
Selatin Retkoceri, Llugaxhi, Lipjan
Kanë kaluar më shumë se dyzet ditë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe Kosova ende mbetet pa rezultate të certifikuara dhe pa institucione të reja funksionale.
Procedurat e stërzgjatura, ankesat e pafundme dhe kalkulimet politike kanë krijuar një vakum institucional që rrezikon të shndërrohet në krizë serioze shtetërore.
Nëse ritmi aktual vazhdon, konstituimi i Kuvendit mund të shtyhet deri në fund të shkurtit, ndërsa çdo bllokadë e mëtejshme do ta shtyjë vendin drejt një pasigurie të rrezikshme politike dhe financiare. Përgjegjësia kryesore për këtë situatë bie mbi Albin Kurtin, i cili sot është faktori i vetëm vendimmarrës brenda Vetëvendosjes dhe, rrjedhimisht, aktori kryesor që mund ta zhbllokojë ose ta thellojë krizën.
Çdo kalkulim politik rreth nënkryetarëve të Kuvendit, çdo tentim për interpretime selektive të vendimeve kushtetuese dhe çdo manovër për kontroll total institucional rrezikon të prodhojë një moskonstituim të Kuvendit, që do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për funksionimin e shtetit.
Nëse Kuvendi konstituohet në mënyrë të kontestueshme ose nuk arrin të konstituohet fare, pasojat janë të menjëhershme: vonesa në miratimin e buxhetit, bllokim i marrëveshjeve ndërkombëtare, paralizë e vendimmarrjes shtetërore dhe pasiguri financiare për sektorin publik.
Një shtet pa institucione funksionale nuk dobësohet vetëm politikisht, ai dobësohet ekonomikisht, financiarisht dhe ndërkombëtarisht. Kosova nuk ka luksin të luajë me stabilitetin e saj institucional për ambicie personale apo partiake. Narrativi i “Republikës së tretë”, i përmendur shpesh në diskursin politik të Kurtit, në këto rrethana nuk tingëllon si reformë, por si rrezik për përqendrim të pushtetit dhe destabilizim të rendit kushtetues. Çdo hap që prodhon krizë artificiale institucionale, çdo bllokadë e qëllimshme parlamentare dhe çdo tendencë për kontroll absolut të sistemit shtetëror e shtyn vendin drejt izolimit politik dhe pasigurisë së brendshme.
Natyrisht, përgjegjësia nuk është vetëm e pushtetit. Opozita e dobët, shoqëria civile e heshtur dhe një opinion publik gjithnjë e më i lodhur nga krizat kanë krijuar një terren ku vendimet e një njeriu peshojnë më shumë se institucionet. Por kjo nuk e zbeh faktin themelor: sot stabiliteti institucional i Kosovës varet drejtpërdrejt nga vendimet e Albin Kurtit.
Nëse ai zgjedh kompromisin institucional dhe respektimin e rregullave kushtetuese, vendi mund të hyjë shpejt në fazë stabiliteti dhe funksionimi normal. Nëse zgjedh përplasjen, kontrollin total dhe kalkulimet politike afatshkurtra, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël bllokadash, zgjedhjesh të parakohshme dhe pasigurie që do ta dobësonte shtetin në momentin kur ka më shumë nevojë për stabilitet.
Pyetja që sot shtrohet nuk është thjesht kush do ta formojë qeverinë.
Pyetja është: a do të vendosë Albin Kurti ta stabilizojë shtetin, apo do të vazhdojë ta mbajë vendin peng të kalkulimeve të tij politike?



Simbas mendimit tim ma pare duhet me pase GUXIMIN me tregu me gisht se kush e ka MARRE PENG Kosoven, mandej ti bahet “gjygji” Albin Kurtit.