Kreu Blog Faqe 371

Epopeja shtetërore e marrjes peng të Presidentit Ibrahim Rugova

0

Nga Major Nazif Ramabaja

Në orët më të errëta që njohu Kosova në fundin e shekullit XX, kur makineria e dhunës synonte jo vetëm trupin e popullit tonë, por edhe zemrën e tij, u krye një akt barbar që shënoi thelbin e tragjedisë së kombit: marrja peng e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Në atë kohë kur liria e Kosovës endet si një fije drite mbi pianurën e flakëve, disa bij e bija të këtij kombi, gazetarë të guximshëm e luftëtarë të përkushtuar, u bënë zëri i të vërtetës.

Astrit Memia dhe Caroline Sinz, depërtuan mes krismave, tymit e pluhurit të betejës, duke sjellë para botës fytyrën e luftës sonë çlirimtare, ashtu të zhveshur, të vërtetë dhe të dhimbshme.

Reportazhet e tyre, të transmetuara në FRANCE 3 International, u bënë thirrja zyrtare e Kosovës drejt civilizimit.

Thirrja që prishi murin e heshtjes së Evropës.

Brenda një minute, bota mësoi se në zemër të Ballkanit po luftonte një popull i tërë për ekzistencë, dinjitet dhe shtetësi.

Mes atij zëri, që tingëllonte si thirrja e një shteti në lindje, ishte edhe deklarimi im, si oficer i Republikës:

UÇK-ja e njihte Ibrahim Rugovën si Komandant Suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Ky ishte akti ynë shtetformues.

Ishte vula që ia vendosëm historisë.

RRËMBIMI: KUR SHTETI U GODIT NË TRUP

Presidenti Rugova, i cili mishëronte vullnetin politik të Republikës dhe personalizonte idealin e pavarësisë së saj, u mbajt nën arrest shtëpiak e më pas u mor dhunshëm dhe u dërgua peng në Beograd për një takim të inskenuar me Slobodan Millosheviqin.

Ky ishte një akt i rëndë jo vetëm kundër Rugovës si individ, por kundër Institucionit të Presidentit të Kosovës, kundër vetë personalitetit juridik të Republikës.

Në atë moment kritik, siç e dëshmon historia, brenda bazës sonë u mblodhën personalitete që i qëndronin besnikë legjitimitetit shtetëror.

Midis tyre i dërguar direkt nga Sali Berisha ishte edhe ish ministri Jemin Gjana, i cili solli mesazhin e qartë se Tirana zyrtare – me Sali Berishën në krye – mbronte integritetin dhe dinjitetin e Presidentit të Kosovës kundër valës së propagandës që kërkonte ta poshtëronte dhe ta zhdukte politikisht.

Ky ishte solidariteti i parë institucional shqiptar në mbrojtje të simbolit të shtetit të Kosovës.

FJALA QË U BË AKT SHTETI

Në Bicaj të Kuksit, në prani të intelektualëve shqiptarë të dëbuar nga dhuna serbe, dhashë deklaratën që u bë akt shtetëror:

Presidenti i Republikës së Kosovës ishte marrë peng.

Nuk ishte i lirë.

Nuk vepronte me vullnetin e tij.

Ajo fjalë u bë dritë në errësirën e asaj kohe.

U bë akt zyrtar i qëndresës së Kosovës.

U bë thirrja që delegjitimoi agresorin dhe i ktheu dinjitetin institucioneve tona.

KOHA SI NOTAR I SHTETIT: VËRTETIMI HISTORIK

Sot, pas më shumë se dy dekadash, faktet dhe dokumentet e reja po vulosin atë që unë deklarova në pranverën e vitit 1998:

Ibrahim Rugova u dërgua në Beograd me forcë.

Ai ishte peng i regjimit të Millosheviqit.

Dhe ai nuk e tradhtoi shtetin e tij.

Të gjitha trillimet, manipulimet dhe shpifjet e hedhura më vonë nuk i shërbenin as popullit, as shtetit, as historisë. Ato ishin vetëm hije të rënda që s’ia dolën të errësonin simbolet tona kombëtare.

Presidenti Rugova nuk u thye.

Nuk u përkul.

Nuk u nënshtrua.

Ai ishte – dhe mbetet – figura shtetërore më e qëndrueshme, më civilizuese dhe më dinjitoze e historisë moderne të shqiptarëve.

EPILOG SHTETËROR

Ibrahim Rugova ishte një president i marrë peng,

por një komb i lirë nuk mund të merret peng.

Ai mbetet

mendja e arsyes,

zemra e qetësisë,

dhe themeli i Republikës sonë.

Major Nazif Ramabaja

02.12.2025 – Suedi

I akuzuar për mbledhjen e 9 milionë dollarëve për Hamasin në Danimarkë

0

Dy burra të moshës 28 dhe 59 vjeç u sollën para gjykatës së qarkut në Frederiksberg të martën, të akuzuar për mbledhjen e 9 milionë dollarëve për Hamasin. Të dy u deklaruan të pafajshëm. Hamasi është shpallur organizatë terroriste në Danimarkë dhe në pjesën tjetër të BE-së, por jo në Norvegji.

Prandaj, legjislacioni për terrorizmin zbatohet. Nuk është e sigurt nëse do të veprojë kështu në Norvegji, ku Hamasi perceptohet nga shumë si një lëvizje çlirimtare.

59-vjeçari është akuzuar tashmë në një rast tjetër që ka të bëjë me financimin e terrorizmit.

Burrat deklaruan të pafajshëm. Të dy ishin të pranishëm në seancën gjyqësore në Frederiksberg të martën, ku prokuroria kërkoi dyer të mbyllura.

Arsyeja e dhënë është se ka njerëz jashtë vendit që do të merren në pyetje në lidhje me këtë çështje dhe se do të dëmtonte hetimin nëse ajo që shpjegojnë të akuzuarit dhe ajo që paraqet policia bëhet e ditur.

Hamasi është etiketuar si organizatë terroriste në Danimarkë dhe në pjesën tjetër të BE-së, por jo në Norvegji. Grupi, i cili udhëhoqi sulmin ndaj Izraelit pak më shumë se dy vjet më parë, ka mbajtur pushtetin qeveritar në Rripin e Gazës që nga viti 2007, pasi fitoi zgjedhjet vitin e kaluar. (NTB)

Siktet for å ha samlet inn 9 mill til Hamas i Danmark

Pse Kosova nuk ekziston në hartat e motit ndërkombëtar: një kritikë ndaj Entit Hidrometeorologjik të Kosovës

0
Në vitin 2025, kur çdo qytet i Evropës shfaqet në radarët globalë të motit dhe në hartat e cilësisë së ajrit, Kosova vazhdon të mbetet një pikë boshe, një vakuum informacioni në platforma që përdoren nga miliona qytetarë: Apple Weather, Google Weather, AccuWeather, Weather Channel, apo Air Quality Index. Qytetet e Shqipërisë—nga Tirana e deri në Sarandë—shfaqen me të dhëna të plota meteorologjike e atmosferike, ndërsa Prishtina nuk figuron fare, sikur ky qytet mos të ekzistonte.
Kjo nuk është thjesht një çështje teknike. Është një dështim institucional, një paaftësi për të integruar Kosovën në rrjetet ndërkombëtare që standardizojnë dhe shpërndajnë të dhënat meteorologjike e klimatike.
Kosova jashtë rrjeteve ndërkombëtare – një dëm i heshtur institucional
Enti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ende nuk është plotësisht i integruar në:
WMO – World Meteorological Organization, ku raportimi duhet të jetë i standardizuar dhe i përditësuar.
EUMETNET, rrjeti kryesor i të dhënave evropiane të motit.
EUMETSAT, që siguron imazhe satelitore dhe të dhëna për radarët regionalë.
EEA – European Environment Agency, për cilësinë e ajrit.
Pa këtë integrim, aplikacionet ndërkombëtare marrin një mesazh të thjeshtë: nuk ka të dhëna të besueshme nga Kosova. Dhe kur nuk ka të dhëna, qytetet hiqen nga harta.
Ky është një realitet i hidhur: në sytë e botës digjitale, Kosova meteorologjikisht është e padukshme.
Paaftësia për të krijuar rrjet të sensoreve dhe stacioneve të certifikuara
Ndërsa vendet përreth kanë qindra stacione të certifikuara dhe dhjetëra stacione radarike të integruara, Kosova vazhdon me një infrastrukturë të vjetëruar dhe të padeshifruar për rrjetet ndërkombëtare. Edhe stacionet që ekzistojnë:
nuk janë të certifikuara sipas standardeve WMO,
raportojnë në mënyrë të pjesshme,
ose nuk transmetojnë në kohë reale.
Në këtë situatë, pajisjet moderne dhe aplikacionet globale nuk mund të ndërtojnë modele të sakta për Kosovën. Ato thjesht e anashkalojnë.
Prishtina – kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk figuron në hartat e ajrit
Ironikisht, Kosova njihet ndër vendet me ndotjen më të lartë të ajrit në dimër, por aplikacionet e cilësisë së ajrit nuk e shfaqin Prishtinën. Arsyeja është e thjeshtë:
Asnjë nga stacionet e qeverisë së Kosovës nuk është i integruar në rrjetin evropian të raportimit (EEA).
Në vend të tyre, qytetarët mbështeten në sensorë privatë, shpesh të vendosur nga entuziastë ose organizata joqeveritare—gjë që është e lavdërueshme për qytetarët, por turpëruese për institucionet.
Pasojat: qytetarët pa informacion, shteti pa kredibilitet
Mungesa e të dhënave meteorologjike dhe të cilësisë së ajrit ka pasoja të mëdha:
qytetarët nuk kanë paralajmërime të sakta për rrebeshe, vërshime apo ndotje të ajrit;
bizneset nuk kanë informacione për planifikim;
shkencëtarët nuk kanë seri të dhënash për studime;
imazhi i shtetit dobësohet, duke e bërë Kosovën “zonë të bardhë” në hartat globale.
Në një epokë ku informatika meteorologjike është parakusht për sigurinë publike, IHMK po mbetet institucioni më pak funksional në raport me nevojat e qytetarit dhe standardet bashkëkohore.
Çfarë duhet bërë menjëherë
Kosova nuk mund të mbetet më jashtë sistemeve globale. Hapat urgjentë janë:
1. Modernizimi i stacioneve meteorologjike dhe certifikimi WMO
Të gjitha stacionet duhet të përditësohen, kalibrohen dhe regjistrohen në rrjetin ndërkombëtar.
2. Integrimi i të dhënave në EUMETNET dhe EEA
Pa këtë hap, Kosova do të vazhdojë të mbetet e padukshme.
3. Transparencë në kohë reale
Të dhënat duhet të publikohen automatikisht çdo 10 minuta, si në të gjitha vendet e rajonit.
4. Hapja e rrjetit për sensorë privatë të certifikuar
Çdo qytetar ose shkollë që vendos një stacion duhet të mund të kontributojë në mënyrë të standardizuar.
5. Ndërhyrje emergjente në sistemin e paralajmërimit të motit
Ky është thelbësor për sigurinë e qytetarëve, sidomos në klimën e sotme të paqëndrueshme
Kosova nuk është e padukshme në hartë; e padukshme është përgjegjësia institucionale për ta futur vendin në rrjetet botërore që garantojnë siguri, informim dhe transparencë. Në një kohë kur edhe një fshat i vogël në Alpet e Italisë shfaqet me të dhëna të plota në radar, është e pajustifikueshme që Prishtina, kryeqyteti i një vendi të Europës Juglindore, të mos ekzistojë në hartat e motit e të ajrit.
Kjo analizë është apel për modernizim, profesionalizëm dhe përfundimisht, për ta sjellë Kosovën në shekullin XXI meteorologjik.
Agim Vuniqi

“Dita e zisë” së antishqiptarit Olsi Jazexhi, që durohet vetëm në Arbëri…!

1

Festa e pavarësisë, Olsi Jazexhi: Për mua sot është ditë zie! Do doja të jetoja në kohën e Perandorisë Osmane

Deklaratë skandaloze! Ndiqeni në vazhdim:

Dushk për gogla – Diaspora, institucionet dhe polarizimi politik

2
Më pak “dushk për gogla” dhe më shumë shtet!
Debati publik në Kosovë, përkundër transformimeve të mëdha shtetformuese ndër vite, shpesh vazhdon të mbingarkohet me zëra periferikë, që shfaqen si autoritete politike pa tagër dhe pa lidhje me mekanizmat e përgjegjësisë institucionale. Ajo që dikur ishte një fenomen i kufizuar—koktejet retorike të degëve e “pipave” të partive të vogla në diasporë—është shndërruar sot në një infrastrukturë të tërë paralelesh politike, të cilat përplasen me realitetin e institucioneve të Kosovës dhe me sfidat e saj gjeopolitike.
Nga administrimi ndërkombëtar tek ndërtimi i shtetit: një periudhë e gjatë tranzicioni
Në periudhën e pasluftës, Kosova kaloi nën administrimin e UNMIK-ut, një fazë gjatë së cilës institucionet vendore u zhvilluan më shumë si fragmente protokolare sesa si mekanizma efektivë të sovranitetit demokratik. Komunikimi me publikun ishte shpesh ceremonial, ndërsa diaspora, që atëherë ende e paorganizuar në mënyrë institucionale, shfaqej herë si kritik i ashpër, herë si përfaqësuese imagjinare e vullnetit popullor.
Pas UNMIK-ut, rolin mbikëqyrës dhe gjyqësor e absorbuan misionet e tjera, veçmas EULEX-i. Gjatë kësaj periudhe, Kosova hyri në fazën e “konsolidimit të pavarësisë së mbikëqyrur”, ku mekanizmat e drejtësisë dhe të sigurisë qëndronin nën binomin autoritet vendor – autoritet ndërkombëtar. Në këtë realitet të dyfishtë, hapësira e diasporës shpesh u përdor për retorikë politike, por rrallë për investime konkrete ose modele të zhvillimit ekonomik.
Politika e brendshme dhe arkitektura PAN+LS: deformimi i institucioneve
Me konsolidimin e strukturave politike pas shpalljes së pavarësisë, Kosova hyri në një periudhë të re: arkitektura e njohur si PAN+LS, një konfigurim politik që ndikoi në pothuajse të gjitha segmentet e jetës publike—nga agjencitë e pavarura te ekonomia publike, nga sistemi prokurorial te proceset e privatizimit.
Në këtë kohë, polarizimi politik u thellua dhe institucionet nisën të përdoren më shumë për kohezion të brendshëm partiak sesa për ndërtimin e shtetit.
Këtu diaspora vazhdoi të luajë rolin e komentatorit nga distanca, shpesh duke prodhuar opinione që nuk reflektonin kompleksitetin e skemave të brendshme politike, ku zinxhirët e interesave ekonomike, politike dhe klienteliste krijuan një sistem që frenonte reformat dhe sundimin e ligjit.
Komunat etnike serbe dhe fragmentimi i territorit: një gabim strategjik
Në periudhën e dialogut teknik dhe politik me Serbinë, u krijua një strukturë e pashpjegueshme në logjikën ekonomike: 10 komuna me shumicë serbe, disa të ngritura në zona gjeografike që nuk përmbanin masa kritike të zhvillimit ekonomik, njerëzor apo institucionor. Kjo përbën një nga vendimet më të diskutueshme të epokës së paspavarësisë, sepse fragmentoi hartën administrative të Kosovës pa studim të fizibilitetit dhe krijoi hapësira të izolimit juridik dhe funksional.
Diaspora e artikulonte shpesh këtë temë në mënyrë emocionale—por pa ofruar zgjidhje, modele të administrimit modern, ose vizione të integrimit ekonomik.
Në këtë kontekst, termi “dushk për gogla” nënvizon një realitet të dhimbshëm: retorika e shpërndarë në rrjete, grupe dhe portale nuk arrin të përkthehet në politika të prekshme.
Integrimi i veriut dhe dilema e sovranitetit
Procesi i integrimit të veriut të Kosovës në rendin ligjor të saj ishte një tjetër etapë e rëndësishme. Ai u shoqërua me hezitime politike, devijime të skemave të zbatimit, tensione të vazhdueshme dhe ndërhyrje nga Beogradi, i cili instrumentalizoi fragmentimin e brendshëm të Kosovës.
Këtu diaspora shpesh ndërhynte me opinione të shpejta, të cilat shpesh e thjeshtuan realitetin në dy pole: “tradhti – patrioti”, duke ushqyer kështu polarizimin politik, por jo konsolidimin e shtetit.
Diaspora: mes potencialit real dhe pritjeve fiktive
Diaspora kosovare është një aset strategjik i jashtëzakonshëm—jo vetëm financiar, por edhe profesional. Megjithatë, mungesa e një kornize institucionale shtetërore për bashkëpunimin me të e ka reduktuar ndikimin e saj në një sërë reagimesh emocionale, të cilat shpesh e humbasin lidhjen me realitetin administrativ dhe ekonomik të vendit.
Në vend të investimeve, transferit të teknologjisë dhe shkëmbimit të ekspertizës, shpesh dominojnë deklarimet e paqëndrueshme, sulmet e ndërsjella mes grupeve të diasporës dhe një politizim i panevojshëm, që ushqen një polarizim të dëmshëm në Kosovë.
Polarizimi i sotëm politik: një rrezik gjeostrategjik
Sot Kosova gjendet para një sfide serioze: polarizimi politik po e gërryen kapacitetin e saj shtetformues. Forcat politike e përdorin diasporën si amplifikator të narrativave të tyre partiake, duke e zhvendosur fokusin nga temat kyçe:
siguria kombëtare,
roli i Kosovës në arkitekturën gjeopolitike të Ballkanit,
dialogu me Serbinë,
integrimi euroatlantik,
reforma në drejtësi dhe stabiliteti institucional.
Nëse ky polarizim vazhdon, Kosova rrezikon të humbasë momentumin gjeostrategjik dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.
Ashtu si në periudhat kalimtare të së kaluarës—UNMIK, EULEX, PAN+LS—zërat periferikë, të cilët nuk mbështeten në ekspertizë e as në përgjegjësi, rrezikojnë të ndikojnë në opinionin publik dhe të vonojnë proceset shtetformuese.
Nga retorika në përgjegjësi
Në trajektoren e gjatë të shtetndërtimit—nga administrimi ndërkombëtar, te koalicionet me logjikë klienteliste, te integrimi i veriut—Kosova ka pasur një deficit të madh të kulturës institucionale.
Politika, në vend që të përqendrohet në reforma, përfundon e zhytur në zhurmën e rrjeteve sociale, ku diaspora shpesh luan rolin e jehonës së një polarizimi të brendshëm të paarsyetuar.
Prandaj, nevoja urgjente e Kosovës është kjo:
Më pak retorikë dhe më shumë vizion.
Më pak zëra periferikë dhe më shumë institucione funksionale.
Më pak “dushk për gogla” dhe më shumë shtet.

Mërgata Shqiptare në botë thirrje qytetarëve që në kohën e paraparë nga KQZ e Republikës së Kosovës, ta bëjnë regjistrimin në datën e paraparë

0

MËRGATA SHQIPTARE NË BOTË 

A P E L:

Mërgata Shqiptare në Botë (MSHNB) APELON te Mërgimtarët Shqiptarë, te cilët kanë të drejtën e votimit në Republikën e Kosovës, që në kohën e paraparë nga KQZ e Republikës së Kosovës, të bëjnë regjistrimin për të votuar në datën e paraparë me ligj.

Mërgata Shqiptare ka të drejtën Kushtetutare për të marrë pjesë në votime për zgjedhje Parlamentare dhe Lokale, për të zgjedhur më të aftët, të pastërtit moralisht, të pa korruptuarit, ata me virtyte dhe dëshmi kombëtarisht të përcaktuar, të pregaditur profesionalisht, të cilët udhërrefim kanë ecurinë dhe veprimet drejt forcimit dhe funksionimit të shtetit juridik si garanci, e cila lehtëson dhe shkurton rrugën drejt RIBASHKIMIT e cila eshte e pa alternativë, nga që Mërgimtarët janë pjesë përbërëse e kombit, që vepron nga mërgimi me te drejtë Kushtetutare në ecurinë e kombit mbarë Shqiptar.

Mërgimtarë, deri me 6 Dhjetor 2025, është afati zyrtar për aplikimin e regjistrimit për votuesit në Mërgim, prandaj ndani kohë për të krye detyrimin Kushtetutar per te drejtën e Juaj të votimit.

Klikoni ketu për regjistrim:

https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter/AbroadVoterReques

Pas aplikimit klikoni këtu për të parë statusin e regjistrimit tuaj:

https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter/AbroadVoterStatuses

Urojmë që ky APEL të rreflektojë në stimulimin e Tuaj për të kryer atë që e keni detyrim Kushtetutar.

1 Dhjetor 2025                                                   

 Për MSHNB

Bahri Ramadani, Nju Jork   

Pavarësia…dhe ironia ndaj eksperimentit Sui Generis

1
(Vepra “PAVARËSIA / KOSOVË” dhe ironia kundër “eksperimentit SUI GENERIS”)
Autor: smuji’08**
Kjo vepër nuk është thjeshtë mozaik. Kjo është dosja jonë historike, prej gurësh që nuk gënjejnë.
Sepse guri nuk ka frikë, nuk korruptohet, nuk shitet, nuk votohet dhe nuk bën pazare me identitetin.
Guri është populli, kur politikanët ndryshojnë si qentë që ndërron verën.
Në “PAVARËSIA / KOSOVË”, unë kam vendosur historinë tonë të vërtetë – jo atë të trukuar, jo atë të projektuar prej ambasadave, jo atë të protokolleve që na mashtruan se “bota po na ndihmon”, ndërsa në fakt na futën në eksperimentin më të rrezikshëm politik të shekullit XXI: “SUI GENERIS”, një fjalë latine që do të thotë “një mostër e çuditshme laboratorike, e pa përsëritshme diku tjetër”.
Pra — ne si kavie.
Iliria – Dardania – Kosova: një vijë e drejtë që askush s’e përkul dot
Në fillim të veprës, siç duhet, janë gdhendur fiset ilire, prej Istrës deri në Artë e Prevezë.
Jo për muze – por për t’u kujtuar politikanëve modernë se para se të ekzistonin ata me sallama parash në xhep, ne ekzistonim si civilizim.
Pastaj vijnë liburnët, labët, arbëreshët, perënditë ilire, Mbretëresha Teuta, dhe Meshari i Gjon Buzukut – sepse gjuha dhe femra shqiptare mbajtën kombin gjallë, jo diplomatët.
Skënderbeu dhe shqiponja – simbole që s’i jep dot askush me marrëveshje
Portreti i Gjergj Kastriotit qëndron aty si të thotë:
“Lirinë nuk ta jep askush – ose e merr vetë, ose s’e ke kurrë.”
Ndërsa shqiponja shumë shekullore, ajo që fluturon pa leje, pa shtet, pa VISA, pa Zajednica, është simboli që na përket sepse është në gjakun tonë, jo në dokumentet tona.
**Nëna Terezë – mëshira e kombit
Adem Jashari – flijimi i kombit**
Këta dy janë si dy shtylla: dashuria dhe sakrifica.
Përballë tyre sheh kontrastin e hidhur:
ata dhanë çdo gjë për popullin, ndërsa sot shumë japin popullin për çdo gjë.
Dy duart – lidhja që na shpëtoi nga vdekja
Një dorë e vogël, e jona — e popullit të vrarë, të zhdukur nga vendi, të shtyrë nëpër korridoret e vdekjes.
Dora tjetër — Evropa dhe Amerika, që na shpëtuan nga gjenocidi që vrau mbi 14.000 shqiptarë dhe na përndoqi si në Bibël.
78 ditët e bombardimeve – ringjallja si Feniks
Mozaiku i spiraleve është plagë e hapur: tym, hi, shtëpi të djegura, kufij të dhunuar.
Por nga ai hi lindëm, u ngritëm, rindërtuam.
Feniksi shqiptar, që ndërron formë, por jo shpirt.
Dhe pastaj… u futëm në eksperimentin “SUI GENERIS”
E cila është mënyra më elegante për të thënë:
“Po ju lëmë në baltë – por me firmë ndërkombëtare.”
Një vend me:
– 97% shqiptarë,
– 1–2% serbë, të privilegjuar më shumë se vetë shteti,
– pa lustrim,
– pa drejtësi,
– pa ligj,
– pa sovranitet,
– pa funksionim,
– por me shumë konferenca shtypi dhe shumë hipokrizi diplomatike.
Ky është laborator politik, jo shtet.
Kosova u bë qëllimisht e pamenaxhueshme, që të mos ketë fuqi të marrë frymë vetë.
Por arti nuk voton. Arti thotë të vërtetën.
Dhe unë e kam thënë në gur:
KOSOVA ekziston sepse populli i saj nuk u dorëzua kurrë.
Sepse historia jonë është e gjatë, e gdhendur, e pandalshme.
Sepse liria jonë është e mbajtur me shpirt.
Sepse simboli i fundit i veprës time është:
STAUJA E LIRISË, në fund të mozaikut — e vetmja shpresë e sinqertë dhe e vërtetë që kemi pasur ndonjëherë.
Dhe nën të, si vulë e rrugës sime artistike:
____
MOZAIKU I IDENTITETIT

nga Teuta Ilire,
pushon pak në shekullin XXV,
deri te Adem Jashari

Në gurë u shkrua gjaku ynë i lashtë,
Teuta e Ilirisë na flet nga brigjet e lavdisë.
Në ngjyra mermeri, në rrënjë që s’plaken,
udhëton koha shqiptare — nga lashtësia në përjetësi.

Në mes të yjeve, të detit, të diellit,
Kosova merr formë në çdo copëz guri.
Është zemër që rreh me gjak të përbashkët,
është flamuri që valon në shpirt e në mur.

Ja Nënë Tereza, në paqe e përulje,
me duar që përqafojnë një botë më të mirë.
Ja Gjergji, i fortë, me shqiponjën në gjoks,
dhe Adem Jashari — burim i lirisë.

Mozaiku s’është thjesht art — është dokument.
Një parlament i gurtë ku flet ndërgjegjja jonë.
Nga plisi te fëmija, nga lahuta te drita,
kjo vepër është betimi ynë për atdheun.

Me nderim dhe përkushtim,

Sak Muji `25

P.S.

VEPRË ARTISTIKE NË MOZAIK –

HOMAZH PËR PAVARËSINË E KOSOVËS

Realizuar me 20 janar 2008
në Lloret de Mar, Barcelona – Spanjë

Kjo vepër monumentale në mozaik është një krijim artistik me përkushtim të thellë shpirtëror dhe kombëtar, e përfunduar pak para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ajo përfaqëson rrugëtimin historik të popullit shqiptar, nga rrënjët ilire deri te liria moderne, duke u bërë një dëshmi e gjallë e identitetit tonë kombëtar.

Të dhënat e veprës:

•⁠ ⁠Data e përfundimit: 20 janar 2008
•⁠ ⁠Vendi i realizimit: Lloret de Mar, Barcelona, Spanjë
•⁠ ⁠Dimenzionet: 210 cm x 95 cm
•⁠ ⁠Materialet:
– Guri i kuq i Bajram Currit
– Oniksi i Ligjës së Pejës
– Travertino
•⁠ ⁠Ngjitës: Special kundër lagështisë
•⁠ ⁠Vlera materiale: 1 cm² = 1 €

Kjo vepër është konceptuar si një mesazh vizual për lirinë, historinë dhe krenarinë tonë kombëtare, e denjë për t’u ekspozuar në institucione kulturore e shtetërore.

Autori: Sak Muji

Nënshkrimi artistik:

smuji’25

/d.v./

Vlerësim për monografinë “Juniku me rrethinë ndër shekuj”

1

Shkruan: Adem Lushaj, Deçan

  • JUNIKUT NDËR SHEKUJ – HISTORIA QË FLET

Monografia “JUNIKU me rrethinë ndër shekuj” e autorëve Prof. Dr. Islam A. Shehu dhe Zeqë H. Gaxherri përfaqëson një ndër veprat më të mirëfillta në historiografinë shqiptare, duke dokumentuar me saktësi zhvillimet historike, kulturore dhe shoqërore të trevës së Junikut ndër shekuj. E mbështetur në një gamë të gjerë burimesh, dokumente arkivore, dëshmi të shkruara, kujtime individuale e kolektive, kjo vepër arrin të ndërthurë qasjen shkencore me një stil të veçantë, duke e bërë të qasshme si për studiuesit, ashtu edhe për publikun e gjerë.

Trashëgimia historike dhe roli i odave

Një pjesë e rëndësishme e monografisë i kushtohet odave tradicionale, të cilat autorët i trajtojnë si institucione të pashkruara të rendit shoqëror shqiptar. Përmes analizës së tyre, oda shfaqet si qendër e pleqërisë, drejtësisë, pajtimit, mikpritjes dhe edukimit shoqëror, duke u paraqitur si një akademi natyrore e brezave në Junik.

Kullat si simbol i qëndresës dhe identitetit

Trajtimi i kullave, këtyre ndërtimeve karakteristike të zonës, përbën një tjetër vlerë të monografisë. Me ilustrime, përshkrime arkitektonike dhe sqarime funksionale, autorët paraqesin rolin e tyre si fortifikime të qëndresës, si hapësira jetësore dhe si mbartëse të një tradite të lashtë që ka ruajtur identitetin e kësaj treve.

Kuvendi i Junikut – qendër e vendimeve historike

Monografia i kushton një kapitull të veçantë Kuvendit të Junikut të vitit 1912, ngjarje kyçe në historinë kombëtare shqiptare. Autorët e paraqesin si një arenë të vendimeve të rëndësishme politike, si moment kulmor i organizimit shoqëror dhe si shprehje e pjekurisë kombëtare të popullit shqiptar. Ky trajtim i jep veprës peshë të posaçme në kuptimin e proceseve politike dhe shoqërore të kohës.

Neutrali i Junikut – një model unik vetëqeverisjeje

Një element origjinal që sjell vepra është trajtimi i neutralisë së Junikut, një formë e rrallë autonomie tradicionale. Autorët argumentojnë se ky status i pashkruar krijoi një model të veçantë të mosnënshtrimit dhe vetëqeverisjes, duke i dhënë trevës një pozitë të veçantë në raport me pushtetet e kohës. Në këtë trevë kishin gjetur strehim burra të mëdhnj të kombit, ku ishin nxjerrë edhe vendime që kishin të bëjnë me çështjet kombëtare, deri edhe në marrje të vendimeve për luftë çlirimtare nga pushtues të kohës.

Lufta e fundit dhe sakrifica e popullit të kësaj treve

Një ndër pjesët më emocionale të monografisë është dokumentimi i kontributit të junikasve në Luftën e fundit (1998–1999). Përmes rrëfimeve autentike dhe dokumentimit të sakrificës, organizimit dhe trimërisë, autorët sjellin një panoramë të fuqishme morale dhe historike, duke nderuar rolin e kësaj treve në çlirimin e Kosovës.

Dimensioni arsimor dhe rritja intelektuale

Autorët nuk lënë anash as zhvillimin arsimor, kulturor dhe intelektual të Junikut, duke përshkruar brezat e mësuesve, studiuesve, intelektualëve dhe veprimtarëve që kanë kontribuar në konsolidimin e identitetit kombëtar. Kjo qasje e pasuron veprën, duke e paraqitur Junikun si qendër jo vetëm të qëndresës, por edhe të dijes e formimit qytetar.

Përfundim: një vepër e domosdoshme për historiografinë shqiptare

Monografia “JUNIKU me rrethinë ndër shekuj” është një botim i kompletuar, që arrin të përmbushë standardet akademike dhe të pasurojë kujtesën kolektive shqiptare. Përmes përshkrimit të jetës shoqërore, historike dhe kulturore të Junikut, shërben si referencë e patjetërsueshme për studiuesit, institucionet shkencore, bibliotekat, shkollat dhe të gjithë ata që synojnë të kuptojnë më thellë historinë dhe identitetin e kësaj treve.

Kjo vepër përfaqëson një gur themeli në dokumentimin e identitetit lokal dhe kombëtar, duke dëshmuar se Juniku mbetet një ndër trevat me trashëgiminë më të pasur në hapësirën shqiptare.

Elegjitë si përkujtim artistik për të birin, Mentorin

0

Nga: Shefqet Dibrani, poet

Mentor Sulejman Dërmaku, 01.12.1973 – 01.08.1993

Sot, poeti, profesori, lektori, gazetari dhe intelektuali i shquar Sulejman Dërmaku ka vendosur ta shënojë ditëlindjen e të birit, Mentorit, në një mënyrë të veçantë. Në këtë ditë, babai i Mentor Dërmakut e bën publik librin e tij me elegji kushtuar të birit në amshim, me rastin e 52-vjetorit të lindjes së tij.

Për Sulejman Dërmakun, ikja e pakthyeshme e Mentorit është kthyer në përditshmëri – në vetë jetën e tij, të mbushur me dhimbje të heshtur, me buzëqeshje dhe sjellje fisnike. Poeti nuk dëshiron të lëndojë askënd, por mungesa e të birit, si në ditët pranverore të gëzueshme, ashtu edhe në vjeshtat e trishtueshme, e ka shndërruar përjetimin e tij në elegji. Këto elegji e kthejnë sot para lexuesit një dramë shpirtërore që ngrihet në përmendore artistike me vlera të rralla dhe me mesazh të thellë edukativ.

Poeti i këndon verës së përcëlluar me zemër të ftohtë, ashtu siç i këndon dimrit të ashpër me zemër të prusht nga malli për të birin. Libri “SI NJË ËNDËRR”, poezi për të cilën studiuesi letrar Prend Buzhala pati shkruar një ese që e shoqëron botimin, merr pikërisht këtë titull të dhënë nga vetë babai, në përkushtim të të birit, në përvjetorin e 52-të të lindjes së Mentorit.

Ky vëllim elegjish, i redaktuar nga Shefqet Dibrani, përfshin edhe fragmente nga shkrimet e tij. Bashkë me botuesin Naser Vitija, editor i Shtëpisë Botuese DRITApres, ata i japin dritë këtij kujtimi të përhershëm, ku prindërit e Mentor S. Dërmaku (01.12.1973 – 01.08.1993) e kthejnë dhimbjen e sotme në kujtim letrar.

Bashkë me këtë hyrje, po sjellim edhe pamjen e kopertinave dhe parathënien e librit, të shkruar nga kritiku letrar Shefqet Dibrani

***

DHEMBJA SI TESTAMENT I DASHURISË

Në fillim

Vëllimi “SI NJË ËNDËRR – elegji” nga Sulejman Dërmaku, është një nga dhembjet më të thella të ligjërimit elegjiak në poezinë shqipe bashkëkohore. Babai nuk rrëfen dhe as nuk vajton humbjen e të birit, Mentorit. Poeti, përmes dhembjes personale, ka ndërtuar elegji pas elegjie arkitekturën e pikëllimit, një kujtesë e gjallë, ku dhembja, kujtimi, malli i pashuar dhe pyetjet metafizike bëhen substancë e vetë jetës. Në këtë vëllim, dhembja nuk është moment, por mot i përhershëm, kohë e pandryshueshme, siç e thotë vetë autori në poezinë “Dhembje”:

DHEMBJE

 

Sot

Sikur edhe dje

Sonte

Sikur edhe mbrëmë

Nesër

Sikur edhe sot

Sikur mot për mot

Dhembja

S’m’u shqit dot

 

1.10.1995, Gjermani

 

Vëllimi me elegji i Sulejman Dërmakut është një kapitull i hapur për dhembjen e tij, dhe dëshmi e një testamenti të dashurisë prindërore, që me çdo kusht kërkon të mbajë gjallë praninë e të birit në mungesë. Elegjitë nuk kanë të bëjnë vetëm me humbjen, ato i japin dhembjes frymë, zemrës një ritëm të ri, sikur të ishte engjëll që jeton diku midis tokës e qiellit. Sulejman Dërmaku shkruan me përvojën e njeriut i cili me çdo kusht bën përpjekje të rrojë sa më gjatë kujtimi, të mëkojë fjalët nga dhembja dhe të mos e lejojë kujtesën të mungojë. Edhe lexuesi më i rëndomtë do t’i përjetojë thellë këto elegji në të cilat ende ndihet prania e dashurisë për të, bashkë me të gjitha shenjat e mungesës dhe mënyra për të jetuar me mungesën e përhershme. Këto vargje janë elegji, janë edhe lutje, në anën tjetër është dhembje e babait e sublimuar në dashuri, i vetëdijshëm për të jetuar me mungesën. Andaj, çdo varg duket se është një mision për të mbajtur praninë e të birit që nuk është më, por zemra e tij nuk e pranon dot.

Në këto elegji, dhembja është një mënyrë e re për të jetuar më tutje, një dritë që udhëheq poetin-prind edhe nëpër natën e heshtjes. Sulejman Dërmaku e ka shndërruar pikëllimin në varg dhe vargun në një përkushtim elegjiak, që nuk harrohet kurrë, shprehur me një dashuri të prerë, e cila për të gjallë të tij refuzon të vdesë. Ai i drejtohet të birit të vet në trajtën e një bisede të ndërprerë, por kurrë të shuar: “Thonë se shpirtrat në amshim/ na shikojnë nga qielli/ nuk e di nëse është kështu/ biri im” (poezia, “SHPIRTRAT SHIHEN”), që përjetohet si mosbesim në atë përgjysmim të asaj peme me jetë, duke mundësuar motivin të bëhet si urë e tërë vëllimit elegjiak. Qëllimi është të jetuarit me dhembje dhe me mungesën e përhershme, që si varg nuk ndjek kohë lineare. Vargjet janë shkruar nga një zemër e përvëluar, që zemërimin e ka filluar që në momentin kur humbi birin, andaj vargu frymon një dhembje të vërtetë dhe të pakthyeshme. Së këndejmi, dashuria e prindit nuk shuhet as nga amshimi, përkundrazi, ajo përjetësohet pikërisht nëpërmjet kësaj mungese, e regjistruar si pika e lotit që e shpon edhe gurin.

Në këto vargje, prindi/poet nuk shkruan për të harruar, ai shkruan për të mos harruar asnjë thërrmijë të pranisë së të birit, buzëqeshjen dhe shikimin e tij, vitet-moshën e papërmbushur dhe fjalën e pashkruar. Për këtë arsye, duket sikur çdo varg i elegjisë është një gur varri, por edhe një rreze drite, në çdo datë morti, në çdo ditë gëzimi, si një lot dhe një bekim i përhershëm për Mentorin (01.12.1973-01.8.1993).

 

“Kur shikoj fotot e vjetra nganjëherë

E ti në to shkëlqen plot jetë, biri im

Ah, sa e pamëshirë kjo jetë përherë

Në lule të rinisë kalove në amshim…

…

Dhe jo çfarëdo dashurie të botës njimtare

Veç dashuri shpirti që prindi ndien për fëmijë

Po jeta s’të pyetka, nuk paskësh mëshirë fare

Për lotët e dashurinë tonë s’dashka t’ia dijë”

 

(Nga poezia “JETA S’TË PYETKA”)

 

Poeti, ka ndërtuar një varg të heshtur, që duket se është rrënuar nga pikëllimi, andaj edhe fjalët i rrinë si hije rreth zemrës. Në këto vargje s’ka metafora të zbukuruara, sepse metaforë e vargut vetvetiu është dhembja e poetit. Këto vargje nuk synojnë të impresionojnë askënd, por tregojnë se plaga e shpirtit nuk shërohet, as koha nuk shëron, vetëm se dhembja ka gjetur ritmin e saj të frymëmarrjes. Në elegjitë e Sulejman Dërmakut, dhembja nuk është vetëm një përjetim, ajo është një hapësirë e banueshme në zemrën e poetit, është përjetim brenda botës poetike, ku prindi jeton me mungesën e përhershme të të birit dhe me praninë e përhershme të dhembjes. Andaj, elegjitë janë një udhëtim i përditshëm nëpër plagët që nuk shërohen as me kalimin e viteve, as me kohën e ikur dhe as me lutjet e përhershme. Përkundrazi, koha e ka thelluar peshën e dhembjes, ndërsa zemra e tij ka ruajtur këtë thesar artistik, sado i hidhur të jetë. Në këtë mënyrë, dhembja e poetit bëhet testament i dashurisë, mënyrë e vetme për ta mbajtur të gjallë një jetë që është shuar fizikisht, por vazhdon të jetojë shpirtërisht. 

Amshimi si “vegim” i dhembjes dhe bukuria e humbur

Libri hapet me elegjinë “VEGIM”, si një lajtmotiv qendror i dhembjes e që përsëritet si një ritëm i brendshëm, në kufirin mes realitetit dhe botës së amshuar. Në elegjinë “VEGIM”, nipi i bëhet ura e vetme tokësore, ndërsa i biri shfaqet si prani e padukshme: “Më fanitesh/ Realitet/ A vegim”, ku poeti e ndërton figurën e pikëllimit, ndërsa sytë shohin mungesën, zemra përjeton dhembjen. E njëjta vijë konceptuale vazhdon më tej: “Nipi është me ty/ Realitet/ e unë/ Vegim”, ku prania dhe mungesa krijojnë një binar, ku jeta dhe vdekja ecin paralelisht, prandaj amshimi nuk është vetëm hapësirë e errët. Amshimi është një vend simbolik, ku mblidhen të gjitha kundërshtitë e zemrës, shprehur si kontrast i skajeve, “Ballë borë/ Buzët shkrumbon/ Faqe akull/ Përqafimi përcëllon”, dhe vargu shndërrohet në figurë të dualitetit emocional, djegie dhe ngrirje, mall dhe heshtje, prani dhe largësi. Pra, Biri në amshim nuk është as i gjallë e as i zhdukur: “Biri im/ Gojëmbyllur… Symbyllur/ Të detit kaltri/ Biri im/ Në Amshim”, në elegjinë “AMSHIM”, poeti ka arritur të shkruajë një varg të thjeshtë, por tronditësh, që dëshmon se bukuria e fëmijës së humbur ruhet si ngjyrë e detit, por heshtja e tij është e ftohtë si tallazet e tij.

Koha si plagë e hapur 

Motivi i datave të dhembshme, është një shënim tjetër i këtyre elegjive. Çdo 1 gusht dhe 1 dhjetor bëhen rituale të dhembjes. Në poezinë “1 DHJETOR 1973 / 1993”, kundërvihen dy botë: 

1973

 

1 dhjetor

Bie dëborë

Zemra ngroh

Ditë-lindja jote

Këtë e shoh

 

Rrodhën vitet

U bëre burrë

Ditëlindjen e njëzetë

Ta kremtosh

S’arrite kurrë

 

Dhe më pas:

 

1993

 

1 dhjetor

Nuk bie dëborë

Zemra mardh

(Dhe përcëllon njëherësh)

Nuk di

Si të gjej ngushëllim

Të të kremtoj

Ditë-lindjen

A të të qaj

Ditë-vdekjen

Biri im

1.12.1993, Ferizaj 

Pra, datat në këtë elegji nuk janë vetëm kujtime, ato janë akte të vazhdueshme të jetuara. Acar, vapë, dëborë, verë, të gjitha kthehen në metafora të dhembjes, dhe si realizime artistike për t’u veçuar. Të këtij niveli janë edhe elegjitë: “PA TY DHE PA EMËR”; “KËNGË E DHJETORIT”; “SHIKIMI YT”; “VDEKJE NUK ËSHTË KUR VDES”, e ndonjë tjetër.

Pikëllimi që s’iku kurrë

Përgjatë të gjitha elegjive, simbolika e dhembjes shfaqet sikur të ishte personazh i gjallë, si hije që ndjek, si zë shoqërues. Në elegjinë “DHEMBJE SHPIRTËRORE”, dhembja “banon” në zemrën e poetit: “Zjarr prush e flakë banon/ Thellë në timen zemër/ Zhurit djeg e përcëllon/ Pa çarë kokë për emër.” Ndërsa në elegjinë “NGADO”, dhembja është shoqëruesja e pashpërfillshme: “Ti s’m’u hoqe/ Ti më ndoqe/ Ti më shoqërove/ Ti më shqetësove/ Hap më hap/ Me mua shqim/ Dhembje/ E shpirtit tim.” Prandaj, dhembja nuk është gjendje e brendshme, por figurë e jashtme, ajo ecën, udhëton, ndjek, shfaqet si hija që nuk ndahet.

Në këto elegji, mungesa është prani dhe e përhershme. Ajo nuk është zbrazëti, por një territor ku vargjet ndërtojnë shtëpinë e re për të dashurin e humbur. Në një prej fragmenteve mjaft prekëse, janë vargjet: “Çdo mot/ ndonëse fizikisht mungesor/ Për këtë, dhembja e pashuar/ dhe pikëllimi sëmbues/ janë të përhershëm tanët shoqërues.” Këto vargje janë metaforë e pikëllimit sëmbues, dhembja e përhershme në këto elegji nuk është fizike, është ritmikë shpirtërore. Është dhembje përmes shpirtit dhe vargut. Kujtesa e t’et shndërrohet në përjetim dhe metamorfozë e dhembjes.

Elegjitë shpesh shtrojnë pyetje të drejtpërdrejta drejtuar Zotit dhe fatit, si në poezinë “PËRSE”, e cila është një prej elegjive që shpreh sinqeritetin e prindit, i cili përmes vargut e shfaq një revoltë irracionale: “Rron/ I verbri/ Shurdhi/ I paafti/ I paralizuari/ Psikopati/ I sëmuri/ Biri im/ Shëndoshë si molla/ O Zot/ Përse të vdesë.” Në këtë elegji, poeti përdor një figuracion të fortë të krahasimit, duke e vendosur absurditetin e humbjes përballë rasteve të tjera të mbijetesës. Revolta është e thjeshtë, e pastër, dhe për këtë arsye thellësisht tronditëse. Poeti Sulejman Dërmaku nuk qan, ai rrëfen dhe dëshmon. Kjo është një nga vlerat themelore të këtyre elegjive. Dhembja në këto elegji ka krijuar një dimension të ri të dashurisë, duke treguar se ndarja nuk është e pranueshme, ajo është e detyruar. Sipas kësaj, vargjet nuk mund ta ndryshojnë fatin e njeriut dhe as të poetit, por e ka shpëtuar kujtesën nga zhdukja dhe harresa, prandaj mund të them se këto elegji janë një gjëmë e vogël artistike kundër harresës. Diku tjetër, poeti e ndërton jetën si kujtim. Ta zëmë, te elegjia, “JETOJMË ME KUJTIMIN TËND”, kujtimi i babait mëkon shpirtin që mban gjallë familjen: “Jeta jonë që nga ajo e diel e kobshme/ e 1 gushtit 1993/ qe dhe mbeti/ një kopje e zbehtë/ e jetës së njëmendtë.” Ndërsa në elegjinë “MBURREMI QË E PATËM”, me përkushtimin, “Tim biri, Mentorit, në 23-vjetorin e prehjes në amshim”, kujtimi shndërrohet në krenari, në mënyrën e vetme për të kapërcyer dhembjen: “Ai për ne rron prore/ rron në zemrat tona… Mburremi që e patëm.” Kjo lëvizje e poetit nga dhembja e pastër drejt krenarisë së butë dhe mirënjohjes shprehet me një ton pothuaj të shenjtëruar.

Koha që ndalet

Nëpër këto elegji, Biri i Sulejman Dërmakut mbetet një figurë e ngrirë në moshë. “Nëntëmbëdhjetë vjeç prore”, thotë poeti, duke e bërë kohën të dorëzohet përpara ndjenjës. Djaloshi nuk ka të drejtë të plaket, të martohet, të rritet, prandaj ai bëhet simbol i përjetësisë së pafajshme, një jetë e ndërprerë që mbetet hëna e plotë e kujtimeve. Pikërisht elegjia “I AMSHUESHËM” e kristalizon këtë ide. Biri i poetit, “S’plaket dot/ Prore djalosh/ nëntëmbëdhjetëvjeçar/… i amshueshëm/ në zemër ar/ për ne”, duke u shndërruar dhembja në muzë dhe inspirim krijues.

Muaji dhjetor ka një peshë të veçantë nëpër këto elegji, sepse gërshetohen dy data të kundërta, lindja dhe humbja, siç shprehet në vargjet: “Të të kremtoj ditëlindjen, a të të qaj ditë/vdekjen”, është shprehur ai, si prind dhe poet. Dhjetori nuk është më muaj i dritave, është hapësirë ku gëzimi dhe pikëllimi jetojnë në të njëjtën frymë. “Dëgjoj këngën e dhjetorit të ftohtë…/ më ngrohet zemra si asnjëherë”, në këto vargje poeti sikur e ndien birin që i vjen nëpër acar me besim se ringjallet edhe një herë, duke përshkruar një narracion estetik të këtij vëllimi me elegji përjetuese e përkushtuese, i bindur se nuk ka më ndarje të pastër mes jetës dhe amshimit. Andaj, dita e diel e humb karakterin e saj të pushimit dhe bëhet dita e kobit, “Atë ditë/… të përcollëm në amshim,” kujton poeti. Ajo e diel e 1 gushtit 1993 nuk është thjesht datë, është stina me një plagë në zemër që ka prodhuar urrejtje ndaj të dielave, “sikur bëri që t’i urrejmë/ të gjitha të dielat”, një nga figurat më tronditëse të poezisë, një ditë që për poetin po zgjatet qe 30 vjet dhe nuk do të mbarojë kurrë.

Dhembja si testament i dashurisë

Në poezitë e fundit, dhembja quhet “e përjetshme”, si kujtim e jo mallkim. Dhembja është prova e një dashurie që nuk tretet, nuk harrohet, nuk shuhet. Është mënyra e vetme për ta mbajtur të birin pranë, është gjuha e vetme me të cilën poeti mund ta thërrasë jetën e tij të humbur. Biri i poetit është përkujtuar nëpër vargje, në botën ku vargjet rrojnë dhe ringjallin kujtimin. Dhembja tek Sulejman Dërmaku është dritë e zbehtë, por e pandalshme. Vargjet janë një testament i dashurisë, i shkruar me shpirt të thyer, por me zemër të fortë, andaj elegjitë, varg pas vargu, dëshmojnë se dashuria e një prindi nuk vdes kurrë, ajo vetëm shndërrohet në motiv për t’u bërë amshim poetik.

Në përfundim

Vëllimi “SI NJË ËNDËRR – elegji”, është një testament poetik i një prindi, që nuk e mposht dot dhembjen, por e shndërron atë në ligjërim poetik, në kujtesë të qëndrueshme, në amshim të fjalës. Sulejman Dërmaku ka ndërtuar një poezi të pastër, të mbështetur mbi metafora të fuqishme të ftohtit, zjarrit, mallit dhe mosplakjes. Ajo që e bën këtë elegji unike është sinqeriteti që nuk dorëzohet para retorikës, por e kthen dhembjen në vijë drite, në një lloj komunikimi me të birin përtej kohës. Ky vëllim me elegji i Sulejman Dërmakut është si një qiri që digjet nga të dy skajet. Nga ai i kujtesës dhe ai i pritjes. Ai digjet, por nuk shteron. Ajo duket si një lule e mbirë në një tokë të djegur. Edhe lexuesi do ta kuptojë se dhembja nuk është vetëm plagë, por edhe dorë që mban lapsin për të shkruar, edhe zemër e plagosur që rron për këto vargje në kujtim të Birit që do të mbetet si një imazh i qetë, i brishtë, i pashuar e në pritje të kthimit, qoftë edhe në ëndërr ose në një varg të ri.

Prishtinë, 01 djetor 2025.
Shefqet DIBRANI

Atdhe për shqiptarët është edhe Lugina, edhe Maqedonia, edhe Çamëria, por ato nuk janë shtetet tona

1
Lis Bukuroca, Gjermani
___
Kush kë duhet të votojë?
___
Atdhe për shqiptarët është edhe Lugina, edhe Maqedonia, edhe Çamëria, por ato nuk janë shtetet tona. Shtet ligjor quhet vetëm ai vend ku ligji zbatohet dhe drejtësia nuk është thjesht formalitet. E as dekorim publik, që paguan institucionet e drejtësisë për ta shembur vetë drejtësinë.
Shteti i drejtë është atdhe;
i padrejti është njerk-atdhe.
Ky i fundit nuk dallon nga shtetet e tjera ku jetojnë shqiptarët: është vetëm lëshues pasaportash, një nxitës për t’u larguar, një ndihmues për të mërguar: një administratë për t’i zvogëluar e dobësuar shtetet shqiptare.
Atdheu nuk është vetëm vendi ku lind njeriu, por ai ku mund të jetosh i lirë, i barabartë dhe ku ke ardhmëri, jo ku ke vetëm të kaluar.
Prandaj, nëse e do Kosovën pa shtet të vërtetë, si ngrehinë formale ku drejtësia nuk lufton padrejtësinë,
votoji ata që e kanë vjedhur,
që e kanë nëpërkëmbur ligjin
dhe që e kanë shndërruar drejtësinë në garantuese të pandëshkueshmërisë:
duke i shërbyer oligarkëve dhe njerëzve të pasur e të pasuruar padrejtësisht. Disa ish-komandantëve dhe disa liderëve të korruptuar.
Ata që kanë luftuar dikur, atëherë ishin patriotë. Dikur. Prandaj populli i shpërbleu me pozita për kontributin. Për guximin. Për rrezikimin e jetës.
Po pas luftës?
Nëse e kanë dëmtuar shtetin, atëherë sot janë armiq të tij.
Sepse vjedhjen e ndalon ligji, dhe hajnia nuk mund të justifikohet me të kaluarën.
Ligji nuk parasheh asnjë licencë zhvatjeje; përndryshe do të duhej një ligj i ri, ku shkruan: neni kaq e kaq ndalon vjedhjen e shtetit nga qytetarët e rëndomtë, por sot ia lejon vetëm atij që ka kontribuar dje.
Sipas traditës sonë fisnore, patrioti i djeshëm mund të jetë krimineli i sotëm.
Dhe, nuk bën të kritikohet.
Kjo është paradoksale.
Ilegale.
Megjithatë, veprat e sotme vlejnë po aq sa kontributi i djeshëm. Nëse meriton shpërblime për të kaluarën, mirënjohje, për të sotmen meriton, dënim, burgun.
Kodi Penal nuk parasheh përjashtime, siç e bën Prokuroria.
Prandaj, ai Kod ose duhet të abrogohet, ose të ndryshohet, në mënyrë që askush të mos mund të quhet njëkohësisht atdhetar dhe hajn. Duhet të përkufizohet qartë me ligj se komandantëve dhe liderëve politikë u lejohet të bëhen milionerë. Kështu mbeten vetëm atdhetarë. Vetëm heronj.
Por, nëse një komandant paska të drejtë të pasurohet padrejtësisht vetëm pse ka sakrifikuar dje, atëherë çfarë të drejte ka familja Jashari, e cila sakrifikoi gjithçka?
Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen ata komandantë e politikanë që janë pasuruar padrejtësisht dhe ata që e kanë pagëzuar lirinë me emrin e tyre.
Nëse je veteran i rremë,
s’të mbetet tjetër veçse t’i votosh ata që miratojnë ligje për t’i shkelur vetë.
Nëse je pasuruar duke vjedhur,
prapë duhet t’i votosh ata që shkelin ligjin, sepse ata të mbrojnë ty, ashtu siç prokuroria i mbron ata.
Pra, dilema është e qartë dhe ka vetëm dy mundësi:
Ose voton padrejtësinë, për të ruajtur padrejtësinë tënde,
ose voton drejtësinë,
për ngritjen e shtetit,
por aty mund të rrezikosh pasuritë që i ke fituar duke shkelur ligjet e shtetit tënd.
Me vjedhje!
Me korrupsion.
Me ryshfete.
Ti ia ke rrënuar atdheut shtetin,
shtyllat që e mbajnë vertikalisht,
e ke shndërruar gati në Luginë,
por në televizion shet pallavra patriotike, sikur je i brengosur për shtetin, kur pikërisht ti e ke vjedhur. Pikërisht ti je pasuruar duke vepruar kundër ligjit.
Dje me zjarr luftoje për arrestimin e komandantëve, sot je kundër. Jo pse i do vërtet ata; madje vetë ke ndihmuar në arrestimin e tyre. Por nga frika se po rrezikohet plaçka jote.
Nëse dikush paguhet për kontributin në luftë,
nuk meriton shpërblim tjetër.
Ai paguhet muaj për muaj.
Kjo është mirënjohje. Ky është dëmshpërblim.
Pse nuk meriton?
Sepse, nëse ti e paguan bukën,
ajo nuk është më e bukëpjekësit, por e jotja.
Bukëpjekësi nuk mund të mburret pse e ka gatuar; mburresh ti që e ke blerë, përndryshe do të shfaqej edhe bujku që ka kultivuar grurin.
Shkurt e qartë: popullit që të paguan nuk mund t’i krekosesh se liria paska emrin tënd. Sepse ai e kujton mirë se si u çlirua dhe pse hyri NATO. Sepse ai e di mirë se prej tij financohesh, muaj për muaj. Tërë jetën.
Kështu është edhe kontributi në luftë: ka kontribuar familja Jashari, por ajo as nuk e ka vjedhur, as nuk e vjedh Kosovën, shtetin për të cilin u masakruan.
Tani, cili është atdhetar, ti që je bërë milioner duke e vjedhur Kosovën, apo ajo familje që ka sakrifikuar çdo gjë, si askush?
Sa i ke dhuruar asaj familje?
Përfundim: Aty ku kontributi i dikurshëm përdoret për të legalizuar vjedhjen e shtetit, atëherë më e pakta që duhet bërë është, ndryshimi i Kodit Penal dhe shtimi i nenit 01:
„Personaliteteve me kontribut në çlirimin e atdheut dhe liderëve politikë, u lejohet çdo gjë. Ata qëndrojnë mbi Kodin Penal!“ Ky mendim do të mjaftonte për t’i dekriminalizuar.
Kështu, nuk do të kemi as korrupsion, as tenderë, as privatizime kundërligjore dhe ligji do të respektohet nga oligarkët dhe elita. Një Sallamadi–sistem modern, sepse vjedhja do të bëhej normale. Fisnike. Si kur e patën pushtetin. Aty e tuje, mund të mbyllen prokuroritë dhe gjykatat se nuk duhen më. Paratë që kursehen, të investohen nëpër shkolla e spitale…
Imazhi me Copilot