Perandroria Osmane, paraardhësja e Turqisë së sotshme neoosmane, ka bërë shumë gjenocide ndaj popullit shqiptar

Kush e kontrollon bukën që hamë në Republikën e Kosovës

Lekë Mrijaj, Klinë
Ka disa profesione zejtarësh që ushtrohen me fuqinë e krahut dhe mjeshtëri që ruhen e përcillen përmes përvojës, por ka edhe zanate të tjera që lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme të një populli. I tillë është zanati i bukëpjekësit. Ky profesion i shenjtë nuk është vetëm puna e njeriut që ngroh furrën, ngjesh brumin dhe nxjerr bukën e pjekur. Ai është një mjeshtëri që bashkon durimin, pastërtinë, përpikërinë dhe nderin profesional. Në duart e bukëpjekësit kalon ushqimi që hyn çdo ditë në shtëpitë tona, vendoset mbi sofrat familjare dhe ndahet ndërmjet njerëzve si shenjë jete, mikpritjeje dhe mirëbesimi.
Babai im, Pashku, i përkiste një brezi të tillë zejtarësh. Ai ishte ndër bukëpjekësit e parë profesionistë dhe të kualifikuar të kohës së tij. Zejen e kishte mësuar në Prishtinë që në vitin 1954, në një periudhë kur zanati nuk fitohej me ngut dhe as vetëm duke qëndruar pranë një furre. Ai kërkonte mësim, disiplinë, vite përvoje dhe respekt të thellë ndaj rregullave të profesionit.
Në vitin 1967 filloi punën në qytezën e Klinës, duke sjellë me vete dijen, përvojën dhe kulturën e një zanati që, në atë kohë, kishte peshë të veçantë në jetën qytetare. Për shumë vjet punoi me sukses si bukëpjekës, duke përgatitur jo vetëm bukën e përditshme, por edhe byrekë, simite, kifle, kuleçë, pogaçe dhe pjekurina të tjera, secila prej të cilave kërkonte masën, kohën dhe temperaturën e vet.
Siç e kujtojnë qytetarët e Klinës, babai im e njihte brumin ashtu siç bujku njeh tokën dhe fushat e veta. Miellin e dallonte nga prekja, lagështinë nga pesha, ndërsa ardhjen e brumit nga frymëmarrja e tij. E dinte kur brumi kishte nevojë për kohë, kur duhej përpunuar më tej dhe kur nuk duhej trazuar më. Për të furra e bukës nuk ishte vetëm një hapësirë pune, por ishte vendi ku mielli, uji, kripa dhe majaja shndërroheshin, përmes dijes dhe zjarrit, në ushqim për qindra familje.
Në kohën e tij, buka nuk prodhohej duke ndjekur vetëm shpejtësinë dhe sasinë. Ajo përgatitej sipas një ritmi që e diktonte vetë natyra e brumit. Mielli duhej kontrolluar, uji duhej matur, majaja duhej përdorur me kujdes, ndërsa temperatura e furrës duhej njohur jo vetëm përmes instrumenteve, por edhe me përvojën e syrit dhe të dorës. Bukëpjekësi i vjetër dhe profesionist e dinte se zjarri mund të ishte bashkëpunëtor, por edhe armik. Një furrë tepër e nxehtë e digjte koren dhe e linte mesin të papjekur, ndërsa nxehtësia e pamjaftueshme e thante brumin dhe ia humbte shijen. Pikërisht aty dëshmohej mjeshtëria: në gjetjen e masës së duhur dhe në ruajtjen e baraspeshës ndërmjet nxehtësisë, kohës dhe përbërjes së brumit. Edhe byreku kërkonte artin e vet. Petët duhej të hapeshin hollë, por jo aq sa të këputeshin. Mbushja duhej të ishte e mjaftueshme, por jo aq sa ta rëndonte brumin. Vaji, djathi, mishi apo perimet duhej të përdoreshin me masë dhe pastërti. Kiflet duhej të kishin butësinë e tyre, simitet pjekje të njëtrajtshme, ndërsa pogaçet atë aromë që të kujtonte shtëpinë, festën dhe sofrën e bashkuar.
Në rrëfimet e babait tim të ndjerë, furra ishte një botë e vogël, por e gjallë. Puna fillonte herët, shpesh para agimit, kur rrugët ishin ende të qeta dhe shumica e njerëzve flinin. Ndërsa qyteti zgjohej, bukëpjekësi e kishte kryer tashmë pjesën më të rëndë të punës. E kishte përgatitur brumin, kishte ndezur furrën, kishte kontrolluar pjekjen dhe kishte nxjerrë bukët e para, aroma e të cilave përhapej nëpër rrugë si një lajm i mirë i mëngjesit. Ajo aromë nuk ishte vetëm shenjë tregtie. Ishte dëshmi se qyteti po zgjohej, se familjet do të kishin bukë në tryezë dhe se një zejtar kishte kaluar natën duke punuar, në mënyrë që të tjerët ta nisnin ditën me ushqimin më të domosdoshëm. Për këtë arsye, babai im nuk e shihte zanatin e bukëpjekësit si një punë të zakonshme, por si përgjegjësi. Bukëpjekësi nuk kishte të drejtë të ishte i pakujdesshëm, sepse produkti i tij nuk blihej rrallë dhe as nuk përdorej vetëm nga një kategori njerëzish. Bukën e konsumonin fëmijët, të moshuarit, punëtorët, nxënësit, të sëmurët dhe familjet e të gjitha shtresave shoqërore.
Pas luftës në Kosovë, ai fliste shpesh me shqetësim për ndryshimet që kishte vërejtur në këtë zejtari. Sipas tij, prodhimi i bukës po largohej gjithnjë e më shumë nga durimi i zanatit dhe po i nënshtrohej ngutjes së tregut. Në vend të ardhjes së natyrshme të brumit kërkohej shpejtësi; në vend të peshës dhe ngjeshjes së duhur kërkohej vëllim, ndërsa mjeshtëria e dorës po zëvendësohej gjithnjë e më shumë nga përzierjet e gatshme. Ai veq tjerash thoshte se buka po fryhej tej mase dhe se, në shumë raste, pamja e saj nuk përputhej me peshën, shijen dhe qëndrueshmërinë. Një bukë dukej e madhe, por ishte e lehtë; dukej e butë, por thahej shpejt; kishte kore të bukur, por brendia mbetej pa strukturën dhe aromën e bukës së përgatitur me kujdes. Në gjuhën e disa bukëpjekësve, përzierjet e ndryshme që i shtoheshin brumit shpesh quheshin me emrin e përgjithshëm “vitamina”. Kjo mënyrë e të shprehurit nuk do të thotë se çdo vitaminë është e dëmshme dhe as se vitamina C, si e tillë, duhet të shpallet rrezik për shëndetin.
Shqetësimi i vërtetë, i ngritur nga përvoja e tij, lidhej me përdorimin e pakontrolluar të përmirësuesve të brumit, aditivëve dhe substancave të tjera, me sasitë e tyre, prejardhjen dhe mungesën e transparencës ndaj konsumatorit. Nuk është e drejtë që, pa analiza shkencore dhe laboratorike, një produkt apo substancë të cilësohet kancerogjene. Por është po aq e papërgjegjshme që produktet e konsumit të përditshëm të mos kontrollohen rregullisht dhe që qytetari të mos dijë se çfarë përmban buka që konsumon. Në këtë pikë, fjala nuk duhet t’i drejtohet vetëm bukëpjekësit, por, para së gjithash, vetë shtetit. Zanati duhet të respektohet, ndërsa prodhimi ushqimor duhet të mbikëqyret. Tregu nuk mund të lihet vetëm në mëshirën e fitimit. Aty ku bëhet fjalë për ushqimin e përditshëm, duhet të jetë e pranishme dora e ligjit, syri i inspektoratit dhe fjala e laboratorit.
Prandaj, përmes këtij opinioni, u drejtohem institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Inspektoratit Sanitar, inspektorateve komunale, institucioneve për mbrojtjen e konsumatorit dhe të gjitha organeve përgjegjëse për sigurinë ushqimore.
Kërkohet një mbikëqyrje më e rreptë, më e shpeshtë dhe më profesionale e furrave të bukës, punishteve të byrekut, pastiçerive dhe njësive të tjera ku prodhohen pjekurina. Kontrollet nuk duhet të mbeten në nivel formal dhe as të kufizohen vetëm në dokumentacion. Ato duhet të hyjnë në vetë zemrën e procesit të prodhimit.
Duhet të kontrollohen cilësia dhe prejardhja e miellit, lloji i majasë, uji që përdoret, sasia e kripës, përmirësuesit e brumit, aditivët, yndyrat, mbushjet dhe çdo lëndë tjetër që hyn në procesin e prodhimit. Duhet të verifikohen kushtet e ruajtjes, temperaturat, afatet e përdorimit, higjiena e hapësirave, pastërtia e pajisjeve dhe gjendja shëndetësore e personelit.
Mostrat e bukës dhe të pjekurinave duhet të dërgohen rregullisht në laboratorë të akredituar. Rezultatet nuk duhet të mbeten vetëm në dosjet e institucioneve. Kur konstatohet shkelje apo rrezik, qytetari duhet të njoftohet qartë dhe me kohë.
Kontrolli duhet të përfshijë bukën e bardhë, të zezë dhe integrale, por edhe simitet, kiflet, byrekët, picat, pogaçet, ëmbëlsirat dhe të gjitha produktet e tjera që shiten në furra e pastiçeri. Çdo produkt ka përbërjen, rrezikun dhe standardin e vet.
Veçanërisht duhet të kontrollohen yndyrat që përdoren në pjekurina, cilësia e djathit dhe e mishit në byrekë, ruajtja e kremrave dhe e vezëve në ëmbëlsira, si dhe përdorimi i ngjyruesve, aromatizuesve dhe konservuesve.
Një pjekurinë mund të duket tërheqëse, por bukuria e jashtme nuk është dëshmi e sigurisë ushqimore.
Konsumatori ka të drejtë të dijë se çfarë blen, përderisa produktin e paguan me paratë e veta. Përbërësit duhet të deklarohen qartë, sidomos kur produkti përmban aditivë, alergjenë, yndyra të caktuara, qumësht, vezë, susam apo përbërës të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e njerëzve.
Kjo thirrje nuk është kundër bukëpjekësve të ndershëm. Përkundrazi, ajo është në mbrojtje të tyre. Zejtari që punon me ndërgjegje nuk ka pse t’i frikësohet kontrollit. Ai përfiton prej tij, sepse inspektimi i drejtë e ndan mjeshtrin e përgjegjshëm nga prodhuesi që kërkon fitim të shpejtë në dëm të cilësisë.
Bukëpjekësit e ndershëm duhet të respektohen, të mbështeten dhe të dallohen. Ata mbajnë gjallë një zanat të lashtë dhe të rëndësishëm. Por, njëkohësisht, ndaj atyre që cenojnë standardet duhet të shqiptohen masa të rrepta, sepse shëndeti publik nuk mund të negociohet.
Buka nuk është një mall dosido. Ajo bart në vete kujtesë, kulturë dhe simbolikë. Për bukën janë bërë lutje, është dhënë besa dhe është ndarë kafshata e fundit. Në traditën shqiptare, buka dhe kripa kanë qenë shenjë e mikpritjes dhe e nderit. Të hyje në një shtëpi dhe të ndaje bukën do të thoshte të hyje nën mbrojtjen e asaj sofre.
Pikërisht për këtë arsye, bukës duhet t’i kthehet dinjiteti që meriton. Ajo nuk duhet të shihet vetëm si një produkt që duhet të duket më i madh, më i bardhë apo më i butë. Ajo duhet të jetë e mirë, e sigurt, e shëndetshme dhe e prodhuar me ndërgjegje.
Babai im e njihte këtë të vërtetë nga vetë zjarri i furrës. Ai e dinte se buka e mirë nuk e duron mashtrimin. Mund ta frysh përkohësisht, mund t’ia zbukurosh pamjen dhe mund ta nxjerrësh më shpejt nga furra, por shija, pesha dhe qëndrueshmëria e saj e tregojnë menjëherë të vërtetën.
Zanati i bukëpjekësit kërkon duar të pastra, sy të mprehtë dhe ndërgjegje të qetë. Kërkon që njeriu ta dijë se nga puna e tij do të ushqehet një familje e tërë. Kërkon përgjegjësi ndaj çdo fëmije që merr një kifle, ndaj çdo të moshuari që ha një copë bukë dhe ndaj çdo qytetari që beson se produkti i vendosur në raft është i kontrolluar.
Shteti ynë, Republika e Kosovës, duhet ta mbrojë këtë besim. Jo me fjalë, por me inspektime. Jo me kontrolle të rralla, por me mbikëqyrje të vazhdueshme. Jo vetëm me gjoba simbolike, por me masa që e bëjnë të qartë se me bukën dhe me shëndetin e qytetarëve nuk mund të luhet.
Andaj le të mbrohet bukëpjekësi i ndershëm dhe të ruhet mjeshtëria tradicionale, të kontrollohet industria moderne, të deklarohet çdo përbërës, të analizohet çdo dyshim dhe le të ndëshkohet çdo shkelje. Sepse, kur një shtet kujdeset për bukën, ai kujdeset për qytetarin. Kur mbron sofrën, mbron familjen. Kur ruan pastërtinë e ushqimit, ruan shëndetin e brezave.
Dhe kur buka del e mirë nga furra, ajo nuk sjell vetëm aromën e miellit të pjekur, por sjell mundin e zejtarit, nderin e profesionit dhe besimin se dikush është kujdesur që kafshata jonë e përditshme të jetë e sigurt.
Më 5 gusht 2026
Spaçi nuk e mposhti shpirtin
Kujtime për Mehmet Delinë dhe aksionin e tij të vrasjes së një “hafije të pushtetit serb”

Pashallarët Gjinolli dhe më i ziu prej tyre Jashar Pasha
Duke parë, duke bërë – VII
“Legjenda e Rozafës” apo “Zidanje Skadra na Bojani”

Ali Sh Mehmeti, 2 gusht 2026
Hapja e Konsullatës serbe në Shkodër, nga institucionet shqiptare është paraqitur si një hap normal në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Në kushte normale dhe me shtete normale, kështu edhe do të duhej të ishte. Por Serbia nuk është një shtet normal, as raportet shqiptaro-serbe nuk janë normale, përveç, nëse nuk i barazojmë ato me raporte Rama – Vuçiq. Historia ka dëshmuar se ndikimi politik nuk ushtrohet vetëm përmes ushtrive apo marrëveshjeve diplomatike, por edhe përmes kulturës, ekonomisë, identitetit dhe demografisë.
Kundër hapjes së kësaj konsullate janë shtruar shumë argumente, me vend e pa vend. Sikur mungon një aspekt i panjohur për shumicën dërmuese të shqiptarëve, atyre matanë Drinit sidomos, duke mos e ditur çfarë peshe ka Shkodra në traditën historike dhe kulturore serbe. Ndryshe nga sa mendojnë shumë shqiptarë, Shkodra nuk është thjesht një qytet fqinj në historiografinë dhe gjeografinë serbe, edhe pse tanimë nuk është as fqinj. Shkodra njihet tradicionalisht me emrin Skadar, ashtu si Durrësi me emrin Drač, toponime që dëshmojnë praninë e tyre në kujtesën historike serbe. Mu në zemër të Beogradit është rruga e Shkodrës (Skadarska) dhe lagja rreth saj që quhet Skadarlija, që njihet sikur lagje boheme.
Edhe më domethënës është fakti se legjenda shqiptare e Rozafës mësohet në shkollat fillore serbe sikur lexim obligues me titullin “Zidanje Skadra na Bojani” (“Ndërtimi i Shkodrës mbi Bunë”), duke i mësuar fëmijët se kjo është “një nga këngët epike popullore serbe më të njohura dhe artistikisht më të fuqishme të ciklit parakosovar”. Në version serb, tre vëllezërit nuk mbeten anonimë si në traditën shqiptare, por marrin emrat Vukašin, Uglješa dhe Gojko Mrnjavčević, duke u lidhur me familjen fisnike mesjetare Mrnjavčević, e njohur nga burimet historike të shekullit XIV. Kjo nuk e shndërron legjendën në histori, por i jep asaj një sfond historik që e bën më të besueshme në sytë e brezave të rinj. Në këtë mënyrë krijohet përshtypja se Shkodra lidhet natyrshëm me historinë shtetërore serbe, edhe pse legjenda është pjesë e trashëgimisë folklorike më të hershme, sesa dyndja e sllavëve në trojet tona. Fillimi i ndërtimit të kalasë daton para epokës së re.
Përvoja e Shqipërisë me Greqinë është një shembull që nuk duhet harruar. Me vite të tëra kemi qenë dëshmitarë të përfitimeve ekonomike, pensioneve dhe lehtësive të ndryshme që u ofroheshin personave që deklaroheshin me origjinë greke.
Prandaj, nuk ka asnjë dilemë se, nëse hapet kjo konsullatë serbe në Shkodër, Serbia do të ndjekë politika të ngjashme për të rritur artificialisht numrin e qytetarëve që deklarohen serbë në Shqipëri, duke përdorur bursa, projekte kulturore, ndihma ekonomike apo forma të tjera të joshjes.

Askush nuk pretendon se hapja e një konsullate serbe në Shkodër do ta “gllabëron Shkodrën nga Serbia” siç me tallje po na akuzojnë, neve disave që e shprehim këtë shqetësim. Megjithatë, historia na mëson se shtetet ndërtojnë ndikimin e tyre gradualisht, përmes institucioneve, arsimit, kulturës, lidhjeve ekonomike dhe pranisë së vazhdueshme në jetën e një rajoni. Pikërisht për këtë arsye, çdo zgjerim i ndikimit të huaj, sidomos atij serb dhe grek, duhet të shoqërohet me vetëdije dhe me mbrojtje të interesit kombëtar, nëse nuk duam që nesër të na kërkohet nga një “asociacion i komunave serbe” në veri dhe një greke në jug, që tashmë edhe është e pagëzuar sikur “verio epiri”.
Historia nuk mbrohet duke mohuar historinë e tjetrit, por duke njohur dhe mbrojtur me argumente dhe këmbëngulje historinë tënde.
Profili i Jusuf Buxhovit në 80-vjetorin e lindjes, nga pesha e moshës te pavdekësia e fjalës
Nga Emin Azemi, Kumanovë
Tani që Jusuf Buxhovi shënoi tetë dekada jetë, profili i tij intelektual shpërfaqet në krejt përmasën e vet si institucion i gjallë i kulturës sonë. Ky përvjetor vjen si mundësi e çmuar për të analizuar opusin e gjerë që ka ndikuar thellë në tri fusha të ndryshme: gazetari, letërsi dhe historiografi. I formësuar nëpër fazat më dramatike të Kosovës, Buxhovi ndërtoi profil unik intelektual ku guximi i dëshmitarit shkrihet me finesën e shkrimtarit dhe saktësinë e historianit. Vepra e tij e pasur dhe voluminoze mbetet akt i fuqishëm i kujtesës dhe i rezistencës kulturore, duke i dhënë mendimit shqiptar dimension të ri dhe plotësisht europian.
Opusi i gjithanshëm i Jusuf Buxhovit, në këtë prag të tetëdhjetëvjetorit të lindjes, kërkon një rikthim të vëmendjes te mjedisi jetësor dhe kulturor që formësoi profilin e tij intelektual dhe krijues. Me rrënjë të lidhura fort mes Pejës, Gjakovës dhe Ponoshecit, ku lindi më 4 gusht 1946, ai u rrit në një Kosovë që po përpiqej të konsolidonte hapësirën e vet kulturore nën trysninë e rrethanave të reja politike. Ai përfundoi studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitin 1968, në një kohë kthesash të mëdha kombëtare, ndërsa po aty kreu studimet pasuniversitare në degën e Historisë dhe magjistroi në vitin 1979 me temën mbi Lidhjen Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane.
Mendimtari i madh francez Paul Ricoeur shkruan se kujtesa është një veprim aktiv që rindërton identitetin tonë ekzistencial. Te Buxhovi kjo rindërtim profesionale nisi si një kronikë e pastër e rezistencës intelektuale. Jeta e tij shfaqet si një urë lidhëse mes mendimit europian dhe dramës së Kosovës. Kjo rrugë kalon përmes punës si gazetar i kulturës dhe korrespondent i përhershëm i gazetës „Rilindja“ në Bon të Gjermanisë, duke u përmbyllur me angazhimin e tij si një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1989. Tetëdhjetëvjetori e gjen atë në tavolinën e punës, duke përgatitur librin e tij të ri me memoare si një dëshmi e gjallë e dy epokave të mëdha historike.
Kronologjia e botimeve letrare
Krijimtaria e Buxhovit lëvizi nga format e vogla tregimtare drejt strukturave komplekse të romanit historik e psikologjik. Rrugëtimi i tij bibliografik zbulon një disiplinë pothuajse asketike të shkrimit.
Në vitet shtatëdhjetë ai hodhi hapat e parë me vëllimet me tregime „Cirku“ në vitin 1972 dhe „Pioni“ në vitin 1975. Shpërthimi i vërtetë erdhi me romanin „Matanëkrena“ në vitin 1976, i cili tronditi strukturat tradicionale të prozës në Kosovë. Kjo periudhë u pasua nga vëllimi kritik „Çaste“ në vitin 1978 dhe drama „Dinozauri“ në vitin 1979.
Vitet tetëdhjetë shënojnë dekadën e pjekurisë së plotë letrare. Romani „Loja“ i vitit 1980, paraprin kryeveprën e tij mit titull „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të botuar në vitin 1982, i cili u kthye në paradigmë të romanit shqiptar. Më pas vijuan romanet „Ura e Kusturit“ në vitin 1984 dhe triptiku monumental „Libri i të mallkuarve“ në vitin 1986.
Në vitet nëntëdhjetë e tutje, autori kaloi drejt tranzicionit dhe postmodernitetit. Pasuan romanet e internalizimit dhe thyerjes formale si „Prandvera e Zezë“ në vitin 1995. Shekulli i ri solli botime të tjera të rëndësishme si „Libri i Gjakovës“ në vitin 2008, „Lufta e fundit e Bashkim Kosovës“ në vitin 2011, „Dosja e hapur“ në vitin 2012, „Jeniçeri i fundit“ në vitin 2013 [1] dhe „Dosja B“ në vitin 2016.
Rrugëtimit të tij nuk i mungoi ritmi as në vitet në vijim. Autori hapi një cikël të ri krijues që zbron drejtpërdrejt në realitetin e përmbysur shoqëror. Në këtë frymë, ai botoi romanin psikologjik „Dushkaja“ në vitin 2018, një vepër që funksionon si një pasqyrim i kaosit të përditshmërisë në një vend të pasluftës. Ky cikël u përmbyll me romanin „Mona“ të botuar në qershor të vitit 2020, ku shkrimtari analizon me mjete letrare çlirimin pa liri dhe bipolaritetin social e kulturor të shoqërisë së sotme në Kosovë.
Pas romanit „Mona“, Jusuf Buxhovi e ka zgjeruar dhe thelluar edhe më tej projektin e tij mbi anatomizimin letrar të shoqërisë dhe tranzicionit shqiptar.
Në shtator të vitit 2023, autori botoi romanin e tij më të ri me titull „Mendim Drini“. Kjo vepër ndjek fatin e një personazhi që mban emrin e vetë titullit të librit, i cili shfaqet si një lloj alter-egoje narrative për të skanuar krizat shpirtërore, politike dhe morale të kohës sonë. Përmes këtij romani, Buxhovi vazhdon traditën e tij të njohur të thyerjes formale dhe të intelektualizmit metafizik, duke e çuar sagën e tij të vëzhgimit shoqëror deri në ditët e sotme.
Tash së fundmi, autori nxori nga shtypi librin e tij voluminoz të kujtimeve dhe dëshmive me titull „Pasluftat e mia (1946–1999 dhe 2000–2026)“. Ky libër, i strukturuar si një përmbledhje me memoare, biseda dhe dokumente, sjell një rrëfim të drejtpërdrejtë mbi dy epokat më përcaktuese të historisë moderne të Kosovës. Ai analizon me syrin e dëshmitarit dhe të protagonistit, rrugëtimin e vështirë të popullit shqiptar drejt lirisë dhe shtetndërtimit.
Poetika e shkrimit, veçoritë e krijimtarisë letrare
Letërsia e Jusuf Buxhovit refuzoi me forcë dogmat e realizmit socialist që ngulfatën Shqipërinë administrative. Ai gjithashtu shmangu folklorizmin mbytës që rrezikonte letërsinë në Kosovë. Autori zgjodhi postmodernizmin e gërshetuar me parimet e romanit të madh historik europian.
Fjalia e tij karakterizohet nga një densitet i lartë filozofik. Ai përdor me mjeshtëri teknikën e palimpsestit, ku nën tekstin e dukshëm fshihen shtresat e historisë, kodet mesjetare, hermetizmi dhe mistika. Personazhet e Buxhovit, ku shquhet Gjon Nikollë Kazazi, shfaqen si alegori të mbijetesës njerëzore përballë murtajave ideologjike dhe fizike. Gjuha e tij përdor një sintaksë që refuzon linearitetin klasik. Ajo përmban thyerje, kthesa dhe një muzikalitet të brendshëm që kërkon një lexues aktiv në zbërthimin e kuptimeve.
Puna hulumtuese dhe botimet historiografike
Si historian, Buxhovi solli një thyerje epokale në historiografinë shqiptare. Pas punës së gjatë hulumtuese në arkivat e huaja, veçanërisht në ato gjermane, ai ndërtoi një qasje të zhveshur nga mitet romantike dhe nga deformimet ideologjike të periudhës komuniste. Punimi i tij bazohet krejtësisht në rigorozitetin e dokumentit arkivor. Filozofi francez Michel Foucault, kur flet për konceptin e arshivës, thekson se historia nuk duhet të jetë një përsëritje e thashethemeve zyrtare, por një zbulim i strukturave të pushtetit. Buxhovi ndjek pikërisht këtë rrugë hulumtuese për të sfiduar mitet dhe dogmat e ngulitura.
Hapat e tij të parë shkencorë nisin me studimin monumental mbi „Kongresi i Berlinit 1878“, i botuar fillimisht në vitin 2008 dhe i rishikuar si „Kongresi i Berlinit dhe Lidhjes Shqiptare“ në vitin 2012. Në këtë vepër, ai zbardh rolin e diplomacisë europiane dhe analizat e kancelarit Otto von Bismarck, duke sjellë dokumente të papublikuara që ndriçojnë rezistencën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kulmi i veprimtarisë së tij historiografike shënohet me projektin enciklopedik „Kosova“, i cili fillimisht doli në dritë në vitin 2012 si një triptik vëllimesh. Ky projekt u zgjerua më vonë në pesë vëllime kapitale gjatë viteve 2012-2015, për t’u kurorëzuar përfundimisht në një botim monumental prej tetë vëllimesh dhe mbi pesë mijë faqesh. Në këtë vepër, autori rishikon në mënyrë të detajuar Antikitetin, Mesjetën, periudhën osmane, Konferencën e Londrës dhe rrugëtimin e Kosovës përmes tmerreve të ish-Jugosllavisë deri te shpallja e shtetësisë moderne. Buxhovi e vendos Dardaninë në qendër të antikitetit ballkanik, duke treguar se Kosova nuk ishte aneks, por subjekt dhe epiqendër e historisë etnike shqiptare.
Në vitin 2020, autori botoi studimin „Dardania – antika, mesjeta“, një punim që rishikon lidhjet e thella mes qytetërimit pellazgo-ilir dhe shtatësisë dardane, duke demistifikuar pretendimet e historiografisë serbe mbi kishat ortodokse dhe të ashtuquajturin shtet mesjetar serb. Kjo frymë vazhdoi me veprën „Maqedonia nga antika deri te koha jonë“, e botuar në vitin 2021 dhe e përkthyer në gjuhën angleze në vitin 2023 nga shtëpia botuese amerikane „Jalifat Publishing“. Përmes këtij libri, Buxhovi argumenton se Maqedonia, Dardania dhe Epiri përbënin trinomit mbretëror ilir në antikitet.
Rrugëtimi i tij historiografik plotësohet me dy botime të tjera sintetike me vlerë të madhe pedagogjike dhe shkencore. Libri „Kosova – histori e shkurtër“, i botuar dhe i plotësuar në vitin 2024, funksionon si një udhërrëfyes i ngjeshur për studentët dhe studiuesit e huaj. Po ashtu, një vend të rëndësishëm zë libri i tij dokumentar i vitit 2026 i titulluar „Pasluftat e mia“. Buxhovi guxoi të prekte tabu akademike dhe kritikohet shpesh prej qarqeve që mbrojnë dogma të vjetra, mirëpo botimet e tij mbeten një uragan dokumentar që bën thirrje për rishkrimin e plotë të historisë së Ballkanit.
Vepra historiografike e Jusuf Buxhovit, që nga çasti i botimit të vëllimeve të para të projektit „Kosova“, ka funksionuar si një tërmet metodologjik në mjedisin shkencor shqiptar dhe atë ballkanik. Ky korpus voluminoz nuk u prit si një studim i qetë akademik, por ngriti valë të mëdha diskutimesh, duke u ballafaquar me dy rryma krejtësisht të kundërta të vlerësimit.
Kritikë dhe mendimtarë jashtë rretheve të ngurta akademike e pritën veprimtarinë e tij si një akt çlirimi kombëtar nga klishetë e vjetra ideologjike. Ata theksojnë se Buxhovi arriti të zhvishte periudhën e Antikitetit dhe të Mesjetës nga interpretimet e njëanshme sllave, duke i kthyer Kosovës statusin e bërthamës shpirtërore të shqiptarizmit.
Në anën tjetër, reagimet institucionale jashtë dhe brenda Kosovës shfaqën një natyrë mjaft refuzuese e shpesh polemizuese. Historiografia zyrtare në Serbi e sulmoi menjëherë projektin, duke e deklaruar atë si një përpjekje pa baza shkencore që synon të zhvlerësojë mitet mesjetare serbe mbi Kosovën. Megjithatë, reagimi më delikat erdhi nga vetë rrethet e ngurta akademike në Prishtinë dhe Tiranë. Disa historianë tradicionalë e akuzuan autorin për një qasje skajshmërisht romantike dhe për guxim të tepruar në kapërcimin e periudhave kohore, duke pretenduar se tezat e tij mbi etnogjenezën iliro-dardane përmbysin studimet e konsoliduara deri më sot. Kjo xhelozi klanore shkoi deri aty sa institucione të caktuara arsimore tentuan ta izolonin apo ta mënjanonin autorin nga programet zyrtare të përvjetorëve kombëtarë.
Pritja e veprës jashtë hapësirës shqiptare administrative mori një dimension krejtësisht tjetër, sidomos me botimet në SHBA përmes shtëpisë botuese „Jalifat Publishing“. Përkthimi në gjuhën angleze i vëllimeve të „Kosovës“ dhe „Maqedonisë“ u prit me interesim të veçantë nga studiuesit perëndimorë dhe qendrat universitare amerikane, të cilat panë aty një burim alternativ dokumentar, të paprekur nga propaganda e diktatit të ish-Jugosllavisë. Ky interesim ndërkombëtar vërtetoi se puna e Buxhovit, pavarësisht polemikave lokale, arriti ta kthente çështjen e historisë së Kosovës nga një objekt diskutimi rajonal në një subjekt të mirëfilltë të shkencës europiane.
Simbioza e dy botëve, gërshetimi i historisë me letërsinë dhe gazetarinë
Teoricienti i madh Hayden White në studimet e tij mbi Metahistorinë argumenton se historia dhe letërsia ndajnë të njëjtat struktura narrative. Te Buxhovi ky gërshetim funksionon si një natyralitet i plotë profesional.
Kur shkruan letërsi, ai shfrytëzon përvojën e historianit për të krijuar atmosferën e saktë të epokës, duke shmangur me kujdes anakronizmat e kohës. Kur shkruan histori, ai shfrytëzon plastikën dhe mprehtësinë e stilit të shkrimtarit për t’i bërë dokumentet e ftohta të flasin me zërin e gjallë të njerëzve. Historia i jep letërsisë së tij vertikalitetin e së vërtetës, ndërsa letërsia i fal historisë horizontin e pafundëm të kuptimit njerëzor.
Në profilin intelektual të Jusuf Buxhovit, gazetaria, letërsia dhe historia nuk janë reparte të ndara me mure të padepërtueshme. Ato funksionojnë si enë komunikuese. Buxhovi gazetarinë e ka pasur bukë, ndërsa letërsinë ujë. Ky gërshetim bëri që gazetaria t’i jepte atij dinamikën e jetës, kurse letërsia ndjenjën dhe formësimin estetik.
Në këtë pikëtakim të rëndësishëm intelektual, Buxhovi ndjek matricën e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë si Gabriel Garcia Markez, Ernest Hemingvej apo Dino Buzzati, të cilët rrugëtimin e tyre krijues e kalitën pikërisht përmes shqisës së mprehtë të gazetarit të terrenit. Përvoja e tyre dëshmon se kronika e përditshme nuk është thjesht një regjistrim i përkohshëm ngjarjesh, por një laborator i vërtetë i njohjes njerëzore ku shkrimtari mëson të kapë detajin, të vëzhgojë krizat dhe të zbërthejë mekanizmat e pushtetit në çastin e lindjes së tyre. Gazetaria te Buxhovi funksionon si kapja e faktit të menjëhershëm dhe e aktualitetit politik në gjendje të nxehtë, duke krijuar kështu arkivën e parë të gjallë të jetës.
Mbi këtë lëndë të parë të dokumentuar, ndërhyn shqisa e dytë e profilit të tij, ku letërsia e shndërron faktin e ftohtë gazetaresk në një përjetim të thellë ekzistencial, duke i dhënë ngjarjes kalimtare një përmasë universale përmes metaforës dhe artit. Megjithatë, ky rrugëtim nuk ndalet në rrafshin e fiksionit letrar, sepse në instancën e fundit vjen historiani, i cili e vendos këtë përjetim artistik dhe atë dëshmi gazetareske në kujtesën e përjetshme të popullit. Përmes kësaj simbioze, trinomi i tij krijues arrin të shpëtojë ngjarjen nga vdekja që sjell harresa, duke treguar se si e djeshmja politike kthehet në artin e së sotmes dhe në historiografinë e palëkundur të së nesërmes.
Gazetari Buxhovi edukoi shqisën e vëzhgimit të mprehtë dhe guximin për të dëshmuar në kohë të vështira. Shkrimtari Buxhov i i dha atij mjetet stilistike për të depëutrar në psikologjinë e thellë të masave, kurse historian Buxhovi erdhi si një instancë e lartë etike, e cila refuzon t’ia lërë të kaluarën mëshirës së harresës. Këto tri fusha bashkëjetojnë si një trinom i pandashëm ku secili profil plotëson dhe pasuron tjetrin.
Vendi i Jusuf Buxhovit në letrat shqipe
Jusuf Buxhovi i përket brezit të viteve shtatëdhjetë të letërsisë shqipe në Kosovë (i njohur në kritikën letrare edhe si brezi i modernizimit apo brezi i rilindjes letrare), ku bënin pjesë edhe autorët Teki Dërvishi, Ali Podrimja, dhe Beqir Musliu. Ky brez kreu modernizimin rrënjësor të letërsisë sonë, duke e shkëputur atë nga provincializmi rural dhe duke e hapur drejt rrymave të mëdha letrare botërore.
Vlerat specifike që Buxhovi solli në letrat shqipe nisin me demitologjizimin e tekstit historik, duke e kthyer historinë në një hapësirë dyshimi dhe filozofimi. Ai solli gjithashtu intelektualizmin metafizik, ku romanet e tij shtrojnë ide të mëdha ekzistenciale. Përmes kësaj qasjeje, ai tregoi se Kosova mund të prodhonte letërsi me standarde të larta europiane.
Vlerësimet kritike dhe polifonia e recepimit
Vepra e Buxhovit ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së kritikës serioze përgjatë gjithë gjeografisë shqiptare. Ibrahim Rugova shihte te „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ imunitetin autokton të kulturës sonë, duke zbuluar një matricë identitare që i bën ballë tjetërsimit. Në të njëjtën linjë institucionale, akademiku Sabri Hamiti e ka përcaktuar prozën e Buxhovit si një hapësirë ku imagjinimi historik shndërrohet në shpirtëzim të pastër të historiografisë, duke i dhënë tekstit një vertikalitet të ri.
Nga ana tjetër, akademiku Ali Aliu ka nxjerrë në pah kapërcimet e mëdha estetike të këtij autori, duke e pozicionuar brenda prurjeve më emancipuese të brezit të tij. Një ndihmesë të jashtëzakonshme në sistemimin e këtij opusi ka dhënë Ramadan Musliu, i cili shërbeu si redaktor dhe mentor i fjalës së fundit për shumë vepra të tij. Musliu, në studimet e tij mbi psikohistorinë e Buxhovit, vëren se romanet e tij si „Jeniçeri i fundit“ funksionojnë si një katarsë kombëtare. Ai po ashtu e vlerësoi projektin pesëvëllimësh „Kosova“ si një vepër kapitale historiografike që rindërton arkivën tonë kulturore.
Ndërkaq, shkrimtari Visar Zhiti ka vlerësuar me tone të larta esejistike natyrën ekzistenciale dhe dimensionin e vuajtjes njerëzore që përshkon prozën e Buxhovit, duke e parë shkrimin e tij si një dëshmi të pacenueshme lirie. Po ashtu, shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj është ndalur te raporti i thellë gjeo-kulturor dhe epistemologjia e diktaturës që autori zbërthen në botimet e tij të fundit, duke e konsideruar Buxhovit si një nga zërat më përfaqësues të vetëdijes sonë moderne letrare.
Në planin ndërkombëtar, vepra e tij ka kaluar kufijtë gjuhësorë. Romane të tij si „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ dhe „Libri i të mallkuarve“ janë përkthyer dhe botuar në gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht, duke bërë që bota të njohë finesën e mendimit tonë letrar.
Kjo trashëgimi intelektuale e krijuese dëshmon për një profil të rrallë autori i cili refuzoi çdo lloj kompromisi me harresën kolektive dhe me plogështinë akademike. Për Buxhovin, shkrimi shfaqet si një akt i ndërgjegjshëm rezistence kulturore, ku prirja estetike dhe profesioni gërshetohen me misionin etik. Kjo rezistencë shtrihet në dy binarë të pandashëm, ku në njërën anë mbrohet vertikaliteti i identitetit kombëtar përballë rreziqeve të tjetërsimit, ndërsa në anën tjetër synohet integrimi i plotë i vetëdijes shqiptare në horizontin e vlerave universale europiane. Përmes këtij përkushtimi asketik ndaj dokumentit dhe fjalës artistike, ai tregon se si kujtesa e shkruar mund të shndërrohet në mburojën më të fuqishme të një populli përballë stuhive që sjell koha.
Gusht, 2026
Dr. Adhamudhi i Vushtrrisë apo Don Kishoti i Qytetit Antik?








