HISTORI E DHEMBJEVE KRENARE
FAMILJA GANI SHALA, KOPILIQ
Fshati Kopiliq i Drenicës është i njohur qysh nga koha e Betejës së Kosovës e vitit 1389. Nga ky fshat ishte prijësi shqiptar i mesjetës, Millosh Nikollë Kopiliqi, i cili më 15 qershor të vitit 1389, depërtoi te tenda e Sulltan Muratit, të cilin e therri me hanxhar. Mbamendja e banorëve të kësaj ane si dhe disa toponime, si: Bunari i Milloshit, Livadhi i Milloshit etj, që kanë mbijetuar nëpër shekuj deri në ditët e sotme, janë dëshmi që flasin për origjinën e Millosh Nikollës nga fshati Kopiliq i Drenicës.
Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fshati Kopiliq i Ulët i ka dhënë 12 dëshmorë e martirë.
Në një grykë malore të këtij fshati kanë mbijetuar luftën mijëra banorë të zhvendosur nga Kopiliqi dhe fshatra të tjera të Drenicës, të përfshira në zjarrin e luftës çlirimtare.
XHEVAT SHALA u lind më 10 dhjetor të vitit 1971. Babai Salihu dhe nëna Sofia, lindën e rritën katër bij: Ganiun, Ismetin, Brahimin dhe Xhevatin.
Shkollën fillore Xhevati e kreu në fshatin e lindjes e në Açarevë. Nuk arrinë të vazhdojë shkollimin e mesëm, meqë së bashku me vëllezërit duhej të kryente punë fizike për të mbajtur familjen.
Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare në Llaushë, më 28 Nëntor 1997, trimave dhe trimëreshave të Drenicës ua dha alarmin bashkë me kushtrimin. Në këtë kohë shumica e banorëve të fshatrave të Drenicës dinin për sulmet ilegale që po ndërmerrnin grupet luftrake kundër forcave policore serbe.

Më 5 Mars të vitit 1998, forca të shumta ushtarake e policore serbe ishin nisur nga Klina në drejtim të Prekazit, kishin rrethuar Kullën e Qendresës të Adem, Shaban e Hamëz Jashari, ku edhe kishte filluar beteja legjendare e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë më parë.
Në orën 8 të mëngjesit, fare pa pritur dhe krejt befasisht njësitet e artilerisë të pasuara nga dhjetëra autoblinda dhe pizgauerë, barrikadohen në hyrje të fshatit Kopiliq dhe përballë fshatit Açarevë. Pa vonuar fillon breshëria e të shtënave të armikut kundër banorëve të Kopiliqit. Shumica e banorëve largohen në drejtim të Grykës së Kronit të Ftoftë dhe të Mullinit të Malës. Ndërsa, dhjetëra burra nxjerrin armët e municionet ku i kishin mbajtur fshehtas dhe barrikadohen në hyrje të fshatit, për të përballuar depërtimin r mundshëm të këmbësorisë armike.

Atë ditë edhe Pika e Parë Mbrojtëse te Lagja Tahiraj e këtij fshati.
Komandant i Pikës caktohet Rasim Shala. Që nga kjo ditë e në vazhdimësi kishin bashkuar armët luftëtarët, çlirimtarët e ardhshëm të Drenicës e të mbarë Kosovës: Gani Shala, Xhevat Shala- dëshmor, Ismet Shala, Bashkim Shala, Shefki Shala, Gani Pura, Hysni Pura, Avni Haxhaj, Xhafer Haxhaj, Sejdi Shala – dëshmor, Azem Shala, Shefqet Shala – dëshmor, Shefqet Gashi, Bedri Gashi, Cenë Shala (nga Açareva), Avdullah Jeta, Miftar Gashi, Rexhep Havolli, Avdullah Havolli, Rrahman Shala e të tjerë.

Ditët kalonin ndërsa luftetarët e lirisë ishin vënë në lëvizje nga të katër anët për të përforcuar pikat dhe për t’u pajisur me armë.
Një ndihmesë të jashtëzakonshme në drejtim të konsolidimit të pikave me armatim, pajisje, uniforma dhe ushqim për luftëtarët e lirisë të fshatit Kopiliq kanë dhënë Sulejman Selimi e Rexhep Selimi, të cilët u bënë të njohur si komandantë e udhëheqës të njohur të luftës çlirimtare në mbarë kombin, – dëshmon në rrëfimin e tij Gani Shala, vëllau i luftëtarit të UÇK- ës, dëshmorit Xhevat Shala.

Përveç Pikës së Parë Mbrojtëse, në Lagjen e Tahirajve, formoen edhe Pika Dytë në Lagjen e Kurullëve, Pika e Tretë Mbrojëse te Hysenajt e Pika e Katërt te Rashit-Haxhët.
Xhevat Shala ishte pajisur me pushkë automatike dhe me uniformë ushtarake. Ishte tërë shend e vullnet, meqenëse të gjithë vëllezërit e tij dhe të afërmit iu kishin bashkuar luftës për çlirim të atdheut. Ishte shumë i zellshëm dhe vepronte pa u ndalur. Bënte roje, merrte pjesë në hapjen e transheve dhe të bunkerëve. Ishte kudo ku e kërkonin, gjithnjë i shpejtë, i kujdesshëm, irregullt dhe i përgjegjshëm në kryerjen e çdo detyre.

Gani Osmani
#Që nga 5 Marsi i vitit 1998, banorët e Kopiliqit, të Açarevës, të Burojës, të Turiqefcit e të Resnikut dynden në drejtim të Grykës së Kopiliqit, Tushilës, Açarevës dhe Klinës, ku edhe mbijetuan deri në fund të luftës.
Forcat serbe kishin vënë postblloqe në hyrje të shumë fshatrve të Drenicës. Ata granatonin nga distanca me qëllim që popullata civile të dyndej drejt Shqipërisë, apo vende të tjera. Mirëpo, banorët e kësaj ane, si gjithnjë, të mësuar në kushte të rënda ekzistenciale, nuk u nënshtruan po vazhduan organizimin e jetës e të rezistencës në malet e tyre fole që nga parahistoria. Ata kishin ngritur tenda e kasolla nga dushku nepër gryka të maleve. Kështu, në Grykën e Kopiliqit qe aktivizuar edhe Punkti Shëndetsor Fushor, në të cilin punonte mjeku dr Liman Shala me disa teknikë medicilalë. Luftëtarët e UÇK-ës në fshatin Kopiliq kishin rregulluar edhe disa bunkerë nëpër pikat strategjike përballë forcave serbe.
Gjatë tërë pranverës dhe verës së 1998, fshatrat e Drenicës ishin nën rreze të veprimit të pndërprerë të armëve të armikut.

Luftëtarët e lirisë shtoheshin dita ditës.
Xhevat Shala, së bashku me vëllezërit, ishte në vijën e parë të luftës.
Më 22 Shtator 1998, armata serbe kishte ndërmarrë një ofensivë të përgjithshme në tërë Drencën. Ajo kishte vënë në veprim forca të shumta të artilerisë e të këmbësorisë në të ashtuquajtërën taktikë e luftës “Patkoi”, duke garantuar nga të tri anët dhe duke i lënë vetëm një shteg popullatës civile, largimin e detyrueshëm. Kjo taktikë kishte për qëllim degdisjen e popullatës civile me qëllim të shkatrrimit të Bazës Logjistike të luftëtarëve të UÇK-ës.
#Mirëpo banorët e Drenicës në pergjithësi dhe banorët e Kopiliqit, të Açarevës e të fshatrave të tjera, në veçanti, nuk u dyndën, por mbijetuan nëpër male, duke qenë mbështetje logjistike e luftëtarëve të lirisë.

Më 25 Shtator 1998, forcat serbe të stacionuara përballë Kopiliqit në rrugën Klinë -Skenderaj fillojnë ofensiven e ashpër në drejtim të Açarevës, Burojës, Kopiliqit, Rakinicës, Tushilës, Ticës, Resnikut e fshatrave të tjera. Xhevat Shala, ashtu sikurse edhe luftëtarët e tjerë, ndodhej në vijën e frontit.
“Në orën 8 të mëngjesit filloi sulmi i forcave serbe prej pikës te Lagja Fylli e Açarevës, në drejtim të Lagjes Haxhaj të Kopiliqit. Në atë Pikë të Qendresës ishim rreth 25 ushtarë në krye me Sejdi Shalën, në kohën kur forcat armike sulmuan me tërë arsenalin ushtarak që dispononin. Pas tri orë luftimesh ballë për ballë, ne filluam tërheqjen, ndërsa serbët lëshuan në veprim këmbësorinë. Nga sulmi frontal, jemi degdisur dhe në largim e sipër kam parë një ushtar të plagosur. Nuk kam arritur t’i afrohem, meqë breshëria e armëve të forcave serbe nuk kishte të ndalur. Pas disa orësh, gjithnjë nëpër breshërinë e predhave të forcave të armikut, me disa bashkëluftëtarë jam kthyer në mes të Lagjeve Hysenaj dhe Haxhaj. Atje kam vërejtur vëllaun tim, Xhevatin, i cili kishte rënë i goditur rëndë nga predha e minahedhësit të armikut. Fillimisht e kemi tërhequr në drejtim të Lagjes Hyskaj”,- evokon kujtimet për atë ditë rëndë, por edhe heroike, Gani Shala, vëllau e bashkëluftëtari i dëshmorit Xhevat Shala.

Në mbrëmje vonë, pasi kishte rënë terri, bashkëluftëtarët dhe të tre vëllezërit e tij, trupin e dëshmorit Xhevat Shala e varrosin te varrezat e fshatit. Atë ditë, të goditur nga breshëria e armëve të armikut, kanë rënë edhe Xhavit Haxhaj e Zymer Kadriu, ndërsa shumë luftëtarë të tjerë janë plagosur.

Gjatë tërë epopesë luftës së Uçk-së, Kopiliqi kishte qëndruar përballë mësyemjeve të forcave serbe. Gryka e Kopiliqit dhe e Tushilës kanë mbijetuar luftën, edhepse me të gjitha mundimet e përshkrueshme.
Në Njëvjetorin e rënies së dëshmorit Xhevat Shala dhe në nderim e përkujtim të dëshmorëve e martirëve të tjerë të këtij fshati historik, më 25 Shtator të vitit 1999, në hyrje të fshatit është ngritur lapidari i përbashkët për dëshmorët e Kopiliqit.
Në këtë lapidar përjetësie janë skalitur emrat e deshmorëve dhe martirëve të kombit nga fshati Kopiliq i Ulët: Xhevat Salih Shala, Sejdi Fazli Shala, Shefqet Kamer Shala, Fatmir Xhemail Shala, Rushit Rrahman Shala, Hamit Zenun Shala, Dibran Shaban Idrizi, Sejdi Shaban Idrizi, Brahim Tafil Shala, Milazim Sadik Shala, Fazile Istref Uka. Në këtë mes ndodhet edhe emri i dëshmorit të kombit Naser Shaqir Gashi, i cili ishte vrarë mizorisht gjatë shërbimit ushtarak në Tolmin të Sllovenisë, në vitin 1984.
Gjatë kohës së luftës në Kopiliq, nga arma armike janë plagosur 12 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa më shumë se 95% e shtëpive janë djegur e shkatrruar nga bombardimet dhe zjarrvënësit serbë.
Xhevati ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë: djemtë Gentritin e Florindin dhe Gentianën, e cila u lind katër muaj pas rënies dëshmor të babait të saj.
Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e dëshmorit Xhevat Shala, familjes së tij i është dhënë Mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës, Zona Operative e Drenicës, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, Kuvendi Komunal i Skenderajt dhe instanca të tjera.



