Drizan Shala, ekspert i sigurisë, Prishtinë




Ali Sh. Mehmeti, 8 mars 2026
Që nga themelimi i saj në vitin 2005, Lëvizja Vetëvendosje është përballur vazhdimisht me kundërshti të forta fizike, politike, institucionale, me burgosje dhe me procese gjyqësore. Nga ardhja në pushtet në vitin 2020 u deshtë të përballet edhe me pandeminë vdekjeprurëse të shkaktuar nga virusi covid-19, me krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, me sfida të sigurisë dhe kriminalitetit në veri të Kosovës, me tentimin e shkëputjes së një pjese të territorit pas sulmit në Banjskë në vitin 2023 nga forcat serbe dhe me sulmin terrorist mbi ujësjellësin Ibër-Lepenc në vitin 2024. Mos të flasim për përballje të përhershme me opozitën, kritikat e së cilës bazoheshin në shpifje, propagandë, gënjeshtra, gjysmë të vërteta dhe në 12 muaj të fundit edhe me bllokadë totale të funksionimit të shtetit. Përballja me Serbinë ishte dhe do mbetet e përhershme.
Për sulmin enigmatik me minahedhës dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në vitin 2016, u akuzuan 6 anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestuan dhe u zhvillua procesi hetimor për veprën penale “terrorizëm”, pas të cilit në shkallën e parë 4 të akuzuar u dënuan me 21 vjet burg, por në Gjykatën e Apelit që të gjithë u shpallën të pafajshëm dhe u liruan. Në ndërkohë njëri nga të arrestuarit, Astrit Dehari, humbi jetën në burgun e Prizrenit në rrethana të paqarta, sipas Institutit të forenzikës në Llozanë, kurse nga organet vendore u shpall si vetëvrasje. I gjithë procesi ishte tentim që LVV të nxirret jashtë ligjit, shpallet organizatë terroriste dhe ndalohet veprimtaria e Lëvizjes.
Një tjetër episod ishte tentim atentati ndaj Azem Vllasit në muajin mars të vitit 2017 nga Murat Jashari, një i sëmurë mendor me një dosje të trash mjekësore në Zvicër. Murat Jashari u arrestua, pas tij edhe shumë të tjerë, mes tyre edhe prof.dr. Sadri Ramabaja. U akuzuan për përkatësi në organizatë terroriste “Syri i Popullit”, por gjykata konstatoi se ekzistonte një grup që quhej “Syri i Popullit”, por nuk u vërtetua se ishte një organizatë terroriste. 7 prej të burgosurve u dënuan me 31 vjet burg. Prof. Ramabaja në shkallën e parë u dënua me 5 vjet burg, por Appeli lëndën e ktheu në rigjykim ku ndodhet edhe sot, kurse prof. Ramabaja nga atëherë në liri, por pa vendim përfundimtar.
Fakti interesant është se në këtë gjykim sikur dëshmitarë u paraqiten edhe Hashim Thaqi dhe Kadri Veseli, në atë kohë, i pari Kryetar i Kosovës, kurse i dyti Kryetar i PDK-së dhe ish Kryetar i Kuvendit. Gjatë dëshmisë në gjykatë Thaqi deklaroi se:
“Pas organizatës “Syri i Popullit” qëndronin Albin Kurti dhe Glauk Konjufca”, kurse Veseli tha “Grupi “Syri i Popullit” ishte “krahu i armatosur i Vetëvendosjes”!
Kjo deklaratë u bë në seancë gjyqësore, u raportua gjerësisht në media, por rrallë kush e besoi. Prokuroria nuk e provoi asnjë lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ky ishte edhe një tentim që LVV të nxirret jashtë ligjit, shpallet organizatë terroriste dhe ndalohet veprimtaria e saj.
Qeveria e parë e udhëhequr nga Albin Kurti u rrëzua më 25 mars 2020 në mes të pandemisë, përmes një mocioni mosbesimi në Kuvendin e Kosovës. Mocioni u iniciua nga partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, vetëm rreth 50 ditë pas formimit të qeverisë. Mocioni u votua me 82 vota pro. Një nga shkaktarët e menjëhershëm ishte shkarkimi nga Kurti i ministrit të Brendshëm Agim Veliu. LDK e konsideroi shkarkimin vendim të njëanshëm dhe shkelje të marrëveshjes së koalicionit.
Kurti e shkarkoi atë sepse Veliu kishte mbështetur publikisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë covid-19, një kërkesë e iniciuar nga Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi. Qëllimi i fshehtë i kësaj kërkese ishte, jo se do përmirësohet gjendja shëndetësore e popullatës gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, por fakti se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme shumë nga autorizimet e Qeverisë i kalojnë Presidentit.
Të gjitha këto rrisnin mllefin ndaj partive të vjetra dhe rrisnin simpatinë për Lëvizjen Vetëvendosje. Si rezultat, në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosje arriti një fitore historike me mbi 50 për qind të votave, në koalicion me listën “Guxo” dhe Alternativën. Për herë të parë një qeveri përmbushi mandatin e plotë 4 vjeçar, edhe pse të kontestuar nga opozita dhe të përcjell me shpifje, propagandë, gënjeshtra, deri të sharjet më banale nga “akademikët” dhe “jo-akademikët” brenda sallës së Kuvendit. Madje, edhe me kundërshtime për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës!
Gjatë qëndrimit në opozitë, partitë opozitare nuk gjetën asnjë kauzë me të cilën do i bënin konkurrencë pushtetit. Dy gjera i mësuan dhe me to u pajtuan, se nuk mund ta mundnin LVV-në me zgjedhje dhe se nuk e vlen më të tentojnë ta shpallin për organizatë terroriste. Në zgjedhjet e shkurtit 2025 të vetmin objektiv e kishin si të parandalojnë LVV të fiton mbi 50% të votave, kurse ordinancën për “ilaç” kundër Albinit ia kishte bërë gati ndonjë “doktor”. Pasi LVV nuk fitoi 50%, por vetëm 43%, ata refuzuan të bëjnë koalicion me partinë fituese, kurse bllokuan themelimin e organeve të Kuvendit dhe Qeverisë gjatë gjithë vitit 2025. Me fjalë tjera “ilaçi” i zbuluar kundër Albinit, respektivisht kundër shtetit të Kosovës, ishte paralizimi i shtetit – bllokada. Kjo bllokadë shkaktoi edhe një palë zgjedhje parlamentare.
Me 28 dhjetor 2025, LVV me partnerë prapë fituan 51,1% dhe formuan Kuvendin dhe Qeverinë. 25 ditë më vonë u deshtë të zgjidhet edhe Presidenti ose Presidentja për çka nevojiten 2/3 e deputetëve, respektivisht 80 deputetë nga 120, kurse LVV i ka vetëm 66. Aktualisht, asnjë parti nuk do me i dhanë edhe 14 deputetë, nuk duan të propozojnë kandidatin e tyre as nuk po duan të sigurojnë kuorumin prej 80 deputetëve të pranishëm në sallë, sepse në gjiron e tretë mjaftojnë 61 vota “për” por në sallë duhet të janë të pranishëm 80 deputetë. Ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët të janë të pranishëm në sallë, por ata nuk e respektojnë. Kështu prapë u paralizua shteti dhe është e qartë se partitë opozitare bashkë me partinë serbe nuk po duan të lejojnë që vullneti i popullit të zbatohet nëpërmjet qeverisë që ata e duan. Kësaj radhe, befasia është se kësaj “kërkese” i është bashkëngjitur edhe Presidentja e gjertanishme, sepse me dekret shpërndau Kuvendin, duke imponuar kështu vullnetin e saj mbi vullnetin e 51,1% të votuesve, sipas të gjithë ekspertëve, në kundërshtim me Kushtetutën.
Pavarësisht përplasjeve, krizave të brendshme dhe bllokadave institucionale, Vetëvendosje ka arritur gradualisht të rritë mbështetjen elektorale dhe të shndërrohet në forcën më të madhe politike në Kosovë. Pas çdo goditje që po i bëhet, ajo po rritet. Nuk e di çka pret opozita edhe pas kësaj goditjeje?!

Nga: Frank Shkreli
Deshta të them “Elita Politike Shqiptare”, por jo, se lexuesit e nderuar që kanë ndjekur shkrimet e mia modeste gjatë viteve e dinë se unë nuk kam menduar as besuar ndonjëherë, gjatë këtyre dekadave të fundit, por as pothuaj në gjysëm shekull komunizëm sllavo-aziatik — që bota shqiptare të ketë pasur një “elitë politike të mirëfilltë”. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, (2005) në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtare Shqiptaro-Amerikanë, (NAAC) në Washington — Pavarësia, zgjidhja e vetme për çështjen e Kosovës — jam shprehur se shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë qënë kurrë më të lirë se në fillim të këtij shekulli. Kam shprehur gjithashtu shpresën dhe dëshirën time, atëherë, se kishte ardhur koha për shqipot tona ta shfrytëzonin këtë moment historik, ashtuqë shqiptarët të bëhen sa më shpejt pjesë e Evropës demokratike dhe si dy shtete shqiptare, anëtarë të organizmave evro-atlantike. Që Shqipëria të bëhej sa më parë anëtare e NATO-s, që Kosova të bëhej sa më shpejt shtet i pavarur, fillimisht, dhe më pas anëtare e NATO-s dhe, më në fund, dy shtetet shqiptare të bëheshin anëtare të Bashkimit Evropian. Një pjesë e madhe e realizimit të këtyre mundësive historike për kombin është në dorën e shqiptarëve për t’u arritur, jam shprehur me atë rast. “Unë besoj se shqiptarët e Ballkanit i pret një e ardhme shumë e ndritur”, ishte bindja dhe shpresa ime atëherë. “Kurrë më parë, Kombi shqiptar nuk ka patur më shumë liri, më shumë demokraci dhe e ardhmja e tij është shumë shpresë-dhënëse”. Unë nuk isha i vetmi që mendoja kështu në fillim të çerekut të parë të shekullit XXI. Besimi dhe shpresat, në shumë qarqe kombëtare dhe ndërkombëtare, ishin në atë kohë, se shekulli XXI do të jetë, “Shekulli i Shqiptarëve”. Sot, një deklaratë e tillë do të dukej si një tallje. Natyrisht, se edhe pikëpamjet e mia kanë ndryshuar gjatë 15-20-viteve të kaluara, në mënyrë drastike, dhe për më keq, në lidhje me tranzicionin e grabitur dhe për rolin e klasës politike në Shqipëri dhe Kosovë, që po dëbon shqiptarët nga trojet shqiptare. Por, qe ku jemi sot!
![]()
Ja një përmbledhje të disa mendimeve të mia (me ndihmën e ai) të shprehura në shkrimet e shumta gjatë viteve si — dhe në disa nga intervistat– Frank Shkreli: Politika në Shqipëri dhe sfidat e shumta me të cilat ajo përballet | Gazeta Telegraf — gjatë viteve mbi këtë subjekt, si një thirrje e kotë që binte në veshë të shurdhër – se nëqoftse vazhdohet kështu klasa politike shqiptare, në të dy anët e kufirit, në vend që t’i mbronte, po tradhton shpresën dhe besimin e një populli për një të ardhme më të mirë. Por, fatkeqsisht, qe ku jemi sot!
Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri d he pothuaj dy dekada nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Dy momente historike që duhej të shënonin lindjen e një epoke të re për Kombin shqiptar: me demokraci të vërtetë, institucione të forta, liri e drejtësi dhe shtete të ssë drejtës që i shërbejnë qytetarve shqiptarë dhe jo klasës politike në pushtet dhe interesave të tyre personale e partiake. Andaj një pyetje e rëndë vazhdon të rëndojë mbi ndërgjegjen kombëtare shqiptare: si është e mundur që shpresa e një populli për demokraci, liri, drejtësi dhe mirëqenie të përfundojë në një krizë kaq të thellë besimi ndaj klasës politike shqiptare si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë?

Sot, përballë realitetit të mjerueshëm politik në Shqipëri dhe në Kosovë, është e vështirë të mos pranohet një e vërtetë e hidhur se shpresa e madhe e shumicës së shqiptarëve dhe miqve të tyre ndërkombëtarë, në fillim të këtij në Ko, është tradhtuar nga kjo klasë politike e recikluar që sot shihet qartë se ka dështuar në misionin e saj historik. Në vend që të ndërtonte shtetin, një pjesë e madhe e kësaj klase politike ndërtoi rrjete pushteti. Në vend që të forconte institucionet e shtetit, politika shqiptare e këtyre dekadave, ajo i nënshtronte ato. Dhe në vend që të udhëhiqte shoqërinë drejt zhvillimit dhe dinjitetit kombëtar, e përdori shtetin si instrument për karrierë, klientelizëm, pasurim të vetin, dhe poste për familjarët dhe miqët e tyre.
Në Shqipëri, tranzicioni u kthye në një histori të pafund krizash politike, polarizimi ekstrem dhe korrupsioni sistemik, pasojë e regjimit diktatorial gjysëm shekullor, sllavo-komunist, gjurmët e të cilit shihen ende sot kudo me një prani në nivelet më të larta politike dhe administrative të shtetit shqiptar. Politikanët e ricikluar, që në fushata zgjedhjesh, të blear e të shitura, premtojnë liri, demokraci dhe drejtësi, kanë prodhuar sistemin politik aktual, ku pushteti qarkullon brenda të njëjtave rrethe politike dhe ekonomike. Emrat mund të ndryshojnë nga koha në kohë, partitë mund të ndërrojnë vendet në pushtet, por modeli korruptiv dhe autoritar mbetet pothuajse i njëjtë, për faqe të zezë të Shqipërisë dhe të Kombit – një model i cili po përfundon me zbrasjen serioze të trojeve shqiptare, një fenomen, që nga përmasat, është i paparë në historinë e shqiptarëve.
Ndërkohë, në Kosovë shteti që lindi nga një sakrificë historike dhe me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë kishte një mundësi të rrallë që të ndërtonte institucione të reja, të lira e demokratike, të pastra nga trashëgimia e korrupsionit dhe autoritarizmit të diktaturës sllavo-komuniste. Por, mjerisht edhe aty, shumë shpejt, politika u përfshi nga sëmundjet e njohura të rajonit: nepotizëm, luftë për pushtet, kapje të institucioneve dhe korrrupcion. Në Kosovë, megjithëse dihet se realiteti politik është deri diku ndryshe nga ai Shqipërisë dhe sfidat shtetformuese janë ende të pranishme, kriza e besimit ndaj elitës politike mbetet po aq e dukshme, sin ë shtetin amë. Përplasjet e brendshme politike, zgjedhjet e shpeshta, ndonëse të lira, nuk përfundojnë në qeveri të forta, ndërkohë që tensionet institucionale — si ato të ditëve të fundit — dhe akuzat për korrupsion po dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucionet që duhej të simbolizonin sakrificën dhe idealin e lirisë për një komb që ka vuajtur aq shumë e gjatë nën thundrën terroriste serbe.
Por klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë duhet të kuptojë se legjitimiteti nuk fitohet vetëm në zgjedhje, qofshin ato edhe të lira, por ai duhet të ruhet dhe të kultivohet përmes integritetit moral e kombëtar, transparencës dhe përgjegjësisë së politikës ndaj qytetarëve. Shpresohej se një brez tjetër politikanësh do bënte më mirë se i pari. Ironia më e madhe është se edhe ata pak politikanë të brezit të rinj politikë, të cilët premtuan dhe duhej të përfaqësonin një ndryshim moral, politik dhe kulturor, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, shpesh përfunduan duke kopjuar të njëjtin model të para-ardhësve të tyre, megjithse pretendonin se do ta rrëzonin atë model sistemi qeverisës, por më kot. Pasojat e këtij dështimi në vazhdimëse, janë të rënda dhe të dukshme sot në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Siç thashë më lartë, një ndër këto pasoja serioze, qindra mijëra shqiptarë kanë zgjedhur emigrimin si votën më të qartë të mosbesimit dhe humbjes së shpresës së tyre ndaj politikës aktuale të dështuar në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Të rinjtë, që duhej të ishin energjia e zhvllimit, dhe intelektualët ndër më të mirët e Kombit, po largohen në masë nga Shqipëria dhe Kosova, njëkohësisht. Ndërkohë që institucionet qeveritare e shtetërore, perceptohen, me të drejtë, nga qytetarët, jo si garanci drejtësie, por si instrumente të interesave të politikës së ditës. Me këto fjalë, unë nuk po them asgjë të re, sepse, modestsisht, i kam thënë shpesh në të kaluarën, as nuk janë të reja për shqiptarët në Shqipëri e Kosovë, pasi janë ata që i vuajnë këto të vërteta të hidhura, nga dita në ditë, pa asnjë shpresë përmirësimi. Por, fatkqesisht, duhet të kujtojmë me dhimbje në zemër, se duke qenë dëshmitarë i zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri dhe në Kosovë, konstatojmë edhe sot, ashtu si 15-20 vjet më parë, se kjo ishte dhe mbetet tragjedia e tranzicionit shqiptar. Brezi aktual politik “post-komunist” ndër shqiptarët, që duhej të ndërtonte shtetin, të vendoste lirinë, drejtësinë dhe demokracinë e mohuar shqiptarëve për një kohë shumë të gjatë, po e përjetëson atë sistem politik të korruptuar e autoritar, ndërkohë që shpesh është kthyer në pengesën kryesore për themelimin e një shtetit modern demokratik, me një sistem politik të lirë, të drejtë e demokratik, për të mirën e të gjithë shqiptarëve, pa dallim.
Natyrisht se përgjegjësia për këtë gjëndje të krijuar, nuk është vetëm politike individuale por ajo përfshin pothuaj të gjitha veprimtaritë e jetës shoqërore, mbarë shoqërinë, pra. Problemi është bërë, tanimë, strukturor që prek pothuaj të gjitha nivelet e jetës së shqiptarëve. Është krijuar një sistem i ndërtuar mbi klientelizmin politik i cili me kontrollin partiak të institucioneve prodhon vazhdimisht të njëjtin rezultat: një elitë politike që manipulon dhe i mbijeton sistemit, ndërsa shoqëria mbetet në krizë të vazhdueshme besimi, përball emigrimit, largimit masiv nga trojet stërgjyshore – si alternativë e vetme e njerëve, ndonëse kundër vullnetit personal, familjar e kombëtar, jo e dëshiruar prej shumëve.
Megjithatë historia na mëson një gjë: asnjë sistem i padrejtë nuk është i përjetshëm. Por, ndryshimi nuk do të vijë vetëm nga rotacioni i pushtetit, sepse tranzicioni shqiptar ka treguar se ndërrimi i partive shpesh nuk ndryshon pothuaj asgjë e sidomos jo kulturën e pushtetit. Pas 35-vjet, “post-komunizëm” në Shqipëri dhe pothuaj dy dekada pavarësi të Kosovës, ndryshimi i vërtetë dhe urgjent kërkon gjithashtu një transformim më të thellë. Kërkon institucione të pavarura, drejtësi që nuk i shërben politikës dhe një elitë të re që e sheh politikën si shërbim publik dhe jo si pronë personale.

Paradoksi është jo vetëm i dhimbshëm, por edhe pabesueshëm: dy shtete shqiptare që kanë kaluar përmes historive dramatike të vuajtjeve e të sakrificës kombëtare, sot përballen me një zhgënjim të thellë qytetar ndaj politikës. Në vend që të ndërtonin një kulturë të re politike, shumë aktorë të tranzicionit kanë riprodhuar modele të vjetra të pushtetit – centralizim të vendimmarrjes, klientelizëm dhe politizim të institucioneve dhe shkelje të lirive bazë të njeriut, siç është liria e shtypit. Demokracia nuk mund të mbijetojë vetëm me retorikë patriotike apo me fjalime elektorale. Ajo kërkon institucione të forta, drejtësi të pavarur dhe një elitë politike që e kupton se pushteti është përgjegjësi, jo privilegj.
Sepse në fund të fundit, pyetja nuk është vetëm kush qeveris sot. Pyetja është shumë më e rëndë: a do të vazhdojë Kombi shqiptar të mbetet peng i një klase politike që, sot për sot, ka humbur besimin e qytetarëve të vet? Patjetër që historia do të japë përgjigjen në kohën e duhur. Por një gjë është e sigurt. Një shoqëri që humb besimin te politika – për mirë ose për keq, heret ose vonë — kërkon ta rindërtojë atë nga e para, por me pasoja të pa-parashikueshme për Kombin, sidomos në një botë të pasigurt, si kjo bota në të cilën jetpojmë sot.
Në foto: Linda Rexhaj Maliqi

Nga: Nexhmije Mehmetaj
Në prag të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Gjenevë u prezantua nisma “Zëri i Gruas LIRA”, një platformë që synon të fuqizojë zërin dhe rolin e grave shqiptare në diasporë. Veprimtaria mblodhi profesioniste, studente dhe aktiviste të komunitetit shqiptar, të cilat ndanë përvoja dhe reflektime mbi integrimin, sfidat dhe kontributin e gruas shqiptare në shoqërinë zvicerane.
Nisma u prezantua nga juristja Linda Rexhaj Maliqi, me origjinë nga Istogu dhe këshilltare juridike në sindikatën zvicerane Unia. Ajo theksoi se iniciativa “Zëri i Gruas LIRA”, pjesë e platformës e-drejtajote.ch, synon të krijojë hapësira dialogu dhe ndërgjegjësimi për çështjet që lidhen me të drejtat e grave, barazinë gjinore dhe integrimin në shoqërinë zvicerane.
Sipas saj, emri LIRA përfaqëson një ide të dyfishtë: lirinë për të shprehur dhe afirmuar zërin e gruas, por edhe vlerën që gruaja shqiptare përfaqëson në familje, komunitet dhe shoqëri. Duke folur për procesin e integrimit, ajo theksoi se rrugëtimi i grave shqiptare në Zvicër ka qenë i gjatë dhe shpesh i vështirë, por sot ato janë të suksesshme dhe të pranishme në shumë fusha të jetës profesionale dhe shoqërore.

Të pranishmit i përshëndeti edhe udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi Ademaj, e cila vlerësoi kontributin e grave shqiptare në jetën publike dhe profesionale të diasporës. Ajo theksoi se sot gratë shqiptare janë të pranishme në shumë profesione, si mjeke, juriste, mësimdhënëse, inxhiniere dhe sipërmarrëse.
Në këtë veprimtari përshëndeti edhe kryetari i shoqatës Komuniteti Shqiptar në Gjenevë, Nasuf Nuhiu, i cili shprehu mbështetjen për këtë iniciativë dhe vlerësoi rolin e grave shqiptare në jetën e komunitetit. Ai theksoi se në shumë veprimtari kulturore, humanitare dhe shoqërore të organizuara nga komuniteti shqiptar në Gjenevë, gratë kanë qenë gjithmonë në ballë të organizimit dhe mobilizimit, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe traditave shqiptare në mërgatë.
Një nga momentet qendrore të mbrëmjes ishte paneli i diskutimit, ku morën pjesë Luljete Hoxha Sylejmani, Rrezarta Sejdiu Shatri, Dr. Fortesa Mehmeti dhe Elda Gashi. Ato ndanë përvojat e tyre mbi integrimin, ndërtimin e karrierës profesionale, ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor, si dhe sfidat e balancimit mes jetës familjare dhe asaj profesionale.

Programi u pasurua edhe me një pjesë artistike-kulturore, ku interpretuan Laura Goga, Fatime Kallimashi dhe Vesa Ilazi.
Në fund, kjo veprimtari dëshmoi se rrugëtimi i gruas shqiptare në diasporë nuk është vetëm histori përpjekjesh individuale, por një proces i përbashkët që ndërtohet mbi solidaritetin, bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke. Nisma “Zëri i Gruas LIRA” synon pikërisht të krijojë një hapësirë ku përvojat, sfidat dhe sukseset e grave shqiptare të ndahen dhe të shndërrohen në një forcë që fuqizon komunitetin dhe forcon identitetin shqiptar në diasporë.
Gjenevë, 08. 03. 2026




Dijana Toska është ikona e gazetarisë shqiptare dhe e viteve kur kur konflikti në Kosovë të mbante sytë mbërthyer nga mediat. Ajo ushtroi rolin e gazetares me një profesionalizëm të rrallë. Në pamje e kuruar, ndryshe në aparencë dhe në mendime. Veçantitë e saj janë të shumta, por ne po sjellim disa nga segmentet që përbëjnë jetën e saj për lexuesit e Portalb.mk.
Dijana Toska lindi në Shkup më 1961. Shkollën fillore e të mesme i kreu në Shkup, ndërsa Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Është dhe avokate. Në karrierën e saj 35-vjeçare ka punuar gazetare, korrespodente, drejtore, producente e programeve politike dhe bashkëpunëtore e agjencive të ndryshme të lajmeve vendase e ndërkombëtare, në Televizionin e Prishtinës dhe Radio Televizionin e Kosovës, në VOA, Rilindje, Lajm, ligjëruese në Akademinë Policore në Vushtrri.
Është autore dhe producente e debateve të shumta televizive, e emisioneve dokumentare edhe e filmit të parë dokumentar në Kosovën e pasluftës “Lugina e dhembjes dhe e shpresës – Bllaca”. Pastaj, ishte përfaqësuese rajonale e International Center for Promotion Enterprises me seli në Lubjanë. Është përfaqësuese rajonale e Knowledge Economy Network me seli në Bruksel si dhe drejtore ekzekutive e OJQ-së Litlle People of Kosova, e cila në vitin 2013 fitoi Çmimin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Në opinionin e gjerë njihet si veprimtare dhe lobiste e të drejtave të njeriut, për çka dhe ka fituar mirënjohje të ndryshme. Mirënjohje ka dhe nga VOA për kontributin e vazhdueshëm e të jashtëzakonshëm të transmetimeve të VOA në gjuhën shqipe dhe shumë vite të shquara të shërbimit ndaj çështjes së mediave të lira dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkan.

U dekorua dhe me Çmimin, ”Mbretëresha Teuta”, për kontribut në avancimin e pozitës së femrës shqiptare në botë për vitin 2015 nga Klubi i femrave shqiptare të Kroacisë.
Ka botuar librin – “Maqedonia në gazetarinë time”, në vitin 2014.
Në vitin 2015 realizoi si autore dhe ideatore projektin “Himni i Nënë Terezës” në Prishtinë.
Në vitin 2016,si autore përuroi pullën postare dedikuar Shenjtërimit të Nënës Terezë, ndërsa në vitin 2017 në Itali, kjo pullë fitoi çmimin e parë në botë, për nga përmbajtja.

Është producentja e parë shqiptare që ideoi dhe organizoi koncertin me yjet e njohura shqiptare në botë në vigjilje të Shenjtërimit të Nënës Tereze në Vatikan, për çka u dekorua me pesë mirënjohje : Albanian Exellence Histori Suksesi 2016, Diplomatic Mission Peace and Prosperity Headquarters Albania 2016, u shpall Anëtare Nderi e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze për 2016. Në vitin 2018 i u dha Titulli Ambasadore për Paqe nga Federata Universale e Paqes së UN. Mirënjohje për mbrojtjen dhe avancimin e vlerave universale si dhe kontributin e dhënë në ndërtimin e një bote më humane ku paqa, toleranca e dashuria ndaj njeriut të jenë vlera të shenjta për njerëzimin.

Me emrin e Dijana Toskës lidhen një mori ngjarjesh e suksesesh. Në opinion mbahet mend si gazetare me standarde të larta profesionale që u dëshmuan gjatë punës disavjeçare në televizionin e Prishtinës dhe më pas të Kosovës, pastaj, si korrespodente e “Zërit të Amerikës”, duke vendosur kritere ndërkombëtare të raportimit.
Nga viti 2000, përveç punëve profesionale, Dijana filloi të punojë vullnetarisht si lobiste e të drejtave të njeriut me personat me aftësi të kufizuara, aktivitet ky që rezultoi me marrjen e përgjegjësive në funksionin e Drejtores ekzekutive në organizatën “Little People of Kosova”. Solidariteti e humaniteti për këto 18 vite në shërbim të njerëzve me nevoja të kufizuara, ishte misioni i saj jetësor.
E edukuar në frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit ndër njerëzor, me punën dhe formimin e saj, Dijana Toska ka sjellë në shoqëri edhe modelen e veprimtares që prodhon ide dhe i bën ato pronë të gjithë shoqërisë. Ky altruizëm sublim u vërejt së fundmi edhe me rastin e projektit të “Himnit të Nënës Terezë”, ide kjo që u lancua në publik nga Dijana si rrugëtregues se kah duhet të lëviz shoqëria jonë. Ky mesazh i dërguar nga ajo u pranua mjaft mirë nga publiku dhe nga segmente të ndryshme diplomatike, politike, kulturore, vendore e ndërkombëtare.

Ajo është një emër i nderuar në gjirin e kombit tonë, ka demonstruar një aktivizëm shumë inventiv në sensibilizimin ndërkombëtar të figurës së Nënë Terezës dhe me shembullin e saj personal si veprimtare dhe krijuese ka tejkaluar vetveten, duke qenë një model i avancuar i angazhimit shoqëror, në funksion të paqes dhe të mirës universale.
Himni i Nënës Terezë, si Kod Moral i Njerëzimit, i realizuar nga 200 artistë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, bazuar në poezinë “Lamtumirë” që e shkroi Gonxhe Bojaxhiu në moshën 18 vjeçare, i hapi dyert Dijanës, si autore e producente që në vigjilje të Shenjtërimit të Nënës Terezë, më 3 shtator 2016 në Basilicën Papale San Paulo Fuori Le Mura, të organizojë një koncert madhështor me yjet tona botërore, në mesin e të cilëve ishte edhe Rita Ora. Koncerti u transmetua nga Tv Vatikani dhe live e përcollën mbi 140 milion shikues nga mbarë bota. Kjo vepër jetësore e Dijana Toskës do të shënohet me shkronja të arta në historinë e njerëzimit, si sukses planetar i një bashkëkombëse të Nënës Terezë e cila arriti të sensibilizoje ndërgjegjen e njerëzve për më shumë dashuri, paqe, respekt e humanitet mes nesh.

Dijana, në vitin 2016 si autore përuroi Pullën Postare dedikuar Shenjtërimit të Nënës Terezë, ndërsa më 2017 në Itali, kjo pullë për nga përmbajtja u vlerësua me çmimin e parë në botë. Kjo pullë postare nga mediat botërore u vlerësua si vlerë artistike që promovon paqen e dashurinë.
Humaniteti, sakrifica, vepra jetësore dhe puna vullnetare ishin arsyeja që Federata Universale e Paqes e OKB, më 2018 i dha Dijana Toskës Titullin “Ambasadore Për Paqe”. Është shpallur anëtare nderi në Kanada e Rumani, është laureate e disa Çmimeve ndërkohë, që puna e saj është vlerësuar me shumë mirënjohje profesionale në Vashington, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
Dijana Toska, aktualisht po punon në skenarin për një film artistik kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë, si dhe një monografi kushtuar Himnit të Nënë Terezës.

Ajo është e bija e Ilmi Toskës. Ilmi Adem Toska, lindi më 21 maj 1927 në fshatin Provoli, komuna e Kaçanikut. Ndërroi jetë, më 14 korrik 2015 në Shkup. Ilmi Toska, pas presioneve të shumta të pushtetit të Rankoviqit u detyrua bashkë me familjen e tij të shpërngulej nga vendlindja dhe të migroj në Shkup në vitin 1956, ndërkohë që nga regjimi pati tërë jetën presione për qëndrimet e tija kombëtare, për çarësye 14 herë gjatë 30 viteve u paraburgos duke u mbajtur në izolim nga disa ditë, sa here që vinin figura të larta komuniste për vizitë në Maqedoni.
Ilmi Toska, kujtohet me respekt të madh në Komunën e Kaçanikut, si burrë i fjalës, patriot dhe humanist. Ai ishte fisnik dhe tregonte dashuri e mirëkuptim të thellë ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj të vobektëve dhe të burgosurve politik, mbahet mend si menaxher shumë i suksesshëm i cili në kohët më të vështira në firmën e tij në Shkup punësoi të përndjekurit nga Kaçaniku e Kosova.
Ky veprimtar e patriot kontribuoi shumë edhe për rindërtimin e komunës së Kaçanikut duke dhuruar materiale ndërtimore. Financoi shumë aktivitete kombëtare, kulturore, botime historike të librave, luftën e UÇK- së dhe kurrë nuk kërkoi dhe nuk mori asgjë nga Kosova, ndërroi jetë pa i treguar askujt për kontributin e tij material e shpirtëror ndaj kombit që aq shumë e deshi.

Ilmi Toska dhe familja e tij mbahen mend nga bashkëfshatarët edhe për kontributin e veçantë që dhanë në mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve, duke e ruajtur Besën e dhënë shqiptare edhe përtej vdekjes.

Don Fran Sopi, Pejë
Të dashur vëllezër e motra
E Mërkura e Përhimë shënon fillimin e Kreshmëve, që është kohë e cila zgjon ndjenja shpirtërorë te njerëzit.
Kreshmët janë porta, përmes së cilës hyjmë në një përmasë, që e bën të shndrisë gjithçka të krishterë, kthimin personal tek Zoti, bamirësinë ndaj të afërmit dhe thjeshtësinë e jetës.
Kreshmët, janë kohë e përshtatshme për shtegtimin shpirtëror drejt Atij që është burim i mëshirës. Periudha e kreshmëve prej 40 ditësh duhet të jetë një rast i volitshëm për t’u kthyer në rrugën e Zotit.
Kisha i përshkruan Kreshmët si ‘shtegtim’ në të cilin Jezusi na shoqëron përmes shkretëtirës së varfërisë sonë, duke na ndihmuar të ecim në rrugën drejt gëzimit të thellë të Pashkëve.
Koha e Kreshmëve fillon me Ritin simbolik të Mërkurës së Përhime dhe me fjalët që e shoqërojnë “Kthehuni e besojini Ungjillit“ ndjekja e rrugës së Krishtit i bën të krishterët dëshmitarë e apostuj të paqes, i ndihmon të kuptojnë më mirë se cila duhet të jetë përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen në mbar botë.
Të kemi Lumturin dhe paqen në zemrat dhe familjet tona, sigurisht se nuk është hakmarrja e cila duhen të dominon zemrat tona, nuk është urrejtja as ikja drejt një përshpirtërie të rreme.
Lumturin dhe paqen në zemrat dhe familjet tona e gjejmë duke e ndjek rrugën e Krishtit e cila është rrugën e zgjedhur nga Ai që përballë të këqijave të kohës së vet e të të gjitha kohërave zgjodhi vendosmërisht Rrugën e Kryqit duke ndjekur shtegun më të gjatë por më të frytshëm të dashurisë që duhet të kemi ne në zemrat tona.
“Dashuria e Krishtit na nxit” (2 Kor 5, 14) – thotë Shën Palit, duke na kujtuar se në Jezusin vetë Zoti na dhuroi vetveten deri në vdekje, gjë që duhet të na shtyjë të mos jetojmë më për vetveten, por për Krishtin e me Të, për të tjerët”.
Kreshmët na bëjnë thirrje për pajtim, për pendesë, për falje. Kjo është rruga e Jezusit, që na çon drejt dashurisë, drejt drejtësisë, drejt Pashkëve të ngjalljes!
Të dashur vëllezër e motra, Krishti i ngjallur ecën para nesh drejt qiellit të ri e tokës së re (cfr Ap 21, 1) ku, më në fund, do të jetojmë të gjithë, si një familje e vetme, si bij të të njëjtit Atë.
Të ecim pas Tij në këtë botë të plagosur, duke kënduar Aleluja!
Në zemrën tonë ka gëzim e dhimbje; në fytyrë, gaz e lot. Prandaj këndojmë e ecim, besnikë të impenjimit tonë në këtë botë, me sytë drejtuar kah Ati ynë Qiellor.
Më 8 mars 2026
