Institute for Economic Policy Research and Analyses (INEPRA)









Adem Lushaj, Deçan
Në një kohë kur numri i pacientëve me sëmundje malinje në Kosovë po rritet nga viti në vit, sistemi shëndetësor i vendit përballet me një situatë thellësisht shqetësuese dhe paradoksale, mungesë të theksuar të onkologëve në shërbimin publik, ndërkohë që disa specialistë të rinj të kësaj fushe vazhdojnë të mbeten të papunë.
Kanceri tashmë konsiderohet një nga sfidat më serioze për shëndetin publik në Kosovë. Rritja e numrit të rasteve kërkon më shumë kapacitete profesionale, diagnostikim më të hershëm dhe trajtim më të shpejtë e më cilësor. Megjithatë, realiteti në terren tregon se sistemi shëndetësor ende nuk po arrin t’i përgjigjet në mënyrë adekuate kësaj sfide.
Shërbimet onkologjike në vend mbeten kryesisht të përqendruara në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ky centralizim krijon mbingarkesë të madhe për stafin ekzistues dhe vështirësi të shumta për pacientët nga të gjitha rajonet e vendit, të cilët shpesh detyrohen të udhëtojnë qindra kilometra për të marrë trajtim.
Në këto rrethana, një onkolog përballet me një numër shumë më të madh pacientësh se sa rekomandojnë standardet evropiane, gjë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe rrit lodhjen profesionale të stafit mjekësor. Kjo situatë krijon presion të madh si për mjekët, ashtu edhe për pacientët dhe familjet e tyre.
Ironikisht, në të njëjtën kohë kur ekziston kjo mungesë e theksuar e specialistëve, disa onkologë të rinj dhe të kualifikuar vazhdojnë të mbeten jashtë sistemit publik shëndetësor. Bëhet fjalë për profesionistë të trajnuar për vite me radhë, me investim të madh personal dhe institucional, të cilët ende nuk kanë mundësi të kontribuojnë në shërbim të pacientëve.
Mosangazhimi i këtyre specialistëve përfaqëson jo vetëm një humbje për profesionistët e rinj, por edhe një mundësi të humbur për sistemin shëndetësor dhe për pacientët që kanë nevojë për kujdes më të specializuar dhe më të shpejtë.
Në këto rrethana, ekspertët e shëndetësisë vlerësojnë se është e domosdoshme një analizë serioze e nevojave reale për onkologë në nivel kombëtar, si dhe një planifikim më i mirë institucional për integrimin e specialistëve të rinj në sistemin publik shëndetësor.
Për këtë situatë ka reaguar edhe Shoqata e Onkologëve të Kosovës, e cila ka ngritur shqetësimin për mungesën e specialistëve në shërbimin publik dhe për nevojën e integrimit të onkologëve të rinj në sistemin shëndetësor. Sipas kësaj shoqate profesionale, angazhimi i specialistëve të rinj do të ndihmonte në uljen e mbingarkesës së stafit ekzistues dhe në përmirësimin e qasjes së pacientëve në trajtim onkologjik.
Zgjerimi i shërbimeve onkologjike edhe në qendrat rajonale spitalore, hapja e vendeve të reja të punës dhe krijimi i politikave të qëndrueshme për zhvillimin e këtij sektori do të përbënin hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të kujdesit për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë.
Në fund të fundit, çdo specialist i papërfshirë në sistem nënkupton më pak mundësi për diagnostikim të hershëm, trajtim më të shpejtë dhe më shumë vështirësi për pacientët që përballen me një nga sëmundjet më të rënda të kohës sonë.

Sak Muji, Rugovë
Në vigjilje të 45-vjetorit të demonstratave studentore të marsit 1981, është e domosdoshme të thuhet një e vërtetë që nuk duhet të mbetet në heshtje: Historia e asaj pranvere nuk mund të shkruhet pa burgjet e saj.
Sepse demonstratat e 11–26 marsit 1981 nuk përfunduan në rrugë. Ato vazhduan në qelitë e burgjeve politike. Për shumë nga ne, ajo pranverë u shndërrua në vite të tëra burgimi nga 1981 deri në vitin 1990.
Në ato vite nuk u dënuan vetëm individë. U dënuan edhe familjet tona. U linçuan publikisht. U stigmatizuan si familje të “irredentistëve” dhe “nacionalistëve”. Shumë prej atyre që sot flasin për atë kohë nuk ishin në demonstrata.
Ata nuk ishin në burgje. Madje disa prej tyre në atë kohë e përdornin gjuhën e pushtetit për të na dënuar dhe për të na përjashtuar. Prandaj sot duhet të thuhet qartë: Historia e vitit 1981 nuk është vetëm historia e demonstratave. Ajo është edhe historia e burgjeve politike të asaj kohe. Dhe kjo histori nuk mund të përvetësohet nga ata që nuk e përjetuan atë. Sepse demonstratat e vitit 1981 nuk ishin një episod i zakonshëm politik.
Ato ishin fillimi i një procesi historik që çoi drejt shtetësisë së Kosovës. Në këtë kuptim, rrënjët e Republika e Kosovës gjenden edhe në atë pranverë. Por ato gjenden edhe në burgjet e viteve 1981–1990. Në sakrificën e atyre që nuk u thyen. Në qëndresën e atyre që nuk e mohuan idealin e lirisë.
Prandaj në këtë përvjetor është e drejtë të kërkohet një gjë e thjeshtë: ndershmëri historike. Historia e Pranverës 1981 duhet të trajtohet si trashëgimi kombëtare. Dhe askush nuk mund të marrë meritat e asaj historie nëse nuk ishte pjesë e saj. Sepse historia ka një zakon të vjetër: ajo gjithmonë i njeh bijtë e vet.
Dhe me kalimin e kohës ajo gjithmonë ndan ata që e përjetuan historinë nga ata që vetëm flasin për të. Prandaj në këtë përvjetor duhet të kujtojmë një të vërtetë të thjeshtë: Pranvera e vitit 1981 nuk u ndal në rrugë.
Ajo vazhdoi në burgjet politike të Kosovës dhe të Jugosllavisë. Dhe pikërisht aty u kalit një pjesë e historisë që më vonë çoi drejt lirisë.
⸻
Përfundim
– Një manifest i kujtesës Pranvera e vitit 1981 nuk ishte vetëm një protestë. Ajo ishte fillimi i një rruge të gjatë që kaloi nëpër demonstrata, burgje dhe sakrifica. Ata që e përjetuan atë pranverë e paguan me vitet më të bukura të jetës së tyre. Prandaj historia e saj nuk mund të përvetësohet nga askush.
Sepse historia nuk shkruhet me fjalë të vonuara. Historia shkruhet me sakrificë, me burg dhe me qëndresë.
Dhe për këtë arsye, në këtë përvjetor duhet të kujtojmë një të vërtetë të thjeshtë: Pranvera e vitit 1981 është kujtesa e një brezi që nuk u përkul. Dhe kjo kujtesë nuk mund të tjetërsohet. Sepse në fund të fundit: historia i përket atyre që e jetuan atë.
⸻
Sak Muji I përndjekur politik 1981–1990 Në vigjilje të 45-vjetorit të demonstratave studentore 11–26 mars 1981 smuji’26





Prof. Dr. Nail Draga, Ulqin
TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
Kahreman Ulqini, TOLERANCA FETARE E SHQIPTARËVE NË ZIGZAGËT E HISTORISË, Botoi:FIORENTIA, Shkodër, 2016
Studiues profileve të ndryshme shkencore të cilët janë marrë me raportët e ndryshme shoqërore të shqiptarëve, kanë spikatur një dukuri e cila është e veçantë tek kombi ynë.Fjala është për tolerancën fetare, qe lidhet me besimin. Pra, kemi të bëjmë me një bashkëjetesë pa armiqësi e konflikte të besimtarëve me fe të ndryshme
Dihet historikisht se besimi tek shqiptarët fillon me Ilirët, ku nga paganizmi përmes romakëve pranuan krishtërimin në shek.IV, ndërsa më pas me ndarjën e Krishtërimit në vitin 1054, shqiptarët i përkasin Bizantit, përkatësisht ortodoksizmit, ndërsa nga shek.XV, e më pas me paraqitjen e Perandorisë Osmane në Siujdhesën Ilirike, pjesa më e madhe e shqiptarëve kaluan në islamizëm. Ishin këto periudha të veçanta, me plot intriga, presione dhe kushtëzime të ndryshme, ku për të mbijetuar shqiptarët ishin të detyruar t´iu përshtatën rrethanave të kohës.
Konvertimi në kontekst të kohës
Andaj, edhe dukurinë e konvertimit në fe të kohës duhet kuptuar në kontekstin kohor, për arsy politike e etnike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje kemi raste të shumta nga klasa politike e kohës. Tashmë dihet se Balshajt në vitin 1369 nga ortodoks kaluan në katolik, pastaj ngjajshëm vepruan edhe Skurajt, Muzakët e Zahariajt. Ndërsa sipas rrethanave politike Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, ishte katolik si aleat i Venedikut më 1407, ortodoks si aleat i Stefan Llazareviqit më 1419-1426, mysliman si aleat i Muratit II më 1430-1438 dhe vdiq si katolik më 1443.Rastet e tilla te asaj kohe por edhe më pas janë të mjaftueshme për të kuptuar tolerancën fetare e cila vazhdimisht ka qenë dhe mbetet preokupim i studiuesve të profileve të ndryshme shkencore.
Pikërisht në lidhje me këtë çështje, studiuesi i njohur i etnologjisë Kahreman Ulqini kohë më parë opinionit i paraqitet me librin Toleranca fetare e shqiptarëve në zigzaget e historisë, botuar nga Fiorentia, Shkodër, 2016.
Autori çështjen e tolerancës e trajton në kompleksin e organizimit të vjetër shoqëror të shqiptarët, duke filluar me familjen fshatare, dokeve, duke e mbyllur me popullsinë qytetare dhe trajtimit të veçantë në shqiptarizëm. Në pjesën e dytë vend të rëndësishëm zën shtojca, e cila sjell argumente nga çështjet e trajtuara nga vise të ndryshme shqiptare, që janë dëshmi të pakontestuara, për tolerancën fetare në kohën përkatëse.
Temë komplekse
Duke parë se kemi të bëjmë me një temë komplekse me një periudhë të gjatë kohore autori me të drejt konstaton se hulumtimet rreth tolerancës fetare të shqiptarët patjetër duhet që argumentet dhe analizat e të dhënave dhe metodat e punës të jenë të afërta me ato të disa disciplinave shkencore si historia, etnologjia e sociologjia.Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në përfundime te qendrueshme shkencore, ndaj një teme e cila është intriguese për studiuesit e profileve te ndryshme shkencore.Po ashtu një qasje e tillë është me e pranushme edhe për studiuesit e huaj, të cilët këtë çështje e kanë pothuaj të panjohur sa e si duhet, sepse shqiptarët janë model për botën bashkëkohore sa i përket tolerancës fetare, si pjesë e vetëdijës kombëtare gjatë shekujve.
Sfidë ndaj paragjykimeve
Autori në këto botim na sjell episode të ndryshme që tregojnë tolerancën fetare të besimeve të ndryshme, kryesisht katolikë e musliman, nga krahina të ndryshme etnografike shqiptare por edhe qytete më të kaluar të bujshme historike sikur ishte Shkodra. Ishte kjo ndjenja e solidaritetit të gjakut dhe etnisë për të përballuar rrethanat e kohës.Veprimet e tilla ishin sfidë edhe ndaj elementëve të ndryshëm konfliktuoz të cilët kishin paragjykime të ndryshme apo ishin në shërbim të strukturave të huaja në hapësirën shqiptare. Edhe pse në themel të shoqërisë shqiptare me natyrë konservatore, qendronte parimi i ruajtjës së traditës, ku toleranca fetare mbeti si kod i pranimit të te tjerëve fetarisht,mos fyerjen e besimit të tyre, respekt për praktikat e shfaqjet publike, bashkëjetesë normale në familjet me dy besime dhe pa paragjykime fetare në bashkësi të ndryshme shoqërore. Ishin këto tipare të ngulitura me shekuj në vetdijën e shqiptarëve, dukuri kjo e cila na bën të mburremi në krahasim me popuj të tjerë të cilët janë fetar me fanatizën ekstrem sikurse janë ortodokset fqinjët tanë të cilët si në të kaluarën dhe në ditët tona janë intolerant ndaj çdo kishe apo riti tjetër duke qenë përsekutues të vazhdueshëm nacional.
Shqiptarët model për popujt tjerë
Me këtë botim përveç konsultimit të literaturës profesionale selektive, autori dëshmon se gjatë hulumtimeve të tia gjysëm shekullore ne terren rreth organizimit të vjetër shoqëror e të drejtës popullore të shqiptarët, ka mbledhur një lëndë me vlerë shumëplanëshe nga trashëgëmia e kultura jonë popullore, ku toleranca fetare paraqet një nder vlerat etnike me sublime të popullit shqiptar. Pikërisht kjo dukuri është hetuar edhe nga të huajt të cilët kanë kanë vizituar viset shqiptare nga mesjeta e vonë e më pas. Madje ata kanë qenë të befasuar me ketë qendrim të shqiptarëve të cilët edhe pse popull me tre besime, ishin dhe janë edhe sot model për popujt e tjerë.
Andaj duke marrë parasysh rëndësinë qe ka toleranca fetare për të sotmën dhe të ardhmën, është për tu përshëndetur propozimi i autorit e qe një lëndë e tillë të mblidhet dhe të botohet në një vëllim të veçantë, si vlerë autentike e trashëgimisë sonë kulturore ndër shekuj. Një botim i tillë do të ishte si testament edhe për brezat që do të vijnë, duke dëshmuar se shqiptarët kanë se me çka të mburrën, me një vlerë unikate e cila iu mungon popujve të tjerë. Rastet e tilla janë të shumta, ku disa autori na i sjell episode apo fragmente që kanë vlera autentike të tolerancës fetare.Andaj iu mbetet institucioneve përkatëse shkencore që një propozim të tillë ta realizojnë në praktikë, sepse është obligim moral dhe profesional për të kaluarën tonë gjatë zigzagëve të historisë, sepse ka ndodhur ajo që është e shkruar.
Përfundim
Një botim i tillë do të ishte i obligueshëm jo vetëm për studiuesit dhe individët e pasionuar pas trashëgimisë kulturore por sidomos për studentët e katedrave te ndryshme, ku trajtohen çështje nga antropologjia e kultura popullore. Vetëm në këtë mënyrë toleranca fetare do të mbetet pjesë e identitetit tonë kombëtar, si vlerë e veçantë e popullit tonë në te kaluarën dhe në ditët tona.Dhe është pikërisht kjo tolerancë fetare e cila na shfaqet kudo në të gjitha veprimtaritë e ndryshme shoqërore, duke dëshmuar në praktikë një dukuri me vlera të mëdha sa shoqërore dhe kombëtare, duke na bërë unikat për popujt e tjerë në botën bashkëkohore.
Madje ky është edhe mesazhi i këtij libri i cili do të jetë i domosdoshëm për historianët, etnologët e sociologët si dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë njohuri për këtë dukuri shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve, në të kaluarën dhe në ditët tona.
(Ribotohet me rastin e vdekjës së Kahreman Ulqinit (1935-2026) studiuesit, historianit e etnologut të shquar shqiptar, i vlerësuar si një nga figurat më të respektuara të studimeve albanologjike)

Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë
Në Universitetin Popullor Shqiptar, arbëreshët e Kalabrisë sollën këngët, historinë dhe shpirtin e një tradite që ka mbijetuar për më shumë se pesë shekuj.
Mbrëmja e 7 marsit 2026 në Gjenevë kishte një atmosferë të veçantë. Në sallën e Universitetit Popullor Shqiptar (UPA) u mblodhën shqiptarë nga treva të ndryshme për të përjetuar një takim të rrallë kulturor me arbëreshët e Kalabrisë – pasardhësit e shqiptarëve që u vendosën në Italinë jugore pesë shekuj më parë, duke marrë me vete gjuhën, këngët dhe kujtesën e Arbërisë.
Programi u hap me Himnin e Flamurit Kombëtar, i interpretuar me ndjenjë të veçantë nga sopranoja Fjolla Hiseni. Tingujt e himnit krijuan një moment solemn, duke bashkuar publikun në një ndjenjë të përbashkët përkatësie dhe krenarie.
Mbrëmjen e hapi dhe e moderoi Albana Krasniqi Malaj, drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar. Në fjalën e saj ajo theksoi se kjo mbrëmje nuk ishte vetëm një koncert, por një takim me historinë dhe identitetin.
Arbëreshët përbëjnë një nga diasporat më të hershme shqiptare. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, shumë shqiptarë u vendosën në jug të Italisë, ku krijuan komunitete që edhe sot ruajnë gjuhën dhe traditat e të parëve. Për më shumë se pesë shekuj ata kanë ruajtur një trashëgimi të gjallë kulturore, duke qenë njëkohësisht pjesë e shoqërisë italiane.
Pjesa e parë e aktivitetit u përqendrua në një debat mbi rëndësinë e gjuhës amtare dhe rolin e saj në ruajtjen e identitetit në diasporë.
Në këtë mbrëmje mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Ermal Dredha, i cili në fjalën e tij theksoi se historia e arbëreshëve është një shembull i rrallë i qëndresës kulturore dhe shpirtërore.
Ndërsa Zëvendëskonsullja e Kosovës në Gjenevë, Fjolla Haziri, ndau përvojën e saj personale si një shqiptare e lindur dhe e rritur në Zvicër, duke theksuar se gjuha shqipe mbetet ura më e fortë që lidh brezat me rrënjët e tyre.
Në diskutim kontribuoi edhe Leonard Ferati, mësues i arsimit special dhe anëtar i zgjedhur në Këshillin e Lartë të qytetit të Gjenevës. Ai foli për përvojën e tij me nxënësit shqiptarë në shkollat publike dhe theksoi se njohja e mirë e gjuhës amtare ndihmon drejtpërdrejt në suksesin e fëmijëve edhe në gjuhët e tjera.
Në këtë frymë u shpreh edhe Ilir Kurti, mësues dhe deputet në Këshillin e Qytetit të Gjenevës, i cili theksoi se gjuha e trashëguar është një pjesë e pandashme e identitetit kulturor të një populli.
Por kulmi i mbrëmjes erdhi në pjesën e dytë – programin artistik arbëresh.
Profesori Michele Greco, një njohës i përkushtuar i kulturës arbëreshe, e udhëhoqi publikun në një rrëfim të ndjerë mbi historinë e emigrimit të arbëreshëve dhe mbi mënyrën se si gjuha shqipe arriti të mbijetojë ndër breza, edhe pa shkolla dhe pa mbështetje institucionale.
Në Kalabri, theksoi ai, edhe sot ekzistojnë rreth 35 fshatra ku flitet arbërishtja, gjuha e të parëve që ruan në vetvete tingujt e vjetër të shqipes.
Mesazhi i tij për shqiptarët në diasporë ishte i thjeshtë dhe i fuqishëm: nëse arbëreshët kanë arritur ta ruajnë gjuhën për pesë shekuj, atëherë edhe shqiptarët e sotëm mund ta bëjnë këtë duke filluar nga familja.
Në skenë u ngjitën disa grupe artistike që sollën këngë dhe valle tradicionale arbëreshe:
Interpretimet e tyre sollën një atmosferë të gjallë dhe emocionuese. Çdo këngë ishte një rrëfim për historinë, jetën dhe kujtesën e një komuniteti që ka ruajtur me dashuri gjuhën e nënës.
Në fund të koncertit, kur u kënduan këngët shqiptare, publiku u bashkua spontanisht me artistët. Salla u kthye në një skenë të përbashkët ku kënga dhe emocionet bashkuan të gjithë të pranishmit.
Mbrëmja përfundoi mes përqafimeve, buzëqeshjeve dhe një ndjenje të fortë bashkimi. Ishte një mbrëmje që tregoi se, edhe larg atdheut, gjuha dhe kultura shqiptare vazhdojnë të jetojnë përmes njerëzve që i mbajnë gjallë me dashuri dhe përkushtim.
Në këtë mënyrë, për një mbrëmje të vetme në Gjenevë, Arbëria e vjetër dukej sikur kishte ardhur sërish mes nesh – në këngë, në fjalë dhe në kujtesën e përbashkët.
Më 9 mars 2026