Kreu Blog Faqe 326

Politikanë të sëmurë nga “sindromi” i marrëzisë së madhështisë

1

Foto e marsit 1997 në Shqipëri…

Prof. Pirro Prifti, Tiranë

Nuk ka të mbaruar lufta për të zënë karrikgen e Kryeminitrit në Shqipëri, dhe emrat e përfshirë në të janë jo pak njëlloj si në mbledhjet e partive të pas `90, ku më tepër njerëz kanë podium se në salla. Deri tani lufta për atë karrike është bërë midis dy partive të mbushura me ish bashkpuntorë të sigurimit, ish spiunë të ndershëm, ish  drejtues komunistë manipulues,  që për të justifikuar pisllëqet e komunizmit na u bënë antikomunistët me të tërbuar, dhe plot me militantë e intelektualë katundarë (me mentalitet katundar- të arsimuar por të pa kulturuar),, parti të cilat me urdhër nga fqinjët  shkatërruan tre gjëra kryesore për tu bërë qejfin fqinjëve të veriut dhe të jugut:

-shkatërrimin e plotë të industrisë dhe të bujqësisë me pretekstin e `çekut të bardhë`,

-shkatërrimin e zinxhirit professional  dhe të meritokracisë, dhe marrjen në drejtim të bizneseve dhe ekonomisë nga beniaminë të ish PPSH.

-largimin e popullatës si pasojë e dy pikave të para për të treguar sesa i keq është kapitalizmi

– mbajtjen e një Shqipërie të dobët e të pastabilizuar nëprëmjet beniaminëve të tyre bashkpunotë.

Dhe ja arritën deri diku qëllimit . Shqipëria u bë han pa porta, me emigracion nga më të lartët në Europë në raport me popullsinë, dhe që drejtohej po nga këta mostra që shkaktuan trazira të papërfytyrueshme `97, `98, 2007, 2011, ku në total vdiqën më shumë se sas vrau diktatori për 45 vjet. Stabilizimi pjesërisht i sistemit ekonomik dhe social madje dhe politik erdhi pas 2013 e deri më sot ku BE dhe KE vazhdojnë të përkrahin masat ekonomiko-sociale-politike që ka marrë qeverisja e vëndit e cila është përkrahur nga popullata për rreth 4 mandate qeverisëse.

Sigurisht mbajtja për një kohë të gjatë e qeverisjes ka shkaktuar edhe probleme si në përzgjedhjen e drejtuesve, në përzgjedhjen e deputeteve , në problemet e korrupsionit, dhe të përplasjeve politike ku rolin më negativ po e mban jë drejtues i opozitës i cili ka qënë sipas fjalëve agjent i UDB, dhe çuditërisht çdo problem që ka patur Serbia apo më pak Greqia ky e ka konvertuar në prottesta të ashpra antiqeveritare në Shqipëri, duke u përpjekur të destabilizojë vëndin edhe më zbatimin e formulës së Goebels: “kur një gënjeshtër thuhet vazhdimisht dhe për një kohë të gjatë, populli fillon ta besojë atë“. Zhurmat, sharjet, grindjet brënda dhe jashtë parlamentit janë të zakonshme në Shqipëri, por më skandalozja është ndotja e Shqipërië nga ana e tyre kur bëjnë takime më përfaqësuesit e BE dhe të partive të djathta. Duke e ditur se këto i bën për të mbrojtur vehten dhe familjen e tij, non gratta mbetet i pabesueshëm kur flet për luftën kundër korrupsionit sepse duket qartë se si një `drejtues i korruptuar dhe Non gratta bën protesta antikorrupsion??? Praktikisht populli nuk e do më.

Problemi që po shkruaj qëndron në faktin se duke qënë një Opozitë e shkërmoqur pikërisht për shkak të non grattës, dhe duke mos patur qeverisja një Opozitë të fortë konstruktive (dhe jo destructive si kjo që kemi), kanë dalë zëra të tjerë për të drejtuar opozitën dhe për të fituar postet e lakmuara të Kryeministrit dhe të Presidentit pavarësisht se zgjedhjet e fundit treguan që populli që sheh e vlerëson çdo gjë duke ja besuar qeverisjen e vendit, që BE , OSBE, KE, kanë vlerësuar pozitivisht zgjedhjet e 11 majit. Lufta është çvendosur në një terren interesant që nuk përdoret nga vëndet e demokracisë perëndimore por po e përdor non Gratta për të destabilizuar vëndin apo për ta çuar në zgjedhje të reja duke përdorur SPAK -un i cili është hedhur në sulm për të arrestuar sa më shumë drejtues të maxhorncës me pretekstin e korrupsionit- gjë e cila duhet vërtetuar më fakte dhe duhet patjetër të kalojë në vendimin e gjykatës, Deri atëhere ata prezumohen si të `pafajshëm`. Këtu qëndron paradoksi dhe `qëllimi -justifikon mjetin` që përdor non grata me sahan lëpirësit e tij, që ndoshta duken se ka madje edhe tek SPAK apo dhe në gjykata. Zhurma është e madhe por populli e sheh si një uragan në një gotë me ujë, dhe bën sehir.

Si pasojë e dështimeve të jashtzakonshme të kësaj opozite me njerëz të lodhur e që nuk i do njeri, po promovohen disa individë të çuditshëm. Më e favorizuara është një farë Lea Ypi e cila ka bërë disa libra por është promovuar nga mediat shqiptare dhe ndonjë e huaj. Grotesku i saj qëndron se ajo nuk e njeh vëndin por vazhdon ta shajë vëndin e saj me gjuhën e një non grate. E Për pasojë nuk do të ketë sukses nëse nuk sheh shkaqet dhe pasojat. Ajo në një fjalë të saj u shpreh njëlloj si Berisha, por duke treguar se nuk i kuptoka fjalët diktaturë dhe demokraci: `Ne nuk jemi në monarki absolute që të takon edhe thotë: ‘Ti je.’ Është demokraci. Si, si u bëkan këta kryeministrat me takime?”. Normalisht, një profesoreshë si Ypi, e cila sipas mediave mburravece, renditet mes mendimtarëve kryesorë të Evropës, nuk kishte se si të mjaftohej me një post teknik. Gojët e liga flasin se Rama po e promovon si pasardhëse??… Vetë kreu i qeverisë në shumë takime shpërndan librat e saj dhe tregon se ka shumë simpati për të`. (Nga filozofe e lirisë në epiqendër të pushtetit? Lea Ypi trazon ujërat e politikës shqiptare, mes krizës së Ramës,… – Sot Neës | Lajme). Praktikisht një politikë alla shqiptarçe: të gjithë kundër të gjithëve dhe Zoti për të gjithë-kçk?}

Lea Ypi nga një familje e pasur korçare një stërmbesë e Xhaferr Ypit, por që ka lindur në Durrës është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe Profesore e Filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian- kërkon (me mëndjen e saj) një post në Shqipëri, njëlloj si dikur Princ Wied, apo një nga pas-ardhësit  e Gjergj Kastriotit, apo Leka Zogu e më pas djali i tij, njerëz komplet që nuk e njohin Shqipërinë. Sot me teknologjinë e lartë, me mediat, internetin, portalet e blera dhe të pablera- të promovohesh duke patur një influencues nuk është pak, por problemi qëndron nëse kjo do të përmirësojë gjëndjen, apo do bjerë në duart e halldupëve të sotëm gjysëm mafiozë e do të bëhen si ata. Është e vëretë që ka 2,4 milion shqiptarë në emigracion, dhe shumë nga ata janë për tu vlerësuar dhe respektuar, por të promovosh Lean se ka bërë një libër me titull `Të poshtëruar` në një kohë kur ajo nuk e njihte poshtërimin, është njëlloj sikur të tregosh përrralla mbesës për një kohë që nuk egziston. Nejse.

Pretendentë të tjerë janë dhe z, Pëllumb Pilinci i cili maje bëri edhe një `qeveri në Vlorë` e cila sigurisht përceçse humorit dhe talljeve nuk i mbeti nami e nishani. Dështii i tij ishte jo vetëm skandaloz por edhe qesharak.

Interesant është fakti i z. Llapaj i cili ka bërë edhe ai qeverinë e tij duke përfshire në `qeveri` z.Kabo dhe z. Kalo,  të dy profesorë, të cilët nëse do të ishin në qeverisjen e PS apo dhe të PD do të ishin të nderuar; por ti përfshijë një gjasme-politikan si z. Lapaj në qeverinë e tij ufologjike , kjo tregon edhe një herë sesi këta politikanë të dalë nga strofka e nongrattës janë po aq të infektuar nga negativiteti, nga mëndjemadhësia,  nga mllefi, sa që përdorin çdo gjë për të intimiduar në mënyrë jo -etike kundërshtarët, sepse prapa mllefit dhe inateve epileptike është pamundësia për të fituar zgjedhjet e për tu bërë deputetë, dhe ky mllef derdhet ndaj të akuzuarve nga SPAK-u e duke përdorur sekretet hetimore të dala në mënyrë aspak ligjore, për të bërë të ashtuquajturat `gjyqe popullore` nëpër media e protale, duke ndotur realitetin shqiptar.

Sa për z. Cako i cili ka një shtëpi botuese dhe luan rolin e konspiracionistit në Rrethi Katror, ai ka deklaruar që kërkon të bëhet Presidnet. E pse Jo? Kur mendon se sharjet e paprera duke përdorur emisionet e `Rrethit Katror` ndaj qeverisjeve- sigurisht në vënd të kritikave të bazuara, hedhja e fajit tw tjerwve për mungesën e sukseseve personale të veta dhe ato të grupit ballist që përfaqëson, luajtja e rolit të profetit të së keqes, duke sharë Shqipërinë, sepse vëndi qënka bërë më keq se në kohën e non-grattës, duke sharë kryeministrin me akuza të njëllojta si znj.Ypi , si tipi i akuzës absurde: `përse je takuar me njerëz biznesmenë, apo me të tjerë si mcgonigal, etj….., etj, mendon se do të bëhet President me gjithë energjinë negative që ka. Kjo të kujton Tom Hanks në rolin e personazhit budalla Forrest Gump i cili u bë sipas filmit një yll i turmave gjithashtu me koficient tw ulwt intelektual, pikërisht për shakak të budallallëqeve të tij.

Të tre apo katër figura  të sëmura nga Deliri i madhështisë i nxitur gjithashtu qoftë nga sëmundja e budallallëkut qoftë nga promovimet politike, do ti bënin vëndit më dëm se sa të mira pikërisht se këta përsona ndoshta dhe të tjerë pas tyre që i financojnë, kanë për qëllim fitimet që do të vijnë pas `marrjes së pushtetit`, se sa për prosperitetin e vëndit. Vëndi, mendoj ka nevojë për një opozitë të fortë politike por konstruktive, sesa për individë jo normale që kanë nevojë për psikatër.

priftipirro2017@gmail.com

Poezia kundër harresës, rreth vëllimit poetik të Arif Molliqit, Ata udhëtonin pa e ditur fundin

0

Nga: Mërgim Bekteshi

POEZIA KUNDËR HARRESËS. 

Vëllimi poetik Ata udhëtonin pa e ditur fundin i Arif Molliqit, botuar nga Shtëpia Botuese Armagedoni me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shfaqet si një nga librat më përfaqësues të poezisë shqipe bashkëkohore. Ai ndërthur jetën individuale me fatin kolektiv, siç thotë autori në një varg: “përrallë e vjetër me rroba të reja”.

I botuar në prag të përfundimit të vitit 2025, ky libër përmbledh rreth pesëdhjetë vjet krijimtarie dhe funksionon si një biografi poetike, ku historia personale, kujtesa, dhimbja, mërgimi dhe varfëria shpirtërore e një populli të përndjekur nga peripecitë historike shndërrohen në materie poetike. Molliqi nis nga koha kur lind në vendlindjen e tij dhe kujton gjithçka organike e të zakonshme, që nga këngët e vjetra të Sali Agës e deri tek ajo e Rrushës, që shembi shumë burra, por pa harruar as kuvendin e pajtimit, i cili tani mban emrin rruga e qenve – një fyerje për dinjitetin individual dhe kolektiv të shoqërisë.

Poezia e Molliqit nuk është e zbukurimit formal apo ornamentit gjuhësor. Ajo lind nga përvoja e jetuar, nga prekshmja, dhe nga ajo që mund të quhet “provë” në diskursin juridik, por që në letërsi shndërrohet në dëshmi morale. Që nga poezitë e hershme e deri te ato më të vonat, autori ndërton një univers ku realizmi i vrazhdë bashkëjeton me simbolizmin e ngjeshur, ironia e hidhur me tragjiken njerëzore, ndërsa liria dhe humbja mbeten dy pole të pandara të përvojës ekzistenciale. Kjo manifestohet edhe kur mungon shpirti lirik ose tendenca për të thënë të vërtetën, si në vargun: “ka mbulojë qiellin / ka dyshek tokën”, që reflekton jetën evropiane, por edhe situatën e njeriut të sotëm.

Një nga boshtet themelore të këtij vëllimi është kujtesa, e cila shfaqet në mënyrë të theksuar në poezitë e përzgjedhura nga botuesi Armagedeon. Poezia shfaqet si akt rezistence kundër harresës dhe përpjekje për të ruajtur përvojën njerëzore nga zhdukja: “të dytë jemi zverdhur / e gjethet po na bien”. Kthimi i vazhdueshëm te shtëpia, te fshati i Llukës së Epërme, te figura e babait dhe nënës, te varfëria dhe frika e fëmijërisë, nuk ka karakter nostalgjik, por etik. Poezi si “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku”, “Nëna ime, heroina ime” apo “Në Prishtinë” funksionojnë si dokumente shpirtërore të një kohe të errët, ku jeta e njeriut të zakonshëm ishte e zhveshur nga heroizmi, por e mbushur me dinjitet. Ky dinjitet shfaqet mallëshëm dhe herë me gjuhë të ashpër kur poeti lëndohet.

Atdheu në poezinë e Molliqit nuk idealizohet. Redaktori i librit e shquan këtë me realizëm emocional: ai shfaqet si hapësirë e plagosur dhe e mbingarkuar nga historia, ku poeti nuk i drejtohet atdheut me patos romantik, por me realizëm emocional, si në vargun: “Te Verrat e Llukës / këtë të diel nuk mbahet Kuvendi Pajtimit / do të mbahen gara e qenve”. Dashuria për vendin shprehet përmes dhimbjes, jo retorikës, duke e forcuar lidhjen emocionale që shpesh e çon autorin deri në ekstrem. Poezia i kundërvihet mitizimit dhe vendos përvojën kombëtare në një plan kritik dhe reflektues, duke qortuar keqësinë që katandisë vendin.

Motivi i lirisë përshkon pothuajse gjithë librin, por gjithmonë si mungesë. Liria nuk shfaqet si gjendje e arritur, por si pritje e vazhdueshme, si “folje dëshirore”. Në poezinë “Liria është folje dëshirore”, ajo lidhet me varfërinë e refugjatit, dritaret e thyera, kollën e fëmijëve dhe ekzistencën e pasigurt. Këtu liria nuk triumfon, por mbetet premtim i shtyrë, duke kthyer jetën në përpjekje të pandërprerë për mbijetesë. Mbijetesa dhe koncepti i Mbinjeriut i Niçes reflektojnë në vargjet e Molliqit, jo alegorikisht, por në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe konkrete.

Një shtyllë tjetër qendrore është mërgimi, plagë që e rrëmben poetin si qenie fizike dhe metafizike. Molliqi nuk e trajton mërgimin si aventurë apo udhëtim, por si gjendje shpirtërore të copëtimit. Poezia “Kur qeni i shtëpisë nuk më njeh” përmbledh tragjedinë e mërgimtarit: kthimin në vendlindje dhe humbjen e përkatësisë, deri në pikën ku as qeni nuk e njeh më. Ky imazh i fortë shndërrohet në metaforë të humbjes së identitetit: “sepse brenda kornizës metalike të aeroplanit / kam ngarkuar një peshë të rëndë malli / kam ngarkuar atdheun plot me sëmundje”.

Qytetet evropiane në poezinë e Molliqit shfaqen të ftohta, të zhveshura nga estetika turistike, hapësira ku njeriu mbetet i huaj dhe i ndarë nga vetvetja dhe të tjerët. Poezi si “Qyteti pa kinema” dhe “Kujtime për Adelen” dëshmojnë se mërgimi nuk është vetëm fenomen social apo ekonomik, por një plagë ontologjike: gjendje ku njeriu nuk është kurrë i plotë, as këtu, as atje.

Ironia dhe sarkazma përbëjnë armë të rëndësishme në këtë libër. Molliqi i përdor ato për të demaskuar absurditetin e jetës moderne, moralin e rremë dhe zbrazëtinë e pushtetit. Në poezinë “Në ‘Monako’ të kryeqytetit” ironizohet kultura urbane e konsumit, ndërsa “Grafitë” zhvesh gjuhën zyrtare nga çdo solemnitet, duke sugjeruar se e vërteta shpesh del më e pastër nga margjina sesa nga foltorja. Kjo ironi nuk është lojë gjuhësore, por qëndrim etik dhe i vendosur.

Universi simbolik i Molliqit është i qëndrueshëm dhe dallueshëm: zogjtë shfaqen si metaforë e pafajësisë së vrarë dhe e popullit të plagosur; qeni si shenjë e besnikërisë së humbur; merimangat, gjarpërinjtë dhe kafshët e liga si figura të prishjes morale; bora, shiu dhe acari si gjendje shpirtërore. Në këtë botë poetike, shpesh më shumë flasin kafshët dhe natyra sesa njerëzit, duke vendosur njeriun në pozitë të brishtë.

Dimensioni intim, familjar dhe erotik zë vend të rëndësishëm. Poezitë mbi marrëdhëniet njerëzore, si “Burri që hante djathë zviceran” dhe “Rrëfim i një pijaneci”, trajtojnë degradimin moral, vetminë dhe vetë-shkatërrimin pa romantizim. Ato janë rrëfime të ashpra, por të ndershme, ku njeriu përballet me vetveten. Poeti trajton edhe gruan, nga Eva e tutje, si dhe kujtime të trishta dhe të dhimbshme, duke i kthyer në përvojë jetike që analizohet me syrin e artistit.

Lufta dhe pasojat e saj shfaqen si traumë e vazhdueshme. Varret, heronjtë e heshtur, vrasësit dhe sëmundjet biologjike e politike ndërthuren në një ligjërim ku trupi individual dhe ai shoqëror duket i infektuar nga harresa dhe moskuptimi. Poezitë e Molliqit e shndërrojnë librin në dokument të një epoke të trazuar, duke treguar dhimbjen e brendshme dhe duke evidentuar çka është e shëmtuar dhe e padrejtë në shoqëri.

Stilistikisht, Molliqi përdor gjuhë të drejtpërdrejtë, të zhveshur nga ornamentet e panevojshme, por të ngarkuar me figuracion dhe intensitet emocional. Vargu shpesh afrohet me prozën poetike, por ruan thellësinë lirike. Gjuha nuk kërkon vetëm të kuptohet, por të përjetohet. Dallohen poezitë ndër vite, si nga vargu ashtu edhe nga kuptimi gjuhësor, temat dhe aktualiteti.

Përfundimisht, Ata udhëtonin pa e ditur fundin është më shumë se një përmbledhje poezish: është një arkiv moral, akt kujtese dhe formë rezistence kundër harresës. Poezia e Arif Molliqit i kundërvihet heshtjes me fjalë, zbrazëtisë me etikë dhe harresës me kujtesë. Në një kohë të banalizimit të gjuhës, ky libër rikthen peshën e poezisë si akt përgjegjësie dhe vetëdijeje.

Arsimi nuk reformohet me improvizime politike, por me profesionalizëm dhe meritë

0
Nga: MSc. Adem Lushaj
____
Cilësia në arsim nuk ndërtohet me trajnime formale e të shkëputura nga realiteti i klasës, por me kuadro të përgatitura profesionalisht, pagesa dinjitoze, respekt dhe autoritet për mësuesin, si dhe me politika arsimore të qëndrueshme, afatgjata dhe të bazuara në meritë. Pa mësues të motivuar dhe të vlerësuar, asnjë reformë dhe asnjë program nuk mund të japë rezultat real në arsim.
Performanca e mësimdhënësit nuk matet me foto, fotokopje fletorësh apo prezantime formale në videoprojektor, por me rezultatin real te nxënësi: sa kupton, sa mendon kritikisht, sa përparon dhe sa formohet si qytetar.
Këto kërkesa burokratike vetëm sa e zhvendosin fokusin nga thelbi i mësimdhënies te forma, duke e lodhur mësuesin dhe duke e ulur dinjitetin e profesionit. Performanca matet në klasë, në ndërveprim të drejtpërdrejtë mësues–nxënës, jo në raporte, dosje dhe dëshmi artificiale.
Reformat në arsim nuk mund dhe nuk duhet të udhëhiqen nga ministra politikë të paaftë, por nga profesionistë të fushës, studiues, mësimdhënës me përvojë dhe ekspertë të arsimit, të cilët hartojnë politika realiste, të zbatueshme dhe të bazuara në kushtet ekzistuese.
Çdo reformë e imponuar nga lart, pa njohur realitetin e shkollës, prodhon vetëm dokumente, jo cilësi. Arsimi kërkon vizion afatgjatë, stabilitet institucional dhe vendimmarrje profesionale, jo improvizime politike me kosto të lartë për brezat e ardhshëm.
Arsimi kërkon të diplomuar me meritë, të vlerësuar mbi bazën e arritjeve reale akademike, e jo përmes vlerësimeve formale apo klienteliste nga staf akademik që shpeshherë nuk ka integritet profesional, e në disa raste as kredibilitet të qartë akademik.
Kur vetë vlerësuesi nuk i plotëson standardet, atëherë diploma humb peshën, sistemi degradohet dhe meritokracia zëvendësohet me mediokritetin. Pa pastrim të standardeve akademike, pa transparencë në vlerësim dhe pa përgjegjësi institucionale, nuk mund të ketë arsim cilësor as kuadro të denjë për shkollat tona.
Sot, fatkeqësisht, shumë shtëpi botuese nuk garojnë për cilësinë e teksteve shkollore, të harmonizuara me planprogramet dhe kurrikulën, por për tregun, duke përdorur joshje, presione dhe imponim përmes zyrtarëve arsimorë. Qëllimi kryesor nuk është nxënësi dhe mësimi cilësor, por sa më shumë libra të shiten.
Kjo qasje e ka kthyer librin shkollor nga mjet pedagogjik në produkt tregtar, duke dëmtuar drejtpërdrejt procesin mësimor dhe besimin e mësimdhënësve. Pa transparencë në përzgjedhje, pa vlerësim profesional të teksteve dhe pa shkëputje të interesit financiar nga vendimmarrja arsimore, nuk mund të flasim për reforma serioze në arsim.
Këto qëndrime burojnë nga përvoja mbi 38-vjeçare në arsim, si mësimdhënës i matematikës, duke kaluar nëpër faza të ndryshme të sistemit arsimor që nga viti 1987 e deri më sot. Janë përjetuar reforma, improvizime, tranzicione dhe politika të ndryshme, prandaj fjala jonë nuk është teorike, por e mbështetur në praktikë, përkushtim dhe përgjegjësi ndaj brezave.
Pikërisht kjo përvojë na jep të drejtën të themi se arsimi ndërtohet me profesionalizëm, stabilitet dhe respekt për mësuesin, jo me eksperimente politike.

Dritan Goxhaj nga Tirana për NATO-n

1

Hyrja e forcave të NATO-s në Prishtinë, në qershor 1999 dhe dashuria dhe gëzimi i madh i popullit mbarë, pleqëve, të rinjve e fëmijëve për këtë forcë ushtaraka botërore që i kishte shpëtuar nga zhdukja…!  

 

Dritan Goxhaj, Tiranë 

Më 7 dhjetor të vitit 1998 Sekretarja e Shtetit Madelen Ollbrait (Madeleine Albrights) mbajti një fjalim një ditë para takimit të NATO-s , ditë në të cilën u pranuan zyrtarisht në NATO Çekia, Hungaria dhe Polonia. Në këtë fjalim ajo shpalosi vendosmërinë e Amerikës për të qëndruar e përfshirë në çështjet e sigurisë Europiane, ku shpalosi atë që njihet si 3D-të – Pa shkëputje, Pa dyfishim dhe Pa diskriminim (no Decoupling, no Duplication and no Discrimination”).  

No Decoupling – Pa Shkëputje 

“ Së pari ne duam të shmangim shkëputjen: NATO është shprehja e lidhjes së domosdoshme transatlantike. Ajo duhet të mbetet një organizatë aleatësh sovranë, ku vendimmarrja europiane nuk është e shkëputur nga vendimmarrja e aleancës më të gjerë”. 

No Duplication – Pa Dyfishim 

“Së dyti ne duam të shmangim dyfishimin: burimet e mbrojtjes janë shumë të pakta që aleatët të kryejnë planifikimin e forcave, të operojnë strukturat e komandës dhe të marrin vendime për prokurimin dy herë – një herë në NATO dhe një herë në BE”. 

No Discrimination – Pa Diskriminim 

“Së treti ne duam të shmangim diskriminimin: të shmangim cdo diskriminim ndaj anëtarëve të NATO-s që nuk janë anëtarë të BE-së”. 

Por vetëm 27 vjet më vonë më datë 9 dhjetor të 2025 përfaqësuesi Republikan Tomas Mesi (Thomas Masei) paraqiti në Kongresin Amerikan Aktin nr HR 6508 Akti i NATO-s, në të cilin kërkoi miratimin e një ligji të posaçëm për largimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). 

Ajo çka kongresmeni amerikan u përpoq të bënte me anë të këtij akti nuk pati asnjë sukses, por ama ajo tashmë është regjistruar si përpjekja e parë për t’u përballur me të vërtetën gjeopolitike perendimore të këtyre 15 viteve të fundit, se NATO nuk është më një aleancë sigurie. 

Prej ndërhyrjes në Libi për vrasjen e Gadafit është kthyer në një mashtrim mbrojtës ku klientët (anëtarët) e saj nuk mund të paguajnë dhe zbatuesit janë të rraskapitur. 

Për tre dekada me rradhë, Europa ja delegoi Amerikës gjithçka që kishte të bënte me çështjet e sajë kryesore dhe të mbijetesës, diplomacinë, energjinë, sigurinë dhe edhe vendimmarrjen politike.  

Gjithë Europa pas Luftës së Dytë Botërore e ndërtoi identitetin e saj mbi idenë se  

  1. FuqiaAmerikane është e pafundme, 

Dhe 

  1. Faturanuk do ju vinte asnjëherë. 

Por lufta në Ukrainë i ekspozoi të dyja këto si fantazi Europiane. 

Me nisjen e luftës në Ukrainë, Europa i mbushi mendjen vetes dhe akoma vazhdon në këtë rrugë, se Rusia do të vdesë e do të rrënohet nën peshën e sanksioneve. Por në vend që të rrëzohej Rusia, filloi të rrënohej Europa vetë. Gjermania e para humbi energjinë e lirë e cila e mbante në këmbë si gjigand industrial europian.  

Depot e armëve të vendeve europiane anëtare të NATO-s u zbrazën më shpejt sesa industria perendimore e armëve të mund t’i rimbushi ato. Gjithashtu edhe rezervat amerikane të armëve u shteruan në mbështetje të një iluzioni të cilin perëndimi nuk mund ta fitonte. 

Në vend që kjo që ndodhi të shkaktonte analiza të gjata e të thella të NATO-s në Bruksel, ajo shkaktoi vetëm shpërthime deklarative lufte, duke krijuar idenë se NATO nuk është më një aleancë mbrojtëse, por sulmuese. 

Dhe në këtë histeri deklaratash, europianët i kërkuan dhe vazhdpojnë t’i kërkojnë Amerikës që ajo të shpenzojë më shumë, të rrezikojë më shumë dhe ta përshkallëzoi më shumë situatën, dhe e gjitha kjo vetëm se këta manaxherët (udhëheqësit) europianë, janë të paaftë të prodhojnë armatime, municione dhe koherencë politike, ndërkohë që shoqëritë europiane po detyrohen të përkulen nën koston e luftës që “udhëheqësit” e tyre po duan t’ju imponojnë. 

Dhe e gjitha kjo nuk është më një partneritet. Është vetëm varësi e maskuar si virtyt. Është thjeshtë feudalizëm strategjik i paraqitur si vlera të përbashkëta. 

Dhe propozimi i kongresmenit amerikan që në dukje të krijon përshtypjen se është vetëm një veprim dhe mendim i izoluar, vjen në një moment kur edhe vetë Perandoria Amerikane e pranon, herë me fjlaë e herë në heshtje atë që Europa e mohon – Amerika nuk mund të mbështesi një sistem që ia shteron armët dhe municionet, që ia shteron buxhetin, që ia shteron politikën dhe nuk i sjell asnjë fitore strategjike në këmbim të kësaj “ndihme” falas. 

Dhe ndërkohë ata që përfitojnë janë vetëm kopleksi industrialo-ushtarak dhe organizatat jo qeveritare të lidhura me politikat e këtij kompleksi. 

Edhe pse ky propozim HR 6508 dështoi të kalonte edhe në komisionin përkatës, sërish ky propozim tregoi se ka një të krisur në fasadën që e paraqet NATO-n si jë aleancë mbrojtëse të përbashkët.  

Ky propozim shkon paralelisht me Strategjinë e re Amerikane të paraqitur para dy javësh ku ju kërkohet aleatëve europianë të NATO-s që të (share burdon) ndajnë barrën.  

Kjo do të thotë se nëse modeli i NATO-s që europianët kanë pasur deri më tashti do vazhdojë të kërkojë para të pafundme amerikane, vendosje të paqëndrueshme të forcave amerikane dhe besueshmëri maksimale amerikane, atëherë kjo nuk është më një aleancë. Është thjesht një barrë mbytëse.  

Dhe kjo barrë duhet ndarë (SHARE BURDON). 

Dhe kjo lloj përgjegjësia kthehet në rrezik vdekjeprurës kur politikanët në Europë refuzojnë të pranojnë realitetin. 

Ndërkohë europianët në PE (Parlamenti Europian) kërkojnë përballje të përhershme me Rusinë edhe pse e shohin që nuk kanë asnjë mundësi të riarmatosen në shkallë industriale. 

Ndërkohë vazhdojnë të kërkojnë mbrojtje amerikane edhe pse sabotojnë çdo iniciativë sigurie amerikane. 

Ndërkohë që kërkon siguri e saboton atë nëpërmjet vednosjes së regjimit Oruellian në Evropë, ndërkohë që bën moralisten për të tjerët, 

Largimi i Amerikës nga NATO nuk do të ndodhë, por ama këto veprime tregojnë se egziston një llogjikë strategjike për një riregullim të saj (NATO-s).  

Kjo do të thotë se një botë në tranzicion si kjo në të cilën po jetojmë kërkon një arkitekturë të re sigurie, ku veprime të tilla në akordancë politike me Strategjinë e re Amerikane, tregojnë se skelat e Luftës së Ftohtë nuk mund të mbajnë më në këmbë iluzionet e Europës. 

Paqja për të gjithë nuk mund të vij nga përshkallëzimi, qoftë ai edhe retorik. Ajo mund të vijë vetëm atëherë kur vendet rimarin në dorë sovranitetin e tyre dhe negociojnë direkt pa e militarizuar diplomacinë, dhe pa i bazuar opsionet e tyre politike mbi një burokraci ushtarake që i përket shekullit të kaluar. 

NATO është kthyer në një sistem të brishtë i cili ka nevojë për një reformim rrënjësor, dhe reformimi mund të fillojë vetëm aty ku thuhet e vërteta. 

Tiranë, 25 dhjetor 2025 

Doktor Atdhe Agaj – Historia e sakrificës që u shndërrua në sukses

0

Shkruan: Adem Lushaj, Deçan

Doktor Atdhe Agaj ka shënuar një arritje të veçantë për komunën e Deçanit, duke u bërë mjeku i parë nga kjo komunë që përfundon me sukses specializimin në onkologji mjekësore. Ky është një sukses i ndërtuar mbi sakrificë, punë të palodhur dhe një udhëtim të mbushur me sfida, një histori e cila sot shërben si frymëzim për të rinjtë, studentët e mjekësisë dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e dijes.

Atdheu vjen nga një familje që kishte kushte të vështira ekonomike. Babai i tij, një mësimdhënës i ndershëm me pesë fëmijë, shpesh e kishte të papërballueshme mbështetjen financiare për shkollimin e fëmijëve. Megjithatë, falë vullnetit, punës dhe karakterit të fortë të fëmijëve, familja Agaj sot është simbol i përkushtimit: Atdheu si mjek onkolog, ndërsa vëllezërit e tij, Sahiti dhe Njaziu, të diplomuar në Fakultetin e Infermierisë dhe punëtorë të respektuar në QKUK.

Rrugëtimi i Atdheut drejt profesionit të mjekut nuk ishte aspak i lehtë. Gjatë shollimit ka sakrifikuar shpesh edhe të ushqyerit, vetëm që të mos e ndërpriste rrugën drejt dijes. I pajisur me vendosmëri dhe karakter të hekurt i përballoi sfidat njërën pas tjetrës, duke mos u dorëzuar asnjëherë.

Specializimin në Onkologji Mjekësore e kishte pranuar gjatë pandemisë COVID-19, periudha më e rëndë e sistemit shëndetësor kosovar, në kohën kur Ministër i Shëndetësisë ishte Armend Zemaj. Të specializosh në një kohë të tillë sfidash dhe presionesh të jashtëzakonshme e bën arritjen e tij edhe më domethënëse.

Sot, doktori i ri onkolog gëzon respekt të madh në komunën e Deçanit dhe më gjerë. Qytetarët e vlerësojnë jo vetëm për profesionalizmin dhe kompetencën, por edhe për sjelljen e tij njerëzore, përulësinë dhe gatishmërinë për t’u shërbyer pacientëve me përkushtim të plotë.

Historia e Doktor Atdhe Agajt nuk është vetëm një tregim suksesi personal, por një thirrje e fortë për të gjithë të rinjtë që ndjekin ëndrrat e tyre. Ajo dëshmon se as mungesa e kushteve ekonomike, as sfidat e studimeve, as presionet e kohëve të vështira, nuk mund ta ndalin atë që ka vullnet, pasion dhe qëllim të qartë.

Për studentët e mjekësisë dhe profesionistët e rinj shëndetësorë, ky rrugëtim është dëshmi se suksesi ndërtohet hap pas hapi, me sakrificë, përulësi dhe besim në vlerën e profesionit. Sakrifica e sotme është suksesi i nesërm.

Midis kujtesës dhe mërgimit, një lexim i librit Rrëfime nga Norvegjia

0

Prof. dr. Faton KRASNIQI

MIDIS KUJTESËS DHE MËRGIMIT, NJË LEXIM I RRËFIMEVE NGA NORVEGJIA

(Bajram Kabashi, Rrëfime nga Norvegjia, , LENA Graphic, Prishtinë, 2024, f. 344).

Libri Rrëfime nga Norvegjia i autorit Bajram Kabashi përbën një vepër me karakter të theksuar autobiografik, dokumentar dhe reflektues, ku përvoja personale e autorit në mërgim shndërrohet në një dëshmi të gjerë historike, shoqërore dhe kulturore për fatin e individit dhe të kolektivitetit shqiptar në rrethana të vështira politike e ekzistenciale. Që nga titulli, vepra sinjalizon një ligjërim rrëfimor, ku Norvegjia nuk shfaqet vetëm si hapësirë gjeografike, por si kontekst jetësor, ideor dhe shpirtëror i përballjeve të autorit me mërgimin, identitetin dhe kujtesën.

Struktura e librit, e pasqyruar në përmbajtje, është e ndërtuar mbi një kronologji të zgjeruar kohore, e cila nis me reflektime të përgjithshme dhe recensione, për të vijuar me rrëfime të organizuara sipas viteve, ngjarjeve dhe etapave jetësore të autorit. Në këtë mënyrë, libri fiton koherencë narrative dhe funksionon si një ditar i zgjeruar jetësor, ku përzihen kujtimet personale, analizat shoqërore, komentet politike dhe qëndrimet ideologjike.

Struktura e librit është e ndarë në një numër të madh kapitujsh dhe nënkapitujsh, të renditur kronologjikisht dhe tematikisht, çka i jep veprës karakterin e një ditari të zgjeruar jetësor. Autori ndalet në periudha të ndryshme kohore, që nga vitet 1999–2000 e deri në vitet më të fundit (2023 –2024), duke ofruar një panoramë të gjerë të zhvillimeve personale, shoqërore dhe politike, si në Norvegji ashtu edhe në Kosovë.

Një nga boshtet tematike kryesore të veprës është beteja e intelektualit të pambrojtur, siç edhe artikulohet qartë në pjesën hyrëse. Autori e vendos veten në pozitën e intelektualit kritik, shpesh të përjashtuar, të margjinalizuar ose të keqkuptuar, duke trajtuar me guxim çështje të ndjeshme si përndjekja politike, raportet me strukturat e pushtetit, zhgënjimet nga elitat, si dhe përplasjet ideologjike brenda shoqërisë shqiptare. Rrëfimi personal shndërrohet kështu në një akt rezistence morale dhe intelektuale.

Një rëndësi të veçantë në libër zënë temat e mërgimit dhe identitetit, ku Norvegjia paraqitet si hapësirë e punës së rëndë, e përpjekjeve për integrim dhe e ruajtjes së dinjitetit personal e kombëtar. Autori trajton me ndjeshmëri përvojat e punës fizike, jetën familjare, përballjen me burokracinë dhe realitetin social të vendit pritës, duke i ndërthurur këto me reflektime të vazhdueshme për Kosovën, Shqipërinë dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.

Libri përmban gjithashtu një dimension të fuqishëm politiko-publicistik, ku autori shpreh qëndrime të drejtpërdrejta për zhvillimet në Kosovë, pavarësinë e saj, partitë politike, proceset e privatizimit, si dhe figura e fenomene të caktuara ndërkombëtare. Këto pjesë e afrojnë veprën me zhanrin e eseistikës politike dhe të publicistikës kritike, duke i dhënë asaj një funksion dëshmues dhe polemik.

Në aspektin stilistik, gjuha e përdorur nga Bajram Kabashi është e drejtpërdrejtë, herë-herë emocionale, por gjithnjë e ngarkuar me sinqeritet rrëfimor. Autori nuk synon zbukurimin estetik, por qartësinë e dëshmisë dhe fuqinë e mesazhit. Kjo e bën librin të lexueshëm, por njëkohësisht edhe sfidues për lexuesin, pasi kërkon përfshirje kritike dhe reflektim.

Një tjetër shtyllë e veprës është angazhimi publik dhe politik i autorit. Në shumë pjesë të librit, Kabashi shfaqet si intelektual kritik, që reflekton mbi zhvillimet në Kosovë, mbi pavarësinë e saj, mbi partitë politike, privatizimin, median, si dhe mbi figura e ngjarje konkrete të jetës publike shqiptare. Këto rrëfime shpesh marrin trajtën e eseve publicistike, ku autori shpreh hapur qëndrimet e tij, duke mos iu shmangur polemikës dhe gjykimit kritik.

Libri përmban gjithashtu elemente të kujtesës historike dhe personale, përfshirë përjetime të dhimbshme, ndjenja zhgënjimi, momente reflektimi mbi besimin, identitetin dhe kuptimin e jetës. Rrëfimet për kthimet në Kosovë, për vendlindjen, për kopshtin e shtëpisë dhe për lidhjen emocionale me tokën amtare, i japin veprës një dimension intim dhe emocional, që e pasuron diskursin dokumentues me ndjeshmëri letrare.

Në përfundim, Rrëfime nga Norvegjia paraqitet si një vepër me vlerë të shumëfishtë dokumentare, autobiografike dhe kulturore, e cila e tejkalon funksionin e një rrëfimi personal për t’u shndërruar në një dëshmi kolektive të përvojës së mërgimit shqiptar në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI. Libri i Bajram Kabashit kontribuon ndjeshëm në pasurimin e letërsisë e publicistikës së mërgimit, duke sjellë një perspektivë autentike, të sinqertë dhe kritike mbi jetën e individit shqiptar në diasporë, përballë sfidave ekzistenciale, politike dhe identitare.

Nëpërmjet një ligjërimi rrëfimor të drejtpërdrejtë dhe reflektiv, autori ndërton një kujtesë alternative, që shpesh mungon në diskursin zyrtar historiografik dhe politik. Kjo kujtesë individuale, e mbështetur në përjetime konkrete dhe në qëndrime të artikuluara hapur, e bën veprën të vlefshme jo vetëm si dokument personal, por edhe si burim për studime kulturore, sociologjike dhe historike mbi diasporën shqiptare dhe rolin e intelektualit në kushte mërgimi.

Në këtë kuptim, Rrëfime nga Norvegjia dëshmon për qëndrueshmërinë morale dhe intelektuale të individit përballë padrejtësive, zhgënjimeve dhe sfidave të historisë, duke afirmuar fjalën e lirë, kujtesën kritike dhe përgjegjësinë intelektuale si vlera themelore të diskursit bashkëkohor shqiptar. Si e tillë, kjo vepër mbetet një kontribut i rëndësishëm në korpusin e prozës dokumentare dhe autobiografike shqiptare, si dhe një thirrje për reflektim të thelluar mbi raportin midis kujtesës, mërgimit dhe identitetit kombëtar.

Prof. dr. Faton KRASNIQI

Prishtinë,

Janar 2026

Thirrje dhe Qortim publik për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë

0

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Si aktivist ambientalist dhe udhëheqës i Lëvizjes Ambientaliste “Lëvizja e të Gjelbërve të Kosovës” (LGJK), gjatë periudhës së okupimit 1990–1999, kam qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i një përpjekjeje të vazhdueshme kryesisë dhe aktivitëve të LGJK për të mbrojtur mjedisin e Kosovës nga shkatërrimi sistematik i regjimit okupues të Millosheviqit.

Në atë kohë, ne denoncuam në të gjitha forumet ndërkombëtare prerjen masive të pyjeve, ndotjen e ajrit nga termocentralet me thëngjill, shfrytëzimin e burimeve tona natyrore për zhvillimin e Serbisë dhe lënien e tymit, hirit dhe pasojave shkatërruese mbi tokën dhe shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

Pas çlirimit, shpresa jonë ishte e madhe: menduam se më në fund do të kishim mundësinë ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta mirëmbajmë mjedisin tonë. Fatkeqësisht, kjo shpresë nuk u realizua. Institucionet përgjegjëse, veçanërisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Ministria e Bujqësisë, në shumë raste kanë dështuar të kryejnë misionin e tyre.

Në vend të përmirësimit, ndotja dhe degradimi i mjedisit kanë vazhduar, madje me ritme edhe më të egra se më parë. Prerja e pakontrolluar e pyjeve, shpesh me leje ose me heshtje institucionale, ka hapur rrugë për erozion të rëndë në pothuajse të gjithë hapësirën e Kosovës.

Gerryerja e shtretërve të lumenjve për nxjerrjen e rërës nga profiterë dhe keqbërës ka shkatërruar ekosistemet ujore, ka dobësuar brigjet dhe ka rritur rrezikun e përmbytjeve. Gurethyesit pa kritere, të vendosur pa plan dhe pa standarde mjedisore, janë shndërruar në plagë të hapura për vendin.

Ndërtimet e egra, pa planifikim hapësinor dhe shpesh mbi tokën më pjellore bujqësore në rrafshira dhe përgjatë lumenjve, kanë mbyllur shtretërit natyrorë të tyre me mbeturina dhe inerte. Thirrjet tona të vazhdueshme në adresë të Ministrisë së Ambientit, dhe Planifikimit Hapësinor dhe asaj Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për të ndaluar e sanuar këtë degradim të mjedisit jetësor dhe për të na përkrahur e ndihmuar në projektet dhe aksionet tona për rregullimin e ambientit tani më të shkatërruar nga lufta, në një kohë kur ishim më ishim të lodhur nga aktiviteti e puna vullnetare 10 vjeçare, në kushte të rënda okupimi hasi në vesh të shurdhër nga përgjegjësit institucional na solli në situatën që si kryesi e Lëvizjes të marrim vendim për ngrirjen e aktivitetit tone dhe lënien e përgjegjësisë ministrive përkatëse.

Këto veprime të papërgjegjshme të institucioneve kanë ndikuar drejtpërdrejt që sot, pothuajse çdo vit, të përballemi me vërshime të mëdha, të cilat shkaktojnë dëme kolosale për bujqit, për ekonominë e vendit dhe për jetën e qytetarëve.

Situata aktuale në Kosovë është dramatike. Ajo që është më shqetësuese është se kjo gjendje nuk është pasojë e një fatkeqësie natyrore të pashmangshme, por rezultat i drejtpërdrejtë i keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe shpesh i korrupsionit. Fatkeqësisht, një situatë e ngjashme vërehet edhe në Shqipëri, gjë që tregon se kemi të bëjmë me një problem më të gjerë shoqëror dhe institucional.

Ky shkrim është një thirrje për reflektim dhe një qortim i sinqertë. Thirrje për qytetarët vet mos të jenë akterë të ndotjes dhe që të mos heshtin përballë shkatërrimit të mjedisit dhe të mos bëhen bashkëfajtorë përmes indiferencës. Qortim për institucionet që kanë për detyrë ligjore dhe morale të mbrojnë tokën, pyjet, ujin dhe ajrin – pasuritë më të çmuara që kemi. Mjedisi nuk është luks dhe as çështje dytësore.

Ai është baza e jetës, e shëndetit dhe e zhvillimit të qëndrueshëm. Nëse nuk veprojmë sot, nesër do të jetë tepër vonë. Kosova ka nevojë për një kthesë të menjëhershme: ligje që zbatohen, institucione që mbajnë përgjegjësi dhe qytetarë të ndërgjegjshëm që e duan dhe e mbrojnë vendin e tyre.

Kjo është thirrje për ta ndalur shkatërrimin dhe për ta rikthyer respektin ndaj mjedisit, sot, jo nesër.

  • Prof. Dr. Sabri Tahiri (ish aktivist dhe udhëheqës i LGJK)
  • Gjilan, më 8 janar 2026

KF Llapi i Podujevës – histori shekulli e përmbledhur në monografi 

Arif Ejupi, Gjenevë  

Pardje, në Podujevë, në ambientet e  Motel  “Diamond” u bë promovimi i librit “KF Llapi – Vit pas viti”, i autorit Esad R. Ejupi. 

Në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe sportive morën pjesë personalitete të njohura nga fusha të ndryshme, si dhe shumica e trajnerëve dhe lojtarëve të Llapit, të cilët ndër vite bartën me krenari fanellën e kësaj skuadre. Veçmas ra në sy prania e profesorëve universitarë Ejup Sahiti, Fatmir Sejdiu, si dhe e editorit të Shtëpisë  Botuese “Faik Konica”, z. Nazmi Rrahmani, dhe njërit prej recensentëve të monografisë, Sylejman I. Blaku. 

Me këtë rast, fjalë rasti mbajti prof. dr. Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës, gjatë viteve 2006–2010, i cili përmes kujtimesh plot mall rikujtoi kohën e fëmijërisë së tij, kur me bashkëmoshatarët përcillte ndeshjet e Llapit – skuadër që e adhuronte atëherë dhe që vazhdon ta adhurojë edhe sot. 

Në cilësinë e bashkërecensentit, edhe pse kisha ftesë të veçantë për të qenë i pranishëm në këtë solemnitet, për arsye objektive nuk munda të jem në mesin e shumë miqve dhe kolegëve, me të cilët prej vitesh na ka ndarë mërgimi. 

 

Andaj, kujtimet e mia dhe vlerësimin për monografinë “KF Llapi – Vit pas viti”, të dërguara autorit dhe organizatorëve, po i ndaj me ju, lexues të dashur dhe dashamirës të futbollit, përmes kësaj letre. 

Të nderuar të pranishëm, dashamirë të sportit dhe të historisë sonë ndër vite,
të gjithë ju që jeni prezentë dhe ata që, për shkaqe të ndryshme, nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, ju përshëndes përzemërsisht nga Gjeneva. 

Që në momentin kur Esad R. Ejupi, autor i kësaj monografie, e shtroi idenë për të përmbledhur në një libër të vetëm historikun e Klubit Futbollistik Llapi të Podujevës, i kam premtuar se do ta ketë përkrahjen time të parezervë.
Kjo përkrahje nuk buron vetëm nga raporti miqësor e profesional me autorin, por nga bindja e thellë se historia e këtij klubi e meriton një trajtim serioz, të dokumentuar dhe të qëndrueshëm në kohë. 

Duke qenë mbi katër dekada aktiv në gazetari dhe publicistikë, kam qenë i lidhur ngushtë jo vetëm me zhvillimet sportive në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë me klubin e zemrës – Llapin e Podujevës.
Ky klub nuk ka qenë thjesht një skuadër futbolli, por një institucion sportiv e shoqëror, një vatër formimi për breza të tërë futbollistësh dhe sportdashësish.  

KF Llapi është klubi që nxori futbollistë të jashtëzakonshëm si: Fadil Vokrri, Esad Mehmeti, Bedri Muçolli, Selatin Vokrri, Shukri Shabani, Remzi Muçolli, Ruzhdi Berberi, Agim Berisha, Shefqet Osmani, Islam Ajeti, Islam Visoka, Bedrudin Havolli, Emin Ajvazi, Yzeir Mustafa, Sabri Miftari, Luan Salihu, Isak Ibrahimi, Ragip Stubulla, Fehmi dhe Rrustem Podvorica, Fidaim Konushevci, Shukri Paçarada, Avni Stubulla, Adil Vokrri, Rasim Ymeri, Fadil Kodraliu, Isa Blakçori, Naser Hyseni, Xhavit Havolli, Bekim Muliqi – emra që për dekada na përfaqësuan me dinjitet dhe sukses në fushat e futbollit, brenda Kosovës dhe në hapësirën e ish-Jugosllavisë. 

Përveç fanellës bardhë e kaltër të KF Llapit, shumë prej këtyre futbollistëve bartën edhe fanellën e klubeve të tjera të njohura si: Prishtina, Trepça, Vardari, Liria, Partizani, Vëllaznimi, Timoku i Zajeçarit, Crvena Zvezda e Gjilanit, KNI “Ramiz Sadiku”, Kosova e Vushtrrisë, Flamurtari, Besëlidhja dhe Rudniku i Kishnicës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit tonë. 

Me origjinë nga Llapi janë edhe futbollistët e njohur Favzi Rama, Selim Islam Ejupi, Isak M. Ejupi dhe Sami Podvorica, të cilët kanë luajtur për klubet KF Prishtina, Flamurtari, Kristal dhe Besa e Pejës. 

Megjithatë, të paharrueshëm për mua, por edhe për historinë e këtij klubi, do të mbeten gjithmonë edhe besnikët e Llapit: Rifat Blaku, Abdullah Vokrri, Hajrush Rama, vëllezërit Hashim e Bislim Aliu, Fazli Llugaliu – “Garinça”, Sylejman Mehmeti, Ahmet Haxhiu, Shaban Hajrullahu, Shaban Hajdari, Rifat Raçi, Idriz Mehmeti, Muhamet Vokrri, Emin Simnica, Basri Muçolli, Rifat Hajdari, Naser Ibrahimi, Muhamet Hoxha, Ismet Haliti, Tafil Ajvazi, si dhe dhjetëra të tjerë, të cilët për dekada me radhë e mbajtën Llapin në toplistën e klubeve më të suksesshme të Republikës së Kosovës. 

Këta emra nuk janë thjesht kujtime personale apo statistikë sportive; ata janë kapituj të gjallë të historisë sonë të bujshme në futboll.
Në këtë monografi përmblidhet historia gati një shekullore e klubit të Llapit, me synimin që të dokumentohen ngjarjet ndër vite dhe t’u përcillen brezave që vijnë. 

Një moment tjetër i paharrueshëm, i gdhendur thellë në kujtesën time, lidhet me vitin 1988, kur së bashku me kushëririn tim, Emrush Ejupi, mbrojtës i majtë i KF Llapi, udhëtuam në Bllacë të Serbisë. Në atë kohë, Llapi, si anëtar i Ligës së Parë të Kosovës, po zhvillonte fazën përgatitore jashtë vendit. 

Me këtë rast, në cilësinë e gazetarit të Radio Prishtinës, përgatita një kronikë sportive që u transmetua në emisionin shumë të dëgjuar “Pasditja sportive”. Ajo kronikë nuk ishte thjesht një raportim profesional, por një pasqyrim i gjallë i atmosferës, përkushtimit dhe seriozitetit me të cilin KF Llapi i qasej garës dhe përgatitjeve për kampionat. 

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada, nuk e harroj mikpritjen, korrektësinë dhe profesionalizmin e trajnerëve të atëhershëm, Emin Ajvazi dhe Emin Simnica, të cilët lanë mbresa të thella jo vetëm si njohës të futbollit, por edhe si njerëz fisnikë e bujarë. 

Llapi, i cili edhe sot konsiderohet ndër klubet më të suksesshme të futbollit në Kosovë dhe që në periudhën e pasluftës i ka dhënë futbollistë të dalluar edhe Kombëtares së Kosovës, u mbajt financiarisht dhe u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme falë përkushtimit dhe vizionit të vëllezërve Tahir, Bejtush, Beqir dhe Amrush Batatina. 

Ata e morën KF Llapin nga një fushë me baltë dhe e shndërruan në një arenë moderne futbolli, me standarde të pranuara nga FIFA dhe UEFA. Pikërisht në këtë stadium u zhvilluan më pas edhe ndeshje kualifikuese për Kupat e Evropës, duke e bërë atë simbol të transformimit dhe vizionit në futbollin kosovar. 

Sakrifica dhe puna e palodhshme e vëllezërve Batatina meritojnë mirënjohje dhe duartrokitje nga të gjithë ne. Kontributi i tyre është shembull i rrallë i dashurisë për vendlindjen dhe për klubin e zemrës – KF Llapi. 

Ndërkaq, autorin e kësaj monografie, Esad R. Ejupi, e përgëzojmë sinqerisht për zellin, përkushtimin dhe seriozitetin në realizimin e kësaj vepre. Kjo është monografia e dytë e tij brenda një viti, pas botimit të veprës “100-vjet Klubi i Futbollit Prishtina”, çka dëshmon për një angazhim të vazhdueshëm dhe të admirueshëm në dokumentimin e historisë së sportit tonë. 

Me këtë punë këmbëngulëse, autori ka dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e një thesari të vlefshëm kombëtar, duke u dhënë vendin e merituar këtyre dy klubeve ikonë të futbollit shqiptar. 

Gjenevë, 5 janar 2026 

Lea Ypi dhe pyetjet “ballkaniste”

1
Bislim Elshani, Therandë
____
Në eseun e tij famoz, “Ç’është iluminizmi”, filozofi i shquar gjerman i shekullit XVIII, Imanuel Kant, bën diferencimin, midis tjerash, midis bindjes së individit dhe shprehjes së lirë ose kritike. Me këtë rast ai merr si shembull disa kategori sociale, ku dallohen: oficeri ushtarak, zyrtari qeveritar, tregtari dhe prifti. Në detyrat e tyre politike dhe sociale, që të gjithë këta janë të obliguar për bindje pa kusht ndaj urdhërdhënësit (instancës më të lartë ushtarake, fetare apo qeveritare). Mirëpo të gjithë këta do të konsiderohen të lirë t‘i shprehin opinionet apo kundërshtimet e tyre në rast se i shfaqin ato nga pozita e dijetarit dhe jo e pjesëtarit të një organizmi. Çuditërisht, pothuajse të gjitha versionet shqip të kësaj sprove të Kantit që i gjeta në faqet e internetit janë përkthyer keq dhe nuk e sqarojnë si duhet këtë raport.
Filozofja jonë e shquar, Lea Ypi, që njihet si ndër njohëset më të thelluara në botë të filozofisë kantiane, u detyrua të përballet me pyetje të tilla prej bablokësh politikë e publicistikë, madje edhe nga autorë librash të njohur, nëse do ta pranonte detyrën e drejtuesit të lartë qeveritar në Shqipëri.
Natyrisht që reagimi i saj ishte jo vetëm refuzues, po edhe shfaqte bezdisjen dhe zhgënjimin e thellë me shkallën e kulturës politike e intelektuale në vendlindje.
Edhe dënimi i saj i intervenimit amerikan kundër Maduros në Venezuelë duhet parë në këtë kontekst.
Lea Ypi, as në Londër dhe as në Tiranë, nuk do të pranonte të merrte detyra politike, pa hequr dorë paraprakisht nga liria e saj për t’u shprehur e lirë për të gjitha problemet e botës. Mu në çastin kur ajo do të pranonte detyrat e tilla, ajo do te obligohej, sipas logjikës kantiane, për bindje dhe nënshtrim dhe jo për shprehje të lirë opinionesh, (përpos ndoshta në qarqe të ngushta). Si dijetar, asaj i lejohet të dënojë aktin arbitrar të arrestimit të një kryeqeveritari të një vendi të huaj sovran, qoftë dhe nga SHBA-të.
Në këtë mënyrë, ajo, para se të gjykohet në mënyrë sharlatane nga Petrit Vasili, sikur me këtë deklaratë ka tradhtuar Kosovën dhe çështjen shqiptare, duhet përshëndetur dhe falënderuar për faktin se pikërisht përmes kësaj deklarate ajo po e mbronte Kosovën, duke mbrojtur njëkohësisht rendin ndërkombëtar nga i cili varen sidomos fatet e popujve dhe shteteve të vegjël. Për këtë shkak, nëse do të më pyesnin kë do të preferoja, Lea Ypin si kryeministre apo Lea Ypin si filozofe, padyshim do të vendosja për këtë të fundit.
Përvoja e diplomatëve të shquar nga skena politike botërore na e vërteton këtë fakt: vetëm pasi dalin në pension, atyre u lejohet t’i shfaqin lirisht opinionet e tyre, sepse në këtë rast nuk bien në konflikt interesi.

Mal Myrtaj, skulptori me renome ndërkombëtare

0
Me skulptorin me renome nderkombetare, Mal Myrtajn i njohur ne ish Jugosllavi si autori i Stafetes së Titos, aty nga fundi i jetes së tij (Titos), kemi qene shoke, zimmer, dhe bashkeqytetare, gjate viteve te 90-ta, ne Reinach AG, Kantoni Aargau, Zvicer. Me te dhe shume shoke te tjere, perfshire edhe skulptorin tjeter Veli Morina, i cili jeton dhe punon ne New York, na ka lidhur aktivizmi vullnetar qytetare për te dhene nje kontribut modest Levizjes për pavaresi. Edhepse larg nga njeri tjetri asnjehere nuk na ka humbur kontakti i kohepaskohshem dhe respekti reciprok. Mala dhe Veliu edhe sot na bejne krenar dhe na prezentojne denjesisht kudo qe jane.