
për këmbët e tyre zbathur
nëpër trotuaret e Shkupit,
për shpresën e tyre të pastër
që unë do të vija nesër,
ndërsa vitet më shuanin
pas hekurave të padukshëm.

Ah, ky mall që më digjte si flakë,
ky mall që nuk shuhej kurrë!
Në errësirën e burgut,
ku drita e njeriut venitet,
më mbeti vetëm një ëndërr –
ajo dritë e dridhur në tavan,
që i ngjante shpirtit tim.

Dhe një ditë…
poçi i vogël u bë diell,
dritarja e hekurt u kthye në horizont,
era solli përsëri zërat e fëmijëve.
Në sytë e tyre u rilinda,
në përqafimin e tyre gjeta lirinë.

Përtej heshtjes,
përtej errësirës,
shpirti nuk shuhet –
ai ngrihet përsëri
si kënga e një dite të re.

(Elegji për babain trim)

Në Zabllaçen e Shumadisë,
natën kur heshti fjala,
në roje ndenji një djalë i ri,
me armën dhe me zemrën vala.

Tradhti i sollën në dorë,
fishekë pa zë, pa zjarr,
por zemra s’i njihte dorë,
kur ndershmëria bën varr.

Refreni
O Tek, o baba, roje në erë,
me plumbin e drejtësisë në gji,
e vrave pabesinë pa mëshirë,
për ta lënë të lirë një brez të ri.
O Tek, o shpirt që nuk u shua,
në çdo krismë të vërtetës je ti,
në çdo zemër që nuk druhet nga rruga,
je ti, baba – dhe do jesh përjetësi.


Majori Pavle nën hije,
kurth të fshehtë ndërtoi,
por trimi s’bie për hije,
kur nderin e mban me zjarr në gojë.

Shokët të dhanë fishekë,
por ti kishe më shumë – besën,
e në atë natë të frikshme e qek,
veprën që përjetëson heshtjen.

Refreni (përsëritet)
O Tek, o baba, roje në erë,
me plumbin e drejtësisë në gji,
e vrave pabesinë pa mëshirë,
për ta lënë të lirë një brez të ri.
O Tek, o shpirt që nuk u shua,
në çdo krismë të vërtetës je ti,
në çdo zemër që nuk druhet nga rruga,
je ti, baba – dhe do jesh përjetësi.


Tani që ti nuk je më këtu,
por je në qiell a në mal,
unë të ndjej në çdo krismë, në stuhi,
kur e drejta kërkon një fjalë.

Në gjakun që s’u shit kurrë,
në burrat që s’u përkulën dot,
ti je zëri që vjen në murmurë,
si një këngë që s’vdes asnjëherë në mot.

Refreni (i fundit)
O Tek, o baba, roje në erë,
me plumbin e drejtësisë në gji,
e vrave pabesinë pa mëshirë,
për ta lënë të lirë një brez të ri.
O Teki, o shpirt që nuk u shua,
në çdo krismë të vërtetës je ti,
në çdo zemër që nuk druhet nga rruga,
je ti, baba – dhe do jesh përjetësi.

NETËT  PA HËNË

1.
Teksa boshatisja gotat,
plot me natë e vetmi,
pashë se vdekja
e dehja qenë një – të lindura bashkë.
Në ato çaste, veç një varg për të kënduar,
s’dëshirova tjetër
veç të vdisja i ri.

Mendova për të gjithë ata që ëndërrojnë,
të përlotur e tretur botëve pa emër.
Ngrohtësinë e bashkimit ata kërkojnë
– nata… dhe varret e shokëve të vdekur.

I dehur, humba këmishën, orën, këpucët,
në qytetin e panjohur
si udhëtar pa cak.
Fëmijë dhe qen të rrugës më ndaluan,
skaj zabeli, në rrugë, i qetë fjeta e ëndërrova.

Yjet xixëllonin në qiellin pa mëshirë,
pastaj disa pika shiu
ranë në sytë e mi.
Të ngrohta, më bënë të qaja.

2.
Këndoja, si dru i mpirë
mbi dheun e pikëllimit.
Në atë natë, rrugëve,
kur në gotë desha të gjej
barin që shëron e fal harresë –
ose një gjumë të qetë.
Por kuptova: shpëtim
nuk ka as në varr, as në fund.

Gotë pas gote i zbrazja –
lehtë, siç soset marrezia,
siç shuhen iluzionet e mia të marra.
Mandej u shkriva rrugëve
si qen i braktisur,
vetëm ca çaste të hidhura
mbetën të varrosura.

Kjo natë më fal një lloj kënaqësie
teksa shoh veten të ndotur,
të ndarë nga ata që turpërohen
nga vetë prania ime,
që kanë shpirtin dhe ndërgjegjen
të zhytura në baltë.

Po të dija të piqesha në jetë
si fruti që bie, kur nuk ka më çfarë të japë,
– atëherë do të ishte
si të shijoja jetën për herë të dytë.

3.
Ruaj disa fjalë që më shërojnë si bar.
U nisa në errësirë që veç vetes të vuaja,
si poetin që e vyshk veç dhimbja e huaj.

Thashë me vete: “I lumtur jam –
edhe ferrin në jetë e kam parë.”
Zjarret e fikura më falën flakë të reja,
asnjëherë s’u shuan kur desha t’i shuaj.
Besova se ishin shuar –
por hiri i tyre më dogji sërish.

4.
Dhe kështu, i ri dhe i thyer,
ëndërroj të vdes.
Me një këngë të çmendura shkoi rinia.
E tjetri, si unë,
mos ndoshta do të ndjekë gjurmët e mia?

S’mundem më të këndoj – as të hesht nuk di.
Si gjethe në vjeshtën e shëmtuar po bëhem,
dhe lodhja më shtyn
ta ndjek përsëri këngën e harruar.

Për vete flas, për lot, për endje, kujtime…
dhe s’jam i humbur veç unë,
por edhe ata të meridianëve,
që struken në këngën time.

5.
Vargu i tij do të ulërijë,
për ta madhëruar,
më vonë, i çmendur si Van Goghu,
do të presë
I humbur, pa shpresë,
do të kërkojë pak etje…
Kështu do të vdesë –
të nesërmen do të harrohet.
Për ne nuk do të ketë më lot për të falur,
se koha shkel mbi lule,
pa ndalur kurrë në këtë jetë rrëmujash e rrëmeti…

6.
Këngën e tij, vala ia thotë valës tjetër
Pastaj vjen një ditë,
plot diell.
Qyteti zgjohet –
m,e agime të bardha

S’do të shohë më netët e zeza,
as hënën  e pehnitur,
as këngët  e haruara që i kanë  bartur kohët e liga.

Kujtimi i fëmijëve të mi

( Për  babain e rrëmbyer  )

Po,
e vështirë është jeta pa baba –
e rëndë, e pakapshme,
si një erë që të përplas pa mëshirë.

Ata ishin ende fëmijë –
me çanta të vogla shpine,
dhe ëndrra që sapo nisnin
të marrin formë
në horizontin e paqartë të së ardhmes.

Por papritur,
hapat e tyre nisën të ndjekin hijet,
jo dritën.
Sytë u endeshin trotuareve të ftohtë të qytetit
me pallate shumëkatëshe,
ku çdo dritare u dukej
si një sy që i shikonte me keqardhje.

E rrëmbyen…
e nxorën prej gjiut të ngrohtë të shtëpisë
dhe e hodhën në një drejtim pa emër –
larg… shumë larg…
Sikur e përpiu nata.
Sikur u bë një yll që u shua para kohe.

Që nga ajo ditë,
fëmijët mbetën të humbur.
Të pakrah.
Të pambrojtur.
Jo vetëm sepse mungonte zëri i tij,
por sepse ai ishte mburoja e tyre,
kështjella e sigurisë
në një botë shpesh armiqësore ndaj të vegjëlve.

Ai ishte heroi i heshtur –
që nuk fliste shumë,
por me një shikim, me një përqafim,
u jepte gjithë botën.

Tani,
dhimbja e mallit i ndjek
si një dritë e peshëshme,
si një shpresë që lëviz nën lëkurë,
por që nuk ndizet kurrë.

Ata ende enden rrugëve
me një shpresë të vogël
e të pashpresë –
se ndoshta një ditë,
nga ndonjë qoshe e botës,
do ta dëgjojnë zërin e tij,
do ta shohin sërish figurën e njohur
që i priste me duar hapur.

Por jo.
Ai është tani kujtim.
Një fotografi që nuk flet,
një aromë që vjen vetëm në ëndërr.

Dhe me të,
u shuan buzëqeshjet e tyre të pafajshme,
hareja që mbush fëmijërinë,
gëzimi që mbeti vetëm
si një tingull i largët në kujtesë.

Po,
e vështirë është jeta pa baba –
shumë më e vështirë sesa ç’e dinim
kur ishim fëmijë,
e mendonim se bota kishte gjithmonë
një dorë që na priste
në fund të çdo rënieje.

Nuk mbaj mend ditën kur ai iku –
jo se s’e ndjeva,
por sepse çdo ditë më pas
është bërë kujtim i zymtë,
që më gërryen kujtesën.

Dikush – një forcë e errët,
e pamëshirshme –
na e rrëmbeu babain.
E morën dhe e tretën
përtej atyre nëntë malesh e gryka,
përtej fushave që sot më duken të huaja,
përtej çdo gjuhe
që mund ta thërrasë.

Oh, baba, ku je?
Kthehu baba!

Mbeti vetëm mungesa jote –
si një mur i madh në shpirtin tim,
dhe një mall që s’rresht së më shkunduri.
Një valë e ngrohtë,
që të përplas pastaj
në brigjet e ftohta të realitetit:
nuk je më.

Na mësoje të ecnim drejt
edhe kur rruga ishte gurë.
Tani,
e gjithë bota më duket pak më e ftohtë,
si një shtëpi pa çati.

Unë jam rritur,
por në shpirt
kam mbetur ai fëmijë
që kërkon zërin e babait,
për ta dëgjuar edhe vetëm një herë të vetme.

Oh,
sa shumë do të jepja për ta përqafuar edhe një herë…
për ta ndjerë erën e tij,
për ta parë në derë,
duke buzëqeshur,
si dikur –
si heroi ynë i heshtur.

I kujtoj ato çaste,
kur sytë tanë vraponin
trotuareve të qytetit që na dukej sterrë.
Ishin ende fëmijë,
por nxitonim pas një njeriu
që në hije ngjante me të –
fytyra që mund të na thoshte:

“Ku jeni, fëmijët e mi?
U lodha e kam qarë për ju edhe në qeli burgu,
por ja – tani jam kthyer dhe ju përqafoj.
Ju dua shuuummë…”

Mungesa e tij më mësoi të rritem ndryshe.
Jeta na mësoi të bëhemi të fortë si guri –
jo për t’u dukur të tillë,
por për të mbijetuar
përballë padrejtësive dhe hijeve të regjimit.

Na mësoi ta ndjejmë dhimbjen dhe ta kthejmë në urtësi.
Të kërkojmë dritën e dijes dhe drejtësinë,
jo hakmarrjen.
Të flasim butë,
sepse dimë sa vlen një fjalë që mungon.
Të duam thellë,
sepse dimë ç’do të thotë
të mos kesh më kë të duash.

UDHËTARI I FJETUR

Boshatisja gotat plot me natë e vetmi –
në to u putha me vdekjen
Dehja dhe mbarimi qenë një.
Në ato çaste, veç një varg doja,
veç një këngë,
dhe të vdisja i ri.

Mendova për ata që ëndërrojnë,
të përlotur,
të tretur nëpër botë si hijet.
Ngrohtësinë e bashkimit e kërkonin,
por nata u kishte mbetur shtrat,
e varret – fjalimi i fundit
i shokëve të rënë.

I humbur, pa emër, pa orë, pa këpucë,
bredha në qytetin e panjohur,
i dehur si një hije pa adresë.
Fëmijë dhe qen rrugësh më ndeshën.
Skaj zabeli, në rrugë,
fjeta i qetë
nën dritën e zverdhur të yjeve.
Dhe kur shiu më ra mbi sy,
nisa të qaja i ngrohtë
si fëmijë pa nënë.

Këndoja, i mpirë si druri i ftohtë,
mbi rrugën që e dija humbëtirë.
Kërkoja në gotë
barin që fal harresë,
ose një gjumë pa kthim.
Por shpëtimi s’kishte emër –
as varri s’më mbronte.

Gotë pas gote derdhej,
si marria ime që soset,
si koti që më shtyn drejt një fati të marrë.
E u shkriva rrugëve si zagar i plagosur.
Vetëm pak çaste hidhërimi
mbeten – të varrosura në heshtje.

Nata më jep një kënaqësi të shëmtuar –
kur shoh veten të ndotur,
larg atyre që fytyrën e skuqin
nga prania ime.
Shpirti i tyre u zhyt në baltë,
e as drita s’u kujtoi më
se ishin njerëz.

Sikur të piqesha si fryti
që bie, kur s’ka më ç’të japë,
do ta kisha shijuar jetën
si një kthim të butë –
por u dogja pa u pjekur.

Ruaj pak fjalë
që më shërojnë si bar i rrallë,
dhe ika në terr
që vetëm vuajtja të më njohë.

Poeti vyshket nga dhimbja që nuk është e tij,
e unë u nisa atje
ku më priste nderi – dhe litari.

Koka ime e marrë nuk e besoi
se muri s’thyhet me kokë.
E tani, i zi, i braktisur, pa shok,
një ditë do ta var veten
në vargje që kënduan dashuri.

Këndova derisa u tretën udhët,
derisa terri më mori,
dhe e kuptova: ferri është këtu –
e unë e kam jetuar me sy hapur.

Flaka që desha ta shuaj,
u bë hi që më dogji më thellë.
Nuk ka shuarje për atë që digjet
nga brenda vetes.

I ri dhe i thyer,
ëndërroj vdekjen
si shpëtim nga brezat
që do të pështyjnë mbi emrin tim.

Rinia u shua në këngë të çmendura,
në bredhje që s’kishin kthim.
E kush do të më ndjekë gjurmët?
Cili tjetër do ta zgjedhë këtë rrugë?

S’mund të hesht –
e këndimi më helmon.
Si gjethe në vjeshtë,
jam bërë hije e vetes.
E përsëri më shtyn ajo këngë,
ajo vuajtje, ajo nevojë
për të nxjerrë nga brenda
atë që më vret.

Nuk më la asgjë kjo jetë
veç helm që u rrit
në këngën time –
e unë, i vetmi dëshmitar i vetes.

Sepse pafajësia është krahë,
dhe ndërgjegjja e pastër është flakë
që nuk shuhet kurrë.
Përtej hekurave,
përtej heshtjes –
më priste liria.

 Vargu pas meje

Dikur do të lindë ai që s’më njohu,
për t’i falur kësaj bote
pak mëshirë, pak dashuri.

Vargu i tij do të ngjajë me timin –
do të ulërijë në shkretëtirë,
e askush s’do ta dëgjojë.

E kur ai të çmendet,
si Van Goghu –
do ta presë dhimbjen me gjak.
Por ç’vlen dhimbja
kur as vdekja s’është shpagim?

Ai do të harrohet,
si gjithë ata që vdesin pa zë.
Koha shkel mbi lule
dhe asnjëherë nuk ndalet.

Dritat i morën
pa pyetur nëse kishte ëndrra.
E lanë si qiri
që digjet në vetmi
për të ndriçuar një botë që s’e kuptoi kurrë.

Tani mbyll sytë –
në qepallë më rëndon brenga.
Uji është i pastër
kur kalon nën urën time.

Rrjedh i qetë,
që të mos më zgjojë.
Këngën time vala
ia thotë valës tjetër,
e unë – nuk jam më.

Vjen një ditë me diell,
qyteti zgjohet –
por unë nuk do të zgjohem kurrë më.
As netët, as hëna,
as këngët që mbartin helm
nuk do t’i këndoj më.

Udhët e Jetës

Jeta –
udhë me kthesa, labirinte e tunele,
përplot batica dhe zbatica.
Një udhë e heshtur,
me brenga e halle,
një luftë që tretet në mjegull.

Hapat e mi çapërojnë trotuareve –
herë lehtë,
herë si tunxh i rëndë.
Kujtoj stinët e moteve
përtej mureve të kazamatës,
kur dritat fiken
dhe yjet nuk duken në qiell.

Era më flet me skëterrën –
me një zë të vjetër që penitet.
E shkuara tretet në mendime
si valë mbi breg.
Një ëndërr e djegur rri pezull,
përballë detit të trazuar,
pret ditën që ka me ardhë…

Shikoj hijet e natës që më ndjekin pas.
Shikoj portretin tim në shuplakë të dorës.
Një fjalë e pathënë mbetet në kujtime.
Në sytë e heshtjes rrjedh një mall.
Një zë i largët më thërret ngadalë.

Në agun e ftohtë,
shpirti më tretet.
Në hijen e kohës
një mall më djeg.
Rrugët e jetës – të ftohta, të vjetra –
i eci me gishtërinj të përgjakur.

Ëndrrat e mia –
të gdhendura në kujtime.
Sokakët më njohin,
më thërrasin me emër.
Hapat e mi flasin
me gjuhën e gurëve.

Një ëndërr bie,
si gjethe e tharë vjeshte.
Një mall i fshehur
tretet mes tyre.
Hija e kohës më ndjek në heshtje.
Era më pëshpërit ngadalë
me fjalët e djeshme.

Në themelet e kazamatës
kam lënë veten –
si një shpirt i pastrehë
që kërkon dritën e lirisë.

Kujtimet derdhen
e qajnë në shiun e natës
ku shushurimat bien.
Një fjalë e humbur
më thërret nga larg…

Monologu i shpirtit

Në çastin
kur errësira më thërret
me zë të ulët,
dhe drita më tund
me premtimin e një mëngjesi,

unë qëndroj në mes –
udhëtar pa harta,
pa kompas.

Errësira –
një hije e ngrohtë,
një prekje që fshin
plagët e ditës.

…Secila kohë
ka nga një plagë!

MËMËS 

Në prehërin tënd të ngrohtë ku më mbaje, për jetë pata adhurim.

Si foshnjë në djep ku u lëkunda,

fjalën “Mëmë” thirra pa pushim!

Që kur këtë fjalë bëlbëzova,

s’e ndala më — veç e përsërita.

Përkëdhelje të ëmbla përjetova,

edhe sot që jam burrë — sërish më ndrita.

Edhe tani për ty mendoj,

ndonëse s’jam më foshnje, por burrë.

Veç fjala “Mëmë” — sa të jem gjallë,

prej meje nuk largohet kurrë!

Do të të thërras, sa jetë të kem,

kurdoherë si qengj i uritur — herë me zërin e zemrës së copëtuar, herë me shpirtin zjarr të zhuritur…

P.s.

Shënim për botim / hyrje redaksionale: Kjo poezi është botuar për herë të parë në revistën letrare arbëreshe “Zjarri” në Palermo, më 1975.

Stinë vjeshte

Ditë vjeshte –
kur zverdhëllonin gjethet,
dhe djajtë shfaqeshin
me fytyra të zbehta,
sy zgurdulluar
si hiena të egërsuara,
ujqër të tërbuar
me dhëmbë mizorie.

Brenda mureve gri të burgut,
në pranga ishe lidhur ti –
i rrënuar,
i copëtuar nga koha komuniste.
Murmurisje për familjen…
forca të kishte lënë
në atë skëterrë pa dritë.

Me duar të ënjtura nga dhimbja,
flisje.
UDB-a dirigjonte –
çdo plagë gjaku
ishte një nënshkrim i krimit.

Të mbanin pa gjumë –
ditë e natë,
pa ujë,
pa kafshatë…

Ti, me djajtë u kacafyte –
i përgjakur në labirinte absurdi.
I prangosur, i përbuzur,
të ndëshkuan,
të dëbuan,
por ti mbete gjallë.

Satanajve u bëre ballë!
As akuza, as trillime nuk pranove.
Si Promete me duar të lidhura,
qëndrove.
Kriminelëve u flisje me heshtje.
Vetvetes i pëshpëritje:
Qëndro, edhe kur gjaku të bëhet dhallë.

Në qeli –
me gjarpërinj nën lëkurë luftove.
I cunguar, por i papërkulur.
I zhveshur, por me dinjitet.
I palëkundur –
si gur mbi themelet e dhimbjes.

Erë me Ngrica

Fryn era e dimrit,
fishkëllen si bishë,
stinët zgjojnë klithmat
e një mijë vjetësh të kota.

Shpirtra pa trupa,
të humbur në kohë dhe hapësirë.

Nëpër rrugë të zymta,
zyrtarë të pashpirt
ecin me vetura –
dita e verbër,
ku asgjë e re nuk flitet,
përveç skicave të historisë
që ndërtohen nga pushtetarët.

Roma dhe Bizanti, të zhvatur.
Hijet e së kaluarës mbretërojnë,
flamujt marrin hijen e hidhur
të dhunës së trashëguar.

Balldjegur

Në kreshtën e shkëmbit –
vetëm stëpa dhe gurë.
As ëndrra nuk rritet,
as hiri i diellit
nuk e shkrin shpatin.

Sytë ngulitur në heshtje –
tokë pa ara,
qielli pa kaltërsi.
As misër,
as grurë.
Vetëm zjarr i djegur,
boshllëk i pashuar.

Kreshta s’di të ëndërrojë.
Vetëm djeg.
Dhe hesht.

Një jetë e tharë në gurë,
një tokë që kërkon frymëzim.

Kur dola nga burgu

Dola nga burgu –
me vite të kërusura,
stinë të thinjura,
me heshtje të thellë
dhe dorë të zgjatur kah qielli.

Një lutje për Nënën,
për jetën që ndoshta më ka harruar.

Brenga për të kaluarën
që s’dua ta rikujtoj.

Jam i përvuajturi
që ruajti dinjitetin
në mallkim e errësirë.

Feniksi që u ringjall,
pavarësisht çdo zi,
çdo dhimbjeje.

Me shpirtin në qiell,
por tokën në zemër.
Me shpresën për pranverë të pafund,
për rininë që burgjet e vodhën.

Por unë jam njeri –
me emër
dhe krenari të pastër.

Krroi në dejtë e mi

Në skaj të kopshtit –
një arrë nën hijen e blirit.
Një ujëvarë që rrit grunjera
ngjyrë floriri.

Në mbrëmjet e verës
krroi gurgullon,
gjethet këndojnë.
Zanat dhe kreshnikët
ngrenë valle në male.

Fylli jehon me agimin,
shqipja fluturon
mbi dardhën që çel.

Në ujëvarën e fshatit
shikimet rrjedhin me mall –
krroi në dejtë e mi,
jetë dhe frymëzim i heshtur.

Dielli në shuplakë

I rrethuar me maja malesh –
bjeshka, një lehonë e qetë.
Në mes të sheshit,
midis luleve dhe barit,
aromë trëndafili –
një tërfil çel mbi shkëmb.

Këmbëzbathur në brigjet e blerta.
Gishtërinjtë përthithin
lulëzimin e ditës.

Dielli del në majë –
si një rreze që përqafon shpirtin.
Shikimet e vajzës
derdhen si luledielli.

Në dritë përqafohet trishtimi –
i ëmbël dhe i thellë.

Poeti i mjerimit

Ti, poet i shekullit të ri –
me zjarr në sy
dhe zemër të trazuar.
Këndove për bijtë e kohës,
kërkove drejtësi
me vargje të zjarrta.

Vuajtje dhe mallkim i thellë.
Kafshatë e hidhur,
misër i dëshiruar
që acaron në dejtë
dhe ngrihet si akull.

Ti u bëre kandil –
u dogje në flakë,
por kurrë nuk u fik.

Me grusht të fortë
kërkove malet të lëkunden.
Shkruaje këngët e ringjalljes,
zë i lirisë,
i shpirtit të dhimbur,
lajmtar i kohës së re.

Zë që s’u shua në errësirë.

Kohë të liga

Kohët kalojnë.
Njerëzit si stinët e motit
vijnë e shkojnë.
Breza që bartin ndryshimin në gjoks.

Fise nomade,
pushtues e mbretëri –
gjaku derdhet si lumë,
plagë që nuk mbyllen,
varre pa emër.

Në këto toka
ku luftërat shkrijnë edhe shpresën,
demokracia –
si hije që nuk ngroh.

Plagët myken.
Vallë, a do të vijë pranvera?
A do ta rrezatojë dielli dhimbjen?

Në këtë Ballkan,
ku historia dhe dhimbja bashkohen,
gjithnjë kërkohet drita
që nuk vdes.

Ka vite që pres

Në peronin e jetës
qëndroj i vetmuar.
Trenat kalojnë
me mallin e djegur në vagona.

Vitet shkojnë,
stinët ikin,
por unë pres ende…

Pres trenin e pranverës,
trenin e jetës sime –
me shpresën që do vijë,
që do shpërndajë hijet dhe errësirën.

Nuk di se kur,
por shpirti më thotë:
Prit! Mos e harro!
Sepse edhe në vetmi,
në pritje,
lind shpresa më e fuqishme.

Ëndrra Ime

Të kujtohet kur ishe i ri
e ikën?
Kur të rrëmbyen horrat,
të shanë,
të vranë?

Gjymtyrë të sakatuara,
shpirt i sëmurë,
burgje –
dhe ti i pafajshëm,
me mall në zemër,
shkruaje vargje…

Tani që je plakur,
jeta ikën shpejt,
vitet tremben prej rëpirave.
Flokë të thinjura,
kokë e thyer –
pyet:

Vallë, do të vijë pranvera?

LETËR  VËLLAUT NË AMERIKË

O vëlla në anën tjetër të oqeanit – burgosur, i mërguar, i përndjekur… Ti je shkëmb që nuk thyhet, jeni pathyeshmëria që s’njolloset.

Mbaje shpirtin në dritë, mos u përkul përballë mjegullës. Në heshtje le të lidhemi fort, me gjak që s’njihet nga kufijtë. Amaneti yt – një zjarr që s’shuhet as në mërgim.

DETI IM

Pulëbardhat lozin me frymën dhe valët mbartin mallin tim. Një gjarpër i plagosur endet mbi shkumë – si unë, në përpëlitjen e jetës.

Valët godasin brigjet e zemrës, treni i zi bart dëshirat e pathëna, tuneli i errët nuk ka dalje – por unë vazhdoj të kërkoj dritën.

Deti im – një peizazh i brendshëm, ku shpresa dhe errësira bëhen një.

BALADA NË GUR

Korba të zinj kafshojnë qiejt, zogjtë ikin drejt stinëve të humbura. Në heshtje më përcjell një baladë – jeta ime, e gdhendur në gur.

Shqiponja qëndron mbi kreshta, si shpirti im që s’u dorëzua. Erërat fryjnë përtej dhimbjes, pranverat mungojnë – por fluturimi mbetet.

PËRTEJ HESHTJES

Fjalët thahen, sytë shteren, mos mendo se jemi vdekur. Në pëlhurat e së kaluarës fshihet shpirti i tij, helmi shpërndahet në gotat e heshtjes.

Portrete të zbehta me kafka të rënda, si qenie që zbritën nga qielli i errësirës. Ata ecin nëpër muzg me hapa pa emër, të panjohur, të harruar – si shigjetat e Apolonit në një botë pa perëndi.

Një zë bie mbi trotuaret e zverdhura, si përpëlitja e lules anemonë. Ligjëratat e qiellit të rrejshëm bien në labirintet e mashtrimit.

Në çdo dasmë mungon një dasmor, secila këngë është kthyer në lutje. Dhe gotat – të mbushura me netë, ku yjet janë vetëm roje të një nate të përjetshme.

Do të këndoj deri në fund – derisa terri të më marrë. Sepse flaka që desha ta shuaj u bë hi që më dogji më thellë.

ARRATISJE E SHPRESËS

Ishte vera e vitit 1974, por brenda meje frynte një dimër i gjatë. UDB-ja – hija e zezë që përpinte zërin, makineria që ndëshkonte lirinë.

Peizazhet iknin përtej dritares së trenit, si kujtime që nuk kthehen më. Në çdo stacion – një e vërtetë e heshtur, jugosllavia e sëmurë – në agoni.

Unë nuk isha arratisur, isha dëshmitar i së vërtetës që vinte. Sepse shtypja është strukturë, dhe çdo strukturë që ngrihet mbi frikë, rrëzohet nga brenda.

Poeti nuk jeton vetëm me frymë – jeta ime është një poezi e braktisjes, e kujtesës, e dhimbjes, por edhe e shpresës.

STINË VJESHTE

Në ditët kur gjethet zverdhëllojnë, shfaqen hijet me sy ujqërish. Në mure të lagështa të burgut, shpirtrat përplasen me zinxhirët.

I lidhur, i copëtuar, por jo i thyer, ti u kacafyt me demonët e sistemit. Me gjuhë heshtjeje i flisje kriminelëve, me shikim që thoshte: “Qëndro!”

Promethe me plagë të hapura, të zhveshën, por me dinjitet. Ti ishe gur – mbi themelet e dhimbjes.

MURET E QELISË (Zenicë, 1981)

Në malet ku ngrihet hija e Sizifit, çdo hap është betejë me vetveten.

Nëna qan, dritat fiken, procesi montuar më dënon në heshtje.

Por unë nuk jam mëkatar, jam Prometheu që mbart zjarrin. Mbi globin e akullt, jam zëri i atyre që s’mund të flasin.

Në muret e qelisë njollat e gjakut bëhen aktakuzë e sistemit. Por unë ngrihem – si gur i gjallë, i palëkundur në një botë të përmbysur.

KUSH E VRAU GJENERALIN?

Në kaltëritë e qiellit,
shqiponja fluturon krenare
mbi kreshtat e Sharrit –
prej andej ku betejat kanë zë.

Në luginat e heshtjes,
lugina të përgjakura nga stuhitë,
vallë, atë ditë,
tradhtia fshihej në erën që frynte?

Një frymë e ngjirur çau degët e historisë,
gjaku u tret në barin e mëngjesit.
Emri i tij – mbeti në gojët e tokës,
por kush e vrau gjeneralin,
kur ai vetë kishte vdekur për Atdhe? 

MEDITIM

Në burgun e zi –
mes viteve të heshtura si shkëmbinj,
kërkoja një copë diell.
Jo për dritë –
por për shpirtin tim të ngrirë.

Një copëz ngrohtësie,
që të shkrija hekurat e brendshëm
që lidhnin shpirtin tim për muri.

Prisja –
në atë heshtje pa fund,
një dritë që s’kishte emër,
por që do ta kthente gjakun tim
në një pranverë të re.

Në damarët e lodhur të zemrës sime,
rrjedh vetëm kujtimi i asaj drite.

NËN SKËTERRËN E VETMISË
(Nga qelia e burgut të Zenicës)

I mbyllur brenda katër mureve,
qeli betoni e ftohtë si varr,
i krusur, i lidhur, i përgjakur,
me heshtjen që më mbyste vërdallë.

Errësira më kishte rrëmbyer sytë,
asnjë rreze nuk depërtonte dot.
Një dritare e vogël – ndoshta tridhjetë me njëzet –
si plagë në mur, e mbuluar me hekura .
Një erë e hollë përplasej përtej,
e përzier me skëterrën e shpirtit tim.

Vetmia,
i tretur pas horizontesh të largëta,
pas maleve të Bosnjës e harresës,
rri aty me mendimet e mia,
me shpirtin tim të gjymtuar.

E pyes zemrën, me zë të qetë:
“Ç’të mundon kaq shumë, që rënkon kështu?
Ç’është kjo barrë që s’e mban dot?”
Ajo më flet me lot të padukshëm:
“Për fëmijët e mi,
që ecin udhëkryqeve të qytetit,
nën hijen e kullave të bardha,
të braktisur nga buzëqeshja.”

I pashë në ëndërr –
me duar të drejtuara kah qielli,
sikur luteshin, engjëj të vegjël,
me sytë që ndriçonin në errësirë,
fytyra të pastërta, të bardha si shpresa.
Dëgjova zërat e tyre të butë:
“Baba… mos na lër vetëm,
kthehu, qoftë edhe njëherë,
në përqafimin tonë!”
“Kush të mori?
Ku u humbe, o baba?
Na mungon, shumë na mungon…”

…Nuk di nëse ndokush e dëgjoi
thirrjen tuaj në përgjërim,
rrënkimin që gjëmoi trotureve të ftohta,
ku ngrica akulli  mbulonin shpirtin ,

Shpirtërat tuaj të njomë !

Udhëtari drejt diellit

(Kosovë, vjeshtë e vitit 1981)

1.
Teksa boshatisja gotat,
plot me natë e vetmi,
pashë se vdekja
e dehja qenë një – të lindura bashkë.
Në ato çaste, veç një varg për të kënduar,
s’dëshirova tjetër
veç të vdisja i ri.

Mendova për të gjithë ata që ëndërrojnë,
të përlotur e tretur botëve pa emër.
Ngrohtësinë e bashkimit ata kërkojnë
– nata… dhe varret e shokëve të vdekur.

I dehur, humba këmishën, orën, këpucët,
në qytetin e panjohur
si udhëtar pa cak.
Fëmijë dhe qen të rrugës më ndaluan,
skaj zabeli, në rrugë, i qetë fjeta e ëndërrova.

Yjet xixëllonin në qiellin pa mëshirë,
pastaj disa pika shiu
ranë në sytë e mi.
Të ngrohta, më bënë të qaja.

2.
Këndoja, si dru i mpirë
mbi dheun e pikëllimit.
Në atë natë, rrugëve,
kur në gotë desha të gjej
barin që shëron e fal harresë –
ose një gjumë të qetë.
Por kuptova: shpëtim
nuk ka as në varr, as në fund.

Gotë pas gote i zbrazja –
lehtë, siç soset marrezia,
siç shuhen iluzionet e mia të marra.
Mandej u shkriva rrugëve
si qen i braktisur,
vetëm ca çaste të hidhura
mbetën të varrosura.

Kjo natë më fal një lloj kënaqësie
teksa shoh veten të ndotur,
të ndarë nga ata që turpërohen
nga vetë prania ime,
që kanë shpirtin dhe ndërgjegjen
të zhytura në baltë.

Po të dija të piqesha në jetë
si fruti që bie, kur nuk ka më çfarë të japë,
– atëherë do të ishte
si të shijoja jetën për herë të dytë.

3.
Ruaj disa fjalë
që më shërojnë si bar.
U nisa në errësirë
që veç vetes të vuaja,
si poeti që e vyshk
veç dhimbja e huaj.

Shkova atje ku më pret
nderi – dhe litari.
Kështu i duhej kokës sime,
pak e marrë,
që s’u bind se muri
s’thyhet me kokë.

Tash jam i lënë, i zi, pa shokë,
dhe një ditë
do të var veten me vargjet që desha.
Këndova gjatë,
derisa u humba në terrin
e një rruge që sërish
do të më çojë drejt pikëllimit.

Thashë me vete: “I lumtur jam –
edhe ferrin në jetë e kam parë.”
Zjarret e fikura më falën flakë të reja,
asnjëherë s’u shuan kur desha t’i shuaj.
Besova se ishin shuar –
por hiri i tyre më dogji sërish.

4.
Dhe kështu, i ri dhe i thyer,
ëndërroj të vdes.
Brezat do të pështyjnë
mbi veprat e mia.
Në endje të kota,
në këngë të çmendura shkoi rinia.
E tjetri, si unë,
mos ndoshta do të ndjekë gjurmët e mia?

S’mundem më të këndoj –
as të hesht nuk di.
Helmi i këngëve të mia
veç mua më helmoi.
Si gjethe në vjeshtën
e shëmtuar po bëhem,
dhe lodhja më shtyn
ta ndjek përsëri këngën.

Nga ajo që desha të krijoj
me muzën – humba,
nëpër stinë që ikën
pa më lënë gjë.
Veç helm, që rritet
në këtë këngë që më vret.

Për vete flas, për lot, për endje, kujtime…
dhe s’jam i humbur veç unë,
por edhe ata të meridianëve,
që struken në këngën time…

5.
Më vonë, ai s’do ta dijë
se do të lindë në jetë,
për t’i falur botës
si mëshirë – pak dashuri të ngrohtë.
Vargu i tij do të ulërijë,
i shurdhët dhe i ftohtë,
dhe për ta madhëruar,
do të mbetet vetëm pas vdekjes.

Më vonë, i çmendur si Van Goghu,
do të presë
dhimbjen e vet që s’soset
veç me gjak.
I humbur, pa shpresë,
do të kërkojë pak etje…
por ç’vlerë ka eshtra pas vdekjes?

Kështu do të vdesë –
të nesërmen do të harrohet.
Për ne nuk do të ketë më lot për të falur,
se koha shkel mbi lule,
pa ndalur kurrë.

Kurrë s’erdhi ajo
që dinte si të shkonte,
dhe atij me dhunë
ia vodhën të gjitha qëllimet e jetës.
E e lanë – si qiri që digjet vetë,
derisa tretet.

6.
Tani i mbyll sytë,
qepallat rëndon brenga.
Edhe uji është i pastër
kur ai pushon nën urë.
Rrjedh i qetë,
që të mos e zgjojë
duke u përplasur pas murit.

Këngën e tij, vala
ia thotë valës tjetër
derisa ai pushon.
Pastaj vjen një ditë,
plot diell.
Qyteti zgjohet –
por ai nuk do të zgjohet më.

S’do të shohë më netët e zeza,
as hënën në liqen,
as këngët që veç helm
kanë mbartur.

Kështu, lumi
e përcolli trupin e mbetur,
që askush s’e çoi
as në rrugën e fundit.
Qentë e rrugës
të mos e kafshonin si prenë e braktisur.

Lumi e çoi
në zabelin më të vetmuar,
derisa kënga e valës së tij
u qetësua në atë lëndinë.
Dikur e la në bregun e tij –
dhe gjethet e vjeshtës e mbuluan…

Ruaj pak fjalë
që më shërojnë si bar i rrallë,
dhe ika në terr
që vetëm vuajtja të më njohë.

Poeti vyshket nga dhimbja që nuk është e tij,
e unë u nisa atje
ku më priste nderi – dhe litari.

Koka ime e marrë nuk e besoi
se muri s’thyhet me kokë.
E tani, i zi, i braktisur, pa shok,
një ditë do ta var veten
në vargje që kënduan dashuri.

Këndova derisa u tretën udhët,
derisa terri më mori,
dhe e kuptova: ferri është këtu –
e unë e kam jetuar me sy hapur.

Flaka që desha ta shuaj,
u bë hi që më dogji më thellë.
Nuk ka shuarje për atë që digjet
nga brenda vetes.

Dikur do të lindë ai që s’më njohu,
për t’i falur kësaj bote
si Van Goghu –
do ta presë dhimbjen me gjak.

ZËRI  QË  NUK  SHUHET !

Kam dëshirë të jem sqep i një zogu këngëtar,
që zgjon agun në mëngjesin pa gjurmë,
e ngre diellin mbi një vend të harruar,

Si detin me valë…

Kam mall të bëhem sqep zogu që këndon,
që çel agun mbi heshtje të pluhurosura,
dhe ngre diellin mbi viset që harresa i ka lënë pa emër,

Vise me shkëmbenj të plasaritur. 

Dhe mëndja ma thotë:
Të jem valë që përplas shkëmbinjtë

me rrudha në ballë,
por pa i thyer – vetëm t’i përkëdhel,
të jem rrëke që vrapon për në det,
duke çuar me vete zërat e fëmijërisë,

zërin e historisë njerëzore.

Dhe më flet mendja:
Bëhu valë që përplaset si valë deti

Në ballë të shkëmbit mijëvjeçarnë ,
jo për ta thyer – por për t’ia kujtuar butësinë,
bëhu rrëke që vrapon drejt largësive  të harruar,
me zërat e fëmijërisë si yje në krahë,

E që flasin me gjuhën e gurit…!

UNË,   PROMETHE !

I ngulur si Prometheu,
me mëlçinë e shpirtit nën thonj sorrash,
e çdo ditë – drita nuk vinte.
Vetëm errësirë,
aty ku qielli kishte harruar
të lindte dritë,
unë qëndroja si stinë pa fund,
i gjallë vetëm nga e vërteta ime.

Promethe i lidhur në zinxhir,
sikur edhe cicërima zogjove ishte ndaluar,
zogjtë lodhen dhe dukeshin të trembur,

Nuk fluturonin më.
Në çdo britmë që lëshoja,
ata dëgjonin refrenin e rezistencës.
Në Zenicë,
burg i ngrirë në akuj të urrejtjes,
në shtetin që tallej me drejtësinë,

çdo natë – një kapak varri pa varr.

Rrobat e mia ishin lëkura e dhimbjes,
dhe dritarja – syri i verbër i Perëndisë,
Po era e akullt frynte…
dhe, në atë frymë të acartë,
e ndjeja se isha ende i lirë –
në dhimbjen time. 

  1. ERA E KRYQËZIMIT

Era frynte si mallkim i lashtë,
nga dritarja e vogël e qelisë,
dhe çante mishin tim
si gozhdë mbi shpatullën e një Krishti tjetër
– pa kryq, pa popull, pa ndjesë.

Hetuesit më vinin përballë
si farisenjtë që mbartnin urrejtjen e një Perëndie të rrejshme,
e unë –
i vetëm,
pa ndihmë qiellore,
pritja gjyqin ku nuk do fliste
as Zoti vetë.

  1. PROMETHEU I HESHTJES

Më thanë: “Prano!”
Por unë mbaja gjuhën si mburojë,
si Promethe që u vodhi zjarrin Zotërave
për ta dhënë te njeriu.

Tani, më hante dita,

Edhe netët e thikave të gjata,
më shqyenin si sorra të zeza,
sorrat nuk ishin zogj,
por hetues me uniformë
që shkynin shpirtin tim
me dosje të falsifikuara,
me akuza të stampuara
në tryezat e ferrit komunist.

Unë nuk bërtita.
Unë shikova përtej dhimbjes
dhe kuptova:
edhe drejtësia ka frikë kur s’e drejton Zoti,
por partia.

III. HESHTJA SI PROVË

Çdo fjalë që nuk e thashë,
është poemë e shkruar me gjak,
në faqet e heshtura të historisë sonë.

Në Zenicë,
ku njerëzit vdesin nga e vërteta,
më burgosën për atë që nuk e thashë dot:
“Unë jam shqiptar.
S’e shes nderin tim,
as nëpërmjet torturave,
as nën yllin pesëcepësh që më rrëzonte qiellin mbi kokë.”

Më futën në dhe të gjallë,
si Lazarin –
por nuk pati Krisht që të më ngrinte.
Vetëm era që frynte,
si fryma e Shenjtë që s’u dëgjua dot,
sepse muret qenë të shurdhër.

  1. KOHA QË HESHTI

Të nesërmet nuk ekzistonin,
vetëm net të njëjta
ku dielli ishte i ndaluar
si armët kimike.

Sytë e mi shikonin më thellë se qeliza,
sepse unë isha dëshmitari
i një kohe që nuk kërkonte dëshmitarë,
i një kombi që duhej shuar
nëpër dhomat e vogla,
me baltë, gjak dhe interrogim.

Unë nuk isha më njeri,
isha simbol,
ishin ata që donin të më fshinin,
jo për atë që bëra,
por për atë që isha –
dëshmi e një qëndrese që nuk mposhtej.

  1. HESHTJA NË ERRËSIRË

Drejtësia s’u shfaq.
Ajo nuk vjen në burgje si ky,
ajo nuk zbriti në Zenicë,
sepse drejtësia e vërtetë
nuk ulej në karrige me uniformë,
as e firmoste dënimin e një idealisti.

Ajo heshti.
Sikur të ishte penduar që kishte lindur.

Po era frynte.
Era e së vërtetës,
era që përndiqej,
era që më mësonte të qëndroja drejt
edhe kur jeta binte përdhe.

  1. LIRIA NË SHPIRT

Në fund të acarit,
të poshtërimeve,
të torturës dhe vetmisë,
ndjeva brenda vetes
një farë që nuk vdiste.

Ishte shpresa që s’kishte emër,
shpresa që nuk varej nëpër mure,
por jetonte në eshtrat e mia
si një këngë e pathënë.

Unë isha i lidhur,
por jo i nënshtruar.
Unë isha Prometheu i kësaj kohe –
në duar të ulkonjave,
por me zjarr në shpirt.

Përtej heshtjes

Në qelinë e gurit,
një dritë e lodhur dridhej në tavan,
si shpirti im që luftonte terrin.

Një dritare e vogël, e mbërthyer me hekur,
ishte qielli im i mbyllur.
Vetmia më kafshonte,
ëndrrat iknin me erën,
në dejtë digjte prushi i mallit.

Qaja për fëmijët e mi,
për sytë e tyre të humbur në stinë,
për hapat zbathur në trotuaret e Shkupit,
për pritjen e pafajshme
që më thërriste nga larg.

Por një ditë…
drita e lodhur u bë diell,
dritarja – horizont i hapur.
Në përqafimin e tyre rilinda,
përtej heshtjes dhe errësirës.

…Sepse pafajësia është krahë,
dhe ndërgjegjja e pastër është flakë
që nuk shuhet kurrë.
Përtej hekurave,
përtej heshtjes –

Ime shpresë, do më  priste liria. 

EPILOG  1.

Drita që nuk shihet

Pas çdo heshtjeje të gjatë
nuk vjen menjëherë fjala.
Vjen një zbrazëti tjetër—
më e thellë, më e qetë,
ku njeriu mëson të jetojë
pa zërin që kishte dikur.

Dalja nga burgu
nuk është gjithmonë dalje.
Sepse muret më të forta
janë ato që mbeten brenda.

Dhe megjithatë—
njeriu nuk është ndërtuar
për të qenë vetëm kujtim i dhimbjes.

Diku, në një vend që nuk matet me hapësirë,
as me kohë,
mbetet një grimcë drite.

Jo si shpëtim i madh,
jo si triumf,
por si një qëndresë e heshtur
që nuk pranon të shuhet.

Unë nuk e pashë diellin
si dikur.
As qielli nuk ishte më i njëjti.

Por mësova diçka tjetër:
se drita nuk është vetëm ajo që bie mbi ne—
është edhe ajo që mbetet brenda nesh
kur gjithçka tjetër është errësuar.

Dhe në këtë mbetje,
njeriu fillon të rindërtojë veten,
jo siç ka qenë,
por siç mund të jetë pas rrënimit.

Kjo nuk është fitore.
As humbje.
Është një gjendje tjetër—
një mënyrë e re e të qenit.

Kështu mbyllet ky udhëtim:
jo me një përgjigje,
por me një dritë të vogël
që nuk kërkon të shihet,
vetëm të mbahet gjallë.

 Zenica – hapësira ku heshtja merr formë

Në hartën e ish-Jugosllavisë, Zenica shënohej si një qytet industrial, i njohur për uzinat dhe ritmin e rëndë të punës.
Por për shumë të tjerë, ajo ishte një emër që nuk shqiptohej lehtë—
një vend ku liria humbte kuptimin e saj konkret.

Burgu i Zenicës, një nga institucionet më të njohura penitenciare të kohës,
nuk ishte vetëm një ndërtesë.
Ai ishte një sistem.
Një mekanizëm disipline, izolimi dhe kontrolli,
ku individi zhvishej gradualisht nga çdo identitet i mëparshëm.

Në vitet e tensioneve politike dhe ideologjike,
sidomos për shqiptarët në hapësirën jugosllave,
burgjet nuk ishin vetëm vende ndëshkimi për krime penale.
Ato shpesh shndërroheshin në hapësira të ndëshkimit të mendimit,
të fjalës dhe të aspiratës për liri.

Qelitë e vetmisë,
me muret e tyre të ftohta dhe dritën e kontrolluar,
nuk synonin vetëm izolimin fizik.
Ato krijonin një realitet tjetër—
një kohë të ngadaltë, pothuaj të ngrirë,
ku njeriu përballej me vetveten në mënyrën më të zhveshur të mundshme.

Pikërisht në këtë hapësirë lind kjo poezi.
Jo si një akt letrar i shkëputur,
por si një nevojë për të ruajtur një formë të brendshme lirie.

Sepse kur gjithçka tjetër kontrollohet,
mbetet vetëm një vend ku njeriu mund të jetë i lirë:
brenda vetes.

Dhe aty—
në atë territor të padukshëm—
fillon rezistenca më e vështirë dhe më e vërtetë.

(Frryma e trenit dhe rrugëtimi)

Kur treni im të ndalë në stacionin e heshtjes,
mos qani për udhën time —
se unë nuk humba, por u ktheva
atje prej nga erdha, te Fjala dhe Drita.

Në qetësinë e shuarjes sime
mos shihni mbarim, por ngjizje tjetër rruge,
fluturim të ri në krahët e përjetësisë.
Se njeriu nuk shuhet në dhe,
por në harresë —
dhe gjallëron në kujtim e në emër të mirë.

Merreni frymën time si fllad të lehtë
që prek faqet tuaja në mëngjes,
si zë të butë në ndonjë lutje,
si kujtim të bardhë në rrugëtim.

S’u dhashë pasuri pa fund,
por dhashë fjalë, zemër, mund,
dhashë plagët e mia si flakë shprese,
dhashë rrugëtime të vërteta
nëpër shi e nën diell.

Amaneti im është i thjeshtë:

– Ruajeni nderin, se nderi është shtylla e fisit.
– Mbroni fjalën, se fjala është tempulli i shpirtit.
– Rriteni dashurinë, se ajo është ura midis të gjallëve dhe të pavdekshmëve.
– Mos lini heshtjen të varfërojë të vërtetën,
por flisni kur fjala është dritë,
dhe heshtni kur heshtja është lutje.

Në çdo libër tim, në çdo shkronjë,
ka pak dritë nga syri im,
pak dhembje nga koha,
pak shpresë nga përjetësia shqiptare
që më rriti, më mësoi, më mbajti njeri.

E nëse zemra ju dridhet një ditë
teksa lexoni emrin tim,
mos thoni “u nda”,
por thoni me zë të mirë:

“Ai mbaroi udhën në tokë
për të nisur udhën në dritë.”

Dhe kështu,
kur të mbyllet dera e trenit tim,
unë veç do të kthehem në qetësi,
si zog që gjen strehë në degën e përjetësisë,
si dritë që nuk shuhet
po rikthehet në Qiell.

Epilog

Kur treni im të ndalë në stacionin e heshtjes, mos qani për udhën time —
se unë nuk humba, por u ktheva atje prej nga erdha, te Fjala dhe Drita.

Në qetësinë e shuarjes sime, mos shihni mbarim, por ngjizje tjetër rruge, fluturim të ri në krahët e përjetësisë.
Njeriu nuk shuhet në dhe, por në kujtim dhe emër të mirë.

Amaneti im:

Ruajeni nderin, se nderi është shtylla e fisit.

Mbroni fjalën, se fjala është tempulli i shpirtit.

Rriteni dashurinë, se ajo është ura midis të gjallëve dhe të pavdekshmëve.

Mos lini heshtjen të varfërojë të vërtetën, por flisni kur fjala është dritë, dhe heshtni kur heshtja është lutje.

Në çdo libër tim, në çdo shkronjë, ka pak dritë nga syri im, pak dhembje nga koha, pak shpresë nga përjetësia shqiptare.

RRETH  AUTORIT

Jeta e tij filloi si një rrjedhë e qetë në luginat e Çegranit, por shpejt u kthye në ujvarë të egër.
Rinija e tij shpërtheu në stuhi të fshehta, ku çdo përplasje ishte një provë guximi.
Arratisja në SHBA ishte një valë që e çliroi nga prangat e frikës, por kthimi në vendlindje e hodhi në thellësitë e një deti të trazuar.
Zenica u bë oqean i errët, ku çdo frymë lirie përplashej me shkëmbinjtë e pushtetit.
Proceset inskenuar ishin tallaze të gabuara që përpiqeshin ta fundosnin, por ai mbijetoi, duke u bërë vetë ujvarë që nuk ndalet.
Fjalët e tij janë pika që bien mbi shkëmbinjtë e harresës, duke ndriçuar rrugën në errësirë.
Veprat e tij rrjedhin si rrjedha ujvarash: “Ballë për ballë me vdekjen”“Diversantët”“UDB-ja vepronte edhe në Amerikë”.
Çegrani është det dhe ujvarë, stuhi dhe qetësi; një zë që sfidon heshtjen dhe përplas bregun e jetës me forcën e shpirtit.
Çdo rresht i tij është valë që nuk shuhet, rrjedhë që sfidon kohën, ujvarë që mban gjallë ndërgjegjen në oqeanin e përjetshëm të historisë shqiptare.

Në fillim të viteve ’70, Nafi Çegrani kishte një pozitë të rëndësishme brenda strukturave të shërbimit sekret jugosllav (UDB-a). Kjo pozitë i dha atij njohuri të thella  secrete mbi aparatin represiv që shtypte shqiptarët në trojet e veta. Në  verën e vitit 1974, duke mos mundur të pajtohej me mizoritë që ushtroheshin ndaj popullit të tij dhe me politikat shtetërore të asimilimit dhe dhunës sistematike, Çegrani vendosi të arratisej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arratisja e tij ishte një tronditje për strukturat e UDB-së në Shkup dhe Beograd. Ajo u pa si një tradhti e madhe, por njëkohësisht edhe si një akt i guximshëm që e ekspozonte më qartë natyrën kriminale të sistemit. Në SHBA, Nafi Çegrani vazhdoi veprimtarinë atdhetare, duke bashkëpunuar me revistën “Zjarri” në Palermo, dhe më tej me mërgatën shqiptare,  duke ngritur zërin në qarqet ndërkombëtare për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi. Ai ishte pjesë e atyre figurave që punuan për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe për përgatitjen e opinionit ndërkombëtar mbi represionin që shqiptarët përjetonin nën regjimin komunist në Ballkan.

Hakmarrja e UDB-së nuk vonoi. Në vitin 1981, kur lëvizja studentore shqiptare në Kosovë po trondiste themelet e Jugosllavisë dhe kërkonte barazi e vetëvendosje, shërbimi sekret jugosllav organizoi një sërë procesesh politike të montuara për të trembur shqiptarët dhe për të shuar çdo lëvizje opozitare. Njëri prej këtyre proceseve ishte ai i njohur si Procesi i Zenicës, i zhvilluar në qytetin industrial të Bosnjës, në të cilin u dënuan një grup veprimtarësh shqiptarë dhe një boshnjak.

Në mënyrë të paprecedentë, gjykata e Zenicës e dënoi Nafi Çegranin me vdekje – me pushkatim. Ky ishte një vendim që nuk kishte qëllim ligjor, por politik. Ishte një gjykim simbolik i urrejtjes dhe frikës që aparati shtetëror kishte ndaj një shqiptari që dikur kishte qenë brenda sistemit dhe që tashmë ishte kthyer në kundërshtarin më të zëshëm të tij.

 Nafi Çegrani, si një shqiptar i denjë dhe i vërtetë, i cili mbajti afro 12 vite burg të rëndë në kazamatet e Bosnjës dhe në burgun e “Idrizovës” në Shkup,  sot, ai  kujtohet si një simbol i qëndresës politike dhe morale ndaj diktaturës jugosllave, për çfarë ka shkruar edhe disa libra.  Ishte një ndër të rrallët që, duke qenë pjesë e aparatit të shtypjes, pati guximin të largohej dhe të luftonte atë sistem me mjete politike e diplomatike nga jashtë, në vitet kur nuk ishte aspak e lehtë, sepse UDB-a vepronte me të madhe cep më cep.

Dënimi i tij me vdekje ishte një përpjekje për ta heshtur figurën e tij, por në të vërtetë e shndërroi atë në një martir të gjallë të kauzës shqiptare. Veprimtaria e tij ndërkombëtare dhe roli që ai pati në ndërgjegjësimin e diasporës shqiptare në SHBA është ende e nënvlerësuar në historiografinë shqiptare dhe kërkon studim të mëtejshëm, më të drejtë, human dhe njerëzor.

Sot, kur shihen në retrospektivë proceset e montuara politike si ai i Zenicës, del qartë përmasat e luftës së pushtetit jugosllav kundër çdo zëri të pavarur shqiptar. Nafi Çegrani, përmes jetës dhe veprës së tij, por edhe përmes vuajtjes që i solli hakmarrja e pushtetit, mbetet një emër që meriton të nderohet, të studiohet dhe të rikthehet dinjiteti i tij i vërtetë  në kujtesën kolektive shqiptare si një nga përfaqësuesit më të denjë të një brezi që nuk u përkul as përballë  dënimit me vdekje, si një ndër figurat më të spikatura të rezistencës shqiptare në ish-Jugosllavi, është shembulli më ilustrues i përplasjes së individit me ndërgjegje kombëtare kundër një makinerie shtetërore ideologjike e policore, që kishte për synim asimilimin dhe nënshtrimin total të shqiptarëve. Ai nuk ishte thjesht një disident në mërgim; Çegrani mishëronte një konfrontim të drejtpërdrejtë me strukturat më të errëta të regjimit – UDB-në dhe KOS-in ushtarak – si ish-zyrtar që u shndërrua në dëshmitar, denoncues dhe, për rrjedhojë, viktimë e një procesi të kurdisur penal me përmasa të thella politike dhe ideologjike.

Lirim  Deda , Elbasan 

p.s.

Sa ishte gjallë miku im i penës, Lirim Deda, dhe që mbijetoi burgjet komuniste, bëri rrugëtimin e tij drejt lirisë dhe dritës. Kur SH.B. “Onufri” në Elbasan , në krye me Bujar Hudhrin, bashkë dhe shkrimtarja Flutura Açka, më 1995 botuan përmbledhjen time me poezi të titulluar “Orfe i vrarë”, redaktimin e bëri Lirim Deda. Faleminderit !

Nuk është fare më çështje besimi , është çështje e demonstrimit të islamit politik në hapësirën publike

0
Nuk është më çështje besimi. Është demonstrim force ideologjike në hapësirën publike.
Pamjet e grupeve islamiste që shtrihen nëpër rrugët e Prishtinës, nga Muharrem Fejza deri në lagje të tjera, duke bllokuar rrugë, trotuare dhe jetën normale të qytetarëve, nuk kanë të bëjnë me përulësi ndaj Zotit. Besimi nuk ka nevojë për spektakël publik, as për okupim të qytetit. Kjo është politikë identitare e maskuar si rit fetar.
Kur ke qindra xhami në Kosovë — mbi 800 — shumë prej tyre gjysmë të zbrazëta, atëherë dalja në rrugë nuk është nevojë fetare. Është mesazh politik. Është provokim simbolik. Është përpjekje për ta normalizuar imponimin e pranisë ideologjike në zemër të jetës publike.
Rruga nuk është xhami. Hapësira publike nuk është territor për demonstrime fetaro-politike. Qyteti nuk mund të mbahet peng nga rituale kolektive që bllokojnë lëvizjen, krijojnë tension dhe imponojnë një identitet të caktuar mbi të gjithë të tjerët.
Kjo është fytyra e islamit politik: fillimisht kërkon “tolerancë”, pastaj kërkon dominim simbolik të hapësirës publike. Sot bllokohet një rrugë për lutje masive, nesër kërkohet nënshtrim kulturor ndaj agjendës së tyre. Historia e shumë shoqërive e ka treguar këtë model.
Kosova është republikë civile, jo shtet fetar. Identiteti ynë kombëtar nuk është ndërtuar mbi fundamentalizëm oriental, por mbi frymën europiane, rezistencën kombëtare dhe bashkëjetesën qytetare. Prandaj çdo përpjekje për ta shndërruar hapësirën publike në skenë të propagandës fetaro-politike duhet të ndalet.
Duhet reagim institucional. Komuna dhe organet e rendit nuk mund të sillen sikur nuk po ndodh asgjë. Ligji duhet të vlejë për të gjithë. Askush nuk ka të drejtë të uzurpojë rrugët dhe jetën publike në emër të ideologjisë së vet.
Po aq i rëndësishëm është edhe reagimi shoqëror. Duhet zgjim qytetar dhe iluminim kombëtar kundër kësaj maskarade kolektive që po paraqitet si “devotshmëri”, por që në thelb është shfaqje e organizuar e islamit politik në hapësirën publike të Kosovës.
Heshtja përballë ekstremizmit simbolik sot, bëhet normalizim nesër.

Në prag të rrethit vicioz – Koha për përgjegjësi historike para se shteti të rrëshqasë drejt kolapsit institucional

0

Prof. Sabri Tahiri, Gjilan

Kriza e vazhdueshme politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës po shndërrohet gradualisht në një provë serioze për vetë qëndrueshmërinë e shtetit. Bllokadat institucionale, mungesa e kompromisit dhe përplasjet e vazhdueshme ndërmjet subjekteve politike nuk janë më thjesht shenja të mosmarrëveshjeve demokratike, por tregues të një kulture politike që rrezikon të prodhojë destabilitet afatgjatë.
Nëse proceset kyçe shtetërore, si zgjedhja e drejtuesve institucionalë, vazhdojnë të dështojnë dhe vendi shtyhet vazhdimisht drejt zgjedhjeve të reja, Kosova rrezikon të hyjë në një rreth vicioz politik. Një cikël i tillë konsumon energjinë institucionale, shteron burimet financiare dhe dobëson besimin qytetar në demokraci. Historia politike e shteteve të brishta tregon se krizat e përsëritura institucionale shpesh hapin rrugë për stagnim ekonomik, rritje të emigrimit dhe dobësim të sovranitetit shtetëror.
Një pjesë e klasës politike, e cila për dekada ka qenë në qendër të vendimmarrjes, ka krijuar një realitet ku interesi publik shpesh mbetet në hije përballë interesave të ngushta partiake dhe personale. Pasurimi i shpejtë i disa individëve dhe përjetësimi i pushtetit politik kanë krijuar një hendek të dukshëm ndërmjet qytetarëve dhe elitave politike. Ky hendek nuk është vetëm moral, por edhe institucional, sepse minon besimin në shtet dhe në funksionimin e drejtë të demokracisë.
Në këtë kontekst, përgjegjësia politike bie mbi të gjitha subjektet politike proporcionalisht me peshën e votës që kanë marr nga votuesit. Ajo nuk është më vetëm çështje retorike, por domosdoshmëri historike. Çdo vonesë në marrjen e vendimeve thelbësore dhe çdo kalkulim i ngushtë partiak e shtyn vendin më pranë një krize të thellë institucionale, e cila mund të ketë pasoja të parikuperueshme për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Rekomandime për dalje nga kriza dhe forcim të përgjegjësisë shtetërore:
1. Vendosja e prioriteteve shtetërore mbi interesat partiake
Subjektet politike duhet të trajtojnë funksionimin e institucioneve si obligim kushtetues dhe jo si mjet presioni politik.
2. Krijimi i një kulture të kompromisit institucional
Kompromisi nuk duhet parë si dobësi, por si instrument i domosdoshëm për stabilitet demokratik dhe funksionim të shtetit.
3. Reforma për kufizimin e cikleve të shpeshta zgjedhore
Duhet të shqyrtohen ndryshime ligjore që minimizojnë bllokadat institucionale dhe pengojnë vendin të hyjë vazhdimisht në zgjedhje të reja.
4. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies publike
5. Pasuria dhe aktivitetet e zyrtarëve publikë duhet të jenë objekt kontrolli të rreptë institucional dhe publik.
6. Forcimi i rolit të qytetarit në mbikëqyrjen demokratike
Qytetarët duhet të ushtrojnë presion demokratik përmes votës së ndërgjegjshme dhe kërkesës së vazhdueshme për përgjegjësi politike.
Ndërtimi i një elite të re politike përmes meritokracisë
Partitë politike duhet të hapen ndaj kuadrove të reja profesionale dhe të largohen nga praktikat e përjetësimit të elitave të njëjta.
Në këtë moment kritik, Kosova nuk përballet vetëm me një krizë politike, por me një provë historike të maturisë së klasës së saj politike dhe të vetëdijes qytetare. Nëse vendi vazhdon të rrëshqasë drejt cikleve të pafundme krizash, atëherë dëmi nuk do të jetë vetëm institucional, por edhe historik.
Koha për kalkulime të ngushta ka përfunduar. Sot kërkohet vizion shtetëror, përgjegjësi morale dhe guxim politik. Çdo dështim për të vepruar me maturi dhe përgjegjësi në këtë moment mund të mbetet në histori si një nga gabimet më të rënda ndaj shtetit dhe ndaj sakrificave të qytetarëve të tij.

Më 28. Prill 2026