ARKIVI:
7 Mars 2026

Pranvera studentore 1981, një kujtim i përjetshëm

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Shpërndaj

Sak Muji, Rugovë

1981 – BETIMI QË VAZHDON

Letër publike për Bashkim Berishën (Cima)

Nga Pranvera Studentore 1981, te rruga e gjatë e lirisë, e deri te sfidat e sotme (2026) I dashur Cima im, Bashkim Berisha, Po ta shkruaj këtë letër si shok fakulteti i viteve 1976/77–1981 (Fakulteti i Bujqësisë), por mbi të gjitha si bashkudhëtar i ditëve të Pranverës Studentore 1981, kur fjala u kthye në betim, e betimi u kthye në rrugë. Po ta shkruaj edhe për një arsye tjetër: sepse sot, me një lehtësi që ta prish stomakun, dalin disa zëra “të pastër si bora”… që s’kanë lanë gjë pa vjedhë: as kujtimin, as sakrificën, as burgun tonë, as miqësinë tonë, as persekutimin tonë. Haaaa… sot disa dalin si “patriotë profesionalë”: dje mbanin bllok e dosje, sot mbajnë mikrofon e studio. Dje raportonin “fshehurazi”, sot komentojnë “haptas”. Zanati i njëjtë — vetëm kostumi ndërron. Kjo është padrejtësi. Dhe padrejtësia, kur s’kundërshtohet, bëhet “e vërtetë” në gojë të të pavërtetëve. Ne nuk ishim as të fshehur, as të dykuptimtë. Ne ishim bashkë — edhe kur na ndanë, edhe kur na ndiqnin, edhe kur na merrnin natën, edhe kur na rrihnin ditën.

I. 11 Mars 1981 – Shkëndija që u bë zjarr Më 11 mars filloi ajo që shumëkush e quan “protestë”, por që për ne ishte fillim i një rruge. Në Qendrën Studentore u ndje se diçka po vlojnë: mensa, korridoret, konviktet, shikimet e civilëve, “fytyrat e reja” që s’ishin studentë, por “studentë me detyrë”. Atë natë u ndez “zjarri i parë” — jo thjesht flakë, por shenjë tubimi, shenjë se studentët po lidhnin besën: me qenë bashkë, mos me u dorëzu, mos me e lënë njëri-tjetrin në dorë të të tjerëve.

II. 11–25 Mars – Riorganizimi dhe përballja me “civilët” Nga 11 marsi e tutje, lëvizjet dhe mbledhjet tona u përqendruan kryesisht në Konviktin nr. 3, sidomos në katet e sipërme, me dhoma që u bënë pika takimi e koordinimi. Në këtë periudhë, gjithçka u bë më e qartë: • kishte ndjekje, • kishte bastisje, • kishte provokime, • dhe kishte “të panjohur” që flinin nëpër dhoma si me qenë në hotel. Dhe ironia? Në atë kohë ne ishim “rrezik për shtetin”. Sot disa nga ata që s’e dinin as ku bie konvikti, dalin e flasin për 1981-shin si me qenë “krye-regjisorë”. Haaaa… historia paska shumë “aktorë të vonshëm”. III. 25–26 Mars –

DHOMA 402: Qendra e heshtur e organizimit Në prag të 26 Marsit 1981, ti, Cima, pa zhurmë e pa kërkuar lavdi, na e lirove dhomën 402 (nga 401/402), ku u bë organizimi i hapave kryesorë të asaj dite historike. Ajo dhomë s’ishte thjesht dhomë konvikti.

Ajo u bë:

• vend i përgatitjes së fjalimeve,

• vend i shpërndarjes së detyrave,

• vend i shkrimit të parullave,

• vend i vendimit që demonstrata të dalë “edhe po të na vrasin”. Në atë natë (25–26 mars) u shkruan parullat kryesore:

1. “Unitet!”

2. “Bashkim!”

3. “Trepça punon – Beogradi ndërton!”

4. “Lironi shokët nga burgu!”

5. “Republikë – Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”

6. “Poshtë borgjezia!” Këto nuk ishin fjalë në çarçafë. Ishin program i një rinie që kërkonte dinjitet, barazi dhe të drejtë kombëtare. Kur ti na paralajmërove pas mesnate për lëvizjet e shumta të civilëve (udb-ashëve), ne e morëm vendimin taktik: të përhapej fjala se organizatorët “janë zhvendosur në Konviktin IV”. Atë natë u kapën civilë që bastisnin dhomat, u morën libra e shkrime — por ne kërkuam të liroheshin pa dhunë, sepse lufta jonë ishte morale e politike, jo hakmarrje. Ti ishe aty. Jo si shikues. Si pjesë e barabartë e rrezikut dhe e besës.

IV. Emrat e organizimit – që historia të mos dalë “me një hero të vetëm” Po e them publikisht: në 1981 nuk ka pas “një hero”. Ka pas zinxhir, ka pas rreth, ka pas hallka, ku secili e mbante peshën e vet. Në rrethin e parë të veprimit (11–26 mars 1981) ishin:

• Ali Lajqi – zëri kryesor organizativ dhe fjalimi politik • Riza Demaj – tekstet, njoftimet dhe leximi i kërkesave

• Bajram Kosumi – hartimi i kërkesave në 8 pika (me mendimet e të gjithëve) • Hamdi Hajdini – koordinim organizativ në terren

• Abdullah Tahiri – pjesë e pandashme e organizimit (më vonë dëshmor)

• Ibrahim Nikqi – vijë e parë e përballjeve (më vonë dëshmor)

• Sylë Mujaj (Sak Muji) – organizim, koordinim, përballje, burg Dhe përkrah, në rreth të afërt veprues (siç i keni përmendur në rrëfime):

• Gani Koci, Musli Kosumi, Mergjan Avdyli, Gani Vlahna, Bedri Deliu, Ramadan Gashi (Dobra), Murat Musliu, Januz Januzi, Selim Geci, Halit Osmani, Fahri Ymeri, Hamdi Zymberi, Kadri Kryeziu, Xun Qetaj, Ramë Demaj, Xhevat Zekaj, Kostas Mizis, Dhimitër Patituqi, (dhe të tjerë). Këta emra nuk janë dekor. Janë fakte. Sepse sot ka “kujtesë selektive”: disa e duan historinë si reklamë, jo si të vërtetë.

V. 26 Mars – Dhuna, arrestimet dhe “fabrika” e dosjeve 26 Marsi s’ishte vetëm brohoritje — ishte edhe përballje me:

• gaz lotsjellës,

• kërbaçë,

• rrethime,

• pranga,

• korridore plot të rinj të përgjakur,

• dhe hetuesi që punonte natën si mulliri. Pastaj erdhën montimet, shpifjet, dëshmitë e rreme, aktgjykimet e gatshme. Dhe ja ironia e madhe: ata që na dënuan dje, sot dalin si “mësues morali”. Sot flasin për pajtim — pa reflektim. Pa kërkimfalje. Pa një fjali të vetme që fillon me: “Gabova.” Haaaa… këta do pajtim “pa larë duart”.

 VI. 1981–1990 – Burgjet: ku njeriun tentojnë me e thye, po s’e thyejnë dot idealin Kjo periudhë ishte rruga jonë e gjatë: • burg, • hetuesi, • izolim, • urrejtje e shtetit ndaj fjalës “liri”, • dhe një përpjekje e vazhdueshme me na shndërru prej njerëzish në numra. Por ndodhi e kundërta: na bënë edhe më të bindur se liria do vijë. Dhe ti, Cima, nuk u ndave nga ne. As kur u mbyllën dyer. As kur u hapën dosje. As kur nisën shpifjet.

II. Pajtime gjaqesh, mërgimi dhe përgatitja e një epoke të re

Kur doli gjenerata prej burgjeve, nuk gjeti “qetësi”. Gjeti Kosovën të rënduar, familjet të goditura, varfëri, frikë, policë e spiunë në çdo hap. Pastaj erdhi epoka e pajtimeve të gjaqeve — ku populli, me mençuri, e ktheu energjinë prej përçarjes në bashkim. Dhe mërgimi u bë plagë e madhe: njerëzit iknin jo nga dëshira, por nga presioni, nga pamundësia, nga ndjekja. Por mërgimi u bë edhe organizim: ndihmë, fonde, lidhje, rrjet, përgatitje.

VIII. 1998–1999 – UÇK dhe lufta: kur ideali u bë sakrificë

Pranvera e 1981-shit nuk mbaroi me gjyqe. Ajo u bart në rezistencë, në plagë, dhe u shfaq si vazhdimësi e drejtë në Luftën e 1999-s. Shumë nga studentët e 1981-shit u bënë: • luftëtarë,

• organizatorë,

• mbështetës të lirisë,

• dëshmorë të kombit. Kënga që e nisëm si studentë u kthye në marsh lirie. Liria erdhi. Por erdhi me çmim.

IX. Paslufta – shteti i ëndrrës dhe pazari i realitetit

Pas 1999-s Kosova hyri në epokë të re. Por jo gjithçka doli si ëndërr. U krijua një realitet i hidhur:

• shteti shpesh u bë kompromis,

• drejtësia u bë selektive,

• idealistët u lanë në pritje,

• ndërsa “të zotët e dosjeve” u shfaqën si analistë e patriotë. Dhe këtu fillon ajo që populli e thotë shkurt: “Liria po, po drejtësia ku?”

 X. Marrëveshje të debatuara (me data) – pse shumëkush i quan “të dyshimta”

Njerëzit kanë mendime të ndryshme, por këto janë disa prej marrëveshjeve/dokumenteve që kanë qenë më të debatueshme në opinion:

1. 19 prill 2013 – Marrëveshja e Brukselit (Kosovë–Serbi): “First Agreement of Principles Governing the Normalisation of Relations”. ‘

2. 26 gusht 2015 – Demarkacioni Kosovë–Mali i Zi (nënshkrimi); 21 mars 2018 – ratifikimi në Kuvend.

3. 4 shtator 2020 – Marrëveshja e Uashingtonit (normalizim ekonomik).

4. 27 gusht 2022 – Marrëveshja për letërnjoftime/ID (lëvizja pa dokumente hyrje-dalje), e lehtësuar nga BE.

5. 23 nëntor 2022 – Marrëveshja për targat (zgjidhje për çështjen e targave në veri).

6. 27 shkurt 2023 – Pajtim parimor për planin e BE-së për “rrugën drejt normalizimit” (pa nënshkrim formal, por i pranuar si kornizë).

7. 18 mars 2023 – Aneksi i zbatimit (Ohrid), si vazhdim i kornizës së 27 shkurtit.

Shumëkush i sheh këto si “kompromis i domosdoshëm”; shumë të tjerë i shohin si “rrëshqitje”, sidomos kur mungon transparenca, debat publik, dhe llogari politike. Dhe po, njerëzit flasin edhe për tema të rënda si:

• “falje pa drejtësi”,

• “territore e kompetenca”,

• “trashëgimi kulturore e pronë”,

• “zgjidhje që s’kanë ardhë me pendesë të palës tjetër”. Këto janë plagë që s’mbyllen me propagandë, por me drejtësi.

XI. 2026 – Kërkesa jonë: Ligj, drejtësi, lustrim

Sot (2026) kërkesa jonë është e thjeshtë:

• Drejtësi për viktimat

• Ligj që vlen për të gjithë

• Lustrim / pastrim institucional, që të ndahet viktima nga bashkëpunëtori. Lustrimi nuk është hakmarrje. Është higjienë morale e shtetit. Sepse një shoqëri që s’e dallon spiunin nga i përndjekuri, rrezikon me ua lanë fëmijëve mjegullën si histori.

XII. Kënga e Albulenës – betimi që s’mbaron

E kujtoj kur u takuam pas vitesh dhe të kërkova kitarën. Ti e more, e akordove, dhe e vazhduam këngën e “Albulenës” që e kishim lënë përgjysmë në 1981. Ajo këngë është simbol:

• ata kishin dosje,

• ne kishim ideal,

• dhe ideali nuk burgoset. Prandaj, Cima im, mos e ndal këngën. Sepse liria ka ardhë — por liria kërkon edhe atë kryesoren: Lustrim, Drejtësi, Ligj.

PËRFUNDIM PUBLIK

Bashkim Berisha ishte me ne. Ishte me ne në dhomën e organizimit. Ishte me ne në rrezik. Ishte me ne në besë. Dhe mbeti me ne në kujtesë. 1981 – BETIMI QË VAZHDON. Me respekt e dashuri vëllazërore, Sak Muji (Sylë Mujaj)

Pjesëmarrës i demonstratave të Marsit 1981

Autor i dëshmive “1981 – Pranvera e Madhe”

smuji’26

PËRFUNDIM AUTORIAL (45 VJETORI I PRANVERËS SË MADHE – 1981–2026)

Nga Sak Muji (Sylë Mujaj) Pjesëmarrës i demonstratave të Marsit 1981 Autor i dëshmive “1981 – Pranvera e Madhe” smuji’26 Po e mbyll këtë letër me një buzëqeshje të hidhur — por krenare. Sepse sipas aktgjykimeve të asaj kohe, ne ishim: “grupi më i rrezikshëm irredentist e nacionalist”. 21 veta. 21 studentë. 21 “armikë të Jugosllavisë”. Haaaa…

Sipas dosjeve, ne jo vetëm që e rrezikuam Jugosllavinë e Azem Vllasit e Isa Mustafës së atëhershëm universitar, por — siç duket — e lëkundëm edhe Murin e Berlinit. Madje disa stenograme do duhej të shtonin se pa ne s’do binte as Muri Kinez. E ja ku jemi sot: Jugosllavia? Nuk gjendet as në atlas, as në podrume, as në arkiva të pluhurosura. Ne? Jemi këtu. Gjallë. Me kujtesë. Me emra. Ouu… më mungon edhe një shok i burgut nga grupi ynë, që na i bashkuan për t’u bërë “21-shja e frikshme”. Që ta plotësonin kuotën. Që aktakuza të dukej më bindëse. Që të thuhej: “Ja, ky është organizimi i madh kundër shtetit.” E shteti? U zhduk. Ne mbetëm.

Na thanë se po e shkatërrojmë Jugosllavinë. Sot ajo s’është askund. Na thanë se jemi “kundër vëllazërim-bashkimit”. Sot ata që flisnin për “vëllazërim” s’guxojnë ta përmendin atë fjalë. Na quajtën separatistë. Sot kemi shtet. Na quajtën irredentistë. Sot kufijtë e Ballkanit janë hartë e re. Na rrahën, na dënuan, na torturuan, na montuan procese. E megjithatë — historia s’i mbajti ata. Historia na mbajti neve….

Më 45 foto ideale edhe vizatime per prapergaditje per 45 vjetorin e Pranveres se Madhe 1981-2026

Video e Sak Mujit:

(13) Facebook

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu