Sulmet ndaj intelektualit, patriotit dhe veprimtarit të njohur Nusret Pllana shpërthyen pikërisht në ditët e promovimit të veprës së tij dokumentare e publicistike: “Fëmijë shqiptarë në Kosovë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981–1999” (Hanëmshahe Ilazi & Nusret Pllana).
Ky përkim nuk është rastësi. Është manovër për ta zhvendosur fokusin.
Në vend që opinioni të përqendrohej te dokumentimi i krimeve serbe, vëmendja u devijua me qëllim drejt një polemike banale: një thirrje që të mos hidhen para aty ku s’ka vlerë “Xhamia e Hamamit” dhe përdorimi i një fjale të zakonshme të shqipes popullore – “hamam”, idiomë për diçka pa peshë. Ku nga kjo fjalë u prodhua një linçim publik. Qëllimi ishte i qartë: të mbulohej puna kolosale e Pllanës në dokumentimin e gjenocidit serb.
Reagimi i orkestruar tregon një sinkronizim të rrezikshëm të ekstremizmit ideologjik islamist me interesa që historikisht kanë qenë armiqësore ndaj shqiptarëve, pra interesat serbe. Reagimet e zhurmaxhinjëve nuk patën për qëllim me sulmua një fjalë e Nusret Pllanës, por me sulmua memorien historike që ai po ndërton.
Ku ishin këta zhurmaxhinj kur Nusret Pllana, për dy vite lufte, jetonte nën rrezik të përditshëm vdekjeje?
A e dinë se në gjashtë muajt e fundit ai hynte çdo ditë në redaksinë e Radio “Kosova e Lirë” nën raketa, avionë e artileri serbe, me vetëm një lutje:
“Zot, më jep edhe një ditë që ta transmetoj zërin dhe shpresën për liri.”
Ai që përballet me vdekjen për të dëshmuar të vërtetën nuk sulmohet për një idiomë. Sulmohet vetëm kur puna e tij ua prish planet dikujt – në këtë rast përpjekjet e Islamit politik dhe serbis për ta zhvendosur identitetin shqiptar dhe për ta relativizuar vetë lirinë tonë.
Prandaj sulmet ndaj Nusret Pllanës dhe familjes së tij nuk burojnë nga besimtarët e sinqertë myslimanë shqiptarë. Ato burojnë nga qarqe që duan të zbehin dëshminë për krimet serbe dhe të relativizojnë historinë.
Besimi i shqiptarëve nuk është problemi. Manipulimi i tij për propagandë është problemi.



