Kreu Blog Faqe 229

Presionet politike të momentit dhe rreziku i shkeljes së Kushtetutës

0

Arif Ejupi, Gjenevë

Në momentin kur zonja Vjosa Osmani u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës, shumë qytetarë besuan se ky ishte një nga vendimet më të qëlluara politike të viteve të fundit.

Ajo vinte në krye të shtetit me një përgatitje solide akademike, me gradën doktor i shkencave juridike dhe me përvojë në fushën e së Drejtës kushtetuese.

Për më tepër, zotërimi i shkëlqyer i gjuhës angleze dhe komunikimi i saj i sigurt në arenën ndërkombëtare krijuan bindjen se presidenca e saj do të karakterizohej nga respektimi rigoroz i normave kushtetuese.

Në një Republikë Parlamentare si Kosova, roli i Presidentit është i qartë: ai duhet të jetë garant i rendit kushtetues dhe figurë mbi palët politike. Kjo është fryma që buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga praktikat e demokracive parlamentare evropiane.

Megjithatë, zhvillimet politike të kohëve të fundit kanë hapur një debat serioz në opinionin publik lidhur me disa vendime institucionale të presidencës. Një nga çështjet më të ndjeshme lidhet me shpërndarjen e Kuvendit.

Sipas nenit 82 të Kushtetutës, Parlamenti mund të shpërndahet vetëm në rrethana të caktuara: nëse brenda 60 ditësh nuk formohet Qeveria, nëse dy të tretat e deputetëve votojnë për shpërndarjen e tij, ose nëse krijohet një krizë e rëndë institucionale që e bën të pamundur funksionimin e institucioneve.

Në këto raste Presidenti nxjerr dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, por jo si iniciues politik, por si garantues i një procesi kushtetues.

Po ashtu neni 86 i Kushtetutës përcakton procedurën për zgjedhjen e Presidentit dhe afatet për zhvillimin e saj. Interpretimi juridik i këtyre dispozitave ka qenë shpesh objekt debatesh ndërmjet ekspertëve të së Drejtës kushtetuese.

Nëse një vendim i rëndësishëm institucional merret pa një analizë të plotë juridike, atëherë rrezikohet që Presidenca të futet në polemika që dëmtojnë autoritetin e saj.

Në debatin publik është përmendur edhe roli i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Marrëdhëniet politike mes Ramës dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë qenë shpesh të tensionuara dhe të shoqëruara me polemika publike.

Në këtë kontekst, disa analistë kanë interpretuar afrimin retorik të Ramës ndaj Presidentes Osmani si një lëvizje diplomatike e ndërtuar me kujdes politik. Rama është i njohur për stilin e tij të komunikimit , shpesh të mbushur me ironi, humor dhe elozhe që nuk janë të lehta për t’u deshifruar.

Kjo ka bërë që një pjesë e opinionit publik të shtrojë pyetjen: a mund të ndikojë retorika politike e liderëve rajonalë në vendimmarrjen institucionale të Kosovës?

Në shumë vende evropiane, kompetenca për shpërndarjen e Parlamentit është e kufizuar dhe e lidhur ngushtë me procedura të qarta kushtetuese.

Në Gjermani, për shembull, Presidenti mund ta shpërndajë Bundestagun vetëm në dy raste: nëse Parlamenti nuk arrin të zgjedhë Kancelarin ose nëse Kancelari humb votëbesimin.

Në Itali, Presidenti ka kompetencë më të gjerë, por vendimi për shpërndarjen e Parlamentit merret vetëm pas konsultimeve të gjera me partitë politike dhe vetëm kur është e pamundur të formohet një Qeveri e qëndrueshme.

Në Francë, ku sistemi është gjysmë-presidencial, Presidenti ka kompetencë më të madhe për ta shpërndarë Parlamentin. Kosova nuk është Republikë gjysmë-presidenciale – ajo është Republikë parlamentare, dhe për këtë arsye kompetencat e Presidentit janë të kufizuara.

Në demokracitë parlamentare, Presidenti nuk është aktor politik që drejton betejat partiake.

Ai është garant i Kushtetutës dhe stabilitetit institucional. Prandaj çdo vendim për shpërndarjen e Parlamentit duhet të mbështetet mbi një analizë të thellë juridike dhe mbi respektimin rigoroz të dispozitave kushtetuese.

Historia politike e Ballkanit na mëson se fjalët e bukura të politikës mund të fshehin kurthe të rrezikshme. Për këtë arsye, institucionet duhet të mbështeten jo në retorikë, por në ligj dhe në përgjegjësi shtetërore.

Kushtetuta nuk është dokument për t’u interpretuar sipas humorit të politikës, por kontratë themelore që garanton stabilitetin e shtetit.

Prandaj çdo vendim për shpërndarjen e Parlamentit duhet të mbështetet mbi interpretime të qarta kushtetuese dhe jo mbi kalkulime politike të momentit.

Nga ideali te spektakli: politika, qytetari dhe kriza e besimit

0


Isuf Bajraktari , Suedi

Politika në hapësirën shqiptare, si edhe në shumë demokraci të tjera bashkëkohore, po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga substanca drejt performancës. Qytetarët kërkojnë rezultate të prekshme, por shpesh marrin narrativë emocionale, gjuhë të ashpër dhe skena të inskenuara që zëvendësojnë llogaridhënien. Ky devijim nga politika e rezultateve drejt politikës së imazhit ka prodhuar lodhje shoqërore dhe erozion të besimit. Hendeku midis fjalës dhe veprës është bërë i dukshëm: diskurs i zjarrtë, politika të zbehta, premtime pa afate dhe pa indikatorë matjeje.

Qytetari i lodhur shpesh zgjedh heshtjen. Zhgënjimi internalizohet, pritshmëritë thyhen dhe pjesëmarrja tkurrët. Në anën tjetër, një pjesë e aktorëve politikë sillen sikur të mos ketë kosto morale: përditësojnë narrativën sipas nevojës, rrisin dozën e emocioneve, dramatizojnë situatat dhe e zhvendosin vëmendjen nga llogaridhënia te identifikimi simbolik. Ky dualitet, qytetar i heshtur dhe aktor pa kosto deformon komunikimin demokratik dhe e zhvendos debatin nga faktet te përshkallëzimi emocional.

Manipulimi politik është bërë strategji komunikimi më vete. Viktimizimi i inskenuar, dramatizimi i tepërt, përdorimi i tregimeve personale si mjete manipulimi dhe krijimi i ndjenjës së urgjencës artificiale përdoren për të mbuluar mungesën e rezultateve. Qëllimi është i qartë: zhvendosja e vëmendjes nga çështjet strukturore dhe të matshme te elementët që ndezin reagim të shpejtë emocional. Kur narrativa zëvendëson llogaridhënien, publiku angazhohet me skenarë, jo me politika; me imazh, jo me indikatorë të matshëm; me perceptime, jo me prova.

Institucionet — parlamenti, administrata dhe mekanizmat e kontrollit janë projektuar për stabilitet, neutralitet dhe rregull. Mirëpo, kur shndërrohen në skenë, funksioni i tyre dobësohet. Debati parlamentar kthehet në retorikë të zbrazët; rregullat relativizohen dhe zbatohen selektivisht; temat substanciale politizohen për efekt emocional. Ky normalizim i spektaklit brenda institucioneve minon kulturën institucionale dhe e bën rikthimin e profesionalizmit gjithnjë e më të vështirë dhe më të kushtueshëm.

Rrjetet sociale e amplifikojnë këtë spirale. Arkitektura e tyre shpërblen konfliktin dhe gjuhën e ashpër: përmbajtja që provokon zemërim qarkullon më shpejt se argumentimi i matur. Algoritmet favorizojnë përplasjen, jo arsyetimin; alarmizmin, jo informimin; fragmentimin, jo analizën. Kështu, politika zhvendoset nga deliberimi racional drejt tensionit të qëllimshëm, ndërsa përçarja kthehet në kapital politik afatshkurtër. Për shumë aktorë, reagimi emocional i publikut vlen më shumë se transparenca.

Në këtë klimë, karakteri bëhet prova e vetme e qëndrueshme e lidershipit. Imazhi mund të ndërtohet dhe të menaxhohet me mjete komunikimi, por karakteri zbulohet në vendime të vështira, në transparencë dhe në respektimin e rregullave edhe kur nuk ka drita skene. Liderët që ngrihen duke ulur të tjerët prodhojnë përçarje; ata që shtyhen nga parimet prodhojnë stabilitet dhe zhvillim. Integriteti, profesionalizmi dhe përkushtimi ndaj interesit publik mbeten kriteret e vetme që e bëjnë qeverisjen të besueshme dhe afatgjatë.

Demokracia qëndron te ekuilibri shumicë–opozitë, kontrolli i pushtetit dhe transparenca e proceseve. Kur konsensusi zëvendësohet nga retorika e konfliktit, rritet rreziku i abuzimit me kompetencat dhe dëmtohet kohezioni institucional. Qytetarët, ndërkohë, vlerësojnë qeverisjen përmes rezultateve: ndikimit real në shërbime, ekonomi, infrastrukturë, drejtësi dhe mirëqenie. Premtimet pa zbatim prodhojnë zhgënjim kolektiv dhe gërryejnë legjitimitetin.

Për të rikthyer besimin, nevojiten dy kthesa: nga spektakli te profesionalizmi dhe nga fjala te transparenca e matshme. Kjo nënkupton raporte periodike me indikatorë të verifikueshëm, kod etik me sanksione të zbatueshme, edukim medial kundër manipulimit, publikim të të dhënave të hapura dhe regjistër publik ku gjurmohen premtimet me afate, buxhete dhe progres. Komunikimi publik duhet të mbështetet në prova: analiza kosto–përfitim dhe argumentim racional, jo dramaturgji politike.

Për mediat, kjo do të thotë standarde më të forta profesionale: dallim të qartë mes lajmit dhe opinionit, verifikim faktik para publikimit, transparencë të burimeve dhe korrigjime të dukshme kur gabimet ndodhin. Për qytetarët, kjo nënkupton shkrim-lexim medial si aftësi të domosdoshme për të kuptuar, filtruar dhe vlerësuar informacionin.

Në të njëjtën kohë, partitë politike duhet të ndërtojnë kultura të brendshme funksionale, ku meritokracia, profesionalizmi dhe transparenca e brendshme të jenë parakushte për avancim. Vendimmarrjet strategjike duhet të mbështeten në analiza të thelluara dhe jo në impulse emocionale ose kalkulime afatshkurtra elektorale. Vetëm kështu krijohet një cikël ku politika prodhon rezultate dhe rezultatet rikthejnë besimin.

Teza sintetike është e qartë: demokracia nuk mbahet me skena. Spektakli josh sot, por dëmton nesër gërryen besimin, dobëson institucionet dhe varfëron cilësinë e qeverisjes. Vetëm vendimmarrja e përgjegjshme, transparenca e verifikueshme dhe respekti i palëkundur për rregullat i rikthejnë autoritetin institucioneve dhe besimin qytetarëve. Kur prova zëvendëson performancën dhe kur rezultati zë vendin e retorikës, demokracia rifiton kuptimin e saj të vërtetë.

Unë e dua gjuhën time, historinë time dhe kombin tim

1

Fahri Xharra, Gjakovë 

I zhytur në mendime , i thelluar në historinë tonë jo shumë të largët ( diku nja 500 vjet e këtu ) as se si nuk po mund të vij në përfundim të plotë që duhet të të respektoj ; të kam “dashur “ sepse isha i obliguar falë rrethanave të jetës, më vonë fillova të ndjej lehtas një simpati për ty sepse mendova që ke ndryshuar, por vitet e që rrjedhën e treguan të vërtetën tënde . 

 E mendoja atë që thoshte Kadareja : “Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare,  dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin! “ . I thosha a vetes , ndoshta duhet harruar sepse ishin osmanët ata , ishin selgjukët ata . Cila është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar. Mendoja se jemi mbushur mend , jo të ngjallim urrejtje por së paku të rindërtojmë urën e miqësisë , një urë e cila ishte rrënuar që nga 1912 – ta.; që atëherë kur ia lamë lamtumirën njeri-tjetrit. Unë dhe ne , e kërkonim armikun e gjuhës sonë hyjnore tjetër kah ; atë e gjetëm , dhe atë e kemi vazhdimisht , por nuk e besoja që ti do të mundohesh të ringjallesh prapë mbi kurrizin tonë . Sa “ ëmbël “ ia filloi dhe të doli në pah fytyra e vërtetë. U deshën disa vite të lirimit nga komunizmi , u deshën disa vite të lirisë kombëtare për të kuptuar të vërtetën tënde; 

U shfaqën rimohuesit të cilët nuk e donin të vërtetën që e thoshte Kadareja , por ne turma iu shkonim pas dhe e harruam gjuhën tonë e harruam “ Tungjatjetën “ mijëra vjeçare Pra, rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori, për të na bindur që pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq ; për të na bindur se sa e keqe dhe kundër produktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.  

Ti nuk flitshe , na ardhshe me “lodra” dhe “premtime “ por rimohuesit flitnin në vend teje . Më vonë e kuptuam se pse Kadareja thoshte : “Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij- ( të Skënderbeut fxh ) . Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!” Të kujtohet që deshe të na ndryshon historinë dhe ta shkruajmë ashtu si e doje ti ?

Gjergj Kastrioti …

Unë e rikujtoj me helm në zemër , kur të mashtruarit të cilëve nuk iu mjaftonte vetvetja por thirrshin edhe “argat “ nga të gjitha anët për të na ulur në byth dhe t`i bindemi asaj që e doje ti. Kështu , ditë pas dite doli e vërteta në shesh , rasti i fundit shqiptarët e Maqedonisë .Deri dje ata ishin unë e dje u bënë ata ; deri dje ata flitshin si unë dhe sot janë kundër gjuhës së vet . Sot ata flasin ndryshe , e flasin gjuhën tënde dhe shtiren se gjoja është e tyre. Në fund të fundit nuk mund të kam respekt në ty , kur ti ma urrenë gjuhën time; nuk mund të kam dashuri për lodrat dhe kurmet që m`i solle vetëm e vetëm të harroj se kush isha.  

Unë e dua gjuhën time historinë time dhe kombin tim. 

Më 11 mars 2017

Sulmi i frymëzuar nga ISIS pranë shtëpisë së Mamdanit në Nju Jork

0

Hans Rustad / Document.no

Policia ndalon Emir Balatin pasi ai u përpoq të shpërthente një mjet shpërthyes të improvizuar gjatë një kundërproteste kundër influencuesit të ekstremit të djathtë Jake Lang që organizoi një protestë anti-Islam jashtë rezidencës Gracie, të shtunën, 7 mars 2026, në Nju Jork. (AP Photo/Julius Constantine Motal)

Dy djem emigrantë nga Afganistani dhe Turqia shkuan përkatësisht nga Pensilvania në Nju Jork ku hodhën bomba në një protestë anti-islamike jashtë shtëpisë së kryebashkiakut. Të dy donin të tejkalonin bombarduesit e Maratonës së Bostonit, por nuk ia dolën derisa u kapën. Qëllimi i tyre ishte pa dyshim i vdekshëm.

Ibrahim Kayumi, 19 vjeç, dhe shoku i tij Emir Balat, 18 vjeç, udhëtuan nga enklava idilike McMansions në Bucks County drejt Big Apple, ku ata të pretenduar hodhën bomba të bëra në shtëpi drejt një proteste anti-muslimane të një agitatori racist jashtë rezidencës së kryebashkiakes në Upper East Side të shtunën, sipas policisë dhe Prokurorisë.

Sulmi tronditës me bombë – që Komisionerja e NYPD, Jessica Tisch, tha se po hetohej si një veprim i „terrorizmit të frymëzuar nga ISIS“ – tronditi fqinjët e Kayumit.

„Kjo nuk është lloji i vendit që del në mendje kur mendon për terrorizmin islamik,“ tha një fqinj, Kathy, të hënën. „Kjo është Americana, këtu. Është klasë e mesme, por në mënyrën më të mirë.

Fqinjët ishin të shokuar. -Këtë nuk e kanë mësuar në këtë lagje, tha njëri.

Të mendosh se IS ende mund të inspirojë kaq shumë vite më vonë, kur e vërteta për sjelljen e tyre barbare është mirë e njohur, është shqetësuese.

Perëndimi nuk duket të ketë mbaruar me IS.

https://nypost.com/2026/03/09/us-news/parents-of-alleged-nyc-bomb-thrower-own-2-5m-home-are-naturalized-citizens-from-afghanistan/

https://nypost.com/2026/03/09/us-news/nyc-bomb-attack-suspects-launch-slew-of-chilling-isis-inspired-threats-after-arrest/

IS-inspirert angrep nær Mamdanis hjem i New York

A janë të detyruar deputetët që të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në votim?

0
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë përfaqësues të popullit dhe mandatin e tyre e ushtrojnë në mënyrë të lirë. Ky parim, i njohur në të drejtën kushtetuese si mandati i lirë parlamentar, nënkupton se deputeti nuk është i detyruar të zbatojë urdhra apo të veprojë sipas kërkesave imperative të partisë së tij politike ose të cilitdo autoritet shtetëror.
Nga ky parim rrjedhin disa të drejta themelore:
– deputeti është i lirë të votojë pro, kundër ose të abstenojë;
– deputeti mund të mos marrë pjesë në votim;
– deputeti nuk mund të detyrohet nga askush që të votojë në një mënyrë ose për një çështje të caktuar.
Ky parim dhe këto të drejta janë në përputhje të plotë me praktikat e konsoliduara të demokracive parlamentare evropiane.
Megjithatë, edhe përkundër faktit se deputeti gëzon mandat të lirë, ai ka edhe detyrime institucionale ndaj funksionimit të Kuvendit. Këto detyrime burojnë nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës.
Në këtë kuptim, deputeti duhet të marrë pjesë në seancat plenare dhe në komisionet parlamentare, si dhe të kontribuojë në ushtrimin e funksioneve themelore të Kuvendit (funksioni legjislativ, mbikëqyrës dhe përfaqësues).
Mirëpo këto detyrime janë vetëm të natyrës politike dhe procedurale, e jo detyrime të sanksionuara drejtpërdrejt me përgjegjësi ligjore ose kushtetuese të deputetit. Për mos-pjesëmarrje në seancë, deputetit zakonisht i reduktohen mëditjet dhe kompensimet materiale të parapara me rregullore.
Pra, sipas legjislacionit në fuqi, nuk ekziston asnjë mekanizëm juridik i cili e detyron deputetin të marrë pjesë në seancë dhe të votojë.
Në praktikën parlamentare evropiane, deputetët mund të përdorin disa forma të mos-pjesëmarrjes se tyre në votim:
– Abstenimi – deputeti është i pranishëm, por nuk voton.
– Mosregjistrimi në votim – deputeti qëndron në sallë, por nuk merr pjesë në procesin e votimit.
– Bojkotimi i seancës – deputeti ose grupi parlamentar nuk merr pjesë fare në seancë.
MIRËPO, edhe perkunder faktit se deputeti ka mandat të lirë dhe nuk mund të detyrohet të votojë, në rastet kur mos-pjesëmarrja në votim shkakton paralizim te institucioneve vitale shtetrore, mund të aktivizohet kontrolli kushtetues.
Në situata të tilla, interpretimi përfundimtar i dispozitave Kushtetuese i takon Gjykatës Kushtetuese te Republikës së Kosovës, e cila gjithmonë duhet të vendosë duke ruajtur ekuilibrin ndërmjet lirisë së mandatit parlamentar dhe funksionimit normal të institucioneve të shtetit.
Në praktikën juridike evropiane, gjykatat kushtetuese zakonisht janë shumë të kujdesshme për të mos ndërhyrë në autonominë parlamentare, përveç rasteve kur rrezikohet funksionimi i rendit kushtetues ose stabiliteti institucional i shtetit.

Fillimi i fundit të perandorisë politike kurtiane

2
A është sot Vjosa Osmani vaksina kundër përhapjes së mortajës politike Kurtiane, sikurse gjatë Perandorisë Osmane që ishte Gjon Nikollë Kazazi kundër përhapjes të mortajës me metodën “helm kundër helmit”?
Në romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të Jusuf Buxhovit përshkruhet një episod i rëndë nga koha e përhapjes së mortajës. Pushtuesit osmanë, për ta nënshtruar popullatën, shpërndanin minj të ngordhur e të sëmurë për të infektuar sa më shumë njerëz me sëmundjen e mortajës. Aq sa zyrtarët e Perandorisë Osmane mbanin shënime për rritjen e numrit të planifikuar të të infektuarve ndër shqiptarë, duke pritur që kjo fatkeqësi ta dobësonte dhe ta nënshtronte popullin.
Por ndodhi diçka që ata i dëshpëroi.
Kur prisnin që numri i të infektuarve të rritej edhe më shumë, ai filloi të bjerë.
Sepse prifti shqiptar Gjon Nikollë Kazazi organizoi në heshtje një kundërveprim.
Ai, së bashku me priftërinj të tjerë shqiptarë, mori dregëzat – materialin, lëngun nga plagët e një të sëmuri nga mortaja – dhe e vendosnin në një prerje të vogël në lëkurën e një personi të shëndetshëm, me qëllim që ai të kalonte një formë më të lehtë të sëmundjes dhe të fitonte imunitet.
Ishte metoda “helm kundër helmit”, një mënyrë për t’i bërë ballë mortajës dhe për ta ndalur përhapjen e saj.
Historia na mëson se çdo mortajë, sado e fuqishme të duket, një ditë përballet me kundër-reaksionin.
Sot Kosova, edhe pse gjendet në kulmin e një krizë të re politike, duket se po përballet pikërisht me këtë kundër-reaksion.
Vjosa Osmani, që doli nga substrati i kësaj bashkëqeverisjeje me Albin Kurtin, nuk u rizgjodh nga ai, presidente. Kështu përplasja me bashkëpunëtorin e saj tashmë është bërë e hapur dhe shumë shpejt mund të bëhet edhe më e ashpër dhe vdekjeprurëse për “mbretërinë” e Kurtit.
Sot Kuvendi është i shpërndarë dhe priten zgjedhje të reja. Vetëm gjatë vitit 2025 Kosova ka kaluar katër procese zgjedhore, së shpejti do të jetë i pesti.
Monarku Kurti donte të arrinte në 500 mijë zemra dhe arriti mbi 51% të votave, por prapë ishte i pakënaqur, sepse synonte pushtim të plotë, si xhaxhi Enver dhe shoku Mao.
Edhe pse i armatosur rëndë me pushtet, ai nuk arriti – ose nuk deshi – të ndërtojë institucione stabile shtetërore, por e ka mbajtur vendin në një cikël të pafund krizash, bllokadash dhe zgjedhjesh – ato që di t’i bëjë më së miri.
Ashtu sikur Perandoria Osmane që nuk ngopej me rritjen e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve, edhe kjo “perandori politike kurtiane” nuk dukej se ngopej me rritjen e numrit të elektoratit – shpesh të mashtruar me populizëm, të manipuluar me taktika makiaveliste, apo të blerë me buxhetin e shtetit.
Por historia tregon se edhe këto mortaja politike kanë një moment kur fillon rënia e tyre.
Siq duket pikërisht tani po shfaqet ai kundër-reaksion, ai “helm kundër helmit” – që mund ta ndalë këtë cikël krizash dhe manipulimesh dhe ta kthejë politikën e Kosovës në një ekuilibër më normal.
Asgjë nuk keni parë çka keni me parë!

Të drejtat e gruas jashtë botës perëndimore: regresi ligjor dhe beteja për të drejta njerëzore edhe pas 8 Marsit

0

Shqipe Bytyçi, poete, Zvicër

Të drejtat e grave nuk janë vetëm çështje ligjore, por themel i shoqërive të shëndetshme. Kur këto të drejta cenohen ose zhduken, nuk demtohen vetëm grate, por degradojnë vlerat dhe vete institucionet.

Historia dhe përvoja e vendeve të ndryshme tregojnë se përparimet sociale mund të dëmtohen ose edhe shuhen permes cikleve te regresit dhe të shtypjes së vazhdueshme ose ashpërsimit ligjor.

Shembulli mëposhtëm është një paralajmërim për të gjitha shoqëritë, si mbajtja dhe ruajtja e vlerave njerëzore dhe të drejtave bazë kërkon vëmendje, vigjilencë dhe institucione te forta.

Statusi i grave në Afganistan ka pësuar ndryshime dramatike gjatë dy periudhave të pushtetit taleban, duke treguar një regres te thellë të të drejtave që kishin fituar pas vitit 2001.

Gjatë pushtetit te parë taleban (1996–2001), gratë përjashtoheshin pothuajse tërësisht nga jeta publike, shkollat për vajzat mbi 9 vjeç u mbyllën, puna jashtë shtëpisë ishte e ndaluar, pjesëmarrja politike zero dhe lëvizja jashtë shtëpisë ishte me kufizime të rrepta.

Pas vitit 2001, ato filluan ngadalë te realizojnë disa të drejta në arsim dhe punësim, të kufizuara nga kultura konservatore dhe pengesa infrastrukturore, sidomos ne zonat rurale. Pas rikthimit të Talibanëve në 2021, u krijua një formë më e rafinuar, por shume e ashpër e diskriminimit.

Ligji i ri penal, që hyri në fuqi në janar 2026, formalizon dhunën në familje dhe legalizon dhunën fizike ndaj grave.

Çfarë thotë ky ligj në thelb?

Ligji lejon burrat të rrahin gratë dhe fëmijët në shtëpi, për aq sa lëndimet nuk shkaktojnë fraktura ose plagë të hapura. Nëse plagët janë serioze, dënimi arrin maksimumi 15 ditë burg, nje masë qesharake për të ndaluar dhunën.

Për të denoncuar dhunën, gruaja duhet të paraqitet fizikisht para gjyqtarit, e mbuluar plotësisht dhe e shoqëruar nga një burrë, shpesh nga vetë dhunuesi. Nëse ajo largohet nga shtëpia për të shkuar tek familja e saj pa lejen e burrit ose të një shoqëruesi mashkull, ajo mund të burgoset deri në tre muaj.

Edhe në rast se largohet për te shpëtuar nga dhuna, ligji nuk e mbron, largimi pa leje konsiderohet shkelje lugjore.

Familjarët e saj që ofrojnë mbrojtje gjithashtu mund të dënohen me gjoba ose burg të shkurtër. Kjo bën drejtësinë praktikisht të pamundur dhe i lë duar të lira dhunuesit.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe Kombet e Bashkuara e konsiderojnë këtë ligj si institucionalizim të dhunës gjinore.

Por ne radhe të parë e gjithë kjo është një paralajmërim për komunitetin ndërkombëtar, dhe posaçërisht për shoqëritë që rrëshqasin drejt këtyre fenomeneve.

Nje dëshmi që ligjet diskriminuese, të justifikuara në emër të traditës ose fesë, nuk janë thjesht problem kulturor, por një strategji sistemike që rivendos kontrollin mbi jetën e njeriut, veçanërisht të grave, dhe shkel të drejtat bazë njerëzore.

A është Kosova republikë, apo juristokraci, pyetja është tani…?

0
“Juristokracia i referohet një sistemi qeverisjeje ku gjyqtarët e pazgjedhur, ekspertët ligjorë dhe gjykatat supreme ushtrojnë pushtet dominues në hartimin e politikave, shpesh duke zëvendësuar legjislaturat e zgjedhura. I shpikur nga studiuesi Ran Hirschl, ai përshkruan zhvendosjen e vendimeve kryesore politike nga përfaqësuesit demokratikë në gjykata, zakonisht përmes shqyrtimit të gjerë gjyqësor, duke transformuar interpretimet ligjore në politika supreme dhe detyruese.”
A është Kosova republikë parlamentare ku Kuvendi mbetet burimi kryesor i legjitimitetit demokratik? Apo po shndërrohet gradualisht në një sistem ku interpretimet gjyqësore dhe kalkulimet procedurale fillojnë të dominojnë mbi vullnetin politik të përfaqësuesve të zgjedhur?
Debati mbi rolin e institucioneve në Kosovë nuk mund të kuptohet pa analizuar një fenomen që shumë juristë dhe studiues të sistemeve kushtetuese e quajnë “juristokraci” – dominimi i proceseve politike nga interpretimet e gjykatave kushtetuese.
Në teori, Gjykata Kushtetuese ekziston për të mbrojtur Kushtetutën dhe për të parandaluar shkeljet e saj nga pushtetet politike. Ajo nuk është projektuar për të qenë një aktor politik që ndikon drejtpërdrejt në formimin ose rrëzimin e institucioneve të zgjedhura. Megjithatë, në historinë institucionale të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka luajtur disa herë një rol vendimtar në konfigurimin e pushtetit politik.
Rasti i vitit 2014, kur Gjykata Kushtetuese ndërhyri në interpretimin e procedurës për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare, krijoi një precedent të rëndësishëm. Vendimi i saj praktikisht përcaktoi se kush kishte të drejtën për të formuar qeverinë, duke e vendosur gjykatën në qendër të procesit politik.
Edhe më dramatik ishte rasti i vitit 2020, kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë dhe për mënyrën e formimit të një qeverie të re pa zgjedhje të reja parlamentare krijoi një debat të madh ndërkombëtar mbi kufijtë e ndërhyrjes së gjykatës në politikë. Shumë juristë ndërkombëtarë e cilësuan atë moment si një nga shembujt më të fortë të gjyqësorëzimit të politikës në një republikë parlamentare.
Kjo nuk do të thotë se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të ketë rol të fortë. Përkundrazi, kontrolli kushtetues është një nga mekanizmat kryesorë të demokracisë moderne. Por problemi lind kur ky kontroll fillon të ndikojë drejtpërdrejt në konfigurimin politik të institucioneve të zgjedhura nga populli. Në një republikë parlamentare klasike, Gjykata Kushtetuese duhet të jetë arbitër i Kushtetutës – jo arkitekt i pushtetit politik.
Një problem i ngjashëm lidhet edhe me rolin e presidentit. Në Kushtetutën e Kosovës, presidenti është konceptuar si figurë kryesisht ceremoniale dhe si garant i funksionimit të institucioneve. Kompetencat e tij janë të kufizuara dhe nuk përfshijnë ndërhyrje të drejtpërdrejta në rivalitetet politike parlamentare. Megjithatë, në disa raste, presidenti është shndërruar në faktor aktiv në krizën politike, sidomos përmes përdorimit të kompetencave procedurale që lidhen me shpërndarjen e Kuvendit ose me interpretimin e mandateve qeverisëse. Kjo krijon një tension të vazhdueshëm në sistemin kushtetues: një institucion që buron nga Kuvendi fillon të ndikojë në mënyrë vendimtare mbi vetë ekzistencën e Kuvendit.
Në teori kushtetuese, kjo është një situatë paradoksale. Sepse në një republikë parlamentare, burimi i legjitimitetit demokratik është parlamenti. Institucionet e tjera – presidenti, qeveria dhe madje edhe gjykatat kushtetuese – janë në një kuptim institucional derivat i këtij legjitimiteti. Kur ky raport përmbyset, sistemi kushtetues fillon të lëkundet.
Mësimi i demokracive parlamentare
Historia e demokracive parlamentare tregon se stabiliteti institucional nuk varet vetëm nga teksti i Kushtetutës, por edhe nga kultura politike dhe nga respektimi i kufijve institucionalë. Në Gjermani, Itali apo Austri, gjykatat kushtetuese janë institucione jashtëzakonisht të fuqishme, por ato janë shumë të kujdesshme për të mos u shndërruar në aktorë të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik. Po ashtu, presidentët në këto sisteme rrallë ndërhyjnë në proceset politike përtej rolit të tyre ceremonial dhe stabilizues.
Kosova, si një republikë e re parlamentare, ende është në procesin e ndërtimit të këtij ekuilibri institucional. Dhe pikërisht për këtë arsye çdo krizë kushtetuese ka pasoja shumë më të thella sesa në demokracitë e konsoliduara.
Në fund, debati nuk është vetëm për një episod politik apo për një interpretim të caktuar kushtetues. Debati është për natyrën e vetë sistemit politik të Kosovës: A është Kosova një republikë parlamentare ku Kuvendi mbetet burimi kryesor i legjitimitetit demokratik?
Apo po shndërrohet gradualisht në një sistem ku interpretimet gjyqësore dhe kalkulimet procedurale fillojnë të dominojnë mbi vullnetin politik të përfaqësuesve të zgjedhur? Kjo është një pyetje që nuk i takon vetëm juristëve apo politikanëve. Është një pyetje që i takon vetë demokracisë kosovare.

Kanga e Gruas Shqiptare – 8 Marsi

0
_____
Kanga e Gruas Shqiptare – 8 Marsi
_____
N’kët ditë marsi kur pranvera zgjohet,
kur fusha me lule e qielli me dritë mbulohet,
ngrihet nji kangë prej zemrës së motit
kanga e nanës, bekimi i Zotit.
*
Se grue shqiptare nuk asht veç emën,
asht nji flamur që s’e përkul kurrë zemrën
asht lis i moçëm mbi shkamb të thepisun,
që mban mbi vete historinë e stolisun.
*
Kur vjen furtuna e kohët errësohen,
e netët e randa mbi shpirtin rëndojnë,
ti prapë si dritë mbi pragun e shpisë
mbjell shpresë t’re n’zemër t’fmisë.
*
Ti je nana që djepin e tund,
që me kangë e me lutje jetën e shkund
që fjalën e butë si bekim e fal,
e me dorë të dlirë plagët i ndal.
*
Ti je motra që zemrën e ndez,
që n’kohë të vështira trimninë e sjell;
si yll mbi natë që rrugën na tregon,
kur shpresa n’errësinë e motit humbon.
*
Ti je gruaja që jetën e mban,
që me mund e me djersë botën e lan
si pranverë që çel mbi çdo tokë,
mbjell dashni n’çdo zemër si lule në shokë.
*
Prandaj sot, o nanë e o grue fisnike,
bota për ty ndez dritë madhështore
se pa ty toka do t’ishte shkretí,
e jeta veç hije pa dritë e pa shpi.
*
E n’kët 8 Mars që pranvera këndon,
zemra shqiptare me nder të bekon
rrofsh përherë si diell mbi këtë dhe,
o nanë e o grue – bekim për atdhe!
___
08.03.2007

Politika është mandat dhe jo vend për ata që nuk kanë bërë kurrë asgjë jashtë saj

0

Prof. Dr. Sabri Tahiri

Në shoqëritë demokratike politika konsiderohet një formë e lartë e shërbimit publik. Ajo kërkon përgjegjësi, integritet dhe përvojë profesionale, sepse vendimet politike ndikojnë drejtpërdrejt në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të një vendi.

Megjithatë, përvoja e më shumë se dy dekadave në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare në përgjithësi ka zbuluar një fenomen problematik: hyrjen në politikë të individëve që nuk kanë pasur më parë një profesion të qëndrueshëm dhe që nuk kanë ndërtuar një karrierë reale jashtë saj.

Ky fenomen krijon një deformim të natyrës së politikës. Kur politika bëhet profesioni i parë dhe i vetëm i një individi, rreziku është që pushteti të mos shihet si përgjegjësi ndaj qytetarëve, por si burim ekzistence dhe përfitimi personal. Në këtë mënyrë politika humb karakterin e saj të shërbimit publik dhe shndërrohet në një mekanizëm të mbijetesës ekonomike për individë të caktuar.

Praktika politike në Kosovë ka ofruar shembuj të shumtë të këtij realiteti. Individë që nuk kanë ndërtuar një identitet profesional jashtë politikës, sapo arrijnë një post publik – qoftë si deputet, ministër apo funksionar tjetër – priren ta shohin atë si një mundësi që duhet ruajtur me çdo kusht. Pagat e larta, privilegjet institucionale dhe mundësitë për ndikim e përfitime anësore krijojnë një motivim të fortë për të qëndruar sa më gjatë pranë pushtetit. Si pasojë, krijohet një kulturë politike ku rotacioni demokratik zëvendësohet nga qarkullimi i të njëjtëve individë në poste të ndryshme.

Edhe kur humbasin një funksion, ata përpiqen të kalojnë në një tjetër, duke lëvizur brenda strukturave të pushtetit dhe duke mbetur gjithmonë pranë burimeve shtetërore. Në thelb, një post politik duhet të kuptohet si mandat i përkohshëm shërbimi ndaj shtetit. Ai që zgjidhet deputet ose merr një detyrë të rëndësishme shtetërore duhet ta shohë atë si një përgjegjësi të kufizuar në kohë.

Gjatë mandatit ai duhet t’i lërë anash interesat dhe obligimet e tjera dhe të përkushtohet plotësisht për të bërë më të mirën për vendin dhe për qytetarët. Pas përfundimit të mandatit është normale dhe e shëndetshme që individi t’i kthehet profesionit të vet, jetës familjare dhe veprimtarisë së tij në shoqëri. Vetëm nëse ai të ketë treguar rezultate të jashtëzakonshme dhe qytetarët e vlerësojnë punën e tij, mund të vazhdojë edhe për një mandat tjetër.

Të mbetesh përherë në politikë nuk është domosdoshmërisht shërbim ndaj shtetit. Politika është një fushë që të konsumon dhe, me kalimin e kohës, shumë politikanë humbasin energjinë, vizionin dhe aftësinë për të qenë të dobishëm për shoqërinë. Vetëm në raste të rralla ndodh që individë me aftësi të jashtëzakonshme udhëheqëse të mbeten produktivë për periudha të gjata në jetën politike.

Pasojat e një politike të dominuar nga njerëz pa përvojë të thellë profesionale janë të dukshme. Vendimmarrja shpesh bëhet sipërfaqësore dhe e orientuar nga interesat afatshkurtra.

Politikat publike nuk ndërtohen mbi ekspertizë dhe vizion afatgjatë, por mbi kalkulime të ngushta politike dhe interesa personale. Kjo gjendje ka kontribuar edhe në një fenomen tjetër shqetësues: largimin e të rinjve dhe profesionistëve nga vendi. Kur ekspertët dhe njerëzit e arsimuar nuk shohin mundësi reale për të kontribuar në zhvillimin e vendit të tyre, ata zgjedhin të kërkojnë mundësi jashtë tij.

Në këtë mënyrë shoqëria humb potencialin e saj më të rëndësishëm zhvillimor – kapitalin njerëzor. Megjithatë, përgjegjësia për këtë situatë nuk qëndron vetëm te politikanët.

Në një sistem demokratik qytetarët janë ata që përcaktojnë përbërjen e klasës politike përmes votës së tyre.

Për këtë arsye, vetëdija qytetare dhe kërkesa për standarde më të larta për përfaqësuesit politikë janë elemente thelbësore për përmirësimin e jetës politike. Politika duhet të jetë vazhdim i një karriere të ndershme dhe të dobishme për shoqërinë, jo zëvendësim i mungesës së saj.

Vetëm atëherë ajo mund të rikthejë funksionin e saj të vërtetë: drejtimin e përgjegjshëm të shtetit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Gjilan, 9. Mars 2026