ARKIVI:
26 Prill 2026

Patatja e “ngrohtë” e politikës kosovare dhe mungesa e vetëdijes shtetërore në formimin e qeverisë

Shkrime relevante

Zbulohën planet e fshehta ”politike” të opozitës në Kosovë!

Ismet M. Hasani, Suedi Pak politikë Kriza politike në Kosovë dhe dështimi i...

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Nga Frank Shkreli (Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha...

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Vuçiç: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës

Gani I. Mehmeti (A.P / 25 April 2026 - 17:34, Kosova Sot...

Shpërndaj

Nga 9 shkurti i këtij viti Kosova po jeton një nga krizat më të zgjatura institucionale që nga shpallja e pavarësisë. Mungesa e një marrëveshjeje mes shumicës dhe opozitës për formimin e qeverisë ka paralizuar jetën politike dhe ka thelluar mosbesimin e qytetarëve ndaj sistemit. Kuvendi mezi u konstituua, me shumë seanca të dështuara e debate të zjarrta, derisa u zgjodh kryetari, por pa asnjë përparim të prekshëm drejt krijimit të institucioneve funksionale.
Në vend që të ndërtohej një konsensus politik për të mirën e përbashkët, partitë janë zhytur në përplasje të pafundme, duke e akuzuar njëra-tjetrën për dështimin e procesit. Kjo luftë nervash ka nxjerrë në pah mungesën e një vetëdije të mirëfilltë shtetërore.
Interesat partiake, grupore e personale kanë mbizotëruar mbi interesin publik, duke e lënë vendin në një paqartësi të rrezikshme politike.
Në këtë lojë të “patates së ngrohtë”, secila palë mundohet t’ia lërë përgjegjësinë tjetrit. As shumica nuk ka numrat e nevojshëm për ta formuar qeverinë, as opozita nuk guxon të marrë përgjegjësi, nga frika e humbjes politike në prag të zgjedhjeve të reja. Një situatë e tillë tregon jo vetëm krizë besimi, por edhe mungesë vizioni për drejtimin e shtetit.
Gjestin e fundit të Albin Kurtit, i cili ia ofroi mandatin Glauk Konjufcës për të formuar qeverinë, shumëkush e lexoi si lëvizje taktike për t’ia “lënë në dorë” opozitës pataten e nxehtë. Tashmë, ish-opozita gjendet në një pozitë të vështirë: nëse e pranon sfidën, rrezikon të dështojë; nëse refuzon, përballet me akuzën se po e pengon zgjidhjen institucionale. Në të dyja rastet, humbësi i madh është qytetari, që mbetet peng i kalkulimeve të ngushta politike.
Kjo krizë e zgjatur është simptomë e një sëmundjeje më të thellë: mungesës së kulturës politike dhe përgjegjësisë shtetërore. Kur politika bëhet lojë taktike e jo shërbim publik, atëherë “patatja e ngrohtë” nuk është më vetëm metaforë, por realitet që djeg shpresën e qytetarëve për një shtet funksional e demokratik.
Në fund, historia do të tregojë kujt do t’i mbetet në dorë kjo patate e nxehtë, por një gjë është e sigurt. Derisa politikanët të mos e kuptojnë se shteti nuk është pronë e partive, por e qytetarëve, Kosova do të vazhdojë të endet mes krizave dhe pritjeve të pafundme.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu