Kreu Blog Faqe 595

Duhet dëgjuar domosdo zëri i Profesorit Emil Lafe

2

Eshref Ymeri

Në faqen e internetit të gazetës “ExLibris” të datës 12 mars 2025, lexova  analizën me titull “A mund të ndreqet ky “mëkat” i Asdrenit?”. Autor i asaj analize është  Profesori Emil Lafe, pedagogu im i talentuar në vitet studentore (1962-1966), dijetar i shquar i gjuhës shqipe,

Më emocionoi veçanërisht përmbajtja e rreshtave në vijim:

“Pse duhet ta kemi dhe ta ekzaltojmë në himnin tonë (që është më parë një himn kombëtar i gjithë shqiptarëve e pastaj edhe i shtetit) fjalën tradhëtor? Kjo pyetje më ther së brendshmi sa herë e dëgjoj dhe më shkon mendja ta quaj Një mëkat i Asdrenit”.

Ja strofa e Himnit të Asdrenit:

Prej lufte veç ai largohet

Që është lindur tradhëtor,

Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor.

 

Ja ndreqja e Profesor Emilit:

 

Prej lufte kurrë nuk largohet

Kush është lindur arbëror!

Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor!

 

Ose:

 

Prej lufte kurrë nuk largohet

Ai që lindet arbëror!

Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor!

 

Ndreqja që ka bërë Profesor Emili është e shkëlqyer. Është i pari intelektual i shquar që e ka vënë re dhe e ka ndrequr atë “mëkat” të Asdrenit.

Kam përshtypjen se fjalën “tradhëtor” Asdreni e ka pasë përdorur nën ndikimin e disa ngjarjeve dëshpëruese në historinë tonë kombëtare, për arsye se shfaqje të tradhtisë hasen që së lashti në kodin moral të pellazgo-iliro-shqiptarit.

Në Legjendën e Rozafës vëllai i vogël tradhtohet nga dy vëllezërit e tij.

Mbretëresha Teuta e Ilirisë, që luftonte kundër legjioneve romake, tradhtohet nga princa të tjerë ilirë që bashkëpunonin me romakët.

Skënderbeun e tradhtoi i nipi, Hamza Kastrioti.

Ilirët, të parët në Gadishullin e Ilirisë, përqafuan katolicizmin në vitin 313, pas Ediktit të Milanos të Perandorit Konstantin (272-337), por pas dyndjes së errësirës otomane dhe largimit të Skënderbeut për në botën e amshuar, shqiptarët, në masën 90%, e tradhtuan katolicizmin dhe përqafuan fenë e pushtuesve, çka nuk ia lejuan vetes as grekët, as bullgarët, të cilët again e Stambollit e kishin në prag të derës.

Pikërisht tradhtia ka qenë ajo, e cila ka pasë shërbyer si farë përçarjeje në radhët e etnisë shqiptare. Ajo tradhti-përçarje e mallkuar solli si pasojë që, megjithëse kemi qenë etnia më e madhe e Gadishullit të Ilirisë, për pazotësinë tonë, ujqit evropianë, si askund në mbarë botën, na i bënë kashtë e koqe trojet tona etnike, duke na i hallakatur në gjashtë shtete.

Do të ishte mrekulli sikur ndreqjen që propozon Profesori Emil Lafe, ta marrin në konsideratë autoritetet përkatëse të vendit tonë dhe ta pasqyrojnë menjëherë në tekstin e Himnit të Flamurit.

Profesori i nderuar Emil Lafe, për këtë nismë që ka ndëmarrë, meriton plotësisht mirënjohjen më të thellë nga ana e elitës intelektuale shqiptare, si edhe vëmendjen e Presidentit, të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit.

I propozoj Profesor Emilit që të takojë ndokënd nga deputetët e Kuvendit për t’i rekomanduar shtrimin dhe diskutimin e këtij problemi në njërën nga seancat e tij.

Kaliforni, 12 prill 2025

Lirim Mehmetaj, Indiana Jones-i i luftës kundër korrupsionit

0

Përgjigja ime për Bojken Brecën, alias Pajazit Jasharin

0

Sak Muji, Rugovë – Zvicër

(Sylë Mujaj)

  • Përgjigje për Pajazit Jasharin, qe thoë : Pajazit Jashari è con Sak Muji. Shkrim i gjatë, po, por as rruga e shpirtit të Sakut deri te ky publikim nuk ishte e shkurtër.

Ajo na vjen nga thellësia e një shpirti idealist të lënduar.:

Sak Muji “Jo çdo heshtje është dorëzim – e as çdo krismë zë i drejtë” (Dramë për një shok që na doli hije) I dedikohet Pajazit Jasharit – Boikenit, të ikurit nga terri i Goli Otokut, por jo nga hija e tij.

More vëlla Pajazit… Jo, nuk është shkrimi sa duhet – por është më shumë se duhet për të kuptuar kush është “Nalet” e kush është “Nait”. Nuk është aq rrëshqitës sa skilja, as aq i rrezikshëm sa heshtja jote që përgjon… e që nuk reagon.

A e lexove letrën vëlla?

Apo të vonoi ndonjë tender, ndonjë “takim institucional” që nuk të la kohë për fjalën tonë të thjeshtë? E di – ty s’të afroi askush për pasuri. Por të afruam ne, ata që kishin shpresë te ti, ata që ndamë bukën, lotin, qelinë. Në det të trazuar notove, vëlla, po ja që kur dola unë në breg, ti u ktheve mbrapsht… në një kalë të lodhur fjalësh. Unë nuk dua më përgjigjen e Naitit – sepse nuk më duhet më! As fjala e tij, as zhurma e tij, as Naitët e tij që gërhasin si gjela në katundet e pushtetit. Unë sot dua Lustrifikim, drejtësi, ligj.

Sepse atë dikur e kërkonim bashkë – por sot… ai është koka e hijeve që dikur i luftuam.I njoh mirë emrat: Mehmet Loci, Ibush Kllokoqi, Bashkim Kursani, Tadei Rodiqi, Nik e Aleksandër Lumezi… të gjithë dolën nga foltorja e errësirës me mbështetjen e “klanit të Naitit”. E tani… ata nuk vjedhin, jo – ata shkatërrojnë. Shkulin vizatimet e burgut tim nga muri – jo për të vjedhur, por për të më thyer shpirtin.

Bojken Breca (Pajazit Jashari)

A e kupton ti vëlla Boiken?

Ata s’kanë nevojë për sende – kanë urrejtje për kujtimin.

Ata që dje na quanin heronj, sot na përqeshin si relike. Ata që ne i quajtëm shokë – sot na përfaqësojnë me maska. Dhe kur thonë: “Pajazit po punon me shkije” – une pyes: Quo Vadis, Domino?

Shpirti im nuk është për shitje, e as kujtimi im për heshtje. Dhe nëse ndonjë ditë historia do të flasë vërtet – do flasë edhe për ne, vëlla, për ne që s’kërkuam pushtet, por dinjitet. Për ne që në vend të tenderëve, zgjodhëm plagët tona për dëshmi.

Intervistë me Nikollë Camajn, nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi

0

Nikollë CAMAJ , sot llogaritet politikani më i frytshëm  nga radhët e politikanëve shqiptar në Mal të Zi dhe jo vetëm. Ai në këtë post politik ka ardhur si përfaqësues i Forumit Shqiptar  dhe me dinjitet përfaqëson shqiptarët në këtë shtet.  Camaj ka një eksperiencë të gjatë në fushën politike dhe është njohës i mirë i gjuhës angleze çka edhe i ka mundësuar që të jetë tejet aktiv në diplomacin parlamentare- dërkombëtar.

NIKOLLË CAMAJ- NJË  LIDER I PAKONTESTUESHËM  NE  POLITIKËN SHQIPTARE  NË  MAL TE ZI

 

Intervistoi : Ali Daci

Ali Daci :  Z. Camaj, jeni ndër deputetët më aktivë, jo vetëm ndër deputetët shqiptarë, por mjaft i dukshëm edhe ndër të tjerët. Çka kisha veçuar për këtë bisedë janë aktivitetet ndërkombëtare, strukturat dhe forumet në të cilat merrni pjesë?

Faleminderit për konstatimin. Po, ashtu duket dhe përpos se jam aktiv në plenum, si përfaqësues i shqiptarëve, kryej edhe funkcionin e nënkreytarit të Parlamentit ë Malit të Zi dhe njëherit jam pjesë e disa komisioneve të tij, si atij Administrativ, të Integrimeve evropiane dhe i Komisionit për reformën zgjedhore. Në të njëjtën kohë jam anëtarë i disa forumeve, platformave dhe strukturave ndërkombëtare ku, përpos aktiviteteve të tjera, zbatohet diplomacia parlamentare, në të cilat natyrisht se përfaqësoj interesat e institucionit ku veproj, por gjithnjë kam kujdes që të ruaj interesat e shqiptarëve në këtë shtet, por edhe në rajon. Këtu do të përmnedi: jam anëtarë i Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociim COSAC, anëtar i Konferences së këshillave parlamentar për punët evropiane COSAP, anëtar i Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut – PAM, zëvendës anëtar i Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE),  dhe pjestarë i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ali Daci : Çka është temë bosht e bisedimeve gjatë takimeve ndërkombëtare, dhe sa dëgjohet  zëri i Juaj aty?

Gjatë takimeve dhe diskutimeve të mia ndërkombëtare, fokusohem në çështje të rëndësishme për Malin e Zi dhe shqiptarët që jetojnë këtu, përfshirë integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e reformave dhe të harmonizimit me standardet evropiane, pozicionin e Malit të Zi në NATO dhe kontributin tonë në sigurinë rajonale, zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja, duke promovuar Malin e Zi si një vend me potencial për investime strategjike, të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Mal të Zi, si temë bosht që e ngre në mënyrë të vazhdueshme në forumet evropiane dhe ndërkombëtare. Po ashtu potencoj çështjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe Kosovën, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të madh ekonomik, kulturor dhe infrastrukturor. Për të gjitha këtë çështje loboj kudo që paraqitem, duke kuptuar diplomacinë parlamentare si mjet të përshtatshëm për lobim.

 Ali Daci: Pjesëmarrja në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës dhe komitetet e saj ju imponojnë shumë udhëtime. Si i përballoni dhe si i koordinoni me aktivitetet në Kuvendin e MZ?

Si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, jam aktiv në disa komitete, ku diskutoj çështje të rëndësishme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Për të siguruar një balancë mes angazhimeve ndërkombëtare dhe punës në Kuvendin e Malit të Zi, organizoj detyrat e mia në mënyrë të tillë që të jem sa më i pranishëm dhe efektiv në të dyja nivelet. Puna në Komitetet e AKE, si ai për kulturë e media, qoft ai për migrimet dhe sigurinë kufitare, marrin mjaft kohë, por dua të them se puna në komisone ka më tepër rëndësi se ajo në plenum. Dua t’i shtoj kësaj se jam edhe anëtarë i grupit politik ALDE, që paraqet një platformë të fuqishme lobimit.

Ali Daci :  Çka diskutohet dhe sa ndikon në pozicionimin e Malit të Zi në arenën ndërkombëtare?

Diskutimet lidhen me adoptimin e politikave evropiane, reformat e brendshme dhe harmonizimin e legjislacionit të Malit të Zi me standardet e BE-së. Kjo ndihmon në rritjen e imazhit të vendit si një partner i besueshëm. Përveç kësaj, gjatë këtyre takimeve diskutohet edhe për sfidat që vendi përballet në rrugën e integrimit, përfshirë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Puna ime në këto forume fokusohet në përshpejtin e procesit të reformave në drejtësi, ekonomi dhe administratë, duke siguruar përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE; në përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, duke e ngritur këtë çështje si një element kyç të demokracisë në Mal të Zi dhe duke potencuar faktin e veçorive të popujve autokton, dhe të drejtave të veçanta që atyre u takojnë në shtete me demokraci të fortë. Vend të veçantë në diskutimet tona zë edhe çështje e forcimit të marrëdhënieve mes fqinjëve, duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, si kusht kyç për anëtarësim në BE.

Ali Daci :  Po takimet me homologët tuaj, sa shfrytëzohen për të lobuar për çështje të ndryshme?

Takimet me kolegët nga vende të ndryshme përdoren për lobim për çështjet që veç i ceka, për përkrahjen e reformave si dhe për kandidaturat tona në organizata ndërkombëtare, ku deri më tani kam rezultuar si mjaft i sukseshëm.

Po ashtu, gjatë këtyre takimeve ndërtohen lidhje të forta diplomatike, si tejet të rëndësishme për të vazhduar me proceset. Një aspekt i rëndësishëm është edhe sigurimi i mbështetjes për komunitetin shqiptar në Mal të Zi, sidomos në fushën e arsimit, kulturës dhe ruajtjes së identitetit kombëtar.

Lobim konkret kisha gjatë tentativës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, si edhe për zgjedhjen e kandidatit të Malit të Zi, për nënkryetar të PAM-it.

Ali Daci:  Sa ka hapësirë që gjatë këtyre takimeve ndërkombëtare të përmendet edhe çështja shqiptare?

Në çdo platformë ndërkombëtare ku marr pjesë, përmëndi çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi, duke e përmendur atë si akoma të pazgjidhur, por që fal inkluzivitetit ka shancë të zgjidhet. Në këtë drejtim po përmendi kërkesat tona për avancim të të drejtave administarive e ekonomike. Edhe pse të siguruara me kushtetutë, përdorimi i gjuhës, shtetësia, shfrytëzimi i pronave, pushteti i centralizuar, akoma paraqesin problem, me çka i njoftoj partenrët tonë, duke kërkuar përkrahjen e tyre, anipse gjithnjë e potencojë faktin se Mali i Zi jeton në një diversitet nacional e fetarë, që krahasuar me të tjerët mund të shkojë deri në nivel të harmonisë. Këtu do të veçoja një nga përfundimet e nxjerra gjatë Asamblesë së COSAC në Podgoricë, ku pika e fundit e rezolutës së aprovuar më 2 nëntor 2024, flet për të drejtat e veçanta të pakicave autoktone.

Ali Daci :   Kohëve të fundit keni bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri. Cila ishte e veçanta e kësaj vizite kundrejt vizitave të shpeshta që i bëni shtetit amë?

Kjo vizitë e cila u realizua më 18 – 19 mars kishte një karakter të veçantë pasi u fokusua në të ardhmen e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe malazeze, si dhe fuqizimin e ndihmës së Shqipërisë për komunitetin shqiptar në Mal të Zi.

Gjatë kësaj vizite, kam pas nder dhe kënaqësi të takohëm me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, z. Bajram Begaj, Nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, znj. Anuela Ristani, Kryetaren e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jorida Tabaku, Kryetarin e Bashkisë, z. Ermal Dredha si dhe me Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Bledar Çuçi.

Diskutimet përfshinë çështje të arsimit në gjuhën shqipe, investimet ekonomike dhe mundësitë e shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve.

Por ishte ky një rast i mirë për të përgëzuar shtetin amë për të arriura në çdo drejtim, e posaçërisht në prcesin e integrimeve europiane, shkallën e të cilave e dëshmon edhe hapja e zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë.

Nikollë Camaj me ambasadorin e Ukrainës në Mal të Zi

Ali Daci :  Cilën nga vizitat kishe veçuar për përshtypjet që t’i ka lënë?

Kam pas shumë vizita jashtë shtetit, por disa nga vizitat që më kanë bërë më shumë përshtypje për ndikimin e tyre do të veçoja: takimi me Papën në Vatikan, në janar të këtij vitit, një moment historik që ka pasur një domethënie të madhe për komunitetin shqiptar në Mal të Zi, por gjithësesi  edhe për mua. Ai erdhi pas një angazhimit personal për të zgjedhur çështjen e nuinciaturës në Podgoricë. Vizita në Vatikan shërbeu edhe për të forcuar lidhjet shpirtërore dhe historike të shqiptarëve me Selinë e Shenjtë. Me Atin e Shenjtë shkëmbyem dhuratat dhe i dorëzova ftesën, ne emër të Parlamentit të Malit të Zi, për të vizituar këtë shtet dhe rajonin. Pastaj do të veçoja vizitën në Riga të Letonisë, ku mora pjesë në Samitin e Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë, më 23 dhe 24 tetor 2024, si edhe vizitën në Montreal të Kanadasë, ku isha në seancën e 70-vjetorit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila u mbajt nga 22 deri më 25 nëntor 2024.

Këtu do të veçoja edhe takimin me kryeparlamentarin e Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, në dy raste, në Riga dhe në Montreal.

Në Samitin në fjalë që u mbajt në Riga, theksova mbështetjen e pakushtëzuar të Malit të Zi për ruajtjen e sovranitetit politik, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, duke veçuar se Mali i Zi ishte vendi i parë jashtë BE-së që siguroi mbrojtje të përkohshme për personat nga Ukraina dhe lehtësoi  hyrjen e tyre për arsye humanitare. Po ashtu gjatë kësaj vizitë, pata disa takime bilaterale me zyrtarë të disa shtetëve, ku do t përmend, përpos z. Stefanchuk, kryeparlamentaren e Shqipërisë, zonjën Spiropali, kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashin, kryeparlamentarin e Lihtenshtajnit z. Albert Frick, si edhe nënkryetarin e Parlamentit të Suedisë, z. Kenneth Forslund.

Ndërsa, sa i përket vizitës në Montreal, thelbi i Sesionit në fjalë ishte diskutimi dhe miratimi i çështjeve kyçe lidhur me sigurinë dhe mbështetjen për vendet anëtare dhe partnere të NATO-s. Disa nga temat më të rëndësishme që u trajtuan përfshinin luftën kundër dhunës seksuale të lidhur me konfliktet, forcimin e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s, avancimin e teknologjisë për sigurimin e prosperitetit dhe sigurisë, si dhe mbështetje për Ukrainën në luftën e saj për integritetin territorial.

Gjithashtu, duhet të përmendet edhe takimi në Romë me nënkryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Italisë, z. Fabio Rampelli, të cilin e ftova zyrtarisht ta vizitojë Malin e Zi. Po ashtu, gjatë vizitës sime në Paris në mars të këtij viti, isha mysafir në Parlamentin e Republikës së Francës, ku u takova me deputeten Liliana Tanguy, anëtare e delegacionit francez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE). Tanguy, e cila këtë muaj u emërua raportuese e Komitetit të Monitorimit të APKE për dialogun pas-monitorues me Malin e Zi, shprehu interes për forcimin e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy vendeve.

 Ali Daci: Pranimet në kabinetin tuaj dhe pritjet e personaliteteve apo delegacioneve ndërkombëtare, po ashtu janë të shpeshta në veprimtarinë  tuaj. Diçka më tepër edhe për këto:

Pranimet janë pjesë kyçe e punës sime. Kam pasur takime me diplomatë të lartë, përfaqësues të BE-së, si dhe delegacione nga vende partnere. Në këto takime, fokusi është mbi  integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin dypalësh e rajonal.

Si nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, pata rastin të prisja e të takoja kryeparlamentarin e Finlandës, Sh.T.Z. Jussi  Halla-aho, atë të Maltës, Sh.T.Z. Angelo Ferugia dhe të Monakos, Sh.T.Z. Tomas Brezza, pastaj ambasadorë e zyrtarë të lartë shtetesh.

Takimin e parë, në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit e pata me ambasadoren e Shqipërisë, Sh.S.Znj. Zhaklina Peto, ku theksova rëndësinë e marrëdhënieve miqësore dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor. Gjithashtu, me ambasadoren e Kosovës, Sh.S.Znj. Ariana Zherka-Hoxha shkëmbyem mendime mbi forcimin e lidhjeve midis vendeve tona.

Në kabinetin tim prita edhe nuncin apostolik në Sarajevë, përgjegjës për punët me Malin e Zi, monsinjor Francis Assis Chullikatt.

Po ashtu në kabinetin tim prita ambasadorin e Ukrainës, Sh.T.Z. Oleg Gerasimenko. Gjatë këtij takimi konfirmova mbështetjen e Malit të Zi për popullin Ukrainas dhe nënvizova rëndësinë e stabilitetit në rajon.

Veçanërisht i rëndësishëm ishte takimi me kryetarin e Parlamentit të Finlandës, ku diskutuam rrugën evropiane të Malit të Zi dhe rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar. Gjithashtu, pata mundësinë të prisja ambasadorin e Austrisë, SH.T.Z. Kristjan Shtajner, ku prekëm tema mbi integrimin evropian dhe zhvillimin demokratik. Para disa ditësh në kabinet prita edhe ambasadorin e sapoemëruar të Letonisë, Sh.T.Z. Jurijs Pogrebnaks. Gjithashtu, kam pas nderin dhe kënaqësinë të mirëprisja edhe disa përfaqësues të diasporës tonë shqiptare, si dhe shumë personalitete të rëndësishme për çështjen shqiptare në Mal të Zi.

Sa u përket vendeve ku zhvillohen këto  aktivitete  vlen të përmenden edhe Parizi, Roma, Athina, Barga, Kopenhagen, Edinburg, Vlora, Budapest, Trondheim etj.

Nikollë Camaj me Bajram Begajn

Ali Daci :   Dhe për në fund, çka kishi veçuar nga aktivitetet në Parlamentin shtetëror?

Gjatë afër dy viteve që kur jam deputet në Kuvendin e Malit të Zi, kam bërë, së bashku me kolegët e tjerë nga Forumi Shqiptar, por edhe partitë e tjera shqiptare, që të miratohen ndryshimet në Ligjin për financimin e vetëqeverisjes  lokale, me të cilin konkretisht komuna e Tuzit siguron të ardhura shtesë nga buxheti shtetëror.  Pastaj në procedurë është Ligji për ndryshimet në ligjit mbi tatimin e pasurisë së paluajtshme, propozuar nga unë, me të cilin gjithashtu komunës së Tuzit i rriten mjetet financiare.

Me ambasadorin e Austrisë

Po ashtu, inicuar nga unë, së shpejti do t’i kemi në procedurë edhe një rezolutë mbi krimet ndaj shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1915- 1999, si dhe komisionin hetimor parlamentar në lidhje me aksionin policor famëkeq,  “Fluturimi i Shqiponjës”.  Pra rezoluta do të përfshijë krimet ndaj shqiptarëve që fillojnë nga Masakra e Previsë dhe vazhdojnë deri te vrasja e refugjatëve kosovar në Husaj të Rozhajës .  Përndryshe, aktivitete e përditshme janë të shumta, me një agjendë  tejet  të  dendur dhe se di se çfarë do të veçoja më parë.

Faleminderit për bisedën !

Forcat izraelite kanë marrë kontrollin e korridorit të ri në Gaza – Rafah është i rrethuar

0

Trupat nga Divizioni i 36-të operojnë në Korridorin Morag në Rripin jugor të Gazës, në një foto të publikuar më 12 prill 2025. Foto: IDF

 / Document.no

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë rrethuar qytetin Rafah, në jug të Gazës, raportuan të shtunën. Ata kanë marrë gjithashtu kontrollin e Korridorit Morag, i cili ndan Gazën jugore në dysh.

IDF ka shkëputur kështu Rafahun nga Khan Younis aty pranë, raporton The Times of Israel. Tani që IDF kontrollon Korridorin Morag, ata planifikojnë të ndërtojnë një rrugë përgjatë korridorit që do ta bëjë “zonën tampon” të Izraelit më të madh.

Rafah tani është i rrethuar plotësisht nga ushtria, me Divizionin e 36-të, që mban Korridorin Morag dhe Divizionin e Gazës, që vepron në Korridorin Filadelfi, zona kufitare midis Egjiptit dhe Gazës.

Brigada 188 e blinduar e Divizionit 36 ​​kishte avancuar në Korridorin e Moragit nga veriperëndimi, ndërsa Brigada e Këmbësorisë Golani e divizionit përparoi nga kufiri në juglindje. Gjatë natës, dy njësitë u bashkuan përsëri.

Hapi tjetër janë operacionet brenda Rafahut, mbi të cilat IDF nuk ka kontroll të plotë, për të goditur njësitë e fundit të Hamasit të vendosura në qytet. IDF lëshoi ​​një njoftim evakuimi për civilët në Rafah pothuajse dy javë më parë.

Qëllimi është që zona tampon e IDF-së në Gazën jugore të shtrihet përfundimisht nga kufiri egjiptian deri në periferi të Khan Younis – më shumë se 5 kilometra larg – dhe të përfshijë të gjithë qytetin e Rafahut. Një zonë e tillë tampon do të mbulonte rreth 20 për qind të Rripit të Gazës.

Zona tampon e IDF-së diku tjetër në kufirin e Gazës është zgjeruar gjithashtu nga disa qindra metra në rreth 2 kilometra në shumicën e zonave.

Gjatë dhjetë ditëve të operacioneve në Korridorin Morag, IDF thotë se ka eliminuar dhjetëra terroristë dhe ka shkatërruar infrastrukturën e Hamasit, duke përfshirë tunele.

Israelske styrker har tatt kontroll over ny korridor i Gaza – Rafah er omringet – Document

Kur 11 Prilli përkujtohet si hapje e fushates për zgjedhjet. Rastësi?

0

Prof. Pirro Prifti, Tiranë

Nuk është për tu habitur se si Sindromi i Stokholmit përsëritet herë pas here tek shërbyesit dhe skllevërit e e pronarëve apo diktatorëve, kujtimet e të cilëve kalojnë gjithashtu herë pas herë nga urrejtja në dashuri dhe nga dashuria në urrejtje me kalimin e kohës. Në përgjithësi urrejtja me plakjen e njeriut zbutet dhe kujtimet me favoret e Skllavopronarit  e mbysin me nostalgji skllavin që dikur i puthte dorën apo dhe e mbante krahun të palarë për një kohë të gjatë me pretekstin se ishte prekur nga dora e të madhit-Diktatorit apo Demonit të Diktaturës…..

Me pak fjalë Sindromi i Stokholmit  është një gjendje ose teori e propozuar që përpiqet të shpjegojë pse pengjet ndonjëherë zhvillojnë një lidhje psikologjike me rrëmbyesit e tyre. Lidhjet emocionale mund të krijohen midis rrëmbyesve dhe robërve, gjatë kohës intime së bashku, por këto konsiderohen të paarsyeshme nga disa në dritën e rrezikut ose rrezikut të duruar nga viktimat. Emri ka lidhje me vitin 1973,  kur Jan-Erik Olsson, një i dënuar me kusht, mori peng katër punonjës (tre gra dhe një burrë) të Kreditbanken, një nga bankat më të mëdha në Stokholm, Suedi, gjatë një grabitjeje të dështuar bankare. Ai negocioi lirimin nga burgu të mikut të tij Clark Olofsson për ta ndihmuar atë. Ata i mbajtën pengjet robër për gjashtë ditë (23–28 gusht) në një nga kasafortat e bankës. Kur pengjet u liruan, asnjëri prej tyre nuk do të dëshmonte kundër asnjërit pengmarrës në gjykatë; në vend të kësaj, ata filluan të mbledhin para për mbrojtjen e tyre. Olsson më vonë tha në një intervistë se  “ai mund t’i kishte vrarë lehtësisht pengjet në fillim, por me kalimin e kohës u bë më e vështirë, pasi ai zhvilloi një lidhje emocionale me ta dhe ata nuk me sulmuan mua kur paten rastin“.

Ky Sindrom i Stokholmit ndodh njëlloj edhe me ish anëtarët e Partisë së Punës, me ish bashkëpuntorët e sigurimit, apo ish spiunët të asaj diktature, ku punuan dhe bashkëpunuan me detyrim e dhunë në shumë raste, të cilët, megjithë detyrimin që kishin ndaj Diktatorit, megjithë persekutimet dhe censurimet, ata për shkak të lidhjeve qoftë emocionale dhe të ndonjë favori, pavarësisht ndryshimeve të sistemeve, gjatë të cilave pasoi një urrejtje e justifikuar popullore ndaj Diktatorit, vjen një periudhë pas një farë kohe mbizotërojnë ndjenjat e nostalgjisë së asaj kohe dhe afërsitë emocionale mbizotërojnë në formë kujtimesh të cilat zbusin urrejtjen dhe fatkeqësitë.

Shumë vite më vonë këta ish-a që sot mund të kenë përsëri poste drejtuese dhe favore pikërisht në saje të tyre, sepse u vendosën në krye të demokracisë në Shqiërisë ndoshta ngaqë i vret ndërgjegja në subkoshiencë, ose nga afërsia emocianle dhe favoret që u bëri  diktatori nëpërmjet sistemit të asaj kohe, u lind dëshira për të përkujtuar ditlindjet apo vdekjen apo ndonjë datë të shënuar të diktatorit, por duke mos rënë në sy të popullit, e kamuflojnë datën që do të përkujtohet duke vendosur një datë tjetër pune, si p.sh data e hapjes ë fushatës së zgjedhjeve.

11 prilli dita e vdekjes së diktatorit nuk mund të përkujtohet ndryshe më mirë sesa një kamuflazh për të vendosur ditën e hapjes së fushatës së zgjedhjeve për 11 majin.

Sigurisht edhe partia maxhoritare vuan nga Sindromi i Stokholmit sepse ka plot nostalgjikë ndoshta tashmë të dalë në pension, por kujtimet e të kaluarës nostalgjike se si rriheshin , dënoheshin, dhe kritikoheshin nga diktatori, po ashtu edhe kur ata lavdëroheshin për `heroizmat` dhe punët e dobishme për Partinë dhe Enverin siç janë herë pas here datat përkujtimore të 5 majit, 10 korrikut,11 janarit etj, etj ngatërrohen, zbuten dhe përkujtohen si histori të tjetër kujt pikëirsht për shkak të afërsisë emocionale të dikurshme..

Nostalgjitë e të kaluarës kur personat vuanin dënimet dhe horroret nga luftrat, përplasjet, dhe burgjet, me kalimin e moshës ngatërrohen ose bashkangjiten, edhe me ndonjë mbresë të lëshimeve apo ndonjë favori që u bënte egzekutori, dhe në ditët e pleqërisë sidomos kur sëmundje të tilla si Alzheimer apo Demenca Senile u a bën m*tin mjaltë edhe me të persekutuarve të atij sistemi aq sa në vështirësitë e sotme të `kapitalizmit demokratik` mund të thonë se… `ishim mirë kur ishim keq`… duke konfirmuar se Sindromi i Stokholmit është I pranishëm gjërisht tek ish-at drejtuese ish diktaturës

priftipirro@017@gmail.com

Politika e fshehur po tingëllon e shëmtuar!

0

Shkëputur nga romani në dorshkrim:“Diplomacia e shterruar“ (1)

Marrëveshjet politike në vendin tonë ende nuk po funksionojnë. Në ndëkohë, marrëveshjet e dëmshme në çdo kohë mund të shndërrohen në një “dramë politike”, që përplaset me pasojat e këtyre marrëveshjeve në nivelin social dhe politik. Historia mund të përqëndrohet në kontradiktat që ekzistojnë mes elitave dhe popullit të zakonshëm.

Safet Sadiku

Lexuesi: Në këtë histori, Shqipëria është si një kopsht i bukur, i mbjellë me dashuri dhe kujdes, ku çdo lulëzim i saj  është një simbol i identitetit kombëtar: gjuha, kultura, dhe historia. Por kopshti është i mbuluar nga një shtresë e trashë pluhuri, e krijuar nga politikanët që, si arinj të lodhur, e kanë lënë të pushojë pa u ujitur. Ata kanë harruar të kujdesen për rrënjët që e mbajnë atë gjallë, duke lënë gjithçka të thahet për shkak të paaftësisë dhe interesave të ngushta.
Një diplomat shqiptar, në këtë kopsht të shkatërruar, është si një drur i thyer. Ai dikur kishte degë të gjelbra, duke shpresuar që do të përhapte një hije të freskët për brezat që do të vinin, por tani degët e tij janë të thata, të thyera nga furtunat e jashtme dhe papërgjegjshmëria e brendshme. Në vend që të mbrojë, të mbajë dhe të ruajë frutat e kombit, ai ka lejuar që ato të bien dhe të shuhen, duke u përpjekur të shpëtojë vetëm degët e tij. Politikanët e paaftë, të cilët janë të ngjitur si kërpudha mbi dru, mbajnë gjithçka në errësirë. Ata janë një reflektim i mungesës së dritës, që ndriçon drejtimin dhe krijon vizion. Si kërpudha që ndalojnë rritjen e bimëve të shëndetshme, politikanët janë ata që e kanë bllokuar zhvillimin e kombit, duke u shërbyer më shumë interesave të veta se sa interesave të atdheut. Dështimi i tyre është i qartë: ata janë thjesht fasha të kalbura të një sistemi që po
shkatërrohet çdo ditë.
Lexuesi i shtatë: Marrëveshjet e fshehta janë si kontratat që një kopshtar i pabesë nënshkruan marrëveshje me milingonat, duke i lejuar ato të shkatërrojnë gjithçka që ka mbetur. Ky është një akt i fatkeqësisë, sepse ato që janë mbjellë me mund janë shitur për një fitim të shpejtë dhe të papërgjegjshëm. Si milingonat që hanë rrënjët e bimëve, politikanët kanë shitur vlerat e kombit për të mbushur xhepat e tyre. Ata janë si hiena që ndahen mbi mishin e shterruar të një kombi që mund të ishte ende i gjallë dhe i fuqishëm, por që është konsumuar nga ndërhyrjet dhe dredhitë brenda dhe jashtë kufijve të tij.
Lexuesi i nëntë: Për më tepër, populli shqiptar është si një hije që kërkon dritë, por që është shtrirë për tokë si në një vend të errët, të mashtruar nga një retorikë patriotike që nuk përputhet me veprimet e atyre që e udhëhoqën. Ata e shohin gjithçka me sytë e shpresës, siç do ta bëjë çdo zog që ka lindur në një kafaz të errët dhe që ende beson se do të fluturojë. Por kjo shpresë është e verbër, pasi nuk ka kush ta çlirojë. Ata nuk e dinë se ka shumë vdekje dhe shkatërrim në prapaskenë, të cilat po përpiqen t’i mbulojnë me gënjeshtra të bukura.
Lexuesi i radhës shkruan: Ky është një rrëfim për një diplomaci të shterruar dhe për një politikë të paaftë që ka shpërbërë atë që është ndërtuar me mund dhe sakrifica. Shqipëria është si një kopsht i braktisur, i lënë pas dore nga ata që kanë premtuar ta mbrojnë dhe ta rrisin. Diplomacia është si një pyll me drunj të thyer, që dikur kishte qenë simbol i logjikës me prova të vetëdijës dhe i dinjitetit, por që tani është si një trup i humbur i një ëndrre të shuar. Dhe ndërkohë, populli mbetet i humbur në errësirë, i bllokuar nga premtimet e rreme dhe sjelljet e prapambetura që e rrethojnë.

Unë këto mendime i kam quajtur: „Diplomaci e shterrur…“. Ky togfjalësh artistik është si një ujëvarë që ka mbetur pa burim! Por, diplomacia shqiptare ka ngordhur nën peshën e interesave të ngushta dhe paaftësisë që e rrethojnë. Çështjet juridike dhe diplomatike janë si ato muret e kaluara, të cilat janë shkatërruar nga erërat e ndryshimeve politike dhe gabimeve të një pas njëshme. Shqiptarët, të paktën në sytë e politikës ndërkombëtare, janë si një trup që ka humbur shpirtin e tij; identiteti i tyre, i mbushur me histori, që ka filluar të humbasë në grackën e një hibridi fetar dhe ideologjik.
Identiteti shqiptar është përdhosur, si një flamur që është shtrirë në rrugë dhe që përplaset nga era, pa asnjë ngjyrë të qëndrueshme. Në vend që të mbrojmë gjuhën, kulturën dhe vlerat tona, ne po zgjedhim të shfaqim një identitet të copëzuar, ku shpesh herë ajo që mbizotëron është një ndarje fetare, jo një bashkim kombëtar. Siç thotë edhe lexuesi im: “Shqiptarët e shohin veten më shumë si ortodoksë, muslimanë apo katolikë sesa si shqiptarë.” Ky është një fenomen që, si një plagë e hapur gjatë historisë, ende nuk ka marrë kurrë ilaçin e duhur, por vazhdon të rritet dhe të thellohet, duke krijuar një ndarje të brendshme që i shërben vetëm armiqve.
Për klasën politike, kjo ndarje është një lojë shahu, ku secila figurë shërben për të realizuar interesat personale, duke lënë pas dore shpresën për një shtet të fortë. Politikanët, të cilët janë si aktorë të një komedie të mjerueshme, ndërrojnë role në çdo moment, duke shpërfillur nevojën për një qëndrim të fortë kombëtar. Ata janë si fletë të plasaritura të një libri të vjetër, që shpërndahen pa ndihmuar të ruhet historia. Marrëveshjet që ata bëjnë janë si kontrata me djallin: „Ata shpesh nënshkruajnë për të drejtat e kombit, që provojnë në mënyrë të përsëritur për t’i shitur ato të drejta, për një favor të momentit, duke mos menduar për pasojat afatgjata“.

Siç thotë lexuesi tjetër: “Mungesa e një strategjie shtetërore për identitetin kombëtar është si një gur i humbur në det, që nuk mund ta gjesh.” Ky është një popull që është i humbur në një botë globale, të shkatërruar nga ndikimet e huaja, dhe një popull që po përpiqet të ruajë një identitet, të cilin nuk e mbron askush. Shumë herë, politikanët e paaftë janë si udhëheqës që humbasin rrugën në mes të një qyteti të madh, të mbushur me iluzione, por pa një plan të qartë. Në këtë fushë të shkatërruar, servilët janë si marioneta të të huajve, që lëvizin me fijet e interesave të jashtme. Ata nuk janë më liderë të popullit, por thjesht vegla të politikave të huaja, që kanë pranuar t’i shesin interesat kombëtare për një premtim të pamundur. Si një lodër që lëviz nga njëri skaj i dhomës në tjetrin, ata përdorin patriotizmin për të mbuluar thyerjet që ata kanë shkaktuar me marrëveshje të dëmshme. Më tej, të korruptuarit janë të tillë që ngjajnë, „si vrasës të heshtur“, të cilët vjedhin pasurinë e kombit dhe e shesin atë për përfitime personale, duke lënë pas vetëm një shkatërrim të papërfillshëm.
Lexuesi tjetër ka shkruar: Marrëveshjet e dëmshme për kufijtë dhe territoret janë si copëza të shpërndara të një mozaiku që nuk mund të bashkohen kurrë. Ata mund të duket se janë marrë për të ruajtur stabilitetin, por në të vërtetë, janë vetëm një tjetër dështim për të mbrojtur interesat shqiptare. Shitjet e pasurive kombëtare dhe lëshimet e sovranitetit janë si të derdhura e shkumëzuar në det, që nuk mund të kthehen prapa. Korrupsioni është një kancer që i ha brendësinë institucioneve shqiptare, duke shkatërruar gjithçka që ndodhet përpara tij. Ky është një portret i hidhur që mund të trajtohet në art, ku diplomatë, politikanë dhe figura publike shfaqen si statuja të shkatërruara, të paqëndrueshme, që dëshmojnë dështimin e sistemit. Mësimi që duhet marrë është se një komb që nuk di të ruajë identitetin e tij dhe të mbrojë vlerat e veta kombëtare. Pra po falsim për një komb që mund të humbasë gjithçka, si një qytet i lashtë që është varrosur në rërë.
Si një qytet i braktisur që pret të shkatërrohet nga dallgët e huaja, kështu janë zyrtarët tanë të lartë të shtetit. Ata kanë përshkuar orët e punës si një orë rënieje që e ka humbur kuptimin e vet. Kur vjen një diplomat i huaj, ata janë si gjurmë që kërkojnë ndihmë nga ata që nuk e duan të vërtetën. Zyrat e shtetit bëhen si ishuj pa breg, ku çdo orë është e zënë vetëm për ata që erdhën nga larg, që dikush t’ua hapë dyert me buzëqeshje të përkëdhelur. Për ata që janë të afërm, derën e zyrës e gjejnë mbyllur, si një fortifikatë që mbron atë që i ndodh jashtëtokësorëve.
Në këtë regjim, oraret e punës janë si një orë gjermane që troket e rreptë: kjo është e sakta, pa vonesa, pa ndjenja të kota, por gjithashtu të ftohta dhe të pabashkuara me shpirtin e një kombi të lodhur. Kur vijnë të huajt, orët e punës bëhen si një rit i shenjtë…, një orar që nuk është shkruar, por i ndjekur me fanatizëm, si në Gjermani që individi nuk mund të dalë nga rruga e tij e përcaktuar. Ata tanët, ulen si gjarpërinjtë që presin viktimat e tyre në hijen e traditës dhe përkushtimit ndaj gjërave të jashtme, dhe si një relike e një kohe të kaluar që ende mendon se çdokush duhet të ketë një vend në tryezën e shtetit, përveç atyre që e kanë lindur këtë komb.
Në këtë mënyrë, deri tani po vlerësohet se shteti ynë është një teatër i humbur, ku zyrtarët janë aktorët që ndjekin udhëzimet e një skenari të huaj. Si një lojë e padashur që i ka kaluar të gjitha kufijtë, ata i presin të huajt, duke ua hapur portën me duar të ngrohta, ndërkohë që qytetarët tanë janë të lënë në errësirën e indiferencës, si thëngjill të mbetur pa zjarr. Ndoshta, kjo është një lojë e mentalitetit që mbizotëron, ku besimi në forcën e jashtme ka zëvendësuar vlerat që mund të ndërtohen brenda. Por, siç thonë gjermanët, “Kush e mbështetet vetëm në një orar të rreptë, harron shpirtin e asaj që është e rëndësishme.”
Lexuesi i njëzetë e një: Në fund të ditës, kjo është më shumë se një lodhje politike. Është një sindromë që ngjason me një tragjedi të vjetër – një humbje e përhershme e lidhjes mes pushtetit dhe popullit që ai duhet të shërbejë. Zyrtarët janë të mbërthyer në një lloj sjellje të verbër ndaj qytetarëve të vet, duke kaluar orë dhe ditë duke e shuar etjen për përkrahje jashtë vendit, duke harruar se përpara dyerve të tyre qëndron një popull që kërkon më shumë se sa një ndihmë të mospërfillur.

 

 Shkëputur nga romani në dorshkrim:“Diplomacia e shterruar“ (2)

Sikur ai, Baca Ukë, të ishte gjallë do t’i shkruante këto pak fjalë!

Fjalët e një mëngjesi: Në rrugët ku dikur jehonte zëri i lahutës dhe kënga e trimërisë, tani fërshëllima e fjalëve të vrazhda mbulon tingujt e butësisë. Si ujë që ka marrë shijen e enës ku është derdhur, një popull i tërë duket sikur ka mbetur rob i hijes së okupatorit, edhe pasi ai fizikisht u largua. Pluhuri i një kulture të huaj, të imponuar me dhunë, ende rri pezull mbi mendjet dhe zemrat, si mjegull që nuk e lë diellin të ndriçojë rrënjët tona të vërteta. Fjalët e hidhura, shikimet e vrazhda, sjelljet e ashpra; të gjitha këto gjëra duken si plagë të një kohe të kaluar, por që ende kullojnë në të tashmen. Kjo nuk është kultura e atyre që i këndonin mikut e e nderonin bujarinë, që gratë i quanin hyjni dhe burrat i matnin me fjalën e dhënë. Dikur, shqiptari e gjykonte veten sipas kodit të nderit, jo sipas forcës së dorës apo ashpërsisë së gjuhës.
A mos vallë robëria më e rrezikshme është ajo që jeton brenda nesh, edhe pasi zinxhirët e jashtëm janë këputur? Nëse po, atëherë është koha ta pastrojmë shpirtin, ta rikthejmë butësinë e zemrës shqiptare, e të mos mbetemi pengje të hijes së një okupatori që s’është më, por që ende flet përmes nesh. Është një ironi tragjike: trupi i vendit është çliruar, por shpirti duket ende në pranga. Si një lis i moçëm që ka përjetuar furtuna, por rrënjët i ka të mbështjella me barëra të huaja, ne dukemi të lirë, por ende të përkulur nën peshën e një kulture që s’është e jona. Kemi harruar se fjala e ëmbël dhe bujaria kanë qenë armët më të fuqishme të shqiptarit. Sot, në vend të tyre, përdorim vrazhdësinë, sikur duam të mbajmë gjallë një prani që është larguar me kohë. Kjo nuk është kultura e atyre që dikur besnikërinë e quanin gjakun e shpirtit dhe që mikun e vinin mbi veten.
Një popull që humb shpirtin, edhe pse ka fituar lirinë, rrezikon të mbetet një trup pa zemër. Ndoshta është koha të kujtojmë se çfarë do të thotë të jesh shqiptar, jo vetëm me emër, por me zemër, me mendësi, me sjellje. Liria nuk është vetëm largimi i armikut, por edhe çlirimi nga hija e tij që fatkeqësisht ende po endet në mes nesh.

E KUJTOJ SI SOT MENDIMIN E TIJ!

E kujtoj si sot mendimin e Ukshin Hotit, që më tha: “Varet shumë se kush do të na përfaqëson në procesin e bisedimeve me Serbinë, pasi serbët dinë të krijojnë situata ngërqi dhe të na mbajnë pengë“…  Çfarë donte të thoshte me këtë mendim Ukshin Hoti? A është aktual edhe sot mendimi dhe filozofia e tij pasi Kosova nuk ka aftësi ta formojë qeverinë e pavarur pa ndikimin e Serbisë?

Ukshin Hoti ishte një mendimtar dhe veprimtar i shquar politik, i cili e shihte çështjen shqiptare, sidomos atë të Kosovës, përmes një prizmi strategjik dhe historik. Me këtë mendim, ai duket se ka paralajmëruar që atëherë (në vitet ’90-ta) për taktikat e Serbisë në bisedimet politike dhe diplomatike, duke theksuar aftësinë e saj për të krijuar situata të ndërlikuara (ngërçe) që pengojnë Kosovën në rrugën e saj drejt shtetësisë së plotë.
Ky mendim është ende aktual, pasi edhe sot Kosova përballet me sfida serioze në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në dialogun me Serbinë. Serbia ka përdorur strategji të ndryshme për të penguar njohjen dhe funksionalitetin e Kosovës si shtet i pavarur, qoftë përmes lobimit ndërkombëtar, mekanizmave juridikë dhe diplomatikë, apo krijimit të tensioneve të brendshme.
Fakti që Kosova ende nuk ka arritur një stabilitet të plotë politik pa ndërhyrje apo ndikime të jashtme, tregon se këshillat dhe paralajmërimet e Ukshin Hotit mbeten me vlerë edhe sot. Ai gjithmonë ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të denjë dhe të strategjisë së qartë në raport me Serbinë, duke mos rënë në grackat që mund të vonojnë apo komplikojnë procesin e shtetndërtimit.

Media: A mendoni se udhëheqësit e sotëm të Kosovës kanë ndjekur filozofinë dhe vizionin e Ukshin Hotit, apo janë larg prej saj?
Autori: Pajtohem që vizioni dhe mendimi strategjik i Ukshin Hotit është shumë larg nga mënyra se si është menaxhuar politika në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Ai e shihte çështjen e Kosovës si pjesë të një projekti më të gjerë kombëtar dhe nuk besonte në qasje të përkohshme apo varësitë e mundshme nga faktorët e jashtëm. Sot, Kosova është shpesh në pozicion mbrojtës në raport me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare, në vend që të ketë një strategji të qartë dhe të vetëdijshme për qëllimet afatgjata. Ukshin Hoti insistonte në fuqizimin e brendshëm të shtetit dhe në ngritjen e një diplomacie të pavarur, ndërsa sot shpesh kemi një qasje të dështuar, ku liderët politikë merren më shumë me kalkulime të brendshme se sa me një vizion afatgjatë për shtetin.
Media: Nëse klasa politike e Kosovës do të ndiqte parimet e Ukshin Hotit, çfarë mendoni se do të duhej të bënte ndryshe?
Autori: Klasa politike do të duhej të ishte më unike në shërbim të funksionalitetit të shtetit dhe parimeve demokratike, por ata më shumë konfirmojnë përqarje! Shteti i Kosovës nuk është pronë e askujt ashtu siç e trajton klasa politike që nga pas lufta e gjer më sot.
Media: E keni thënë shumë saktë. Ku janë vështirësitë?
Autori: Një nga problemet kryesore të klasës politike në Kosovë është mungesa e unitetit në çështjet madhore të shtetndërtimit dhe funksionalitetit institucional. Në vend që të ndërtohet një qeverisje e bazuar në parime demokratike dhe interesa shtetërore, shpesh shohim dominimin e interesave partiake, klanore dhe individuale. Ukshin Hoti kishte një vizion ku shteti nuk do të ishte pronë e askujt, por një mekanizëm që i shërben qytetarëve dhe kombit. Ai besonte në një qasje të pavarur politike dhe në një vetëdije kombëtare që do ta vendoste Kosovën në një pozitë të barabartë me të tjerët në arenën ndërkombëtare. Për fat të keq, në vend të kësaj kemi parë një kulturë politike ku pushteti shpesh trajtohet si mjet privat dhe ku klasa politike më shumë shërben për ruajtjen e pozitave sesa për zhvillimin real të shtetit. Nëse Kosova do të ndiqte rrugën e Ukshin Hotit, do të duhej të kishte:
1) Një vizion të qartë shtetëror – ku interesi kombëtar dhe shtetëror vendoset mbi kalkulimet e brendshme politike.
2) Të kishte harmonizim dhe bashkëpunim politik në çështjet madhore, sidomos në raport me Serbinë dhe diplomacinë ndërkombëtare.
3) Institucione të fuqishme dhe të pavarura, larg ndikimeve partiake dhe interesave të grupeve të caktuara.
4) Një klasë politike me integritet, që nuk e sheh shtetin si pronë private, por si përgjegjësi për të gjithë qytetarët.
Media: Çfarë mendoni se e ka penguar më së shumti Kosovën që të ndjekë këtë rrugë? Mos vallë mungesa e lidershipit me vizion, apo ndërhyrjet e jashtme që kanë diktuar rrjedhën e politikës?
Autori: Po, lirisht mund të them, se (ajo çfarë kam parë gjer më tani), politikanët janë pa karakter kombëtar në përfaqësim të shtetit! Janë tepër servilë dhe të nështruar në politikën ndërkombëtare. Kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha të politikës së shqiptarëve në Kosovë, e më gjërë sepse mungesa e një lidershipi të denjë, me karakter kombëtar dhe me aftësi për të përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare me dinjitet gjer më tani mendoj se ështa thelbi i problemit, i cili parim  ende nuk po ndryshon! Servilizmi politik dhe nënshtrimi ndaj faktorëve të jashtëm kanë bërë që Kosova shpesh të mos ketë zë të pavarur, por të jetë në pritje të udhëzimeve nga jashtë, në vend që të marrë vendime në përputhje me interesin e saj strategjik. Ukshin Hoti nuk do ta pranonte një qasje të tillë. Ai besonte në një politikë të bazuar në parime dhe në barazi në marrëdhëniet ndërkombëtare, jo në nënshtrim apo në përulje diplomatike. Për fat të keq, sot politikanët shqiptarë shpesh shkojnë në negociata pa strategji afatgjatë, duke pranuar kompromise të dëmshme ose duke e vendosur veten në pozita ku vendimmarrja u diktohet nga të tjerët. Nëse Kosova do të kishte një udhëheqje të guximshme dhe me karakter kombëtar, do të kërkonte:
a) Një strategji të qartë shtetërore, ku Kosova nuk pranon të trajtohet si një çështje e pazgjidhur, por si një shtet i barabartë.
b) Diplomaci dinjitoze, që nuk kërkon vetëm mbështetje, por edhe respekton veten në arenën ndërkombëtare.
c) Forcim të institucioneve, për të siguruar që Kosova nuk mbetet peng i pazareve politike.
Media: Pse mendoni se ende nuk është krijuar një lidership i tillë në Kosovë? Është për shkak të ndikimeve të jashtme, apo për shkak të mentalitetit të politikanëve vendorë?
Autori: E kujtoj si sot mendimin e Ukshin Hotit, që më tha kur u takuam herën e fundit me të në Ljubljana: “Varet shumë se kush do të na përfaqëson në procesin e bisedimeve me Serbinë, pasi serbët dinë të krijojnë situata ngërgi dhe të na mbajnë pengë“. E kam thënë edhe herave tjera këtë mendim të tij.
Media: Çfarë donte të thoshte me këtë mendim Ukshin Hoti? A është aktual edhe sot mendimi dhe filozofia e tij pasi Kosova nuk ka aftësi ta formojë qeverinë e pavarur pa ndikimin e Serbisë?
Autori: Mendimi i tij mendaj se edhe sot është aktual. Ai ishte i tillë; largpamës, vizionar. Ai dhe filozofia politike e tij, e trajtimit të çështjeve në rrethana të cktuar gjatë gjithë kohës së tranzicionit politik i ka munduar shqiptarëve dhe çështjes shqiptare, prandaj edhe jemi këtu ku jemi… 

Shkëputur nga romani në dorshkrim:“Diplomacia e shterruar“(3)

 Qeveritë dhe analistët në Kosovë janë pamje e mjerueshme!

(Ulurimat e analistëve dhe politika e fshehur e tyre, ende po tingëllon e shëmtuar)

Pyetje: Në çfarë niveli është qeverisja e tanishme në Kosovë?
Autori: Neglizhente. Qeveria dhe koalicioni i partive që „e mbështesin“ njëra-tjetrën, pas zgjedhjeve, ngjajnë si një trup i lodhur dhe i shkatërruar! Do të thoja një mjerim i paparë që me sa po duket qeverisja e tillë është braktisur nga logjika dhe ndjeshmëria politike. Qëllimi i tyre është të menaxhojnë një shoqëri, që po përpiqet të rritet dhe të zhvillohet, por në vend të një udhëheqjeje të fortë dhe vizionare, ne po shohim një mbivendosje të problemeve të vjetra, të papërballuara dhe të pasqaruara.
Media: Po si ndikon kjo situatë politike paszgjedhore në shoqërinë shqiptare në Kosovë?
Autori: Kjo është një gjendje kolapsi, edhe në shfaqje të jashtme, është një ngërç i thellë, një shprehje e paformuluar dhe një punë e mësur do të thoja e përsëritur, por e papërfunduar e asaj që mund të quhet udhëheqje. Në vend që të ndërtojnë besim dhe të krijojnë kushte për përparim, ata pra të politikës, po krijojnë kaos dhe humbje shprese. Ky kaos i pasqyruar në media të ndryshme, në TV-të e shumta, nga analistët politikë është gjithashtu një konfirmim se e gjithë gjendja po sjellë një reflektim të shtetit të brishtë dhe të dëmtuar, që po përpiqet të mbajë ekuilibrin, por çdo hap i tij është një hap më i thelluar drejt humbjes së kohës dhe objektivave në të cilat thirret politika dhe poletikanët, por që në praktikë nuk veprojnë ashtu.
Media: Cili është roli i analistëve politikë në këtë realitet?
Autori: Analistët tanë politikë, që shpesh mblidhen për të komentuar dhe kritikuar situatën politike, ngjajnë më shumë se sa një pasqyrë e brishtë e një realiteti, që as ata vetë nuk e kuptojnë. Duket sikur, në vend të analizave të thella dhe me fakte të forta, ata përdorin thashetheme, fjalë të paqarta, dhe lajme të pabazuara për të formuar “analiza” që më shumë i ngjajnë një diskutimi të thjeshtë ndërmjet tyre si ato:  “gratë e fashatit” sesa një diskutimi të thellë dhe të mirëfilltë politik. A është kjo analizë? A është kjo një përpjekje për të nxjerrë në pah të vërtetat e fshehura, apo është thjesht një shfaqje e mjerimit të ulët të cilësisë mediatike, e cila po dominon skenën publike për disa dekada?
Media: Pse kjo çështje është një problem kaq i madh?
Autori: Sepse analizat politike pa baza, të cilla shpesh janë të mbushura me gjuhë të pasigurt dhe spekulative, nuk na kontribojnë në zhvillimin e demokracisë. Ajo pra „zhurma mediatike“ po krijon konfuzion, frikë dhe pasiguri te qytetarët, që ndihen të paqartë dhe të papërgatitur për të reaguar ndaj mundësive të reja. E kundërta e një analize të mirëfilltë është një thashethemë që shërben vetëm për të thelluar pasigurinë dhe për të mbajtur shoqërinë në një gjendje pasive.
Media: A mund të ndryshojë ky realitet?
Autori: Po, ndoshta, edhe mund të ndryshon nëse bëhen përpjekje për të ndryshuar!… Por ndryshimi kërkon një angazhim të sinqertë nga të gjithë aktorët: nga qeveria, e cila duhet të ndërmarrë hapa të fuqishëm dhe të matshëm për të përmirësuar performancën e saj; dhe nga analistët, të cilët duhet të kthehen te shërbimi i vërtetë ndaj publikut, duke ofruar analiza të bazuara në fakte dhe duke shmangur spekulimet dhe thashethemet që vetëm sa i ndihmojnë ata që duan të mbajnë kaosin dhe mjerimin. Kjo mund të ndodhë vetëm kur gjithsecili fillon të mendojë për interesin e përgjithshëm dhe të largohet nga interesat e ngushta personale ose partiake.
Media: A janë këto sjellje të dëmshme për shoqërinë shqiptare në Kosovë dhe kudo tjetër?
Autori: Po, këto sjellje janë jashtëzakonisht të dëmshme për çdo shoqëri që aspiron të rritet dhe të forcohet. Ata që merren me fjalë të kota dhe të pamenduara, që shpërndajnë lajme të paqarta dhe që përdorin diskurse të ulëta, po e dëmtojnë besimin te politika dhe po pengojnë zhvillimin e një shoqërie më të fortë dhe më të informuar. Demokracia është një proces i ndërtuar mbi respektin për faktet, mendimin kritik dhe përgjegjësinë. Kur këto aspekte shpërfillen, atëherë zhvillimi dhe përparimi janë vetëm një iluzion. Në përfundim, kjo është një thirrje për një angazhim më të thellë dhe më të sinqertë, për një qeverisje dhe analizë që reflekton realitetin dhe jo shfaqje të mjeruara të thashethemeve dhe dëshpërimit. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një shoqëri më të shëndetshme dhe një demokraci më të qëndrueshme.

Media: Si mund të kuptojmë sjelljen e analistëve në studio?
Autori: Kulmi i “analizës” politike në një studio arrin kur analistët, që shpesh e konsiderojnë veten si burim i të vërtetave të thella, e ngrejnë tonin sikur janë para një dënimi me vdekje. Kjo është një shfaqje teatrale, një dramë e shpikur që ngjan më shumë me një komedi tragjike, ku ata nuk e respektojnë detyrën e tyre për të informuar, por për të tërhequr vëmendje dhe për të krijuar një atmosferë tensioni dhe paniku. Ata po ngjajnë sikur të ishin aktorë të teatrit, ata luajnë role të stërholluara dhe me një ton histerik, duke u munduar të shesin një spektakël, por jo më të vërtetën, sepse i gjithë komunikimi po quhet si shumë skandalozë. Këtë vlerësim më nuk e fsheh as publiku, por nuk ka mekanizëm ligjor, të ndryshojë ndonjë etikë të punës së këtyre mediave, të cilat shumica janë private. Ky treg mediatik në gjuhën shqipe ka bastarduar dhe ka shkelur të gjitha normat etike dhe njerëzore gjëja në emër të „mendimit të lirë“ etj.
Media: Por, e gjithë kjo sjellje si po ndikon në publik?
Autori: Edhe publiku është i ndarë? Dramën që ata krijojnë, publiku e shikon, e shijon dhe e gjykon… Ndërkaq, punën e analistëve po e paguajnë ata që qëndrojnë pas tyre. Pagimi i tyre si rregull varet nga audienca që tërheqin, por jo gjithmonë respektohet ky rregull. Kështu, nganjëherë ata arrijnë të bëjnë më shumë përpjekje për të ndezur pasionin dhe frikën se sa për të dhënë një analizë të vërtetë dhe të pjekur. Nëse ata do të kishin reflektuar një kulturë dhe dashuri për vendin, me një ton më të qetë dhe të përgjegjshëm, kjo do të ishte një sjellje e mirë. Por kjo, si duket, është një praktikë që nuk funksionon më në një shoqëri si kjo e jona. Kjo logjikë pune kërkon  shumë më shumë dashuri për vendin, por edhe profesionalizëm se sa drama e përsëritur me të vetmin qëllim, për përfitime personale, e të gjithë analistëve të tillë.

Media: Si mund të shpjegojmë pazaret politike dhe sjelljen e partive?
Autori: Pazaret politike në Kosovë ngjajnë gjithashtu me një tregti të vjetër, si ato që ndodhin në pazarin e vezëve të fshatit. Ato janë marrëveshje të lëkundura, ku çdo parti duket të ndjekë interesin e saj të ngushtë pa ndonjë vizion të qartë për zhvillimin afatgjatë të vendit. Politika ka kaluar nga një proces serioz i krijimit të zgjidhjeve dhe strukturave të qëndrueshme në një tregti të thjeshtë, ku çdo veprim duket si një ndarje e pjesëve të pazgjidhura, ku të gjitha palët përfshihen vetëm për të fituar sa më shumë, pa marrë parasysh pasojat për shoqërinë. Ky është një mjerim pasi që e pamundëson stabilitetin e vërtetë.

Media: Cila është arsyeja që liderët e opozitës nuk përfshihen në marrëveshje dhe akuzojnë liderët në pushtet?
Autori: Liderët e opozitës, që refuzojnë të përfshihen në marrëveshjet e qeverisjes, përballen me një kufizim të dukshëm: ata nuk e përballojnë dot realitetin që u ka përcaktuar elektorati. Ata kanë arritur një pikë ku, për të ruajtur çdo privilegj ekonomike të fituara nga pushtetet e kaluara, tani edhe nga pozitat e tyre të opozitarizmit, akuzojnë liderët që janë në pushtet, duke i paraqitur ata si të dështuar që i shërbejnë interesave të Beogradit. Ky mentalitet është një tjetër fatkeqësi për shoqërinë tonë. Kjo propagandë mbështetet jo në fakte, por në formulim të paformuar, por të stërholluar, që vetëm sa po thellon ndasitë, por në të njëjtën kohë po krijon edhe më shumë pasiguri se sa mundësi dhe besueshmëri për zgjidhje të qëndrueshme, të problemeve jetike dhe të përditshme që kanë qytetarët. Të gjitha këto janë akuza pa fakte dhe një strategji që vetëm të tillëve ju shërben për të mbajtur të bllokuar proceset politike në vend.

Media: Si ndikon ky mentalitet në shoqërinë shqiptare?
Autori: Ky mentalitet është një grackë që pengon progresin e shoqërisë tonë. Shumë liderë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, janë mbyllur në një cikël të pafund akuzash dhe përçarjesh, pa u përpjekur të krijojnë një dialog të ndershëm dhe të hapur për të gjetur rrugë të përbashkëta. Ky është një mentalitet i mbyllur, ku përfitimi i ngushtë i individëve dhe partive politike është më i rëndësishëm se sa stabiliteti dhe mirëqenia e vendit. Dhe kështu, shoqëria mbetet në një spirale të pafund, dhe me pa mundësi të vërteta për të përparuar.

Media: A ka mundësi për ndryshim?
Autori: Ndryshimi është i mundur, por ai kërkon një përkushtim të thellë nga të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë. Liderët, pavarësisht se cilët janë, kërkojmë të dalin nga kjo logjikë e ngushtë, që deri tani po rrinë të mbyllur. Ata, së pari në mes veti, duhet të përpiqen të krijojnë një mundësi për dialog dhe bashkëpunim të vërtetë. Prandaj, të gjithë duhet të kuptojnë se interesat e ngushta dhe politikat që mbështeten në thashetheme dhe përçarje nuk i shërbejnë asnjëherë qëllimit të madh, të cilët ata vetë janë thirrur gjatë fushatës elektorale, pro përparimit dhe zhvillimit ekonomik dhe të qëndrueshëm të vendit dhe të gjithë shoqërisë sonë. Ndërkaq, ne qytetarët duam të kemi një shoqëri më të fortë, më të bashkuar, por edhe më të zhvilluar ekonimikisht. Ne kemi shumë nevojë për një qeverisje stabile, e cila të kishte një kuptim të mirëfilltë, se sa marrveshjet politike të prodhojnë një qeverisje me thashetheme…

Sheradin Berisha: Sak Muji, letra juaj drejtuar Nait Hasanit më ka lënë pa frymë, sepse ke prekur indin e lënduar të çdo atedhtari

1

Sheradin Berisha

  • Sak Muji, letra juaj drejtuar Nait Hasanit më ka lënë pa frymë, sepse ke prekur indin e lënduar të çdo atedhtari.

Të përgëzoj për durimin dhe guximin tuaj për ta thënë të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo! Në vijim i bashkohem shqetësimit tuaj me këtë reagim që e kam bërë para pesë viteve, e që nuk e ka zbehur fare aktualiteti!

SHTETI I LIDERIT! “Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin: ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’.

Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, – kështu ka deklaruar më 15 tetor ish – kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Blerim Rexha gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar, lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, në vitin 2013 kur Hashim Thaçi ishte kryeministër!

Personalisht vazhdimisht kam shkruar lidhur me kapjen e institucioneve të shtetit nga lidershipi i partive politike që u ricikluan për 20 vjet rresht në pushtet! Në vijim ua rikujtojë harrestarëve, një analizë të dhjetorit 2019!

1. Në Kosovë për 20 vjet rresht pas luftës, autoriteti suprem i partive politike ishte dhe mbetet Lideri!

Janë pikërisht ata ‘liderë’ të cilët me përfundimin e luftës grabitën qindra milonë marka gjermane, franka zvicerane e dollarë amerikanë nga fondi i 3%’it dhe fondi “Vendlindja Thërret”. Janë ata të njejtit që i shtuan pasuritë e tyre në saje të kontrabandës me derivate të naftës, me pompa të benzinës, me narkotikë, me cigare, pastaj me lojrat e fatit, me bixhozin etj.

2. Në këtë mënyrë u krijuan dhe u zhvilluan partitë lideriste me anëtarësi klienteliste! Këto parti (LDK, PDK, AAK, NISMA, AKR, Lista Ibrahim Rugova, Lista Serbe, etj), ushtrimin e pushteteve (legjislativin dhe ekzekutivin) e ndërtuan mbi bazën e legjislacionit që buron nga Kushtetuta e Ahtisarit.

Dhe duke i patur nën kontrollë të gjitha bordet, agjencitë publike, administratën shtetërore etj., raportet liderë – klientelë u ndërtuan në mënyrë piramidale, si kompani biznesi për punësim e abuzim me paranë publike!

3. Kjo klasë lideriste gjatë ushtrimit të pushtetit (në bashkëqeverisje) në kuadër të sistemit kanë ndërtuar struktura mbrojtëse!

– Kanë ndërtuar:

A. Struktura brenda bordeve dhe agjensive publike të tenderimit për PASURIM;

B. Struktura brenda AKI-s për mos HETIM;

C. Struktura brenda policisë për SIGURIM;

D. Struktura brenda prokurorisë për mos AKUZIM;

E. Struktura brenda gjyqësisë për mos DENIM! Dhe në këtë mënyrë përmes pushtetit ata Kosovën e shndërruan në shtet të liderit!

4. Prandaj për ta ndalur këtë abuzim të tmerrshëm, Kosovën “sui generis” të Ahtisarit duhet ta bëjmë shtet normal të Adem Jasharit!

Dhe pa humbur kohë Qeveria e Re duhet ta bëjë:

A. ndryshimin e kushtetutës së Ahtisarit;

B. reformë substanciale në ligjin për zgjedhjet;

C. reformë në administratë dhe agjensitë publike; D. reformë në gjyqësi; E. reformë në prokurori;

F. reformë në polici;

G. reformë në AKI;

H. Lustracioni.

5. Nëse me këto reforma nuk e bëjmë Kosovën shtet normal, nuk do të kemi asnjë institucion funksional!

Përkundrazi, do të jenë pushtete lideriste – abuzive, nepotiste, korruptive dhe kriminale, siç i kemi pasur për 20 vjet rresht!

____

SHERADIN BERISHA: KOSOVA – SHTETI I LIDERIT! – Pashtriku

“Rezonanca magnetike…”, një libër i munguar për fashizmin rusomadh ndaj pushtimit të Ukrainës

0

Nga: Eshref Ymeri

Hyrje

Ky libër është një përmbledhje citatesh, aforizmash dhe mbresash të personaliteteve të ndryshme, – ruse dhe të huaja, – në të cilat, si në “rezonancat magnetike”, hidhet dritë mbi Rusinë dhe mbi formimin psikologjik të popullit rus. Si nxitje për përgatitjen e tij, shërbeu sulmi agresiv i Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022. Ai sulm, i tipit fashist, ishte i papritur për mbarë botën. Në njoftimin me titull “Sa njerëz u vranë në Buça gjatë okupimit rus”, të botuar bë faqen e internetit “Ulus Media” të datës 02 prill 2025, thuhet:

“Pas atij sulmi, një ditë më vonë dhe në vijim, deri më 31 mars, në qytetin Buça të qarkut të Kievit, ushtria fashiste ruse vrau 461 njerëz të pafajshëm, midis tyre burra, gra, pleq, plaka dhe fëmijë dhe, në gjithë rajonin, numri arriti në 1137 të vrarë, të cilët egërsirat ruse i groposën nëpër varre masive”.

Në këtë mënyrë, Buça u shndërrua në simbol të shtazërisë së ushtrisë ruse. Por në Sheshin e Kuq të Moskës, më 30 shtator 2022, u organizua një miting-koncert i madh, me pjesëmarrjen e 180 mijë mitingashëve, për të festuar pushtimin e disa territoreve të Ukrainës. Kushdo që e shikon të vërtetën në sy, kur ka ndjekur në internet atë miting-koncert të turpshëm, i ka shtruar vetes pyetjen:

Si ishte e mundur që ai popull, domosdo i sëmurë nga trutë, të  grumbullohej atje, në prani të kryebanditit Putin, për t’u ngazëllyer për krimet e përbindshme të ushtrisë së tij fashiste në Ukrainë, pa e çarë kaptinën fare edhe për dhjetra mijë ushtarakët e tij, të vrarë si milingonat në frontin e luftës? (Sipas lajmeve të mbrëmjes, të transmetuara në kanalin televiziv ukrainas “FreeDom” të datës 09 prill 2025, ushtria ruse, në frontin e luftimeve, ka pësuar një  humbje prej 927 581 ushtarë dhe oficerë të vrarë). Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep profesori ukrainas Jarosllav Dashkjeviç, i cituar në këtë libër.

Pas kryerjes së atyre masakrave barbare, në portalin qeveritar të Federatës Ruse qe botuar një dokument me të vërtetë skandaloz. Në atë dokument theksohej se brigadën e trupave, që kryen atë masakër, presidenti Putin e dekoroi “për heroizmin dhe trimërinë masive, qëndresën dhe burrërinë që tregoi personeli i brigadës në aksionet luftarake për mbrojtjen e atdheut dhe të interesave shtetërore në kushtet e konflikteve të armatosura” (Сitohet sipas: “Diktatori rus Vladimir Putin, brigadës 64, e cila, në muajin mars, pati okupuar Buçën në qarkun e Kievit, i akordoi titullin e nderit ”Brigadë gardiane”. Faqja e internetit ”New Voice”. 18 prill 2022).

Kur njihesh me një informacion të tillë të turpshëm, vetvetiu lind pyetja:

“Për mbrojtjen e cilit atdhe e ka fjalën  kryekrimineli Putin, kur dihet që ishte Rusia fashiste ajo që sulmoi një territor të huaj, nuk ishte Ukraina?

Ai sulm fashist kundër një vendi fqinj dhe ato masakra aq të egra, të kujtojnë të kaluarën kriminale të Rusisë.

Në faqen e enciklopedisë së lirë (Wikipedia) në gjuhën ruse, theksohet se më shumë se 200 vjet më parë, dhe pikërisht në vitin 1812, është folur dhe shkruar për botimin në frëngjisht të Testamentit të Pjetrit të Parë (Le Testament de Pierre le Grand). Sipas botuesve, Testamenti përfaqësonte në vetvete një plan strategjik veprimesh për trashëgimtarët e Pjetrit të Parë gjatë shekujve pasardhës, me qëllim vënien e mbarë botës nën sundimin e Rusisë.

Historiografia ruse e ka pasë vlerësuar atë Testament si një material të fabrikuar. Por rrjedha e ngjarjeve ka vërtetuar se sundimtarët e mëvonshëm të Rusisë kanë pasur si synim pikërisht zbatimin e Testamentit “të fabrikuar” të Pjetrit të Parë. Kjo dëshmohet fare qartë me porositë që patën lënë pas ata sundimtarë për brezat pasardhës të Rusisë, porosi ato, të cituara në këtë libër.

Në një material, të botuar më shumë se dhjetë vjet më parë, flitet për Deklaratën e dhjetorit të vitit 1922, që patën nënshkruar bolshevikët për krijimin e Bashkimit Sovjetik. Deklarata për formimin e tij hapej me këto fjalë:

“Bashkimi Sovjetik hedh hapin e parë për krijimin e aleancës mbarëbotërore të republikave sovjetike. Bolshevikët leninistë planifikonin që shpatën të mos e futnin në këllëf, përderisa mbarë bota nuk do të hyjë në përbërje të Bashkimit Sovjetik. (Citohet sipas: Viktor Menzhejev: “Le të vijë në pushtet fashizmi gjerman. Ja se si Lenini dhe Stalini përgatitën Luftën e dytë botërore”. Faqja e internetit “Novaja Gazeta”. 20 dhjetor 2011).

Në vitin 1932, Stalini pati thënë:

“Fashizmi gjerman le të vijë në pushtet, le ta komprometojë veten, kurse mandej ta shpartallojmë fashizmin, ta përmbysim kapitalizmin” (po aty).

Në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 23 gusht 1939), Stalini pati deklaruar:

“Le të fillojë Lufta e dytë botërore, pjesëmarrësit e saj le ta shqyejnë njëri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Europa do të bjerë në këmbët e tij” (Citohet sipas: “Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Faqja e internetit “sokrytoe.net”. 23 korrik 2009).

Por edhe më vonë, siç del në dokumentet e këtij libri, Stalini, në vitin 1951, pati hartuar planin për pushtimin e Europës me një sulm që do të fillonte në korrik të vitit 1954.

Madje, sipas Stalinit, “pas fitores së  sistemit komunist në mbarë botën”, gjuhë kryesore në rruzullin tokësor, gjuhë e komunikimit ndërkombëtar, do të bëhej gjuha ruse!!!

Kur ndoqëm në internet ato skena krimesh të tmerrshme në Ukrainë, të befasuar dhe të tronditur thellë në qenien tonë, instinktivisht u kthyem shumë vite pas, duke bërë një shtegtim të gjatë drejt kohëve të rinisë studentore, kur për rusët patëm krijuar përshtypjet më të mira.

Më 27 gusht të vitit 1959, u nisëm për studime universitare në Bashkimin Sovjetik, në Sankt-Peterburg (asokohe Leningrad), të cilat, pasi Hrushovi i preu marrëdhëniet diplomatike me vendin tonë, ashtu si edhe të gjithë studentët e tjerë, i ndërpremë në fund të vitit akademik 1960-1961 dhe më 22 qershor u kthyem në atdhe. Gjatë atyre dy vjetëve të studimeve mes studentëve rusë, patëm zënë shoqëri me shumë prej tyre, disa na patën ftuar edhe në shtëpi, ku qemë njohur me prindërit dhe pjesëtarët e familjeve të tyre mjaft mikpritëse.

Kujtojmë me shumë respekt zëvendësdekanin e fakultetit Matvej Sovatejev, që mbulonte punën me studentët e huaj, të cilët vinin nga vendet socialiste të Evropës Lindore, deri në Kinë, Kore, Mongoli dhe Vjetnam.

Me një respekt të veçantë kujtojmë profesoreshën e gjuhës ruse, Tatjana Sobolevën, bijë akademiku, e cila ishte aq e dashur dhe aq zemërbardhë.

Kujtojmë shokun aq të dashur të kursit, Nikollaj Nikitenko, me të cilin banonim në një dhomë në qytezën e studentëve. Ishte 32 vjeç, më i moshuari në kursin tonë. Pas shkollës së mesme, kishte kryer shërbimin  ushtarak 3 vjet në Gjermaninë Lindore dhe mandej kishte punuar disa vjet. Asokohe, në Bashkimin Sovjetik, me ligj, djemtë, pas përfundimit të shkollës së mesme, duhej të kryenin patjetër shërbimin ushtarak dhe mandej mund të vazhdonin studimet universitare. Pas përfundimit të kursit të parë, meqenëse në të gjitha provimet morëm vlerësimin shkëlqyeshëm, universiteti na shpërbleu me një fletë turistike njëmujore për pushime në bregun e Detit të Zi. Udhëtuam me tren në itinerarin Leningrad-Moskë-Voronezh-Rostov-Vladikaukaz (asokohe Orxhenikixe), kryeqytet i Osetisë së Veriut, që shtrihet në këmbët e pjesës veriore të maleve të Kaukazit. Pra, udhëtuam 38 orë, duke përshkuar një largësi prej 2470, 04 km. Aty duhej të bëhej takimi i grupit të turistëve, të ardhur nga zona të ndryshme të Bashkimit Sovjetik. Pas dy ditësh qëndrimi në Orxhenikixe, grupi i turistëve u nis me autobus në rrugën që merrte përpjetë, drejt Grykës së Darjalit, për të dalë në Qafën e Kryqit, 2379 m mbi nivelin e deti, prej nga fillonte zbritja për në Gjeorgji, në faqen jugore të maleve kaukaziane. Itinerari vazhdoi drejt qytetit Gori, vendlindja e Stalinit, dhe kryeqytetit Tbilisi. Këtu qëndruam dy ditë për të vizituar kuriozitete të ndryshme. Mandej vijuam udhëtimin për në qytetin e Batumit, që ndodhet në bregun lindor të Detit të Zi, dhe që aty  morëm drejtimin për në qytetin Suhumi. Prej këtu arritëm në pikën e fundit të udhëtimit tonë, në qytetin turistik  Novëj Afon, në bregun verilindor të Detit të Zi. Aty u thekëm mirë në diell deri në mbarim të muajit gusht.

Në grupin turistik të gjithë ishin rusë. Gjatë gjithë kohës që bisedonim me ta, na patën lënë përshtypje shumë të mira për çiltërsinë dhe thjeshtësinë e mënyrës së komunikimit. Aq më tepër që ishin shumë të interesuar të mësonin diçka për Shqipërinë, për gjuhën shqipe, për traditat dhe zakonet e popullit tonë, për muzikën shqiptare. Mbresat nga ai udhëtim, në shoqërinë njëmujore të turistëve rusë, dhe përgjithësisht për popullin rus gjatë atyre studimeve universitare dyvjeçare, janë ruajtur gjatë në kujtimet tona, sepse patëm vënë re që rusët, përveç që ishin  dashamirës, mikpritës, të thjeshtë, ishin edhe shumë paqësorë.

Ne shqiptarët kemi një gjuhë amtare hyjnore, me 36 shkronja, me tingujt përkatës. Kjo është edhe arsyeja që gjuhët e huaja shqiptarët i mësojnë më shpejt dhe më me lehtësi, në krahasim me të huajt që studiojnë gjuhën shqipe, aq më tepër që fjalët shqiptohen po ashtu siç shkruhen.

Gjatë atyre dy vjetëve, pati qëlluar nganjëherë kur shokët e kursit na pyesnin se si përkthehen në gjuhën shqipe fjalë të ndryshme të rusishtes. Kur rastiste që fjalët e shqipes kishin shkronjat dh, gj, q, th, xh, y dhe ne i shqiptonim me ngadalë, që ata t’i përsëritnin pas nesh, ata e kishin pothuajse të pamundur t’i shqiptonin shkronjat e mësipërme, të cilat nuk figurojnë në alfabetin e rusishtes.

Asokohe u miqësuam edhe më nga afër me shokët e kursit, të cilët e kishin  zakon që, me rastin e ditëlindjeve, të organizonin festa me të ngrëna e të pira dhe me vallëzime, si edhe me ekskursione për t’u njohur me kuriozitetet e shumta të qytetit të Peterburgut, që shtrihet në të dyja anët e lumit Neva, me shumë ura. Në ato dy vjetë mësuam këngë popullore ruse, këngë të muzikës së lehtë, shijuam elegancën e baletit rus, tingujt e muzikës operistike, magjinë e vals-muzikës “Valët e Amurit” të kompozitorit Maks Kys (1874-1942), krijimtarinë artistike të poetëve,  shkrimtarëve të njohur klasikë dhe fantazinë që pasqyrohej në vepra të piktorëve të shquar të shek. XIX, si Brjullovi, Rjepini, Surikovi, Shishkini, Vaznjecovi etj, të ekspozuara në Ermitazh – një muze i madh ky artistik dhe historiko-kulturor në qendër të Peterburgut.

Ndër këngët e muzikës së lehtë, mbresa të thella na pati lënë lirizmi i vargjeve të këngës me titull “Mbrëmjet rrethinave të Moskës” (Podmoskóvnëje vjeçerá), me tekst të poetit Mihail Matusovski (1915-1990), të kompozuar nga Vasil Sollovjov-Sedoj (1907-1979) dhe të ekzekutuar nga shumë mjeshtra-këngëtarë, mes të cilëve na pati tërhequr më shumë zëri i magjishëm i Mark Bernеsit (1911-1969), me prejardhje hebraike, lindur në Ukrainë. Ja përkthimi i vargjeve të asaj kënge:

 

Në kopsht s’dëgjohet asnjë fëshfërimë,

Asgjë s’pipëtin deri në të gdhirë.

Sikur ju ta dinit këtë mallin tim

Për mbrëmjet jashtë Moskës që më ka përfshirë.

 

Lumi rrjedh e rrjedh, dhe sikur ndalon,

Gjithçka rreth e rrotull zhytur në argjend.

Një këngë po ushton, edhe s’po ushton

Gjatë mbrëmjeve heshtake kudo anë e kënd.

 

Pse, moj ti e dashur, më sheh krejt ujem,

Me kokën të varur, të përkulur shqim?

Nuk e kam të lehtë ta them, mos ta them,

Gjithçka kam në zemër, një si përvëlim.

 

Dita, ja, po vjen, zbardhet, si çdo herë,

Ndaj dhe po të lutem, të kesh mirësinë,

Të mos i harrosh këto mbrëmjet në verë

Që po zgjojnë Moskën atje në rrethinë.

Më vonë, pasi përfunduam studimet për gjuhë dhe letërsi ruse në Universitetin e Tiranës në vitin 1966, gjatë punës si pedagog në Fakultetin e gjuhëve të huaja, patëm lexuar mjaft studime nga fusha e historisë, ku pasqyrohej edhe qëndrimi tradicional i politikës ruse, thellësisht armiqësore ndaj kombit tonë. Pikërisht Rusia cariste ishte ajo, e cila, në Kongresin e Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën e Londrës të vitit 1913, pati luajtur rolin vendimtar në pazaret e pista të politikës europiane për copëtimin e trojeve tona etnike. Madje në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, përfaqësuesi rus pati ngulur këmbë për fshirjen krejtësisht nga harta e Europës edhe të kësaj ngastre Shqipërie që kishte mbetur pa u copëtuar nga ujqit europianë. Ndërkohë, Stalini, në takimin me delegacionin jugosllav në Kremlin më 10 shkurt 1948, kryetarit të atij delegacioni, Milovan Gjilasit, i pati shtruar kërkesën që Jugosllavia ta gëlltiste Shqipërinë. Madje atë kërkesë ia pati përsëritur dy herë.

Me kalimin e viteve, në shpirtin tonë erdhi e u kristalizua një ndjenjë urrejtjeje për politikën ruse ndaj kombit tonë, e cila u thellua edhe më shumë pas vitit 1991, me qëndrimin aq armiqësor që ajo ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë ndaj popullit shqiptar të Dardanisë, duke mbrojtur me pasion regjimin kriminal të Millosheviçit dhe trashëgiminë e tij. Prandaj gjatë 20 vjetëve të fundit kemi pasë botuar në shtyp dhe në internet mjaft analiza, në të cilat kemi demaskuar me fakte politikën armiqësore ruse ndaj kombit shqiptar. Ato analiza i patëm grumbulluar dhe i  botuam si libër më vete, me titullin “Shqiptarët përballë politikës rusomadhe”, me 478 faqe, enti botues “Klubi i poezisë”, Tiranë 2022. Parathënien e atij libri e ka shkruar historiani i talentuar, Akademik Prof.dr. Beqir Meta.

Siç dihet, me fillimin e epokës së internetit, informacioni erdhi e u bë mjaft i bollshëm në të gjitha sferat e jetës së njerëzimit. Pas sulmit të Gjermanisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941, popullit sovjetik iu desh të përballonte situata mjaft të rënda. Por ushtria sovjetike i dha dërrmën nazizmit gjerman, paçka se në atë luftë patën rënë robër të ushtrisë gjermane 5,3 milionë ushtarë sovjetikë. Ndërkohë, deri para fillimit të epokës së internetit, Moska e kishte mbajtur të fshehtë gjithçka që kishte ndodhur pas hyrjes së ushtrisë sovjetike në territorin e Gjermanisë në fillim të vitit 1945. Përmes internetit u mor vesh se ajo ushtri, luftën e saj heroike kundër trupave naziste, e paskej “kurorëzuar” me vepra thellësisht kriminale, duke përdhunuar dy milionë femra gjermane. Pra, ajo ushtri e paskej damkosur veten përfundimisht me vulën e turpit. Por këtë traditë të turpshme, ushtria fashiste ruse po e vazhdon prej më shumë se tre vjetësh në Ukrainë, pas sulmit që ndërmori kundër saj më 24 shkurt 2022. Ja çfarë thuhet në një informacion në internet:

“Historia e viktimave përsëritet; ushtarët rusë mbulojnë fytyrat dhe kryejnë përdhunime në grup, duke i detyruar familjet të shikojnë se si poshtërohen njerëzit e afërt. Portali “Yle” është marrë me hetimin e përdhunimeve në qarkun e Kievit. Përmbajtja e kësaj historie mund t’i shokojë lexuesit.

Në muajin prill, psikologia Aleksandra Kuitko dëgjoi një zile telefoni. Ajo që telefononte ishte një vajzë 12-vjeçare, e cila i rrëfeu se para pak kohësh kishte dalë në oborr për të mbledhur lule për të kënaqur mamanë e vet. Kur kishte dalë, ajo nuk kishte marrë lejen e mamasë, e cila ia kishte ndaluar të dilte nga shtëpia, sepse okupatorët rusë ndodheshin në qytet. Pak më pas, e ëma e kishte gjetur të bijën në oborr, të shtrirë pa ndjenja. Pas asaj që ndodhi, ajo mendoi të vriste veten.

Psikologia Kuitko vëren pasojat më të tmerrshme të luftës në Ukrainë. Ajo u përgjigjet telefonatave të mirëbesimit, një linjë telefonike kjo, e krijuar posaçërisht në ndihmë të viktimave të përdhunimit nga ushtarët rusë. Kësaj psikologieje i telefonojnë para se të njoftojnë autoritetet e Ukrainës. Shumë viktima dëshirojnë të bisedojnë fillimisht me psikologen, para se të vënë në dijeni policinë. Kjo psikologe dhe kolegët e saj janë burim informacioni për qeverinë ukrainase për ato që kanë ndodhur. Telefonatat vijnë përherë nga njerëz të të gjitha moshave. Për pëdhunime njoftojnë gra, vajza, fëmijë, burra dhe njerëz të moshuar. Ndihma jepet me telefon, meqenëse njerzit e përdhunuar janë të shpërndarë në gjithë territorin e Ukrainës dhe Europës. Edhe vetë psikologia, sapo filloi lufta, qe larguar nga Kievi me fëmijët e vet për në Ukrainën Perëndimore… Rrëfimet e viktimave vërtetojnë se përdhunimet kryheshin sipas një skeme të caktuar, sipas së cilës bëhet fjalë jo për akte të veçuara të ushtarëve rusë, por për përdhunime sistematike. Psikologia Kuitko tregon për një telefonatë nga nëna e një vogëlushi 11-vjeçar. Ushtarët rusë e paskeshin lidhur nënën pas një karrigeje dhe mandej i kishin përdhunuar të birin në sytë e saj. Psikologia, po ashtu, ka rrëfyer për motrat e veta, më e vogla nga të cilat qe përdhunuar para syve të motrës më të madhe. – Motra e madhe, – rrëfen ajo, – qe ulur në gjunjë dhe u qe lutur ushtarëve të merrni atë në vend të motrës së vogël. Ushtarët e ngritën më këmbë dhe i thanë: Jo, ti do të shikosh, – tregon psikologia. Në asnjërin nga rastet, – siç ka njoftuar psikologia, – ushtari përdhunues nuk rrinte vetëm me viktimën. Viktimat nuk i largonin mënjanë. Ato i përdhunonin para syve të familjes, të të njohurve, të fqinjve. Ata kishin nevojë për publik. Përdhunimi publik shërben si instrument efektiv për zhvillimin e luftës. Ai traumatizon jo vetëm viktimën, por edhe mbarë shoqërinë. Pothuajse në të gjitha njoftimet që i vinin psikologes, ushtarët mbulonin fytyrat e veta gjatë përdhunimit. Nga ana psikologjike, – shprehet psikologia, – kjo është një gjë e tmerrshme. Kur femrat-viktima e kanë të pamundur ta përcaktojnë se kush janë kriminelët, atëherë të gjithë meshkujt ato i konsiderojnë armiq dhe përdhunues” (Citohet sipas: “Ushtarët rusë në Ukrainë i përdhunojnë femrat para syve të turmës – një dëshmitare që po ndihmon qindra të përdhunuara, i rrëfen portalit “Yle” për çka ka ndodhur. Faqja e internetit “Yle”. 04 maj 2022).

Rusia putiniste, si pasardhëse e Bashkimit Sovjetik, ka përvetësuar të gjithë trashëgiminë kriminale të këtij të fundit, si në tërësi, ashtu edhe në veçanti. Duke synuar rikrijimin e perandorisë sovjetike, Putini përgatiti me kohë sulmin për pushtimin e Ukrainës fillimisht, si ish-republika më e madhe e Bashkimit Sovjetik, për të vazhduar mandej me ish-republikat e tjera, të shkëputura prej tij në vitin 1991. Sulmin pikërisht kundër Ukrainës e ndërmori, sepse, që pas rrëzimit nga pushteti të Presidentit ukrainas Janukoviç më 22 shkurt 2014, si rezultat i protestave të fuqishme në sheshin Maidan të Kievit, ai ishte duke përjetuar një gjendje ankthi, i frikësuar tmerrësisht nga ndikimi në Rusi i atyre protestave, se mos pësonte të njëjtin fat. Me atë rast, sipërmarrësi, veprimtari shoqëror dhe publicisti rus, Mihail Hodorkovski, pati theksuar:

“Revolucioni ukrainas kundër korrupsionit do t’u duket mjaft tërheqës edhe qytetarëve tanë” (Citohet sipas: “E vërteta dhe gënjeshtra për Maidanin”. Gazeta “The New Times”. 17 mars 2014).

Dhe, siç u theksua në fillim të kësaj Hyrjeje, ushtria ruse, pas sulmit të 24 shkurtit 2022, një ditë më vonë, kreu ato masakra të tmerrshme në qytetin Buça. Asokohe, çdokush, mund t’i ketë shtruar vetes pyetjen:

“Po populli rus ç’qëndrim po mban ndaj atyre krimeve barbare të bijve të tij kundër një vendi fqinj, të pavarur e sovran, kundër një populli të familjes sllaviane? Cili është reagimi i tij?”.

Në ato ditë, kur bishat fashiste ruse po vazhdonin masakrat në Buça, në Moskë qe organizuar një manifestim i turpshëm, në të cilin morën pjesë më shumë se 200 mijë qytetarë, me në krye Putinin. Në një informacion, të transmetuar në internet, thuhej:

       “Në përvjetorin e radhës të aneksimit të Krimesë, në Moskë, në stadiumin “Lluzhnjiki”, u zhvillua një miting i madh, me pjesëmarrjen e presidentit Vladimir Putin,.. kushtuar edhe fillimit të luftës kundër Ukrainës…” (Citohet sipas: Natalia Zotova. “Për paqen, për Rusinë, për presidentin: ja se si festimi i pranverës së Krimesë u bashkua me përkrahjen e luftës në Ukrainë”. Faqja e internetit “BBC News Russkaja Slluzhba”. 18 mars 2022).

Në një sondazh, të organizuar nga “Levada-Centr” rreth katër muaj më vonë dhe konkretisht më 02 qershor 2022, jepeshin të dhëna faktike për përkrahjen që gëzonte presidenti Putin në radhët e shumicës dërrmuese të popullit shovinist rus, për sulmin që kishte ndërmarrë kundër Ukrainës.

Shovinizmi rusomadh ka pushtuar deri në palcë edhe gratë ruse. Urrejtjen që i ka kapluar keq kundër Ukrainës, ato, si vejusha të ushtarëve të vrarë, e kanë dëshmuar më së miri edhe me një letër që i patën dërguar Putinit, me kërkesën  për të ndaluar në kufi arratisjen e meshkujve rusë, që nuk pranojnë të rekrutohen si mish për top në frontin  e luftës. Ja përmbajtja e asaj letre:

“Ne jemi vejushat e ushtarëve të Rusisë. Ne jemi ato që burrat e vet nuk i patëm fshehur pas fustaneve tona. Ne jemi ato që shprehim gatishmërinë tonë të plotë për Fitoren tonë të madhe. Rusia ka dhjetra milionë meshkuj të moshës paraushtarake, pra, ne kemi se te kush të mbështetemi dhe me kë ta presim armikun. Por ç’mund të bëjnë meshkujt tanë, duke ndenjur në shtëpi, pa një komandë të aftë, pa furnizim dhe pa veshmbathje? Mobilizimi është e vetmja mundësi që ne të shpëtojmë kokën. Ne i lutemi Presidentit tonë, Komandantit tonë të përgjithshëm, ta ndalojë daljen jashtë kufijve të Rusisë të meshkujve të moshës paraushtarake. Dhe ne e kemi një të drejtë të plotë morale për një gjë të tillë: burrat tanë u vranë, duke mbrojtur edhe këta meshkuj, por kush do të na mbrojë neve në qoftë se këta do të arratisen?” (Citohet sipas: “Vejushat e ushtarëve të Rusisë iu lutën Putinit të shpallë një mobilizim të përgjithshëm dhe të mbyllë kufijtë për të mos lejuar largimin e meshkujve nga Rusia”. Faqja e internetit “Newsland”. 03 janar 2023).

Në një informacion tjetër thuhet:

“Që nga çasti i ndërhyrjes në përmasa të gjera i Rusisë në Ukrainë, përkrahja për Vladimir Putinin qe rritur me 12%. Sot, tetë në dhjetë rusë, ose 83% e mbarë popullit, e mbështet veprimtarinë e diktatorit…” (Citohet sipas: “Gjithnjë e më shumë rusë janë në mbështetje të Putinit dhe mendojnë se Federata Ruse është në rrugë të drejtë”. Faqja e internetit “Zerkallo Njedeli”. 02 qershor 2022).

Të revoltuar nga ky qëndrim skandaloz i shumicës dërrmuese të popullit rus ndaj masakrave të ushtrisë së tij në Buça, disa ditë më vonë, më 07 mars 2022, patëm botuar në internet analizën me titull “Natyra shoviniste e popullit rus”. Që asokohe, i kemi ndjekur në youtube dhe vazhdojmë t’i ndjekim rregullisht ngjarjet në Ukrainë dhe jemi thellësisht të befasuar nga qëndrimi solidar me Putinin i shumicës dërrmuese të popullit rus për krimet që ushtria fashiste ruse ka kryer dhe vazhdon të kryejë kundër popullit ukrainas, por edhe nga heshtja e atij populli për vrasjen e qindra-mijëra ushtarëve rusë. Prandaj i patëm shtruar vetes pyetjen:

“Ky popull, që mbështet fuqimisht bandën e Kremlinit, me Putinin në krye, e cila pati lëshuar drejt Ukrainës një ushtri kriminale për zhdukjen e saj nga harta e Europës, është popull rus, apo është popull i importuar, i përbërë prej racash të kriminalizuara?”.

       Gjatë atyre dy viteve studentore në Bashkimin Sovjetik, siç duket, nuk paskemi mundur të hyjmë thellë në botën e brendshme, në formimin psikologjik të atij populli, nga gjiri i  të cilit dalkan kriminelë dhe xhelatë të kalibrit të lartë.

Me këtë rast, dëshirojmë të theksojmë se pavarësisht nga përshtypjet shumë të mira që patëm krijuar për rusët gjatë viteve studentore në Bashkimin Sovjetik, dy gjëra na patën lënë mbresa jo të mira:

Së pari, në komunikimin e përditshëm me njëri-tjetrin, ata përdornin shpeshherë dy shprehjet në vijim: “naçálstvo umnjėje nas” (shefat janë më të zgjar se ne) dhe “bog vëjsakó, car dalekó” (Zoti është lart, cari është larg).

Këto dy shprehje, me kuptim tejet vetëposhtërues, dëshmonin për psikologjinë prej skllavi të popullit rus, sipas të cilit, ai që është në krye, “është më i zgjuari nga të gjithë”, ai ka pushtet absolut mbi turmat atje poshtë, pushteti i tij është “hyjnor”, kurse cari dhe Zoti, po të ishin këtu pranë, punët do të shkonin fjollë.

Së dyti, nuk kishin respekt për vendet e vogla. Dikur patëm një debat me një shokun e kursit, – Vladimir Glladkovin. Ishte nga qarku i Kostromit, dy qarqe më tutje verilindjes së qarkut të Moskës. Kishte rënë fjala për Jugosllavinë, për të cilën ai kishte simpati, kurse ne u shprehëm me urrejtje për qëndrimin e saj shovinist ndaj kombit shqiptar. Vladimiri na dëgjoi sa na dëgjoi, mandej ndërhyri:

“Jugosllavia ka një popullsi prej 16 milionë banorë dhe ne dëshirojmë ta kthejmë në anën tonë, kurse ju dy milionë jeni a s’jeni!”.

Ne ia kthyem ashpër:

“Meqenëse Bashkimi Sovjetik ka një sipërfaqe shumë të madhe, ju, me sa duket, udhëhiqeni nga instinktet e një egërsire të madhe, nga instinktet e arinjve, prandaj do të bënit mirë të shkoni të bashkëjetoni me arinjtë, të cilët janë me bollëk në pyjet e qarkut të Kostromit”.

Mungesën e respektit të rusëve për vendet e vogla, e nxjerr më së miri në pah edhe personaliteti letonez Aleksejs Grigorjevc, mbresat e të cilit për rusët përfshihen në këtë libër. Ai shkruan:

“Mes të njohurve, miqve të mi rusë, madje mes njerëzve të farefisit të tyre, shovinistë të tillë arrijnë në 75%. Madje liberalët, që janë arratisur nga Rusia putiniane për në Letoni, pyetjes nëse kanë ndër mend t’i hyjnë studimit të gjuhës letoneze, ata i përgjigjen se nuk dëshirojnë të shpenzojnë kohë dhe energji për zotërimin e një gjuhe, në të cilën flasin gjithsej 1,5 milionë njerëz”.

Vetvetiu lind pyetja:

Ku e ka burimin kjo fodulli e rusëve, kjo sjellje prej krekacorësh të neveritshëm, ky qëndrim shovinist i shumicës dërrmuese të atij populli ndaj vendeve të tjera?

Nga faktet historike, rezulton se fajtorë kryesorë, që kanë ndikuar te rusët për ta ngritur hundën në qiell, kanë qenë vetë sundimtarët e tyre, të cilët citohen në këtë libër, duke filluar nga Pjetri i Parë deri te Putini, si edhe shkolla, shtypi i përditshëm, artet figurative, letërsia artistike dhe politike, kinematografia dhe televizioni. Prandaj shkrimtari i madh Leon Tolstoj, i cituar, gjithashtu, në këtë libër, ka thënë:

“Është e turpshme të kërkosh zmadhimin e madhështisë së atdheut tënd. Dhe po ashtu sikundër konsiderohet tani i turpshëm dhe qesharak lëvdimi i vetvetes, po ashtu do të konsiderohej budallallëk lëvdimi i popullit tënd, siç po ndodh tani një gjë e tillë në historitë, tablotë, përmendoret, tekstet mësimore, artikujt, poezitë, predikimet dhe në himnet popullore idioteske” (Citohet sipas : “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe rusët”. Faqja e internetit “Adskije novosti”. 19 shkurt 2015).

Kësisoj, rusët kanë krijuar bindjen e plotë se madhësia e territorit përbëka themelin e “madhështisë” së Rusisë. Të gjorët rusë, të lindur skllevër brez pas brezi, s’janë në gjendje ta kuptojnë se burim i madhështisë së një vendi është jo madhësia e territorit, por standardi i lartë i zhvillimit ekonomik, niveli i lartë i jetesës së popullit. Prandaj madhësia e territorit, me yshtjen shumëshekullore të sundimtarëve të tyre, ka bërë që hunda t’u rritet deri në lis, paçka se shumica dërrmuese e popullit “morrin” e varfërisë  e ka përherë në kurriz. Lexuesit e nderuar, për t’u njohur me “madhështinë” e jetesës së vërtetë të popullit rus përtej hapësirave të Moskës dhe të Peterburgut, le të klikojnë në youtube diçiturat në vijim në anglisht, për të ndjekur në video “parajsën”, ku jeton shumica dërrmuese e atij populli:

How People Live in the Most Unlivable City of Russia? | Arkhangelsk | Documentary ENG SUB

Hard life in a Russian village without gas. South of Russia

Trip to the Most Dangerous Place in Russia: Poverty, Drunk People & Crime | Tuva, Travel Documentary

How people actually live in Russia – a small city

How russians survive in a misery of poor towns. they sell aparts for 1 Ruble ($0,014)

Ekzistencën e atyre skenave të mjerimit në hapësirat e pafundme të Rusisë, e dëshmon edhe aktori, regjisori, muzikanti rus Pavel Majkov, drejtues emisionesh televizive, i cituar në këtë libër:

“Largohesh nga Moska njëqind kilometra dhe të zë tmerri kur shikon se si jetojnë njerëzit. Po të largohesh më shumë se një mijë kilometra, tmerrohesh edhe më keq…”.

Pyetja e cituar pak më lart, na nxiti të shtrojmë pyetjen tjetër:

“Vallë ishte rastësi që ideologjia komuniste, si një ideologji e krimit, qe bërë sunduese për herë të parë pikërisht në Rusi dhe, pas vitit 1991, pati mbetur po e tillë, por me një tjetër mantel?”.

Marksi as që e pati menduar kurrë ndonjëherë se idetë e tij të revolucionit social do të ngjallnin një interesim aq të madh në Rusinë cariste, një vend i prapambetur, me një popullsi mbi 90% fshatare. Sepse, sipas tij, fitores së revolucionit social duhej t’i paraprinte faza e zhvillimit të lartë kapitalist. Prandaj përkrahësit e tij ishin në pritje të fitores së ideve marksiste në vendet më të industrializuara. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi se idetë e Marksit për revolucionin social rezultuan utopike për vende të tilla. Lenini, “duke zhilluar më tej” idetë e Marksit, parashikoi  fitoren e revolucionit socialist në një vend të vetëm, si hallka më e dobët e rendit kapitalist. Për vetë Marksin, si edhe për shumë përkrahës të tij, ishte karakteristik qëndrimi ndaj Rusisë, si ndaj një shteti të “barbarisë lindore”, prej nga “fryma reaksionare aziatike”, e përfaqësuar nga perandoria e Romanovëve, kërcënonte zhvillimin kulturor dhe politik të Perëndimit. Marksi dhe Engelsi ishin për një luftë revolucionare kundër Rusisë perandorake, e cila, në këndvështrimin e tyre, përfaqësonte kështjellën e forcave reaksionare të mbarë Europës. Por edhe më vonë ata qenë shprehur shumë ashpër dhe vendosmërisht kundër politikës së jashtme ruse, të cilën e konsideronin si njërën nga pengesat kryesore në rrugën drejt transformimit social të botës. Me këtë rast, ata patën nënvizuar vazhdimisht “mongolizmin” e saj dhe pikësynimin për sundim botëror në frymën e Çingiskhanit (1162-1227). Disa shprehje që Marksi pati përdorur lidhur me Rusinë, qenë censuruar në “vendin e socializmit fitimtar” pikërisht për përmbajtjen e tyre me karakter të hapur rusofob, çka i pati vënë në pozitë të vështirë madje organet e agjitacionit dhe të propagandës komuniste në Bashkimin Sovjetik. Qëndrimi tejet negativ i Marksit ndaj organizimit shtetëror rus, qe shprehur më mirë se kudo në kreun e katërt të veprës së tij të papërfunduar, me titull “Demaskimet e historisë diplomatike të shek. XVIII”, të botuar në vitin 1884. Në këtë vepër Marksi theksonte se Moskovia ishte edukuar dhe rritur në shkollën e tmerrshme dhe të neveritshme të skllavërisë mongole dhe erdhi e u forcua vetëm sepse qe bërë virtuoze në artin e skllavërisë.

S’është për t’u habitur që kjo vepër, në të cilën Marksi qe shprehur me nota tejet demaskuese për Rusinë dhe politikën shumëshekullore të sundimtarëve të saj, nuk qe përfshirë në asnjërën përmbledhje të veprave të tij në gjuhën ruse. Kjo vepër u botua për herë të parë në Bashkimin Sovjetik vetëm në fundin e perestrojkës gorbaçoviane – në vitin 1989. Marksi ishte i bindur se revolucioni në një vend, të cilin ai e konsideronte si mishërim të “despotizmit lindor”, nuk mund të kishte një karakter model për Europën Perëndimore. Idetë e Marksit për revolucionin social, domosdo që do të gjenin truall vetëm në radhët e një populli skllav brez pas brezi, i cili, në sistemin shumëshekullor të bujkrobërisë, kishte qenë në pronësi të çifligarëve rusë. Dihet që komunistët sovjetikë, për të mashtruar masat e gjera të popullit, patën deklaruar se pas sistemit socialist, do të vijojë faza më e lartë e zhvillimit të shoqërisë – sistemi komunist, në të cilin njerëzit “do të jetojnë” sipas parimit: “secili sipas mundësive, secilit sipas nevojave”. Sigurisht që përralla të tilla mund t’i hante për të vërteta vetëm një popull me  psikologji prej skllavi, si populli rus, por kurrsesi popujt perëndimorë. Përralla për “parajsën” komuniste e pati arritur kulmin e vet në Kongresin XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i cili i zhvilloi punimet e veta prej 17 deri më 31 tetor 1961. Në atë kongres, kryetari i asaj partie, Nikita Hrushovi, pati deklaruar:

“Në vitin 1980, në Bashkimin Sovjetik do të përfundojë ndërtimi i komunizmit dhe brezi i tanishëm i njerëzve sovjetikë do të jetojë në komunizëm” (Faqja e internetit “miasskiy.ru”. 17 tetor 2018).

Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi më së miri se pikërisht fillimi i viteve 1980 shënoi një krizë të rëndë ekonomike, e cila u mbyll me shembjen e perandorisë sovjetike dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Qëllimin e vërtetë të komunistëve e ka zbërthyer më së miri personaliteti i shquar i Britanisë së Madhe, Uinston Çurçilli, në njërin nga 867 citatet e veta:

“Komunistët zhvillojnë një luftë të përhershme kundër qytetërimit, me qëllim që të zhdukin të gjitha institucionet e pushtetit, të gjitha qeveritë, të gjitha shtetet në botë. Ata synojnë të krijojnë një aleancë ndërkombëtare varfanjakësh, kriminelësh, injorantësh, rebelësh, të sëmurësh, debilësh dhe budallenjsh, e cila duhet të përfshijë mbarë botën”.

Duke pasur parasysh përkrahjen mbarëpopullore që populli rus vazhdon t’i japë Putinit për luftën agresive kundër popullit ukrainas dhe krimet e rënda që ushtria fashiste ruse kreu pas sulmit të 24 shkurtit të vitit 2022, vetvetiu të lindnin në kokë dy pyetje: “Ç’është Rusia?”, “ç’është populli rus?”.

I shtruam këto dy pyetje, sepse, gjatë shumë shekujve, rusët e kanë vlerësuar dhe vazhdojnë ta vlerësojnë veten si popull të madh, i cili mund të orientojë popujt e tjerë se çfarë duhet të bëjnë, mund të sulmojë shtete fqinje, të shkatërrojë miliona jetë njerëzish, duke luftuar kundër njëfarë të keqeje mitike. Dhe sikur vetëm ta provosh t’ia hapësh sytë njeriut të thjeshtë rus për bëmat e tij dhe të shtetit të tij, atij, me siguri, do t’i merret fryma nga inati dhe do të pëpiqet të të bëjë pluhur e hi. E megjithatë, ka pasur që ka pasur njerëz në histori, të cilët patën marrë guximin për të thënë të vërtetën për Rusinë dhe për popullin e saj, siç janë 426 personalitete, ruse dhe të huaja. mbresat e të cilëve pasqyrohen në këtë libër. Mes këtyre personaliteteve, 168 prej tyre janë rusë.

Me dy pyetjet e mësipërme në mendje, në ditët e para të marsit 2022, iu drejtuam internetit, ku “gërmuam” për një kohë të gjatë. Pikërisht në faqet e internetit, gjatë kërkimeve trevjeçare, gjetëm materiale fort interesante, të cilat shërbejnë si përgjigje tejet të goditura për të dyja pyetjet e mësipërme. Ato materiale, si “margaritarë urtësie” të atyre 426 personaliteteve nga fusha e politikës dhe nga shumë fusha të dijes, përcillen në mjaft citate, aforizma dhe mbresa të tyre. Në vijim ato janë renditur sipas emrave, alfabetikisht, dhe shoqërohen me një jetëshkrim të shkurtër për çdo personalitet. Ato që janë renditur në thonjëza, pa referimet përkatëse në fund, janë vjelë nga faqja e internetit “Adskije novosti”, 19 shkurt 2015. Materialet e tjera, po në thonjëza, jepen me referimet përkatëse në fund.