ARKIVI:
20 Maj 2024

Sot 36 vite nga varrimi madhështor i Akademik Ali Hadrit në Pejë, përcjellje për tu mbajtur në mend e varrimit

Shkrime relevante

Shpërndaj

Dr. Muhamet Shatri, historian

Të respektuar dhe shumë të çmuar miq,

Sot me 3 dhjetor 2023 , mbushën 36 vite nga varrimi madhështor i Akademik Ali Hadrit
Në ditën e djeshme të vitit 1987 vdiq Profesori im i dashur në Pejën e tij heroike. Nuk e harroj kurrë atë ditë të dhembjes së madhe për të gjithë shqiptarët, ashtu siç nuk i harroj kurrë këshillat, mësimet që na i jepte, fjalët e tij të ngrohta, fjalët e njeriut që ndërtoi me aq punë e pasion një emër me kuptim, të thuash, hyjnor. Prandaj sot do të përpiqem të përkujtoj ditën e varrimit të tij, që u bë me 3 dhjetor 1987 , të shkruaj për ato që kam përjetuar, për njerëzit pjesëmarrës në kortezh dhe pranë varrit, ashtu si i kam mbajtur në mend por edhe në konsultim me pjesëmarrës të tjerë:
Mbledhja përkujtimore u mbajt në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) në të cilën ishin ftuar të merrnin pjesë vetëm anëtarët e Akademisë dhe familjarët, kurse ne të tjerët nuk na u lejua të ishim të pranishëm. Ndërkaq ceremonia e varrimit u organizua më 3 dhjetor 1987, në Pejë. Aty morëm pjesë kolegë, ish-studentë, bashkëpunëtorë shkencorë si dhe adhurues të këtij elitari të historiografisë nga e gjithë Kosova dhe trojet e tjera shqiptare. Shtëpia e të ndjerit ishte shndërrua në një pikë bashkimi për të gjithë pjesëmarrësit e kortezhit të përmotshëm, të cilët parakalonin përreth trupit të Akademikut tashmë të ndjerë, e që në ballë të sfondit të asaj skene ngrittë shtatin Flamuri kombëtar, i cili e përcolli deri në varrin e hapur në tokën dardane.
Profesori ynë i respektuar kishte lënë udhëzime të prera e deri në detale për mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e ceremonisë mortore me rastin e vdekjes së tij. Procesionin, sipas porosisë se vet Profesorit, e udhëhoqi me përkushtim dhe plot dhembje, por edhe me mburrje, kolegu dhe miku i tij, veprimtari i guximshëm, prof. dr. Zekeria Cana, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Kolona e pjesëmarrësve (kortezhi) kishte gjatësi mbi tre kilometra, që nga shtëpia e Profesorit në qendër të Pejës e deri te varrezat në dalje të qyteti në drejtim të Deçanit. Në të djathtë të kolonës ishte i pari prof. dr. Skënder Rizaj. Dy rreshta në krye të kortezhit ishin familjarët dhe farefisi i të ndjerit, në rreshtin e tretë marshonin të zymtë, por kryelartë kolegët akademikë: Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Rexhep Qosja, Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, sekretari i Akademisë, mr. Zija Bylykbashi, pastaj vinin një pjesë e punonjësve shkencorë të Institutit të Historisë së Kosovës: prof. dr. Sulltane Kojçini-Ukaj, prof. dr. Seit Lipa, prof. dr. Ramiz Abdyli, prof. dr. Fehmi Rexhepi, prof. dr. Muhamet Shatri, prof. dr. Jahja Drançolli, prof. dr. Faruk Salihu, prof. dr. Jusuf Bajraktari dhe sekretari i Institutit, Muhedin Krasniqi. Bashkë me pjesëmarrësit nga Instituti ka qenë edhe ing. Shemsi Rudari. Në të djathtë të kolonës ecte hijerëndë por krenar moderatori i këtij procesioni të dhembshëm, profesor Zekeria Cana. Të shtoj se, nga Instituti Albanologjik kishin ardhur prof. dr. Ymer Jaka, prof. dr. Resmije Shala-Kryeziu, prof. dr. Xheladin Shala dhe ndonjë tjetër; ishin të pranishëm edhe disa profesorë nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe të Fakultetit Filozofik në krye me prof. dr. Rexhep Ismailin etj, kurse nga fakultetet tjera, për habi, nuk pati asnjë pjesëmarrës.
Vlen të theksoj se, të gjithë nuk patën vullnetin por dhe guximin t’i bashkoheshin këtij demonstrimi të pashembullt atdhetar! Madje, nuk morën pjesë as nga punonjësit e Institutit të Historisë, në krye me drejtorin, i cili ishte emërua pas largimit arbitrar të Akademik Ali Hadrit, por as drejtori i Arkivit të Kosovës, i cili gjithashtu kishte shkuar në atë post nga kolektivi i Institutit! Pra, as këta nuk patën kurajë të vinin për të nderuar dhe të i jepnin lamtumirën e fundit Profesorit tonë dhe të tyre, që kishte bërë aq shumë për ta dhe për të gjithë ne, e sidomos për historiografinë shqiptare të Kosovës.
Kur arritëm tek varrezat, sipas porosisë se Profesorit tonë shpirtndritur e heroik, bartjen e arkivolit nga automakina e deri buzë varrit e bënë: Ramiz Abdyli, Fehmi Rexhepi, Muhamet Shatri dhe Jusuf Bajraktari, që me kaçikun e tyre, i patën qëndruar besnikë profesorit dhe mentorit të tyre zemërluan në ditët më të vështira të fushatës së shfrenuar serbomadhe kundër tij dhe të një pjese të kolektivit të Institutit. Këtu duhet theksuar se me gjithë sulmet dhe akuzat e shumta që iu bënë me qellim të gjunjëzimit e të mposhtjes së qëndresës, korifeu i historiografisë sonë iu përballoi të gjithave, duke sfiduar me krenari të rrallë prej intelektuali dhe duke qëndruar pa u lëkundur në pikëpamjet e tij shkencore dhe në kërkesën liridashëse të rinisë së Kosovës. Kjo dëshmohet edhe me faktin se vetëm disa muaj para se të vdiste, Profesori historik me vetëdije të lartë, do të shkruante: “…Se aspak nuk do të shqetësohem nëse do të bëhem viktimë e sadizmit politik, sepse edhe në këtë mënyrë do të ndaj fatin tragjik të popullit tim”! Për shkak të kësaj qëndrese të paepur të profesorit dhe të një pjese të bashkëpunëtorëve të tij, qarqet shoviniste serbe kishin shpallur Institutin e Historisë “fortesë të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”.
Siç e thashë edhe më lart, në këtë varrim morën pjesë edhe veprimtarë nga viset e tjera të Kosovës, e në këtë rast përkujtimi po veçoj edhe intelektualët e dëshmuar prej kohësh nga Klina: Selman Etemi, Zenun Zeqa, Prenk Gjetaj, e të tjerë.
Në vazhdim të procesionit shokët e idealit që nga rinia dhe miqtë e dëshmuar, prof. dr. Skënder Rizaj dhe shkrimtari i mirënjohur Ramiz Kelmendi, patën tagrin e dhimbshëm që ta lëshonin në varr trupin e pajetë të bashkëveprimtarit të tyre. Dhe këtë e bënë me zemër të thyer e me lot në sy. Ndërkaq fjalën mortore shumë përmbajtjesore, mallëngjyeshëm dhe me tone të forta kushtrimore e mbajti korifeu i gjuhësisë shqiptare të Kosovës, Akademik, prof. dr. Idriz Ajeti nga Tupalla e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës së dhembjes sonë të madhe.
Të gjithë pjesëmarrësit ishim shumë të mërzitur dhe zemërthyer por kryelartë sikur të ishim pjesëtarë të një kuvendi të qëndresës ndaj armikut të vatanit.
Vlen të theksohet se, gjatë kësaj ceremonie pikëlluese nuk pati provokime apo pengesa nga organet shtetërore dhe as nga pjesëtarët e komuniteteve joshqiptare, edhe pse ishin të pritshme. Për më tepër gjatë parakalimit të kortezhit, shumë qytetarë ndaleshin në vend në shenjë nderimi.
Mund të përfundojmë se ky ka qenë varrimi më masiv dhe më madhështor që ka njohur Peja dhe Kosova me trevat e tjera shqiptare deri më atëherë. Ishte ky dhe një demonstrim i fuqishëm i qëndresës së elitës intelektuale por edhe i të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare kundër fushatës dhe masave antishqiptare të qarqeve shoviniste serbe dhe aleatëve të tyre nga viset e tjera të Jugosllavisë.
Lavdi për jetë e mote veprës madhore kombëtare të profesorit Tim shumë të dashur, Akademik, prof. dr. Ali Hadri!

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu