ARKIVI:
12 Qershor 2026

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të jetë nën patronazhin e Presidentit Joe Baiden

Shkrime relevante

Ne Shqiperi nuk po protestohet per flamingo, por për keqeverisje denigruese!

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë Protestat në Shqipëri, në gjykimin tim,...

Protestat: Mbrojtje e mjedisit apo fushatë e huaj për destabilizim?

Prof. Dr. Pirro Prifti, Tiranë Nga një vështrim kritik mbi protestat e...

Jemi popull i fragmentuar nga kufijtë, nga partitë, nga fetë, nga klanet, nga rrëfimet kundërthënëse

Korab Rashiti Shqiptarët përballë krizës së tyre të brendshme Shqiptarët, qoftë në Shqipëri,...

Protesta të reja dhe ndjekje të të huajve në Belfast

Policia po përpiqet të largojë demonstruesit pranë Newtownabbey në Belfast më...

Në 27 vjetorin e çlirimit nga Serbia

Florim Zeqa Pse dita e çlirimit nuk është festë shtetërore?! Të paktë janë...

Shpërndaj

Ph.D. Elmi Berisha

Në cilësinë e kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe si aktor i proceseve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jam duke përcjellur me vëmendje të veçantë procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Pas zotimit të palëve me 27 shkurt dhe Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve me 18 mars të këtij viti, jo vetëm si “Vatër” por edhe si komunitet shqiptar në SHBA, kemi vërejtje substanciale dhe shqetësime serioze në raport me agjendën, konceptin e udhëheqjes së negociatave e në veçanti me përpjekjet në heshtje që të barazohet viktima me xhelatin. Në veçanti jemi të shqetësuar me presionin e madh që po i bëhët delegacionit të Kosovës që të bëjë koncesione dhe kompromise të cilat kam drojë se do e dobësojnë rendin kushtetues, rregullimin e brendshëm shtetëror dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Se kush është Serbia dhe lidershipi i saj, tanimë e din e gjithë bota demokratike dhe opinioni i gjerë ndërkombëtar. Se sa është Serbia “demokratike” dhe sa i respekton ajo marrëveshjet dhe zotimet ndërkombëtare po ashtu është e njohur për të gjithë opinionin ndërkombëtar. Se Serbia është ledhatuar dhe i janë bërë koncensione dhe vazhdojnë t’i bëhën ende nga disa vende evropiane, kjo nuk është gjë e re. Që nga 18 marsi kur është zotuar dhe obliguar që ta respektojë plotësisht Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve, Serbia ka bërë dhjetëra shkelje të kësaj marrëveshjeje, qoftë me deklarata nga presidenti (ish funksionar i partisë së kryeçetnikut Sheshel dhe ministër i Millosheviqit), qoftë nga ministri i jashtëm serb (ish zëdhënës i partisë së Millosheviqit dhe tani kryetar i partisë së tij), ndërkohë që nuk kemi dëgjuar asnjë reagim të vetëm nga “ndërmjetësit” dhe garantuesit e kësaj marrëveshje. Shqetësuese është se vetëm një veprim minor ose një deklarim publik i zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, të cilët veprojnë konform kushtetutës së shtetit sovran të Kosovës lidhur me këtë proces, vijnë reagime dhe presione të mënjehershme nga “ndërmjetësit kujdestarë” dhe garantuesit e marrëveshjes.

Kosova është e lirë dhe e pavarur falë angazhimit maksimal të shtetit dhe popullit amerikan, për çka ju jemi përjetësisht mirënjohës. Sipas vlerësimit tim, në muajt e fundit ka një diskurs tjetër të diplomatëve të SHBA-ve të angazhuar në Ballkanin Perëndimor sa i takon procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Qasja dhe deklarimet e tyre shpeshherë bien ndesh me parimet themelore demokratike dhe në shumë raste duke mbajtur anë në favor të Serbisë. Konkretisht jam ndjerë i befasuar me disa deklarata të ambasadorit të SHBA-ve në Beograd z.  Chris Hill, një diplomat me përvojë të madhe në rajon dhe njohës i shkëlqyeshëm i raporteve Kosovë – Serbi. Deklarimet e tij publike kohëve të fundit janë pa sens diplomatik dhe në mbështetje të “diktatorit të vogël” Vuçiq, për profilin e të cilit këto ditë ka shkruar gazeta prestigjioze amerikane New York Times, e cila pasqyron krimin e organizuar dhe krimet e tjera të viteve të fundit në Serbi si dhe nëntokën e këtij shteti që e lidh drejtpërdrejt me Vuçiq, i cili kohëve të fundit është bërë “partner i besueshëm” i diplomatëve amerikan. Në të njëjtin diskurs politik po vepron edhe i deleguari i Stejt Departamentit për Ballkaninin Perëndimor z. Eskobar, i cili muajt e fundit po bën një presion të paparë ndaj delegacionit kosovar dhe ka pasur deklarata jo të balancuara dhe aspak diplomatike duke aluduar në përgjegjësi të palës kosovare sa i takon zbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Vlerësoj se qeveria e Kosovës ka qenë tejet konstruktive dhe kooperative në këtë proces, kurse Serbia në secilin rast ka tentuar të minojë dhe t’i eskivojë obligimeve për jetësimin e marrëveshjes. “Shuttle diplomacia” e Eskobar nuk mund të llogaritet as në përmbajtje e as në veprime me atë të ambasadorit të ndjerë Riçard Holbruk. Ambasadori Holbruk vepronte konkretisht, me vendosmëri dhe nuk bënte balance mes xhelatit dhe viktimës.

Ne si komunitet shqiptaro-amerikan që ishim dhe vazhdojmë të jemi tejet aktiv në këto procese, në të cilat, personalisht, kam qenë pjesë e disa takimeve me Holbruk në periudhën 1998-1999 dhe me ambasadorin Frank Vizner 2005-2008, shpeshherë me kërkesë të tyre, ku na njoftonin në detaje me ecurinë e proceseve në të dy periudhat e veprimtarisë së tyre në emrin e popullit dhe të qeverisë së SHBA-ve. Z. Eskobar nuk e ka parë të arsyeshme të takohet asnjëherë me përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan. Mbase mendon që po vepron dhe ka potencën politike të ambasadorit Holbruk! Rezultatet flasin të kundërtën! Këpucët e Holbruk janë të mëdha dhe nuk i bien taman as z. Eskobar e as z.Hill! Por është një diplomat amerikan në rajon që është shëmbull i ambasadorit me kredibilitet të lartë dhe me qasje racionale të balancuar dhe të paanshme. Ky është ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë z. Hovenier. Angazhimet e tij për Kosovën dhe sidomos asistimi dhe këshillat e tij në menaxhimin e krizave të vitit të fundit, të provokuara dhe dirigjuara nga Beogradi zyrtar në veri të vendit, janë për tu admiruar. Qasja dhe veprimet e tilla diplomatike janë në funksion të paqes, stabilitetit dhe sundimit të rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës, si shtet demokratik, me përbërje multietnike.

Shteti i Kosovës është “fëmijë” i mikut tonë dhe partnerit strategjik të kombit tonë SHBA-ve, prandaj roli i SHBA-ve në përfundimin e procesit të normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë shumë më proaktiv, më dinamik, i panshëm dhe të bazohet në realitetin e ri. Kjo qasje e kohëve të fundit nga këta diplomatë të SHBA-ve që janë të kyçur në këtë proces lë shumë për të dëshiruar.

Konsideroj se është momenti i fundit që Presidenti Baiden të monitorojë personalisht këtë proces tejet të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë njohës i mirë i raporteve në rajon, dhe duke qenë se është marrë me dekada me këtë çështje, duke ditur orientimin strategjik të Kosovës pro integrimeve euro-atlantike, është momenti i fundit që Presidenti Baiden, me autoritetin e tij, ti japë kahje të duhur dhe dinamikë më proaktive përmbylljes së këtij procesi në mënyrë reale dhe konform realitetit të ri, që është meritë edhe e kujdesit të SHBA-ve për paqe dhe stabilitet në këto hapësira.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu