Dalja e Presidentes bën me dije se, sado të ‘aftë’ që të jenë gjykatësit, dikush duhet t’ua përkujtojë dëmin që mund t’ia bëjnë vendit
Paradoksale, deputetët pasivë angazhojnë asistentë personalë!
Florim Zeqa
Ndonëse po kalojnë pesë muaj nga seanca e parë konstituive, Parlamenti ende zyrtarisht nuk është konstituuar. Mirëpo, kjo nuk është bërë pengesë që deputetët pasivë të angazhojnë asistentë personal me paga të majme nga buxheti i shtetit të Kosovës!
Asistentët margaritarë të legjislaturës së kaluar
Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ndonëse që pesë muaj nuk kanë bërë asgjë më shumë pos asaj që kanë nënshkruar praninë në seancë konstituive, kjo nuk i ka penguar ata që të angazhojnë asistentë personalë.
Kontratat me ta i kanë lidhur duke e shfrytëzuar një Rregullore të Kuvendit, e cila ua jep këtë mundësi.
Edhe pse në këtë fazë nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore dhe administrative për një veprim të tillë, për faktin se Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk janë funksionalizuar organet e tij, asistentët po e kryejnë “punën” e tyre!
Derisa këta asistentë kanë hyrë në listën e pagave, mësohet se të tjerët janë duke vazhduar t’i nënshkruajnë kontratat me deputetët pasivë.
Paradoksalisht dhe pa fije turpi deputetët pasivë, pa e ushtruar fare funksionin e tyre, në mënyrë të jashtëligjshme dhe të pamoralshme janë duke i angazhuar asistentët për seanca që zgjatin jo më shumë se 2-3 minuta!
Sipas burimeve zyrtare, deri më tani rreth shumica e deputetëve pasivë kanë angazhuar asistentët e tyre, të cilët tashmë kanë hyrë në listat e pagave, lartësia e të cilave arrinë deri në 900 euro!
Në këto rrethana, angazhimi i stafit mbështetës përveç se është i panevojshëm, ngre pikëpyetje etike dhe ligjore për mënyrën se si menaxhohet paraja publike në kushtet e bllokadës institucionale.
Bazuar në Rregulloren e punës së Kuvendit, paga e asistentit të deputetit kap shumën prej 900.9 eurosh- bruto. Sipas kalkulatorit të pagës së Administratës Tatimore të Kosovës, 900.9 euro bruto i bie 729.47 euro neto. Që do të thotë se këto para i dalin në xhirollogari një asistenti të deputetit pasivë, që tash për tash nuk bën asgjë.
Papërgjegjësi dhe ndërgjegje e ulët e deputetëve pasivë
Seanca konstituive e Kuvendit është hapur më 15.04.2025 dhe prej asaj date nuk ka arritur të mbyllet zyrtarisht me konstituimin e Kuvendit.
Kjo e dëshmon nivelin ekstremisht të ulët të ndërgjegjës së deputetëve të kësaj legjislature që nuk bëjnë asgjë dhe marrin paga të majme me paratë e taksapaguesve të varfër, duke e kthyer Republikën e Kosovës në ‘plaçkë lufte’ për punësimin e militantëve partiak, miqve dhe familjarëve të tyre!
Deputetët deficient (të mangët në tru) që nuk mund t’ia dalin ta ushtrojnë vet mandatin e fituar me votën e qytetarëve, do duhej të tërhiqeshin nga posti i deputetit për t’i lënë vendin tjetrit që është i aftë të kryejë punën për të cilën është ngarkuar me voten e qytetarëve të vendit.
Jam thellësisht i sigurtë që sikur deputetët t’i paguanin nga xhepi i tyre, asnjëri prej tyre nuk do të angazhonin asistent personalë!
Duhet rikujtuar lexuesve se “Asistentët” e deputetëve janë nxjerrë me rregulloren e Kryesisë së Kuvendit nga legjislatura e kaluar e cila u funksionalizua si rezultat i nismës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka shumica e asistentëve janë të punësuar vetëm për deputetët e shumicës”, por janë edhe deputet të partive tjera parlamentare që e kanë shfrytëzuar këtë padrejtësi ligjore për të angazhuar asistent personalë!
E quajta padrejtësi ligjore për faktin se, kur është në pyetje rritja e pagave minimale të shtresave më të rrezikuara në vend, asnjëherë nuk arrijnë të bëhen bashkë pozita dhe opozita, por kur janë në pyetje privilegjet e tyre personale ata nuk hezitojnë të bashkohen, qoftë nevoja edhe në mes të natës!
Diçka nuk është në rregull me ndërgjegjën tonë kombëtare! Dikush pagën 2 mijë euro plus me asistent të paguar nga shteti, e dikush tjetër me asistencë sociale me më pak se 150 euro! Ngjizja e një alternative të re politike dhe zgjimi i ndërgjegjës kombëtare janë imperativ i ngutshëm kohor për ta shpëtuar vendin nga katandisja e mëtutjeshme!
Disa porosi për pushtuesit e historisë
Talibanë shqipfolës…, ne jemi shumica shqiptare, e ju jeni pakica mesjetare
Ku duan të na sjellin talebanët shqipfolës…? Foto e femrave të Afganistanit katër vjet nën terrorin e talebanëve…!
Blerim Latifi, filozof nga Prishtina
Hipokrizia e Kurtit dhe Konjufcës e shfaqur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Selatin Retkoceri, Llugaxhi, Lipjan
Në mbledhjen e 7 shtatorit 2025, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca mbajtën fjalime të “fuqishme” në sytë e militantëve të vet politik, duke u shfaqur shumë kritik ndaj zhvillimeve aktuale politike e institucionale në vendin tonë.
Kurti në fjalimin e tij volli vrerë duke kritiku ashpër Gjykatën Kushtetuese, duke shkuar aq larg për ta cilësu si “hije politike e opozitës kundër Vetëvendosjes!”. Kurti u mundua të arkumentoj se vendimi për pezullimin e procedurave për formimin e Qeverisë së re, i miratuar nga Gjykata Kushtetuese ka bllokuar punën e 120 deputetëve për 25 ditë, kohë kjo që do të mjaftonte për formimin e qeverisë së re, menjëherë pasiqë ti ketë dhënë mandatin presidentja.
Fjalimi në vazhdim ka qenë një lloj hapje e fushatës së re për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat me shumë gjasë do të organizohen në nëntor të këtij viti, kuptohet nëse nuk arrihet të kapet orari i balotazhit për kryetarët e komunave që nuk arrijnë të fitojnë në rundin e parë.
Qesharake ishte kur Albini filloi të prezentoj një pjesë të programit zgjedhor, program ky që nxjerrë nga arkivi disa projekte të dështuara nga mandati i fituar në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Kulmi i destruktivitetit në fjalimin e Kurtit arriti kur ai filloi të flas për përbërjen e gjyqtarëve aktual të Gj.K. duke tregu se 5 nga 7 gjykatësit i takojnë kohës së PAN-it, duke tregu se 5 gjykatës në këtë gjykatë datojnë që nga viti 2018, kur pushteti ishte ende në duart e koalicionit PAN me Listën Serbe, duke nënkuptuar se institucionet nuk e kanë ndjekur dot ritmin e ndryshimeve politike të fitoreve të Vetëvendosjes nga viti 2019 e tutje.
Derisa Konjufca si njëri prej atyre që konsiderohet më i reformuar, më racional e më konformist na befasoi me qasjen e tij të pamatur duke u shpreh hapur se një vendim eventual i Kushtetueses, mund të përbënte tradhti kombëtare.
Ai gjatë fjalimit të tij u mundua ta cilësoj në tre skenarë:
1. Ky kuvend do të jetë në gjendje të vazhdoj me punë,
2. Nëse nuk do të jetë në gjendje të vazhdoj atëherë do të ketë zgjedhje të reja,
3. Derisa skenari i tretë sipas tij, do të ishte i papranueshëm dhe do t’i jepte Listës Serbe e Beogradit të drejtë vetoje ndaj Republikës së Kosovës.
Derisa në arsyetimin e kandidatures për A.K. për kryeministër nga KP, ai deklaroi që kandidimi apo propozimi i kësaj kandidature është krejtësisht formal, meqë siç tha Konjufca ai mori mandatin nga vetë populli në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në fund mund ti përmbledhim të dy fjalimet si shumë destruktive, përqarëse, kundër opozitës dhe gjykatës kushtetuese dhe kundër institucioneve të shtetit që për fat të keq na ka mbet vetëm presidentja dhe Gjykata Kushtetuese. Në fund nëse përmbledhim shkurt esencën e këtyre fjalimeve mund të themi:
– Albin Kurti, sulmoi ashpër Gjykatën Kushtetuese duke e cilësuar ate si instrument politik si dhe
– akuzë për Gj.K. si një instrument për bllokim të institucioneve! Derisa fjalimin e Glauk Konjufcës e shohim si:
– Paralajmërim për skenar të mundshëm “tradhtie”,
– argumentim apo konfirmim të kandidaturës së Kurtit për KM për ate që këta të VV-së e quajnë Qeverisja Kurti III. Parashikimet e mija janë:
– Kthim i punës së kuvendit në vazhdimin e zgjedhjes të nënkryetarëve të komuniteteve pakicë dhe të serbëve në pako,
– Nëse do të ketë mundësi ligjore, atëherë partitë politike do të merren vesh për shpërndarje të kuvendit pa shkuar në hapin e propozimit të mandatarit,
– Albin Kurti nuk i ka numrat për qeveri dhe kështu do të keqpërdor minoritetin serb derisa të krijoj kushte për zgjedhje të reja, – Opozita nuk do të pranoj të futet në koalicion me VV-në e cila po bën gjithëçka për ta zhbër shtetin,
– zgjedhjet e reja të jashtëzakonshe do të mbahen më së largu në pjesën e dytë të nëntorit ose në fillim të dhjetorit, kuptohet nëse nuk e ka ndonjë skenar ogurëzi Albin Kurti për ta quar vendin në zgjedhje në kohën kur i del mandati edhe presidentes dhe Kosova do ta ketë kryeparlamentar dhe president Dimal Bashën!.
Kosova fitoi lirinë, por humbi drejtësinë!
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Nuncin Apostolik për Kosovën, Luigi Bianco
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim njoftues Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Republikën e Kosovës, Luigi Bianco, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në vendin tonë.
Presidentja Osmani e uroi Nuncin Bianco për detyrën e re dhe shprehu bindjen se vizita e tij do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
![]()
Duke e vlerësuar hapjen e Misionit të Kosovës në Vatikan si një arritje të rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, Presidentja shprehu besimin se njohja e pavarësisë së Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta me Vatikanin.
Gjatë bisedës me Nuncin Apostolik, Bianco, Presidentja Osmani rikujtoi vizitën në Vatikan dhe takimin e veçantë me Papa Françeskun e ndjerë, duke e cilësuar bisedën me të si një moment të rëndësishëm në zhvillimin marrëdhënieve miqësore dhe respektit të ndërsjellë në mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Tutje, Presidentja ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që ta vijojë bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë nën udhëheqjen e Papa Leos, duke u angazhuar për paqen, dialogun ndërfetar, si dhe forcimin e vlerave universale të solidaritetit dhe humanizmit.
Kryeministri Kurti mirëpriti Delegatin apostolik të Selisë së Shenjtë për Republikën e Kosovës, Imzot Luigi Bianco
Prishtinë, 8 shtator 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në takim Delegatin apostolik të Selisë së Shenjtë për Republikën e Kosovës, Shkëlqesinë e tij, Imzot Luigi Bianco, i cili zhvillon vizitën e parë zyrtare në Kosovë.
Kryeministri e uroi atë për pozitën e re dhe i dëshiroi mirëseardhje në Kosovë. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Vatikanit për Kosovën në momentet vendimtare historike.

Gjatë bisedës, kryeministri Kurti theksoi zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Republikës së Kosovës, dhe përkushtimin ndërinstitucional për harmonizimin e politikave me parimet dhe objektivat e Bashkimit Evropian, me synim anëtarësimin e plotë në strukturat dhe mekanizmat euro-atlantik. Shpallja e pavarësisë së Kosovës i ka kontribuar edhe paqes e sigurisë në rajon por edhe progresit socio-ekonomik në vendin tonë, u shpreh kryeministri. Më tej, ai nënvizoi angazhimet e Qeverisë në ruajtjen dhe promovimin e diversitetit kulturor, si një faktor kyç për zhvillimin demokratik të shoqërisë sonë, duke i paraqitur disa nga rezultatet konkrete në fushën e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore fetare në vend.

Duke e falënderuar për raportet, kryeministri shprehu përkushtimin e tij për thellimin e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë në fushat e kulturës, dialogut ndër-fetar, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Social-Demokraten (1921) / Aktori më i famshëm gjerman flet për komunizmin, artin dhe punëtorët — Intervista ekskluzive me Aleksandër Moisiun në Hotel Bristol (Oslo)
Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) – Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Shtator 2025
“Social-Demokraten” ka botuar, të premten e 1 prillit 1921, në faqen n°4, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun në Hotel Bristol (Oslo), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Tek Aleksandër Moisiu – Aktori më i famshëm gjerman flet për komunizmin, artin dhe punëtorët

Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4
Me trenin e Kopenhagës në orën 4 e 10 të pasdites së djeshme, Moisiu mbërriti me gruan e tij në Kristiania (Oslo). Moisiu, siç dihet, është ftuar nga regjisori Rudolf Rasmussen në një shfaqje treditore në “Mayol”, ku do të recitojë poezi të Gëtes, Heine-s dhe Verhaeren-it dhe do të interpretojë një skenë monologu nga “Faust-i”.
Ne patëm shumë fat që edhe para ardhjes së aktorit të madh ta bindnim të bënte një intervistë të vogël — të cilën ai me dashamirësi dhe dëshirë na premtoi se po atë mbrëmje do ta jepte në dhomën e tij në hotel “Bristol”.
Me shumë entuziazëm dhe shumë nervozizëm, në kohën e caktuar, ne hymë në labirintin e korridoreve prej mermeri të Hotel Bristol, derisa më në fund gjetëm dhomën ku i ftuari i nderuar dhe gruaja e tij kishin ngritur çadrat e tyre.
Moisiu, ndonëse ishte ende i lodhur nga udhëtimi, na priti shumë ngrohtësisht, na ofroi një nga cigaret e tij më të mira dhe u deklarua menjëherë gati për të biseduar e llafosur për të gjitha gjërat e çuditshme që mund t’i shkonte nëpër mendje një gazetari.
— Ju vini nga Kopenhaga ? e pyetëm për diçka për të filluar.
— Po, kam 8 ditë atje, kam lexuar poezi të Gëtes, Verhaerenit dhe Heines dhe kam interpretuar skenën monologe “Faust i studerkammeret” — sigurisht një nga skenat monologe më të mira në të gjithë “Faust-in”.
— Dhe sa kohë do të qëndroni në Kristiania ?
— Tre, katër ditë. Në “Mayol” do të performoj në thelb të njëjtin program me atë që kisha në Kopenhagë. Kur të mbaroj këtu, unë dhe gruaja ime do të udhëtojmë menjëherë për në Stokholm, ku do të kem disa mbrëmje leximi (recitimi), ndoshta edhe një udhëtim të shkurtër në Goteborg.
— Cilët autorë dhe çfarë lloj pjesësh preferoni të luani ?
— Më pëlqen Tolstoi më i miri nga të gjithë shkrimtarët e vjetër të botës, — më pëlqen shumë të aktroj në tragjeditë e vjetra klasike greke, por përndryshe më pëlqen të aktroj në të gjitha llojet e shfaqjeve.
Dhe modernët — Themistokliu si Shekspiri, Tolstoi, Ibsen dhe Bjørnson. Ti kupton gjithçka. Për sa kohë që është art origjinal, i mirë dhe autentik. Ndër shfaqjet norvegjeze kam luajtur Osvaldin në “Gjengangere” dhe Hjalmar Ekdalin në “Vildanden”. Unë gjithashtu nuk kam qenë në gjendje të performoj Hamsun. Unë e mbaj atë me respekt të lartë. Libri i tij “Sult” është madhështor dhe renditet ndër më të mirët në letërsinë europiane.
— Nga deklaratat e tua në gazetat e Kopenhagës dhe edhe nëpër gazetat gjermane kemi krijuar përshtypjen se ju jeni komunist. A besoni në revolucionin botëror proletar ? Dhe a mendoni se do të sjellë lumturi njerëzore për miliona që e emërtojnë atë sot ?
— Unë nuk jam politikan. Është gabim kur gazetat e Kopenhagës duan të më atribuojnë ndonjë deklaratë të madhe politike për çështjet e ndezura të ditës. Unë nuk e kuptoj shumë mirë politikën. Si artist, duhet të përqendrohem në punën time dhe t’i kushtoj gjithë kohën dhe interesin tim artit që dua dhe respektoj. Që unë, si njeri me ndjenja, jam i indinjuar nga padrejtësia e përgjakshme e shoqërisë klasore, bollëku i të pasurve dhe mjerimi i të varfërve, është tjetër çështje. Unë simpatizoj ata që janë në nevojë dhe dhimbje — vuaj me ta dhe shpresoj me ta që ditë më të ndritshme dhe lumturia më e madhe do ta bekojnë së shpejti njeriun e madh dhe të vuajtur.
Unë nuk marr pjesë në politikë, por zemra ime është me ata që duan të mirën. Zemra ime është me komunistët sepse mësimet e tyre janë të rrënjosura në krishterim siç duket në formën e tij origjinale. Unë jam komunist sepse besoj se është e drejtë dhe e duhur që një njeri t’i japë një të varfëri në acar një pallto kur ai vetë ka dy …
Nëse nuk kam besim se mund të përmirësohet bota dhe njerëzit në të me mjete të dhunshme, unë ende shikoj tek të gjithë ata që, me vetëmohim dhe plot idealizëm, marrin drejtimin për çlirimin e të varfërve. Lenini kishte të drejtë në Rusi. Atje, para revolucionit, kishte 30 mijë pronarë tokash të ushqyer mirë dhe 100 milionë të varfër. Pastaj erdhi revolucioni dhe nxorri jashtë loje 30 mijë pronarët e tokave dhe ia dha tokën 100 milionë të varfërve, të cilët tani po bëhen njerëz të vërtetë — sepse po përballen me ditë më të ndritshme.
— A i vlerësoni punëtorët si audiencë teatri dhe a besoni se punëtorët e kuptojnë se si të shijojnë dhe përdorin artin e mirë dhe të mirëfilltë ?
— Punëtorët janë audienca ime më e mirë. Unë kurrë nuk luaj me gëzim më të madh se kur luaj për punëtorët. Sepse e di sa mirë punëtorët kanë nevojë për teatrin, muzikën dhe gjithçka që është e bukur. Sepse e di që bota e tyre është e ftohtë dhe gri dhe se për këtë arsye ata kanë nevojë dëshpërimisht për një rreze të ngrohtë dielli herë pas here. Në Berlin, kam mbajtur një numër recitimesh të dielave pasdite me çmime të ulëta për klasën punëtore. Kam lexuar poezi nga klasikët tanë më të mëdhenj — dhe ndjej se punëtorët e kuptojnë dhe e shijojnë artin e mirë. Sa më mirë është që punëtorët të mblidhen në sallat e koncerteve dhe teatrove sesa të shkatërrojnë shpirtrat dhe trupat e tyre në lokalet e birrës dhe shfaqjet e estradës së minutës së fundit ?
“Arti për hir të artit” është një slogan i mirë. Por kjo nuk e mbulon plotësisht. Arti nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm një qëllim në vetvete — ai duhet të jetë një mjet në shërbim të edukimit publik dhe formimit të zemrës. Dhe ai art është më i madhi dhe më i vërteti, në të cilin çdo shpirt njerëzor dhe çdo zemër njerëzore gjen vendin dhe e njeh veten. E gjithë bota qesh dhe qan për të njëjtat gjëra. Në çdo gjoks njeriu ka tokë pjellore për të mirën dhe të bukurën — çdo zemër është si një kopsht i bukur, por duhet ujitur dhe kujdesur për të — dhe dielli duhet të vijë me bollëk me dritën dhe ngrohtësinë e tij
Arti dhe artistët janë rojet e së bukurës. Prandaj, ata që punojnë me artin kanë një përgjegjësi të madhe. Dhe prandaj është detyrë e tyre të bëjnë art në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë, që të gjithë të përfitojnë prej tij — dhe askush të mos largohet pa u pasuruar në shpirt dhe mendje. Dhe vetëm ajo që vjen natyrshëm është e bukur, vetëm ajo që çdo njeri i vetëm në tokë mund të kuptojë është art i vërtetë dhe origjinal.
Njerëzit duhet të mësojnë të shohin bukurinë në një pasqyrë deti të qetë, në lindjen e diellit dhe në muzg në një mbrëmje të hershme pranvere. Ata duhet të mësojnë të kuptojnë se jeta është e pasur dhe e bukur dhe ia vlen të jetohet — dhe se do të ishte edhe më e bukur nëse njerëzit do të bëheshin më të mirë. Arti është një nga mjetet që do të edukojë racën njerëzore dhe do ta bëjë çdo individ më të mirë, duke hapur sytë nga e bukura, sepse atëherë ata do të mendojnë bukur, do të kuptojnë se çfarë është e mira dhe e keqja dhe do të veprojnë në përputhje me rrethanat.
***
Ndërsa disa gazetarë presin jashtë derës për të hyrë në shenjtëroren e të shenjtëve, ne e shohim si kolegjiale për ta dhe sjellje ndaj aktorit të madh t’i themi lamtumirë.
Aleksandër Moisiu ishte i lodhur kur mbërritëm dhe nuk kishte gjasa të gjallërohej nga shumëllojshmëria e gjermanishtes për të cilën e pyetëm.
Megjithatë, u bashkuam pak sa i përket gjuhës dhe shqiptimit të saj kur i dhamë lamtumirën e fundit. Në gjermanishten më të patëmetë i thamë : Auf Wiedersehen, Aleksandër Moisi !
Por nuk e dimë sa i kishte mbetur kur u përgjigj : Auf Wiedersehen, mein Herr !
- P. Aa.
- Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/social-demokraten-1921-aktori-me-i-famshem-gjerman-flet-per-komunizmin-artin-dhe-punetoret-intervista-ekskluzive-me-aleksander-moisiun-ne-hotel-bristol-oslo/.
Pavarësimi i Maqedonisë, një fryt i papjekur për shqiptarët!
Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po e shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po më vonë kur u bënë ndryshimet kushtetuese, si është i definuar statusi i shqiptarëve dhe a ka një shpërputhje në mes të luftës që ata bënë në 2001-shin dhe trofeve politikë të asaj lufte që shqiptarët megjithatë i rangon si pakicë kombëtare në të gjitha ligjet që dalin nga kushtetuta aktuale. Procesi i shteformësisë së shqiptarëve, është kapitulli i ri i marrëdhënieve në mes të dy popujve më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Pa rrumbullakimin e këtij procesi, perspektiva e Maqedonisë së Veriut do ti ngjante një fryti gjysmë të pjekur, dhe garës se kush do të arrinte të vjelë sa më shumë fruta të pjekura.
Përmes një referendumi të 8 shtatorit të vitit 1991, me pjesëmarrje të mbi 95 për qind të qytetarëve, Maqedonia e sotme u pavarësua nga ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumë-partiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Pas referendumit të 8 shtatorit 1991, i bojkotuar nga shqiptarët, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë. Hapi i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re (pa votat e deputetëve shqiptarë) më 17 nëntor 1991. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas luftës së vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Me marrëveshjen e Prespës që tejkalonte kontestin me Greqinë, emri i Maqedonisë pësoi ndryshim duke u riemërtuar në “Maqedonia e Veriut”, kusht ky që ndikoi të anëtarësohet në NATO, kurse pas nënshkrimit të protokollit me Bullgarinë këtë vit, filloi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Pavarësimin e Maqedonisë, shqiptarët e përjetuan në dy mënyra: në njërën anë pretendonin se po përfshiheshin në një proces demokratik, ku edhe kontributi i tyre me pjesëmarrje në jetën institucionale, do të ndikonte në forcimin e kapaciteteve shtetndërtuese, kurse në anën tjetër, po shkëputeshin nga aspirate shekullore për të jetuar në një shtet të përbashkët në Ballkan.
Shqiptarët kundërvihen me referendum për Autonomi politike dhe territoriale
Por, pas pavarësimit të Maqedonisë, shqiptarët filluan ta ndiejnë anashkalimin që iu bëhej nga nomenklatura e atëhershme politike maqedonase. Në të shumtën e rasteve, pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet më tepër kuptohej si dekor, se sa si kontribut substancial i tyre, prandaj këto ishin edhe arsyet për organizimin e një referendumi të veçantë, më 11 dhe 12 janar, 1992, ku populli shqiptar do të shprehte vullnetin e vet përmes deklarimit gjithëpopullor. Vendimin për shpalljen e referendumit për Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Maqedoni e mori Kuvendi i Autonomisë më 27 dhjetor, 1991. Zhvillimet e këtilla politike, përmes deklarimit plebicitar, ishin karakteristikë e të gjithë popujve në ish-Jugosllavi që përpiqeshin të fitonin lirinë përmes procesit demokratik. Në Maqedoni , referendumi i popullit shqiptar ishte kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas, të cilët anashkaluan skajshmërisht interesat kombëtarë të shqiptarëve
Në vend të statusit shtetformues, shqiptarëve iu dhurua një paradhomë e sistemeve koloniale
Tani pas 34 viteve nga pavarësimi Maqedonisë si shtet, shqiptarët kaluan nëpër disa procese politike e institucionale, ku roli dhe kontributi i tyre ndikonte edhe në ruajtjen e baraspeshave gjeopolitike e etno-kulturore , që reflektoheshin përpos në konsolidimin e brendshëm si shtet, edhe në përmasa rajonale.
Të gjitha qeveritë që u formuan në Maqedoni u bazuan mbi parimin e multietnicitetit, mirëpo kur filluan të funksionojnë në praktikë, ato i ktheheshin avazit monoetnik. Madje, ngandonjëherë ato funksiononin aq papengueshëm, sa që ishte vështirë të dalloje, nëse ato qeveri funksiononin me apo pa partnerët shqiptarë. Dilema bëhej më e madhe kur nacionalizmi institucional maqedonas ndodhte para hundëve të përfaqësuesve shqiptarë të pushtetit dhe për rrjedhojë ndodhi 2001, kur akumulimi i pakënaqësive të shqiptarëve mori formën e rezistencës së armatosur. Pasoi marrëveshja paqësore e Ohrit dhe domosdoja e ndryshimeve kushtetuese, ku shqiptarët morën disa të drejta që nuk i kishin, por sërish ngelën si një element joshtetformues në funksionimin praktik të shtetit të Maqedonisë. Në vend të statusit shtetformues, shqiptarëve iu dhurua një paradhomë e sistemeve koloniale që përkufizohej përmes 20 përqindëshit, si element që shprehte njëfarë autonimie kulturore-gjuhësore, por pa kurrfarë garancie kushtetuese.
Edhe përkundër kësaj qasjeje retrograde ndaj pozitës kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët sërish treguan sens të lart lojaliteti ndaj shtetit që nuk i përmbushte të gjitha nevojat dhe aspiratat e tyre. Sa here që Maqedonia kalonte nëpër kriza dhe turbulence identitare, shqiptarët treguan mirëkuptim ndaj fqinjëve të tyre maqedonas, duke i flijuar agjendat e tyre etnike. Por, ky lojalitet i shqiptarëve mbeti i pavlerësuar nga politikanët maqedonas. Deri më tani shumë rrallë na ka rënë të dëgjojmë ndonjë kryeministër maqedonas të ketë shprehur publikisht mirënjohje për rolin konstruktiv të partnerëve shqiptarë në mirëkuptimin e proceseve ku në të shumtën e rasteve shqiptarët si kolektivitet, forcimin e subjektivitetit të tyre kushtetues e këmbenin me lojalitet ndaj shtetit të Maqedonisë.
Subjektiviteti jurdiko-kushtetues i shqiptarëve pa një platformë politike shqiptare!
Forcimin e subjektivitetit të tyre kushtetues, shqiptarët jo rrallë e këmbenin edhe me luftën brenda llojit. Në kushte të tilla të një konkurrence bizare politike brendashqiptare, nacionalizmi institucional maqedonas lulëzonte papengueshëm, ndërkohë që ambiciet joracionale të shqiptarëve mbante gjallë këtë nacionalizëm, duke prodhuar altruizëm të tepruar dhe herë-herë duke plasuar ide bajate për ruajtjen e Maqedonisë nga prirjet dezintegruese. Prandaj fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe e mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.
Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve mund të degradohen edhe në të ardhmen në përmasa brengosëse nëse nuk intervenohet shpejt në gjetjen e një kompromisi afatgjatë, duke ndërhyrë në ato çështje që barazvlerësojnë cilësinë e përfaqësimit përmes projekteve konkrete e shumë urgjente dhe kapacitetin e shtetndërtimit.
Sipas Kushtetutës aktuale, shqiptarët e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm
Logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrave maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre.
Sa iu shpagua shqiptarëve kostoja e lojalitetit, duke filluar nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta e deri më sot? Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po e shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po më vonë kur u bënë ndryshimet kushtetuese, si është i definuar statusi i shqiptarëve dhe a ka një shpërputhje në mes të luftës që ata bënë në 2001-shin dhe trofeve politikë të asaj lufte që shqiptarët megjithatë i rangon si pakicë kombëtare në të gjitha ligjet që dalin nga kushtetuta aktuale.
Nëse në vitet nëntëdhjetë Gligorovi u thoshte shqiptarëve: rrini urtë, mos kërkoni shumë, se po e irritoni VMRO-në nacionaliste, tani shqiptarëve u thuhet gati e njëjta gjë, por me një konotacion dhe ambalazh tjetër.
Tani u thuhet shqiptarëve se duhet të rrinë urtë sepse rrymat proruse dhe pro-serbe e shfrytëzojnë këtë si adut për ta destabilizuar Maqedoninë dhe, për pasojë, për ta rrezikuar kauzën e saj evropiane. Lojaliteti i shqiptarëve përdoret si terapi gjeopolitike, sepse vetëm shqiptarët qenkan ata që po i përcaktokan kauzat evropiane të shtetit! Madje, me çmim që ata të jenë ekstremisht lojalë, ndërkohë që autorët dhe redaktorët maqedonas, në librat e tyre shkollorë, pa fije turpi dhe papengueshëm, mund t’i trajtojnë shqiptarët si ardhacakë dhe si uzurpatorë.
Në njërën anë shqiptarëve u kërkohet të jenë lojalë ndaj shtetit të Maqedonisë, kurse, në anën tjetër, ata trajtohen si një trup i huaj i këtij shteti. Madje, shqiptarët “ardhacakë” dhe si “uzurpatorë”, siç quhen në librat e shkollarëve maqedonas, qenkan përcaktuesit gjeopolitik të Maqedonisë evropiane (!).
Tani thuhet se janë bërë ndryshime kushtetuese, por shqiptarët sërish nuk janë një komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Janë avancuar shumë çështje, siç është çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe ajo e përfaqësimit adekuat, por të gjitha këto çështje nuk janë bërë kategori kushtetuese. Mjafton të shikohet Ligji për Shtetësi ku kusht për marrjen shtetësisë së Maqedonisë është njohja e gjuhës letrare maqedonase (!).
Askund nuk përmendet gjuha shqipe dhe, për pasojë, plot shqiptarë janë refuzuar të pajisen me shtetësi vetëm sepse nuk e kanë zotëruar mirë (me shkrim dhe me gojë) gjuhën letrare maqedonase. Sikur gjuha shqipe të ishte kategori kushtetuese, shqiptarët do ta merrnin me automatizëm shtetësinë e Maqedonisë, por kjo nuk po ndodh, sepse sovraniteti shtetëror ende buron nga shtylla shtetformuese e popullit maqedonas. Shqiptarët e Maqedonisë aktualisht ndodhen në mes të të drejtave ligjore dhe kufizimeve kushtetuese. Sikundër dihet, kushtetutshmëria e një të drejte është më e lartë se ato që definohen me ligje, sepse këto të fundit dinë të jenë edhe kontradiktore dhe me shumë dubioza, siç është, bie fjala, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në të cilin askund nuk përmendet gjuha shqipe, për arsye të boshllëqeve kushtetuese, kështu që shqiptarët, megjithatë, rangohen si qytetarë të rendit të dytë, pas maqedonasve, të cilët janë shtylla e kombit shtetformues.
Në planin praktik kjo është lehtësisht e vërejtshme dhe e prekshme, madje edhe tepër eksplicite, për arsye se liderët maqedonas, bie fjala, mund të takohen kur t’u teket dhe të vendosin si t’u teket, pa marrë mundin që për këtë të kenë edhe miratimin paraprak të politikanëve shqiptarë. Ky miratim mund të vijë post-festum, por kjo flet për diçka tjetër.
Për çka flet kjo? Kjo flet se maqedonasit e shohin veten si shtyllë të kombit shtetformues, kurse shqiptarët i shohin si mbështetës të këtyre shtyllave. Në dipotrinë maqedonase, shqiptari duhet të jetë ekstremisht lojal ndaj shtetit (të maqedonasve) dhe ata (maqedonasit) vendosin se sa të drejta (ose sa kilogram të drejta) duhet t’i kenë shqiptarët. Të drejtat e shqiptarëve aktualisht u ngjasojnë marrëdhënieve në mes të shitësit dhe blerësit që blen mall me veresi. Ky i fundit, për të mos hyrë më shumë borxh, është i detyruar që groshën të mos e blejë me kilogram, por kokrra-kokrra, shalqirin ta blejë me flegra, kurse akulloren ta shijojë duke e lëpirë xhamin e ëmbëltores.
Në dioptrinë maqedonase në Maqedoni, nuk jeton kombi autokton shqiptar, por “një pjesë e kombit shqiptar” që ndodhet diku, jashtë territorit të Maqedonisë. Kjo i bie që shqiptarët në Maqedoni, pasi që janë pjesë e kombit shqiptar, janë ca kalimtarë të rastit që i kanë hapur çadrat dhe përkohësisht janë vendosur në tokën e “shenjtë maqedonase”.
Me fjalë të tjera, shqiptarët, sipas Kushtetutës aktuale, shqiptarët e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm, kurse madhësia e çadrave si edhe hapësira që zënë ato aktualisht përcaktohen me ligj.
Në dioptrinë maqedonase nuk ka gjuhë zyrtare shqipe në Maqedoni, por ka një popullatë prej 20 për qind që e flet atë gjuhë. Nesër me iu tekë romëve me u bë 20 për qind, komod mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre, sepse këtë ua garanton ligji.
Procesi i shteformësisë së shqiptarëve, është kapitulli i ri i marrëdhënieve në mes të dy popujve më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Pa rrumbullakimin e këtij procesi, perspektiva e Maqedonisë së Veriut do ti ngjante një fryti gjysmë të pjekur, dhe garës se kush do të arrinte të vjelë sa më shumë fruta të pjekura.
A ka rrezik që shqiptarëve sërish t’iu mpihen dhëmbët për shkak të ofertave gjysmake në kopshtin evropian me fruta (të kontrabanduara) ballkanike?
Tani kur Maqedonia e Veriut po feston 34 vjetorin e pavarësisë, shqiptarët si duket ende nuk kanë nxjerrë mësime , pasi që tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Tek shqiptarët ka politikanë, por nuk ka lidership. Duke qenë kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, ka ndikuar që politikat hermafrodite të shqiptarëve të ‘avullohen’ në paradhomat e politikës maqedonase . Në mungesë të një “kompasi” strategjik e ideor, partitë shqiptare jo rrallë kanë humbur rrugën në planimetrinë politike maqedonase dhe për pasojë faturën e tyre e paguanin shqiptarët, ndonëse kjo pakënaqësi ende nuk ka arritur të formalizohet në trajtat e një platform të fuqishme opozitare.
Se çka fituan dhe çka humbën shqiptarët – përgjigen më të mirë e dhanë proceset në të cilën kaluan ata, por një përgjigje më të përpiktë do të duhej ta japin brezat e ardhshëm të cilët marrin me politikë nuk do ta kuptojnë vetëm si mekanizëm për ardhjen në pushtet, por edhe si katalizator që rregullon kompleksitetin shoqëror, ekonomik, politik, e kulturor të jetës së shqiptarëve.
Shkup, 08 shtator 2025




