ARKIVI:
26 Prill 2026

Tregim: Nuk çelë më pranvera …! Në kujtim të Sandër Prosit

Shkrime relevante

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Nga Frank Shkreli (Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha...

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Vuçiç: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës

Gani I. Mehmeti (A.P / 25 April 2026 - 17:34, Kosova Sot...

Bllokim të deputetevë në Kuvend deri në zgjedhjen e Presidentit!

Florim Zeqa Në demokraci sovrani (populli) është forca mbrojtëse e shtetit dhe...

Shpërndaj

Foto: Aleksandër Prosi

(Shkodër: 6 Janar 1920 – Durrës: 24 Mars 1985).

Bajram Sefaj 

 t r e g i m 

nuk çelë më pranvera… !    

( në kujtim të sandër prosit) 

Shkallë, shkallë…, shkallë, shkallë… 

Kur ngjiti shkallët më të larta të artit teatror, papritmas çeli «pranverë e hidhur!». 

S’ka si bëhet më e hidhur, ishte ajo pranverë. 

Mbi zallin e imët kristalor të plazhit të madh të qytetit të bukur bregdetar, atë stinë të hidhur, kushedi në e sollën valët e detit, që i trazonte dhe i tallazistte puhizë ngjitëse me syprinën e ujit, në vinte nga anë e panjohur, nga shtigje të errëta gjithësie…?  

Ishte ditë e enjte. Katërmbëdhjetë i muajit mars, ishte numri i asaj dite, në kalendar… 

Shkallë, shkallë…, shkallë, shkallë… 

Vetëm edhe një skenë, hiç tjetër, duhej rixhiruar, edhe një «dubël»,  rezervë.  

Regjisorit i ishte tekur se ishte i domosdoshëm. 

Pas kësaj, premtonte ai, çdo gjë do të përfundonte mbarë.  

Do të fiken dritat e reflektorëve. Do të mbyllen kamerat. Do të mbështillen rekuizitat. Do të çmontohet skenografia. Pjesët e kostumeve do të palosen, në arka… 

Do të pushojë çdo gjë.  

Sheshi i xhirimit s’do të  gumëzhijë më. Me thirrje e britma që aq shumë ngjajnë në turbullirë. 

Shkallë, shkallë… shkallë, shkallë, shkallë… 

Përfundimi i  xhirimit të këtij filmi të ri artistik, pritej të shënonte dy të qëlluara përnjëherë: ngjitjen e artit kinematografik, në përgjithësi, në shkallë më të lartë, por edhe  një shkëlqim të ri të bartësit të rolit kryesor, në veçanti.  

Dy të arrira, të mira e të dashura, ngase janë të afërta si dy motra binjake që pinë ujë nga i njëjti burim. 

Shkallë, shkallë… shkallë, shkallë… 

Në çastin kur aktori përsëriste rrokjet e fundit të një bisht teksti të shkurtër, për ta thënë atë sa më mirë, para kamerave, drejt e pa gabime, në dhomën e hotelit «Puhia», kobshëm shkrepi një zë!  

Nuk ishte, jo!, zëri që aq shpesh, për gjithë ato ditë, ftonte në shesh xhirimi.  

Zëri nuk e thirri, por e theri, në zemër! 

Si majë thike e helmuar ! 

Nga vinte ajo thirrje. Nëpër cilën rrugë të fshehtë? Çfarë porosie sillte ajo? Nga vinte? Nga përvidhej?  

Aktorit zemra iu dalldis, veshët i morën oshtimë të thellë. Tronditëse. Marramendëse ishte ajo turbullirë e thellë. Vdektore! 

Shkallë… 

Krye shkallëve të katit të tretë të hotelit, aktorit kryesor, sakaq i shket këmba e, shakull bie para këmbëve të recepsionistit dhe të mysafirëve e klientëve të rastit, kur qëllojnë atypari.  

Përplasja ishte e fortë, e pamëshirshme.  

Pas vetes nuk linte asnjë shpresë, për asgjë tjetër, pos konstatimit… 

Recepsionisti, mysafirët, personeli i gjithi, sakaq ishin mbledhur rreth trupit të pajetë të aktorit. Me vaje, gulçima dhe britma të mëdha, sikur qiejve në gjithësi t’i nisnin lutje për ringjalljen e tij, me besimin se vdekja e tij nuk ishte tjetër pos një rol i interpretuar mirë e me besnikëri madhështore. Ashtu siç kishte ndodhur aq shpesh me heronjtë e galerisë së pasur që i kishte interpretuar gjatë karrierës së tij të pasur, si aktor filmi e teatri.  

Trupin e plandosur për dyshemenë e mermertë e të rrafshët të hotelit, spektatorët e rastit, e kishin përjetuar si një shajni. Si një ëndërr. Një vegim të rremë, asgjë tjetër!  

Sh, sh…, sh, sh … 

Ngurrimi i thatë, i ftohtë, heshtja e thellë, si të mos kishte ndodhur asgjë prej gjëje, vinte nga andej. Anës së taborit të ekipit realizues. Nga anë e aktorëve.  

Ishte kjo një befasi alarmuese. Ashtu siç ishte kryeneçe vetë inercia e regjisorit. Jo vetëm nuk i avitej kufomës me kokë të çarë të protagonistit kryesor të filmit të tij, por ndalonte edhe të tjerët të afroheshin. Ngeshëm priste  mjekun legjist, ekspertin gjyqësor, policinë, hetuesinë… në vendin e ngjarjes… 

Sh, sh…, sh, sh… 

Përfundimin tragjik të aktorit, kjo e bëri edhe më të rëndë. Të zymtë.  E mbështolli me futë të zezë. Mortin e pllakosi terr i zi dyshimi. Prerje. Grirje…  

Atë ditë e sot, s’u  mor vesh asgjë! 

«Pranverë e hidhur»,  lidhur.  

Enigmë!  

Mister! 

Mjegull! 

Mos, vallë, në vetë titullin e filmit,  – pranverë e hidhur, – fshihej mallkimi! 

Sh, sh…., sh, sh… 

Mos fol! 

Shukat! 

Shët!  

(diku në francë, pranverë – 2001) 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu