ARKIVI:
7 Mars 2026

Projekti serb i deshqiptarizimit përmes Islamit (1912–1953)

Shkrime relevante

Shkarkimi: Përgjigjia meritore ndaj pecedentit të rrezikshëm kushtetues

Nga: Dr. Sadri Ramabaja ______ Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e...

Me cilën dorë duhet të pijë ujë Presidentja – sipas mullës Mustafë Bajrami dhe neoosmanit Gëzim Kelmendi?!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë ____ Mullahu Mustafë Bajrami duket se së...

Trump: – Irani do të goditet shumë rëndë sot

David Vojislav Krekling, Aftenposten Foto: Jose Luis Magana / AP Presidenti Donald Trump...

E kam përkrahë Vjosën por ajo kujtofti se s’ka shtet pa qenë hija e saj si bajrak mbi çati!

Nga: Çun Lajçi ___ Mall i kotë për një atdhe të lodhun ___ Me vetveten...

Shpërndaj

Në foto është Medresja e Madhe “Mbreti Aleksander” e Shkupit, (Velika Medresa “Krala Aleksandra”), e hapur për medresistët në vitin 1924, vetëm 12 vjet pas pushtimit të asaj ane shqiptare. Mësimi në te mbahej në gjuhën serbishte dhe e kishte kryeqëllim krijimin e kuadrit islamik për ta propaganduar shpërnguljen në Turqi të Shqiptarëve, që duhej ta braktisnin vendin e vet për të shkuar atje si “muslimanë”, si vende ku kishin detyrë t’i përshkruanin si “lule e gjenet”… , në mënyrë që të mashtroheshin me tokat e lëna shkretë të Kurdëve dhe të Armenëve, ndaj të cilëve Turqia e re kishte bërë disa gjenocide.

____

Analizë nga Lëvizja për Rikthim

Ikja formale e Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare pas vitit 1912 nuk shënoi fundin e instrumentalizimit të fesë islame në këto hapësira. Përkundrazi, ajo shënoi fillimin e një fazë të re, më të sofistikuar, ku rolin e kujdestarit të islamit e mori shteti serb dhe më pas ai jugosllav. Ky proces nuk ishte as spontan, as i përkohshëm, por pjesë e një strategjie të qartë koloniale për administrimin, disiplinimin dhe transformimin identitar të shqiptarëve myslimanë. Ndryshe nga narrativa e përhapur që e paraqet islamin si sferë autonome shpirtërore, faktet historike tregojnë se në Kosovë, Maqedoni dhe Sanxhak, islami u shndërrua në instrument shtetëror në funksion të politikës serbe. Kjo mënyrë veprimi përkon me modelin klasik të qeverisjes indirekte, ku pushteti nuk e shkatërron strukturën ekzistuese fetare, por e përvetëson dhe e vë në shërbim të interesave të veta politike. Serbia, si shtet me identitet të fortë ortodoks dhe me projekt të qartë nacional, nuk e pa kurrë islamin si kërcënim ekzistencial.

Përkundrazi, ajo e pa atë si mjet të dobishëm për neutralizimin e vetëdijes kombëtare shqiptare. Rreziku për Beogradin nuk ishte feja islame, por rimëkëmbja kombëtare shqiptare.

Gjuha shqipe, shkolla kombëtare, lidhjet me Evropën dhe trashëgimia katolike shqiptare ishin bartëset kryesore të identitetit kombëtar dhe për këtë arsye u goditën pa kompromis. Ndërkohë, islami i institucionalizuar, i kontrolluar dhe i depolitizuar u tolerua, u mbështet dhe u përdor si kanal administrimi. Kjo tolerancë selektive dëshmon se politika shtetërore nuk synonte bashkëjetesë fetare, por administrim identitar.

Një nga aspektet më pak të trajtuara, por më domethënëse të kësaj politike ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë e shtetit serb në ndërtimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive. Gjatë dekadave të fundit të pushtetit osman, shumë xhami në trojet shqiptare ishin thuajse të rrënuara. Por në vitet që pasuan, pas ikjes së osmanëve, shteti serb dhe më vonë Mbretëria SKS, si për porosi, u angazhuan në rindërtimin e një pjese të konsiderueshme të tyre. Ky veprim shpesh interpretohet si tolerancë fetare, por në fakt ishte pjesë e një politike tejet perfide: xhamitë rindërtoheshin jo për të fuqizuar komunitetin shqiptar, por për ta mbajtur atë të lidhur pas identitetit fetar dhe të shkëputur nga ai kombëtar.

Xhamia ishte hapësirë e menaxhueshme; shkolla shqipe ishte rrezik. Investimi në objekte fetare shoqërohej paralelisht me pengimin sistematik të hapjes së shkollave shqipe dhe me kufizimin e arsimit kombëtar. Në këtë kuadër, shteti serb nuk u mjaftua vetëm me objektet, por ndërtoi një aparat të tërë kontrolli përmes klerit islam. Kështu lindi figura e “drzavni imam” – imami shtetëror. Këta hoxhallarë, në përgjithësi, ishin funksionarë të licencuar, të paguar dhe të mbikëqyrur nga shteti, në shërbim të tij dhe jo të komunitetit nga vinin.

Emërimi i tyre kalonte përmes strukturave të “Islamska Zajednica”, e cila vetë ishte e varur nga Beogradi. Në praktikë, “drzavni imami” ishin pjesë e administratës shtetërore dhe, në shumë raste, bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të sigurimit shtetëror serb dhe më pas jugosllav. Arkivat e pasluftës dëshmojnë se pas vitit 1945 pothuajse çdo imam aktiv kishte dosje në organet e sigurimit, ndërsa çdo devijim nga vija zyrtare trajtohej si rrezik politik.

Misioni i tyre primar nuk ishte emancipimi shpirtëror i shqiptarëve, por ruajtja e status quo-së koloniale. Ata duhej të predikonin bindje, durim dhe nënshtrim; të dekurajonin çdo formë rezistence kombëtare; dhe të largonin rininë shqiptare nga çdo aspiratë arsimore ose kulturore që mund të prodhonte vetëdije kombëtare. Shkolla shqipe shihej si rrezik, ndërsa analfabetizmi fetar ishte i menaxhueshëm. Në këtë kuptim, “drzavni imami” kontribuuan drejtpërdrejt në mbajtjen e shqiptarëve në gjendje varfërie kulturore dhe shoqërore.

Ndërkohë, kleri që kundërshtonte këtë rol, që përdorte gjuhën shqipe ose që refuzonte të legjitimonte politikat shtetërore, u survejua, u burgos ose u neutralizua. Një aspekt edhe më i errët i këtij misioni ishte roli i klerit shtetëror në procesin e shpërnguljeve. Në dekadat e para të shekullit XX, shpërngulja e shqiptarëve myslimanë drejt Anadollit u promovua si zgjidhje fetare dhe morale. Anadolli u paraqit si “tokë e bekuar”, si hapësirë shpëtimi për myslimanët e shtypur. Kjo propagandë nuk ishte spontane, por e koordinuar me politikat shtetërore serbe dhe më pas jugosllave, të cilat synonin spastrimin etnik të territoreve shqiptare pa përdorur gjithmonë dhunë të drejtpërdrejtë.

Sipas dokumenteve arkivore dhe studimeve demografike, gjatë periudhës 1912–1953 rreth 500 mijë shqiptarë u detyruan të shpërngulen nga Kosova, Maqedonia dhe Sanxhak, duke u regjistruar dhe kategorizuar artificialisht si “myslimanë turq”. Këto strategji u formalizuan edhe juridikisht në dy Konventat Jugosllavo-Turke të viteve 1938 dhe 1953, ku feja u përdor si kriter administrativ për dëbimin masiv.

Paralelisht me këtë, shteti ndërtoi mekanizma të arsimit fetar për të prodhuar kuadro të reja të këtij aparati. Hapja e Medresesë Shtetërore “Kral Aleksandër I” në Shkup në vitin 1924 ishte moment kyç në këtë strategji. Kjo medrese ishte institucion shtetëror në kuptimin e plotë të fjalës, i financuar nga buxheti i Mbretërisë SKS dhe i kontrolluar nga “Islamska Zajednica”. Gjuha e mësimit ishte serbishtja, programi ishte i filtruar dhe çdo element i vetëdijes kombëtare shqiptare ishte përjashtuar qëllimisht.

Nxënësit kryesisht vinin nga Kosova, Maqedonia dhe Sanxhaku. Pasojat ishin të dukshme sidomos në Sanxhak, ku kuadrot e dala nga kjo medrese u përdorën për të zëvendësuar identitetin kombëtar shqiptar me identitetin fetar islam dhe më pas me atë boshnjak. Ky nuk ishte proces natyror, por projekt i drejtuar shtetëror.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ndonëse Jugosllavia nuk u përcaktua me një fe shtetërore, praktika shtetërore e përdorimit të islamit nuk u braktis. Përkundrazi, ajo u institucionalizua edhe më fort. “Islamska Zajednica” u forcua dhe u ruajt si struktura e vetme për menaxhimin e popullsisë myslimane, ndërsa çdo aktivitet i saj mbikëqyrej nga Komisioni Shtetëror për Çështje Fetare dhe nga organet e sigurimit.

Në këtë kuadër, hapja e Medresesë “Alauddin” në Prishtinë në vitin 1951 nuk ishte akt apo nevojë rilindjeje shpirtërore e kombëtare shqiptare, por vazhdimësi e një modeli të vjetër të luftës kundër identitetit nacional shqiptar. Pikërisht për këtë mision, thyerjen e boshtit kurrizor të nacionalizmit shqiptar, u hap edhe kjo medrese. Medreseja “Alauddin” u hap me vendim të “Islamska Zajednica” e Jugosllavisë, nën autoritetin e Reis-ul-ulemasë Ibrahim Fejić, dhe me miratim të plotë të aparatit shtetëror. Në atë kohë, Ministria Federale e Punëve të Brendshme, e drejtuar nga Aleksandër Rankoviq, kishte kontroll absolut mbi Kosovën. Pa lejen e tij nuk merrte frymë asnjë funksionar shtetëror, qoftë edhe imam shtetëror, e lëre më të hapej një institucion i tillë.

Medreseja u bë qendra kryesore e formimit të klerit mysliman shqiptar, gjithmonë brenda kufijve ideologjikë dhe direktivave politike të shtetit. Ajo funksionoi si filtër ideologjik, duke kanalizuar rininë shqiptare drejt një identiteti fetar të kontrolluar dhe duke e mbajtur larg arsimit kombëtar dhe kulturës evropiane. Ndërkohë, shkollat shqipe mbeteshin ende në numra simbolikë. Ky disproporcion nuk ishte rastësi, por politikë e qëllimshme për të mbajtur nën robëri një popull.

Faktet tregojnë se ky proces nuk prodhoi emancipim kombëtar, nuk ndaloi shpërnguljet, nuk mbrojti gjuhën shqipe dhe nuk krijoi elitë intelektuale shqiptare. Përkundrazi, ai kontribuoi në fragmentarizimin e identitetit shqiptar dhe në krijimin e një kaste klerikësh të varur nga pushteti. Shteti që përfitoi më së shumti nga rislamizimi i shqiptarëve pas Perandorisë Osmane ishte Serbia. Pikërisht për këtë arsye edhe sot Serbia përpiqet të rekrutojë individë që mbështesin këtë ideologji.

Rasti i arrestimit të një imami shqiptar në shërbim të BIA-s serbe nga policia e Kosovës disa muaj më parë e dëshmon vazhdimësinë e kësaj strategjie shkatërrimtare ndaj kombit dhe shtetit të Kosovës. Kjo trashëgimi shpjegon edhe realitetin e sotëm. Turqia dhe Serbia vazhdojnë ta zëvendësojnë njëra-tjetrën në ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve fetare islame në Kosovë dhe në mbarë Gadishullin Ilirik, ndërsa trashëgimia kulturore kombëtare shqiptare mbetet e margjinalizuar.

Sot kjo pyetje nuk është retorike, por historike. Ajo lidhet me një proces të gjatë ku islami u përdor si mjet i pranueshëm për zëvendësimin e vetëdijes kombëtare. Ky editorial nuk synon të gjykojë besimin personal të askujt.

Ai synon të vendosë në dritë një të vërtetë historike: islami institucional në trojet shqiptare pas vitit 1912 nuk ishte thjesht trashëgimi osmane, por instrument shtetëror serb dhe jugosllav në shërbim të de-shqiptarizimit të trojeve shqiptare në Gadishullin Ilirik.

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Të nderuar!

    1. Lexova këtë shkrim i cili më rikujtojë atë thënien e popullit tonë të urtë: “FOL E MUSHMA MENEN!

    2. Po ashtu m’u kujtua ajo thënia latine: DAH MIHI FACKTUM, DABO TIBI IUS! Që në gjuhën tonë të ëmbël shqipe do të thotë: M’I JEP FAKTET, UNË TAS NDAJË DREJTËSINË!

    3. Fjalia e juaj, po citoj:

    “Hapja e Medresesë Shtetërore “Kral Aleksandër I” në Shkup në vitin 1924 ishte moment kyç në këtë strategji. Kjo medrese ishte institucion shtetëror në kuptimin e plotë të fjalës, i financuar nga buxheti i Mbretërisë SKS dhe i kontrolluar nga “Islamska Zajednica”. Gjuha e mësimit ishte serbishtja, programi ishte i filtruar dhe çdo element i vetëdijes kombëtare shqiptare ishte përjashtuar qëllimisht.”

    4. Ai që ka zbuluar këtë FAKT HISTORIK, i lumtë!

    5. Dhe po e përfundoj KOMENTIN, prapë me një urti: “N’KOFT SE ÂSHT HANGËR PITJA, TEPSIA ÂSHT MBET!

  2. Me bahet qefi se nga ky shkrim mesova shumë gjana të verteta, të cilat nuk i dijshe. Ky shkrim në fakt asht nji LEKSION, që plotëson Historinë e dhimbëshme të popullit shqiptar.

    Fundi i fundit edhe Heroin tonë Kombëtar GJERGJ KASTRIOTIN e paten këthy me dhunë turqit në musliman, por Ai nuk mund ta duronte dhunen dhe kur fitoi lirinë u RIKËTHY në Kristian Katolik, njilloj siç po bajnë edhe sot në Kosovë/Dardani shumë shqiptar të këthyme me dhunë në musliman, të cilët po RIKËTHEHEN në origjinen e tyne katolike.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu