Kreu Blog Faqe 339

I mblodhën 7 milionë euro për Hamasin në Itali

0

Police officers inspect a charitable association supporting Palestinian civilians in Milan, Italy, Saturday, Dec. 27, 2025 after Italian investigators have arrested nine people suspected of raising millions of euros for Hamas. (Claudio Furlan/LaPresse via AP)

  

Policia italiane ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për mbledhjen e miliona eurove për Hamasin.

Urdhëra arresti ndërkombëtarë janë lëshuar për dy të tjerë jashtë vendit.

Tre organizata janë nën hetim. Sipas një deklarate të policisë, organizatat pretenduan se mbështesnin civilët në Palestinë, por në vend të kësaj vepruan si mbulesë për Hamasin.

Nëntë personat akuzohen për mbledhjen e shtatë milionë eurove (82.5 milionë korona) për organizatat në pronësi, të kontrolluara ose të lidhura me Hamasin.

Ndërsa qëllimi zyrtar i tre organizatave ishte të mblidhnin para për qëllime humanitare për popullin palestinez, më shumë se 71 përqind u caktuan për financim të drejtpërdrejtë të Hamasit ose subjekteve të lidhura me lëvizjen islamike, sipas policisë. (©NTB)

Milazim Krasniqi dhe instrumentalizimi anti-shqiptar: Identiteti shqiptar është konsensus gjuhësor, jo shpikje ose produkt osman

1
Basri Beka, Prishtinë
___
Pretendimet e Milazim Krasniqit se identiteti shqiptar është i vonë, i shpikur ose i varur nga Perandoria Osmane nuk janë thjesht gabim teorik, por përfaqësojnë një kooperim të ideologjisë së Islamit politik me narrativën serbe, të cilat bashkohen në dëm të shqiptarëve dhe të shqiptarizmit.
Ky rol i Krasniqit, dhe shprehja e frustrimit të tij, mund të jetë pasojë e detyrave të tilla që i janë ngarkuar nga grupime si Vëllaznia Myslimane apo madje edhe qarqe serbe.
Emblema e “Vëllazërisë Muslimane”, organizatë panreligjioze islamike nga e cila është frymëzuar edhe organizata terroriste islamike Al Kaeda e Osama bin Ladenit
Një i ashtuquajtur albanolog nuk mund të përdoret thjesht për kauza anti-shqiptare, dhe këto qëndrime janë tregues i një qasjeje jo-shkencore dhe ideologjike.
Pretendimet se identiteti shqiptar është i vonë, i shpikur ose i varur nga Perandoria Osmane bien poshtë përballë dokumentimit filologjik dhe historiografik. Vetëemërtimi shqip/shqiptar është zhvillim i brendshëm gjuhësor dhe etnik, jo produkt politik apo fetar.
Tezat se shqiptarët janë formim i vonë, pa vazhdimësi dhe me identitet të paqëndrueshëm, janë të pabaza. Burime bizantine si Arbanon dhe Arbanitai dëshmojnë vazhdimësi etnike shumë para shek. XVII. Kalimi nga Arbër në Shqiptar është një evolucion semantik i dokumentuar brenda gjuhës shqipe. Johann Thunmann (1774) pranon qartë këtë vazhdimësi dhe e trajton si fakte.
Pretendimi se identiteti shqiptar u formua gjatë osmanizimit dhe është derivat i Perandorisë Osmane kundërshtohet nga faktet: Termi shqip shfaqet në tekstin katolik të Pjetër Bogdanit, librin Çeta e Profetëve (1685, Padovë), jashtë hapësirës osmane.
Osmanët përdornin emërtimin Arnaut, jo Shqiptar. Vetëemërtimi shqiptar lind jashtë administratës osmane, pa funksion politik perandorak.
Pretendimi se Shqiptaria është e lidhur esencialisht me Islamin dhe u konsolidua përmes tij është i pabazë. Eshtë shpifje e qëllimshme panturke e serbomadhe. Dokumenti themelor i Pjetër Bogdanit (1685) është tekst i krishterë me gjuhë identitare shqiptare. Vetëemërtimi shqiptar është gjuhësor dhe etnik, jo fetar, duke përfshirë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë në mënyrë simetrike.
Islami është shtresë historike, jo themel i identitetit shqiptar.
Milazim Krasniqi ngatërron tre nocione të ndryshme: Etnia: vazhdimësi antropologjike dhe gjuhësore; Identiteti: vetëdije historike dhe kulturore; Kombi modern: formë politike e shek. XIX.
Në mesditën e 9 gushtit të vitit 1830, në një kohë të shkurtër u vranë me pabesi rreth 500 fisnikë feudalë së bashku me trimat e tyre, në vendin e quajtur Dovlexhik në afërsi të urës që lidh rrugën e vjetër të Manastirit me rrugën e re, që vjen nga Përlepi. 
Historiografia serioze evropiane pranon se kombet moderne institucionalizohen në shekullin XIX, por identitetet kombëtare nuk lindin nga hiçi. Të pretendosh se shqiptarët para shek. XIX nuk kishin identitet kombëtar, por vetëm “etni”, është pozicion reduksionist, i përdorur nga historiografia serbe për të mohuar vazhdimësinë shqiptare.
Emri “shqiptar” nuk është i imponuar politikisht, fetarisht apo administrativisht. Ai u formua dhe u pranua si konsensus gjuhësor dhe identitar për të gjithë folësit e gjuhës shqipe, pavarësisht emërtimeve të mëparshme rajonale ose historike (ilirë, arbër, epirotë, dardanë, maqedonë).
Ky është proces organik, i dokumentuar dhe në përputhje me modelet evropiane të vetëemërtimit etnik.

Dialog apo mllef? Mbi diskursin publik të Milazim Krasniqit

0

Prof. Gjon Ballabani
Wallenwil, Zvicër
26.12.2025

DIALOG APO MËLLEF?

(Mbi diskursin publik të Milazim Krasniqit)

“Do të luftojmë kundër
islamofobisë dhe rusofobisë në botë.”
— Sergej Lavrov

Me keqardhje janë përcjellë qëndrimet publike të pedagogut universitar Milazim Krasniqi, të cilat reflektojnë një shqetësim të artikuluar ndaj rikthimit të një pjese të shqiptarëve në identitetin e tyre fetar katolik. Ky qëndrim shprehet kryesisht në raport me Lëvizjen për Rikthim dhe së fundmi u theksua përmes një kumtese të mbajtur në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ku autori përdori një diskurs të ashpër dhe përjashtues ndaj anëtarëve të Lëvizjes së Deçanit, si dhe ndaj asaj që e quan “ombrella” e OKB-së dhe NATO-s — organizata që ndërhynë kundër forcave ushtarake serbe.

Krasniqi, i cili në dekada të mëhershme ishte paraqitur si zë atdhetar dhe kritik i politikave shtypëse ndaj shqiptarëve, sot relativizon ose mohon qëndrimet e veta të dikurshme, duke vënë në dyshim edhe vlerësimet e tij shkencore të mëparshme. Në kumtesën e fundit mungon çdo referencë ndaj gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe nga Perandoria Osmane ndër shekuj — krime që nuk u shoqëruan kurrë me kërkimfalje dhe shpesh u shoqëruan me zhdukjen e gjurmëve fizike të viktimave. Në vend të kësaj, vëmendja përqendrohet pothuajse ekskluzivisht te viktimat e besimtarëve në shkallë globale.

Argumentimi i tij mbështetet në narrativa me origjinë sllavo-ruso-osmane, duke cituar autorë periferikë që referojnë mendime të të tretëve, pa iu nënshtruar këto burime një kritike të rreptë shkencore. Fakti që një autor është evropian nuk e bën automatikisht të saktë interpretimin e tij historik; një qasje e tillë do të ishte e barasvlershme me pranimin e pakritikë të tezave të Dick Marty-t mbi të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”. Si akademik, Krasniqi zgjedh të privilegjojë burime osmane dhe sllave, duke anashkaluar arkivat evropiane.

Leximi i kumtesës krijon përshtypjen e një harmonie diskursive me narrativat politike të Sergej Lavrovit, Dobrica Çosiqit, Ivica Daçiqit dhe Rexhep Taip Erdoganit. Kjo përputhje ideore e bën të pashmangshëm krahasimin me vizionin politik të Dobrica Çosiqit, i cili theksonte se Kosova nuk mund të rikthehej me luftë, por vetëm përmes krijimit të një klime antiamerikane dhe anti-evropiane në mesin e shqiptarëve, deri në zbehjen e identitetit të tyre kombëtar.

Në këtë prizëm, qëndrimet aktuale të Krasniqit paraqiten si një distancim i vetëdijshëm nga shkrimet e tij të mëhershme. Diskursi i tij synon aktivizimin e mekanizmave politikë dhe juridikë në Kosovë për ndjekjen penale të anëtarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes për Rikthim, duke evokuar praktika represive të komunizmit serbo-sllav dhe ruso-stalinist, përfshirë persekutimin e klerit katolik — fakte që ai vetë i kishte dokumentuar në punimet e tij të hershme.

Në këtë kontekst shfaqet edhe një nostalgji e hapur për periudhën jugosllave, përfshirë politikat e viteve ’50 dhe rolin e Aleksandar Rankoviqit, i cili synonte zhveshjen e shqiptarëve nga identiteti i tyre kombëtar, duke u mbështetur në tezën se feja islame mund të shërbente si mjet për dobësimin e nacionalizmit shqiptar. Shteti i asaj kohe mbështeti institucionalisht klerin islam, ndërsa kleri katolik u përndoq dhe u burgos.

Kjo qasje bie në kundërshtim me realitetin historik të Perandorisë Osmane, e cila veproi mbi baza fetare dhe hierarkike, duke përdorur mekanizma asimilues, taksa diskriminuese si xhizja, favorizimin e bejlerëve dhe pashallarëve, si dhe frenimin e zhvillimit kulturor e gjuhësor të popujve të pushtuar. Deri më sot, Turqia nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë kësaj periudhe, ashtu siç Serbia nuk ka kërkuar falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve. Në kontrast, Papa Gjon Pali II kërkoi falje për kryqëzatat, duke vendosur një standard moral të rrallë në historinë e institucioneve fetare.

Shembulli i arbëreshëve në Itali, të cilët gëzojnë të drejta të plota fetare dhe kombëtare, dëshmon se bashkëjetesa dhe ruajtja e identitetit janë të mundshme. Kjo ngre pyetjen legjitime pse parimi i reciprocitetit mungon në shtetet prej nga vijnë komunitete të tjera fetare.

Në një tubim publik, profesori Mazllum Baraliu kërkoi dialog fetar, mbrojtje të territorit dhe rregullim ligjor të termit “Kisha Ortodokse Serbe”, për shkak të implikimeve simbolike për sovranitetin e Kosovës. Ky qëndrim nuk u përkrah nga Krasniqi, i cili kishte deklaruar më herët se është “budallallëk” të thuhet se Manastiri i Deçanit është i shqiptarëve.

Siç shprehej Ali Asllani në vitin 1942:
“Hani, pini dhe rrëmbeni,
është koha e çakenjve.”

Në përmbyllje, shqetësimi kryesor mbetet fakti se, në emër të luftës kundër rusofobisë dhe islamofobisë, po hapet rruga për koncesione politike dhe territoriale, përfshirë Mitrovicën Veriore. Kosova rrezikon të shndërrohet në një hapësirë të instrumentalizuar nga interesa të huaja, ndërsa historia vazhdon të injorohet — me pasoja potencialisht të rënda për të ardhmen.

O Zot, ndriçoje mendjen dhe ndërgjegjen tonë, që ta duam njëri-tjetrin pa dallim feje dhe ta mbrojmë vendin nga interesat personale.

Sovrani kosovar të dalë dhe të votojë jo si anëtar apo militant partie, por si bir dhe bijë e këtij kombi martir

0

Shkruan: Don Fran Sopi

Unë, si pasardhës i denjë i martirëve të Karadakut dhe si meshtar në Kishën Katolike të Ipeshkvisë Prizren–Prishtinë, përmes këtij mesazhi i bashkohem fjalës ungjillore të shqiptuar nga Jezu Krishti dhe të transmetuar nga Shën Luka Apostulli, fjalë kjo që mbetet një udhërrëfyes i përhershëm për jetën e individit, të shoqërisë dhe të kombeve.

Kjo thënie e Shën Lukës Apostull nuk është thjeshtë një këshillë fetare, por një parim universal dhe shumëdimensional që rregullon marrëdhënien ndërmjet pushtetit, ndërgjegjes dhe lirisë së popujve. Në të përmblidhet thelbi i qytetarisë së pjekur: respekti për rendin shtetëror i ndërthurur me besnikërinë ndaj vlerave morale, shpirtërore dhe kombëtare.

Në prag të zgjedhjeve të lira parlamentare të Republikës së Kosovës, më 28 dhjetor 2025, kjo fjalë ungjillore merr një domethënie të veçantë historike dhe kombëtare. “Cezari” i sotëm nuk është më sundimtari absolut i dikurshëm, por shteti demokratik dhe euroatlantik i Republikës së Kosovës, i lindur nga sakrifica shekullore, nga gjaku i derdhur i martirëve ndër epokë të ndryshme dhe nga qëndresa e pandërprerë e popullit shqiptar. Ndërsa Hyjit apo Zotit i përkasin ndërgjegjja jonë kombëtare, kujtesa historike, ideali i lirisë dhe besnikëria ndaj atyre që e ndërtuan këtë rrugë me flijimin e jetës së tyre.

Sot, sovrani i vërtetë i Kosovës është qytetari i lirë. Prandaj, ai të dalë në zgjedhje jo si militant apo anëtar partie, jo si karrierist, as si pjesë e klaneve apo fiseve, por si trashëgimtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i Imzot Pjetër Bogdanit, i Rilindësve Kombëtarë dhe si pinjoll i këtij kombi martir.

  • T’i lëmë mënjanë interesat e ngushta partiake, klanore dhe fisnore, të cilat shpesh e kanë zbehur idealin kombëtar dhe e kanë dobësuar shtetin. Vota nuk duhet të shndërrohet në pazar interesi, por të mbetet akt i ndërgjegjes historike dhe qytetare.
  • Të votojmë me frymën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, prijësit që mishëroi unitetin kombëtar dhe e mbrojti lirinë si vlerë të shenjtë. Ai nuk luftoi për pushtet personal, por për dinjitet, identitet dhe mbijetesë kombëtare. Ky vizion të shërbejë edhe sot si busull: bashkim mbi dallimet, vizion mbi përçarjet dhe përgjegjësi mbi egoizmin.
  • Të votojmë edhe në frymën e Rilindësve Kombëtarë, të cilët e ndërtuan kombin mbi gjuhën shqipe, arsimin, kulturën dhe vetëdijen kombëtare. Ata na mësuan se pa dije nuk ka liri, pa kulturë nuk ka shtet dhe pa ndërgjegje nuk ka demokraci. Vota e lirë është vazhdimësi e kësaj filozofie – një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen.
  • Të votojmë duke nderuar martirët e fesë dhe të atdheut – klerikë e laikë, burra, gra e engjëj, që u flijuan për “Fe e Atdhe”. Ata nuk pyetën për përkatësi fetare apo partiake, por për përkatësi kombëtare. Gjaku i tyre përbën themelin moral mbi të cilin qëndron sot Kosova e lirë dhe demokratike.
  • Të votojmë gjithashtu në frymën e orientimit euroatlantik, jo si modë politike, por si vazhdimësi e aspiratës sonë historike për liri, demokraci dhe përkatësi qytetëruese. Kjo rrugë kërkon udhëheqës vizionarë, institucione të forta dhe të ndershme, si dhe një shoqëri që di të mbrojë vlerat e veta brenda familjes së kombeve të lira.

Duhet kuptuar dhe mos harruar se populli shqiptar i Kosovës ka kaluar një kalvar të rëndë historik: sundimin osman, dhunën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, errësirën e regjimit komunist dhe represionin brutal të okupimit serb e të luftës. Kjo përvojë vuajtjeje nuk është për t’u harruar, por për t’u shndërruar në urti kombëtare. Një popull që harron rrezikon të përsërisë tragjedinë; një popull që kujton, di të zgjedhë me maturi.

Prandaj, duke ia dhënë “Cezarit” votën si detyrim qytetar dhe “Hyjit” ndërgjegjen e pastër si detyrim moral, zgjedhjet e (e neserme) të 28 dhjetorit 2025 të jenë një akt i madh kombëtar. Ato të dëshmojnë se Kosova nuk voton vetëm për pushtet, por për vlera, drejtësi, dinjitet dhe perspektivë.

Zgjedhjet janë një çast i shkurtër në kohë, por pasojat e tyre janë afatgjata. Ta shndërrojmë këtë moment në shprehje shprese, pjekurie dhe besimi në vetvete.

  • Të votojmë për një shtet që respekton ligjin, për institucione që i shërbejnë qytetarit dhe për një Kosovë demokratike e euroatlantike që ecën e sigurt drejt së ardhmes së saj. Në këtë çast vendimtar për shtetin dhe kombin, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim bindjeje politike, feje apo krahine, që ta përjetojnë votën si akt dashurie për atdheun dhe si shërbim ndaj së mirës së përbashkët.
  • Të dalim në zgjedhje me ndërgjegje të kthjellët, me zemër të pastër dhe me mendje të lirë, duke pasur parasysh sakrificën e të parëve dhe përgjegjësinë ndaj brezave që vijnë.

Edhe një herë, me bindje të thellë shpirtërore dhe qytetare, i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.

  • Qytetarët të votojnë me vetëdije, me përgjegjësi dhe me dashuri për atdheun, që në këtë proces demokratik të fitojë sovrani i vërtetë: qytetari i lirë, i pjekur dhe i ndërgjegjshëm – shqiptari i rrënjosur në historinë e vet, në vlerat e sakrificës, të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.

Të fitojë ai sovran që beson në shtetin e së drejtës, në demokraci funksionale, në drejtësi të barabartë dhe në rrugën euroatlantike të Kosovës, si horizont i natyrshëm i përkatësisë sonë qytetëruese. Të triumfojë zëri i arsyes mbi interesin e ngushtë, uniteti mbi përçarjen dhe shpresa mbi frikën.

Sepse vetëm atëherë, kur vota është e lirë dhe ndërgjegjja e kthjellët, Kosova jonë Dardane ecën përpara me dinjitet – e denjë për gjakun e martirëve, për sakrificën e brezave dhe për të ardhmen që ua kemi borxh brezave dhe fëmijëve tanë.

Pra, të votojmë dhe të fitojë sovrani i vërtetë – sovrani shqiptar, demokratik dhe euroatlantik.

LDK e PDK reformohen me konkurrencë dhe demokraci të brendshme, duke luftuar korrupsionin, jo duke u marrë me Kurtin

0
Lis Bukuroca, Gjermani
____
Bishti nuk rren
Militantë (sektet) e LDK-së dhe PDK-së marrin video dhe deklarata të Kurtit nga e kaluara, i krahasojnë me të sotmet dhe bërtasin:
“Shiko si ka menduar dje!”
Por nuk shohin sjelljen e kryetarit të nderit të partisë: kur ishte në LKJ, kur ishte ministër i Rrahman Morinës, kur i bënte sanksione Rugovës, kur me Zajednicën shkeli Kushtetutën 23 herë, kur dëboi nga partia Vjosën, Donikën, kur hodhi përtokë partinë e Rugovës dhe kur u bë ashensor i Thaçit.
Sikur ta kishin penguar Mustafën, jugosllavizimin e partisë, sot do ta kishin pasur zonjën Osmani në krye. Rugovisten e denjë.
Militantët e PDK-së veprojnë njësoj: disa dje ishin enveristë, stalinistë, titistë, por nuk reflektojnë mbi të kaluarën e tyre. E konsiderojnë normale. E krahasojnë vetëm Kurtin: si student, si zëvendës i Adem Demaçit, si i burgosur, si opozitar, si kryeministër.
Ata e imagjinojnë Kurtin si zot, dhe sipas tyre, zoti nuk ndryshon qëndrime. Ata vetë po, sepse janë normalë, ordinerë.
Ata e shohin të natyrshme që pionieri i Titos, që ka humbur në Mitrovicë, të bëhet kandidat i PDK-së, por nuk shohin gabimet e veta.
(Ju kujtohet përralla e dhisë dhe deles? Ja shkurtimisht: Një ditë, delja kërcen gardhin dhe gjatë kërcimit ngriti bishtin. Dhija bërtiti e çuditur: “Ta pashë!” Delja u kthye, e shikoi dhe tha: “Ti ec gjithmonë me bishtin ngritur dhe nuk të kam thënë kurrë asgjë!”)
LDK-ja nuk reformohet duke u marrë me VV-në, por duke luftuar sjelljen e kryetarit të saj me blerje votash dhe mungesë konkurrencë të brendshme.
PDK-ja nuk reformohet me pionierin, që humbi, por  duke luftuar korrupsionin, jo duke u marrë me Kurtin.
Ju po luftoni për ta riedukuar kundërshtarin, jo vetveten dhe jeni për keqardhje!
Një parti nuk reformohet dhe nuk fiton kurrë duke u marrë me gabimet e të tjerëve dhe duke i fshehur të vetat nën qilim. Reforma fillon brenda: drejtësi, transparencë, luftë kundër korrupsionit.
Çdo parti ka nevojë për liderë me personalitet dhe rrezatim të vetin, jo vegla të kryetarëve të vjetër, për të mbrojtur deliktet e të ikurit. Kush e zgjodhi Hamzën? Krasniqi!
Kush e zgjodhi Abdixhikun? Mustafa! E anëtarësia? Ajo iu duhet për duartrokitje!
Kush nuk e kupton këtë, jo vetëm që nuk fiton kurrë, por do të shuhet edhe si parti!
Ju, duke sjellë mendime të Kurtit nga e kaluara, po dëshmoni se e tashmja e tij është shumë e mirë…

Në ballafaqim me sfidat dhe betejat e jetës, më e rëndësishmja është RUAJTJA E QETËSISË SHPIRTËRORE!(7)

0
“Nuk është lehtë me e ditë se çka është e drejtë dhe e padrejtë”, thuhet në një leksikon norvegjez, andaj duhet gjurmuar dhe jetuar me të vërtetën në bazë të përjetimeve dhe përvojave jetësore.
Ismet M. Hasani, Suedi
___
Pa marrë parasysh çfarë mund të ndodhë, as sot, as nesër, as kurrë, mos ia jep askujt mundësinë dhe kënaqësinë, që pa shkas, pa shkak, pa arsye, të të lëndojë dhe as të dëmtojë.
*
Në ballafaqim me sfidat dhe betejat e jetës, më e rëndësishmja është RUAJTJA E QETËSISË SHPIRTËRORE!
Kujdes për ekuilibër (balans) të vazhdueshëm dhe maksimal midis sferës shpirtërore dhe fizike, hyjnoree dhe tokësore, racionales dhe iracionales, durimit dhe shpërthimit, mendimit dhe veprimit. është me rëndësi kryerja e detyrave dhe përgjegjësive njerëzore-humane, në këtë jetë.
Fyerjet, sharjet, shpotitë dhe shantazhimet janë, jo vetëm nivel, karakteristika dhe veçori të personalitetit të ulët, pa dinjitet, pa integritet, por edhe arma e të ligut (dobëtit).
Jeta me nderë e dinjitet, mirësi e qetësi, respekt e stabilitet, sjell paqe, harmoni dhe prosperitet.
Vdekja paraqet kulmin piradimor, të gjithëmotshëm dhe më të dhimbshëm e më tragjik të ndarjeve nga njërri-tjetri, nga më të afërmit, nga më të respektuarit, nga më të dashurit…
I pavdekshëm mbetët çdo ai  njeri i cili gjatë  jetës – sa ka qenë gjallë, ka bërë vepratë mëdha e të mira, e vepër e mirë, veç të tjerave, është edhe një fjalë e mirë, një kujtim i mirë; në mënyrë që njeriut (prej dikujt) t’i mbetën përshtypje të mira dhe kujtime të paharrueshme.
*
Mos shfreno egon tënde. Po e shfrenove veten, po nuk udhëheqe mirë dhe në vazhdimësi me veten, me ndjenjat (epshet), mendjen dhe arsyen është si kur lumi vërshon.
Në raste më të rënda të nervozizmit, është më rëndësi të frenosh veten.
Nëse me durim, mençuri dhe shkathtësi nuk i amortizon goditjet – pa marrë parasysh se nga vijnë dhe nga “kush” e cili vijnë, mund të bëhesh viktimë, t’i  përjetosh mundimet e peripetitë…
Mos ju nënshtro sjelljës meskime, qëllimit të fundit, e sidomos lëndimit të tjetrit, por bëhu kalorës i vemendshëm i fat- realitet.
*
Aty ku mungon dituria, civilizimi dhe intelekti (arsyeja), mbretëron militantizmi, primitivizmi dhe egërsia (barbaria).
*
Libri (leximi) është burim drite e diturie e jetës, i cili të shton diturinë, të pasuron fjalorin, ta pastron fjalorin, është shok i mirë në vetmi, të largon nga vetitë e këqija, nga veset e këqija…aty ku tubohen e ruhen libra, aty është biblioteka, të cilën duhet pasuruar me libra të rinj, duhet ruajtur, nga se biblioteka është shpirti i një shtëpie.
*
PAKUJDESIA është simotër e keqdashjës dhe keqbërjës. Jo rrallëherë pasojat nga pakujdesia janë të dëmshme dhe  të rrezikshme dhe dukshëm, shpeshherë, më të rënda, më afatgjata dhe më të pariparueshme, sesa ato të shkaktuara nga veprimet kriminale, dashakeqe, të qëllimshme e të  paplanifikuara më parë. Prandaj, ke kujdes!
 *
Diturinë dhe mençurinë duhet shfrytëzuar për punë të mira, të mbara, të dobishme; duhet përdorur e jo keqpërdorur.
I dituri flet gjithëherë, ndërkaq i mençuri flet kur e lypë nevoja, pra, kur lypset folur, ama  fjala e të mençurit i vën kapak çdo pune, të mirë, apo jo të mirë.

Rreth shkeljeve e rënda të të drejtave të njeriut nga grupi terrorist Muxhahedinët e Popullit (MEK)

0

Nga: Navid Zebarjadi

Raport për të Drejtat e Njeriut
Mbi terrorizmin e organizuar dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut nga grupi terrorist Muxhahedinët e Popullit (MEK)

  1. Hyrje

Ky raport është përgatitur me qëllim dokumentimin dhe ndërkombëtarizimin e dëshmisë së detajuar dhe të betuar të Issa Azadeh, ish-anëtar i lartë i shkëputur nga grupi terrorist Muxhahedinët e Popullit (MEK). Fokusi kryesor i raportit është pasqyrimi i saktë, narrativ dhe njerëzor i deklarimeve të tij të dhëna në një seancë zyrtare gjyqësore mbi aktet terroriste, strukturën komanduese dhe mekanizmat e shtypjes dhe frikësimit brenda kësaj organizate.

Raporti synon ta nxjerrë këtë dëshmi përtej kornizës së procedimeve gjyqësore të brendshme dhe ta paraqesë atë në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe së drejtës ndërkombëtare humanitare për përdorim nga institucionet ndërkombëtare. Ajo që vijon është përshkrimi i një modeli të vazhdueshëm sjelljeje të një grupi të armatosur terrorist me strukturë të centralizuar dhe të dhunshme.

  1. Sfondi, natyra dhe struktura e Organizatës Muxhahedinët e Popullit

Që nga formimi i saj në vitet 1960, Organizata Muxhahedinët e Popullit e Iranit ka pasur një karakter politik–ushtarak dhe ka zgjedhur përdorimin e dhunës së organizuar si mjetin kryesor të veprimit politik. Pas Revolucionit të vitit 1979, ky grup terrorist hyri në fazën e konfrontimit të armatosur dhe gjatë viteve 1980 u përfshi në një valë vrasjesh politike, atentatesh me bomba dhe operacionesh të dhunshme, viktima të të cilave ishin zyrtarë shtetërorë si dhe një numër i konsiderueshëm civilësh.

Gjatë luftës Iran–Irak, udhëheqja e organizatës u zhvendos në territorin irakian dhe grupi hyri në bashkëpunim të drejtpërdrejtë ushtarak, informativ dhe operacional me qeverinë e atëhershme të Irakut—një bashkëpunim që e shndërroi de facto grupin në një forcë të armatosur përfaqësuese (proxy). Shpallja e formimit të të ashtuquajturës “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” në vitin 1987 ishte më pak tregues i një force ushtarake konvencionale dhe më shumë një mjet për mobilizim ideologjik, bindje absolute ndaj udhëheqjes (Massoud Rajavi) dhe kryerjen e operacioneve me kosto të lartë dhe me mospërfillje ndaj jetës njerëzore.

Pas përfundimit të luftës, edhe pse roli i hapur ushtarak i grupit në dukje u zvogëlua, struktura e tij e brendshme u bë gjithnjë e më e mbyllur, e dhunshme dhe shtypëse. Arrestimet e brendshme, torturat, poshtërimet kolektive, divorcet e detyruara, ndërprerja e lidhjeve të anëtarëve me familjet e tyre dhe shtypja e ashpër e çdo forme kundërshtimi u shndërruan në praktika të konsoliduara.

  1. Dëshmitari kryesor i raportit dhe pozicioni i tij

Issa Azadeh është ish-anëtar i lartë dhe ish-zyrtar ekzekutiv i grupit terrorist Muxhahedinët e Popullit, i cili për shumë vite ka vepruar në nivele të larta organizative, përfshirë fushat e inteligjencës, trajnimit dhe menaxhimit. Në periudha të ndryshme, ai ka qenë anëtar i këshillit ekzekutiv dhe një nga komandantët e organizatës dhe, për shkak të pozicionit të tij, ka pasur njohuri të drejtpërdrejta mbi proceset vendimmarrëse, strukturën komanduese dhe mekanizmat e sigurisë së grupit.

Pas shkëputjes nga organizata, Azadeh, në mënyrë vullnetare dhe duke pranuar rreziqe të konsiderueshme personale, ka vendosur të dëshmojë mbi ngjarje që i ka parë vetë. Aktualisht ai banon në Francë dhe ka qenë subjekt i kërcënimeve, padive të shumta dhe madje edhe përpjekjeve për atentat fizik në Evropë.

  1. Dëshmia e detajuar e Issa Azadeh në gjykatë

4.1. Paraqitja në gjykatë dhe betimi

Të martën, më 19 nëntor, Issa Azadeh u paraqit në seancën e njëzet e tretë të gjykatës që shqyrtonte akuzat ndaj 104 drejtuesve të grupit terrorist Muxhahedinët e Popullit. Ai deklaroi se, pavarësisht mundësisë për të dhënë dëshmi përmes lidhjes video, për shkak të rëndësisë historike dhe morale të çështjes, kishte vendosur të udhëtonte personalisht nga Franca në Iran dhe të paraqitej në gjykatë.

Para marrjes së dëshmisë, gjyqtari kryesues e informoi se deklarimet e tij duhej të ishin të vërteta dhe se çdo deklarim i rremë do ta ekspozonte ndaj ndjekjes penale. Azadeh e pranoi shprehimisht këtë paralajmërim dhe, pas betimit, deklaroi se nuk do të thoshte asgjë tjetër përveç së vërtetës. Ai u prezantua si “një nga komandantët, përgjegjësit dhe anëtar i këshillit ekzekutiv të organizatës terroriste të Rajavit” dhe theksoi se prania e tij ishte plotësisht vullnetare dhe e motivuar nga ndjenja e përgjegjësisë.

4.2. Shpjegim kontekstual mbi shpërthimin në zyrën e Kryeministrisë (8 shtator 1981)

Për të kuptuar rëndësinë e dëshmisë së Issa Azadeh, është e nevojshme të ndalemi shkurtimisht te shpërthimi në zyrën e Kryeministrisë së Iranit më 8 shtator 1981, një nga operacionet terroriste më vdekjeprurëse në historinë bashkëkohore të Iranit.

Pasditen e asaj dite, në ndërtesën e Kryeministrisë në Teheran po mbahej një mbledhje e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare. Të pranishëm ishin Presidenti i atëhershëm Mohammad-Ali Rajai, Kryeministri Mohammad-Javad Bahonar dhe një numër zyrtarësh të lartë ushtarakë, të sigurisë dhe qeveritarë. Massoud Keshmiri, i cili në atë kohë njihej si Zëvendëssekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe punonjës i besuar i Kryeministrisë, ishte gjithashtu i pranishëm në takim.

Sipas raporteve dhe hetimeve të mëvonshme, Keshmiri kishte fshehur rreth dy paund TNT së bashku me magnez në një çantë dore që e mbante gjithmonë me vete. Ai e vendosi çantën pranë vendit ku ishin ulur Presidenti dhe Kryeministri dhe, disa minuta më vonë, u largua nga salla me pretekstin e kryerjes së punëve administrative. Pak më pas ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i cili çoi në vdekjen e Rajait dhe Bahonarit dhe plagosjen e disa të pranishmëve. Dizajni i bombës ishte i tillë që të kishte fuqi shkatërruese vdekjeprurëse në rreze të afërt.

Në orët e para pas ngjarjes, për shkak të intensitetit të zjarrit, u mendua gabimisht se Keshmiri ishte vrarë gjithashtu dhe madje emri i tij u përfshi në listën e martirëve. Megjithatë, hetimet e mëvonshme treguan se ai ishte larguar nga vendi para shpërthimit dhe kishte arritur të arratisej. Pak më vonë, autoritetet gjyqësore dhe të sigurisë iraniane e identifikuan zyrtarisht Massoud Keshmirin si autorin kryesor të shpërthimit dhe u vërtetua se ai kishte lidhje organizative me Muxhahedinët e Popullit, duke fituar akses të nivelit të lartë përmes infiltrimit gradual në institucione të ndjeshme.

Dëshmi të mëvonshme—përfshirë shkrime lavdëruese në botimet zyrtare të organizatës dhe pranimet jo-publike të Massoud Rajavit gjatë takimeve konfidenciale me zyrtarë të sigurisë irakiane—tregojnë për rolin e drejtpërdrejtë të organizatës në planifikimin dhe zbatimin e këtij operacioni. Në këtë kuadër, dëshmia e Issa Azadeh merr rëndësi të veçantë, pasi ai, nga brenda strukturës organizative dhe duke përmendur detaje të një mbledhjeje zyrtare, i referohet pranimit të brendshëm të organizatës dhe dijenisë së udhëheqjes për këtë operacion.

4.3. Tema kryesore e dëshmisë dhe pozicioni i dëshmitarit në kohën e ngjarjeve

Azadeh deklaroi se boshti i dëshmisë së tij ishte incidenti terrorist i 8 shtatorit 1981, duke theksuar se ky operacion nuk ishte një veprim i izoluar, por pjesë e një modeli operacionesh terroriste të dizajnuara në nivelet më të larta të organizatës. Ai shpjegoi se në verën e vitit 1989, ai punonte në Kampin Ashraf në Irak, në selinë e inteligjencës së organizatës, dhe se pas dështimit të Operacionit Mersad, organizata ishte bërë jashtëzakonisht e siguruar dhe represive.

4.4. Prezantimi i Massoud Keshmirit (Bagher) në një mbledhje zyrtare organizative

Sipas Azadeh, gjatë një mbledhjeje zyrtare organizative me praninë e Massoud Rajavit dhe Maryam Qajar Azdanlou, një individ me emrin Massoud Keshmiri (i njohur si Bagher) u thirr publikisht dhe u prezantua si autori i shpërthimit në zyrën e Kryeministrisë. Gjatë kësaj mbledhjeje, Maryam Qajar e pyeti Keshmirin nëse ishte ai që e kishte marrë çantën me bombë dhe e kishte vendosur në vendin e caktuar, dhe Keshmiri iu përgjigj pozitivisht të dyja pyetjeve. Ky dialog u zhvillua hapur dhe në prani të pjesëmarrësve, duke demonstruar pranimin e brendshëm të organizatës për rolin e Keshmirit.

4.5. Qëllimi i mbledhjes: kontroll, frikësim dhe parandalim i zbulimit

Azadeh shpjegoi se qëllimi i kësaj mbledhjeje nuk ishte llogaridhënia apo marrja e përgjegjësisë, por kontrolli, frikësimi dhe parandalimi i zbulimit të sekreteve—veçanërisht duke pasur parasysh se Keshmiri më parë kishte kërkuar të shkëputej nga organizata. Mbledhja u zhvillua në një atmosferë poshtëruese dhe psikologjikisht rraskapitëse për të dërguar një mesazh të qartë për anëtarët e tjerë: çdo përpjekje për t’u larguar ose për të zbuluar informacione do të kishte një kosto të rëndë.

4.6. Përgjegjësia e udhëheqjes dhe mungesa e pranimit publik të operacioneve

Sipas Azadeh, Massoud Rajavi kurrë nuk mori publikisht përgjegjësinë për operacionet e 7 korrikut dhe 8 shtatorit 1981, edhe pse brenda organizatës roli i saj pranohej. Ai theksoi se, nga këndvështrimi i udhëheqjes, këto operacione përbënin një “rrezik ekzistencial” dhe se zbulimi i tyre publik mund ta kishte vënë organizatën përballë një kërcënimi serioz. Megjithatë, operacione të tilla nuk mund të kryheshin pa miratimin dhe urdhrin e drejtpërdrejtë të nivelit më të lartë të udhëheqjes.

4.7. Konteksti më i gjerë: shtypja e brendshme dhe dhuna sistematike

Dëshmia e Azadeh i referohet arrestimeve të fshehta, burgjeve të brendshme, torturave, poshtërimit të rëndë të anëtarëve kundërshtues, shkatërrimit psikologjik të shumë individëve dhe keqpërdorimit të ndjenjës së fajit si mjet kontrolli organizativ—duke treguar se dhuna e organizuar ushtrohej si jashtë, ashtu edhe brenda organizatës.

  1. Analizë juridike (E drejta ndërkombëtare)

Veprimet e përshkruara përbëjnë shkelje të qarta të Nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës (1949), Neneve 6 dhe 7 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR), si dhe të rregullave zakonore të së drejtës ndërkombëtare humanitare mbi mbrojtjen e civilëve dhe ndalimin e terrorit dhe frikësimit. Sipas parimit të përgjegjësisë komanduese, udhëheqësit dhe komandantët që kanë ushtruar kontroll efektiv dhe kanë ditur ose duhet të kishin ditur për kryerjen e këtyre veprimeve mbajnë përgjegjësi penale individuale—parime që zbatohen plotësisht edhe ndaj grupeve të armatosura jostatërore dhe organizatave terroriste.

  1. Përfundim

Dëshmia e detajuar dhe e betuar e Issa Azadeh ofron një pamje të rrallë nga brenda një grupi të armatosur terrorist dhe tregon se operacionet terroriste dhe shtypja e brendshme kanë qenë pjesë e një modeli strukturor dhe të vazhdueshëm të kësaj organizate. Kjo dëshmi ka rëndësi thelbësore për zbardhjen e së vërtetës, llogaridhënien dhe mbështetjen e viktimave.

  1. Kërkesa drejtuar organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare

Organizatave ndërkombëtare dhe atyre për të drejtat e njeriut u kërkohet që:

  1. Të shqyrtojnë dhe të regjistrojnë këtë raport dhe dëshminë e përfshirë në të si dokumentacion të besueshëm;
  2. Të marrin parasysh natyrën terroriste dhe modelin e dhunës së organizuar të Muxhahedinëve të Popullit në vlerësimet e tyre;
  3. Të forcojnë mekanizmat e zbardhjes së së vërtetës, llogaridhënies dhe mbështetjes për viktimat.

Në prag të votës: mes ndryshimit dhe vendnumërimit

1

Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë

Ka momente kur koha nuk ecën drejt, por rri pezull. I tillë është ky fundvit për Kosovën. Dy ditë para zgjedhjeve të treta brenda një viti, vendi nuk merr frymë në atmosferë feste, por në një qetësi të rëndë, të mbushur me lodhje politike dhe zhgënjim qytetar. Dhjetori, që zakonisht sjell dritat e festave dhe pritjen e shpresës, këtë herë ngjan me një stinë reflektimi të hidhur, ku pyetjet janë më të shumta se përgjigjet.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë thjesht një proces elektoral. Ato janë pasqyra e një ngërçi të gjatë institucional, i cili ka mbajtur peng shtetin për gati një vit. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, politika dështoi ta shndërrojë votën e qytetarëve në institucione funksionale. Fituesit dhe humbësit, secili në mënyrën e vet, treguan se pushteti u intereson më shumë se shteti.

Në qendër të këtij bllokimi qëndron logjika e pushtetit absolut. Lëvizja Vetëvendosje, e bindur se kompromisi është dobësi dhe bashkëpunimi rrezik, zgjodhi rrugën e pritjes: të mos formojë institucione, të mos ndajë pushtetin, por të luajë kartën e zgjedhjeve të reja, duke shpresuar në një mandat edhe më të fortë. Në këtë lojë, përgjegjësia iu transferua gjithmonë të tjerëve, ndërsa propaganda u shndërrua në armën kryesore të mbijetesës politike.

E ardhmja parlamentare mbetet e paqartë. Pa sondazhe të besueshme, zgjedhjet e 28 dhjetorit janë një terren i hapur ku mund të ndodhë gjithçka. Gara mes Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate mund të prodhojë një Kuvend pa fitues të qartë, ku kompromisi nuk do të jetë më zgjedhje, por domosdoshmëri.

Dilema e qytetarit është thelbësore dhe morale: a duhet shpërblyer edhe një herë qeverisja absolute, apo duhet kërkuar një ekuilibër i ri? Katër vitet e fundit lanë pas më shumë zhurmë propagandistike sesa rezultate të prekshme. Aferat korruptive që dolën në sipërfaqe janë vetëm maja e ajsbergut, shenja paralajmëruese se pushteti i pakontrolluar prodhon abuzim.

Milionat e shpërndara në prag zgjedhjesh, në emër të “ndihmës sociale”, ngjajnë më shumë me një përpjekje për blerje votash sesa me politika të qëndrueshme publike. Një shtet nuk ndërtohet me dhurata të përkohshme, por me institucione të besueshme. E kur këto mjete përdoren pa legjitimitet të freskët zgjedhor, dyshimi bëhet i pashmangshëm dhe përgjegjësia penale një kërkesë e arsyeshme.

Demokracia nuk jeton nga brohoritjet, por nga balanca. Ndarja e pushteteve – ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor – është themeli i saj. Në vitet e fundit, kjo balancë u thye. Kuvendi u shndërrua në zgjatim të qeverisë, ndërsa drejtësia u trajtua si pengesë, jo si shtyllë e rendit demokratik.

Përtej kufijve të brendshëm, Kosova përballet edhe me sfidën e raporteve ndërkombëtare. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë dëmtuar nga një politikë konfrontuese dhe e pakoordinuar. Dokumentet e fundit strategjike nga Uashingtoni, nën administratën e Donald Trump, tregojnë qartë se SHBA-ja mbështet një Kosovë demokratike dhe sovrane, por edhe një udhëheqje me të cilën mund të bashkëpunojë. Kjo është një thirrje për maturi dhe realizëm politik, jo për retorikë të brendshme.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk arriti ta forcojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, as ta udhëheqë vendin drejt integrimeve euroatlantike. Një shtet i vogël nuk mund të ecë i vetëm; ai ka nevojë për miq, për aleanca dhe për një diplomaci që di të dëgjojë dhe të kuptojë.

Në prag të ndërrimit të moteve, vota e 28 dhjetorit është një akt vetëdijeje. Është zgjedhje mes dritës dhe mjegullës, mes ndryshimit dhe qëndrimit në vend. Nuk është vetëm pyetja “për kë do të votojmë”, por “çfarë Kosove duam”. Një Kosovë të mbyllur në pushtetin e një njeriu, apo një Kosovë të hapur ndaj bashkëpunimit, balancës dhe së ardhmes.

Përgjigjja nuk do të vijë nga fjalimet, por nga kutitë e votimit. Dhe ajo përgjigje do të përcaktojë jo vetëm vitin 2026, por edhe rrugën që ky shtet i ri do të zgjedhë për të ecur përpara.

Ukë Rugova në shënjestrën e armiqve të babës!

1
Ibrahim Rugova pak para se të vdiste e vuri gurthemelin e Katedrales Shën Tereza në Prishtinë.
Idriz Zeqiraj, Gjermani
____
      Normalisht, Dr. Ibrahim Rugova me sjelljen njerëzore dhe morale supreme që kishte, nuk duhej të kishte armiq personal. “Askujt dreq me gojë nuk i ka thënë”,-siç shprehet populli. Dalja për zot Atdheut-Kosovë, e përballi me pushtuesin shekullor serb. Kundërshtia e Tij, me fjalë e veprime të mençura, godiste si me topa.
     Edhe pa ushtri, polici zyrtare e gjyqësi shtetërore, diciplinoi popullin e tij, duke e këshilluar dhe shpresuar se koha punon për shqiptarë dhe Kosovën, ditë të mira do të vijnë edhe për popullin tonë të shumëvuajtur.
     Pushtuesi ishte i hershëm në planet e tij ogurëzeza. Argatët e tij shqipfolës akuzonin dhe koordinonin intriga e kurthe kundër udhëheqësit shpirtëror, tashmë, President i Kosovës. Zërat shtoheshin: “Duam luftë”,- çirreshin ata. Por, kur filluan krismat, hileqarët ishin larg frontit!
     Aleati i dorë së parë sugjeroi, më saktë, ultimatoi Presidentin Rugova: “Luftën duhet ta fillojë e para Serbia. Pëndryshe, çdo thyerje e kësaj porosie rrugë të mbarë pa Amerikën!” Kjo ishte porosi e brendshme, andaj kundërshtarët politikë vazhdonin kritikat dhe intrigat – njëherësh.
     Pushtetin moral përgjatë një dekade para lufte, Presidenti Rugova e shtoi me pushtetin faktik fizik pas luftës. Disa “biçim komandantësh”, të cilët mrizonin në “Bllokun e Zi” të Tiranës, gjatë luftës, tani, pas luftës donin pushtetin përdhunshëm e përgjakshëm. Vrasjet e kundërshtarëve politikë, gjatë pas luftës, ishin tmerr dhe terror. Në shënjestrën vrastare ishin oficerët luftëbërës të FARK-u të Ibrahim Rugovës: veprimtarët dhe aktivistët e LDK-së; gazetarët dhe korrespondentët e luftës; por, edhe brenda llojit, veprimtarë të hershëm të LPK-së, për të shmangur konkurrencën pushtetare të pritshme në Kosovën e lirë!
     Autoriteti i Presidentit Rugova nuk u zbeh as nga tam-tamet agjitative se “ne, UÇK-ja e çliruam Kosovën, as akuza “tradhtar”, siç bëri presidenti shqiptar Mejdani dhe e përsëriti zëdhënësi i UÇK-së në televizionin shqiptar!
     Pasi dështoi propaganda lehaqene agjitative, banda e “komandantëve” vrasës, vendosi eliminimin fizik të Presidentit.
     Kryetari i LDK-së të Rugovës, komandanti i UÇK-së të Rugovës dhe deputeti i Kosovës, Smajl Hajdaraj, përmes vëllait të tij, Fazliut, në Gjermani, na kërkoi blerjen e një veture të blinduar, sepse “jeta e Presidentit Rugova është në rrezik”. Një grup mërgimtarësh, me dominim rugovas, u organizuam, duke dhënë nga 1.000 marka, ndonjë biznismen edhe më shumë, dhe në kohë rekorde u plotësua kërkesa.
     Njëri nga atentatorët dëshmon: “Po të mos ishte makina e blinduar, makina normale do të fluturonte në ajër, së bashku me Rugovën”.
      Askush nuk u muar me tentim vrasjesn e Presidentit! Drejtësia ishte dhe mbeti peng e komandantëve pushtetarë. “Dashti Zoti dhe shpëtova edhe kësaj here”,- tha Dr. Rugova asaj dite të takimit me sekretarin Solana. Dihen me emër e mbiemër organizatorët dhe tre pjesëtarët e telekomandës të tritolit shpërthyes. Dy syresh, në vazhdim të karrierës, janë kandidatë për deputetë!
Rasti Ukë Rugova:
     Nënë Lezja e Luigj Gurakuqit e pyeti atë; pse nuk po martohej! Gurakuqi ynë qe përgjigjur: “Nuk dua t`ua lë fëmijvë të mi mërinë, urrejtjen e armiqve të mi”. Dhe, pengu ynë i madh është se Gurakuqi nuk na la trashëgimtarë. Keqardhje e dhimbje shpirti!
     Përkundrazi, Presidenti Rugova la dy djem dhe një vajzë, së bashku me nënën e tyre fisnike dhe dinjitare – Fane Rugova. Politikanë të pafisëm, rrugaçë e kriminelë, për ta denigruar figuren madhore të Presidentit Rugova, sajuan skandalin për çështje të vizave, edhe pse tregtia e vizave ka qenë masive dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi. Gjthçka është e kurdisur nga pushtetarë të lartë, personat e ofruar, profiterët zyrtarë.
      Qëllimi ishte denigrimi i Presidentit Rugova, ngritja artificiale e ndonjë figure zëvendësuese, me emërtesa “komandant”, “kryekomandant”, “komandant suprem”, ndërkohë që, atëbotë, nuk kishte as batalione, as brigada ushtarake, pa të cilat njëssi nuk ka as komandantë!
     Nuk u mjaftuan me Ukë Rugovën, për të cilin u sajua dosje e falsifikuar dhe u mbajt peng, pa guxuar ta shpallin të pafajshëm, pikërisht, nga zyrtarët e lartë, të cilët e kishin gatuar këtë “çorbë të thartuar”. Më në fund u gjend edhe momenti i deklarimit të pafajësisë.
     Komandantët pushtetarë, ngulmues në poshtërsinë e tyre. Ata iu turrën vajzës engjellore, Teutë Rugova! U përzgjodhë të votojë, përkundër përcaktimit të partisë të saj, LDK-së, për të dhënë votën për qeverinë e AAK-së! Nën shantazhin kriminal, kushtëzuar me ndëshkimin, dënimin e të vëllait, Ukës, nëse refuzon votën për qeverinë e arnuar edhe me deputetë të “Lista Serbe”!
     Analoge me shantazhimin kriminal, që ka përdorur edhe PDK-ja, qysh në kohë lufte, ndaj të burgosurit politik dhe gazetarit të “Bota sot”, Shefqet Jashari Strofci: “Ose hesht, mos shkruaj, ose ta vrasim djalin e hasretit”! I njëjti shantazh është përdorur edhe ndaj Jashar Salihit, për ta grabitur Fondin “Vendlindja thërret”. Së fundi, për shantazh e kërcënim ose “tërhiqu nga dëshmia në Gjykatën e Hagës, ose ta vrasim djalin e hasretit”, po përballën Hashim Thaçi me dostat e tij kriminelë.
     Ukë Rugova – është përzgjedhur kandidat për deputet në listën e LDK-së me numër 10. Në nderim të Presidentit Ibrahim Rugova;  në ngushëllim dhe lehtësim për vuajtjen fizike, psikologjike e shpirtërore, të pamerituar të Ukë Rugovës dhe të Familjes Simbol Rugova, është në nderin e anëtarësisë dhe të elektoratit rugovian, të dhurojnë votën e tyre fisnike.
    Kjo votë do të ishte konfirmuese e një besimi dhe respekti, për të gjithë shqiptarët vendorë dhe botërorë, të cilët nderojnë shtet formuesin dhe shtet ndërtuesin e Kosovës tonë bashkëkohore.
      Urojmë për bindjen dhe mirëkuptimin Tuaj!

Zgjedhjet në Kosovë – 28 dhjetor 2025

0
Nga Ismet M. Hasani, Suedi
 
Votimet (zgjedhjt) e 28 dhjetorit në Kosovë përbëjnë një moment kyç në zhvillimin demokratik të vendit, duke reflektuar jo vetëm preferencat politike të qytetarëve, por edhe besimin e tyre në institucionet dhe proceset demokratike. Me mbetur vetëm dy ditë deri te votimi, fokusi i mediave dhe analistëve është kryesisht tek renditja e subjekteve politike, pritshmëritë për daljen në votime dhe ndikimi që rezultati zgjedhor mund të ketë në konfigurimin e qeverisë së ardhshme.
Lëvizja Vetëvendosje shihet si favorite për të dalë subjekti i parë në këto zgjedhje. Mbështetja e saj buron nga imazhi si forcë reformuese, retorika kundër korrupsionit dhe mobilizimi i një elektorati relativisht të qëndrueshëm. Megjithatë, një fitore e tillë mund të mos sigurojë automatikisht një shumicë të qartë parlamentare, duke e bërë të pashmangshëm diskutimin mbi koalicionet paszgjedhore.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të konkurrojnë ngushtë për vendin e dytë. Të dyja partitë mbështeten në strukturat tradicionale partiake dhe elektoratet e tyre të qëndrueshme, por përballen me sfida të ndryshme lidhur me mobilizimin e votuesve dhe perceptimin publik. Diferencat mes tyre pritet të jenë minimale dhe të ndikuara nga dalja në votime, sidomos në zonat urbane dhe tek votuesit e pavendosur.
Një element vendimtar për zgjedhjet e 28 dhjetorit mbetet pjesëmarrja në votime. Historikisht, niveli i daljes ka qenë mesatar dhe ndikohet nga zhgënjimi politik, emigrimi dhe perceptimi për efektivitetin e votës. Parashikohet që pjesëmarrja këtë vit të lëvizë rreth 40–50 për qind. Një dalje më e ulët mund të favorizojë partitë me elektorat të disiplinuar, ndërsa një dalje më e lartë mund të ndryshojë renditjen përfundimtare dhe të krijojë hapësirë për surpriza zgjedhore.
Subjektet më të vogla, edhe pse me ndikim më të kufizuar në votën popullore, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e shumicës parlamentare. Kalimi i pragut zgjedhor nga këto parti mund të ndikojë drejtpërdrejt në aritmetikën parlamentare dhe në formimin e qeverisë, duke theksuar nevojën për negociata dhe kompromise politike.
Në përfundim, zgjedhjet parlamentare në Kosovë zhvillohen në një kontekst politik ku asnjë subjekt nuk ka dominim të plotë. Lëvizja Vetëvendosje hyn si favorite për vendin e parë, por rezultati përfundimtar dhe formimi i qeverisë së ardhshme do të varen nga balancat parlamentare dhe aftësia e subjekteve politike për të ndërtuar koalicione funksionale. Kjo situatë reflekton një pluralizëm politik në zhvillim dhe sfidat e vazhdueshme të demokracisë kosovare në krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Për fushatën uroj që mos të shkruajnë më, ngase jemi në pragun e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe pas këtyre gjedhjeve, mos të kemi më fushatë.
Fushat e deritashme ka qënë “FUSHATË E GABUAR”
*
Analistët politikë, nga ana e tyre, thonë se zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë karakterizohen nga fakti se janë zgjedhje të jashtëzakonshme,  të thirrura për të zgjidhur bllokimin institucional të krijuar për më shumë se nëntë muaj pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, kur asnjë parti nuk arriti të formojë qeverinë. Analisti Blerim Burjani i tha DW-së se ai “nuk beson dhe nuk është optimist se ka një këndellje të partive politike në bërjen e koalicioneve dhe formimin e institucioneve pas zgjedhjeve”.
“Pozicionet dhe qëndrimet e subjekteve politike nuk kanë ndryshuar. Njëherë po merren me fushata dhe nuk ka deklarime apo zotime se do të themelojnë institucionet pas zgjedhjeve pa humbur kohë. Disa liderë opozitarë po thonë se opozita kësaj radhe do ta bëjë qeverinë, kjo mbetet për t’u parë, derisa Vetëvendosja nuk po jep deklarata shpresëdhënëse se do të lëshojë pe nga qëndrimet e tyre të mëparshme dhe gjasat për bllokadë të sërishme janë të mëdha”, thotë Burjani, duke shtuar se megjithatë duhet pritur rezultati i zgjedhjeve. “Asgjë nuk është e garantuar e as e negociuar në mes subjekteve politike. Moszgjedhja eventuale e presidentes në fund të marsit sërish nënkupton zgjedhje”.
Pak para zgjedhjeve, ambasadorët e vendeve të QUINT-it vazhdimisht bëjë thirrje që zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të zhvillohen në mënyrë të rregullt, të lirë dhe demokratike, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik për të ardhmen evropiane të vendit. Bashkimi Evropian, në një deklaratë të mëhershme, ka thënë se një proces zgjedhor i besueshëm është kusht thelbësor për rikthimin e plotë të bashkëpunimit me institucionet evropiane, zhbllokimin e ndihmave financiare, si dhe avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.