KOLONIZIMI SERB I KOSOVËS
Këto ditë doli nga shtypi libri im i radhës “Kolonizimi serb i Kosovës”, ribotim, i plotësuar me dokumente, burime e fakte të reja arkivore. Libri përfshinë periudhën prej invadimit sllavë në Ilirik (Ballkan) në shek. VII-VIII, përkatësisht pushtimin e Kosovës në fund të shek. XII e deri në vitin 1998, të ndarë sipas periudhave kohore. Recensent i librit është akadeniku, historiani i mirënjohuar anglez ser Noel Malcolm, ndërsa redaktor historiani i dëshumuar Bejtullah Detani. Libri ka 468 faqe.
Qëllimi i kolonizimit dhe sllavizimi i trojeve shqiptare në Gadishullin Ilirik (Ballkanik) me elmentin sllavë ishte një proces i vazhdueshëm politikës dhe i makinerisë ushtarake serbe e pastaj edhe jugosllave. Për të realizuar sllavizimin e territoreve shqiptare mbi popullin tonë u veprua me masa e me mjete të ndryshme politike e ushtarako-policore, të presioneve, dhunës e terrorit, kuptohet edhe me ato ekonomike e sociale.
Për realizimin e qëllimeve pushtuese të kolonizimit të Kosovës me elementin sllav dhe dëbimin e shqiptarëve nga atdheu i tyre, në politikën e tyre antishqiptare ishin angazhuar akademikë serbë, politikanë, shkrimtarë, nobelistë, historianë, ushtarakë, mësues, pedagogë, diplomatë, të cilët në bazë të udhëzimeve të kupolës së piramidës shtetërore serbe hartuan projekte, platforma, memorandume, programe, mbajtën tribuna të fshehta e të hapura, shkruan libra e monografi plot mllefe, shpërndanë fletushka me subjekte të trilluara dhe me ngjarje të stisura, me heronj të paqenë, me teza demagogjike kundër popullit shqiptare dhe kulturës, moralit dhe traditës së tij shekullore.
Popullata serbe erdhi në trevat shqiptare, përkatësisht në Kosovë si pushtues. Nga Rashka, serbët filluan të depërtonin në shekullin XI-XII, më parë në Fushë-Kosovën pjellore, madje në viset e rrjedhës së epërme të Moravës së Jugut dhe të Vardarit. Çetat serbe kanë shkatëruar çdo gjë. Këtu gjetën popullatën iliro-arbërore-shqiptare autoktone.
Trysnia asimiluese arriti kulmin në kohën e sundimit të perandorit Stefan Dushanit. Një rol të veçantë luajti kisha serbe me seli në qytetin e Pejës (Patrikana e Pejës), e cila duke pasur edhe mbështetjen e pakursyer të shtetit, punoi sistematikisht për largimin e popullsisë shqiptare nga riti katolik, i përhapur gjerësisht në radhët e kësaj popullsie më se një mijë vjet më herët dhe orientimin e saj drejt ortodoksisë sllave. Në këto rrethana një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare të Kosovës u shtrëngua të përqafojë ritin ortodoks sllav. Kishat shqiptare filluan t’i përvetësojnë dhe t’i uzurpojnë si të tyre, ose bënë rrënimin e tyre dhe në themelet e tyre ngritnin kishat serbe, si psh. të Banjskës, Deçanit, të Graçanicës etj.
Pushtimi osman i trevave shqiptare, pas vitit 1389, megjithëse solli me vete ndryshime të rëndësishme në planin politik, ekonomik, shoqëror e ideologjik, nuk e ndryshoi në thelb fizionomin e strukturës etno-kulturore të nacionalitetit shqiptar në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vendosja e sundimit osman në Kosovë, shënoi një ndryshim rrënjësor në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore të kësaj treve.
Dokumentacioni i periudhës pas pushtimit osman të Kosovës hedh dritë akoma më mirë dhe jep të dhëna më të shumta, që dëshmojnë se ato banoheshin nga popullsia shqiptare, kurse serbët të ardhur si kolonistë dhe si shtresë sunduese gjatë kohës së pushtimit rasiano-serb në këto troje, përbënin një pakicë të parandësishme, por sunduese politikisht.
Pashallëku i Beogradit (Sanxhaku i Nishit)
Në trevën e Pashallëkut të Beogradit deri në vitin 1826 jetonte një numër i konsideruar i popullatës shqiptare, sidomos nëpër qytete. Por, tërë popullata myslimane, duke përfshirë edhe shqiptarët në mënyrë të dhunëshme u dëbua. Menjëjerë filloi kolonizimi i atyre trevave me elementin sllavë. Kështu më 2 mars 1965 Knjaz Mihaili kishte nxjerr” Ligjin për kolonizimin e të huajve”.
Sanxhaku i Nishit
Duhet theksuar se shqiptarët deri kah gjysma e dytë e shekullit XIX qenë të vendosur në shumicën e qyteteve dhe qytezave, fshatrave të Sanxhakut të Nishit e më gjërë. Sanxhaku i Nishit përbëhej nga kazatë: Urkub (Prokuple), Kurshumli, Leskovc, Vranjë, Nish dhe Shehirkoj (Pirot). Jetonte në 716 vendbanime nga të cilat 400 ishin të pastra shqiptare e të tjerat me popullatë të përzer, shqiptare, turke, serbe, rome, çerkeze, hebreje etj.
Kjo trevë u pushtua nga forcat serbe me ndihmën e aleatëve të saj, sidomos Rusisë në muajin dhjetor të vitit 1877 dhe dhjetor 1878. Tërë popullata vendëse shqiptare etj. më se 250.000 veta u dëbua nga atdheu i tyre. Gjatë ikjes për shkak të dimrit të ashpër vdiqën ose u vranë nga forcat serbe më se 70.000 banorë, Serbia pushtoi 10.973 km.². Tokat e shqiptarëve mbetën të boshatisura.
Pas Kongresit të Berlinit (1878) filloi kolonizimi intensiv i trevave shqiptare të Sanxhakut të Nishit. Kolonët e ardhur ishin kryesisht nga Mali i Zi, nga Kopaoniku, nga rrethina e Uzhicës, Kosova, nga Novi Pazari, nga Sjencia, nga Pomoravla, nga Hercegovina, nga pjesët kufitare të Serbisë me Bullgarinë dhe nga të viseve të tjera. Imigrantët më të shumtë ishin nga Mali i Zi.
Këtë kolonizim pushteti serb e ka ligjësuar duke miratuar edhe dispozitat ligjore. Kështu Kuvendi Popullor i Serbisë ka votuar “Ligjin për kolonizimin e viseve të sapoçliruara”, i cili është miratuar më 3 janar 1880.
Kolonizimi i Kosovës 1912-1914
Politikën e spastrimit etnik dhe të kolonizimit të trevave shqiptare, Mbretëria Serbe dhe ajo Malazeze e vazhduan edhe pas pushtimit të Vilajetit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Dihet se me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1912/13 këto vise mbetën padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Ato iu nënshtruan spastrimit etnik dhe kolonizimit. Dhuna e terrori u kthyen në metoda të preferuara për të frikësuar dhe detyruar shqiptarët të shpërnguleshin ose të zhvendoseshin në vende të tjera.
Ky proces gjenocidal ndaj popullatës shqiptare u shoqërua me dëbimin e tyre në Turqi e në Shqipëri. Sipas disa vlerësimeve në periudhën ndërmjet viteve 1912-1914 në Turqi u shpërngulën rreth 500.000 njerëz. Sipas dokumenteve të diplomacisë serbe 281.747 njerëz janë dëbuar deri në gusht të vitit 1914, duke mos llogaritur fëmijët deri në moshën gjashtë vjeçare. Në pronat e shqiptarëve të dëbuar, qeveria serbe ka vendosur mbi 20.000 familje serbe, ndërsa qevera e Malit të Zi ka planifikuar t’i vendos 5.000 familje në Dukagjin. Në periudhën 1912-1915 janë vrarë 12.346 persona, janë burgosur 22.150 persona, janë vjedhur 50.515 shtëpi dhe janë djegur 6.125 shtëpi. Në anën tjetër një numër prej mijëra kolonëve u vendos në trevat e Kosovës, posaçërisht në tokat e shqiptarëve të ikur nga atdheu për shkak të dhunës e terrorit. Ndërsa, në atë pjesë të Kosovës, ku okupator ishte Mali i Zi, nëpërmjet “Ligjit special për kolonizim”, në pronat shqiptare në Pejë e në Gjakovë u vendosën rreth 6.000 kolonë malazezë.
Serbia që më 20 shkurt 1914, nxori “Dekretligjin mbi kolonizimin e viseve të posaçliruara dhe të bashkuara në Mbretërinë e Serbisë”, i cili më vonë u plotësua. Po ashtu veproi edhe Mali i Zi, i cili kishte nxjerrë “Ligjin mbi kolonizimin e viseve të posaçliruara” prej 27 shkurt 1914. Këto dispozita ligjore, dhe shumë të tjera, që merren më vonë, shërbejnë si mbështetje për nxjerrjen e ligjeve të mëvonshme në Mbretërinë SKS, përkatësisht jugosllave.
Kolonizimi i Kosovës me elementin sllav 1918-1941
Procesi i kolonizimit u ndërpre për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe vazhdoi menjëherë pas riokupimit të Kosovës në vitin 1918 nga pushteti jugosllav dhe zgjati me intensitet të ndryshëm gjatë tërë kohës së ekzistimit të Jugosllavisë borgjeze. Kolonizimi i ka parapri reformës agrare.
Qëllimi dhe synimi i kolonizimit të Kosovës ishte ndërrimi i strukturës nacionale, shthurja e kompaktësisë, e homogjenitetit të popullsisë shqiptare, e cila përbënte shumicën absolute të banorëve të sajë dhe pastaj të vendoset elementi sllav në të, siç thuhet “elementi nacional i besuar”. Dëshirohej që të bëhej në këtë trevë gradualisht pastrimi etnik i shqiptarëve nga trojet e veta autoktone, sikurse ishte vepruar në vitet 1877/78 në trevat e Sanxhakut të Nishit. Për këtë u diskutua në Klubin kulturor serb, mbledhjen ndërministrore të Mbretërisë së Jugosllavisë, u hartuan elaborate, siç ishte ai i Vasa Çubrilloviqit për shpërngulje të shqiptarëve etj. Posaçërisht synohej që të kolonizoheshin pjesët rreth kufirit me Shqipërinë, në mënyrë që të krijohet një tampon zonë dhe do të ndërpritej vazhdimësia territoriale, demografike e gjuhësore e popullatës shqiptare në mes të Kosovës dhe të Shqipërisë. Sipas organeve shtetërore kufiri do të ishte më i sigurt. Synohej të kolonizohen edhe vendet strategjike të komunikacionit, në mënyrë që kolonët të shërbejnë si mbrojtës dhe kontrollues të vendkalimeve. Në vitin 1938 u nënshkrua Konventa turko-jugosllave për shpërnguljen e 400.000 banorëve shqiptarë, por edhe të tjerë në Turqi.
Të bazuar në shënimet statistikore, qeveria arriti që në Kosovë, në periudhën midis dy luftërave, siç thuhej për nevoja të reformës agrare t’i kufizojë rreth 129.212,94 ha tokë. Ndërsa, gjatë kësaj periudhe janë vendosur 13.482 familje me rreth 67.410 anëtarë në 594 vendbanime.
Sipas një raporti të Drejtoratit Suprem të Reformës Agrare në Shkup, sek. nr. 344, datë 12.XI 1940, në territorin e këtij Drejtorati kishave dhe manastirëve iu janë ndarë 569 ha tokë, ushtrisë 1.342 ha, xhandarmërisë 250 ha dhe të tjera. Ndërsa, në anën tjetër merrej edhe prona e vakëfeve, xhamive, teçeve etj. pa kurrfarë kompezimi dhe në forma të ndryshme përfide. Nuk është mbajtur ndojë evidencë e mirëfilltë për marrjen e këtyre pronave, duke i konsideruar si prona te lira ose të përfshira në kompleksin agrar. Duhet permendur se pushteti agrarë në vitin 1927, Manastirit të Deçanit iu dhanë pronat e 50 familjeve shqiptare të fshatit Isniq, ndërsa Manastirit të Deviçit iu dhanë pronat e 20 familjeve shqiptare të fshatit Llaushë, komuna e Skënderaj. Pushtetarët serb si Nikolla Pashiqi, Jakov Çubriqi kishin plaçkitur më se 300 ha tokë te Tyrbja e Sulltan Muratit dhe synonin të krijonin “Qabën serbe”. Secila familje kolone mesatarisht i kishte marrë nga 8,45 ha tokë, por kishte shumë raste kur një familje kishte marrë edhe deri 45 ha tokë. Ndërsa, familjeve shqiptare kishte raste kur toka i merrej në tërësi deri në prag të shtëpisë, kështu që nuk zbatohej edhe ai dekretligj famëkeq, i cili parashihte se familjeve shqiptare t’i mbetej 0,40 ha tokë për një anëtar të familjes.
Në periudhën ndërmet dy luftërave botërore u arritë që nga Kosova të shpërngulen mbi 240.000 banorë shqiptarë në Turqi e diç në Shqipëri.
Përkitazi me kolonët dhe pronat e dhëna atyre ekzistonin dokumentet arkivore, përkatësisht më e 13.000 kartona me emra të kolonëve sllavë dhe sipërfaqen e tokave të dhëna. Këto kartona, kur në Arkivin e Kosovës ishin masat e dhunëshme në periudhën 1989-1999, u morrën dhe u dërguan në Arkivin e Serbisë në Beograd.
Kolonizimi sllav gjatë Jugosllavisë socialiste
Fillimin e Luftës së Dytë Botërore një numër i konsideruar i kolonëve sllavë kishin ikur dhe kthyer në vendlindjen e tyre. Menjëherë pas përfundimit të kësaj lufte u hap çështja e kthimit të kolonëve dhe rikolonizimit të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare. Kjo u shoqërua me projektin e ri antishqiptar të Vasa Çubrilloviqit “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, datë 3 nëntor 1944. V. Çubrilloviqi, para udhëheqjes më të lartë të LNÇJ e të UNÇJ, i propozon shpërnguljen masive të miliona njerëzve, sepse, sipas tij, “zgjidhja e vetme dhe e drejtë e kësaj çështjeje është shpërngulja e këtyre pakicave”… “Ushtria në kohën e opercioneve luftarake, duhet t’i spastrojë me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme… ato vise që dëshirojmë t’i kolonizojmë me elementin tonë kombëtar….” Një program të ri të tillë kundër shqiptarëve me titull “Tajni cirkular za istrebljavanje svih albanaca Kosova 5.II.1945” (Qarkorja serkete për shfarosjen e tërë shqiptarëve të Kosovës më 5.II 1945), e kishte shkruar një mësues nga Vushtrria.
Menjëherë filloi siç thënin revizioni i reformës agrare. Për realizimin e kësaj, përveç dispozitave ligjore për reformën agrare dhe kolonizimin, nxorri dispozita të shumta ligjore e nënligjore, në bazë të të cilave prona private u bart në pronë të ashtuqujtur gjithëpopullore – shtetërore, e cila më vonë u shndërrua në pronë shoqërore, si p.sh. nëpërmjet të sekuestrimit, konfiskimit, nacionalizimit, eksproprijimit, arondimit, marrjesë së pronave kinse si tepricë dhe shumë forma të tjera.
Në Arkivin e Kosovës ka ekzistuar fondi i Revizionit të reformës agrare, mirëpo organet e dhunëshme të Arkivit e bartën në Beograd.
Në këtë kohë filloi edhe konfiskimi i pronave të ashtuqujtur armiqëve të popullit, sidomos të atij shqiptarë. Me rëndësi është të përmendet se në këtë kohë shumë fshatarëve shqiptarë iu kshin konfiskuar edhe pronat me arsyetim se nuk paguanin të ashtuqujturën “tepricat” e prodhimeve bujqësore të cilat nuk ishin në gjendje t’i siguronin, si p.sh. të prodhimeve bujqësore, blegtorale etj. Duhet theksar se banorët e vendbanimeve fshatare në këtë periudhë i kishte goditur mjaftë edhe i ashtuqujturi kooperativizmi.
Në këtë periudhë vazhduan presionet për shpërngulje të shqiptarëve, duke ua marrë pronat, duke i burgosur intelektualet e pakët dhe shpallur si armiq të popullti, aksioni i mbledhjes së armëve me arsyetim se shqiptarët kinse po përgatiten për kryengritje të armatosur dhe bashkim me Shqipërinë, inskenimi i organizatave të fshehta politike “irredentiste”, redukimi i të drejtave sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, mbyllja e disa shkollave në gjuhën shqipte, nxjerrja e flamurit shqiptar në ditën e festës kombëtare nga ana e organeve të sigurimit si provokacion për t’i burgosur njerëzit e pafajshëm etj. Shpërgulja e shqiptarëve nga Kosova mori përmasa të gjera me intensitet të lartë, sidomos gjatë viteve ‘50 e ‘60 të shekullit XX. Gjatë këtyre viteve u shpërngulën në Turqi 283.000 shqiptarë, do të thotë afër një e treta e popullsisë së atëhershme. Në anën tjetër në Kosovë vinin një numër i madh i serbëve dhe malazezëve si nga territoret e afërta, ashtu edhe nga ato të largëta të Sërbisë dhe të Malit të Zi, si kuadro dhe me familje. Punësohen kryesisht në organizatat dhe institucionet shtetërore, shoqërore, kulturore etj. Vlerësohet se në Kosovë prej vitit 1945 deri me 1965 janë vendosur 12.300 familje sllave, ose rreth 64.000 persona me prejardhje sllave.
Ky proces u ndërpre në vitin 1966 (pas Plenumit të IV të Brioneve), kur u kritikua ashpër shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë së asaj kohe, që kishte goditur rëndë të gjithë të tjerët pikërisht shqiptarët e Kosovës, por edhe të viseve të tjera të ish-Jugosllavisë.
Pas një kohe pushteti jugosllav, përkatësisht ai serb, i hyri planit të ri me qëllim të rikolonizimit të Kosovës me popullatë sllave, përkatësisht organizimin e aksionit kinse të kthimit të serbëve dhe malazezëve të shpërgulur nga Kosova. Këtë plan e aktivizoi dhe filloi ta zbatoi pas demonstratave të studentëve, rinisë dhe popullit të Kosovës në vitin 1981. Kulminacioni i të gjithave u arritë kur në Kosovë u vendos gjendja e jashtëzakonshme dhe ora policore nën presionin e 30 mijë policëve të sjellur nga Serbia. Kështu më 23 mars 1989 nën gjendjen e jashtëzakonshme dhe nën kërcnimin e armëve, si dhe me anë të votave joparlamentare, Kuvendi i Kosovës aprovoi amandamentet për ndërrimin e kushetutës së vitit 1974, që edhe de jure u suprimua autonomia e Kosovës. Më 28 mars 1989, në Beograd Kuvendi Fedrativ i Jugosllavisë ratifikoi vendimin e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa në korrik të vitit 1990 pushteti serb e okupoi Kosovën.
Krahas përcaktimit politik për serbizimin e Kosovës, Serbia me vazhdimësi ka nxjerr ligje dhe akte normative me përmbajtje diskriminuese të veçanta për Kosovën. Pushteti serb kishte aprovuar rreth 1360 akte politike, juridike, të përgjithshme e të veçanta në funksion të rikolonizimit të Kosovës me serbë e malazezë. Ato kanë qenë ligje thjesht kolonizuese. Me to u krijua mbështetja ligjore për kolonizimin e Kosovës me elementin sllav. Me ligje të tilla u shndërrua Kosova në koloni të tipit monarkik të Serbisë.
Vala e re e kolonizimit filloi me sjelljen e policëve, të instruktorëve të lartë ushtarakë, të gjykatësve dhe administratorëve për t’i ndjekur e torturuar sa më tepër shqiptarët. Për këtë qëllim ishte hartuar edhe “Platforma politike për Kosovën” e LKJ që parashihej kolonizimi i Kosovës përmes aksionit të kinse kthimit të serbëve dhe malazezëve. Pastaj, ishte hartuar Projekti për kthimin e rreth 200.000 serbëve e malazezëve për të jetuar në Kosovë.
Në anën tjetër shkatërrimi i bazës ekonomike të Kosovës, plaçkitja e fondeve dhe e teknologjisë nga ana e pushtetmbajtësve serbë nuk shkon në favor të popullzimit plotësues. Por qëllimi kryesor i pushtetit okupues ishte tendenca për ndërrimin e përbërjes kombëtare të Kosovës.
Nga pushteti i asaj kohe ishte hartuar edhe i ashtuquajturi Programi jugosllav për Kosovën, i datës 9 shkurt 1990. Nëpërmjet të këtij programi, pushteti mundohej që në mënyrë të rafinuar dhe perfide, në dallim nga regjimet e mëparshme serbe të ndryshojë strukturën etnike dhe të vëjë baraspeshën etnike në Kosovë, duke bërë presion pa presedan në shqiptarët që t’i lëshojnë vatrat e veta, ndërsa në vend të tyre të sjellë serbë e malazezë me qëllim të sllavizimit dhe të kolonizimit të Kosovës.
Krahas planeve të Jugosllavisë Socialiste, të inicuara nga Serbia, edhe ajo kishte hartuar plane dhe projekte për rikolonizimin e Kosovës. Në një plan operativ parashihej ndërtimi i 30 lagjeve, ndërtimi i banesave në Gjakovë, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Novobërdë, Shterrpcë, Lypian, Zubin-Potok dhe në Kamenicë. Më 12 dhjetor të vitit 1991 me qëllim të kolonizimit të ri të Kosovës, në lokalet e pushimores të fëmijëve dhe të rinisë në Deçan u vendosën 100 familje me prejardhje serbe e malazeze të ikur nga Shqipëria. Më vonë aty dhe gjetiu u vendosën edhe shumë familje të tjera.
Më 6 gusht 1992, Serbia aprovoi një “Program për formimin e fondit për zhvillimin e Serbisë”, në të cilin siguroheshin mjetet për vazhdimin e fushatës së kolonizimit.
Një ndër aktet juridike sistemore më ekstreme është “Ligji për Organizimin Territorial të Serbisë”. Sipas nenit 7 të këtij ligji “Qeveria e Serbisë mund t’ua ndryshojë emërtimin (toponimin) vendbanimeve ekzistuese sipas përcaktimeve me atë ligj, pas mendimit paraprak të marrë nga kuvendi i komunës”. Me dispozitat e nenit 72, paragrafi 1, të Ligjit të sipërshënuar, “Organet e Komunës së Malishevës pushojnë se punuari ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Në anën tjetër, formohen komunat e reja si Zubin Potoku, Zveçani, Shterrpca dhe Gora. Me dispozitat e nenit 73 të Ligjit në fjalë, kuvendet komunale detyrohen t’i “rishqyrtojnë emërtimet ekzistuese të vendbanimeve dhe të caktojnë emërtime të reja në afat prej një viti nga dita e hyrjes së tij në fuqi”. Kjo do të thotë se së pari përmes akteve juridike fillohet me sllavizimin e toponomisë autoktone shqiptare.
Përveç organeve të pushtetit, edhe organizatat e ndryshme, personat, shoqatat e tjerë jepnin propozime të ndyshme për kolonizimin e Kosovës. Ishte dhënë propozimi për sjelljen e 400.000 serbëve nga Rumania mendohej madje edhe versioni izrailit i kolonizimit të Kosovës, pastaj propozimi që kolonizimi i Kosovës të bëhet menjëherë, duke e bërë Prishtinën kryeqytet të Serbisë e të Jugosllavisë, ku do të bartën të gjitha institucionet shtetërore, shkollat ushtarake e policore, shumë oficerë, nëpunës, policë etj. me familje. Kjo valë e kolonizimit do të kapte një numër prej 100.000 serbësh e deri të kërkesa e disa funksionarëve kosovarë serbë që në Kosovë menjëherë të vijnë së paku 300.000 serbë e malazezë.
E ashtuqujtura qeveria jugosllave më 12 janar 1995 e kishte aprovuar dekretin, ku sipas tij nga buxheti fedrativ për këtë vit, për ndërtimin e kolonive në Kosovë duhet të ndahen 4,1 milion dinarë. Me këtë dekret plotësisht antishqiptar përkrahej kolonizimi i Kosovës me popullatë serbe e malazeze; “Të gjithë qytetarët e shpërngulur nga Kosova e Metohija, të cilët janë të ineresuar që të kthehen dhe kuadrat të cilët dëshirojnë të vijnë në këtë krahinë, për ndërtimin e shtëpive ose blerjen e banesave do të marrin kredi me afat kthimi prej 40 vjetve, ndërsa place – pa pagesë”. Me aprovimin e këtij dekreti zyrtarët beogradas parashihnin mundësinë e realizimit të programit për vendosjen e 100.000 serbëve dhe malazezëve në Kosovë.
Edhe në lëmin e pronësisë, në kontest të kolonizimit u bë kalimi i kompetencave nga organet e Kosovës në ato të Serbisë. U nxorr Ligji, i cili e përkufizonte shitblerjen e patundshmerisë. Sipas këtij ligji dhe të tjerëve me qindra kontrata të shitblerjes u anuluan. Shumë hektarë tokë dhe dhe me qindra shtëpi e banesa iu morën shqiptarëve.
Një aksion konkret të kolonizimit të Kosovës, Serbia ndërmori edhe përmes ndryshimit të planeve urbanistike të Kosovës dhe të komunave të saj. Ato ndryshime janë bërë në kundërshtim me Ligjin e rregullimit hapësinor, të mbështetura vetëm në dispozitat (diskriminuese) të Ligjit për punën e organeve republikane në rrethana të veçanta.
Serbizimin e Kosovës pushteti aktul serb e ka zbatuar edhe me ndërtimin e kishave në qendrat urbane, ndërrimin e emrave të shkollave, rrugëve, shesheve, organizatave të ndryshme dhe emërimi me emra mitologjikë serb. Shkrimi i çirilicës dominonte kudo.
RFJ, për kolonizimin e 100.000 serbëve dhe malazezëve në Kosovë me Dekretin mbi mënyrën dhe kushtet e kolonizimit të Kosovës të datës 12 janar 1995, përcakton dhënien falas për kolonët serbë troje, tokë, banesa, shtëpi dhe mjete financiare shumë të mëdha.
Pas rënies së të ashtuquajturës Krainë Serbe në Kroaci (gusht 1995) u intensifikua kolonizimi i Kosovës me serbë të ikur nga Kroacia. Brenda një kohe të shkurtër në Kosovë, u vendosën 13.895 kolonë serbë. Përveç Kroacisë në Kosovë u vendosën edhe shumë serbë nga Bosnja, por edhe nga vetë Serbia.
Kolonëve të vendosur në Kosovë dhe atyre që do të vendosën u janë dhënë dhe u janë premtuar 30 mijë ha tokë bujqësore, pasuri e popullit të Kosovës, kryesisht e shqiptarëve. Sidomos u ishte ndarë toka e kooperativave bujqësore, të marrë më parë nga popullata shqiptare, të bazuar në “Ligjin mbi kushtet, mënyrën dhe procedurën e ndarjes së tokës bujqësore qytetarëve, të cilët dëshirojnë të jetojnë e të punojnë në territorin e KA të Kosovës e Metohisë”. Ndërsa, shumë familjeve serbe e malazeze, pushteti nëpërmjet kinse të kthimit të tokave më parë të konfiskuara, të nacionalizuara apo të ekspropriuara edhe pse ishin bërë pagesa për to ua “kthente” ato prona, ose iu jepte ndërrim ose prapë paguante shuma të mëdha të hollash, ku kishte raste edhe pse i kishin marrë të hollat, ato prapë paguheshin. Raste të tilla ishin të shumta.
Të gjitha këto padrejtësi, dhunë e terror sistematik ndaj shqiptarëve veçanërisht mbi të rinjt është bërë me qëllim që Kosova të braktiset dhe të boshatiset. Qeveria serbe, kolonizimin e Kosovës me serbë dhe dëbimin e shqiptarëve e konsideronte si aksion të shenjtë kombëtar
Për kolonët serbë e malazezë pushteti aktual ndërtoi banesa, shtëpi, por edhe koloni vendbanimi në shumë treva të Kosovës. Në këtë kohë në Kosovë kishin ardhur edhe popullatë sllave nga Vrraka e Shqipërisë.
Edhe pse në Kosovë kishte filluar lufta për çlirim kombëtar nga ana e popullatës shqiptare në krye me UÇK-së, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë bënin gjenocid mbi popullatën shqiptare, partia politike serbe në pushtet “SPS” (Socijalisticka Partija Srbije), përkatësisht “Këshilli Krahinor i “SPS” për Kosovë e Metohi” bënte plane dhe kishte hartuar projekte për këtë qëllim. Ajo kishte hartuar dokumentin me titull “Predlog mera za rešavanje aktualnih problema na Kosovu i Metohiji” (“Propozim i masave për zgjidhjen e problemeve aktuale në Kosovë e Metohi”), Prishtinë, 15 dhjetor 1998.
Në anën tjetër, si pasojë e dhunës e terrorit qysh heret kishte nisur vala e shpërnguljes së shqiptarëve në formë refugjatësh, azilantësh politikë, stinorë etj. Sipas të dhënave të ndryshme, rezulton se deri më 1996, nëpër shtete të ndryshme të Evropës gjendeshin rreth 350.000 azilkërkues shqiptarë nga Kosova. Numri i tyre deri në vitin 1999 arriti deri në 500.000.

Ndaj popullatës dhe vendbanimeve shqiptare, policia, ushtria dhe paramilitarët serbë në masë të gjerë, duke filluar në mars të vitit 1998 e deri në pranverë të vitit 1999 ndërmorën ofensiva për vrasjen e popullatës shqiptare dhe rrënimin e vendbanimeve të tyre. Kjo shtypje kulmin e arriti në muajt mars – qershor 1999. Bombardimet e NATO-s të filluara më 24 mars 1999 kishin për synim ndaljen dhe ndërprerjen e spastrimit etnik të Kosovës me vrasje, masakrime e ekzekutime, me plaçkitje, rrënime e djegie të vendbanimeve të tëra dhe me deportimin masiv të popullsisë shqiptare nga trojet e veta etnike, që ushtronte pushteti ushtarako-policor serbë mbi popullatën shqiptare.
Shovenizmi serb shpërnguli me dhunë deri në maj afro 1.000.000 shqiptarë të Kosovës ose më shumë se ½ e popullsisë shqiptare të këtyre trojeve. Rreth 700.000 shqiptarë u shpërngulën nga banesat dhe shtëpitë e tyre dhe u detyruan të jetonin në rajonet malore të Kosovës në një situatë dramatike.
Duhet theksuar se në mbrojtje të popullatës vendore shqiptare, të pragut të shtëpisë, në kthimin e krenarisë kombëtare, në sensibilimin e çështjës shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe në çlirimin e vendit kishte dhën padyshim Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bijët dhe bijat më të mira të popullit tonë. Disa nga ata dhanë vlerën më të shtrejtë për liri e pavarësi – jetën.
___
Në fund e falënderoj Bajrush Shaqirin, veprimtar nga Terpeza e Vitisë, me punë të përkohshme në Gjenevë të Zvicrës për mbështetje finansiare.
(Fusnotat janë hequr për shkak të natyrës së punimit)



