Kreu Blog Faqe 688

Disa nga rezultatet dhe të arriturat e Policisë së Kosovës gjatë periudhës kohore të vitit 2024

0

Prishtinë, më 31 dhjetor 2024

Policia e Republikës së Kosovës, paraqet disa nga rezultatet dhe arritjet e përgjithshme në përmbushjen e objektivave strategjike, specifike por edhe të aktiviteteve të parapara për këtë periudhë kohore, mesi i dhjetorit të vitit 2024.

Të dhënat zyrtare dhe rezultatet pozitive të arritura tregojnë përkushtimin e organizatës dhe të secilit zyrtar policor, në realizimin e planit të punës së Policisë. Edhe pse viti që po lëmë pas ishte  mjaft sfidues për Policinë e Kosovës sa i përket sigurisë në përgjithësi, e në veçanti në veri të vendit, puna angazhimi dhe përkushtimi për ruajtje të rendit kushtetues, vërtetuan se Policia e Kosovës është e gatshme dhe e përgatitur për t’u përballur me të gjitha rreziqet dhe kërcënimet ndaj rendit publik dhe sigurisë së vendit në përgjithësi.

Ndër objektivat dhe detyrat kryesore të PK-së, kanë qenë zbatimi i ligjit në mënyrë efikase dhe efektive, parandalimi dhe luftimi i të gjitha formave të kriminalitetit, mbikëqyrja dhe kontrolli i kufirit shtetëror, bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët pa dallim.

Siguria e përgjithshme në Kosovë edhe gjatë kësaj periudhe kohore të këtij viti ka qenë e qetë, në përjashtim në veri të vendit, ku situata ka qenë e brishtë dhe e cenuar nga disa sulme kriminale e terroriste, duke veçuar sulmin terrorist ndaj Stacionit Policor në Zveqan, sulmin terrorist në objektin e Komunës së Zveqanit, sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Iber Lepencit në Zubin Potok, si dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake.

Rastet dhe Sulmet e tilla kriminale e terroriste në veri të vendit kishin për qëllim cenimin e rendit dhe sigurinë publike si dhe pengimin e zbatimin të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, mirëpo Policia e Kosovës me vendosmërinë e sajë ka arritur të menaxhojë situatën në mënyrën më profesionale të mundshme.

Policia e Kosovës përveç të arriturave të mëdha në menaxhimin e situatës së sigurisë në vend e në veçanti në veri të vendit e cila vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore, ka arritur rezultate të theksuara edhe në shumë fusha tjera, përfshirë edhe uljen e rasteve kriminale në vend dhe rritjen e zbulueshmërisë së tyre.

Në vijim paraqesim disa nga statistikat e raportimit të krimit për këtë periudhë kohore të 2024; 

  • Numri i përgjithshëm i rasteve ka shënuar rëne nga 47903 në 46300 ose -3.34%
  • Numri i veprave penale ka shënuar rëne nga 27560 në 26775 ose -2.38%.
  • Zbulueshmëria ka shënuar rritje për 3.34%;

NUMRI I RASTEVE NË FORMË TABELARE

          NUMRI I VEPRAVE PENALE NË FORMË TABELARE

          VRASJET DHE DISA NGA VEPRAT PENALE MË TË VEÇANTA

Periudha Krahasuese 2023 2024 %
Vrasjet 29 17 -41.38
Lëndim i rëndë trupor 209 197 -5.74
Lëndim i lehtë trupor 2445 2417 -1.15
Vjedhje 3844 3420 -11.03
Vjedhje e Rëndë 2555 1958 -23.37
Grabitje 81 70 -13.58
Dhune në familje 2251 2387 6.04
Kontrabandë me migrant 11 9 -18
Kontrabandë me mallra 84 56 -33
 

ARRESTIMET, KONFISKIMET DHE REALIZIMI I URDHËRESAVE

Asistime 6602 6980 5.7
Armë të konfiskuara 1286 1586 23.3
Municion i konfiskuar 35709 28859 -19.1
Gjithsejtë të arrestuar 13720 14036 2.3
Të ndaluar në Qen. Mbajtje 4831 5580 15.5
Urdhëresa të realizuara 18064 21055 16.56

Statistikat Krahasuese për periudhën e 2023/2024 tregojnë rënie të rasteve dhe veprave penale në përgjithësi duke përfshi edhe VP si: Lëndim i rëndë trupor, lëndim i lehtë trupor, vjedhje, vjedhje e rëndë dhe grabitje.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një mori aktivitetesh policore, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të krimit, shkatërrimit të grupeve kriminale, ofrimit të sigurisë së qëndrueshme, si dhe kontrollin e mbikëqyrjen e kufirit, ku ka arritur rezultate të theksuara në luftimin ndaj fenomenit të Fajdeve, Narkotikëve, , Kontrabandës me Migrant si dhe Kontrabandës së Mallrave etj.

DISA NGA STATISTIKAT E HETIMEVE

Operacione 278
Plane operative 63
Bastisje/ Lokale të kontrolluara 755
GRUPE KRIMINALE
Grupe kriminale të shkatërruara 25
TE TJERA -VIKTIMA
Viktima të identifikuar 14
Viktima të asistuar 66
            KONFISKIME/SEKUESTRIME
Substance narkotike ( HEROINE) 27.8kg
Substance narkotike ( KOKAINE ) 14kg
Substance narkotike ( MARIHUANA) 1278kg
Extasy 3.8kg
Amphetamin/Methamphetamin-Speed 415 copë
Substanca Narkotike (Bime Kanabisi) 7126 bimë
Substanca Narkotike (fara  Kanabisi – gram) 26.5
Vetura 117
ASETET E NGRIRA/ SEKUESTRUARA
Shtëpi 1
Banesa 66
Lokale 4
Garazhe 30
Patundshmëri ( toka) 29
Ngrirje e xhirollogarive 13

Siguria në trafikun rrugor gjithashtu ka qenë njëri ndër prioritetet për Policinë e Kosovës, e cila ka hartuar dhe zbatuar shumë plane operative, ka arritur të sigurojë pajisje moderne për trafik, ka realizuar fushata të ndryshme sensibilizuese me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve, ku edhe janë arritur rezultatet pozitive në vijim;

Krahasimi i aksidenteve 01 Janar – 23 Dhjetor 2024 / 2023
Janar – 23 Dhjetor 2023   Janar – 23 Dhjetor 2024 ( +/- ) %
 Aksidente fatale 95   Aksidente fatale 88 -7 -7.37
 Persona të vdekur 105   Persona të vdekur 96 -9 -8.57
 Aksid. me   lëndime 8,509   Aksid. me lëndime 7,896 -613 -7.20
 Aksidente me dëme 14,214   Aksidente me dëme 13,854 -360 -2.53
 Gjithsej aksidente 22,818   Gjithsej aksidente 21,838 -980 -4.29
 Gjoba të shqiptuara 630,847   Gjoba të shqiptuara 711,953 81,106 12.86

Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, të vazhdoj primatin si një ndër institucionet më të besuara dhe transparente në vend, gjithmonë duke respektuar aktet ligjore dhe normative, si dhe duke garantuar të drejtat themelore të njeriut.

Vizitë e Presidentes Vjosa Osmani në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore

0

Presidentja Osmani vizitoi Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore: Gjatë këtij viti sfidues, Policia e Kosovës ishte shtylla e sigurisë dhe mbrojtëse e palëkundur e sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në prag të ndërrimit të moteve, ka vizituar Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore, si dhe ka ndarë momente gëzimi me fëmijët për festën e Vitit të Ri, dhe së bashku me ta ka vizituar bizneset e hapura së voni në veri.

 Presidentja Osmani ka shkruar:

Në prag të ndërrimit të moteve, vizituam Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore, ku grave dhe burrave në uniformë pata rastin t’ua shpreh mirënjohjen e thellë për punën dhe përkushtimin e palodhur.

Gjatë këtij viti sfidues, ata ishin shtylla e sigurisë dhe mbrojtësit e palëkundur të sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë. Falë përkushtimit të tyre, shteti ynë qëndron i pathyeshëm përballë çdo sfide.

Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite, ndamë momente gëzimi me më të vegjlit tanë, për festën e Vitit të Ri, dhe së bashku me ta vizituam bizneset e hapura së voni në veri të cilët po kontribuojnë jo vetëm në ekonominë e qytetit, por edhe në integrimin e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Të gjithë fëmijëve dhe familjeve të tyre, të të gjitha etnive, nga zemra ju uroj një Vit të Ri, plot shëndet, begati dhe suksese! Le të jetë 2025 një vit i paqes dhe i mbarësisë për të gjithë!

Familjet në Kroin e Vitakut  janë qëndrestarët e vërtetë

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ministrat Sveçla e Krasniqi, vizituan familjen e Ramadan Behramit, në Kroin e Vitakut, në veri.


Presidentja Osmani ka shkruar:

Sot, bashkë me ministrat Sveçla e Krasniqi, vizituam familjen e Ramadan Behramit, në Kroin e Vitakut, në veri, e cila është njëra ndër familjet që përfaqëson forcën dhe qëndresën e jashtëzakonshme të njerëzve tanë.

I urova për Vitin e Ri, të cilin tani e festojnë në shtëpinë e re, si dhe i përgëzova për vullnetin e tyre të palëkundur për të qëndruar në vatrën e tyre, pavarësisht sfidave të panumërta të sigurisë me të cilat janë përballur përgjatë viteve. Këto familje janë qëndrestarët e vërtetë.

Vjosa Osmani: FSK-ja është shembull i guximit dhe mbrojtjes së Republikës dhe vlerave tona shtetërore

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në prag të ndërrimit të viteve ka vizituar FSK-në. 

Presidentja Osmani ka shkruar: 

FSK-ja është shembull i guximit dhe mbrojtjes së Republikës dhe vlerave tona shtetërore.

Në prag të ndërrimit të viteve, i vizitova dhe pashë nga afër përkushtimin, disiplinën dhe dashurinë për atdheun tonë.

Forhåndsvisning av bilde

Uroj që viti 2025, të jetë vit i forcimit të mëtejshëm të Ushtrisë së Kosovës në misionin fisnik për të mbrojtur Republikën dhe qytetarët e saj.

Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti në konferencën për media me temë Terrorizmi i Sponzorizuar nga Serbia dhe Përgjegjësia për Sulmet në Kosovë

0

Prishtinë, fundi i dhjetorit 2024

Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,

Së pari ju kërkoj falje për ndryshimin e orarit të kësaj konference për media.

Konferenca e sotme e ka për temë Terrorizmin e Sponsorizuar nga Serbia dhe Përgjegjësinë për Sulmet në Kosovë.

Sulmi me eksploziv në Kanalin Ibër-Lepenc, i datës 29 nëntor 2024, përmes dëmtimit të tërësishëm të kanalit, ka pasur për qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike në Republikën e Kosovës, si dhe shkaktimin e trazirave të cilat do të vinin si pasojë dhe ku do të rrezikohej siguria nacionale në Kosovë dhe do të provokohej situata në rajon.

Refuzimi i Beogradit zyrtar për ta dorëzuar Millan Radoiçiqin, përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, i cili ka pasur për qëllim okupimin e pjesës veriore të shtetit tonë, ka qenë inkurajim i grupit terrorist që i prin Radoiçiqi për të vazhduar me akte të tjera subversive e diversive ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Republikës sonë.
Strehimi i Millan Radoiçiqit në Serbi, përkrahja që i ofron atij Beogradi zyrtar me infrastrukturë për trajnim të grupit terrorist, autorizimi i përgjegjësive që ia ka falur kreu i shtetit serb atij edhe për kontrollin faktik e politik të serbëve të Kosovës, nuk mund të quhet ndryshe, përveçse koordinim i shtetit të Serbisë me Millan Radoiçiqin dhe grupin e tij terrorist për ta zhvilluar më tej luftën hibride kundër Republikës së Kosovës.

Republika jonë ka shtrirë sovranitetin e sigurinë në veri të vendit nëpërmjet kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë. Tashmë situata atje nuk mund të sfidohet përmes grupeve të modelit rus “Little Green Man” apo “Njerëzit e vegjël të gjelbër”. Megjithëkëtë, politikat agresive të Serbisë ndaj vendit tonë nuk po ndalen me sulme të tjera terroriste, por të organizuara në grupe më të vogla dhe në forma më të fshehta.

Që nga Qershori i vitit 2024, kur edhe kanë filluar të shpërndahen posterë me fytyrën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me mbishkrime si “Komandant suprem, ju presim”, gradualisht është përshkallëzuar situata në katër komunat në veri, përmes grupeve të vogla të lidhura direkt me Millan Radojçiqin.

Bazuar në informacionet që posedojnë institucionet e sigurisë së Kosovë, Millan Radojçiq, ka caktuar dy persona, të afërt të tij për të realizuar sulme në veri (përmes grupeve të tyre),  të cilët kanë marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe strehohen në Serbi. E këta dy persona janë:

– Nemanja Radivojeviq me nofkën “GANDI”;
–  Vladimir Radivojeviq me nofkën “MAMI”.
Më pas, janë evidentuar raste të ndryshme të sulmeve me mjete shpërthyese dhe veprime të tjera deri në sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, si në vijim:

– Me datë 30 qershor sivjet, në ora 01:23 pas mesnate, persona të maskuar kanë vendosur posterë në Mitrovicë të Veriut me fytyrë të Aleksandar Vuçiq dhe mbishkrimin “Komandant Suprem, ju presim”;

– Me 09.07.2024 në orët e hershme të mëngjesit, në rrugën “Kralj Petri”  në Mitrovicën e veriut, afër Raiffeisen bank, janë djegur dy kamionë transportues dhe një veturë. Këto automjete kanë qenë të parkuara para depos ushqimore “Market Grand”, që është në pronësi të një shqiptari;

– Pastaj, me datë 14.07.2024, në ora 03:30 pas mesnate, dy persona të maskuar, me koktej molotovi kanë sulmuar pastiçerinë “Sharr” në Mitrovicë të veriut, të cilën e kishte vizituar ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla;

– Me 21.07.2024 është hedhur një mjet shpërthyes afër Liqenit të Ujmanit. Sipas informacioneve, personi që ka urdhëruar kryerjen e këtij veprimi është Millan Radoijçiq dhe sipas të cilit, qëllimi ka qenë frikësimi i pushuesve shqiptar që frekuentojnë këtë zonë;

– Më tej, me 26.07.2024 rreth orës 01:40 pas mesnate, dy automjete të komunës së Zveçanit janë djegur qëllimisht nga persona deri më tani të pa identifikuar;

– Me datë 02.08.2024, në orët e hershme të mëngjesit, drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Zubin Potokut, Gordana Mihajlovic ka raportuar se në oborrin e babait të saj, persona të pa identifikuar kanë hedhur një granatë dore e cila ka shpërthyer;

– Me 29.09.2024, persona të maskuar kanë hedhur një mjet shpërthyes në pompën e derivateve “Lab Oil” në Zveçan;

– Me datë 02.10.2024, rreth orës 23:30, një mjet shpërthyes është hedhur në një objekt të ndërtuar në Zubin Potok nga Stevan Vulovic;

– Me datë 21.10.2024, në oborrin e shtëpisë së Aleksandar Perovic në Zubin Potok, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm, i cili ka dëmtuar automjetin e Snezana Perovic;

– Me datë 19.11.2024, rreth orës 00:30 pas mesnate, në disa komuna të veriut të Kosovës, janë vendosur posterë me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimet “Ja ku jemi për Bozhiq”;

– Me datë 21.11.2024, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, përmes një deklarate zyrtare, ka dënuar kinse kalimin e paautorizuar të vijës kufitare nga Policia e Kosovës. Pas këtij reagimi kishte ardhur edhe një reagim tjetër në platformën e tyre Telegram “KORIDOR”, të cilët kishin kërcënuar se do ta sulmojnë Policinë e Kosovës;

– Me datë 26.11.2024, rreth orës 22:55, dy granata dore të modelit serb M75, janë hedhur në drejtim të stacionit policor në Zveçan. Në bazë të informacioneve, sulmi dyshohet se është urdhëruar nga Nemanja Radivojeviq “Gandi”, pjesë e grupit terrorist dhe person i afërt i Millan Radoiçiq, i cili është në kërkim nga organet e ndjekjes. Të nesërmen, datë 27.11.2024, Nemanja Radivojeviq publikisht ka përshëndetur sulmin në drejtim të stacionit policor;

– Me datë 28.11.2024, po ashtu pak para mesnate (23:40), një granatë dore është hedhur afër objektit të Komunës së Zveçanit. Lidhur me këtë, pak pas mesnate (29.11.2024), në Telegram, është shpërndarë një shkrim ku mes tjerash thuhej “A është thënë se ne do të festojmë sonte ditën e flamurit? Do të thotë u përmbush urimi i zveçanasve për fqinjët e tyre, shihemi nesër në mbrëmje, hajt mirë!! Deri në Bozhiq edhe një muaj”. Ky është komunikimi i tyre. Postimi që është bërë në Telegram, në kanalin “KORIDOR”, ku mes tjerash shkruan “…shihemi nesër në mbrëmje…” ka qenë mesazh i drejtpërdrejtë për sulmin e planifikuar në kanalin Ibër-Lepenc;

– Pastaj, me datë 29.11.2024, në ora 00:58, përsëri është postuar (në Telegram) një shkrim tjetër me përmbajtje kërcënuese, e cila me shumë gjasë ndërlidhet me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, ku thuhet “Do të jetë sërish ferr dhe Ibër i përgjakur, kur ujqërit të zbresin nga malet serbe…”. Të nesërmen, datë 30.11.2024, e njëjta fotografi ishte publikuar nga Nemanja Radivojeviq “Gandi”; dhe,

–  Me datë 29.11.2024, rreth orës 19:00, është kryer sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale strategjike në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.

Pra kjo është kronologjia e 15 sulmeve të cilat kanë qenë të përgatitur për ta dëmtuar Kosovën në mënyrë terroriste, duke ngjallur frikë gjithandej, që nga 30 qershori deri me 29 nëntor sivjet. I bie për pesë muaj 15 sulme gjithsej, kur këto 14 realisht kanë qenë përgatitje për këtë të fundit. Sepse vazhdon duke u përshkallëzuar situata deri te sulmi mbi infrastrukturën tonë kritike kryesore, e cila është jetike edhe për furnizimin me ujë edhe për atë me energji elektrike.

Të nderuar gazetarë,

Sulmi terrorist u krye në kohën kur kemi rrethana të ndërlikuara politike, të sigurisë, rajonale dhe ndërkombëtare, si:

– Protesta të vazhdueshme në Serbi;
– Tranzicioni i pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
– Presioni në rritje nga perëndimi ndaj Serbisë për arrestimin e Millan Radoiçiqit;
– Përpjekjet e Serbisë për destabilizim të situatës në veri, përmes veprimeve hibride, terroriste dhe inskenimeve të ndryshme;
– Fushatat agresive serbe për t’i paraqitur serbët lokal në Kosovë si të diskriminuar dhe kërcënuar;
– Planet e Serbisë për ndërhyrje në zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë;
– Zhvillimet e fundit ndërlidhur me agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Bazuar në informacionet inteligjente që i posedojnë institucionet e sigurisë, prapa urdhrit për sulmin me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit, qëndron Millan Radoiçiq dhe grupi i tij terrorist që po strehohet dhe mbështetet nga Serbia. Për planifikimin, financimin dhe logjistikën e sulmit ka përgjegjësi shteti i Serbisë.

Sulmi është planifikuar paraprakisht nga Millan Radoiçiq. Për realizmin e tij, bazuar në të dhënat e deri tanishme, janë përfshirë dy grupe në kuadër të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” e cila financohet nga Serbia dhe trajnohet në vazhdimësi atje.

Grupi i parë, ka ofruar mbështetjeje logjistike në terren. Ndërkaq, grupi i dytë – disa persona profesionist, ku besohet se ka pasur edhe persona nga strukturat e caktuara të sigurisë së Serbisë, të afërta me Millan Radoiçiq, janë përfshirë në realizmin e sulmit. Këto dy grupe, në vazhdimësi janë trajnuar dhe instruktuar nga strukturat e sigurisë së Serbisë, para dhe pas sulmit të 24 shtatorit 2023, kur e vranë rreshterin e Policisë, Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku.

Deri me tani, janë evidentuar komunikime të koduara në mes të disa pjesëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojta Civile”, që ndërlidhen me rastin. Të dhënat janë duke u trajtuar nga institucionet relevante të sigurisë në kuadër të hetimeve të cilat po zhvillohen.

Për dallim nga sulmi terrorist në Banjskë ku Millan Radoiçiq ka marr pjesë personalisht duke drejtuar grupin terrorist, kësaj radhe ai ka ndërmarrë veprime të caktuara duke tentuar shfajësimin e vetës.

Paraprakisht ka ndërtuar alibinë, duke paracaktuar një takim me anëtarë të Listës Serbe ditën e sulmit, konkretisht nga ora 17:00-19:00. Pra dy orë para sulmit në kanalin Ibër-Lepenc, Millan Radoiçiq cakton takim me Listën Serbe. Kjo është mënyra se si me këtë takim të përcaktuar, në fakt të paracaktuar, ai orvatet të sajojë alibinë për veten e tij. Pas sulmit, ka realizuar telefonata, takime dhe në bashkëpunim me strukturat të larta të shtetit në Serbi, ka ndërmarrë veprime të ndryshme fabrikuese me synim fshehjen e përgjegjësisë së tij, përkatësisht Serbisë. Në të njëjtën kohë, Serbia, përmes presidentit të saj, Vuçiqit, është aktivizuar me të gjithë mekanizmat për ta orientuar përgjegjësinë në adresa të tjera, përmes ngritjes së konspiracioneve të ndryshme. Strukturat e sigurisë së Serbisë, kanë filluar aktivitete në terren për ta sabotuar zbardhjen e rastit nga institucionet e Kosovës, duke kontaktuar dhe intervistuar në Serbi persona të ndryshëm për t’iu bërë presion.

Pas sulmit, Millan Radoiçiq tek rrethi i afërt i tij, ka shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatet e sulmit, pasi që pritjet e tij kanë qenë që kanali të dëmtohet tërësisht dhe pakthyeshëm.

Sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024 në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe.

Duke marrë parasysh se aktet e tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion si dhe faktin se Millan Radoiçiq përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi i kanalit të Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë.

Sulmi pothuajse ka qenë i pa mundur që të kryhet nga grupi terrorist i Millan Radoiçiqit, pa qenë në dijeni e në mbështetje vet shteti i Serbisë.

Të dhënat që i posedojnë institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, çojnë në një përfundim për përgjegjësinë si në vijim:

– “Mbrojtja Civile” – Millan Radoiçiq;
–  Elemente të caktuara të shteti të Serbisë;
–  Serbia.

Përmes kombinimit të sulmit terrorist me dezinformata dhe propagandë, Serbia po synon që publiku me këtë rast të humbasë besimin në institucionet e Republikës së Kosovës, të ngritën hipoteza që synojnë përçarjen brenda vendit dhe krijimin e “paqartësive për sulmuesit”, në opinionin ndërkombëtar.

Sulme të tjera terroriste dhe sabotazhi ndaj infrastrukturës kritike dhe objektivave tjera të rëndësishme në Kosovë, sidomos në veri, janë paralajmëruar nga organizatat terroriste që po strehohen në Serbi, duke përmendur festat e fund vitit dhe krishtlindjet ortodokse. Sulmet mund të synohet të realizohen, varësisht nga interesat politike të kreut të shtetit serb, posaçërisht tensionet e brendshme në Serbi – protestat e vazhdueshme opozitare atje.

Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike, të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve tanë, e krejt në fund edhe krijimin e një imazhi të një vendi jo stabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt, dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri.

Mirëpo, ne jemi të përkushtuar që, edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë ta neutralizojmë maksimalisht, përkundër faktit se sulmet e tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtetet e fuqishme. Veçmas nëse këto sulme kanë mbështetjen dhe sponsorizimin e një shteti tjetër. Në këtë rast si Serbia.

Serbia ka mohuar 15 vjet radhazi, siç e dimë të gjithë, se në vitin 1998 i kishte vrarë 6 serbë të rinj në Pejë, rast i njohur si “Panda”, me 14 nëntor 1998. Kurse qe 11 vjet të tjera, ani pse e ka pranuar se masakrën “Panda” nuk e kanë bërë shqiptarët, ende nuk e ka bërë përgjegjës askë! Dhe nuk presim që ta bëjë përgjegjës, sepse mendojmë që përgjegjësit janë diku në mesin e njerëzve të rëndësishëm të shtetit serb.

Serbia me Millan Radoiçiqin ka planifikuar dhe realizuar sulmin e dështuar terrorist në Banjska me 24 shtator të vitit 2023. Edhe pse janë siguruara dëshmi të pa kontestueshme dhe është ngritur aktakuzë kundër Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, i njëjti vazhdon të jetë i lirë në Serbi, i mbrojtur atje, ku planifikon dhe ekzekuton sulme të tjera në Kosovë. Vuçiq paradoksalisht synon që të tregohet konstruktiv për sulmin e fundit kundër infrastrukturës vitale dhe ka zëra që kërkojnë dëshmi të pakontestueshme për të vepruar. Por tash shtrohet pyetja, pse nuk po ekstradohet Radoiçiq kur ka dëshmi të mjaftueshme për sulmin në Banjskë?

Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,

Këto ishin disa prej të dhënave të organeve tona të inteligjencës dhe sigurisë të cilat tregojnë e dëshmojnë, konfirmojnë që prapa sulmit në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut qëndron Serbia me elementet e saj e para se gjithash e mbi të gjitha grupi terrorist i Millan Radoiçiq, i cili edhe më tej fuqinë e humbur në Kosovë orvatet që ta kompensoj me sulme të këtilla kriminale e terroriste, të cilat na bëjnë dëm por kurrë nuk do të munden që ta cenojnë sigurinë apo ta destabilizojnë vendin tonë.

Unë ju faleminderit për vëmendjen dhe durimin.

Mbërthye kthetrave t’dashnisë, recension i kritikut letrar Shefqet Dibrani për librin e Asja Mulgecit

0

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Ose puthje t’mungueme

Asja Mulgeci, “NGAT TEJE“, lirika, edituar nga ”Botimet Jozef“, Durrës 2024, faqe 140. ISBN 978-9928-940-10-0

Sa “vështirë asht me dijtë me dashtë/ Oh, sa vshtirë/ me dijtë me m’dashtë mue”, (faqe 3). Ideja e lirikave në librin “NGAT TEJE” të poeteshës Asja Mulgeci, ngacmon ndërgjegjen e studiuesit, veçmas për aspektin veriak të të shprehurit artistik, me tendencë imponuese në kulturën e saj gjuhësore, që mundet si “dashnia të ankorohet njaty: përjetë”, (faqe 4). Të gjitha poezië janë parë nga këndvështrimi lirik, me disa rrëshqitje të herëpasherëshme në vargun erotik, por e mbuluar jo me vello, por me mënyrën eliptike të frazologjisë gjuhësore. “Ajo, din veç me dashtë/ e s’i përngjet askujt, as Ty!”, (faqe 6), është shprehur e sigurt ajo.

Vërtetë sa herë ndodh kështu, krijohet bindja se poetesha ka arritur një profilizim substancial në të qenit poeteshë me synim dhe qëllim pozitiv, tamam si një “zjarmi që na përvëlonte shpirtin”, (faqe 15). Pra, synimi i saj ka qëllim në imponimin e shprehjes moderne, larg dogmave dhe klisheve gjykuese, dogma paragjykuese që e ka shoqëruar poezinë shqipe për gjysmë shekulli, prandaj as kjo prurje e Asja Mulgecit nuk është thyerje e konvencave të një kohe a të një diktature, pasi ajo kohë, sidomos për letërsinë, tashmë është e kaluar, veçmas për brezin e poeteshës, e cila është, ose e ka zbuluar vetën si poeteshë, në kohën e transformimev të mëdha të shoqërisë shqiptare, ku do të “ndodhë m’u ba përvëlimi yt,/ në t’gushtit zagushi/ rueju mos lyp m’u flladitë fundgushës,/ as mes gjinjve t’mi”, (faqe 19).

Edhe lirikat e Mulgecit janë transformime të dukshme, gjithëherë emocionale, dhe me provokimin të dukshëm të ndjenjës shpirtërore duke zbuluar përshkrime rrallë të përjetuara, por edhe aso elemente të përafërta me përjetimet e secilit individ, veçse parë nga këndvështrimi i një poeteshe veriake me të gjitha dallimet shprehëse e fizike, po më shumë në aspektin e përjetimit shpirtëror të saj, dhe me interpretime tejet karakteristike të vargut dhe poezisë si përbërje më e zgjeruar: “Oh, kjo stinë kurr’ mes nesh ftohtë/ s’ka me stinue/ veç tue pranverue…”, (faqe 20), dhe mesazhi përfundimtar është drejtuar “eh, lum ti për vedi mor djalë,/ kshtu ka me t’gjetë,/ n’u dashurofsh në mue!”, (po aty, faqe 20).

Ndjenja e përjetimeve që lexohen nëpër këto lirika, duket se janë rrjedhë e vetvetishme, një fluiditet yndyror që ka afinitet të depërtojë në secilën pore të trupit, edhe lirika e saj ka afintet depërtues në ndjenjën dhe përjetimin artistik të mënyrës shprehëse dhe gjuhësore, sepse ajo “etshëm shuen etjen e digjet si qirì”, (faqe 89).

Lirikat e tilla nuk njohin korniza etike aq më tepër të aspektit patetik, në të kundërten lirikat e saj do të vuanin nga skematizmi dhe improvizimi, gjë që do të binin ndesh me karakterin njerëzor të poeteshës, e cila edhe kur flet është goxha e drejtpërdrejt, pa hipoteka dhe paragjykime, siç shihet edhe nga vargjet: “me çilë sytë, mbrenda syve/ zemrës, me i dhanë zemër/ me m’dashtë dashurisht, si un të due!”, (faqe 88). Andaj edhe lirikat e këtij libri, përveç se rrinë “Ngat/Afër”, janë të çliruara nga krijimi i vargut të mbyllur dhe atij meditativ dhe si lirikë është varg krejt i veçanta dhe tejet provokuese në kuptimin ma pozitiv të kësaj shprehje letrare, pasi edhe vetë e thotë se “Aktore ndjenjash s’u bana kurrë”, (po aty, faqe 89).

Në këto raste, lirikat e Asja Mulgecit i kanë këputur vargojtë e patetizmit dhe ka dal e çiltër, e pastër, ashtu siç duket të jetë edhe natyra e saj njerëzore, sepse poezia buron nga shpirti i individit, andaj edhe ky libër dhe këto lirika janë mjaftë të përkryera, pa patur nevojë të mistifikohet ndryshe, dhe kjo prirje shihet qysh në poezinë e parë me një titull sinjifikativ që lajmëron mënyrën e vështirë të të shkruarit dhe për vështirësit e mundshme të mendimit erotik të cilin e ka si dekor ilustrativ nëpër lirikat e saj.

SA VËSHTIRË…

Membranën u gërvish qiejve

plasaris koren e tokës

tue thirrmue ambël: Të due!

 

Nektarin e shpirtit m’duhet m’e yshtë

me lajka t’flliqta, s’ban me ngatrrue

vshtirë asht me dijtë me dashtë

Oh, sa e vshtirë

me dijtë me m’dashtë mue!

 

Faqe 3.

 

Në vargun “Mbërthye kthetrave t’dashnisë”, (faqe 131), duket sikur poetesha ka eksploruar qëllimisht me ndjenjën e të përjetuarit, kurse në gjysëm vargun tjetër “puthje t’mungueme”, (faqe 129), shprehet një mungesë e theksuar e dashurisë së munguar, jo vetëm si akt i puthjes, ose i aktit më të thellë, por dashuria në vargun lirik ka të bëjë edhe me afrinë dhe respektin e munguar ndërmejt një shoqërie, pse jo edhe në mes të dy gjinive të kundërta. Andaj poetesha sugjeron lexuesin e poezisë së saj “të mos vdes, pa ia dhuruar vetës mjaltin e ëmbël”, që në vargun e saj transformohet si element i shprehje e lokalizmit veriak si “helmambël”, andaj shprehet ajo “mos vdis pa lëngue i dashuruem”, vargje që lexohen te poezia “MOS VDIS”, të cilën për vlerat artistike që ka, po e risjellë krejtësisht të plotë.

MOS VDIS…

Mos vdis, pa ia dhanë helmamblin vedit,

kët “helm” pa shijue

se veç njashtu i jepet kuptimi jetës,

veç njat herë e kupton se vërtet ke jetue!

Mos vdis pa lëngue i dashuruem

shtratit t’ vërtetës!

 

Pa vujt i dashuruem, mos jep frymë

ksisoj, edhe njasaj bote t’akullt

do ndihesh gjallë, paçka se gjakngrimë

ngat teje, veç engjej do t’rrinë!

 

Faqe 11.

 

E një natyre të ngjashme është edhe poezia “AROM’S TYNE RUEJNË DASHNINË”, (faqe 35), me një profil të realizuar në planin artistik. Siç shihet Asja Mulgeci, poezinë e shkruan si ndjenjë e përjetuar në vete, “Kanga, – thuhet – asht vaji i burrit”, por “zemrën thërrmon dhimbja e dashnisë”, madje as guri s’ka forcë me duruar, “ani pse ksaj vuajtje t’mjaltë/ zemrat ndihen bekue”, (faqe 66). Dhe ky parim i saj duket i saktë, pasi çdo gjë niset nga vetvetja për t’iu përshtatur edhe të tjerëve, madje edhe lexuesve të saj, siç din të shprehet poetesha, “tue u kacafytë idhët me fatin,/ që pamshirshëm ma ftofi shtratin”, (faqe 69). Siç shihet një tog i tërë nga vargjet e poezive janë ngacmuar nga realiteti i përjetuar, pastaj janë përpunuar dhe trilluar artistikisht nga mendja e saj, dhe duke pasur afinitet të shkruaj i ka bërë poezi që lexohen dhe përjetohen mirë. “Ani n’dashtë, pse ka guxue/ dashninë me ma shiblue”, (faqe 63). Nga kjo që thash, duket se poetesha, kundrejt artit poetik është shumë e vëmendshme, mbledh secilën ndjenje, secilin pasion dhe pastaj gjykon me mënyrën dhe stilin e saj, me ato mjete artistike që i posedon, i ka sëndertuar edhe këto lirika të cilat qëndroj mjaftë mirë, si4 qëndron edhe vargu i saj, ato “mbesin tue u dashtë mes vuajtjesh/ tue shijue ndjenjën mes xhelozive!”, (faqe 55). Tamam, ashtu siç veprojnë edhe të tjerat, në poezi ajo pasqyron veten, shqetësimet e saj, emocionin e përjetimit, trishtimin lemeritës, krenarinë tej bjeshkëve, ngritjen dhe gëzimet, si dhe thyerjen e shpirtit, si dhe përshkruan edhe vetminë e madhe, duron përçmimin, jeton për ta shijuar dashurinë, andaj gjithnjë e kërkon atë nëpër rrjedhoen e kohës duke i kthyer në lirika të kësaj natyre.

TA SHOF SHPIRTIN

M’u poshtë synit ta pres lotin

e ta prek me buzté e mia,

i hap sytë e ta shof shpirtin,

bash njaty, ku lind dashnia.

 

K’ta lot janë bash si musht zemre,

n’rrokllime t’gotës pi me fund,

dehesh ndjenjash, sillesh botës

kthehesh shtriqesh prap te unë!

 

Faqe 71.

 

Lirikat e Asja Mulgecit, janë trokëllima e takave, hapat e saj nëpër trotuar, sikurse edhe ngjarjet përrth që i bëjnë përshtypje. Po aq edhe shikimet e të tjerëve, të atyre syve që nuk dinë se çfarë kërkojnë. Në netët e gjata shtrëngon në gji vetmin, mungesen e dashurisë, por falë afinitetit krijues ajo nuk ndjehet kurrë e vetmuar, sepse ka dhunti për të shkruar vargje që e bëjnë të lumtur. Poezia është mister në vete, herë – herë pa shtegdalje, solide në përmbajtje, e qëndrueshme në ndërtimin e saj, dhe koncize strukturalisht. “Edhe n’se lindin njizet diej”, përseri nuk zbehet forma poetike e saj, mesazhi “me ndriçue errsinën e natës teme”, atëherë kur “dita s’vjen kurrsesi, po s’erdhe ti i dashtun”, për t’i dhënë “zemër ksaj zemre!”, (nga poezia “PA TITULL”, faqe 95).

Në disa lirika të gjata, mund të nxjerren dy e ma shumë poezi, në raste të tjera vetëm një strofë është poezi më vetet e ralizuar si krijim artistik, një poezi të tillë e sajova, për të parë se si poezia e shkurtër kryen funksionin identik të të njëjtës poezi me disa strofa të stërzgjatura. E kjo mënyrë jep mundësi për të ndërtuar poezinë e sajuar si një lëndë krejtsisht e vetme, p.sh.:

 

FTESË

 

Eja i dashtun

mos m’len ngarkue n’mall e lot,

eja, kurrë s’të kam pritë,

ma shumë se sot!

 

Faqe 102.

 

Poezitë e Asja Mulgecit janë vargje të “lazdrueme si manare”, ato vazhdojnë psionin e vet njëra pas tjetrës dhe krijojnë identitet e individualitet artistik ku idet e caktuara lihen përgjysëm për të vazhduar në lirikën tjetër, sa shpesh krijohet përshtypja se kemi një vazhdimësi deri në poezinë e fundit. Andaj gjykoj se ideja e këtyre lirikave tregon se poetesha i ka realizuar mjaftë vlera të qëndrueshme artistike.

 

A MUNDESH…?

 

N’se vij shtriqun

e lazdrueme si manare,

a mundesh shpirtit me ia ndalë dalldinë;

a mbyllesh dot mbrenda vedit

trupin m’e ngujue n’dry;

a mundesh mos me m’kqyrë

e sytë me i lanë pa sy;

zemrën a mundesh m’e ndalë me punue,

dejesh gjakun a mundesh m’e ç’ngiyrue;

a mundesh me ba sikur s’je gjallë

n’se je me mue,

a mundesh,

a thue?!

 

Faqe 125.

 

Vëllimi me lirika ”NGAT TEJE”, mjaftë mirë do të qëndronte edhe sikur të titullohej “AFËR TEJE”, sepse edhe “bota, femën asht,/ ndaj dhe shton çdo ditë nurë,/ dhe pse fytyrën ndrron saka,/ sa të tilla ka virania,/ s’kem për me e msue kurrë”, (poezia “ZOTI N’GJUNJ SI GRUE M’ULET”, faqe 134), dhe padyshim edhe titulli dhe poezitë e letrarizuara vetëm sa do të fitonin në vlerë, tama siç mund të parafrazohej sipas vargjeve të saj: “Jo, mr mur d’krahasohesh,/ ani pse, kam t’njajtën gjini,/ ti rreth meje, vdes e ngjallesh,/ zgurit tand un ngjizi jetën,/ ah pa mue, je krejt e vogël,/ lëngon fishkun n’shtërpni”, (po aty, faqe 134). Pavarësisht kësaj, si tërësi tematike, kjo poezi është përplotë me ide, përplot me mënyra shprehëse, kurse me mjetet artistike të futura në funksion, është sajuar kjo lirikë kaq e mirë.

MOS NDODHTË KURRË

Oh ç’diell pervlues nxjerr kryet

mbas resh njashtu përngut,

mos m’i thaj buztë njomë n’riga shiu,

përziem me lotin poshtë syve

mos i zgjat gishtat lastar si dashnor hileqar

se malli m’asht ba mur…

gur bedenash t’shpirtit jam ba gur

qysh kur s’jem puth sysh

e njani-tjetrit s’i kem hy nën lkurë

malli zgjatet korsive t’zemrës,

mes botëve m’u ba urë

dashnia q’i m’përvlon krahnorit

ftyrës ka me m’shtue veç nur…

Mos ardhtë kurrë njajo ditë

mbrenda vedit m’u fikë

pritjes me i thanë: Mjaft ke pritë…!

Mos ndodhtë kurrë!

 

Faqe 133.

 

E gjitha, poetesha Asja Mulgeci, ka treguar pjekuri artistike me ndërtimin e profilizimit të saj artistik, kurse në dy vargjet e fundit është shprehur se “Fryms teme rrekem m’ia mbushë bronket,/ e kot po mundohem me t’ngi!”, (poezia “MBRAMJES PERENDUAM NË T’NJAJTIN SY”, faqe 135), vargje këto përtej modestisë njerëzore, por realisht prekin ndjenjën e brendshme, zjarrminë e poeteshës, që lexohet me pasion, duke lënë mbresa për botën femrore, që ka lirika e poeteshës Asja Mulgeci.

St. Gallen, janar 2025.

Tradita e festimit të 1 janarit si fillimi i një viti të ri

0

Nga: edlira.ruzi

Sipas Encyclopedia Britannica, të dhënat më të hershme sa i takon një feste të Vitit të Ri datojnë 2000 vjet para Krishtit, në Mesopotami, ku në Babiloni viti i ri (Akitu) filloi me hënën e re pas ekuinoksit pranveror dhe në Asiri me hënën e re më afër ekuinoksit të vjeshtës (mesi i shtatorit).

Për egjiptianët dhe fenikasit, viti fillonte me ekuinoksin e vjeshtës (21 shtator), për persët e lashtë fillonte në ekuinoksin e pranverës (21 mars), dhe për grekët e lashtë fillonte me solsticin e dimrit (21 dhjetor).

Në kalendarin e Republikës Romake viti fillonte më 1 mars, por pas vitit 153 para Krishtit data zyrtare ishte 1 janari, i cili vazhdoi në kalendarin julian të vitit 46 p. Krishtit.

Në Mesjetën e Hershme, pjesa më e madhe e Evropës së krishterë e konsideronte 25 marsin, festën e Shpalljes, si fillimin e vitit të ri, megjithëse dita e Vitit të Ri festohej më 25 dhjetor në Anglinë anglo-saksone.

Uilliam Pushtuesi dekretoi që viti të fillonte më 1 janar, por Anglia më vonë iu bashkua pjesës tjetër të të ashtuquajturit krishtërim dhe miratoi datën 25 mars. Kalendari gregorian, i miratuar në vitin 1582 nga Kisha Katolike Romake, rivendosi 1 janarin si ditën e Vitit të Ri dhe në shumicën e vendeve evropiane gradualisht u ndoq ky shembull: Skocia, më 1660; Gjermania dhe Danimarka, rreth 1700; Anglia, më 1752; dhe Rusia, në 1918.

Ato fe dhe kultura që përdorin një kalendar hënor kanë vazhduar të respektojnë fillimin e vitit në ditë të ndryshme nga 1 janari. Në kalendarin fetar hebre, për shembull, viti fillon në Rosh Hashana, ditën e parë të muajit Tishri, i cili bie midis 6 shtatorit dhe 5 tetorit. Kalendari mysliman normalisht ka 354 ditë në çdo vit, me vitin e ri që fillon me muajin Muharrem. Nevruzi, një festival i lashtë Zoroastrian, festohet si një vit i ri kulturor në Iran dhe pjesë të tjera të Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore me ndikime persiane.

Viti i Ri Kinez festohet duke filluar nga fundi i janarit ose fillimi i shkurtit. Kultura të tjera aziatike e festojnë këtë ditë në periudha të ndryshme të vitit. Në Indinë jugore, njerëzit e Keralës festojnë vitin e ri si Vishu dhe njerëzit në Tamil Nadu fqinje si Puthandu më 14 prill. Tibetianët e festojnë ditën si Losar në shkurt; dhe në Tajlandë festa, e quajtur Songkran, festohet në mes të prillit. Në Japoni, festa e Vitit të Ri Shōgatsu është një festë treditore, nga 1 deri më 3 janar.

Mysafiri i parë që kapërcen pragun, ose “këmba e parë”, është domethënëse dhe mund të sjellë fat nëse personi është i duhuri. Traditat e “këmbëve të para” vërehen në vendet mesdhetare, por edhe në Skoci dhe pjesë të Anglisë veriore.

/r.e/

Rhode, Gjermania dhe Europa e do Kosovën të integruar në Bashkimin Europian

0

Gani I. Mehmeti

Ambasador Rhode, kam besimin e plotë në ju dhe Gjermaninë se doni Kosovën të integruar në BE, por disi këtë besim e kam të zbehur te Bashkimi Europian. Po, sepse, po të ishte ashtu, BE-ja nuk do të ishte e njëanshme nga Serbia, duke i vënë masa Republikës së Kosovës, krejt padrejtësisht. Këto masa, realisht, nëse do duhej vënë dikujt, do duhej vënë Serbisë për gjithë proceset terroriste e shoveniste ndaj Kosovës dhe mosdëgjimin e BE-së në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë. Edhe ju, po edhe ne, jemi dëshmitarë të sulmeve nga huliganët serbë sipas dirigjimit të Vuçiqit mbi ushtarët paqësorë të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan.

Sikur BE të donte ta shihte Kosovën në BE, ajo nuk do të ishte kundër shtrimit të sovranitetit të saj edhe në veri të Kosovës, nuk do ta ndëshkonte Kosovën për hir të Serbisë, e cila vazhdimisht ka thënë haptas se nuk do e njohë pavarësisnë e Kosovës, dhe sërish asgjë, askush nuk i tha një fjalë të vetme se për normalizimin me Kosovën duhet të bëhet dhe se ai normalizim do të vije vetëm atëhere kur ajo do ta njihë Kosovën e pavarur.

Të them se ju nuk e njihni Vuçiqin, mund të gabojë, se ju i njihni proceset diplomatike e politike më mirë e më shumë nga ne, prandaj dhe jeni Ambasador. Por, ju vetë do duhej t’ia thoni troç Vuçiqit se serbët e Kosovës jetojnë më mirë se serbët në Serbi, se serbët e Kosovës nuk janë të sulmuar nga askush, se ata kanë lirinë dhe të drejtat më të mëdha në Europë, se serbët e Kosovës duhet ta pranojnë Kosovën për shtet të tyre, se serbët e Kosovës duhet të pranojnë simbolet e Kosovës, se serbët e Kosovës janë serbë, por nuk janë shtetas të Serbisë, se serbët e Kosovës duhet të resektojnë gjithçka, pra edhe Kushtetutën e ligjet e Kosovës.

E, sa i përket zbatimit të njëanshëm të marrëveshjeve, ka disa marrëveshje që nuk prekun në shtetësinë e Kosovës, por nuk mund të zbatohen edhe aso marrëveshje që prekun shtetësinë e Kosovës. Dhe, marrëveshja që prek drejtpërdrejtë shtetësinë e Kosovës është Asociacioni i kërkuar nga Serbia për komunat me shumicë serbe. Pikërisht për këtë, Serbia kërkon me ngulm formimin e tij.

Zotëri Ambasador, ju nuk i njihni serbët sa duhet dhe besoni në ta, por ata pranojnë nganjëherë gjithçka në letër, por nuk zbatojnë asgjë konkrete.

Nisuni nga Marrëveshja e Konçulit në Kosovën Lindore pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB). Ata kanë nënshkruar për të gjitha të drejtat e shqiptarëve me ndërnmjetësimine ndërkombëtarëve, por pikërisht pas këtij nënshkrimi shqiptarët janë zhveshur nga të gjitha të drejtat, sa edhe adresat ua shuajnë që të mos llogariten banorë të Kosovës Lindore të shpërngulen dhe të mos kenë të drejtën e votimit në zgjedhje. Kështu do të veprojë ajo edhe me Kosovën po u themelua ai farë asociacioni aq shumë i kërkuar nga Serbia dhe nga ndërkombëtarët.

Serbia mendon dhe do të kërkonte që, përmes këtij asociacioni të ndajë të paktën veriun e Kosovës dhe t’ia bashkangjesë Serbisë. këtë hall e ka Vuçiqi për hir të Trepçës, jo për serbët e veriut e as të Kosovës.

Presidentja: Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada. Njëkohësisht si simbol i vazhdimit të traditës dhe trashëgimisë së Presidentit Rugova, i cili vendosi themelet e forta të shtetësisë së Kosovës dhe të miqësisë së përhershme me SHBA-të”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Forhåndsvisning av bilde

Viti i Ri 2025 të jetë vit i sukseseve në njohjen ndërkombëtare të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë!

0

Të dashur shqiptarë,

Viti 2024 përmbylli periudhën prej një çerek shekulli nga zbatimi i gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës 1998-1999.

Me nismën e anëtarëve të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, më 16 maj 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Rezolutën për gjenocidin, nëpërmjet së cilës krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë zyrtarisht përkufizohen si gjenocid.

Ajo që është shpresëdhënëse, kjo rezolutë shpreh vendosmërinë e institucionit ligjvënës të Kosovës, që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në rrafshin ndërkombëtar dhe atë kombëtar, me qëllim që të sigurohet ndëshkimi i atyre që kanë planifikuar, që kanë kryer apo që kanë nxitur të kryhet gjenocidi.

Më 16 nëntor 2022, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” u është drejtuar institucioneve të Kosovës me një kërkesë që, lulëkuqja me katër petale, të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

Kjo nismë hasi në përkrahje të jashtëzakonshme të intelektualëve të shquar të hapësirës mbarëkombëtare (personaliteteve të kulturës, artit, shkencës dhe sportit); të institucioneve shkencore; udhëheqës partish politike; deputetë të Kuvendit të Kosovës; shoqata anekënd globit tokësor etj. Në nivel të pushtetit lokal, asambletë e 23 komunave të Kosovës e miratuan pothuajse në mënyrë unanime që lulëkuqja me katër petale, të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë. Shpresojmë që gjatë vitit 2025, ky simbol të marrë formë zyrtare nga Kuvendi i Kosovës.

Me qëllim që të jemi sa më të suksesshëm përballë mohimit të vazhdueshëm të gjenocidit nga ana e shtetit serb, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” e sheh të domosdoshme koordinimin e veprimtarisë së saj me institucionet politike, shkencore dhe shoqatat atdhetare anekënd globit tokësor me qëllim që e vërteta për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë të pranohet botërisht.

Vetëm duke u angazhuar për të ngadhënjyer drejtësia për të gjitha viktimat e gjenocidit, për ata mijëra fëmijë, gra, pleq, plaka dhe shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë mizorisht nga forcat e armatosura të Serbisë, për ato dhjetëra mijëra femra shqiptare të përdhunuara seksualisht dhe për poshtërimet që u janë bërë rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre, ne mund t’i urojmë njëri-tjetrit një vit të ri të përpjekjes për të mbyllur plagën e gjenocidit që kullon gjak, dhembje dhe vuajtje të qindra mijëra familjeve shqiptare.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ju uron Vitin e Ri 2025, me shpresë që angazhimet tona individuale dhe kolektive të kurorëzohen me rezultate pozitive në përpjekjet për të ngadhënjyer drejtësia.

Gjenevë, 31 dhjetor 2025

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”