Kreu Blog Faqe 92

Trimëresha Marjana Koçeku braktisi kopenë e bujkrobërve të kryeçifligarit Rama

2

Eshref Ymeri

Më në fund, nga radhët e partisë socialiste, shpërtheu haptas një zë i fuqishëm i deputetes malësore Marjana Koçeku kundër qëndrimeve rrugaçërore të Ramës ndaj qytetarëve dhe ndaj qeverisjes së tij antikombëtare.

E ndodhur para sulmit të turpshëm të batakut socialist, i cili kundërmon gjithandej nga të vjellat e Ramës poshtë e përpjetë, Zonja shumë e nderuar, Marjana Koçeku, ka reaguar me shumë dinjitet intelektual:

“Prej disa ditësh po përballem në rrjetet sociale me nji ushtri virtuale patronazhistësh e profilesh të rreme që më kërkojnë me e lanë mandatin. Me e lanë mandatin e kam shumë të lehtë. Por nuk jam mësue me i hapë rrugë të keqes, që ka marrë edhe formën e këtyne mercenarëve virtualë, të organizuem prej komandantëve të tyne – funksionarë të këtij shteti – për me përbaltë e me denigrue veç pse kam zgjedhë pavarësinë e përfaqësimit në parlament” (Citohet sipas: “Me e lanë mandatin e kam shumë të lehtë”, reagon Marjana Koçeku: Nuk jam mësue me i hapë rrugë të keqes” (Faqja e internetit “Drini”. 08 korrik 2026).

Pra, reagimi i kësaj deputeteje shumë të respektuar, dëshmon më së miri për diçka tepër domethënëse: Ajo ka krijuar bindjen e plotë se, në radhët e partisë socialiste, kupa e heshtjes serviliste ndaj bëmave rrugaçërore të Ramës, ka kohë që është mbushur, prandaj edhe ai duhet demaskuar me të gjitha mënyrat e mundshme. Dhe arsyet për një demaskim të tillë janë tepër të forta.

        Po mbushen 21 vjet që asokohe kur në krye të partisë socialiste vazhdon të sundojë me dorë të hekurt një njeri me mbiemrin Rama apo me emrin askushi.  Duke qenë në jetë askushi, një ditë të bukur ky Rama u peshkua nga Sorosi andej nga poshturat e Parisit dhe, përmes agjentit grek Fatos Nano, u katapultua në krye të partisë socialiste, një parti kjo, e cila e ka ndërruar emrin tri herë, pikërisht si puna e lavires, e cila i ndërron dashnorët me radhë.

Duke qenë pasardhëse e gjyshepartisë komuniste, të themeluar nga Miladini dhe Dushani, anëtarësia e saj nuk mund të ishte gjë tjetër, veçse një kope bujkrobërish në pronësi të kryeçifligarit Rama. Dhe jeta e ka vërtetuar gjatë 21 vjetëve, që, partia socialiste s’është gjë tjetër, veçse një formacion politik pa kurrfarë dinjiteti dhe pa kurrfarë morali kombëtar, pra, është një kope bujkrobërish. Kjo është arsyeja kryesore se pse forumi i lartë i partisë dhe gjithë anëtarësia e saj ka heshtur në mënyrë absolute para fakteve, të renditura në vijim, të cilat e demaskojnë paq Ramën, si faqen më të zezë në historinë e kombit shqiptar.

Le të flasim me gjuhën e këtyre fakteve.

  1. Kur Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, një pasdite tetori të vitit 2005, para forumit të lartë të partisë, pati paraqitur platformën për t’u zgjedhur kryetar, të cilën forumi ia hodhi poshtë, kurse të nesërmen, si me magji, e zgjodhi kryetar.

Vetvetiu lind pyetja: cila ishte ajo magji që ndikoi drejtpërsëdrejti në ngritjen e tij në postin e kryetarit të partisë? Çuditërisht, askush nga anëtarësia e forumit të lartë të partisë nuk reagoi absolutisht, se si qe e mundur një gjë e tillë? Pra, ai forum s’ishte gjë tjetër, veçse një kope bujkrobërish në zotërim të kryeçifligarit të ri Rama, i cili s’e pati problem t’i shtinte në dorë gjatë natës një e nga një nëpërmjet kapitalit gjigant financiar që kishte grumbulluar në postin e kryetarit të bashkisë.

  1. Gjashtë vjet më parë, avokati i njohur, Ilir Malindi, pati deklaruar:

“Edi Rama një i sëmurë psiqik tepër i rrezikshëm. Ka diagnozën “skizofren agresiv””, (Faqja e internetit  “Kosova sot”. 22 maj 2020).

Para këtij fakti, kopeja bujkrobëriste socialiste s’u bë kurrë e gjallë për të reaguar.

  1. Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike pranë partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka bërë një pyetje të thjeshtë kryetarit Rama:

“A jeni arrestuar dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me ikona të vjedhura?”. (Citohet sipas: Poli Hoxha. “4 dëshmi: A ka qenë Edi (Edvin) Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës së Nanos?!”. Faqja e internetit “Voal”. 20 dhjetor 2019).

  1. Më 30 qershor 2020, Gjergji Thimo, në studion e televizionit “Syri”, ku ishte i ftuar nga gazetari Adi Krasta, deklaroi:

“Numri i Ramës, i burgosur në Paris është: AL.1961138/a”.

Pra, kopeja e bujkrobërve socialistë e ka ditur, por ka heshtur, që ka në krye një njeri me probleme të rënda mendore dhe që paska qenë i burgosur në Francë, çka nuk e ka deklaruar në kartelën për pastërtinë e figurës.

  1. Prof.dr. Enver Bytyçi ka deklaruar për Ramën:

“Publicistika e tij antiKosovë e viteve 1990 dhe kundërshtimet ndaj Rrugës së Kombit ruheshin në kujtesën e shqiptarëve në Kosovë, ndaj dhe respekti ndaj tij ishte përtokë” (Citohet sipas: “Edi Rama është hero i kombit, popullit dhe shtetit të Serbisë”. Faqja e internetit “Kosova. Info”. 04 janar 2020).

  1. Rama qe rreshtuar haptas kundër ndërtimit të Rrugës së Kombit, çka e pati shprehur jo vetëm personalisht, por organizoi edhe korin e bujkrobërve socialistë kundër ndërtimit të saj. Mes atij kori bujkrobërish ushtonin zërat e servilëve të neveritshëm të Ramës, si Arben Isaraj, Erion Braçe dhe Fatmir Toçi. Megjithatë, Rruga e Kombit u ndërtua dhe u inagurua para afatit për meritë të kryeministrit Sali Berisha, por bujrobërit socialistë të kryeçifligarit Rama ndenjën strukur, si minjtë nëpër ferra.
  2. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, Rama, si tradhtar i Republikës së Dardanisë, vendosi taksën e Rrugës së Kombit dhe anëtarësia e bujkrobërisë socialiste e mbështeti plotësisht.
  3. Ish-deputeti, i ndjeri Dritan Prifti, vite të shkuara, nga foltorja e Kuvendit pati deklaruar:

“A ka shqiptar, që beson se zoti Edi Rama është i pastrehë? Ai, në deklaratën e tij të pasurisë, thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot. A ka shqiptar që e beson këtë gjë qesharake, që Edi Rama nuk ka shtëpi, që jeton me nënën e vet?” (Citohet sipas: Dritan Prifti. “Edi Rama vetëm me hundë thith tre mijë euro në ditë”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 10 korrik 2010).

  1. Faktet për vjedhjen e votave në vitin 2017 i pati bërë publike gazeta gjermane “BILD”, dhe, mes bisedave të përgjuara, u dëgjua edhe zëri i Ramës. Megjithëse ngriti një padi paradoksale kundër gazetarit të gazetës “BILD” për botimin e atyre përgjimeve, më pas Rama mblodhi bishtin dhe u tërhoq si breshka në ferrë.
  2. Nga radhët e kopesë së bujkrobërve socialistë, nuk u alarmua absolutisht askush pas botimit në internet të informacionit me titull: “Gazeta Gjermane BILD “ekzekuton” Ramën: Shqipëria, vendi në duart e një gangsteri” (Citohet sipas faqes së internetit “Koha Islame”, 15 maj 2019).
  3. Rama, si një frikacak i pështirë, më 21 janar 2011, i pati nxitur protestuesit të pushtonin kryeministrinë. Mes tyre, dikush, i frymëzuar nga servilizmi i papërmbajtur ndaj Ramës, e pati flakur në tokë flamurin kombëtar, ndërkohë që vetë Rama u fsheh si mi në kullën përballë piramidës.
  4. Kopeja e bujkrobërve socialistë s’e ka ngritur kurrë zërin për ta pyetur Ramën se cila ishte arsyeja që ai është dekoruar me Urdhrin “Kalorës i helenizmit”? Në një informacion, të botuar në internet, thuhet:

“Më 12 Dhjetor 2015, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga disa ministra të besueshëm që i fyen ditë e natë, që nuk bëjnë zë, bëri një vizitë në Jeruzalem dhe gjatë asaj vizitë ata u ndalën në Patriarkanën e Kishës Ortodokse Greke. Kryeministri Rama u betua si Kalorës i Kryqit të Madh, të Urdhërit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë. Ky titull u jepet personaliteteve të Greqisë, pra, me kombësi greke të besimit ortodoks, në raste të veçanta u jepet edhe personaliteteve me kombësi jo greke që kanë dhënë një kontribut të çmuar për ortodoksinë greke. Marrja e atij Urdhëri të Ortodoksisë Greke në atë kohë nuk iu bë me dije publikut të gjerë, por u mbajt i fshehtë. Askush nuk e shpjegon përse gjithë kjo fshehtësi nga Edi Rama? (Citohet sipas: Perse Edi Rama e mbanë të fshehtë Urdhërin “Kalorës i Kishës greke”? Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 15 tetor 2017).

  1. Ish-deputeti Andis Harasani kishte të drejtë kur deklaronte si më poshtë:

“Në PS është bërë mbizotëruese filozofia e të qëndruarit sa më pranë kryetarit të radhës. Nëse do që të jesh në listë dhe në vend të mirë për deputet, duhet të jesh pranë kryetarit… Shkurt, nëse do të doje një histori vetjake suksesi në politikë, duhet të jesh pranë kryetarit… Në këtë kuptim, shumica e kolegëve të mi të PS-së, ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, ndryshe flasin në publik dhe ndryshe flasin në kafene. Tek ata ka mbizotëruar filozofia e kryetarit që mendon se sa kohë ta mbajë trëndafilin në grusht, ka gjithmonë një shans për të ardhur në pushtet, dhe ndaj e shtrëngon aq fort e harron çdo gjë tjetër” (Citohet sipas: Andis Harasani. “Qumështi në diktaturë dhe PS-ja”. Gazeta “Panorama”. 24 qershor 2011). 

  1. Me heshtjen e vet para sjelljes rrugaçërore të Ramës, bujkrobërit socilistë kanë lejuar që ai të shndërrohet në një pronar pushtetplotë jo vetëm i partisë socialiste, por edhe i Republikës së Shqipërisë, çka të kujton anëtarësinë partisë së punës dhe të krejt strukturave të saj, të cilat rrinin sus para askushit Enver Hoxha. Kjo është një dukuri e shëmtuar që mund të shpjegohet vetëm me dy mënyra: ose korrupsioni në strukturat e larta të partisë socialiste, duke filluar që nga kryetari, është kaq i lartë, saqë i ka katandisur të gjithë anëtarët e tyre të notojnë në një të tillë batak të përbashkët, ku është e pamundur që ndokush të guxojë të manifestojë individualitetin e vet, ose mes anëtarësisë së saj mbizotëron ideja enveriste e nënshtrimit pa kushte para njëshit të partisë?
  2. Me mënyrën se si i trajton strukturat e larta të partisë dhe sidomos grupin e deputetëve socialistë, të cilët i ka shndërruar në deledeputetë, Rama ka ndikuar që në atë parti të lindin ca dukuri negative, të dëmshme këto dhe me pasoja  jo të mira për autoritetin e partisë socialiste, si anarshizmi, dyfytyrësia, hermetizmi, mosmirënjohja, pabesia, servilizmi, vulgariteti.
  3. Analisti i njohur, Ilir Yzeiri, ka theksuar:

“Partia Socialiste nuk është një formacion politik me  ide. Është një grumbull i madh interesash që nuk kanë as filozofi, as ide, as ideologji, pra, asgjë. Partia Socialiste Shqiptare është vazhduesja e Partisë Komuniste. Pjesa më e madhe e anëtarësisë së saj janë komunistët që kanë si kult Enver Hoxhën, por kjo e vërtetë nuk thuhet asnjëherë. Ata janë aty, pra, në PS, sepse nuk e përtypin dot as sot përmbysjen e komunizmit në Shqipëri dhe as në Europë…” (Citohet sipas: “Edi Rama apo heroi pa objekt”. Gazeta “Metropol”, 04 tetor 2005, f. 13).

  1. Anëtarësia e partisë socialiste ka heshtur ndaj reagimit të ish-deputetes Arta Dade, e cila, në gazetën “Telegraf” të datës 09 mars 2019, ka pasë hedhur idenë për rithemelimin e partisë socialiste? Në të vërtetë, partia socialiste nuk ka datë themelimi, sepse data 12 qershor 1991 shërben si data e ndërrimit të emrit të partisë së punës në parti socialiste, jo si data e themelimit. Prandaj ajo parti duhet të themelohet, me qëllim që, në krye të saj, të dalë një njeri me integritet të lartë intelektual dhe moral, me vetëdije të lartë kombëtare, i panjollosur nga balta e korrupsionit, në mënyrë që, në postin e kryeministrit, të gëzojë autoritet në marrëdhëniet me fqinjët dhe me Brukselin, që rivalët politikë t’i vlerësojë si konkurrentë nëpër fushatat zgjedhore dhe jo si armiq, siç i ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtojë antishqiptari Rama, i cili ka luajtur një rol mjaft negativ në pakësimin  e numrit të popullsisë, në përçarjen e popullit shqiptar dhe në varfërimin e tij? Deklarata e tij pas “fitores” në zgjedhjet e qershorit 2013, dëshmon për rolin e tij përçarës në radhët e popullit shqiptar. Një publicist i njohur shqiptaro-amerikan shkruante asokohe:

“Ai na përsërit fitoren historike të qershorit 2013, duke krahasuar votat që mori me “një milion topa, grushte apo shuplaka” që iu dhanë opozitarëve të sotëm.  Por… qenë pikërisht ato zgjedhje që mbushën parlamentin me mediokër, por të pasur, hajdutë, kriminelë me precedentë penalë, të lidhur me trafiqe e të korruptuar, siç e kanë marrë vesh tashmë edhe kalamajt e kopshteve.  (Citohet sipas: Andon Dede. “Kur gjykojmë qeverinë”. Faqja e internetit “alb.spirit”. 23 prill 2017).

Kaliforni, 08 korrik 2026

A ka permbushur Serbia kriteret për hapjen e grupkapitullit të negociatave?

0

Gani I. Mehmeti

Komisioni Evropian kishte rekomanduar që të hapet ky grupkapitull duke nënvizuar se Serbia i ka përmbushur kriteret e nevojshme.

Në një “notë informuese”, Komisioni mes tjerash vlerëson edhe angazhimin e Serbisë në procesin e dialogut me Kosovën.

“Komisioni mund të informojë Këshillin se Serbia vazhdon të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, siç është konfirmuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë”, thuhet në dokumentin që Komisioni Evropian ua ka dërguar vendeve anëtare, ku me një ton shumë pozitiv për Serbinë bën presion ndaj vendeve anëtare që të hapin kapituj të rinj në procesin e negociatave.

Vallë, a është një gjuhë e strëzbutur e këtij Komisioni ndaj Serbisë dhe a duket sikur në këtë formulim kanë ndikuar “ndërmjetësuesit” e mëparshëm të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, siç ishin Lajçak e Borell.

Madje, kësaj radhe kanë shkuar edhe më laerg, sa që Serbinë terroriste ku me një ton aq pozitiv dhe mosgatishmërinë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Komisioni mes tjerash vlerëson edhe angazhimin e Serbisë në procesin e dialogut me Kosovën, kur Bashkimi Europian e ka ende letrën e Bërnabiqit në sirtarët e saj se nuk do të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe as atë të Brukselit. Letër, që BE ka qenë dashur t’ia kthejë si të pavlefshme e të papranuar Bërnabiqit, duke kërkuar prej saj gjithsesi zbatimin e Marrëveshjeve.

Si është e mundur të vlerësohet se Serbia është e angazhuar në procesin e dialogut me Kosovën, kuir Vuçiq nuk ka pranuar të takohet me Kryeministrin e Kosovës qysh nga mandati i zgjedhur i këtij Komisioni të BE, e, Serbia është ajo që nuk ka qenë e gatshme të vazhdojë bisedimet me Kosovën, se Vuçiqi është ai që ka thënë me dhjetëra herë se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, e cila është bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Po, sepse, vetëm atëhere, mund të konsiderohet që Serbia ka hequr dorë nga pushtimi i Kosovës, e cila do të vërtetohet vetëm atëherë kur ajo do e nxjerrë jashtë nga kuishtetuta e Serbisë, se Kosova nuk është pjesë e saj.

Anëtarët e këtij Komisioni kanë fjetur, përveç ndonjë vizite të rrallë që e kanë pasur në Beograd, si ndërmnjetësues të bisedimeve mes këtyre dy shteteve. Kjo, përveç tjerash, është edhe një turp i madh i këtij Komisioni, për çka plot me vend u kundërshtua nga nëntë shtete dhe hezitimit të disa të thjerave. Është për keqardhje se si një numër shtetesh të tjera të BE e përkrahën këtë vlerësim, apo nuk e kishin dëgjuar e lexuar vlerësimin fare.

“Komisioni Evropian kishte rekomanduar që të hapet ky grupkapitull duke nënvizuar se Serbia i ka përmbushur kriteret e nevojshme”. – thuhet, pa përcaktuar se cilat ishin ato kritere i kishte “përmbushur”.  Për çka me vend,  kjo letër e Komisionit ka hasur në kritika nga ana e disa shteteve anëtare sepse ato mendojnë se nuk pasqyron realitetin në Serbi.

“Në kohën kur vendet e tjera po përparojnë në procesin e anëtarësimit, ne nuk duam që Serbia të mbetet prapa. Për këtë arsye, në dritën e disa zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit, Komisioni ka përsëritur rekomandimin drejtuar Këshillit për të hapur grupkapitullin 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë”, ka konfirmuar në debat në Parlamentin Evropian edhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Kjo lë të kuptohet se Serbinë, edhe pa dashjen e saj, duhet futur në Bashkimin Europian, me ose edhe pa plotësimin e kritereve nga ajo!

Megjithatë, nga disa parlamentarë europioanë u tha e vërteta edhe me sa vijon, ku u prfshinë të gjitha mungesat  e Serbisë, përfshirë edhe aktin terrorist të saj në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

“Në vend që të hapë dhe të mbyllë kapitujt e negociatave, qeveria e Serbisë po hap dilema të reja dhe po krijon tensione të reja me fqinjët. Nuk mund të flasim për përparim në dialogun me Kosovën nëse përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë nuk sillen para drejtësisë. Ne, si Parlament Evropian, duhet të jemi të palëkundur në përkushtimin tonë ndaj respektimit të vlerave dhe rregullave. Nuk mund të heshtim përballë prapakthimit në sundimin e ligjit, erozionit të standardeve demokratike dhe ndikimit shkatërrues në stabilitetin e rajonit”, ka thënë Piculla.

Parlamenti Evropian ka kritikuar Serbinë edhe për vazhdimin e forcimit të raporteve me Rusinë dhe për presion ndaj mediave.

Ramiz Mujaj, pas dyzet vitesh në SHBA , ktheht në Dukaivë të Rugovës për të jetuar këtu përgjithmonë

0

Sak Muji, Dukaivë, Rugovë

RAMIZ MEHMET MUJAJ – NJË DËSHMI E GJALLË E RUGOVËS

Për Portalin DRINI

Ka intervista që dëgjohen për disa minuta dhe harrohen. Por ka edhe rrëfime që mbeten si dëshmi për brezat. E tillë ishte intervista mbi 30-minutëshe e vëllait tim të dytë, Ramiz Mehmet Mujaj, në TV Dukagjini, të cilin e përgëzoj për realizimin dhe ruajtjen e kësaj dëshmie me vlerë historike, kulturore dhe njerëzore.

Ramizi është i dyti ndër 11 fëmijët e Mehmet dhe Hajrije Mujaj, në një familje me gjashtë vëllezër dhe pesë motra, e rritur në Rugovën krenare, mes bjeshkëve, kullave, sakrificës dhe dashurisë për tokën e të parëve.

Gjatë intervistës, ai nuk foli me gjuhën e politikës, por me gjuhën e kujtesës.

Nuk kërkoi lavdi për veten, por solli dëshmi për Rugovën, për jetën e brezit tonë, për mërgimin, për artin, për natyrën dhe për historinë që po largohet bashkë me njerëzit që e kanë jetuar.

Me qetësinë e një njeriu që ka parë shumë, Ramizi dokumentoi Rugovën e dikurshme, jetën e familjeve rugovase, rrugëtimin e vet jetësor dhe kontributin që ka dhënë ndër dekada. Veçanërisht më prekën dy mendime të tij.

I pari: “Problemi më i madh është që historianët dhe politikanët nuk janë marrë me faktin se edhe një Rugovë tjetër është prej Bogës deri në Ivangrad.”

Një fjali e shkurtër, por me peshë të madhe historike. Një thirrje që historia e Rugovës të studiohet më thellë, me dokumente, me kujtesë dhe me respekt për të kaluarën.

I dyti: “Kaniherë ma merr mendja që unë kam ardhë dhunshëm këtu. Për 40 vite kam dhanë më së paku 150.000 ose 200.000 dollarë, pare kesh, për çashtjen shqiptare.” Në ato pak fjalë pashë historinë e një brezi të tërë mërgimtarësh shqiptarë. Pashë mundin e viteve, punën e rëndë, sakrificën familjare dhe ndihmën e pandërprerë për atdheun, pa kërkuar as dekorata e as lavdërime.

Ramizi foli edhe për artin e tij, për lulet që i ka dashur gjithmonë, për vizatimet, për natyrën dhe për Rugovën që e ka mbajtur në zemër gjatë gjithë jetës. Ndoshta dikush mund të vërejë se ai nuk përmendi shumë emra. Por për mua kjo nuk ka rëndësi. Sepse kur ai flet për Rugovën, aty janë prindërit tanë Mehmeti dhe Hajrija.

Aty janë gjashtë vëllezërit dhe pesë motrat. Aty janë të gjithë ata që e ndërtuan jetën me ndershmëri dhe sakrificë. Si vëllai i tij, ndjeva krenari duke e dëgjuar. Jo vetëm për atë që tha, por edhe për mënyrën si e tha: me maturi, me dinjitet dhe me dashuri për vendlindjen.

Në një kohë kur shumë kujtime po humbin, intervista e Ramiz Mehmet Mujajt mbetet një dokument i vlefshëm për Rugovën, për mërgatën shqiptare dhe për brezin që dha shumë për kombin, pa kërkuar asgjë në këmbim. Faleminderit TV Dukagjini për këtë intervistë. Faleminderit Ramiz, për dëshminë, kujtesën dhe dashurinë që vazhdon t’ia dhurosh Rugovës.

“Si jetuam” – Pas 40 vitesh Amerikë, kthehet përgjithmonë në Rugovë

Koçeku shpërthen për 4 milionët e Kanye West: “Shqipëria po digjet, qeveria bën spektakël”

1

Marjana Koçeku deputetja e cila rreth një muaji më parë vendosi që të dilte nga “gjiri” i të majtës shqiptare dhe të vazhdonte rrugëtimin e saj në Parlament si e pavarur ka diçka për të thënë edhe sa i përket shumës prej 4 milionë euro që qeveria shkëputi nga buxheti i shtetit me qëllim koncertin e Kanye West.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku ka kritikuar hapur qeverinë për këtë vendim të marrë së fundmi, duke sjellë si një dëshmi katastrofën që sipas saj u bë një vit më parë nga zjarret.

“E kam pa nga afër dëmtimin e jashtëzakonshëm që iu bë natyrës”, shkruan Koçeku një vit pas zjarreve të verës së kaluar, duke shtuar më tej kështu se për shkak të temperaturave të larta situata pritet që këtë vit të jetë më alarmante.

Prandaj, për këtë arsye ajo thekson se ky fond prej 4 milionë eurosh duhet të ishte investuar në parandalimin e zjarreve dhe forcimin e kapaciteteve të emergjencave, e jo për ndërtimin e një stadiumi “një përdorim”, siç dhe ajo e quan, ku West do të perforomojë mbrëmjen e së shtunës.

“Vjet vendi ynë kaloi një katastrofë zjarresh. E kam pa nga afër dëmtimin e jashtëzakonshëm që iu ba natyrës. Këtë vit pritet që situata të jetë edhe ma alarmante për shkak të temperaturave të larta.

4 milionë eurot e nji stadiumi njipërdorimsh do të duhej të ishin investu në parandalimin e zjarreve, në mbështetjen e banorëve dhe në forcimin e kapaciteteve të emergjencave.

Shteti dhe llogaridhania nuk zëvendësohen me spektakël. Humbja e natyrës asht humbje e Shqipnisë”,shkruan Koçeku.

Një qeveri e sabotuar, në kohën e trenave me levitim magnetik

0
KOSOVA ËSHTË NJË KARROCË KUAJSH QË TËRHIQET NGA NJË QEVERI E SABOTUAR, NË EPOKËN E TRENAVE ME LEVITIM MAGNETIK
(Vetëm analiza dhe diagnoza e saktë e shëron pacientin, sepse ia hap shtigjet mjekut për terapi precize)
(Dija duhet ta udhëheqë politikën, e jo politika dijën)
Një shtet nuk matet vetëm me kapitalin që ka në arkën e tij.
Ai matet me atë që arrin ta ndërtojë me atë kapital.
Sepse paratë që mbeten të papërdorura janë vetëm shifra. Ato nuk ushqejnë familje, nuk ndërtojnë fabrika, nuk krijojnë vende pune dhe nuk u japin njerëzve dinjitet.
Një shtet i mençur nuk i ruan paratë dhe burimet e tij si relikte në muze.
Ai i shndërron ato në energji për të ardhmen.
Kosova sot ka një nga borxhet publike më të ulëta në Evropë. Kjo nuk është thjesht një statistikë ekonomike, por një derë e hapur drejt një mundësie historike.
Por një derë nuk ka asnjë vlerë nëse askush nuk guxon ta hapë.
Pyetja nuk është nëse Kosova duhet të investojë.
Pyetja e vërtetë është:
A kemi guximin ta ndërtojmë vendin tonë ashtu siç e meritojnë brezat që do të vijnë?
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme kur e kuptojmë se qeveria aktuale nuk po e drejton një shtet të zakonshëm, të çliruar nga të gjitha pengesat.
Ajo po përpiqet ta zhvillojë një republikë, subjektiviteti ndërkombëtar i së cilës ende vihet në pikëpyetje nga një pjesë e rëndësishme e botës, ndërsa disa regjime klerofashiste sllave në lindje vazhdojnë të punojnë ditë e natë për ta dobësuar ekonomikisht, diplomatikisht dhe politikisht.
Sikur kjo të mos mjaftonte, një pjesë e opozitës së brendshme shpesh nuk sillet si një rivale korrekte në garën demokratike për ndërtimin e shtetit, por si një forcë destruktive që hedh përditë zhavorr në ingranazhet e tij, duke e penguar kronikisht ecjen përpara.
Njëkohësisht, kryeministri Albin Kurti trashëgoi nga qeveritë e mëparshme një barrë të rëndë politike dhe juridike, veçanërisht çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila vazhdon të prodhojë trysni ndërkombëtare dhe kërkesa shpesh të papajtueshme mes tyre.
Kur kësaj tabloje i shtohen edhe sfidat më të mëdha globale të dekadave të fundit — pandemia, lufta në Ukrainë, rivaliteti i fuqive të mëdha, kriza energjetike, pasiguria ekonomike dhe sulmet e vazhdueshme hibride nga analistë e gazetarë të paguar — atëherë na bëhet e qartë përmasa e jashtëzakonshme e sfidave me të cilat përballet kjo qeveri.
Prandaj, asnjë analizë serioze nuk mund t’i shpërfillë këto rrethana.
Por po aq e vërtetë është se asnjë vështirësi nuk duhet të shërbejë si justifikim për të hequr dorë nga synimi për më të mirën.
Pikërisht në kohë të vështira lind nevoja për më shumë guxim, më shumë dije dhe më shumë vendime largpamëse.
Prandaj politika duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë mbi dijen, shkencën dhe ekspertizën.
Me një fjali:
Dija duhet ta udhëheqë politikën, e jo politika dijen.
Sepse një shtet përparon vetëm kur politika udhëhiqet nga dija dhe jo kur dija detyrohet t’u nënshtrohet interesave të politikës.
Një komb nuk bëhet i fortë duke numëruar sa pak ka humbur.
Ai bëhet i fortë duke e ditur sa shumë mund të fitojë.
Historia nuk i kujton popujt që vetëm kursyen.
Ajo i kujton sidomos ata që ndërtuan.
Ata që ngritën ura aty ku kishte ndarje.
Ata që hapën rrugë aty ku kishte pengesa.
Ata që panë shtigje dhe horizonte aty ku të tjerët panë vetëm male me ferra.
Kosova ka nevojë për një vizion që shikon përtej një mandati politik dhe përtej interesave të ditës.
Ka nevojë për një mendim që shtron pyetjen:
“Çfarë do t’u lëmë trashëgim fëmijëve tanë?”
Sepse politika më e madhe nuk është ajo që i fiton zgjedhjet.
Politika më e madhe është ajo që e ndërton të ardhmen.
Pa energji nuk ka industri.
Pa industri nuk ka ekonomi të fuqishme.
Pa ekonomi të fuqishme nuk ka shtet të qëndrueshëm.
Prandaj Kosova duhet të ndërtojë burime të reja energjie, rrjete moderne të transmetimit dhe kapacitete që e bëjnë ekonominë e saj më të sigurt dhe më konkurruese.
Një vend që nuk prodhon energji mbetet i varur nga të tjerët.
Një vend që prodhon energji prodhon edhe pavarësi.
Kosova ka nevojë për hekurudha moderne.
Sepse një shtet pa transport bashkëkohor është si një njeri me ëndrra të mëdha, por me këmbë të lidhura.
Hekurudhat nuk janë vetëm shina çeliku.
Ato janë arteriet e ekonomisë.
Ato i lidhin prodhuesit me tregjet, qytetet me Evropën dhe idetë me mundësitë.
Kosova ka nevojë për fabrika, parqe industriale dhe qendra teknologjike.
Sepse rinia jonë nuk duhet të jetë eksporti ynë më i madh.
Eksporti ynë më i madh duhet të jetë dija, puna dhe produktet që krijohen këtu.
Një vend që humb të rinjtë e tij humb e kapitalin e tij më të çmuar.
Një vend që u krijon atyre mundësi e ndërton të ardhmen e vet.
Kosova duhet ta shndërrojë bujqësinë nga një mjet mbijetese në një industri moderne.
Toka nuk duhet të jetë vetëm vend ku mbillet.
Ajo duhet të jetë vend ku krijohet pasuri.
Me ujitje moderne, me magazina, me industri përpunuese dhe me teknologji bashkëkohore, bujqësia mund të bëhet një nga shtyllat kryesore të fuqisë ekonomike të vendit.
Por pasuria më e madhe e Kosovës nuk ndodhet nën tokë.
Ajo ndodhet në mendjet e njerëzve të saj.
Prandaj duhet të investojmë në shkolla që krijojnë dije e jo vetëm diploma, në universitete që prodhojnë kërkim shkencor dhe në teknologji që na lidh me ekonominë e së ardhmes.
Bota nuk po hyn në epokën e re vetëm me ushtri.
Po hyn me dije.
Me inovacion.
Me inteligjencë artificiale.
Me njerëz që dinë të krijojnë.
Një shtet nuk është i qytetëruar vetëm sepse ka ndërtesa të bukura.
Ai është i qytetëruar kur qytetarët e tij gëzojnë shëndetësi dinjitoze, administratë që u shërben dhe institucione që i respektojnë.
Spitalet moderne nuk janë luks.
Ato janë dëshmi e vlerës që një shoqëri i jep jetës njerëzore.
Administrata digjitale nuk është vetëm teknologji.
Ajo është respekt për kohën dhe dinjitetin e qytetarit.
Kosova nuk vuan nga mungesa e potencialit.
Ajo vuan nga mungesa e guximit për ta shndërruar potencialin në realitet.
Një farë e mirë nuk bëhet pemë vetëm pse ruhet në zemër.
Ajo bëhet pemë vetëm kur mbillet.
Edhe një shtet nuk zhvillohet vetëm sepse ka mundësi.
Ai zhvillohet kur dikush ka guximin t’i shfrytëzojë ato.
Një lokomotivë nuk ecën sepse i lustrohen rrotat.
Ajo ecën sepse ka energji dhe shina mbi të cilat mund të lëvizë.
Edhe Kosova është një lokomotivë.
Pyetja është:
A do të mbetet një karrocë e vjetër kuajsh që tërhiqet nga një kalë i lodhur, ndërsa bota udhëton me trenat më të shpejtë?
Apo do t’i ndërtojë shinat e veta dhe do të ecë me vendosmëri drejt së ardhmes?
Përgjigjja nuk varet vetëm nga ekonomia.
Ajo varet nga guximi.
Nga vizioni.
Nga aftësia për të menduar përtej një dite, një viti apo një mandati.
Sepse brezat që do të vijnë nuk do të na pyesin sa para ruajtëm.
Ata do të na pyesin:
“Çfarë ndërtuat me atë që kishit?”
Dhe kjo është pyetja që çdo brez duhet t’ia bëjë vetes.
Kosova nuk është krijuar për të qëndruar në vend.
Ajo është krijuar për të ecur.
Për të ndërtuar.
Për të krijuar.
Për të dëshmuar se edhe një komb i vogël mund të ketë ëndrra të mëdha.
Sepse shtetet e mëdha nuk lindin nga madhësia e territorit.
Ato lindin nga madhësia e vizionit.
Dhe lokomotivat e historisë nuk presin që koha t’i marrë me vete.
Ato e ndërtojnë vetë rrugën e tyre.

Sipas interpretimeve serbomëdha, “serbët” nuk u konvertuan në Islam, mbetën ortodoksë dhe u shqiptarizuan

Si u asimiluan serbët ortodoksë në shqiptarë ortodoksë?!!!
Autorë të shumtë serbë, si Jovan Haxhi-Vasiljeviç (vepra Južna Stara Srbija), Atanasije Urosheviç (vepra Kosovo), Jovan Cvijiç, pastaj Vladimir Çoroviç etj., pohojnë se “serbët ortodoksë në Kosovë u arbanizuan (u shndërruan në shqiptarë ortodoksë) me dhunë”.
Pra, sipas tyre, ata nuk u asimiluan në “shqiptarë myslimanë” apo në “osmanë-turq”, por në mënyrë të dhunshme në “shqiptarë ortodoksë” gjatë periudhave të ndryshme nën sundimin osman.
Për ta theksuar edhe njëherë: sipas këtij interpretimi, ata nuk u konvertuan në Islam, as me dhunë e as për shkak të privilegjeve, por mbetën ortodoksë dhe u shqiptarizuan. Shih ti?!!!
Siç dihet, Siprien Rober (Cyprien Robert), gjatë udhëtimit të tij në vitet 1830–1840, në rrethin e Prizrenit regjistron “56 fshatra ortodokse që visheshin me veshje shqiptare dhe flisnin shqip”.
Ngjashëm përshkruan edhe Bue (Ami Boué), gjatë udhëtimit të tij nëpër Kosovë më 1836–1838, sidomos në rrugën nga Gjilani për në Prishtinë, duke shënuar “fshatra ortodokse ku banorët mbanin veshje shqiptare dhe flisnin shqip”.
Pastaj kemi edhe fotografi nga manastiret ortodokse ku shihen njerëz me veshje tipike kombëtare shqiptare.
Tani, sipas historianëve hegjemonistë serbë: këta njerëz ishin serbë të asimiluar në shqiptarë!
Por shtrohet pyetja: si paskan mundur shqiptarët t’i asimilojnë ata!?
Kur dihet mirëfilli se në Perandorinë Osmane shqiptarët zyrtarisht nuk njiheshin kurrë si entitet (millet). Ne ishim ose pjesë e umetit (myslimanët), ose e Rym milletit (ortodoksët). Ndërsa pjesa katolike nuk ishte pjesë e sistemit klasik të milletit; ata kishin një trajtim tjetër, deri rreth vitit 1830, kur filloi njohja e strukturave katolike si “Latin millet”.
E pra, si paskan pasur mundësi shqiptarët t’i asimilojnë serbët ortodoksë në shqiptarë ortodoksë, kur jo vetëm që shteti nuk ishte i tyre — që do të thotë se nuk dispononin as me “shkopin” e as me “karrotën” — por edhe manastiret dhe liturgjia ortodokse zhvilloheshin në gjuhën greke koine, gjuhën e Biblës!!!?
A mos vallë ishte e kundërta: a mos ndoshta ata ishin shqiptarë ortodoksë, të cilët Serbia i serbizoi pasi i pushtoi trojet shqiptare, dhe këtë e bëri më shumë me “shkop” sesa me “karrotë”. Realisht, në fillim, pothuajse krejt me shkop!!!
Andaj, ju Gašić’ët, Kastratović’ët, Kučić’ët, Tačić’ët…, pa marrë parasysh se si i keni emrat Nemanja, Periša, Radovan apo Zoran, bëjani këto pyetje vetes.

Edhe në kishën e Shën Prokopit fëmijtë i mëkojnë greqisht, sikurse në Katedralen Ortodokse të Tiranës

0
NJË TJETËR KISHË GREKE NË TIRANË
Atë Foti Cici
Kjo foto e projektit të kishës së re të Shën Prokopit që do të ndërtohet në kryeqytetin shqiptar, tregon edhe një herë punën e madhe shkombëtarizuese që vijon të bëhet në Shqipëri nga prapashteti grek nëpërmjet kishës sonë kombëtare: një kishë autoqefale e kapur dhe e privatizuar krejt nga shefi i shërbimeve të posaçme greke në Shqipëri dhe kandidati për President i Greqisë (2015), kryepeshkopi antishqiptar Anastasios Janullatos!
Kjo kishë është konceptuar të ndërtohet si një tempull me tipare, mbishkrime, simbolikë dhe pritshmëri greke!
Me ndihmën e shërbimeve të fshehta të shtetit grek dhe të segmenteve të errëta të lobit greko-amerikan, janë bërë investime marramendëse për të imponuar mbi 95% të mbishkrimeve në kishat e reja këta tre dhjetëvjeçarë në gjuhën greke; në gjithë Shqipërinë!
Kjo bëhet për të vazhduar e trashëguar një gënjeshtër të madhe në histori, mbi “grekësinë” e komunitetit ortodoks në Shqipëri. Mbi këtë mashtrim janë themeluar dhe baraspeshohen marrëdhëniet shqiptaro-greke në nivele shtetërore ende sot!
Mbishkrimet greqisht në kishat e vjetra shqiptare, të cilat janë ndërtuar nga mungesat dhe gjaku i paraardhësve tanë, i përkasin kohës kur gjuha greke (në mbishkrimet kishtare dhe në arsimin e ortodoksëve) ishte e detyruar me ligj perandorak gjatë pushtimit turk; atëherë kur shqipja ndalohej nga shteti dhe për rrjedhojë edhe nga kisha, e cila ishte caktuar nga turqit për të asimiluar dhe shtypur shqiptarët. Ato zëra që guxonin të thoshnin të vërtetën, mbyteshin!
Nuk është rastësi, pra, që figurat ndriçuese për zgjimin dhe ndërgjegjësimin e shqiptarëve ortodoksë (për shkrimin dhe kultivimin e gjuhës amtare), gjatë pushtimit osman e deri në konsolidimin e shtetit shqiptar, janë vrarë!
E njëjta armiqësi ndaj gjuhës shqipe dhe vetëpërcaktimit shqiptar ndodh edhe sot, edhe pse me mënyra të tjera, me blerje vendimesh e shpirtrash dhe duke na përndjekur nëpërmjet shërbimeve të errëta greke, përderisa gjuha shqipe nuk është më e ndaluar nga shteti dhe kisha, që lufta të bëhet haptas.
Vijojnë dhe trashëgohen historitë e rreme, për të përjetësuar një gënjeshtër të madhe, se ortodoksët në Shqipëri qenkan grekë, ashtu siç paskan edhe kishat e tyre: me tipare dhe gjuhë greke!
Edhe ato pak emëshkrime shqip në ikonografinë e këtyre tre dhjetëvjeçarëve, nuk kanë fuqi t’i bëjnë ballë shkombëtarizimit të komunitetit ortodoks, sepse paraqesin një gjuhë të dytësuar, pa dinjitet të barabartë me greqishten: një gjest mëshire dhe lëmoshe greke ndaj shqiptarëve.
Nga këndvështrimi ortodoks, greqishtja nuk ka më vend në kishat shqiptare, por vetëm në kishat e pakicave greke, sepse në Kishën Ortodokse mbishkrimet paraqiten në gjuhën e besimtarëve; ashtu si në kishat e vendeve fqinje.
* * *
Mbishkrimet dhe simbolika greke në ndërtimin dhe rindërtimin e kishave të reja këta tridhjetë vjet ka dëbuar nga kisha pjesën më të madhe të shqiptarëve ortodoksë!
Nëse Janullatosi është klerik besimtar dhe jo agjent i prapashtetit grek me petkun e kryepeshkopit, ai ka rastin që projektin e fundit të pranisë së tij në vendin tonë ta bëjë ashtu siç duhet: një kishë me arkitekturë, simbolikë, ngjyra dhe gjuhë vendore! Kjo do ta ndihmonte paksa edhe figurën e tij përndryshe të urryer në gjithë hapësirën shqiptare!
Përderisa Janullatosi ka bërë katedralen e Tiranës krejt greke në çdo këndvështrim, atje ku ka planifikuar edhe varrin e vet, përse kisha e Shën Prokopit të mos bëhet shqiptare dhe madje me varrin e Kryepeshkopit martir Kristofor Kisi, i cili ka tridhjetë vjet i shpërnjohur nga kryepeshkopi i sotëm antishqiptar në varrezat e Sharrës, atje ku e ndëshkoi regjimi ateist?
* * *
Çështjen e emërshkrimeve të ikonografisë e pranon dhe vetë KOASh-i, prandaj dhe në postimet e tyre në Facebook ikonat gjithmonë kompjuterizohen me emra shqip…
Nëse emërshkrimet greqisht janë të drejta dhe të mbara, përse të mos t’i nxjerrin njësoj greqisht edhe në postimet e tyre në Facebook, por i përçudnojnë në kompjuter për t’iu hedhur hi në sy shqiptarëve?
Ashtu siç ndodhi me katedralen e re në Tiranë, kur menjëherë pas përurimit të saj nisi dhe përdorimi i rregullt greqisht, njësoj do të vazhdojë edhe në kishën e re të Shën Prokopit!
Siç e kam ngritur këtë çështje edhe më parë, në kishën e Shën Prokopit fëmijtë i mëkojnë greqisht (shih postimin plotësues më poshtë).
Greqishtja në kishën e Shën Prokopit në Tiranë (22 dhjetor 2020):
‐————-
FOTO: Kalendari i KOASh-it 2022.

Kur historia përdoret për të deformuar identitetin shqiptar dhe “shiptarellat” e ish-profesorit universitar Milazim Krasniqi

0
Edhe pse këto ditë të korrikut do të preferoja t’ua kushtoja pushimeve dhe jo polemikave me pseudo-intelektualë, disa shkrime kërkojnë reagim. Jo për shkak të peshës së autorit, por për shkak të dëmit që mund t’i shkaktojnë vetëdijes historike dhe identitare të shqiptarëve.
Të jesh intelektual nuk do të thotë të kesh tituj akademikë, libra të botuar apo kolumna në media. Intelektual është ai që i shërben së vërtetës, që ndriçon historinë dhe që nuk e përdor atë si mjet propagande ideologjike. Kur historia manipulohet për t’i shërbyer një agjende fetare, intelektuali shndërrohet në propagandist.
Pikërisht ky është problemi themelor me tezën e Milazim Krasniqit. Ai përpiqet ta paraqesë historinë shqiptare si histori të një komuniteti fetar dhe jo si histori të një kombi. Në narrativën e tij, shqiptarët reduktohen në kategorinë “myslimanë”, ndërsa identiteti kombëtar, gjuha, kultura, tradita dhe vetëdija shqiptare shtyhen në plan të dytë.
Kjo qasje nuk është vetëm e gabuar. Është e rrezikshme.
Po, është fakt historik se gjatë Luftërave Ballkanike shumë shqiptarë myslimanë u trajtuan nga ushtritë serbe e bullgare si “turq” apo “osmanë”. Këtë e dëshmojnë Leo Freundlich në veprën “Albania’s Golgotha”, Edith Durham, Leon Trotsky dhe shumë autorë të tjerë. Por ky nuk është argument se serbët luftuan kundër Islamit. Është argument se pushtuesit identifikonin gabimisht shqiptarët me Perandorinë Osmane.
Pyetja që Milazim Krasniqi e shmang është kjo: pse u masakruan shqiptarët ortodoksë dhe katolikë?
Pse u vranë shqiptarë të Karadakut, të Kumanovës, të Shkupit, të Manastirit e të viseve të tjera, të cilët nuk ishin myslimanë?
Pse u shkatërruan qendrat urbane shqiptare të Manastirit dhe Shkupit?
Pse u dëbuan familje shqiptare pa dallim besimi?
Përgjigjja është e thjeshtë: sepse objektivi ishte shqiptari, jo myslimani.
Kjo është arsyeja pse historiografia serioze e trajton çështjen shqiptare si çështje kombëtare dhe jo si konflikt fetar.
Edhe më paradoksale është përpjekja për ta paraqitur Perandorinë Osmane si një lloj mbrojtëse të shqiptarëve. Historia dëshmon të kundërtën.
Në vitin 1910, Perandoria Osmane dërgoi ushtri për të shtypur kryengritjen shqiptare në Kosovë. Idriz Seferi, Isa Boletini dhe qindra luftëtarë shqiptarë nuk po luftonin kundër Serbisë, por kundër pushtetit osman. Beteja e Kaçanikut ishte përballje mes shqiptarëve që kërkonin liri e autonomi dhe një perandorie që kërkonte nënshtrim.
Në vitin 1911, vizita e sulltan Mehmed V në Kosovë nuk ishte akt dashurie ndaj shqiptarëve. Ishte përpjekje për të rikthyer kontrollin mbi një popull që po zgjohej kombëtarisht.
Prandaj është intelektualisht e pandershme të paraqitet historia sikur shqiptarët kanë vuajtur vetëm sepse ishin myslimanë. Shqiptarët kanë vuajtur sepse ishin shqiptarë.
Ata u shtypën nga Perandoria Osmane kur kërkuan të drejta kombëtare.
Ata u masakruan nga shtetet ballkanike kur kërkuan liri.
Ata u përndoqën nga Jugosllavia kur kërkuan barazi.
Dhe në të gjitha këto periudha, viktima ishte kombi shqiptar.
Milazim Krasniqi përmend me të drejtë Naçertaninë e Garashaninit, elaboratet e Vaso Çubrilloviqit, projektet e Ivo Andriqit, terrorin e Rankoviqit dhe Memorandumin e Akademisë Serbe. Por ai shmang një fakt vendimtar: asnjëri prej këtyre projekteve nuk synonte thjesht myslimanët. Synonte shqiptarët.
Madje gjatë periudhës jugosllave, politika e Beogradit shpesh i inkurajonte shqiptarët të deklaroheshin “turq” dhe të shpërnguleshin në Turqi. Kjo nuk ishte mbrojtje e identitetit islam. Ishte strategji për zbrazjen e trojeve shqiptare.
Prandaj është absurde që sot çdo kritikë ndaj islamizimit politik të paraqitet si pjesë e projektit serb.
Sipas kësaj logjike, rilindësit shqiptarë do të duhej të konsideroheshin pjesë e “botës serbe”, sepse ata shpallën se feja e shqiptarit është shqiptaria.
Edhe Pashko Vasa, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica dhe qindra mendimtarë të tjerë e vendosën kombin mbi ndarjet fetare.
A ishin edhe ata pjesë e ndonjë komploti serb?
Sigurisht që jo.
Ata e kuptuan atë që disa ideologë fetarë ende refuzojnë ta pranojnë: shqiptarët kanë mbijetuar jo falë ndonjë perandorie, jo falë ndonjë ideologjie fetare dhe jo falë ndonjë ummeti, por falë gjuhës, kulturës, traditës dhe vetëdijes së tyre kombëtare.
Edhe ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 nuk u bë për të mbrojtur një komunitet fetar. NATO ndërhyri për të ndalur spastrimin etnik dhe krimet kundër popullsisë shqiptare të Kosovës.
Askush nuk bombardoi Serbinë për shkak të fesë së shqiptarëve.
Bota ndërhyri sepse po dëbohej një popull nga toka e vet.
Prandaj debati nuk është nëse shqiptari është mysliman, katolik apo ortodoks. Debati është nëse identiteti kombëtar do të mbetet themeli i shoqërisë shqiptare apo do të zëvendësohet nga identitete fetare që historikisht kanë ardhur nga jashtë.
Historia shqiptare nuk është histori e një feje.
Është histori e një kombi.
Dhe sa herë që dikush përpiqet ta zëvendësojë kombin me fenë, ai nuk po mbron historinë shqiptare. Ai po e deformon atë.
Screenshot

Lumir Abdixhiku (s’)duhet të dorëhiqet!

1

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

Para se të japim një përgjigje meritore në titullin e vendosur në formë hipoteze, do të thosha se vetë ngritja e idesë apo akti i insistimit për dorëheqjen (ose mosdorëheqjen) e mundshme të kryetarit të LDK-së, profesorit Lumir Abdixhiku, nuk është ndonjë kërkesë apo insistim i menjëhershëm nga individë ose grupe interesi brenda vetë këtij subjekti. Përkundrazi, është një tagër që vetë ai e ka promovuar vazhdimisht publikisht, në rast se nuk arrin ta rrisë kuotën elektorale. Megjithatë, për ta argumentuar sociologjikisht këtë konstatim, duhet paraprakisht të parashtrojmë disa hipoteza analitike e sociologjike.

E para, ajo që mund të adresohet rreth kësaj tematike ka të bëjë me krizën e thellë të legjitimitetit politik që është duke e përcjellë këtë subjekt, ku pothuajse të njëjtat klane zhvillojnë beteja për marrjen e primatit dhe legjitimitetit politik. Një pjesë e anëtarësisë, por edhe e opinionit të gjerë publik, ka filluar të bindet se rezultatet në të gjitha këto palë zgjedhje nuk po përputhen askund me pritjet, me planet, e as me narrativën e ndonjë fitoreje, qoftë edhe “fitore të Pirros”, të këtij subjekti me historinë më të gjatë politike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Të paktën kështu flet logjika e përgjegjësisë politike.

E dyta, lidershipi aktual i këtij subjekti, por edhe vetë kryetari, madje edhe publiku i gjerë, duhet të kuptojnë se në demokracitë bashkëkohore suksesi dhe dështimi shpesh i atribuohen individit dhe jo organizatës. Në secilën parti politike bashkëkohore, figura e kryetarit është “lokomotiva” simbolike e të gjitha kënaqësive e pakënaqësive, sukseseve e dështimeve, por edhe e fitoreve apo humbjeve në një cikël të caktuar zgjedhor.

E treta, dorëheqja e kërkuar, pa asnjë dyshim, duhet parë edhe si narrativë e një pjese të konkurrencës brenda vetë partisë, e cila bën plane si për kontrollin e partisë, ashtu edhe për pozicionet e saj, gjë që është një e drejtë legjitime në çdo parti politike bashkëkohore. Tekefundit, ndërrimi i elitave politike, sipas Vilfredo Pareto-s, por edhe Gaetano Mosca-s, është një proces jo vetëm i shëndetshëm për partitë politike, por edhe i domosdoshëm, sepse ua rikujton liderëve përgjegjësinë që kanë si për dështimet, ashtu edhe për sukseset.

Andaj, në gjykimin sociologjik, pyetja më thelbësore në rastin për të cilin po flasim nuk është vetëm nëse Lumir Abdixhiku duhet apo jo të japë dorëheqje, por: a është problemi i kësaj plandosjeje sistematike të LDK-së produkt i paaftësisë së Lumirit dhe mungesës së karizmës për ta gjetur formulën e duhur për fitore politike, apo problemet duhet të adresohen diku tjetër, si p.sh. te rishqyrtimi i modelit dhe narrativës së organizimit të gjitha strukturave partiake? Pastaj, a është qëllimi i dorëheqjes ndryshimi i kursit politik, i cili do të artikulohej përmes një lideri të ri, inovativ si në ide, ashtu edhe në planifikimin partiak, apo kemi të bëjmë vetëm me një ndryshim kozmetik dhe një improvizim politik të radhës? Dhe pyetja tjetër, që mendoj se është edhe më e rëndësishmja, është kjo: a janë këto kërkesa dhe insistime vërtet të motivuara nga nevoja për ta futur partinë në një konkurrencë shumë më të ashpër me rivalët e tjerë të skenës aktuale politike në Kosovë, apo imperativi i tyre mbetet ripozicionimi dhe rivaliteti i brendshëm për pushtet partiak?

Veçse, për një frymë të tillë nevojiten njerëz të rinj, pa hipoteka e pa skandale, projekte alternative, si edhe motive të reja për të mobilizuar dhe bindur qytetarët e të gjitha shtresave. Andaj them me plotë bindje që LDK-ja po edhe gjithë opozita nuk ka krizë lidershipi, por ka krizë modeli dhe narrative alternative për Republikën.

Lumir Abdixhiku (s)duhet të dorëhiqet!

Sekreti i madh nëntokësor i Kanionit të Rugovës

0
Teksti:Për shekuj me radhë, kanioni i bukur i Rugovës në Kosovë ka mbajtur të fshehur nën masivet e tij shkëmbore një sekret të madh nëntokësor që pothuajse askush nuk e imagjinonte.
Legjendat vendase flisnin për korridore të pafundme dhe shpella të errëta ku dikur fshiheshin thesarë ose njerëz gjatë luftërave, por shkenca nuk kishte asnjë provë konkrete.
Gjithçka ndryshoi kur një grup eksploruesish vendosën të sfidonin rreziqet e natyrës dhe të zbrisnin në thellësitë e panjohura të maleve.
Njeriu që udhëhoqi këtë mision historik dhe ndryshoi hartën gjeografike të vendit ishte speleologu i njohur kosovar, Fadil Bajraktari. Së bashku me një ekip ekspertësh francezë dhe vendorë, ai nisi hulumtimet në fillim të viteve 2000 për të dokumentuar atë që sot njihet botërisht si “Shpella e Madhe” (Groot).
Ky sistem i ndërlikuar shpellash doli të ishte një nga zbulimet më të rëndësishme natyrore në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Eksplorimi nuk ishte i lehtë dhe përfshinte rreziqe ekstreme për jetën e ekipit, pasi Fadil Bajraktari dhe kolegët e tij zbuluan kilometra të tërë korandore nëntokësore, liqene të fshehura, si dhe stalaktite e stalagmite të mrekullueshme që ishin krijuar gjatë miliona viteve.
Çdo hap në atë errësirë totale ishte një zbulim i ri për shkencën dhe historinë natyrore të Kosovës.Gjatë ekspeditave të mëvonshme, u vërtetua se ky rrjet nëntokësor ishte shumë më i madh dhe më i thellë nga sa mendohej në fillim.
Përveç rëndësisë gjeologjike, këto kërkime të faktuara hapën një portë të madhe për turizmin e aventurës, duke tërhequr vëmendjen e gjeologëve të huaj nga mbarë bota. Zbulimi i Fadilit tregoi se nën sipërfaqen e Kosovës fshihet një botë tjetër, pothuajse tërësisht e paprekur nga njeriu.
Sot, eksplorimet e udhëhequra nga Fadil Bajraktari janë të dokumentuara plotësisht në institute shkencore dhe shërbejnë si një krenari kombëtare. Ky mister i zgjidhur i Alpeve Shqiptare dëshmon se natyra ende ka sekrete të mëdha për të na treguar nëse kemi guximin t’i kërkojmë.