Kreu Blog Faqe 575

Mbrëmje e artit në Prishtinë për një qëllim humanitar, me 15 maj 2025, në ora 20:00

0
Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq baletin “Hope”
Koreografi nga Sead Vuniqi
Një mbrëmje e artit për një qëllim humanitar.
Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do të dedikohen për fëmijët e prekur nga kanceri.
Data: 15 maj 2025
Ora: 20:00
Vendi: Amfiteatri, Pallati i Rinisë
Rezervoni biletën tuaj në: 044 430 693
Ejani dhe bëhuni pjesë e shpresës!
📸QM

A janë hipotekat dhe mëkatet partiake, ato pengesat “kredibile” që po e mbajnë peng bllokimin e gjendjes në Parlamentin e Kosovës?

0

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

(Do konstatuar decidivisht, se; Ish qeveria dhe ish opozita asnjëherë në këto gati tri dekada të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, nuk u ulën për t’a diskutuar një strategji unike e të përpunuar deri në detajet me të vogla, mënyrën më adekuate të minimizimit dhe të rolit të varësisë së pushtet mbajtjes që është krijuar nga Lista “Serpska”!? Kjo dobësi e mangësi absurde e iracionale, në sferën bashkëpunimit ndërpartiak pa asnjë dilemë do reflektonte taksativisht; si në krijimin e një kondite të re Kushtetuese, ashtu edhe në gjetjen e një hapsire të re e në përputhje me procesin e vendimmarrjes për zhbllokimin e situatave si kjo e ngërçit aktual torturues që po zhvillohet rreth konstituimit të organeve të legjislativit)

1. P.sh. asnjëherë nuk kam dëgjuar që bashkërisht këto subjekte politike që po e pretendojnë “mirëmbajtjen” (lexo: marrjen përmes votës qytetare) ta diskutojnë hallin e reperkusioneve eventuale që mund të shkaktoj krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, (përkatësisht Zajednicës), në mënyrë që të ruhet me xhelozi shumë më të madhe balanca ndërmjet integritetit shtetëror dhe të drejtave të komuniteteve? Ndërkaq, ajo çka është edhe më shqetësuese e që ka të bëjë me këto subjekte është; se të po njëjtat tani po mundohen të shpikin e të krijojnë madje edhe “argumente” të qenë e të pa qenë vetëm e vetëm që ta bllokojnë procesin e konstituimit e organeve të Kuvendit. Madje, edhe me çmimin e manifestimit publik të një “patriotizëm shtetëror”, ku edhe “gara” (shkaku i ruajtjes apo marrjes së pushtetit) për ta dëshmuar këtë cilësi e tipar, po i shtynë ata ta “mirëmbajnë” edhe me tej diskursin e koncesioneve shtesë (përveç atyre si: Marrëveshjet shumë të dëmshme; 2013, 2015, po edhe kjo e fundit e vitit 2023 në Ohër) ndaj Serbisë!?

2. Këto subjekte që e kanë përplot “gojën” patriotizëm shtetëror, vullnet institucionalist e kredi të mjaftueshme në themelimin e këtij shteti centaur, te paktën që kanë mundur t’i ofrojnë këtij populli, ka qenë një “Marrëveshje xhentëlmenë” midis tyre. Ku fillimisht përmes konsultave partiake e premisave ideologjike do arrinin një konsensus politik për ta krijuar një ekspertizë obligative kombëtare. E cila përveç efektit të brendshëm dhe atij të jashtëm do e kryente edhe funksionin e mekanizmit shumë funksional (juridiko-politik) për stopimin e mëtejmë të erozionit që është duke iu shkaktuar sovranitetit (edhe ashtu) të lënduar e të cunguar të shtetësisë së Kosovës. Kur them “ekspertiza”, aludimi im është të modelet alternative ndaj Zajednices, në mënyrë që të mund të mbrohej me argumente (juridike, politike, ekonomike, etnike, etj.) shumë më mirë integriteti shtetëror, bashkë me kete fakt edhe respektimi i të drejtave të komuniteteve joshumicë. Interesant! Asnjëra nga këto subjekte, që po na bombardon që tre muaj me “patriotizëm” e me kinse vullnet të gatshëm politik për dalje nga kriza e bllokimit, nuk ishte në gjendje ta prodhoj në “laboratorët” e veta partiake e ideologjike, të paktën një alternativë të vetme, se si ta shmangim një “Republika Srpska” te re që e ka si synim strategjik Serbia në territorin e Kosovës!?

3. Te gjitha këto subjekte hisedarë (pa asnjë mëdyshje!) në mëkatin e indiferencës, e të zhytura “deri në gjunjë” edhe në aferat, skandalet, krimet, korrupsionin, po edhe shitjen e çdo pëllëmbë toke (shkaku i karrikës së pushtetit!?) të Kosovës, një ditë kur të hapen arkivat dhe dosjet e secilës do kuptohet nga të gjithë, se si dhe sa kanë “kontribuar” në; mashtrime e koncesione që bënë dëme shtetësisë. Dhe jo vetëm shtetësisë, po edhe mbarë procesit të vonesave integruese brenda shqiptare! Hipotekat e dëmeve në të kaluarën, por edhe “kontributet” e tyre në situatën e tashme bllokues, nuk do hiqen me shpejtësi drite, ashtu si ato mendojnë.

Andaj, bëjë apel që këto subjekte të ulin kokën dhe të paktën (shkaku i këtyre hipotekave djallëzuare) të “heshtin” dhe të qëndrojnë mënjanesh në mënyrë që mos pengojnë konstituimin e organeve legjislative dhe atyre ekzekutive ne vijim…

Kontrastet e PDK

0

Gani I. Mehmeti

PDK e hapur për dialog: Qeveria e re duhet të vijë nga opozita e djeshme!

Si tingëllon kjo: Edhe e hapur për dialog edhe si them unë? Këto janë dy fraza të kundërta njëra me tjetrën që nuk çojnë askund, që vetëm tregojnë ambiciet për ë qeverisur vetë, por jo për dialog. Dialogu bëhet për t’u marrë vesh bashkarisht, për të biseduar se si do ia bëjmë një çështjeje me interes të përbashkët, jo si them vetëm unë. Kjo të gjason në stilin e njëjtë të dialogut Kosovë – Serbi, ku Vuçiqi vazhdimisht është deklaruar për dialog, por fundi i dialogut të vijlë ashtu si e do ai.

Kur njerëzit duan të ulen për të biseduar , ata nuk ia vlen të tregojnë dhe dëshirën e tyre apo nguljen këmbë se si do të përfundojë, sepse të dy apo tri palët kanë kërkesat e tyre. Duhet të ulen të bisedojnë dhe të vijnë deri tek një përfundim i mirë, ku përafërsisht duhet të jenë të kënaqur palët në dialog.

Sipas PDK akuzohet partia e dale fituese në zgjedhje, LVV! Nuk analizon PDK-ja se edhe vet është në të njëjtën akuzë, nga që nuk pranon kandidaten e fitueses së shumicës. Dhe, mund të akuzohen të gjitha partitë parlamentare, por më shumë është akuzuese ajo partia jofituese e shumicës. Edhe jam për dialog, edhe nuk jam parti fituese e shumicës, edhe jam për debllokim të ngërçit politik, edhe të mos lëshohet pe, edhe qeveria të krijhet nga partitë jofituese të zgjedhjeve – këto nuk shjkojnë të gjitha bashkë. Kjo vetëm është një kamuflim për të mos u marrë vesh e për të mos debllokuar ngërçin politik.

Më në fund, roli i Kryetaarit të Kuvendit, nuk është aq me peshë të madhe, cili do që të vijë.  Prndaj nuk do duhej të bëhej gjithë ky bllokim. ai është vetëm sa për të udhëhequr kuvendin e asgjë më shumë, përse të mos pranohet kandidatura e propozuar, cila do që të jetë ajo kanditurë?

E unë vetë, i fajësoj të gjitha partitë sepse nuk kanë bërë fushatë korrekte e dinjitoze, por më shumë kanë akuzuar njëra parti tjetrën.

Kur je për dialog, nuk përcaktohet fundi i saj para se të fillosh dialogun. Ai vjen bashkë me dialogun.

Nëse Partia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar bisedime me të gjitha partitë parlamentare në Kosovë, cili është rezultati, ku është ai, çka u morët vesh, apo vetëm treguat dëshirat e juaja të gjithë për të qenë në qeveri?

Shqipëria në Eurovision 2025 në Zvicër – “Zjerm” nga Shkodra Elektronike ndez emocione dhe krenarinë kombëtare

 Nga: Nexhmije Mehmeti

Këtë pranverë, qyteti i Basel-it do të mirëpresë Eurovision Song Contest 2025, një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Europë. E veçanta për shqiptarët është se këtë vit Shqipëria përfaqësohet nga një projekt krejtësisht i pazakontë dhe thellësisht emocionues: kënga “Zjerm” e interpretuar nga grupi Shkodra Elektronike, fituesit e Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH.

Kjo pjesëmarrje nuk është vetëm një garë artistike, por një ngjarje kulturore që lidh brezat dhe shpërfaq potencialin krijues të diasporës shqiptare, pikërisht në një vend ku jetojnë dhe kontribuojnë mijëra shqiptarë – në Zvicër.

Muzika që lidh rrënjët me të tashmen

“Zjerm” nuk është një këngë si gjithë të tjerat. Ajo është një rikrijim modern i këngëve tradicionale shkodrane, që ka prekur zemrat e të rinjve në të gjithë botën shqiptare, sidomos në diasporë. Përmes tingujve elektronikë bashkëkohorë, Shkodra Elektronike ka bërë të mundur që zëri i së shkuarës – ai i gjyshes, i kujtesës familjare dhe i këngës së vjetër – të ringjallet me forcë dhe emocion.

“Të rinj që nuk kishin dëgjuar kurrë më parë këngët popullore na shkruanin: ‘Këto janë këngët e gjyshes sime. Tani mund t’i dëgjoj në mënyrë moderne dhe t’i këndoj vetë,’” – tregojnë anëtarët e grupit, Bea dhe Kola.

Një mesazh për komunitetin shqiptar në Zvicër

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Eurovision këtë vit ka një domethënie të veçantë për shqiptarët që jetojnë në Zvicër. Kënga që do të përfaqësojë vendin vjen nga diaspora dhe do të interpretohet në zemër të Zvicrës. Kjo është një ftesë për bashkim, për përkrahje dhe për afirmim të identitetit tonë kulturor.

Datat që duhet të mbani mend:

  • Gjysmëfinalja e parë: 13 maj
  • Gjysmëfinalja e dytë: 15 maj
  • Nata finale: 17 maj

Le ta kthejmë këtë moment në një festë të komunitetit tonë! Të gjithë së bashku të votojmë për “Zjerm” dhe të ndihmojmë që Shqipëria të renditet sa më lart në këtë festival prestigjioz.

“Kur njeh rrënjët, je më i plotësuar”

Në një intervistë për RTSH, Beatriçe, një nga zërat e rinj të projektit, ndau këtë reflektim prekës:
“Jam rritur jashtë vendit. E di çfarë do të thotë të ndihesh pak italian, pak shqiptar, pak europian… Por kur ke gjërat e tua, rrënjët, je një njeri më i plotësuar. Kjo na pëlqen.”

Shqiptarë të Zvicrës, ky është momenti ynë. Le të dëgjojmë, përjetojmë dhe votojmë “Zjerm” – këngën tonë, zërin tonë, krenarinë tonë!

Gjenevë, 08.05. 2025

Neoshqiptarizmi si vizion e mision kombëtar

Nail Draga, Ulqin

Arian  Galdini, NEOSHQIPTARIZMI,Botimet Jozef, Durrës, 2025

Si ide e koncept neoshqiptarizmi  të shqiptarët është i njohur në mes dy luftërave botërore, ku personalitete të njohura  shqiptare të kohës kanë prezantuar pikëpamjet e tyre filozofike e sociologjike, që ishte në favor të mendimit politik dhe të identitetit kombëtar shqiptar. Në sajë të rrethanave shoqërore e politike pas shëmbjes së ideologjisë moniste në vendet e ish kampit socialist, shqiptarët kanë nevojë për neoshqiptarizmin sepse është  një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, duke qenë  vizion dhe mision për të tashmën dhe të ardhmën

Duke marrë parasysh se në kohën e monizmit në Shqipëri, autorët të cilët kanë trajtuar neoshqiptarizmin janë ekskomunikuar, por pas miratimit të pluralizmit nga viti 1990 e  më pas kjo çështje filloj të trajtohej nga një numër i kufizuar autorësh.  Pikërisht në lidhje me këtë çështje, kohë më parë Arian Galdini, opinionit i është paraqitur me botimin Neoshqiptarizmi, botuar nga Jozef në Durrës, 2025.

Autori i librit çështjen e neoshqiptarizmit e trajton duke  analizuar një numër të konsideruar personalitetesh shqiptare, duke filluar me Sami Frashërin e përfunduar me Ismail Kadarenë.

Nuk ka dilemë se përfaqësuesit e Rilindjës  Kombëtare Shqiptare ishin ata të cilët kontribuan në ngritjen e vetëdijës e ndërgjegjës kombëtare shqiptare. Dhe në fillim autori  cekën Sami Frashërin, duke theksuar veprën e tij “Shqipëria çka qenë, ç është e  ç do të bëhët”, e cila ishte platforma politike kombëtare. Edhe personalitetet tjera të cilët  janë të prezantuar në këtë botim në forma të ndryshme kanë dhënë kontributin  e tyre  në lidhje me idenë dhe konceptin e neoshqiptarizmit.

Në mes dy luftërave botërore, te ne shqiptarët koncepti i neoshqiptarizmit lidhet me emrat e nderuar si Branko Merxhani, Ismet Toto e Vangjel Koça. Por, duhet cekur se në atë kohë i veçantë ishte B.Merxhani me revistën “Përpjekja Shqiptare”, që ishte tribunë e mendimit shoqëror e intelektual, duke qenë model për kohën. Madje ky përmes konceptit të tij të neoshqiptarizmit kërkonte të ndërtonte një Shqipëri të bazuar mbi një elitë intelektuale dhe morale, duke përqafuar modernitetin pa humbur autencitetin kombëtar.

Komunvelti shqiptar

Por, nga kjo plejadë e personalitetesh, të prezantuara në këtë botim duke marrë parasysh se ka jetuar në kohën tonë, veçoj Arbën Xhaferin, i cili është prezantuar me konceptin    Komunveltit shqiptar. Në këtë aspekt ai ishte ideolog si rrallë kush  duke theksuar se në rrethanat aktuale shoqërore e politike, pas shëmbjes së ideologjisë moniste ne vendet e ish kampit socialist, shqiptarët duhet të formojnë   hapësirën e  përbashkët  politike, ekonomike e kulturore. Një platformë e tillë, meriton qasje të veçantë, e cila duhet të analizohet dhe të plotësohet sipas kërkesave të kohës, duke mbetur si koncepti ma i avancuar në aktualitetin gjeopolitik regjional e më gjerë. Nuk ka dilemë se për realizimin e një ideje të tillë, duhen kuadra të dëshmuara profesionale, guxim intelektual dhe vullnet politik, duke eliminuar paragjykimet dhe animozitetet personale e partiake.

Doktrinë kombëtare

Trajtimi dhe mbeshtetja e neoshqiptarizmit  është obligim shoqëror dhe kombëtar duke dhënë shpjegimet e duhura, duke iu venë globalizmit dhe kosmopolitizmit. Një veprim i tillë nuk do të thot se ne nuk përfillin vlerat demokratike perëndimore, por në emër të modernitetit shoqëror nuk mund të humbin  vlerat identitetare, që është kundër identitetit kombëtar shqiptar. Neoshqiptarizmi, në këtë kontekst, bëhet jo vetëm  një doktrinë kombëtare, por edhe një model për të gjitha vendet që kërkojnë të ruajnë identitetin e tyre në një epokë të globalizmit dhe sfidave të mëdha globale.

Neoshqiptarizmi shfaqet si një doktrinë që synon të ripërtërijë frymën kombëtare, duke u bazuar në vlerat më të mira të traditës shqiptare, familjen, meritokracinë dhe duke i harmonizuar ato me mendimin modern  konservator.

E kaluara si mësim

Siç shkruante Burke, “një komb që nuk kujton të kaluarën e tij është i destinuar të mos këtë të ardhme”. Pikërisht, në këtë frymë, neoshqiptarzmi është një përpjekje për të kujtuar,  për të mësuar,  dhe për të ndërtuar. Neoshqiptarizmi  është një udhë që fton shqiptarët të lënë pas ndasitë dhe krizën e identitetit, për të ndërtuar një të ardhme të bazuar mbi vlerat më të mira të së shkuarës dhe potencialet më të mëdha të së ardhmes.

Neoshqiptarizmi kërkon të ringjallë shpirtin e shqiptarizmit, të ndërtojë një elitë të re mendimi dhe veprimi, duke u mbeshtetur në vlera, vizion e guxim. Më një fjalë neoshqiptarizmin duhet kuptuar si rinisje kombëtare, përkatësisht një përpjekje për të ringritur ndërgjegjën kombëtare shqiptare, që nderon të kaluarën, ndërton të tashmën  dhe përgatitë të ardhmën me guxim.

Leksion i obligueshëm shkollor

Duke marrë parasysh se nxënëseve  në shkollat fillore e të mesme,  iu mungon informacioni në lidhje me konceptin dhe semantikën e neoshqiptarizmit, mendoj se është e nevojshme që në programet mësimore shkollore(fillore e të mesme) neoshqiptarizmi  duhet të jetë njësi e veçantë mësimore e programeve mësimore shkollore.

Eshtë obligim i institucionit  shtetëror që harton programet mësimore si në Tiranë e Prishtinë  që neoshqiptarizmi mos të anashkalohet por të jetë pjesë e programit mësimor, duke nxitur meditimin në favor të vlerës së identitteit kombëtar, si kudo në botën demokratike, sa më parë sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët..

Vizion dhe mision kombëtar

Neoshqiptarizmi aspiron të jetë doktrina që udhëheq këtë mision, duke lidhur të shkuarën me të ardhmen, duke ndërtuar ura midis brezave dhe duke krijuar një frymë bashkëpunimi midis shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, luginë të Preshevës e diasporë. Përfundimisht neoshqiptarizmi është një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, është vizion, guxim  dhe mision për të tashmën dhe të ardhmën.

(Maj  2025)

As edhe një kurorë me lule për Gjergj Kastriotin, në ditëlindjen e tij

0

Nga: Frank Shkreli

Një datëlindje që nuk ishte!  6 Maji mendohet – nga shumica e historianëve dhe studiuesve të jetës dhe veprimtarisë së Gjergj Kastriotit-Skenderbe – si datëlindja e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve. Kjo mund të jetë një datë simbolike, por derisa të faktohet me prova e dokumente kjo është data e lindjes që është kujtuar, historikisht, Heroi Kombëtar dhe Shtetformuesi i shqiptarëve. Edhe sivjet, ashtu si çdo vit tjetër më parë, 6 maji, shkon e vjen pa u përmend as pa u shënuar nga entet zyrtare qeveritare e shtetërore, por as nga ato akademike të Shqipërisë, të Kosovës dhe më gjërë.  As një kurorë të vogël me lule nuk u vendos para ndonjë monumenti të Tij, përfshir monumentin e Kryetrimit në kryeqytetin e Shqiptarëve në Tiranë, në shenjë nderimi. Ashtu si u mbyll në heshtje edhe viti (2018) i shpallur nga Shqipëria dhe Kosova si viti gjoja kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbe. Nuk besoj se dikush mund të identifikojë ndonjë gjë që të jetë kujtuar Skenderbeu gjatë atij viti. Në të vërtetë më kujtohet se u mbyll në heshtje të plotë.

Por mirë që, të pakën, me 6 maj që kaloi nuk u mbulua monumenti i Tij në Tiranë me ndonjë çarçaf të bardhë ose të zi, siç ka ndodhur në të kaluarën – siç duket me qëllim që të mos ofendohej Stambolla. Politika shqiptare e tranzicionit 35-vjeçar ende nuk e kupton se në Evropë nuk shkohet pa Gjergj Kastriotin-Skenderbe, Shpëtimtarin e Evropës dhe as pa vlerat e tija kombëtare dhe ndërkombëtare-perëndimore. Ai ka mbrojtur qytetërimin perëndimor dhe ka luftuar despotët e Sulltanit. Skenderbeu ishte dhe mbetet simboli i identitetit kombëtar dhe model i një shteti të qëndrueshëm dhe të organizuar, sipas modelit të Shtetformuesit të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe — në përputhje me historinë e dokumentuar kastriotiane dhe me vlerat moderne të botës euro-atlantike.

Portret i Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, marrë nga libri, “Scanderbeg” i autorit amerikan Prof. Dr. A. K. Brackob – “Heroi Kombëtar i Popullit Shqiptar dhe Mbrojtësi i Madhërishëm i Qytetërimit Evropian” – Por sot i harruari nga shqiptarët

Për fat të keq, ashtu si nga viti në vit, edhe sivjet pamë se Gjergj Kastrioti-Skenderbe, për fisin e tij arbëroro-shqiptar — as në ditëlindjen e tij me 6 maj — nuk është i Përgjithëmonshëm, as hero Kombëtar, as Shtetformues, por i harruari i kombit.

Pyetje për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare?

Me 6 Maj, 2025, me sa vura re, liderët politikë në Shqipëri dhe në Kosovë munguan madje edhe me ndonjë deklaratë, për të kujtuar rëndësinë e kësaj dite, të pakën deklarata të llojit që ata bëjnë ditë për ditë në rrjetët sociale, për gjëra të kota.  More, si dhe pse Gjergj Kastrioti Skenderbeu nuk e meriton të kujtohet në ditëlindjen e tij, të pakën me një kurorë me lule të freskëta pranë monumentit të tij në Tiranë, në Prishtinë, e në vende të tjera? A nuk meriton i Përgjithmonshmi i Kombit shqiptar të ketë një ditë në vit kushtuar Atij për ta nderuar e kujtuar ashtu siç meriton dhe siç bëjnë kombet e përparuara me heronjtë e tyre kombëtarë, anë e mbanë botës? Si mund të pretendoni se jeni serioz për zhvillimet dhe proceset demokratike drejt Evropës dhe vlerave të botës së sotëme të përparuar, ndërkohë që nuk kini asnjë respekt për historinë e lavdishme të Gjergj Kastriotit, të cilin tanimë e mbarë bota e njeh si Heroin e lavdishëm të shqiptarëve dhe Mbrojtësin e madh të qytetërimit evropian?

Kjo rrugë në të cilën vazhdojnë sot Shqipëria dhe Kosova, në të vërtetë, mund të jetë një rrugë pa kthim, drejtë së keqës. Mos njohja e vlerave kombëtare dhe perëndimore të Skenderbeut, qoftë edhe njëherë në vit në datëlindjen e tij –nuk mund të jetë një rrugë pa kthim — siç pretendohet nga disa politikanë — e proceseve demokratizuese dhe të reformave transformuese, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, sepse, sot për sot, duket se ajo rrugë është e mbyllur.  Edhe njëherë, nëqoftse Evropa është vërtetë destinacioni juaj, nuk shkohet drejt Evropës pa Gjergj Kastriotin Skenderbe!

Por si edhe në rastet e  mëparshme edhe në këtë datëlindje (6 maj) të Gjergj Kastriotit-Skenderbe kemi të drejtë të shpresojmë madje edhe kundër shpresës, se në një të ardhme jo të largët, Kombi shqiptar do zgjohet dhe do t’a gjejë të arsyeshme që të caktojë një ditë në vit, të kalendarit të festave kombëtare, kushtuar Heroit të tij të madh, Gjergj Kastriotit – Skenderbe, me qëllim që ai të mos harrohet, por të kujtohet, çdo vit në datëlindjen e tij, zytarisht, të pakën njëherë në vit një ditë bashkimi për të gjithë shqiptarët, pa dallim dhe kudo qofshin ata.

6 maj, 2025 — Asnjë kurorë me lule në datëlindjen e Kryeheroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbe

Uroj që shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre aktualë dhe në të ardhmen të jenë të dinjitetshëm të vlerave, traditave dhe lavdisë së Prijësit të Kombit e Fatosit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbe!  Që të gjithë shqiptarët pa dallim, me një Besëlidhje të re midis tyre të modelit Kastriotian – të kujtojnë dhe të nderojnë Heroin e Kombit, duke u kthyer tek vlerat dhe traditat arbërore të Besës, Nderit e Burrërisë, të trashëguara nga Gjergj Kastrioti — Skënderbeu!

Vepër e Spiro Xega

Historia e 35-viteve të kaluara më bën të dyshoj seriozisht që të ndryshojë gjë sa i përket trajtimit zyrtar të figurës historike të Madhit Gjergj Kastrioti-Skenderbe ndër shqiptarët. Por shpresa ime është besimi në të Madhin Zot — se megjithë këto zhgënjime të (keq)trajtimit dhe harresës së turpshme të figurës madhështore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe nga klasa aktuale politike shqiptare, më në fund – se “Për inat të djallit e të shqiptarëve, Zoti ka me e mbajtë Shqipëninë më kambë, me nder e me lumni”.   (Shën Pjetri në bisedën satirike të veprës së At Gjergj Fishtës, “Nën Hajat të Parrizit”, Satirika – Anzat e Parnasit e Gomari i Babatasit.)

Çmimi me të cilin u fitua liria e Shqipërisë nga fashizmi

Nga Dilaver Goxhaj, Tiranë

Është e konfirmuar se Lista e plotë e deshmorëve në radhët e popullit shqiptar, të rënë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjatë viteve 1939-1944, është: 28.110 vetë. Prej tyre:

– Dëshmorë sipas listave të formacioneve partizane: 9.470;

– Shtetas antifashistë shqiptarë, të pushkatuar nga nazifashistët e bashkëpunëtorët e tyre: 6.436;

– Të asgjësuar nga gjermanët në 23 kampe përqëndrimi (Mat’hauzen, Greqi, Itali, Poloni, Prishtinë, Zemuni në Jugosllavi, Manastir dhe Strugë në Maqedoni: 11.200;

– Nëse i shtojmë kësaj liste edhe 205 dëshmorë italianë që iu bashkangjitën UNÇSH, kemi 28.315 dëshmorë.

– Poppullsia e Shqipërisë në 1939 ka qenë 1.100.0002). Gjatë periudhës 5 vjeçare të luftës çlirimtare na u vranë dhe u gjymtuan 7,3 për qind e popullsisë3), që do të thotë 80.300 banorë; Ndërsa në librin e V.I. Dr. Evgeniev “Mjezhdunarodno-provovoje regurilovanie reperacii poslje vtoroj mirovoj vojni”, M.1950, jep shifrën 7,1% në dëme njerëzore (78.100 banorë. (mesatre=80.000).

Vlen të theksohet se prej kontigjentit prej 28.110 dëshmorë shqiptarë, 600 prej tyre kanë rënë për çlirimin e Kosovës, nga radhët e 20.000 partizanëve të Divizioneve të V e të VI të UNÇSH, të cilët e çliruan qytetin e fundit të Kosovë, Pejën dhe gjithë Kosovën, më 16 nëntor 1944, ndërkohë që Tirana dhe gjithë Shqipëria nuk qe çliruar ende, po ashtu dhe Federata Jugosllave.

Nëse nuk do të ish çliruar Kosova nga Ushtria Nacinalçlirimtare e Shqipërisë, e cila shkoi me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, ajo do të ishte çliruar nga Ushtria e Kuqe, gjë që, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, popullsia shqiptare në Kosovë do të ishte shpërngulur. Kjo, konform vendimit të Kartës së Atllantikut, e datës 14 Gushtit 1941, e cila ishte shpalosja e një Marreveshje e bërë mes Presidentit të SHBA, Ruzvelt, dhe Kryeministrit te Anglise, Uinston Çurçillit, Kartë, të cilën me 24 Shtator te vitit 1941 e nënshkroi edhe Stalini në emër të Bashkimit Sovjetik.

Lind pyetja: Pse do ishte shpërbërë Kosova?

Përgjigjen na e jep Historiani nga Kosova, Ali Hadri, në librin e tij të titulluar “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë, 1941-1945”, (Prishtinë, 1971, f.321-322), i cili shkruan: “Pas kapitullimit të Italisë fashiste, pushtuesit gjermanë në Kosovë filluan mobilizimin e vullnetarëve për formacione të mëdha SS-e, për “Shqipërinë e Madhe”. Për organizimin e këtyre njësive SS-me shqiptarë nga Kosova, u angazhua qeveria kuislinge e Tiranës e përbërë nga ballisto-zogistët, me në krye Rexhep Mitrovica, si dhe Komiteti Qëndror i Lidhjes së Dytë të Prizërenit, e kryesuar nga Bedri Pejani, i cili, i shkroi Hitlerit dhe Himlerit, duke u propozuar që të formohej Korparmata SS-e me shqiptarë. Por më në fund u vendos të formohej, së pari, Divizioni SS “Skënderbeg” në Kosovë, dhe gjer në 25 Shtator 1944 u rekrutuan 11.398 shqiptarë SS të Kosovës.”

Për këtë divizion SS me shqiptarë i ishte propozuar Hitlerit, edhe nga udhëheqësi i trupave SS në Ballkan, të cilën e konfirmon Guvernatori i Hitlerit për Ballkanin, Herman, në librin e tij “Detyra ime në Shqipëri, e jashtëzakonshme”, (Tiranë, 2017, f.176-177), i cili shkruan: “Në vitin 1944, mora nga Hitleri fuqi të plota të organizoja benda kufijve të vendit, për luftën kundër partizanëve, divisionin alpin SS “Skendërbeg”… me Vendqëndrim në Prizëren.”

Nëse nuk do kishte shkuar UNÇSH në Kosovë, shpopullim i saj do bëhej në Mbledhjen e Jaltës, në Shkurt 1945, në Konferencën e Tre të Mëdhenjve, midis Ruzveltit, Stalinit dhe Çurçillit, konform Kartës së Atllantikut, sipas së cilës: ato popullsi apo shtete të vegjël, që i ishin bashkuar Blllokut Fashist Romë-Berlin-Tokio do të shpërbëheshin. Këtë e

konfirmon edhe historiani Artur C’onte, në librin e tij “Jalta dhe ndarja e botës”, (Tiranë, 1995), si dhe historiani Juri Korolkov, në librin e tij “Kështu ka ndodhur”, (Tiranë, 1974).

Shembuj konkretë të vënies në jetë të atij vendimi, në Jaltë, prej SHBA-BS-dhe Anglisë, ishin: Rumania, të cilës iu shkëput një republikë e tërë, Moldavia, e cila iu dha BRSS, kurse Transistia iu dha Ukrainës; u shpërngulën 10 milionë gjermanë nga Prusia e Krakovia;u shkëputën Sudetët nga Çekosllovakia; nga Hungaria u shkëput një pjesë, duke ia dhënë Ukrainës, si dhe Vojvodina që iu dha Jugosllavisë; Galicia iu shkëput Polonisë dhe iu dha Ukrainës; ndërsa pjesa më e madhe e Çeçenisë u shpërngul në Siberi, etj.

Mirëpo, Shqipëria gjatë shekullit XX ndihmoi për herë të dytë për çlirimin e Kosovës, por këtë radhë prej fashizmit të ri serbo-sllav, gjatë viteve 1998 – 1999, duke shkuar 170 vullentarë, midis të cilëve edhe kuadro profesionistë ushtarakë cilësorë, të cilëve iu besuan funksione me përgjegjësi të rëndësishme, përfshi edhe mbajtjen e bashkëveprimit 78 ditor, 24 mars deri 10 qershor 1999, midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Aviacionin e NATO-s, bashkveprim të cilin Komandanti i NATOs, Gjenerali Uesli Klark, e vlerësoi “Bashkëveprimi më i mirë në historinë 50-vjeçare të NATO-s”, të cilët nderuan jo vetëm Akademitë tona Ushtarake, por edhe vetë Republikën e Shqipërisë.

Njëkohësishtë, në vitet 1999-2001, shkuan edhe rreth 30 vullnetarë të tjerë nga Shqipëria në dy luftra tjera në trevat shqiptare në Ballkan, në Kosovën Lindore dhe Maqedoni, për të drejtat e tyre kombëtare.

Nga radhët e këtyre 200 vullnetarëve, në këto tre luftra shqiptare në Ballkan, gjatë viteve 1998-2001, rreth 30% e tyre ranë dëshmorë.

Por, këta 200 luftëtarë prej Republikës së Shqipërisë, nuk shkuan me vendim të Qeverisë së Shqipërisë, si në rastin e vitit 1944, por vullnetarisht. Dhe për kontributin e këtyre vullnetarëve, në këto 3 luftra shqiptare, unë kam informuar gojarisht 3 Presidentë të Republikës tonë, si dhe dy Shoqatat e Veteranëve të LANÇ-it, përveç prezantimeve të disahershme në shtyp, botime dhe në mediat vizive. E MEGJITHATË, asnjë lloj nderimi për këta luftëtarë nga të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë, ngjashëm si qeveria Zogiste me vullentarët që shkuan në Luftën e Spanjës; përfshi edhe Organizatat e Veteranëve të Shqipërisë, e cila nuk i njeh këta 200 vullnetarë as si veteranë; edhe pse 200 vullnetarët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të asaj Kombtare në Maqedoni dhe në UÇPMB shkuam për çlirimin e gjysmës së kombit shqiptar! Kurse, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të LANç-it i njeh dëshmorët e rënë nga radhët e këtyre 200 vullnetarëve në këto tre luftra shqiptare, që do të thotë: të vrarët – Njihen, të gjallët –Jo!

Ndërkohë që, ish-Presidenti Bujar Nishani dekoroi rreth 400 ish-kolaboracionistë dhe diversantë nga radhët e 12 mijë grupeve terroriste diversioniste gjatë intervencionit të huaj gati 10–vjeçar imperialisto-kapitalist kundër Shqipërisë socialiste, Nëntor 1944-Dhjetor 1953, të përzgjedhur prej kontigjentit kolaboracionist i Mërgatës së Qyqeve.

Dhe ndaj atij akti antihistorik nuk ka pas fare reagime! Kjo, ndoshta për faktin se është Parlamenti dhe Qeveritë e këtyre tre dekadave “demokratike” që kanë ligjëruar dhe financojnë dy Organizata Veteranësh, pretendente se përfaqësojnë veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlire, të cilat grinden mes veti si SHEMRAT. Në këtë rast kemi të bëjmë me një vendim qeveritar që bie ndesh me të vërtetën historike të asaj lufte, duke e shtrëmbëruara atë, ngaqë indirekt na thuhet: Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri ka qenë Luftë Civile(!)

Gjithashtu, vlen të theksohet një fakti tjetër me rëndësi historike, kur dy shtetet aktualë Shqiptare, nuk shfrytëzuan rastin ideal për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo ngjasrje e shënuar ndodhi në Konferencën e Rambujesë, më 18 Mars 1999, kur u nënshkrua Marrëveshja e Rambujesë midis Kosovës dhe Serbisë, ku zonja Medlin Ollbrajt përdori veton, duke shtuar një pikë

të veçantë në atë Marrëveshje, në të cilën shkruhet: “Tre vite pasi të ketë mbaruar lufta në Kosovë, të zhvillohet referendum për vetëvendosjen e popullit në Kosovë”.

Por, për fat të keq, kanë kaluar 26 vite nga përfundimi i asaj Lufte Çlirimtare në Kosovë, prej10 Qershor 1999 e deri sot, asnjë Institucion Shtetërore si dhe asnjë forcë politike shqiptare, si në Kosovë, ashtu dhe në Republikën e Shqipërisë, nuk e kanë kërkuar zhvillimin e këtij referendumi!

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritën 8 vite nga mbarimi i luftës në Kosovë, që Shqipëria dhe Kosova t’u kërkonin zhvillimin e atij referendumi. Si rrjedhojë, SHBA e humbën durimin. Prandaj Presidenti Bush, i riu, mori rrugën dhe erdhi në Shqipëri, dhe jo rastësisht në ditën e përvjetorit të 8-të, të çlirimit të Kosovës, më 10 Qershor 2007, duke shpallur njohjen e Pavarësisë së Shtetit të Kosovës! Duke na e lënë turpin në derë.

Por mund të thotë dikush, se Republika e Shqipërisë e ka njohur Republikën e Kosovës qysh në vitin 1992. Po, por ajo ishte njohje e statusit të Republikës së Kosovës në kuadrin e ish-Federatës Jugosllave; ndërsa në 10 Qershor 1999, Kosova është shkëputur pas një shekulli pushtim nga Serbia. Kjo datë është çlirimi dhe pavarësia e vërtetë e Kosovës.

Mirëpo, edhe kur, më 1 Qershor të vitit 2022, ndodhi që për herë të parë Republikës së Shqipërisë iu besua kryesimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, asnjë institucion shtetëror i Shqipërisë dhe as i Kosovës nuk e shfrytëzuan edhe këtë rast ideal, për të vendosur zhvillimin e atij referendumit për vetëvendosje prej popullit në Kosovë! Çfarë emëri mund t’i vëmë këtij mosinteresimit prej Kosovës dhe shtetit amë, Shqipërisë, për zhvillimin e këtij referendum, të urdhëruar nga SH.B.A.

Për këtë bashkim kombëtar, na ka ardhur indirekt në takim edhe Rusia, ku vetë Presidenti i Rusisë, Putini, ka deklaruar jo më pak se dy herë: “Çështja e shkëputjes së Krimesë nga Ukraina, është e ngjashme me shkëputjen që i bëri NAO-ja Kosovës nga Serbia.” Dhe, çuditërisht, Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të heshtin!

Gjithashtu, në muajin Prill të këtij viti, në kontaktet diplomatike mes Rusisë dhe SHBA, Rusia u ka vënë SHBA kushtin që: Nëse SHBA i njeh Rusisë bashkimin e Krimesë, atëhere Rusia do t’u japi të drejtën SHBA të bëjnë kërkime për naftë e gaz në Krime.

Për ne, kjo do të thotë, se Rastësia është bashkuar me Mundësinë që, Republika e Shqipëtrisë t’u lutet SHBA që, dhe ato t’i vënë kusht Rusisë, që ajo të njohi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, para se t’i njihet Krimeja Rusisë.

Por, për fat të keq, diplomacia e jonë, si në Kosovë edhe në Shqipëri, bëjnë sikur nuk i dëgjojnë dhe nuk i kuptojnë këto kambanë të mëdha!

Me këtë rast, i propozoj kësaj Organizate t’u imponohet Institucioneve shtretërore për këtë lutje-kërkesë tek SHBA.

Tiranë, 6 maj 2025

Kaltrina Hoti nga Plava e vazhdon betejën për të drejtat kushtetuese të shqiptarëve të asaj krahine

Aktivistja dhe artistja Kaltrina Hoti 

Kaltrina Hoti, aktivistja e njohur e çështjes kombëtare dhe të drejtave e lirive njerëzore në Plavë e Guci, e vazhdon betejën kushtetuese për të drejtat e shqiptarëve të asaj ane. Përpjekjet e saj dinjitoze, janë në pajtim të plotë me Kartën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore dhe me të drejtat që burojnë nga Kushtetuta e Malit të Zi. Kaltrina është e para që lufton me këmbëngulje e ka u zbrapsur në realizimin e këtyre të drejtave të pamohueshme.

Në shkresat e mëposhtme, të shkruara në gjuhën zyrtare të Malit të Zi, vet Ministrija për pakicat e thekson se këto të drejta duhet të realizohen. Por, realizimin e tyre e pengon (nuk e realizon) vet kryetari i Plavës, një “boshnjak” që para katër gjeneratash vinte nga një familje autoktone shqiptare e kësaj ane.

Jam e akuzuar padrejtësisht për ‘përhapje të urrejtjes nga ata që kërkojnë të heshtin zërin tim’. Megjithatë, nëse do të ktheheshin tavolina dhe një grup tjetër do të mbronte të drejtat e tyre, nuk kam dyshim se ata nuk do të përballeshin me të njëjtën rezistencë. Duket se kur bëhet fjalë për komunitetin shqiptar, të drejtat tona shpesh shihen si dytësore apo edhe inekzistente. Unë refuzoj ta pranoj këtë padrejtësi dhe do të vazhdoj të flas derisa të drejtat tona të njihen dhe respektohen plotësisht.
__
While advocating for my rights, I have been unfairly accused of ‘spreading hate by those who seek to silence my voice. Yet, if the tables were turned, and another group was advocating for their rights, I have no doubt that they would not be met with the same resistance. It seems that when it comes to the Albanian community, our rights are often seen as secondary or even non-existent. I refuse to accept this injustice and will continue to speak out until our rights are fully recognized and respected.
__
Dok se zalažem za svoja prava, nepravedno su me optuživali da „širim mržnju od strane onih koji žele da ućutkaju moj glas“. Ipak, kada bi se situacija okrenula i druga grupa se zalagala za svoja prava, ne sumnjam da ne bi naišli na isti otpor. Čini se da kada je u pitanju albanska zajednica, naša prava se često vide kao sporedna ili čak nikakva. Odbijam da prihvatim ovu nepravdu i nastaviću da govorim sve dok naša prava ne budu u potpunosti priznata i poštovana.
Pamje nga Komuna e Plavës
5 prill 2025
Lejimi i kryetarit të komunës së Plavës Nihad Canovia per te vendosur nje tabelë që tregon se Peja (Kosova) eshte pjesë e Serbisë ka krijuar një klimë të rrezikshme ten…
Kryetari i Plavës i don shqiptaret ne Kosovë dhe Shqiperi, por Jo ne Plavë !
Jam e akuzuar padrejtësisht për ‘përhapje të urrejtjes nga ata që kërkojnë të heshtin zërin tim’. Megjithatë, nëse do të ktheheshin tavolina dhe një grup tjetër do të mbronte të drejtat e tyre, nuk kam dyshim se ata nuk do të përballeshin me të njëjtën rezistencë. Duket se kur bëhet fjalë për komunitetin shqiptar, të drejtat tona shpesh shihen si dytësore apo edhe inekzistente. Unë refuzoj ta pranoj këtë padrejtësi dhe do të vazhdoj të flas derisa të drejtat tona të njihen dhe respektohen plotësisht.
While advocating for my rights, I have been unfairly accused of ‘spreading hate by those who seek to silence my voice. Yet, if the tables were turned, and another group was advocating for their rights, I have no doubt that they would not be met with the same resistance. It seems that when it comes to the Albanian community, our rights are often seen as secondary or even non-existent. I refuse to accept this injustice and will continue to speak out until our rights are fully recognized and respected.
Dok se zalažem za svoja prava, nepravedno su me optuživali da „širim mržnju od strane onih koji žele da ućutkaju moj glas“. Ipak, kada bi se situacija okrenula i druga grupa se zalagala za svoja prava, ne sumnjam da ne bi naišli na isti otpor. Čini se da kada je u pitanju albanska zajednica, naša prava se često vide kao sporedna ili čak nikakva. Odbijam da prihvatim ovu nepravdu i nastaviću da govorim sve dok naša prava ne budu u potpunosti priznata i poštovana.
Sidoqoftë, Katrina Hoti e vazhdon rrugën e pandalshme për realizimin e këtyre të drejtave.

___

Shih videon e Kaltrina Hotit nga Plava , të shpërndarë në facebook:

Facebook

Ku gaboj Lumir Abdixhiku, (por, jo edhe LDK-ja) në përgjigjen ndaj ftesës (kurtuaze) të Albin Kurtit?

0

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

Ja ca konkludime konfuze politike e sociologjike të përgjigjes së Abdixhikut, ndaj ftesës publike të Kurtit;

  1. Lumiri, bëri publikisht “Përjashtimin e pakicave joshqiptare”; 

Prova e kolaudimit të parë; Propozimi për një “Qeveri Nacionale të Tranzicionit me përfshirjen e partive parlamentare shqiptare”, shkruan lideri që udhëheq një subjekt mjaft serioz. Pra,  nëse, e analizojmë pak më thellë përgjigjen e tij, do kuptojmë që i njëjti ende “mirëmbahet” apo udhëhiqet me ambicien e shpresës së ndryshimit (lexo; shkëputjes!?) të kursit të këtij subjekti me një traditë më të gjatë demokratike në trojet shqiptare. I njëjti, harron se me futjen e termit “partitë parlamentare shqiptare”, në komunikimin publik politik, de fakto dhe de jure me automatizëm i përjashton subjektet që i përfaqësojnë komunitetet joshqiptare (serbë, boshnjakë, turq, romë etj.). Subjekte, këto që dashtë e pa dashtë ai apo dikush tjetër, janë pjesë përbërëse kushtetuese e institucioneve të Kosovës. Pra, mos adresimi i këtyre subjekteve, dosido nuk e dëshmon assesi “patritotizmin” e aq më pak “nacionalizmin” dhe sidomos patriotizmin ndaj shtetit të Kosovës.

  1. Përdorimi i fjalës; “Qeveri Nacionale e Tranzicionit”,është politikisht i dëmshëm dhe sociologjikisht i gabuar;

Prova e kolaudimit të dytë; Po ashtu, futja e e pa vend e terminologjisë “Qeveri Nacionale e Tranzicionit” në komunikimet publike, përveç që politikisht është i dëmshëm për “shëndetin mental” të momentit historik në të cilin gjendet Kosova, është edhe sociologjikisht i gabuar, e madje edhe tejet i rëndë për një subjekt me traditë e përvojë të gjatë demokratike! Ngase, “loja” me fjalë, siç e keni bërë në prononcimin publik, përveç që nuk është urtake, nuk është as në vijën e kuqe të patriotizmit shtetëror që LDK- e të madhit Ibrahim Rugova e ka trasuar, qysh në kohën e okupimit të Serbisë! Qasja e Juaj, thënë më troç; Nuk ka argumentuar fare seriozitetin dhe situatën në të cilën gjendemi (sfidat; Zajednica, Gjykata Speciale, integrimet, kriza, papunësia, migrimi… etj.) se përse, kërkoni një qeveri e tillë!? Mesazhi i Juaj, shlirë mund të interpretohet, po edhe të perceptohet; edhe si një lloj dramatizimi (i panevojshëm) e tentativë e re për të legjitimuar idenë e rotacionit, jashtë procesit të zgjedhjeve të (pranuara nga të gjithë) mbajtura më 9 shkurt. Ndërkaq, dëmi shumëfishohet, kur Ai në përgjigjen e Tij, fare nuk jap asnjë shpjegim, se ; si do krijohej kjo “Qeveri (përmes zgjedhjeve, marrëveshjeve politike apo “konsultave” private nëpër skutat ala “Zanzibar”) “…nacionale e tranzicionit ?! Jam i bindur se një ide e tillë, kurrë s’do e kishte legjitimitetin e votës qytetare, e lere te ofertuesit konkret.

  1. Fjalor i jo i zakonshëm për kulturën e mentalitetin tonë socio politik;

Prova e kolaudimit të tretë; Që në fillet e përgjigjes, hetohet që pa ekuivokë, fjala “qeveri  nacionale e tranzicionit”, fare nuk korrespondon as me kulturën e re të komunikimit publik, e as me praktiken e pragmatizmin e politikës. Përdorimi i kësaj fjale më shumë ofron konfuzion e paqartësi, se sa mesazh urtak për tejkalimin e ngërçit politik. Nuk e di njeri, se a kemi këtu të bëjmë me një “qeveri teknike” apo “qeveri momenti”!? Pastaj, s’ka asnjë të dhënë rreth kohëzgjatjes; nëse, do jetë qeveri ad hoc, apo qeveri me mandat të plotë!? Përgjigja, madje mund të kualifikohet edhe si një përpjekje “makiaveliste” për të kontestuar qeverinë përmes mekanizmit të anashkalimit të krejt procesit post zgjedhor!? Qasje kjo që “dioptrinë “qytetare do mund të konvertohej jo vetëm si veprim jodemokratik, por, edhe si mungesë fillestare e respektit për vullnetin e qytetarëve.

Kam pritur shumë më shumë reflektim nga Ldk-ja!

P.S. Lumir Abdixhiku! I ke këshilltarët e dobët dhe të pa përgatitur për sfidat që i kemi në horizont! Këshilla ime; Ndërro këshilltarët, ndrysho vetën Tënde, ose, ndrysho kursin që e ke marr në LDK…

Projekti i Serbisë për islamizimin e shqiptarëve, ka shkuar shumë larg; njeriun mund ta shpëtosh nga tjetri, por jo kur do ta shkatërrojë veten

3

Kur Rinia e PDK-së e pati kallur flamur in e zi e të huaj për shqiptarët të ISIS, pati reaguar Naim Tërnava i BIK-ut, me fjalët se nuk do të duhej kallur për shkak se “në këtë flamur është fjala “Allah”. Mos ta harrojmë se BIK-u është organizata më jolojale ndaj kombit shqiptar tashpërtash. 

Blerim Latifi, filosof nga Prishtina

Pardje Policia e Kosovës arrestoi njê shqiptar [nëse mund ta quajmë të tillë], i cili kishte qenë pjestar i organizatës terroriste ISIS dhe tani paska qenë duke kryer punë spiunazhi për BIA, Shërbimin Inteligjent Serb.
Prej vitesh kemi thënë se ekstremizmi islamik në Kosovë është thjesht dhe vetëm projekt i inteligjencës së shtetit serb, për ta minuar nga brenda shtetin e brishtë Kosovës, duke e diskredituar në sytë e mbështetësve të tij perëndimorë.
Ky projket ka shkuar shumë larg, sepse paralajmërimet tona të hershme janë injoruar.
Nga politikanët, që për një grusht votash janë në gjendje të bëjnë pak me çdo kënd, qoftë ai edhe armik i vendit të tyre.
Nga mediat, të cilat për ca klikime e pak audiencë, u kanë dhënë hapësirë enorme ideologëve vahabistë, duke i bërë kështu reklamë pa pare planit të lartpërmendur të BIA’s.
Nga intelektualët e akademikët, të cilët, qoftë nga frika, qoftë nga mosdija, kanë mbyllur gojën, sytë dhe veshët.
Nga krejt një shoqëri, e cila përditë e më pak është në gjendje të rezistojë për vlerat prej të cilave erdhi dhe varet krejtësisht e ardhmja e lirisë së saj dhe e Republikës së Kosovës.
Sidoqoftë, të mos e harrojmë një fakt themelor: njeriun mund ta shpëtosh nga agresioni i tjetrit, por jo edhe kur ai do ta shkatërrojë veten, duke kryer vetëvrasje. E kjo sigurisht vlen edhe për kombet. Secili, në fund të fundit, do të korrë atë që ka mbjellur.