Konferenca përkujtimore shkencore kushtuar dyvjetorit të vdekjes së Prof. Emeritus Ignazio Parrino, pedagog i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, albanolog me njohje ndërkombëtare
Dje në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u organizua një Konferencë përkujtimore shkencore kushtuar Prof. Emeritus Injac Parrino nga Palazzo Adriano(Pallaçi në arbërisht), me pjesëmarrjen e familjarëve të Prof. Parrinos(gruas dhe dy fëmijëve) dhe kryetarit të Komunës së Pallaçit, Dr. Nikola Granà.
Konferenca u bë me angazhimin dhe nën drejtimin e studiuesit të njohur të arkivave, Mark Palnikaj, në bashkëpunim me institucione akademike në Tiranë dhe Shkodër.
Pas fjalës përshëndetëse të Dr. Mark Palnikaj, e mori fjalën Dr. Nikollë Loka që mbajti kumtesën “Kontributi i Prof. Emeritus Ignazio Parrino në shkencat albanologjike”. Prof. As. Dr. Evalda Paci, drejtore e Departamentit të Studimeve letrare në Institutin e Gjuhësisë dhe letrësisë(Akademia e Shkencave) mbajti kumtesën “Rreth kontributeve historiografike të Ignazio Parrinos”; Prof. Dr. Nertila Haxhia Ljarja dhe Dr. Ermira Alija nga Universiteti i Shkodrës kishin kumtesën “Ingnacio Parrino dhe origjinat dokumentare të kulturës siculo-shqiptare”; Dr. Mark Palnikaj “Kontributi i Prof. Emeritus Ignazio Parrino për studimet shqiptare në arkivat italiane”.

Kumtuesit theksuan se Prof. Emeritus Ignazio Parrino u angazhua të gjithë jetën e tij për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare. Nga kumtesat doli se Prof. Parrino është një nga studiuesit më të shquar arbëreshë të albanologjisë, një personalitet i njohur dhe i respektuar në botën akademike dhe shkencore për kontributet e tij në fushën e arkivistikës, gjuhësisë, historisë kulturore dhe studimeve arbëreshe. Me një karrierë të gjatë dhe të pasur. Ai ka ndikuar në thellimin e kuptimit të marrëdhënieve historike, kulturore dhe gjuhësore mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh të Italisë.
Injac Parrino ka pasur bashkëpunim të suksesshëm me albanologët Giuseppe Valentini dhe Ernest Koliqi. Ky bashkëpunim e ndihmoi që ai të thellohej më tej në fushën e albanologjisë dhe kërkimeve historike lidhur me Shqipërinë dhe Skënderbeun. Libri “Papa Kalisti III, Skënderbeu, Shqipëria dhe Kryqezata: 1455-1458”, me autorë Giussepe Valentini, Matteo Sciambran, Ignac Parrino bazohet në dokumente dhe dëshmi të vlefshme nga arkivat e Vatikanit, të cilat hedhin dritë mbi përpjekjet e bashkërenduara ndërmjet Papës dhe Skënderbeut. Këto burime përmbajnë korrespondencë, udhëzime dhe vendime të rëndësishme që dëshmojnë përkushtimin e Kalistit III dhe vendosmërinë e Skënderbeut për të organizuar Kryqëzatën dhe për ta çliruar Ballkanin nga sundimi osman.
Pjesë e këtij bashkëpunimi ishte edhe mbledhja, transkriptimi dhe studimi i burimeve të shumta, përfshirë dorëshkrimet dhe burimet arkivore të papublikuara. Ai mblodhi, transkriptoi dhe botoi vëllimin “Acta Albaniae Vaticana. Në këtë vepër janë përfshirë 563 dokumente dhe letra papale, që lidhen me Arberinë, ku shumica prej tyre i referohen Gjergj Kastriotit.
Në veprën “Mbi origjinën e kulturës siculo-shqiptare, botuar në Palermo në vitin 1973, Parrino trajtoi origjinën e kulturës shqiptare në Sicili dhe të greko-shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon të Italisë. Parrino ofron një studim të hollësishëm të ndikimeve bizantine dhe shqiptare në kulturën e këtij rajoni dhe kontribuon në pasurimin e njohurive për diasporën shqiptare. Prof. Parrino ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën e gjuhësisë historike, duke studiuar zhvillimin e gjuhës shqipe dhe ndryshimet e saj në komunitetet arbëreshe në Itali.

Prof. Injac Parrino ka kontribuar edhe në studimin e letërsisë kombëtare në përgjithësi. Ai është përqëndruar veçanërisht në veprën monumentale të Gjergj Fishtës, Lahuta e Malcís, duke kryer përkthimin e plotë të kësaj vepre dhe ka ofruar komente kritike, që ruajnë integritetin e tekstit origjinal, duke analizuar aspektet stilistike, gjuhësore dhe strukturore. Puna e tij ka theksuar dimensionin psikologjik dhe filozofik të epopesë fishtiane dhe ka interpretuar figurat dhe ngjarjet në dritën e Kanunit, si një sistem normativ dhe etik shqiptar. Puna e tij nuk përmbahet thjeshtë në përkthime, por përbën një lexim shumëplanësh, që përfshin analizën letrare, antropologjike, juridike dhe estetiko-filozofike. Prof Parrino e ka vlerësuar Lahutën e Malcís si pasqyrë të shpirtit kombëtar shqiptar dhe si një dokument historik, ku historia dhe letërsia janë të pandashme.
Në tërësi, trashëgimia shkencore e Prof. Emeritus Ignazio Parrino vazhdon të shërbejë si një pikë reference për studimet dhe hulumtimet e sotme dhe ato që do të ndërmerren në të ardhmen.

Në fund u dhanë disa mirënjohje: Fondacioni Ndërkombëtar “Papa Klementi XI-Albani-Akademia e Shkencave Historike dekoroi Prof. Emeritus Ingazio Parrono (pas vdekjes) për merita të veçanta në kërkimin shkencor në Albanologji. Ky Fondacion dekoroi edhe vajzën e tij, Dr. Ilaria Parrino dhe kryetarin e Komunës arbëreshe të Palazzo Adriano-s Dr. Nikola Granà. Dekoratat u dhanë nga Prof. Dr. Neritan Ceka, Akademik dhe Prof. As. Dr. Evalda Paci.
Kryetari i Shoqata Atdhetare-Kulturore “Dukagjini” Kolonel Ndue Sanaj i akordoi Prof. Ingazio Parrinos(pas vdekjes) çmimin “Martin Camaj”. Kryetari i Akademisë Mirdita Pjetër Marku i akordoi Prof. Ingnazio Parrinos çmimin “Yjet e Arbërit”. Prof. Msc.Murat Ajvazi, kryetar i Lidhjes së Historianëve në Botë me seli në Zvicër i akordoi Prof. Ignazio Parrinos titullin “Misionar i kulturës arbëreshe”. Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë-Prizren Agron Xhedia e nderoi albanologun e shquar Ignazio Parrino, me titullin “Nderi i Shqiptarisë”. Konferenca përkujtimore përfundoi me një koktej.

Pas veprimtarisë arbëreshët, të shoqëruar nga Mark Palnikaj u nisën drejt Prishtinës për të marrë pjesë në festimet e 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku u takuan me personalitete të rëndësishëm të jetës politike, shkencore dhe kulturore.



