Kreu Blog Faqe 357

Ai që e quan flamurin shqiptar, “flamur të së pavërtetës”, si imami Jakup Asipi dikur, ai po shpall armiqësi ndaj vetë ekzistencës sonë historike

2

Majlinda Nikçi

Kur dikush del dhe e quan flamurin shqiptar “flamur të së pavërtetës”, ai nuk po bën debat fetar — ai po shpall armiqësi ndaj vetë ekzistencës sonë historike.
Dhe kur 1912-ën e quan humbje, jo çlirim, ai nuk po sfidon një datë — po mohon sakrificën, gjakun dhe ringjalljen e një populli.
Mulla Jakup Hasipi po flet në emër të fesë arabe; ai po flet në emër të një besimi që e sheh kombin shqiptar si pengesë, e jo si amanet.
Flamuri shqiptar nuk është idhull.
Është dëshmi.
Është shenjë e një populli që mbijetoi perandori, shpërngulje, masakra — dhe u ngrit më 1912 jo për të humbur, por për të dalë nga robëria.
Kush e quan atë ditë humbje, duhet ta thotë qartë:
për kë ishte fitore robëria?
Për kë ishte e mirë zhdukja e gjuhës, e emrit, e tokës?
Feja nuk ndërtohet duke shkelur kombin.
Zoti nuk nderohet duke pështyrë historinë e një populli të tërë.
Dhe askush nuk ka të drejtë morale t’i quajë “të pavërtetë” simbolet që mbajtën gjallë këtë komb kur s’kishte as shtet, as mbrojtje, as zë.
1912 nuk ishte humbje.
Ishte kthim në këmbë.
Dhe kush e urren atë moment, ka problem jo me flamurin — por me lirinë vetë.
Kjo qe them nuk është ekstremizëm kombëtar.
Është minimumi i dinjitetit.
Shih videot e mëposhtme:

Ty, Lahutë , poezi nga Mentor Thaqi

1

Mentor Thaqi

___

TY, LAHUTË

(Letër rrëfyese n´adresë pa numër poste)

Kâm nji jetë që di e due me t´nig´jue
oj Fisnikja e Lashtësisë t´èmè,
ti motra binake e Okarin´s!

Me zânin tân ngrihem e shkrihem,
bi e çohem,
vdes e le´em,
kjaj e knoj … k´shtu qysh rrnoj!

Ev që kurrë nuk dita me t´ra
qysh dita me t´nig´ju
e qysh u msova me t´dashtë,
e ti ma falë kët´ m´kat
se edhe n´pleqni msohet,
se edhe zânin e plakut e përgdhelë,
se ti ke shpirt mali,
ke zemër lisi,
ke fije kali
e herë t´fisnikes fisi!

Lahutë, jemi vonue shumë,
ti je msue me vonesat tona
rrug´ve t´gata nëpër fortuna
edhe n´kângë na qorton,
herë kjanë e herë knon!

E ne … bukur plangprishës,
e vonja n´pritje na nxán,
edhe deren therra e murriza na e nxâjnë
për t´keqen tonë
që u djeg e u pjek
që kurrë s´na u bâ vonë
që moti na rjepë!

Atje ku tash shkove, oj Zojë,
atje shkoi shkrimi për ty e ti mas me gojë
e thua jeten për ne e veten,
për kasneca s´ke nevojë,
po le t´ngrohen pak edhe tjerat përrreth,
i çuan e peng rrene i lanë,
po ngrohtësia jote âsht si abc bote!

Fisnikja Lahutë,
nji gjâ s´ta thash e po ta thèm,
se s´di ku e lash, po qe ku e kèm´,
edhe kur ma dogjen malin,
e kur s´pata lisa,
pa ty s´mèta kurrë,
herë me kungull e herë pocërrkë,
me fije floku Thanushe,
n´breg mali e n´lug fushe,
ty gjallë e kângèn gjallë,
me nèrin tân n´ballë!
…
Mentor Thaqi
09 dimnor 2025

PS: E kâm nji nip t´èmnit e t´fisit tèm diku n´ato brigje e shtigje Vokshi, që âsht tue u munue me ty me m´nèrue e me m´gzue, oj Fisnikja jonë e lashtë, ti motra e Okarinës Dardane, ti mèsa e Xhyblet´s! Ai, pa m´pvetë, ma kish lexue e knue dashninë e shpirtit për ty, Lahutë! Ma shumë se nèri nuk peshon gjâ n´kët´ jetë!

Rrëfime për burgun të atdhetarit Nait Hasani

1

Flori Bruqi, Prishtinë

Sjelljet e gardianeve sikur ishin më të buta në krahasim me ditët e mëparshme. Ne ishim në dhoma, ndërsa na lejuan me ble gazeta me fillim në gjuhën serbe e më pas edhe na i lejuan me i lexuar edhe gazetat që botoheshin në Prishtinë si: “Koha Ditore”, “Epoka e Re”, “Bota Sot” e “Zëri”. Këto gazeta na i sillnin familjarët tonë që vinin në vizita.

Me lejimin e gazetave sikur u thye terri informativ në burg. Lexoja “Danasin” dhe mund të shihje pozitën e Gjingjiqit me qeverinë e tij. Aty lexuam 15 pikat e kryeadministratorit Hakerup për Kosovën. I lexonin dhe i analizonim, e dinin se Kosova edhe pse e çliruar tashmë, megjithatë kishte presion të madh ndërkombëtar, ashtu shkruante në shtypin serb.
Ne vazhdonim qëndrimin në burgje. Ndryshime të përditshme për të mirë sa vinin e shtohen, pas grevës që mbajtëm. Na lejuan vizitat e familjarëve, si dhe brenda në pakot që na vinin familjarët me gazeta na i pështjellonin e ne ato i lexonin.
Në këtë gjendje që ishim, filluan të na vijnë edhe paketat me ushqime nga familjarët tonë që jetonin në perëndim. Ata na dërgonin në paketa edhe ilaçe për shërim të plagëve. Mua mi dërgonte ilaçet vëllai im Zaiti i cili jetonte në Gjermani. Ai atje kishte shkuar për të mbajture familjen që në fill të viteve të ’90-ta. Po ashtu më ndihmonte edhe mua që isha edhe student por edhe në aktivitete ilegale. Edhe të tjerët u ndihmonin u ndihmonin familjarëve të tyre që ishim aty.
Këto paketa na përmirësuan kushtet në burgje, sa me ushqime e sa me veshmbathje.
Por në një ditë duke e lexuar shtypin serb morëm vesh se në burgun që ishim ne e kanë sjellë edhe Slobodan Millosheviqin si të burgosur.
Kjo ishte një befasi për mua se si presidenti i shtetit të Serbisë arrestohet e burgoset për krimet që i ka bërë në Bosnje e Kosovë.
Kryegjelatin Sllobodan Millosheviqin e vendosën në një kat më poshtë nga ne. Ne në dhoma filluam të pakoheshim çdo ditë sepse filluan t’i lirojnë disa me gjyqe të improvizuara e disa kinse me përfundime të dënimeve. Nga numri që ishim thuaja se u përgjysmuam. Në dhomën tonë ishim të gjithë të burgosurit ashtu siç na kishin futur aty përpos Ismetit që u lirua, pasi e kreu dënimin që e kishte. Gjatë këtyre ditëve pasi filluan vizitat mua më erdhi nënë, dikujt gruaja dikujt gjyshja, por që të gjitha të gjinisë femërore, sepse burrat (baballarët e vëllezërit) tonë kishin frikë se mund t’i arrestonin. Ne u interesonim të dinin sa më shumë për të afërm për familjar, shokë e miq, por edhe për pasurinë tonë për shtëpi e çka kishim se a kanë shpëtuar etj, etj. Disa merrnin lajme të mira e disa jo të këndshme sepse tashmë kuptuar se kishte shumë të vrarë e të zhdukur dhe pothuajse e gjithë Kosova ishte djegë nga ushtria serbe.

Edhe unë bëja të njëjtën gjë me nënën time duke e pyetur për çdo gjë dhe ajo më tregoj që ndërkombëtarët po i ndihmojnë Kosovës në rindërtim si dhe për shokët që kanë ra dëshmorë dhe për të gjallët. Po ashtu më tregoj se shokët e mi po i vizitojnë shpesh duke përmendur; Hashimin, Kadriun, Rexhën, Fatmirin, Samiun, Ramushin, Fitnetin e Fatonin, Dautin e Azemin dhe në veçanti ‘Plakun’ Xheladin Gashi. Për të gjithë ndjeja mall. Gëzohesha që janë gjallë, që e kemi fituar luftën dhe tash do e ndërtojmë edhe shtetin. Nëna më fliste edhe për Fatmirën, për vizitat e saj në familje, për të afërmit që po u rrinë gati me ndihma, për axhallarët etj.

Pas ardhjes së Millosheviqit në CZ, sjelljet e gardianëve filluan të ndryshonin. Ata filluan të bëheshin më agresiv ndaj nesh. Para burgut filluan protestat e anëtarëve të partisë Socialiste që udhëhiqeshin nga pionieri i Millosheviqit, Ivica Daçiqi.
Sa më të dhunshme bëheshin protestat para burgut edhe sjelljet e gardianëve bëheshin më të ashpra ndaj neve të burgosurve shqiptar. Një ditë prej ditësh kur kishin ardhur nënat tona në vizitë, ishin sulmuar para dyerve të burgut nga protestuesit serb dhe pothuajse të gjitha nënat tona ishin lënduar nga ky sulm. Këtë mora vesh nga qëndrimi i nënës sime e cila nuk mund të rrinte ulur nga dhimbjet që kishte pësuar nga huliganët serb, po ashtu edhe nga nënat tjera të cilat folshin me zë të lartë se çka u ka ndodhë. Disa nëna që ishin nga Ferizaj i kishin treguar Ylberit së një të burgosurit, Hasanit i kishte vdekur bashkëshortja. Nait Hasanin unë nuk e kisha në dhomë, ai ishte në dhomën afër nesh. E shihja Hasanin gjatë shëtitjes, e ai nuk dinte gjë për gruan e tij. Por nga telepatia thuaja se shpesh natën e shihte në ëndërr gruan e vet, ashtu na thoshte. Gruaja e Nait Hasanit kur i kishte pa burgjet duke u djegur, kishte pësuar infarkt. Familjarët e tij nuk i tregonin, e mbanin me premtime, duke ia bërë me dije se në vizitën tjetër të vjen edhe gruaja. Fal zotit edhe Hasani u lirua një ditë, dhe iku për Kosovë, aty ku e prisnin familjarët por pa pritjen e ngrohë të gruas së tij.

Por pas kësaj dhune e pas kësaj ngjarje mes protestuesve serbë të dhunshëm ndaj nënave tona u morën masa edhe ndaj neve, ata na siguronin tani më shumë nga frika se mund të hyjnë në burgje dhe të na vrasin protestuesit serb të udhëhequr nga Daçiqi. Siç duket organizatat e ndryshme ndërkombëtare kishin bërë presion të madh dhe tani edhe në Parlamentin e Serbisë flitej dhe për të burgosurit shqiptar, por që radikalët e Sheshelit kundërshtonin lirimin tonë, ndërsa aty në parlament përmendin edhe emrin tim, duke thënë se si me i liruar terroristet kryesor duke më identifikuar mua me emër. Ashtu shkruante gazeta “Danas”. Kështu ata mendonin për neve. Kështu edhe vepronin ndaj nesh. Kur erdhën nënat prapë në vizita unë u thash që mos të vijnë më me na vizituar në këtë situatë sepse ishte rrezik për to.

Pas kësaj situate të krijuar kishte reaguar edhe Fondi i Natasha Kanqiqit kundër radikalëve dhe socialistëve serb që bënin dhunë jashtë burgut.

Ne u përgjysmuam shumë në burg tashmë. Shumica e të burgosurve kishin blerë lirinë me lek përmes avokatëve e matrapazëve, ndërsa ne kishim mbetur si pengje në treg duke na llogaritur dhe caktuar çmimin për lirinë tonë. Gjatë këtyre ditëve që nuk kishim mbetur më shumë se 60 të burgosur shqiptar na erdh urdhri që të mbledhim rrobat tona dhe çka kishim e të dalim nga dhomat. Aty na bashkuan nga dy dhoma bashkë. Unë isha në dhomë me Hamdiun dhe u bëmë bashkë me Gazmend Tahirin, Muhamet Avdiun, Besim Zymberin, Skender Ferizin, Bujar Sylen, Iliri Kortoqin etj.

Tashmë pasi u bashkuam me dhomat tjera filluam të diskutonim e të debatonim për situatën e krijuar në Kosovë, për politikën që zhvillohej atje, për burgosjen e Millosheviqit, dhe edhe pse nuk pajtoheshim në shumë pika megjithatë diskutonin dhe ecte koha.

Ashtu bashkë në këtë dhomë si përditë, rutina na mbulonte. Në vizitën e mëparshme i thashë nënës me na sjellë një transistor si dhe mënyrën se si me i fshehë që mos me e marrë vesh gardianët kur të na i kontrollojnë paketat. Në vizitën e radhës erdhën nënat tona në vizitë. Dolëm grup nga dhoma jonë e dhomat tjera në vizitë. Na lanë thuaja tashmë më të lirë, flitej shumë për lirimin tonë po ashtu edhe u liruan shumë, nga ata që nuk ishin të dënuar. Ashtu të fshehur në përpeq (pite) e kishin shti tranzitorin ndërsa bateritë në napolitanka. I morëm, gardianet nuk na kontrolluan fare, ashtu si ishin në grup, na i dhanë pakot tona me ushqime.

Unë me shpejtësi e hapa byrekun dhe e nxora tranzitorin, që e më tregoj nëna se ku e kishte fshehur. U fsheha në një qoshe të dhomës dhe e lëshova radion e vogël për të dëgjuar diçka në gjuhën shqipe, por fatkeqësisht asgjë nuk mundën të dëgjonin, përpos radion kineze në gjuhën shqipe, si dhe të shteteve që jepnin lajme në gjuhë të bashkim –vëllazërimit që nga koha e komunizmit. Unë dëgjoja radion dhe kërkoja frekuenca në shqip, e shokët e dhomës kujdeseshin a mos po kalon andej ndonjë gardian.

Por kjo nuk zgjati më shumë se dy javë. Si për çudi një gardian e hapi derën e korridorit duke bërtitur, a ka vullnetar me dal me fshi, dhe vjen e hap derën tonë. Unë isha duke ecur nëpër dhomë, sepse ashtu vepronim se më qenë në shëtitje. Pra qëllova afër derës. Sipas rregullores së burgut kur hapet dera të gjithë në këmbë duhet të ngritën, si dhe po ashtu është dashtë të kthehemi më fytyrë prej murit që mos me e gardianin.

Gardiani me krenari prej një fodulli serb, mu drejtua mua, hajde Ti me e fshi dhomën e Millosheviqit. Kjo thirrje me ra në kokë sikur plumb. Më mpiu kokën dhe më mbushi neveri e urrejtje. E ngrita kokën e shikova gardianin që rrinte në këmbë e i thash unë nuk dal me ia fshi dhomën Millosheviqit, unë e kam luftuar Millosheviqin dhe nuk dal me fshi. (Unë asnjëherë për gjithë kohën që kamë qëndruar nëpër burgje, afër 11 vite, asnjëherë nuk kam fshi e dal me punuar asnjë ditë në arat e Serbisë. Pra përveç, dhomës time që e kam pastrua). Gardiani kur i dëgjoj që po e refuzoj unë, iu drejtua tjerëve në dhomë që ata të shkojnë vullnetar për t’ia pastrua Millosheviqi dhomën në burg, por të gjithë një zëri pas meje e refuzuan atë urdhër të gardianit. Gardiani u mbush helm, doli jashtë duke bërtitur dhe duke na kërcënuar se tani do ta shihni se çka ka me u gjet juve.

Unë isha pajtuar me çdo dhunë ama me dal me ja fshi dhomën Millosheviqit kurrë, pra isha i gatshëm edhe të pushkatohem e jo ti përkulem Millosheviqit. Unë në burgun e Prishtinës, në maj të vitit 1998, ku kishte ardhur në vizitë ministri i drejtësisë i Serbisë i kam thënë: Unë një ditë kam me dal nga burgu e ju keni me hy në të. Kështu i pata thënë kur me pyeti se sa jam i dënuar dhe për çka jam i dënuar. I tregova se jam dënuar me 20 vjet burg si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pastaj më pyeti se sa njerëz i kam vra?

Përgjigjja ime ishte: Nuk kam vra njerëz por kam formuar UÇK-në. Pas kësaj bisede më tha e si po mendon Ti me dal nga burgu?!. I thash krejt lehtë, do të vjen ushtria jonë dhe do të na liron. Ministri me bashkëpunëtor të tij kanë shikuar njëri tjetrin , pastaj kanë shikuar dritaret a janë me hekura dhe ka siguri në këtë dhomë. Në atë kohë në dhomë kam qenë me Isak Shabanin e Besim Ramen dhe me një ordiner spiun shqiptar. Dhe kur mu kujtuan ato fjalë që ia kisha thënë ministrit serb si mund t’ia pastroj tani Millosheviqit dhomën kur edhe ai ishte në burg.

Pas rrapëllimës së derës nga gardiani në dhomë u krijua heshtja dhe frika. Frika se tash mund të vinin dhe të na rrahin për këtë kundërshtim tonin si dhomë komplet. Në ato qaste mu kujtua libri i Dostojevskti “Të poshtëruar e të fyer”

Ato që i kisha lexuar e kisha vërejtur se si pushteti tenton të fyej e poshtëroj pafundësisht njerëzit duke treguar fytyrën e vet pushtetarë. Qëndrimi ynë refuzues më epte fuqi dhe ripërtërinte energjitë, tashme dhe më shumë sepse Kosovën e kishim të çliruar.

Atë natë nuk erdhën gardianet fare tek ne më. Ramë me fjet dhe lëshova nën batanije tranzitorin me dëgjuar lajme. Gjendja ishte tensionuar edhe më shumë afër burgut, sipas lajmeve serbe, për shkak të Millosheviqit. Ishte paralajmëruar një vizitë e Carla del Pontes në Beograd. Kjo tregonte se do ta transferonin për Hagë. Por dukej e pabesueshme për neve me e dërguar në Hagë Millosheviqin. Ishte hera e parë në historinë e Serbisë t’i ndodhte një ngjarje e tillë . Kishte ngjarje kur i kishin vra udhëheqësit e tyre, por bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës dhe dërgimi i presidentit të tyre ishte e pa perceptueshme për neve. Siç dihet këtë e bëri Zoran Gjinçiq i cili më vonë u vra nga bandat shtetërore serbe.
Pra tashmë isha barazuar me Millosheviqin. Ishim në të njëjtin burg.

Unë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës të cilën e kisha bërë me shokë nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ai me ushtrinë e policinë serbe për ta pushtuar e mbajtur të shtypur Kosovën. Unë një student me emblemat e UÇK-së në shpirt e zemër për lirinë e vendit tim, ai president i shtetit i burgosur për krime lufte e gjenocid ndaj popullit shqiptar e popujve tjerë, që me urdhër të tij në Kosovë ishin vrarë e varrosur nëpër Serbi me qindra e mijëra fëmijë, gra e pleq, djegur me qindra mijëra shtëpi e ekonomi familjare.

Duhet falënderuar Millosheviqin për bombardimin e Serbisë nga NATO-ja. Ai e bombardoi shtetin e vet duke mos e nënshkruar marrëveshjen e paqes në Rambuje e Paris. Ai jo vetëm që nuk e nënshkroi por edhe e burgosi veten.

Tashme ne të dy, Ai dhe Unë ishim në një burg në Beograd. Ashtu kisha deklaruar në burgun e Prishtinës, mua me priste liria në Kosovë, ndërsa klikën e Millosheviqit i priste burgu dhe vdekja në Hagë.

Situata jashtë ashpërsohej edhe më shumë nga përkrahësit e Millosheviqit dhe ne shqiptarët ishim mish për top aty. Organet e Drejtësisë së Serbisë duke e parë këtë rrezik dhe presionit që kishin nga Organizatat Ndërkombëtare për të na ruajtur nga ndonjë hakmarrje e mundshme, marrin vendim me na larguar nga burgu i Beogradit, për në burgjet tjera.

Hapet dera dhe na thërrasin me emër. Mua më thërrasin nga dhoma jonë. Nga dhomat tjera dhe katër të burgosur tjerë. Na udhëzojnë që t’i marrim teshat dhe çka kemi tonat aty dhe të dalim në korridor.

Neve të pestëve na bënë bashkë në korridor dhe na hipën në një kombi me duar lidhur pas.

Në makina që ishim nuk shihnim asgjë jashtë sepse ishin vetura të transferove dhe nuk kishin fare dritare në to. E di që kemi ecur gjatë shumë me orë të tëra, pa ujë e me duar lidhur pas. Në mbrëmje sapo ishte terruar kemi mbërri tek një ndërtesë kur e ngritëm kokën e pamë se jemi në Nish. Tash e menduam më të keqen sepse sa herë që transferoheshim na rrihnin për mirëseardhje por tashmë këtu në Nish kishte ndryshuar situata. Askush nuk na rrahu e as asgjë.

Në oborr pritëm pak deri sa i përfunduan ata procedurat e veta dhe na mori gardiani e na dërgoj shkallëve përpjetë e në katin e dytë. Aty u vendosëm në një dhomë të madhe e cila kishte edhe dritare por me hekura sigurisht. Në krahasim me burgun e Beogradit në Nish ishte si hotel.

Sapo iku gardiani na u afruan të burgosurit që ishin aty për me na përshëndet e me fol me neve.

Aty ishte Naim Lushi, Isak Hoti e të burgosur tjerë ndërsa në dhoma tjera ishin Besim Rama, Shefqet Kabashi etj.

Në përshëndetje e sipër Besimi më thotë që nëse donë me i njoftua familjen se ku je ne këtu kemi telefona. U befasova shumë. Aty në Nish familjet u kishin sjellë telefona të pështjellur në celofan e duke e fshehur edhe ne vend të tulit të bukës etj.

Më ofruan një telefon por asnjë numër nuk më kujtohej në ato momente. Por më në fund thirra në Prizren dhe kontaktova me nënën, babain me motrat dhe u tregova që na kanë sjellë nga Beogradi në Nish dhe këtu i kemi kushtet shumë më të mira se atje dhe po ashtu këtu ka liri më të madhe etj.

Erdhi koha për të fjetur…nata e parë për herë të dytë në burgun e Nishit e ëndrrat për Lirinë tonë ndërronin vetëm shtratin dhe qytetin, por një ditë edhe këto ëndrra do të bëhen realitet.

Policia e Kosovës, përmes ushtrimit të përbashkët me Ambasadën e SHBA-së, ka demonstruar një nga standardet më të larta profesionale në fushën e sigurisë

0
Drizan Shala, ekspert i sigurisë, Prishtinë
⛔️ Policia e Kosovës Konfirmon Standardin Më të Lartë Profesional në Të Gjitha Nivelet Reagim i Saktë, i Koordinuar dhe i Pakompromis ndaj Kërcënimeve Moderne
📍Policia e Kosovës, përmes ushtrimit të përbashkët me Ambasadën e SHBA-së, ka demonstruar një nga standardet më të larta profesionale në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të krizave, duke integruar kapacitete të avancuara operative, inteligjencë taktike dhe aftësi hetimore.
📍Ky ushtrim u zhvillua në një kohë kur kërcënimet moderne – veçanërisht ato ajrore përmes dronëve – po paraqiten si një rrezik dinamik dhe i paparashikueshëm për objektet e veçanta, misionet diplomatike dhe infrastrukturën kritike. Ozoni i sigurisë në të cilin operojnë ambasadat dhe institucionet ndërkombëtare kërkon një arkitekturë mbrojtjeje të shtresuar, të aftë të detektojë, izolojë dhe neutralizojë çdo lloj kërcënimi që kapërcen mjetet klasike të sulmit.
📍Policia e Kosovës, përmes angazhimit të njësive elitare si NJRSH, NJSO, NJTM, NJSI dhe kapaciteteve K9, demonstroi aftësi të gatshme për të vepruar me intensitet të menjëhershëm, saktësi operative dhe koordinim të plotë. Integrimi i njësive të inteligjencës operacionale dhe atyre hetimore u bë pjesë e ushtrimit, duke siguruar analiza të hershme, identifikim të sinjaleve të kërcënimeve hibride dhe ndërtim të profilit të rreziqeve potenciale.
❗️Skenarët përfshinë menaxhimin e rreziqeve të kombinuara – kërcënime ajrore me dronë, rrezikimin e perimetrit fizik të objektit diplomatik dhe nevojën për depërtim të kontrolluar brenda misionit për neutralizim të situatës – ndërsa ndërhyrja brenda një objekti diplomatik u realizua me disiplinë të lartë dhe respekt të protokolleve ndërkombëtare, duke demonstruar një nivel profesionalizmi që tejkalon operacionet e përditshme të forcave të rendit. Pjesëmarrja dhe vlerësimi i drejtpërdrejtë nga struktura e sigurisë së Ambasadës Amerikane është dëshmi e qartë se Policia e Kosovës është e besueshme, e gatshme dhe funksionale në nivel partneriteti me strukturat më të avancuara ndërkombëtare.
❗️Një tjetër mësim i rëndësishëm i nxjerrë nga ky ushtrim lidhet me nevojën urgjente për të futur helikopterët në inventarin operativ të Policisë së Kosovës, duke krijuar kapacitete ajrore që shtojnë një dimension kritik në menaxhimin e emergjencave civile me pasoja të shumta dhe lëndime. Trajnimi i kryer tregoi se përdorimi i mundëshem i helikopterëve për ndërhyrje nga ajri, evakuim emergjent, transport të personelit dhe neutralizim të kërcënimeve në terren të rrezikshëm është vendimtar për reagim të shpejtë, të koordinuar dhe profesional ndaj incidenteve madhore.
🚩Integrimi i mundëshem këtij aspekti në ushtrim në të ardhmen, së bashku me njësitë speciale dhe njësitë e inteligjencës, tregon qartë se një strukturë gjithëpërfshirëse që kombinon forcën operative, aftësitë analitike dhe menaxhimin e situatave komplekse është e domosdoshme dhe kërkon që helikopterët të bëhen pjesë e kapaciteteve standarde policore sa më parë.
📍
Rritja e kërcënimeve me dronë, sulme hibride dhe incidente me pasoja të shumta civile e bën të domosdoshme që Policia e Kosovës të ketë kapacitete efektive të detektimit, neutralizimit dhe reagimit të menjëhershëm. Ky ushtrim tregon se vendi po përparon drejt një arkitekture sigurie të bazuar në standarde të NATO-s, ku reagueshmëria, precizioni, ndërveprimi me partnerët ndërkombëtarë, inteligjenca dhe aftësitë e menaxhimit të emergjencave formojnë një tërësi të qëndrueshme. Forcat e reagimit të shpejtë, njësitë speciale, komponentët teknikë dhe inteligjenca kanë demonstruar se mund të përballojnë çdo situatë që cenon objektet diplomatike, institucionet publike apo infrastrukturën kritike.
✅️
 
Në një rajon të mbushur me sfida komplekse sigurie, ky nivel i lartë profesional e vendos Kosovën si një shtet të gatshëm, të përgatitur dhe të aftë për të garantuar stabilitet të qëndrueshëm. Vlerësimi i jashtëzakonshëm nga strukturat e sigurisë së Ambasadës Amerikane dëshmon qartë aftësinë, besueshmërinë dhe besimin e ndërtuar ndaj institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës. Prandaj mbështetja e vazhdueshme e Ambasadës Amerikane nuk është e rëndësishme vetëm për Policinë e Kosovës, por forcon gjithë arkitekturën e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Paniku neootoman i një akademiku të shpifur

4
Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë
____
* Kur Paniku Neootoman Maskohet si Akademi: Rasti i Milazim Krasniqit
Deklarata e fundit e Milazim Krasniqit — e bërë publike në një video ku ai shfaqet dukshëm i shqetësuar, me ton predikues dhe me një retorikë që anon nga alarmizmi fetar — është një shembull i pastër i asaj çfarë ndodh kur një propagandist i ideologjisë neootomane përpiqet të flasë në emër të kombit shqiptar.
Ky nuk ishte qëndrim akademik.
As analizë shkencore.
As debat historik.
Ishte panik i kulluar ideologjik, i veshur me petkun e profesoratit.
1. Të flasësh “në emër të shqiptarëve” është abuzim i pastër identitar
Në video, Krasniqi merr guximin t’i përmbyllë të gjitha thirrjet për kthim në identitetin e të parëve me formulime infantile të tipit:
“Shqiptarët nuk duan kthim.”
“Shqiptarët nuk e pranojnë.”
“Shqiptarët nuk ndjekin këta njerëz.”
Jo, z. Krasniqi.
Shqiptarët nuk ju kanë dhënë juve autorizim kombëtar.
Shqiptarët nuk janë turmë e manovrueshme që pret interpretimet tuaja për historinë, fenë dhe identitetin.
Shqiptarët janë komb etnikisht i lashtë, më i vjetër se islamizimi, më i vjetër se pushtimet, më i vjetër se çdo ideologji që tenton t’i qepet trupit të këtij kombi për ta mbajtur peng.
Dhe sot shqiptarët kërkojnë një gjë të thjeshtë: të kthehen te vetvetja pa lejen e askujt.
2. Spanja nuk është shembulli juaj, është mashtrimi juaj.
Krasniqi përpiqet ta lidhë thirrjen për kthim kulturor dhe shpirtëror te rrënjët shqiptare me Spanjën e inkuizicionit.
Ky krahasim është fyerje për inteligjencën e çdo njeriu.
Çfarë lidhje ka Spanja mesjetare me kërkesën e shqiptarëve për të diskutuar haptas identitetin e tyre para epokës osmane?
Asgjë.
Përveç nevojës suaj për të mbjellë frikë, viktimizim dhe legjitimim të narativave të një islami të politizuar që trembet nga historia reale e këtij kombi.
Ky lloj krahasimi është abuzim akademik, një përpjekje për të kriminalizuar rikthimin e shqiptarëve te rrënjët e tyre, duke e bërë të duket si “persekutim”.
Por kush po persekuton kë?
Kush po detyron kë?
Askush.
Kërkimi për identitet nuk është dhunë.
Duke e quajtur atë “rrezik”, ju jeni duke shpikur një luftë imagjinare për të ruajtur dominimin kulturor të një ideologjie të importuar.
3. Hoxhë Tahsini nuk është “shenjtor i islamit politik”
Në retorikën e Krasniqit, Hoxhë Tahsini shfaqet si figura qendrore e mendimit shqiptar, sikur ai të ketë qenë “stema” e kombit.
Por ky mit është i fabrikuar.
Po, Tahsini ishte dijetar shqiptar.
Po, ka dhënë kontribut në arsimin e Rilindjes.
Por jo, z. Krasniqi — ai nuk është themeli i identitetit shqiptar.
As nuk është figura nga e cila shqiptarët duhet të marrin orientim fetar.
Përdorimi obsesiv i emrit të tij është përpjekje për t’i dhënë islamit të sotëm politik një legjitimitet historik që nuk e ka pasur kurrë.
Tahsinët e Rilindjes ishin intelektualë evropianë, jo propagandistë të ideologjive sotme lindore.
4. Etiketimi i shqiptarëve si “vagabondë” është shenjë frike
Në momentin që një profesor i shpall kundërshtarët e tij “vagabondë”, “shëtitës”, “rrezik”, ai ka mbaruar punë me argumentin.
Nuk është më akademik.
Nuk është më profesor.
Është thjesht një hoxhë i alarmuar që i ka ikur monopoli.
Këto etiketime tregojnë një frikë të thellë nga:
debatet iluministe,
rikthimi te identiteti etnik,
kërkimi për rrënjë paraosmane,
vetëdijësimi i shqiptarëve.
Nuk është rastësi që sa herë përmendet fjala “kthim”, z. Krasniqi humb kontrollin.
Sepse këto lëvizje dëmtojnë të vetmen gjë që mbron: narrativën e islamit politik si identitet kombëtar, një narrativë që historia shqiptare nuk e njeh.
5. Evropa nuk është avokati i dogmës , por i lirisë.
Krasniqi ankohet pse “Evropa nuk po reagon” ndaj thirrjeve globale, se gjoja duhet të mbrohet “feja nga iluministët shqiptarë”.
Por Evropa nuk është misionar i askujt.
Evropa nuk mbron dogma, as kërcënime morale.
Evropa mbron:
pluralizmin,
mendimin e lirë,
lirinë e ndërgjegjes,
e drejtën e çdo kombi për të diskutuar identitetin e vet.
Kërkesa që BE të ndërhyjë për të mbrojtur ndjeshmëritë e islamit politik është qesharake dhe e padenjë për një mendimtar serioz.
Evropa ka boll probleme — nuk ka nevojë të merret me mitet tuaja.
Fjala e fundit
Z. Krasniqi,
Shqiptarët nuk do t’i frikësoni me fantazma të Spanjës,
as me mite të Tahsinit,
as me akuza ndaj iluministëve,
as me viktimizim të islamit politik.
Shqiptarët janë popull i lashtë, me identitet të rrënjosur thellë — shumë më thellë se çdo pushtim pesëshekullor dhe shumë më thellë se çdo ideologji që sot përpiqet të paraqitet si “zëri i kombit”.
Dhe sot një gjë është e qartë:
Shqiptarët po kthehen te vetja.
Jo përkundër fesë, por përkundër atyre që duan ta përdorin fenë si instrument kundër tyre.
Nëse kjo ju tremb, problemi është i juaji.

Lola Aleksi Gjoka – Zëri dhe drita e artit shqiptar 

0

Punim artistik i portretit të Lola Aleksi Gjoka nga piktorit Sak Muji

Sak Muji, Rugovë – Zvicër

Në kujtesën e artit shqiptar, emri i Lola Aleksi Gjokës mbetet i skalitur me dritë si një ndër figurat më të dashura që mishëruan shpirtin, kulturën dhe fisnikërinë e Shqipërisë së viteve ’30.

Portreti i saj – si ai i ruajtur në fotografitë e rralla familjare, ashtu edhe ai i realizuar në veprën artistike në pirografi – sjell një bukuri të qetë, të mençur dhe të përmbajtur, një bukuri që rrezaton dinjitet pa pasur nevojë për teprim.

Në vitet e rinisë, Lola Aleksi Gjoka shfaqet e veshur me kostumin tradicional të Shqipërisë së Mesme, një veshje që përmbledh finesën, traditën dhe estetikën kombëtare. Në atë kohë, artistët që ngjiteshin në skenë zgjidhnin shpesh veshjen kombëtare si shprehje identiteti dhe krenarie kulturore.

Fotografitë e vitit 1935 e paraqesin atë me një qetësi fisnike dhe një bukuri të natyrshme, të shoqëruar nga modesti dhe një prani skenike e përmbajtur – cilësi që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës së saj artistike.

Një moment i rëndësishëm i karrierës së saj është fotografia e vitit 1937, e realizuar pas koncertit në Fiera di Levante, Bari, ku ajo shfaqet përkrah tri ikonave të mëdha të këngës shqiptare: Tefta Tashko Koço, Jorgjia Truja dhe Maria Kraja.

Së bashku, ato paraqitën para publikut italian një Shqipëri dinjitoze, të kulturuar dhe artistikisht të pjekur, duke u bërë ambasadore të vërteta të kulturës sonë kombëtare. Fotografitë e realizuara pas koncerteve festive, përfshirë ato në ballkonin e Bashkisë së Tiranës, pasqyrojnë atmosferën e gjallë dhe optimiste të asaj kohe.

Lola shfaqet përkrah kolegëve të saj artistë me një buzëqeshje të butë dhe një qëndrim të natyrshëm, duke e përfaqësuar artin shqiptar me elegancë, përkushtim dhe masë. Portreti i realizuar në pirogarafi përbën një rikthim të saj në dritë dhe e përjetëson figurën e Lolës në mënyrën më fisnike.

Çdo vijë, nuancë dhe dritë e skalitur me dorë e shndërron këtë vepër në një homazh artistik dhe njerëzor, ku kujtesa familjare dhe interpretimi artistik bashkohen në një gjuhë të vetme. Nuk është thjesht një riprodhim i një fotografie, por një përjetësim i shpirtit, qetësisë dhe fisnikërisë së saj. Kjo kronologji nuk është vetëm një rrëfim familjar. Ajo përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së artit shqiptar, një dëshmi e një kohe kur arti buronte nga përkushtimi dhe kur gra si Lola Aleksi Gjoka ishin shtylla të bukurisë, talentit dhe identitetit kulturor kombëtar.

Nga Sak Muji / d.v./

Lis Bukuroca: Lezet Qeveri! Ec e mos voto!

0

Lis Bukuroca, Gjermani

Votat nuk fitohen me rrena,
mashtrime,
foto-montazhe,
as me mosdistancim nga votimet e Gjykatës së Posaçme dhe Çakorrit,
as me heshtjen e biografive korruptive,
por me shtet ligjor:
me rritje buxheti,
të pensioneve,
të pagave,
me punësim,
me zhvillim
me armatim!
Jo duke premtuar vazhdimin e hajnokracisë!
Mërgata po vjen.
Ajo e do Republikën dhe do shtet ligjor si ku jeton vetë në Perëndim!
Jo pronto-shtet!
Lis Bukuroca Diaspora përjashtohet nga procesi i votimit,pasi fletëvotimet mbërrijnë tek votuesit në janar 2026.
Edhe pse votimi jashtë hapet më 12 dhjetor,fletëvotimet për mërgatën nisen më 21 dhjetor.
Kjo e bën të pamundur që ato të shpërndahen me kohë në vendet perëndimore.
Kalendari e vërteton:
–21 dhjetori bie të dielën;
–22 dhe 23 dhjetori janë ditë pune(e hënë dhe e martë);
–24,25 dhe 26 dhjetori janë ditë festash të Krishtlindjeve,por në këtë muaj shpërndahen në Gjermani 12 milionë paketa në ditë.Vonesat janë gati të garantuara!
–27 dhjetori është e shtunë;
–28 dhjetori është e diel.
Kështu,realisht mbeten vetëm tri ditë pune për postën;tri e gjysmë,nëse më 24 dhjetor punohet deri në drekë.
Në këto rrethana, vonesat janë të pashmangshme dhe fletëvotimet mbërrijnë vetëm në janar,duke e bërë të pamundur votimin në kohë.!!
PS:Por,përveq Zotit,asgjë smund të na ndal 🙏🥰
Pse duhet votuar Haradinaj?
Qeveria e Ramush Haradinajt
(9 shtator 2017 – 3 shkurt 2020) pati:
21 ministra
80 zëvendësministra
206 këshilltarë
Prej tyre:
Kryeministri: 35 këshilltarë
5 zëvendëskryeministra: 45 këshilltarë
21 ministra: 126 këshilltarë
Rezultati: 206 këshilltarë gjithsej.
(Një shkollë me 9 klasa çdonjëra me mbi 20 nxënës).
Pra, pse duhet votuar Haradinaj?
Sepse mundësia për t’u bërë ministër është më e madhe sesa të fitosh në lotari.
Për t’u bërë zëvendësministër, mundësia rritet gati katër herë, ndërsa për t’u bërë këshilltar i tij, rritet dhjetëfish në krahasim me shanset ministrore.
Ata e zhdukin korrupsionin: e sosin krejt!
Udhëtimet, çantat Louis Vuitton, skijimet, deti, villat, drekat e darkat, rriten për 1000%!
Lezet Qeveri!
Ec e mos voto!

Mesazh i dyfishtë nga KFOR: Neutraliteti formal po sfidon realitetin e ri të FSK-së

0
Drizan Shala, ekspert i sigurisë,Prishtinë
___
Qëndrimi i Komandantit të KFOR-it, gjenerallejtënant Özkan Ulutaş, për të theksuar “mandatin origjinal nën UNSCR 1244” në takimin me komandantin e FSK-së, nuk është vetëm deklaratë standarde diplomatike – është një rikthim i fortë tek formula e vjetër ligjore, e cila bie ndesh me realitetin faktik të transformimit të FSK-së që nga viti 2019.
📍Në këtë kuptim, mesazhi interpretohet si frenim i avancimit institucional të FSK-së brenda kornizës së bashkëpunimit me NATO-n, duke sinjalizuar se KFOR-i nuk po e pasqyron progresin substancial të tri ligjeve që e kanë konsoliduar FSK-në si forcë moderne dhe multietnike.
📍Ky kontrast ekspozon boshllëk diplomatik. Kosova ka bërë hapa të mëdhenj teknikë dhe ligjorë në ndërtimin e forcës së saj të armatosur, por nuk ka arritur të ndërtojë një arkitekturë diplomatike që e përkthen këtë progres në pranim të plotë operacional brenda strukturave të NATO-s.
Shumë shtete anëtare që e njohin Kosovën kanë partneritete të thelluara bilaterale me FSK-në, por në qarkun e mandatit të KFOR-it ruajnë neutralitetin formal – e kjo ndodh sepse Prishtina nuk ka shtyrë mjaftueshëm për harmonizimin e realitetit të ri me doktrinën ekzistuese të misionit.
📍Paradoksi është i qartë: aleatë të rëndësishëm të NATO-s e trajtojnë FSK-në si forcë të një vendi sovran në marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa brenda mandatit të KFOR referencat mbeten të epokës para transformimit. Në aspektin e sigurisë, ky diskrepancë krijon perceptim të gabuar për rolin real të FSK-së dhe frenon pozicionimin e saj si garanci e sigurisë kombëtare.
Megjithatë, mesazhi i Komandantit Ulutaş mbart edhe një element pozitiv: ai vë theksin tek “koordinimi i ngushtë” dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm, duke lënë hapësirë për rivendosje të balancave nëse Kosova aktivizon diplomacinë e saj të sigurisë. Kjo është një ftesë e heshtur që Prishtina të ndërtojë një ofensivë të re strategjike për të sinkronizuar mandatin politik të FSK-së me trajtimin ndërkombëtar që meriton si forcë moderne dhe kontribuuese në rendin e sigurisë në rajon.

Hazir Haziri – “Zogu” nga Podujeva, nga 8 shtatori i këtij viti mbahet padrejtësisht në burgjet e Serbisë 

0

Arif Ejupi, Gjenevë

Që nga data 8 shtator i këtij viti, në Burgun e Beogradit po mbahet padrejtësisht Hazir Haziri, i njohur nga të gjithë llapjanët si Zogu. Ai akuzohet kinse për vrasjen e një qytetari serb në Podujevë gjatë vitit 1999. 

Mirëpo, këto dyshime të ngritura pas 25 vitesh janë rrëzuar plotësisht nga deklarata e vetë bashkëshortes së serbit të vrarë, e cila ka mohuar çdo lidhje të Hazirit me ngjarjen. 

Megjithatë, pavarësisht kësaj dëshmie thelbësore dhe mungesës totale të provave, Hazir Haziri, tashmë 77-vjeçar dhe me gjendje të rënduar shëndetësore, vazhdon të mbahet në paraburgim, me arsyetimin absurd se “duhet kontrolluar celulari i tij”. 

Është e pakuptimtë se si është bërë arrestimi i tij, kur dihet se Haziri ka kaluar disa herë përmes territorit të Serbisë para se të ndodhte ndalimi i fundit, pa qenë asnjëherë i kërkuar apo i dyshuar. 

Kushdo që e njeh e di mirë se Hazir Haziri është njeri i qetë, i sjellshëm dhe paqësor. Këtë e dëshmojnë dhjetëra ish-nxënës dhe kolegë të tij, sepse ai për dekada punoi me nder si mësues dhe arsimtar në shkollat e Llapit. 

Arrestimi i tij ka shkaktuar indinjatë dhe revoltë të madhe, sidomos për faktin se Haziri ishte pjesë e nismave paqësore dhe kurrë ndonjëherë i përfshirë në radikalizëm apo dhunë. 

Ky rast, fatkeqësisht, po shfrytëzohet në një klimë ku raportet Kosovë–Serbi mbeten të ngrira dhe ku mungon çdo mekanizëm funksional komunikimi ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve. 

Për një të moshuar, të sëmurë dhe të pafajshëm, situata po rrezikon të kthehet në tragjedi. Prandaj, ndërhyrja e menjëhershme e Bashkësisë Ndërkombëtare, përfshirë mekanizmat e saj për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, është e domosdoshme. 

Po ashtu, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në Gjenevë duhet të angazhohet pa vonesë për të monitoruar gjendjen e tij dhe për të garantuar trajtim human dhe të drejtë. 

Rasti i Hazir Hazirit – i cili po mbahet gati katër muaj në burg pa prova, është një sinjal i rrezikshëm dhe një paralajmërim i qartë se Serbia, edhe në shekullin XXI, vazhdon të luajë rolin e xhandarit të Ballkanit, duke instrumentalizuar drejtësinë për motive politike. 

Liria e tij është jo vetëm çështje individuale, por një test për drejtësinë, për humanizmin dhe për seriozitetin e institucioneve ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. 

P.S. Autori është anëtar shumëvjeçar i KMDLNJ dhe pjesëmarrës i kësaj organizate joqeveritare në nënkomisionet për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në OKB, me seli në Gjenevë. 

Media-Proxy e Beogradit Tentojnë të Fshehin Edhe Himnin e Kosovës për të Ushqyer Narrativën Serbe në Veri

0
Drizan Shala, ekspert i sigurisë, Prishtinë
___
Edhe kur faktet janë të padiskutueshme, propaganda e Beogradit përpiqet t’i zhbëjë. Mediumi në fjalë, i pozicionuar hapur si një proxy informativ i Serbisë, mundohet me çdo mjet të relativizojë realitetin në veri:
Në videon ku intonohet qartë himni shtetëror i Kosovës, ata fabricojnë narrativën sikur një gjë e tillë s’ka ndodhur.
❗️Qëllimi është i qartë — të ushqehet viktimizimi politik i kryetarëve në veri dhe të krijohet alibi për strukturat që udhëhiqen nga Lista Serbe. Devalvimi i simboleve shtetërore nuk është gabim mediatik; është instrument i një fushate të mirëfilltë influencimi.
📍Është i domosdoshëm një hetim i mirëfilltë institucional ndaj mediave që financohen direkt ose indirekt nga Beogradi dhe që operojnë brenda territorit të Kosovës.
Këto struktura propagandistike paraqesin rrezik real për sigurinë kombëtare, duke ndikuar në perceptimin publik, duke deformuar faktet dhe duke vepruar si instrumente të ndërhyrjes hibride.
✅️ Autoritetet e Kosovës duhet të verifikojnë burimet e financimit, aktivitetet editoriale dhe lidhjet operacionale të tyre për të parandaluar çdo cenim të rendit kushtetues dhe integritetit shtetëror të Republikës se Kosovës
Video: