ARKIVI:
7 Qershor 2026

Për Shefki Sejdiun nga Sllatina e Mavriqit të Llapit, invalidin dhe veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndërro jetë me 9 prill 2026

Shkrime relevante

Kur propaganda kërkon të fshijë historinë: terrori osman, gruaja shqiptare dhe besa që nuk u thye

Luan Dibrani, Durrës Përkujtim i dhimbjes shqiptare nën pushtimin osman Kjo pikturë...

Skënder Muharrem Hoxha , mësuesi atdhetar dhe model i brezave

Arif Ejupi, Gjenevë (Në shenjë nderimi dhe respekti, me rastin e 80-vjetorit...

Një e vërtetë e thjeshtë për Çamërinë

Fahri Dahri, studjues i Çamërisë E vërteta e kombit tonë dihet, por...

Protestat e Zvërnecit…, a vijnë nga agjenturat serbo – greke ?

Gani I. Mehmeti U tha se ky projekt i investimit të dhëndrrit...

Një ditë para zgjedhjeve!

Florim Zeqa Në mungesë të një alterantive të re politike, edhe kësaj...

Shpërndaj

Gani I. Mehmeti

Më 9 prill 2026 ndërroi jetë luftëtari i orëve të para për liri, SHEFKI SEJDIU nga Sllatina e Mavriqit të Llapit, invalidi dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 2023 është pjesëmarrës për formimin  Organizata “Shqiptaria” dhe anëtar i kryesisë.

Shkrimtaeri, poeti e publicisti Asllan Dibrani shkroi për Shefki Sejdiun:

Luan – Asllan Dibrani

Pusho në paqe, miku im i pavdekshëm, Shefki Hajdin Sejdiu

Sot nuk qan vetëm një familje…

Sot vajtojnë malet, vajtojnë shkollat, vajton vetë atdheu!

Qajnë ato kreshta që i shkele me pushkë në dorë, kur me gjoksin tënd i dole përballë armikut për ta shporrur nga trojet tona të shenjta.

Ti nuk ishe vetëm luftëtar…

Ti ishe zë i ndërgjegjes kombëtare.

Ishe ndër të parët që e kuptove rrezikun që i kanosej kombit – rrezikun e ideologjive të huaja dhe radikalizmit islamik, që synonin të zbehnin identitetin tonë kombëtar. Dhe ti e luftove këtë rrezik me vendosmëri, pa u ndalur asnjëherë, deri në frymën e fundit.

Jetove për kombin, veprove për lirinë dhe u shkrive për dinjitetin e këtij populli.

Ishe burrë i heshtur, por me vepra që flasin më fort se çdo fjalë.

Njeri i besës, i qëndresës dhe i dritës.

Një shpirt që nuk u përkul kurrë, një zemër që rrahu vetëm për Shqipërinë.

Jam krenar që të pata shok që nga ditët e rinisë – në kohë të vështira, në ideale të mëdha, në rrugë që kërkonin guxim dhe sakrificë.

Sot, me dhimbje të thellë, në emrin tim – Asllan Dibrani (Luani) – dhe në emër të familjes sime, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, farefisit, bashkëluftëtarëve dhe gjithë miqve të tij.

Njoftim për varrimin:

Varrimi i të ndjerit bëhet më 10 Prill 2026, ora 17:00, në Varrezat e Dëshmorëve – Kompleksi i Veteranëve, në fshatin Penuhë, Komuna e Podujevës.

Ti nuk vdiqe, miku im…

Ti u ktheve në këngë mali, në frymë lirie, në kujtim që nuk shuhet kurrë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi yt!

Për jetën dhe veprimarinë e tij me bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët, po japim shikrimin e tij, pa e ndryshuar, ashtu si vetë e pati shkruar e që më pati dërguar, diku afër dhjetë vite më parë .

 SHEFKI SEJDIU[1]

Duke parë se do të mund ta dëmtonim ndërhyrjen tonë në jetëshkrimin e Shefki Sejdiut, ne po e japim ashtu qysh ka shkruar vetë, për veprimtarinë e tij, të shokëve të tij dhe të vetë ngjarjeve.


Unë Shefki Sejdiu, i lindur më 05. 09. 1963 nga babai Hajdin (EMIN) Sejdiu e nga nëna Fatime Ajeti-Sejdiu, lindur në fshatin Sllatinë të Mavriqit, në moshen 7 vjeç, i shpërngulur në fshatin Zakut.

Shkollën filloren 4 klasë i kam kryer në Krypimeh me mësuesin Shemsi Gashi, të cilin babai e ka pasur edhe djalë halle. Nga  klasa e 5 deri  në klasën e 8-të i kam kryer në Dobërdol, në Shkollën Fillore  “Emin Duraku”; pqrqlele e ndqrm e Shkollms Fillore nm Bqjînm. Shkollën e mesme e kam kryer  në Shkollën Teknike në Podujevë.  Drejtimi  ‘’Elektro mekanik- reparti’’. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren e fillova në  Degën gjuhë dhe letërsi shqipe. E kam pasur të dëgjuar   vitin e parë dhe pata kryer  2 provime. Por, më ndërpreu studimet shërbimi ushtarak që ishte i obligueshëm aso kohe, për çka më nxori nga rrjedha dhe më nuk vazhdova.

Rrjedh nga një familje e madhe me gjendje të mesme materiale, por me nje biografi të pastër shqiptare e atedhetare.

Kjo dëshmohet me pjesëmarrjen aktive në luftërat e zvilluara  në mbrojtje të kufirit nga forcat serbe. Duhet veçuar plagosjen e Axhës Behram në luftën e zhvilluar te Kërshi i Uglarit  kundër forcave partizane të ashtuquajtura “DIVIZIONI I PEKA DAPQEVIQIT”, qëndresa e vetorganizuar e malësorëve të Mavriqit, duke bërë një luftë mbrojtëse titanike fillimisht, e me vonë edhe mbrojtja e vullnetarëve nga Llapi e Gollaku ua pamundësojnë depërtimin në Kërsh të Uglarit, duke ua prishur planet që të depërtojnë nëpërmes  Llapit.

Si nxënës i shkollës së mesme i vitit 3, paralelja 19, ku shokë klase kam pasur dëshmorin e kombit HAKIF ZEJNULLAHU me FADIL BEGUN, shokun e idealit të kombit ZAHIR PAJAZITIN, ABDULLAH THACIN, FATMIR MUSLIUN, e shumë të tjerë, që,  pothuajse e tërë klasa kemi qenë ndër më të  zëshmit në pjesëmarrjen e demostratave të 81-shit, në krye me profesorin e nderuar Ramadan Dibrani, i cili vazhdimisht na ka pri e na ka frymëzuar! Për mua lirisht mund të them që ka qenë zanafilla e frymëzimit për çështjen kombëtare, duke e parë si të nevojshme e jo si hobi.

Në vitin 1983  pata rastin të njifem me profesorin e çështjes kombëtare Shefqet Canhasi, të cilit i jam shumë falënderues që gjatë kontakteve të shpeshta me të, mësova shumçka prej tij. Pëembi të gjithave mësova si duuhet më e dashtë vendin e si duhet me luftu e sakrifiku për lirinë e vendit tim.

Me profesorin e nderuar kemi marrë pjesë aktive në pajtimin e gjaqeve në Llap e Gollak me ekipin: Shefqet Canhasi, Murat Bejta e me aktivisten Sanie Ismaili, aktivistin e financuesin Tafil Tërmkolli etj.
Veprimtarinë ilegale e kam filluar në 1983. Duke iu bashkangjitur grupit të Ferizajit e të Kaçanikut, ku bënin pjesë vëllezërit Krraba – Remziu e Refkiu,  Elmi Reçica, Remzi Elezi me pseudenimin ‘’REXHA’’, Lutfi Zharku  e të tjerë. Më vonë gjatë shërbimit ushtarak në Shtip të  Maqedonisë  jam takuar e kemi bashkëpunuar me Naser Hasajn  nga Gabrica e Kaçanikut. Atëherë funksiononim  me sistemin treshe, unë isha treshe e Remzi Krrabës. Për arsye të largësisë m’është preferuar që të bashkëpunojë me Remzi Elezin nga Ferizaji  për arsyen se Rexha studionte në Prishtinë e mënyra e kontaktit ishte më e lehtë.
Me udhezimet e Rexhës e kam formuar e treshen time që ishte i përbërë nga Izet Kulla fshati Katunishtë, Xhevat Potera fshati Llapashticë e Poshtme si dhe Kadri Qerimi nga fshati Katunishtë, tani dëshmor në luftën e UCK, i rënë më 20 prill 1999 krye Lugut të Qyreqit në Jahovc të Pakashticës së Epërme, jo larg trekufirit Pakashticë-Metehi-Repë.

Pas shërbimit ushtarak, me pëlqimin e  shokëve të  grupit, më kanë preferuar që të mbajë kontakt me shokët e ilegales që vepronin në Llap. Fillimisht kam kontaktuar me Behram  Hoxhën, tani i ndjerë. E më vonë me Hamit Hamitin (Balin), Shaban Mulolli, Sabri Hamitin e Sfeçlës, Muhamet Bajokun etj. Vlen të theksohet se me Balin kemi pasur bashkëpunim të pandërperë  në të gjitha format e organizimet deri ne ditët e sotme, duke filluar që nga 1986. Kur kryenim veprimtari ilegale, po edhe për disa vite sa unë kam punuar e vepruar në Mynih të Gjermanisë, duke kontribuar me mjete financiare për familjet e të burgosurve politikë, që në atë kohë nuk ishin të paktë. Por vlen të theksohet edhe një rast tjetër,  ku në vitin 1988 deri sa jetoja e punoja në Mynih, gjatë një vizite të një ekspozeje të prodhimeve të Shqipërisë që organizohej nga Ambasada e Shqipërisë, mora kontakt me disa nga punonjësit e ambasadës, të cilët më propozuan një takim me sekretarin e parë të ambasadës, Zotëri Seit Seiti. Takimi u realizua pas disa ditëve në Mynih. Fillimisht jemi dëgjuar në telefon, ku kemi caktuar vendin ku të takohemi, e që e patëm lamë në lagjen Shtahus  te Fontana e Madhe, në hyrje të Shtëpisë së  Mallrave “Kaufhof”. Unë dola në kohë të caktuar, e nga që nuk njiheshim, mundohesha ta bëjë identifikimin duke shikuar lëvizjet e çdo personi, por se në asnjë nuk mundja të percaktohesha. Koha po ikte, por në momentet kur unë mendova se nuk ka mundësi të identifikohemi, duke menduar se nuk jemi kuptuar mirë e vendosa të largohesha, po në atë moment dikush nga prapa m’u drejtua:

  • Jeni ju Shefkiu?
  • Po! – i thash i befasuar si me identifikoj. Ishte një burrë koxha në moshë por i mprehtë dhe shumë i mençur e shumë i informuar për gjendjen në Kosovë. Me propozimin tim, shkuam në një lokal aty afër që ishte në stilin anglez e quhet Pikadili. Tash besoj që nuk përbën ndonjë sekret. Tani mu aty jemë marrë vesh që të bashkëpinojmë. Fillimisht ka kërkuar informacion për të gjitha grupet që vepronin në Kosovë e më vone më ka sygjeruar që të gjitha ato grupe të bashkohen në një lëvizje në  mbarë Kosovën. Se përndryshe siç vepronim ne në grupe me nga 20-30 vetë e të shkëputura, nga regjioni në regjion nuk funksiononim dhe Serbia do ta këtë lehtë për të na zbuluar e për të na asgjësuar. Këto sygjerime e të tjera i kam ndarë me Profesor Shefqet Canhasin,  me Hamit Hamitin  (BALIN) e me Remzi Krraben.

Me ardhjen e pluralizmit e me formimin e partive politike në Kosovë, fillimisht kam qenë në Këshillin inicues për formimin e Nëndegës LDK në Bashkësinë Lokale të atëkoheshme në Krypimeh. Më vonë, me themelimin e aktivit  të LDK në fshatin Zakut, jam zgjedhur kryetari i parë. E më vonë anëtar i kryesisë së Nëndegës në Krypimeh. Më vonë, kur u ktheva nga Gjermania, e pata hapur një lokal kafeje  ‘’BYFE MALESIA’’ që ndodhej mu në qendër të qytetit të Podujevës. Më herët e kishim hapur një bilardo klub në Krypimeh.pastaj, me formimin e sindikatave të pavarura të zejtarisë,  jam zgjedhur anëtar i kryesisë së zejtarëve të vegjël për  komunën e Podujevës. Në vitin 1993 kam qenë kryetar i një delegacioni prej 4 vetave që e përfaqesonim sindikatën e zejetarisë të komunës së  Podujevës, me një vizitë pune njëjavore në Shqipëri, pjesë e këtij delegacioni përveç meje ishin: Halit Blakqori,  Ali Potera dhe Jahir Gashi.

Një kontribut të madh kemi dhënë edhe në organizimin e LDK. Ashtu edhe me të mira materiale po edhe me mjete financiare. Më kujtohet një rast kur u formua Këshilli i Financiar  kishte ardhur inkasanti Shefki Latifi, të cilin më vone e kanë mbytur me tortura në stacionin famëkeq të  policisë në Podujevë. Shefkiu më drejtohet me  vendimin prej Këshillit të Financimit e ku më kishin ngarkuar me 50 marka në muaj.

  • Mos janë shumë? – më tha.
  • Jo, i them baci Shefki, pak janë. Por unë po dua të dijë sa e paguani ju një mësues.
  • 100 marka! – më tha.
  • Atëherë, i them, përmirësoje atë shumën 50 marka dhe e bën 100 marka, se unë po dua të paguajë një mësues! – U gëzua aq shumë e më tha:
  • Jeni i pari që vullnetarisht e ngrit për 100 % shumën e tënde! – Një kohë e ka marrë si shembull tek të tjerët.

Në fillim të vitit 1997 menjëhere pas vrasjes se komandantit legjendar   Zahir Pajaziti me shokë, dikur në fillim të marsit, me preferimin e Latif Gashit jam kyqur në UÇK. Ku pas një riorganizimi të zonës, territorin e Podujevës e kishim ndarë në 5 nënzona, duke më caktuar  komandant të nënzonës se parë, që pëfshinte Gryken e Llapit, duke filluar nga fshati Letanc, Bajçinë, Dobratin, Dobërdol, Zakut, Krypimeh, Revuçë, Pakashticë, Metehi, Repë, Pollatë, Potok, Dvorishtë, Sllatinë, Reçicë, Sylevicë, Zhiti, Brecë e Murgullë. Fillimisht e ndjeva se e kam për nevojë e për detyrë të përzgjedhja e të caktoja nga një përgjegjës për çdo fshat, e më vonë nëpër mes këtyre përgjegjësve, të ndërtoja strukturat e UÇK.  Ku,  nga këto struktura mund të konstatojmë se është punuar shumë e kanë dhënë një kontribut të madh deri në fund të luftës.

Pas një pune të madhe e sfiduese të të gjithë organizatorëve e të aksionistave erdhi momenti i krijimit të Zonës Operative të Llapit (ZOLL),  ku komandant u caktua Rrustem Mustafa ‘’REMI’’, ndërsa zëvendëskomandant Latif Gashi, ndërsa unë u caktova Komandant  i aksionistëve duke e zëvendësuar Latën që deri atëherë ishte komandant i tyre. Komunikimin për emërimin tim për komandant të aksionistëve e ka bërë Lata në Dumnicë deri sa ishim me golfin e kuq, të pranishëm kanë  qenë, përveç meje e Latës, Qel Gashi (AGA), Muharrem Ismaili (SHPENDI), Salih Sejdiu (Plaku) e Muje Metolli. Ishte një periudhë ku për momentin i kishim reduktuar aksionet. Po ishim të fokusuar të gjithë në periudhën  e ndërtimit të strukturave nëpër rrethe.

Unë e kisha për detyrë  mbajtjen e takimeve të rregullta me aksionistët, e që i mbanin në një banesë në katin e 5-të, mbi selinë e atëhershme të LDK. Me punë të mëdha arritëm të ndërtojmë struktura, e të bëjmë edhe rekrutimet e para. Prandaj, me ardhjen e Kadri Kastratit (Daja), në fillim të vitit 1998,  i filluam përgatitjet e mëdha për daljen e formacioneve të para të UÇK të ZOLL, në  fillim në fshatin Zabergjë të Shalës e pas një kohe të shkurtër u transferuam në Bajgorë. Më kujtohet që për herë të parë ua kam dhuaruar komplet setin e enëve të kuzhinës  duke përfshirë kazana për zierje, si dhe 50 tasne, ku shërbehej ushqimi, lugë, piruj e thika, të cilat unë deri atëherë i shfrytëzoja nëpër dasma.

Një kohë të gjatë, të gjithë jemi marrë me kompletimin e kazermës me mjete të nevojshme  edhe per armatime me mjete logjistike. Ishte koha kur të gjithë aksionsitët u vendosën lart në kazermë në Bajgorë e pastaj në qytet mbetëm ne aktivistët si Unë, Lata, Muhamet Latifi, Ali Potera, Hamit Hamiti, Skënder Murati etj.

Punonim në dy fronte;  në njërën anë në financimin e ushtrisë dhe në përgatitjet për luftë,  me armatim, me uniforma e me  logjistikë me të gjitha mjetet e nevojshme. Në anën tjetër edhe në mobilizimin e luftëtarëve që ishin të përgatitur e të aftë për luftë.

Në anën tjetër 80-100 regrutë të rinj i dërgonim në Bajgorë për stërvitje  2 javore që ia vlente për të fituar njohuritë elementare ushtarake. Pas dy javësh i lironim  ate e i zëvendësonim me të tjerë, kryesisht djem të rinj. Krejt kjo bëhej sekret në mënyrë maksimale për të mos i rënë në sy armikut. Detyrë  tjetër e kishim përgatitjen për luftë dhe krijimin e rezervave dhe sistemimin e tyre në vende të sigurta.

Në bashkëpunim me Shoqatat  e me Këshillin e solidaritetit të LDK, po edhe të njerëzve vullnetmirë, ia kemi arritur që të gjenim e sistemojmë nëpër baza të sigurta sasi të mëdha ushqimesh, duke filluar nga mielli, vaji, kripa, detergjenti, barnat , batanijet, e dyshekët , derivate e çka jo, derisa në vende të caktuara kemi urdhëruar që të ndërtohen edhe furra buke. E që lirisht mund të themi që rezervat na kanë shërbyer shumë në vazhdim e deri në fund tëë luftës. Për një kohë shumë të shkurtër UÇK në Llap u rrit aq shumë sa që nga ilegale u ba gati tërësisht legale, njerëzit të gjithë vullnetarisht  tregoheshin të gatshëm për të kontribuar në forma të ndryshme sa që filluan edhe vullnetarë të paraqiten për t’u kyqur ne UÇK.

Për të absorbuar   këtë potencial që ofronte populli, shtabi u detyrua që të  riorganizohet  në mënyrë që të operacionalizohet në sektorë. Si p.sh.: logjistikë, si dhe mbrojtje civile. Komandant i së cilës u emërua Muhamet Latifi  e Zëvendëskomandant, Unë, Shefki Sejdiu. ­­­­­­­­­­­­­Mbrojtja territoriale, që më vone shtabi qëndror i UÇK mori vendim të quhet  Mbrojtja Civile. Detyrat e MC (Mbrojtja Civile) ishin të shumta e  varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve dhe rrethanave që kryheshin, duke ia përshtatur ekluzivisht nevojave  të ushtrisë. Në propagandimin e sensibilizimin e opinionit për luftën e drejtë të UÇK. Grumbullimin e të mirave materiale si dhe të mjeteve teknike e luftarake.  Kemi bërë regjistrimin dhe identifikimin e të gjithë personave të moshës madhore 18-45 vjeç, që ishin potencial për rekrutimin në UÇK. Kemi bërë mobilizimin e ish oficerëve ushtarakë e ish policëve e të gjithë atyre që kanë pas njohuri ushtarake e luftarake siç ishte rasti i mobilizimit të eprorit të lartë policor Nuredin Ibishit (komandant Leka), të cilin me Laten e pritëm dhe e morëm në pompen e bezniës në Sekiraçë  me të gjitha paisjet që i kishte sjellë me veti, ku fillimisht shkuam te shtëpia ime në Zakut, e pasi e hëngrum  një fli për drekë, vazhduam për në fshatin Dobratin ku në krye të fshtatit na priste xhipi ushtarak që i muar Latën e Lekën e vazhduan.

Në bashkëpunim me dr. Skënder Murati dhe me dr. Enver Hoxha këmi marrë pjesë në tërheqjen e sallës operative që e kishin siguruar doktorrët. Duke e sjellur nga  Prishtina për në Podujevë e që ishte aksion me rrezikshmëri shumë të lartë, por ia arritëm me sukses ta tërheqim të kompletuar e  fillimisht e vendosëm në një bazë të sigurtë në Pakashticë, në shtëpinë e Pajazit Aliut. Sigurimi i kësaj salle operative konsiderohej si një fitore e madhe për ZOLL.

Në një rast tjetër, deri sa unë e Muhameti merreshim me furnizimin me pjesë rezervë të automjeteve në Prishtinë, deri sa ne po i blenim disa goma për një xhip, na erdhi pronari i lokalit që më vonë e kemi marrë vesh, se ai ishte një shok i Lekës, Ismet Rexhepi  pronar i firmës EURGOMA, i cili në mënyrë të drejtepërdrejtë na u drejtua, që nëse i kemi për ZOLL ju lutem i bëni të fala Lekës e i thoni që t’ua jep një nënshkrim, atëherë ma bini listën e të gjitha nevojave që keni për të gjitha automjetet sa u përket gomave, baterive, vajrave etj. Të gjitha unë ua jap falas si kontribut për luftën. Është interesant se si na identifikoj  që u munduam të mos paraqitemi si furnizues, por ishte e kotë para besimit e vendosshmërisë së Ismetit. Dhe ashtu bëmë. Disa dite më vonë, me rekomandim të Lekës i morëm  një kombibus të Samet Arifi, shkuam dhe morëm furnizimet që na dhuroi Ismeti.

Me rritjen e kapaciteteve ushtarake të zonës, rriteshin edhe nevojat e shtoheshin kërkesat për furnizime, kështu që edhe ne që kishim mbetur  në qytet, bënim punë e gati gjysëm ilegale, por që çdo ditë shtoheshin njerëzit vullnetarë që disa edhe i mobilizonim për punë të ndryshme e specifike. Ne për çdo ditë në krye me Komandantin e  MC, Muhamet Latifi takohëshim zakonisht në kafe MALESIA, e cila ishte pronë e imja dhe e vëllezërve të mi e që ndodhej mu në qendër të qytetit e që ishte shumë e përshtatshme edhe për punët tona legale e ilegale, se kamufloheshim  si myshterinjë  të lokalit. Por që në realitet ne nga ai lokal  jepnim detyra, raportonim, bënim takime,  dhe jo rastësisht, si ne e quanin Shtabi i UÇK për qytet e kështu ka vazhduar të  na shërbejë ky lokal për nevojat e organizimit të UÇK gati tërë kohën deri me fillimin e bombardimeve të NATO-s,  kur detyrohemi ta mbyllim. Por që fatemirësisht, më e keqja nuk na ka ndodhur, edhe pse kemi qenë shumë të eskspozuar, tepër transparent e shumherë edhe të pakujdesshëm sa duhet nga tërë ai  aktivitet  gjatë tërë ditës në qendër të qytetit e të mos na bien në gjurmë. Kjo tregon se vetëdija qytetare ka qenë në nivel.  UÇK ishte pjesë  e popullit e se spiunët e bashkëpunëtoret e regjimit ishin zhdukur fare.

Rreth ofenzivës së 15 shtatorit Unë me Muhamet Latifin  kemi qenë duke shkuar në Podujevë, rreth ores 09:00 të mëngjesit. Në hyrje të fshatit Bajçinë kemi hasur në kolonën e automjeteve të ushtrisë e policisë serbe, duke u detyruar ta thejmë rrugën për të hyrë nëpër mes lagjës së Vukufeve në fshatin Dobërdol, për të shkuar  në Podujevë, saktësisht në kafe Malesia. Aty kemi takuar shumë shokë e aktivistë, jem konsultuar për gjendjen e krijuar  dhe kemi marrë detyra si të veprojmë. Me që tash në pikë të Kaçanollit lufta kishte filluar se dëgjoheshin granatime të mëdha e të vazhdueshme. Në qytet mbretëronte një rrëmujë e pasiguri e madhe. Forcat serbe e kishin bllokuar rrugën që e çonte për në Krypimh, duke mos lëjuar askë të kalojë andej. Njerëzit, edhe pse mbretëronte frikë, pasiguri e panik, kishte shumë nga ata që e kishin mundur frikën e ishin organizuar, dikush në grupe e dikush individualisht dhe vinin të kafja “Malësia” e kërkonin instruksione se si mund të kalojnë te forcat e UÇK, për  ndihmë. Këto forca vullentare sa vinin e shtoheshin nga të gjitha anët. Në kohë pas kohë i kemi udhëzuar që të shkonin pas Ali Poterës që ishte aktivist i hershëm i yni, që të kalonin   nëpër mes Bradashit  te Guri i Bardhë e të dilnin në qafë të Kaçanollit, ku për momentin zhvilloheshin luftime të ashpra. Kurse për në kalimin tjetër që mund të shkohej e që i udhëheqnim unë me Muhamet Latifin,  ishte tjetër koridor nëpërmjet Letancit, Bajçinës, Revuçit e Pakashticës dilej prapa Lupçes të Kaçanollit,  te forcat e UÇK. Këtë rrugë e kemi bërë edhe unë e Muhamet Latifi  ku vazhdimisht  rrugës kemi takuar njerëz të armatosur, të cilët i kemi udhëzuar që në grupe të vogla të depërtonin nëpërmes Revuçit e Pakashticës të kalojnë në Kaçanoll.

Unë e Muhameti kah mesi i ditës kemi ardhur në Pakashticë ku na u ka bashkangjitur edhe përgjegjësi i MC, përkatësisht Pajazit Aliu, vëllau   Pajazitit me një traktor na ka afruar deri ku ka mundur të dalë traktori. Aty ai u kthye e ne kemi vazhduar këmbë e kemi dalë në Kaçanuell,  rreth orës  14:00  kemi mbërri  te pozicionet e  UÇK e jemi takuar me komandantin e pikës Selim Haziri, komandant “Bekria”, i  cili na ka njoftuar për rrjedhën  e luftimeve dhe na ka sygjeruar  që mos të shkojmë më pasi që ishte rreziku shumë i madh, gjë që kishte shumë të drejtë se me të vërtetë në ato moment luftimet e kishin mbërri kulmin forcat serbe sulmonin me të gjitha mjetet e blinduara duke  granatuar me granata  të mëdhaja e nga të gjitha kalibrat, kurse rreziku më i madh ishte edhe nga minahedhësit  sa që ishte e pamundur të bëje edhe një metër më para. Deri sa Bekria  po na këshillonte që të mos provojmë të shkojmë në vijat e para të frontit që po mbaheshin fuqishëm   nga luftëtarët tanë, përkundër gjithë atij arsenali që po sulmonte nuk ka  rrezik që mund të depërtojnë forcat serbe. U kthyem prapa e shkuam të shtëpia e Sefer Kaçanollit, i cili të nesërmen ka rënë dëshmor bashkë me djalin e tij. Më kujtohet, plaku ishte i gatshëm e i armatosur  e vetëm priste urdhërin t’i bashkangjitej luftës. Shihej që nuk i zihej vendi vend e reagonte pas çdo krisme e na drejtohej neve se   ushtarët tane janë të rinj e nuk dinë që duhet  ruajtur municionin e çdo plumb,  duhet qëlluar shkaun. Më kujtohet që na i ka prurë do dardha të dugëta që na kanë kënaqur qysh ishim të uritur, edhe pse na ka lutur edhe për bukë.

Pasi jemi përshëndetur me Bacin Sefer jemi nisur e kemi shkuar te shtabi në Bajgorë, ku përveç që ishte largësi e madhe e përpjetëz, po bënte edhe vapë e madhe. Por patëm fat që diku në gjysmë të rrugës ka ardhur komandant Leka me një xhip  e na ka marrë. Ai kthehej nga fronti i luftës që  njëkohësisht na ka njoftuar nga dora e parë për gjendjen e frontin e luftës, duke e përshkruar  qëndresën heroike të luftëtarëve tanë  e që edhe ai vetë ishte një nga protagonistet kryesorë. Kur arritëm te kazerma, kemi ngrënë drakë  se ne ishim shumë të lodhur e të uritur. Pas darkës kemi takuar shumë ushtarë që ktheheshin nga fronti e, që të gjithë tregonin me krenari inserte nga lufta e madhe që kishte ndodhur atë ditë. Më vonë kam shkuar te shtabi i zonës që ndodhej aty afër në një shtëpi private. Këtu jemi takuar me anëtarët e shtabit, ku është diskutuar për  rrjedhën e luftimeve të ditës së sotme, duke e analizuar me imtësi çdo veprim e mos veprim,  duke nxjerrë edhe konkluzionet  e nevojshme për ditën e nesërme se pritej luftë edhe me e ashpër. Detyra konkrete kemi marrë edhe me Muhametin se si të veprojmë në qytet. Më kujtohet që para mesnatës më ka marrë Lata me një xhip e kemi shkuar në fshatin   ku në një spital të improvizuar i kemi vizituar shumë të plagosur që ishin ushtarë edhe të ZOLL e zonës OPSH. Aty kam pa numër të madh të plagosurish edhe lehtë po edhe shumë rëndë në kushte jo të mirë e hapësira të kufizuara por që ishin me moral shumë të fortë.

Me t’u kthyer në shtab,  u vendos që unë e Muhameti të kthehemi që sonte në mënyrë që mënëgjesin e nesrëm të jemi në Podujevë, që pa humbur kohë të përcjellim vendimet e rekomandimet te shokët në qytet.
Mbas mesit të natës Lata na ka dërguar me xhip deri në Kaçanuell. E prej aty në këmbë kemi vazhduar bregut përpjetë. Më kujtohet që i kam  pasur një palë këpucë shumë të ngushta e të papërshtatshme  e më rrëshqitnin shumë, nga që edhe  ishte lagështi dhe sikur të mos ishte Pajaziti, i cili tërë kohën më ka mbajtur për krahu  duke më tërhqur se nuk di si do t’ia bëja e si do ta kaloja tërë atë kodër përpjetë e tatëpjetë!

Ashtu si e kishim bërë plan,  mëngjesin e 16 shtatorit ne ishim në Podujevë saktësisht në kafe MALESIA, nga ku i filluam konsultimet  me shokë e aktivistë, duke i njoftuar se si duhet të veprojmë sipas detyrave të shtabit  të ZOLL-it.

Me 17 shtator filluan tërheqjen forcat serbe të cilat kishin pësuar humbje të mëdha si në njerëz ashtu edhe në mjete ushtarake. Dhe me të drejtë, Beteja e Kaçanollit njihet si beteja më e suksesshme e UÇK dhe me të drejtë u vlerësua lart edhe nga përfaqesuesi  politik i UÇK, Baca Adem Demaçi, i cili pati deklaruar se: Në Llap Serbisë ju  thyen dhëmbët.

Më kujtohet nga 10 ditë pas ofenzivës së Kaçanollit në fshatin Buricë, ku tash ishte vendosur Brigada 151. Kemi shkuar me dy makina unë me pasatin e bardhë timin si dhe Naser Bejtullahu aktivist me golf 3, ngjyrë e kuqe për të më përcjellë si e quanim atëherë.

Me Naserin e kemi lënë të më presë në magjistrale e unë kam shkuar te baza në Buricë, ku i kam marrë 4 ushtarë, që njëri prej tyre Muharrem Ismaili me nofken (Shpendi ), i cili gjatë ofensivës ishte plagosur  rëndë e më duhej ta transferonim  në mënyrë ilegale deri në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, saktësisht në lagjen e  Herticëve  që ishin një familje e madhe e që ishin përkrahës  të mëdhenjë të UÇK në Prishtinë. Neve na kanë shoqëruar : Qel Gashi (Aga), Naser Aliu e Enver Aliu të dy  anëtarë të familjes Hertica.

Rrugës për në Prishtinë, saktësisht në Besi mu te udhëkryqi që nga larg e kemi vërejtur një veturë të policisë rrugore serbe që po parkohej e dy policët po bëheshin gati për të filluar kontrollimin e makinave. Shpejt jemi konsultuar se apo kthehemi apo po vazhdojmë. Kemi vendos të vazhdojmë rrugën. Këta të 4, pos meje, ishin të armatosur e me uniforma, po qe kishin veshur edhe një pallto të zezë, për të mos rënë në sy uniforma. Ata të gjithë i kanë repertirur armët, ua kanë hequr siguresat  bombave të dorës, i kanë  hapur xhamat e makinës, e më kanë thënë mua: Ti vetëm vazhdo e  nëse ata tentojnë me na ndalë na jua gjuajmë  bombat e i asgjësojmë. Por fati deshti qe ai polici edhe pse doli të na ndali, ai sikur e ndjeu rrezikun dhe mbasi u mat të na ndali, ne moment të fundit na e hapi rrugën neve dhe e ndali makinen tjetër që ishte pas nesh që konsiderohej se ishte edhe fati i tyre që të mos vriten.

Për ZOLL periudha e pas ofenzives se 15 shtatorit edhe pse forcat serbe në përfundim të ofenzives kishin deklaruar botërisht se gjatë ofenzivës tre ditore e kishin asgjësuar UÇK-në në Llap e Shalë, duke i shpallur tani më si forca të shpatalluara e  inekzistente. Por, me të vërtetë kishte ndodhë krejt e kundërta, forcat e UÇK  në këtë betejë ishe kalitur shumë e se kjo betejë kishte rritur  aftësinë e përballjes së forcave të UÇK edhe pse në numër e paisje ushtarake shumë më të pakta kunder forcave të mëdha luftarake rreth 200 automjete si tenka, autblinda, transportera, kamionë që tërhiqnin topa të rëndë e paisje ushtarake e çka jo tjetër. Duke angazhuar njësitet më elite të ushtrisë e të policisë por edhe numër të madh mercenarësh rusë, rumunë, grekë e tjerë njerëz të alkolizuar  e të droguar që mbushur vendi me shishe alkoli e me shiringa të drogimit, të gjetur në një qoshe të një klase mësimi në Shkollën e Dobratinit.

Pas përballjes me sukses të UÇK kundër tërë asaj force e arsenali, kishte bërë që të thyhet miti i pathyeshmërisë së forcave serbe. Populli e pa e u bind që dëshirën e vullnetin e një populli për liri nuk ka forcë që e thyen, jehona e kësaj beteje pati efekt pozitiv në krejt Kosovën, duke ngritur moralin e dëshirën për të shkuar deri në fund.

Kurse UÇK, që nuk u shpatallua sipas forcave serbe, po ajo shpejt e mori vetën duke u konsuliduar  e riorganizuar, duke u bazuar tash në perfieri të Podujevës shtabi i ZOLL u vendos në Llapashticë të Epërme. Brigada 151, “Zahir Pajaziti” u vendos në Konushevc-Buricë. Kurse në Bradash u vendos brigade 152 “Shaban Shala”. Brigade 153 “Hizri Talla” në Zllashë të Prishtinës. Mobilizimi  dhe shtrirja e UÇK bën që forcat tona të vendosen për gjatë magjistrales PRISHTINË-PODUJEVË  në afërsi edhe deri në 1 kilometër duke filluar nga Lupçi e deri në Sylevicë, po thuajse në çdo fshatiI kishin vendosur njësitet ushtarake, në çdo rrugë i kishin vendosur pikat e kontrollit, që kontrollonin çdo gjë që hynte e dilte në territoret që i kontrollonte UÇK. Praktikisht ne kishim shpallë zonë të lirë komplet pjesën nga ana e djathtë e magjistrales që të çon deri  në Podujevë si dhe komplet anën e djathtë deri në Pollatë. Kjo i bie që ne po ndërtonim vijë  frontale pa ndërpre mbi 50 km. E me këtë, forcave serbe u ndalohej hyrja në ato territore. Pothuajse gjysma e Llapit ishte shpallur zonë e lirë, ku ligjet e pushtuesit nuk vlenin më. Për të mos u krijuar vakum institucianal,  shtabi i ZOLL mori vendim që MC  të themelojë në çdo fshat shtabet e MC. Ne pa humbur kohë, së bashku me aktivistët që i kishim në fshatra e në koordinim me komandantët e brigadave, filluam themelimin e shtabeve lokale të MC. Nëpër fshatra e ZOLL çka do të thotë edhe në ato pjesë që nuk i kishim forcat tona. Ato takime ishin mirë të organizuar me pjesëmarrje masive apo më mirë të themi ishin takime gjithëpopullore. Mbledhjet zhvilloheshin në mënyrë shumë demokratike se ne, përveç përgjegjësin që e caktonim, ai zakonisht ishte aktivist i hershëm i joni, kurse për pjesën tjetër u lihej qytetarëve të propozonin e të vendosnin. Zakonisht, përgjegjësit e MC të çdo fshati krijonin një kryesi prej disa vetash që propozoheshin nga masat. Pastaj fillonin me krijimin e komisioneve: Komisioni per teknik, për rezerva, për strehim, për evakuim, për informim, dhe për ndihmë të parë. Kurse sa i përket çështjes ushtarake i përzgjidhnim disa persona që kishin njohuri ushtarake dhe u jepnim detyrë për të bërë evidentimin e njerëzve të aftë për luftë e për të krijuar togje ose kompani, varësisht nga madhësia e fshatit. Njëkohësisht kishin për detyrë të  stërvisnin djemt e rinjë për t’u dhënë njohuri bazike për luftën dhe përdorimin e armatimit.

Kurse, për qytetin kishim një strategji tjetër të veprimit për shkak të specifikave e rrezikshmërisë. Qytetin e kishim ndarë në 4 pjesë e vepronin nëpërmes disa pergjegjësve sic ishin: ISË RESTELICA, tani i ndjerë, FEHMI MIFTARI, po ashtu, tani i ndjerë, AHMET AHMETI, GANI MEHMETI, FAHRI HASANI e shumë e shumë të tjerë që kanë bërë shumë punë të mëdha, duke filluar nga vëzhgimi, informimi, grumbullimin e mjeteve montare e të mirave materiale si dhe transferimin e tyre në pika të ndryshme të UCK. Si dhe transferimin e këtyre mjeteve në logjistikën e zonës. Nëpërmes këtyre njerëzve gati për çdo natë në mënyrë ilegale nga qyteti, në mënyrë të organizuar, janë depërtuar deri në 100 persona vullnetarë që kanë bërë hapjen e istikameve – trasheve luftarake, bunkerëve, strehimoreve, krijimin e pengesave në rrugë që të pengoheshin mjetet e blinduara të armikut për të mos depërtuar në zonat e mbrojtura nga UÇK.  Ata vinin në grupe të vogla e grumbulloheshin në vende të caktuara e në përgjegjësite e MC, u tregonim drejtimin ose shenjëzimet e duhura nga duheshin të bëheshin trashetë ose istikamet. Ata punonin me shumë kujdes që të mos vrëheshin nga forcat e armikut, puna vazhdonte deri  para mengjesit, dhe ashtu siç kishin ardhur me kujdes, ashtu edhe ktheheshin në shtëpitë e tyre. Meqë vijat e frontit ishin me kilometra të gjata, duhej forcë e madhe vullnetare që të ndërtoheshin sa më shpejt këto instikame se ishin jetike për mbrojten e pozicioneve tona. Përveç vullnetarëve nga qyteti, filluan edhe aktivizimin e vullnetarëve nga fshatrat, madje në disa raste aty ku u lejonin kushtet aktivizonim edhe traktorë që ishin të pajisur me skip. Kështu  më kujtohet një rast te lagjja e kovaçëve në Bradash, deri sa me Muhametin i tregonim atij traktoristit se nga duhet të hapeshin trasetë që duhet të shkonin në drejtim të Peranit ku ishin të vendosura forcat e mëdha të armikut, deri sa ne po i jepnim sugjerimet e fundit shoferit i cili quhet Sami Blakçori në ndërkohë një ushtar e ka ndezur një elektrik dore e një tjeter  ka tërhequr vërjtjen që ta fik elektrikun se mund të zbulohemi prej forcave serbe. Shoferi me të ndëgjuar këtë dialog të ushtarëve e heq çelësin e traktorit edhe i thot Muhametit:

– Shiko, merre  çelësin dhe traktorin se unë nuk guxoj me vozitë, më vjen keq!

Muhameti u mundua për ta bindur se nuk ka rrezik se ne të sigurojmë, por Samiu vazhdonte të refuzonte e të mos bindej. Muhameti institon, duke ia bërë me dije që duhej medoemos se nuk kishim tjerë njerëz që dinin me vozitë traktorin me skip. E për ta siguruar Samiun që nuk ka ndonjë rrezik, Muhameti thot që unë po ulem me ty në skip edhe Shefkiu me ushtarë del 200 metra përpara dhe na bën siguri. Pasi u bind Samiu, filloi nga puna e që është e vërteta, ai duhej të hapte trashetë pa i ndëzur dritat e traktorit por që zhurma e traktorit ndëgjohej larg nga që ishte natë e aq ma tepër që po shkonim në drejtim të Peranit ku ishin të stacionuar forcat serbe, që nuk kish më larg se 2 km. Unë i vetëm u detyrova që të bëjë siguri nja 200-.300 metra para traktorit. Kështu vazhduam deri pas mesnatës. Bënte ftohtë i madh dhe sa vinte e bëhej edhe më e padurushme, nga që aty ishte fushë dhe nga mungesa e lëvizjeve i ftohti po më rëndonte pa masë, aq sa kur kemi arritur te disa shtëpi, ku mendonim ta përfundonim për atë natë, unë nga i ftohti i madh, për t’u mbrojtur, kam shkuar të një mulluar i sanës ku jam strehuar për t’u mbrojtur pak nga i ftohti dhe për të mos më rrokë fryma. Nuk e di sa kam qëndruar aty, por e di se nga i ftofti i madh, ashtu qysh kisha qenë i gërrmysur, më kishte zënë gjumi për aq kohë sa  ka ardh  Muhameti për të më kërkuar, duke më thirrur  deri sa më ka gjetur. Si në ëndërr e kam dëgjuar duke më thirrur Shefki, Shefki! Kur i kam përgjegjur m’është afruar dhe më ka parë që gati isha ngrirë i tëri! Me kujtohet që edhe gishti  m’ishte ngrirë në kamëz të automatikut, dhe fatmirësisht që nuk ka pasur nevojë për të intervenuar, se gishti s’më kishte punuar.

Muhameti jetonte në Pollatë e për çdo mëngjes vinte me autobus në Podujevë e takoheshim në kafe “MALESIA” prej ku e fillonim puën gjatë tërë ditës e në mbrëmje shpeshherë edhe natën vonë detyrohesha ta dërgoja Muhametin në Pollatë me një veturë timen që e shfrytëzonim edhe për nevoja të luftës. E pasi që e leja Muhametin në Pollatë detyroihesha të kthehesha i vetëm në shtëpi. Ishte një kohë që njerëzit natën nuk lëviznin fare për shkak të pasigurisë. E ne duhej të kalonim  pranë stacionit të policisë në  Krypimeh që edhe ata për shkaqe sigurie kanë  vënë reflektorë të mëdhenjë në të gjitha anët e stacionit. Një natë, më 25 nëntor 1998, pas orës 22:00 e kam dërguar Muhametin në Pollatë, e, në të kthyer i vetëm, saktësisht para stacionit policor në Krypimeh, një polic i armatosur rëndë më del ngadalë përpara në rrugë dhe më bën me dorë që të ndalem! Pasi ndalem, ai afrohet ngadalë  me shumë kujdes, duke më mbajtur në shënjestër të automatikut! Më kërkon dokumentat, unë ia jap. Tani del  edhe një tjetër polic që ishte nja 50 metra prapa meje e pas tij edhe një tjetër që ishte 50 metra më përpara, i cili del nga një qoshe e një shtëpie dhe afrohen e bëhen të tre policët bashkë.Njëri qëndronte para makinës, njëri prapa makinës, kurse ai që mi mori dokumentet më pyeti ku ishe në këtë kohë? Unë, nga sjellja e tyre, thënë të drejtën mendova që me kaq e pata, se këta e paskan ditur për aktivitetin tonë dhe se tash po më ekzekutojnë ose të paktën po më arrestojnë, që për mua njësoj ishte, se tuta më kishte shkuar në vend! Njëmijë mendime më shkonin në kokë, njeri i gjallë nuk lëvizte, mendoja që nëse nuk më ekzekutojnë, po më arrestojnë! Doja që,  të paktën të më shihte dikush që më morën dhe tregon. Dhe gjatë kohës deri sa ata po konsultoheshin, un mendoja që të pranojë së e dërgova Muhametin (komandatin e MC) në shtëpi. Apo ta provojë në sajimin e një gnjeshtre. Për një moment kam vendosur ta provojë gënjeshtrën, duke menduar së nuk po humbas asgjë dhe në pyetjen e tyre se ku isha në këtë kohë,  unë ia ktheva se isha në Pollatë. Në pyetjen e tyre çka lype në këtë kohë në Pollatë, unë iu përgjigja që e kam një kafe në Podujevë dhe se një djalë i tezes që është prej Pollatës punon tek unë e me që nuk pat transport unë e dërgova deri në shtëpi. Ai me pyeti se cila është kafeja jote, une i përgjigjesha në menyrë të tërrthortë, duke mos i treguar vendin ku është kafeja dhe  nuk ia përmendja emrin “Malësia”, i thosha është afër Gërmisë, afër furrës të Hajdarit, por pa ia përmend emrin “Malësia”. Po ata institonin cila kafe dhe i thash një kafe e vogël që është ngjitur me kafen e Avdylit. Dhe njëri nga ata u kujtua dhe më tha që a është ajo kafeja që i ka mollëkuqet në xhama të dritareve? Si me drojë i thash po, por atyre sikur nuk u bëri përshtypje shumë përgjigja ime, me detyruan të dalë e ta hapë bagazhin edhe hauben e motorit. Pas një kontrolli të detajuar më kthyen dokumentet dhe me thanë: Je i lirë!

Nuk ju besova veshëve, por jam nisur ngadalë e kam dalë në rrugë. Deri sa e kam kaluar urën e madhe e kam hangër trupin, si thonë, nga frika se po shtien nga prapa e po më inskenojnë se kinse nuk jam ndalë ose kam tentuar t’i shkelë, se zakonisht kështu vepronin, pasi që i vranin njerëzit, duke ia lënë edhe një automatik te koka për të justifikuar vrasjen.Por fatmirësisht mua nuk me ndodhi ajo çka u frikësova e çka po mendoja në ato momente

Të nesërmen, me ta marr vesh për rastin që më kishte ndodhë, shkuam me Muhametin në Komandë të zonës, ku urgjentisht na kërkuan që nga ai moment ta lëmë qytetin dhe të vendoseshim në komandë. Kështu që, më 26 nëntor 1998 definitivisht e lamë qytetin dhe i dhamë fund jetës gjysmë ilegale, duke u vendosur në komanden e ZOLL, ku për herë të parë u veshëm me uniforma ushtarake të UÇK e më vonë u armatosëm  duke u pajisur edhe me radio lidhje me shifrën “Dardania 105” Muhameti, “Dardania 105A” unë. U ngarkuam edhe me nje xhip, të cilin e vozisja unë.  Ne qëndruam disa ditë në komandë të ZOLL,  deri sa e përgatitëm shtabin e MC në shtëpinë e Agim Havollit, që ndodhej afër varrezave te fshatit Llapashticë e Epërme. E angazhuam eprorin rezervë,  Fahri Sadriu në cilësinë e shefit të shtabit. Pas akomodimit në shtab, filluam punën me intezitet edhe më të madh me themelimin e shtabeve lokale te MC nëpër fshatra të krejt Llapit. E paralel me themelimin e shtabeve ne vazhdonim punën me mbikëqyrjen në hapjen e trasheve dhe istikameve, që vazhdonin pa ndërpre edhe gjatë ditës edhe gjatë natës.
Ditëve të mira, të qeta e pa luftë ju erdh fundi më 24 dhjetor1998, me ofenziven e madhe të forcave serbe në zonën e Llapashticës e në lagjen e Duriqëve. Në këtë ofenzivë kontribut të madh dhanë edhe forcat rezervë të mbrojtjes civile e posaçërisht forcat e ardhura nga Malësia e Llapit, siç ishte Pollata, Dvorishta, Repa, Sllatina, Zhitia, Breca etj. Këta ishin perforcim i madh, dhe në kohën e duhur, që me trimerinë që treguan ndikuan  në pengimin e zhvillimit të forcave serbe, duke e ngritur edhe moralin te ushtarët tjerë. Pas rënies se pikës në Tabe e vendosjes së forcave të mëdha serbe në ato kuota, ishte sfidë për ZOLL-in, se tani më forcat serbe na u kishin afruar ne 2 deri 3 km. Ushtrues si nevojë urgjente hapja  e trasheve dhe fortifikimi në zabel një mal i vogël por me pozitë strategjike jo ma larg se 600 metra vijë ajërore nga forcat serbe. Ne angazhuam potencial të madh njerëzor, që natën të bëjmë hapjen e traseve, istikameve edhe bunkerëve në udhëheqjen e Mustafe Ahmetit edhe të Fahri Sadriut, të cilët kishin njohuri të mira për fortifikim. Vlen të theksohet një fakt shumë interesant, që pas ofezivës më 24 dhjetor e lëshoj zoti një mjegull të madhe që në 3 metra nuk shihje. Kështu që ua pamundesoi forcave serbe të zhvilloheshin me tej. Per 3 ditë ne kemi punuar natë e ditë në fortifikimin e strehimoreve e në bunkera. Kur ne prfunduam me fortifikimet dhe i vendosem ushtarët dhe pajisjet e armatimit, interesant por e vërtetë  në mëngjes  u hoq mjegulla dhe forcat serbe kanë hasur në fortifikimet tona që për disa muaj kanë qenë të pakalueshme. Me këtë dua të them se Zoti na ka ndihmuar se po të mos ishte mjegulla shans nuk kemi pasur të fortifikohemi në atë pozicion. Kurse gjatë ofenzives të 27 dhjetorit 1998 u sulmua pika jonë në Obrançë. Unë, me rekomandimin e Muhametit e me kërkesë të komandant Dajës, atë ditë kam qëndruar në komandë të zonës nga ku me komandant Dajen kemi udhëhequr operacionet gjatë asaj dite. Unë kam qëndruar në komandë me qëllim që nëse eskalon situata në dëm të pozicioneve tona, do të merrja instruksionet e nevojshme nga komandant Daja se ku duhet të silleshin e të forcoheshin pozicionet me vullnetarë te MC, që mbi 200 të armatosur e të gatshem për luftë e që ishin duke pritur në pikën e Bajçinës, që komandoheshin nga Naser Hyseni (Doktorri),  po që fatmirësisht nuk pati nevojë te intervenohej, se forcat serbe ranë në  një rezistencë të hatashme të ushtarëve tanë e u tërhoqën  me turp.

Duhet të flas edhe për disa vlera të UÇK. Më kujtohet një rast që bashkë me komandant Latën e disa ushtarë kemi bërë një vizitë te disa familje serbe që jetonin në Llapashticë të Epërme. Gjatë vizitës te çdo familje veç e veç,  duke i pyetur se si janë dhe si qëndrojnë materialisht dhe a kanë shqetësime për sigurinë e tyre, nga të gjithë kemi marrë përgjigje se e kanë gjendjen mirë materialisht e se ndihen shumë të sigurtë. Si prej fqinjve por veçanërisht edhe prej ushtarëve të UÇK. Atëherë ne ju drejtoheshim që ju vullnetarisht t’i dorëzoni armët dhe çka keni, se ne ju bëjmë siguri për çdo gjë që keni nevojë, atëherë ata pa hezitim na e sillnin të gjithë armatimin që posedonin, e ushtarët tanë i merrnin në dorëzim, duke i regjistruar një nga një e në fund duke ia dhënë dëshminë që i kanë dorëzuar armët me stemen e UÇK. Që e nënshkruanin duke e marrë nga një kopje. Vlen të thuhet që në asnjë shtëpi nuk kemi pas nevojë që të kontrollojmë nga që ata e dorëzonin vullnetarisht krejt çka kishim dhe na thonin se kështu na i ka sjellë pushteti serb e kështu po ua dorëzojmë ne juve se deri sa jemi në sigurinë e juaj nuk kanë çka na duhen armët.

Kurse në Katunishtë, deri sa zhvilloheshin luftimet, shumë familje serbe iknin nga zonat e luftës në vende më të sigurta e nuk ktheheshin disa ditë deri sa përfundonin luftimet. Gjatë asaj kohe, sa ata nuk ishin në shtëpi, ushtarët tanë të UÇK kujdeseshin për pronën dhe gjanë e gjallë, deri sa ata ktheheshin. Kjo tregon për luftën e drejtë e të pastër të  UÇK. Lufta e UÇK udhëhiqej nga ideali për liri dhe barazi, duke zbatuar ligjet e luftës dhe duke mos u marrë me civilë siç bënin forcat serbe që për çdo humbje që pësonin nga ushtarët e UÇK, hakmerreshin në popullatën e pambrojtur civile. Edhe fillimi i vitit 1999 nuk ishte aspak i qetë se ne në vazhdimësi jemi atakuar nga armiku pothuasje në tërë vijat e frontit, por pika më e atakuar ishte Ulpiana 39 që ndodhej përballë Tabeve të Llapashticës. ku ishte vendosur një brigadë e motorizuar e mjete të blinduara, prej ku ata vazhdimisht na granatonin, e, shumë herë e kanë provuar që të depërtojnë në thellësinë e territorit tonë, por në vazhdimësi tërhiqeshin nga rezistenca e madhe që i bëhej nga forcat tona. Ne këtë pikë e kishim ngat, prandaj shumë herë kemi qenë në përforcim bashkë me Muhametin. Bashkë me Muhametin kemi marrë pjesë në ofenzivën në Godishnjak-Majanc në ofenzivën Konushefc-Buricë. Në ofenzivën Gllamnik-Llapashticë e Poshtmet, si dhe në ofenzivën e madhe të Tashevcit. Ku një kolonë e madhe prej 75 automjete të blinduara, më 24 mars kanë tentuar që të futeshin në territorin e Kosovës  nga territori i Serbisë e që për synim e kishin pushtimin e Mavriqit për ta asgjësuar UÇK-në atje, por për 3 ditë rresht nuk ia dolën që të na mposhtin, për kundër insistimit të madh të tyre, duke na sulmuar nga dy krahët, njëkohësisht nga Podinat e Repës e në anën e sipërme, nga Tashevci në drejtim të Pollatës dhe Potokut. Ne, nga që ishim të pakët në numër, detyroheshim që gjatë ditës disa herë të barteshim herë te bllokada që e kishim vendosur te shtëpia e Nebih Farkatarit, që na sulmonin me mjete të blinduara. E në anën  tjetër, me këmbësori na sulmonin  nga ana e epërme mbi shtëpitë e Monollëve të Pollatës. Kështu që, ditën e tretë, me 26 mars, kah mesdita, forcat serbe hoqën dorë që të pushtohej Pollata e u drejtuan Luginës se Llapit në drejtim të Krypimehit. Me 28 mars ishte ditë bajrami. Bashkë me Muhamet Latifin e Latif Gashin vendosëm që të inspektonim pozicionet tona, duke filluar nga Katunishta ku u takuam me major Ramë Arifaj, i cili na njoftoj për pozicionet e për rrjedhen e luftës që ishte zhvilluar ditë më parë. Nga aty kemi vazhduar për në Bradash te lagjja e Malokëve, ku i kemi vëzhguar forcat serbe që ishin të vendosura ditë më parë. Në përfundim kemi marrë një aksion të suksesshëm ku kemi arritur të tërhiqemi pa pasoja. Kur kemi arritur pas një gjysmë ore te lagjja e Spahinjve,  forcat serbe kanë filluar lëvizjen e trupave në të perënduar të diellit. Kanë filluar granatimet që kanë zgjatur rreth gjysmë ore duke na granatuar fuqishëm. Pas përfundimit të granatimeve ishte errësuar. Fare befas më ka goditur një plumb i snajperit me shurdhues. Plumbi më ka goditur në shpinë dhe me ka dalë në gjoks. Fundin  e  luftës, edhe pse ende i pashëruar plotësisht, e kam pritur në Sllatinë, Pollatë e ku krejt në fund, në Sylevicë. Me urdhër të komandant Dajës jam caktuar përgjegjës për formimin e pushtetit civil pranë brigadës 152 “Shaban shala”.

Lavdi jetës dhe veprës së luftëtarit të UÇK, Shefki Sejdiu, shpirti i tij pushoftë në paqe!

Shefki Sejdiu në luftë.

[1] Gani I. Mehmeti: MAVRIQI I LLAPIT 2 dhe Metë H. Mavraj: MAVRAJT E PODGURIT, Podujevë, 2020, faqe 399 deri 414.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu