
Prof. Dr. Sabri Tahiri
Lufta hibride përfaqëson një transformim thelbësor të mënyrës se si ushtrohet konflikti në shoqëritë bashkëkohore. Ajo nuk synon pushtimin territorial, por dobësimin e aftësisë së një shoqërie për të menduar në mënyrë koherente, për të ruajtur besimin e brendshëm dhe për të marrë vendime racionale.
Në këtë kuptim, objekti kryesor i sulmit nuk është shteti si strukturë formale, por mendja kolektive.
Për shoqëritë e vogla dhe të hapura, si ajo shqiptare, kjo formë konflikti paraqet rrezik të veçantë, pasi ndërthuret me dobësi strukturore ekzistuese në fushën e informacionit, arsimit dhe diskursit publik. Hapësira shqiptare e informacionit karakterizohet nga fragmentim mediatik, mungesë standardesh profesionale dhe dominim i rrjeteve sociale si burim kryesor informimi. Algoritmet e këtyre platformave favorizojnë përmbajtje emocionale, polarizuese dhe shpesh konfliktuale, duke e zhvendosur vëmendjen publike nga analiza racionale drejt reagimit impulsiv.
Në këtë ambient, narrativa që synojnë përçarjen, relativizimin e së vërtetës dhe delegjitimimin e institucioneve gjejnë terren të favorshëm. Siç ka argumentuar Michel Foucault, pushteti modern operon përmes prodhimit të diskursit; ndërsa Noam Chomsky ka treguar se manipulimi është më efektiv aty ku mungon edukimi kritik dhe aftësia për të analizuar burimet e informacionit. Në këtë kuptim, problemi shqiptar nuk është thjesht politik apo mediatik, por thellësisht epistemik. Përballë kësaj situate, reagimi i menjëhershëm dhe emocional jo vetëm që është i pamjaftueshëm, por shpesh kontraproduktiv.
Rezistenca reale ndaj luftës hibride nuk ndërtohet përmes kundër-propagandës, por përmes formimit afatgjatë të aftësive mendore që e bëjnë individin më pak të manipulueshëm. Këtu arsimi merr një rol qendror, jo si institucion që transmeton përmbajtje, por si mekanizëm që formon mënyra të të menduarit. Tradita filozofike e arsimit, nga Kant te Dewey, e ka theksuar vazhdimisht se qëllimi i edukimit është ndërtimi i autonomisë racionale.
Një sistem arsimor që kufizohet në memorizim dhe riprodhim informacioni prodhon individë teknikisht funksionalë, ose siç po thuhet shpesh ndër ne analfabetë funksionalë, që nuk janë të aft të mbrohen dhe t’u kundërvihen sulmeve hibride. Në këtë kontekst, arsimi matematik zë një vend të veçantë.
Që nga Platoni, matematika është konsideruar paradigma e mendimit të sigurt dhe ushtrim i disiplinës së arsyes. Ajo e mëson mendjen të operojë me struktura të domosdoshme, të dallojë provën nga opinioni dhe të respektojë kufijtë logjikë. Këto cilësi nuk janë thjesht akademike, por qytetare. Në një shoqëri të ekspozuar ndaj dezinformimit, aftësia për të analizuar argumente, për të vlerësuar koherencën e pretendimeve dhe për të refuzuar kontradiktat është formë e drejtpërdrejtë rezistence.
Veçanërisht e rëndësishme është roli i statistikës dhe teorisë së gjasave (probabilitetit) në formimin e leximit kritik të realitetit publik. Shumë nga narrativat e luftës hibride mbështeten në shifra të izoluara, grafika të manipuluara dhe interpretime selektive të të dhënave.
Pa një edukim matematik që shkon përtej formulave dhe i mëson nxënësit të kuptojnë kampionin, pasigurinë, korrelacionin dhe kufijtë e modeleve, qytetari mbetet i pambrojtur ndaj panikut kolektiv dhe vendimmarrjes irracionale. Në këtë kuptim, arsimi matematik shndërrohet në një formë higjiene mendore të domosdoshme për shëndetin e diskursit publik.
Për më tepër, matematika përfaqëson një shkollë të etikës intelektuale.
Ajo nuk lejon kompromis me të vërtetën dhe nuk pranon autoritet pa provë. Bernard Williams e ka quajtur këtë integritet epistemik, duke e lidhur drejtpërdrejt me shëndetin moral të shoqërisë. Një kulturë që toleron pasaktësinë mendore dhe relativizimin e fakteve, gradualisht normalizon edhe pasaktësinë morale. Në këtë sens, lufta hibride nuk është vetëm kërcënim informativ, por edhe etik.
Një tjetër fushë e ndjeshme ndaj manipulimit është identiteti kombëtar. Narrativat hibride lëvizin mes dy ekstremeve, shpërbërjes së identitetit dhe mitologjizimit të tij. Të dyja këto qasje e bëjnë shoqërinë të brishtë. Arsimi ka përgjegjësinë të ndërtojë një identitet të qetë, të bazuar në dije të verifikueshme, histori kritike dhe vetëdije kulturore të reflektuar. Një identitet i tillë nuk ka nevojë për retorikë agresive dhe është shumë më rezistent ndaj ndërhyrjeve të jashtme.
Dhe në fund, rezistenca ndaj luftës hibride nuk është çështje reagimi të shpejtë apo mobilizimi emocional, por ndërtimi i një kapaciteti të qëndrueshëm shoqëror për të menduar saktë, qetë dhe në mënyrë të pavarur. Në këtë proces, arsimi – dhe veçanërisht arsimi matematik – luan rol strategjik.
Një shoqëri që investon në formimin e arsyes nuk është lehtë e manipulueshme; një shoqëri e arsimuar është e vështirë të përçahet dhe edhe më e vështirë për ta nënshtruar. Në nivel politikash publike arsimore, kjo qasje kërkon forcimin e statistikës, probabilitetit dhe logjikës në arsimin parauniversitar; integrimin serioz të edukimit mediatik me bazë analitike; formim të vazhdueshëm të mësuesve për dezinformimin dhe manipulimin; kalimin nga memorizimi drejt argumentimit dhe analizës së rasteve reale nga media; si dhe bashkëpunim afatgjatë mes institucioneve arsimore, Akademisë së Shkencave dhe mediave publike.
Forcimin e statistikës, probabilitetit dhe logjikës në arsimin parauniversitar; integrimin serioz të edukimit mediatik me bazë analitike; formim të vazhdueshëm të mësuesve për dezinformimin dhe manipulimin; kalimin nga memorizimi drejt argumentimit dhe analizës së rasteve reale nga media; si dhe bashkëpunim afatgjatë mes institucioneve arsimore, Akademisë së Shkencave dhe mediave publike.
Gjilan, 5. 01. 2026


