ARKIVI:
6 Mars 2026

Fitore Malo rrëfen se feja në shtëpinë e tyre ishte në sfond – jo si konflikt, jo si identitet,… një prani e largët

Shkrime relevante

Djallëzor dhe mashtrues

Isuf Bytyçi, Munih Dinakëritë janë për të marrë, kurse sinqeriteti dhe...

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.   Idriz...

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

Prend Ndoja, New York ______ Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë...

Shpërndaj

Jam rritur me dy prindër ateistë. Feja në shtëpinë tonë ishte në sfond – jo si konflikt, jo si identitet, thjesht si një prani e largët.
Nga ana e nënës, dy gjyshër thellësisht fetarë. Katër fëmijë: dy besimtarë, dy ateistë. Dhe askush nuk e shpalli veten fitues në këtë histori. Ishte një marrëveshje e heshtur mes vëllezërve e motrave: ne e dimë ku qëndron secili, por kjo është çështje personale. Nuk “shtyhet” mbi tjetrin.
Tezja ime, sot pensioniste, ishte lektore universiteti në islamologji. Pra jo vetëm besimtare, por e ditur në fushën e saj. Megjithatë, as ajo e as daja im besimtar nuk kanë tentuar kurrë të na imponojnë bindjet e tyre. Nëse kjo quhet modernitet apo thjesht besim i sigurt në vetvete, nuk e di. Por di që ishte dinjitoz.
Dhe pastaj vjen realiteti i familjes shqiptare.
Në dasmën e vëllait tim, fisi i babait i ulur në një tavolinë: gra, burra, të moshuar, disa fëmijë. Secili ngrinte gotën dhe thoshte nga një fjalë.
Kur radha i erdhi një gruaje të moshuar – me një shami të bardhë, të lidhur lehtë pas qafe, jo fort e shtrënguar si sot – ajo ngriti gotën e rakisë.
Dhe për herë të parë në jetën e saj, tezja ime humbi fillin.
“Ablla,” iu kthye nënës sime, “këta të rinjtë mirë xhanëm… po këta me një këmbë në varr – a besojnë fare në vdekje?”
Aty ishte e gjithë Shqipëria në një tavolinë.
Besimtarë që ngrenë raki. Ateistë që respektojnë ritualin. Të devotshëm që nuk imponojnë. Të lirë që nuk përqeshin.
Kështu duket familja ime. E përzier. E papërkryer. Por që di të rrijë në një tavolinë.
Ndoshta pikërisht sepse jam rritur kështu, kam shumë pak mirëkuptim – ose më mirë thënë, shumë pak durim – për prirjen e këtij brezi për t’ia ngjeshur fenë e vet thellë në fyt tjetrit, për ta kthyer atë në identitet demonstrativ. Për ta ekspozuar me ngulm, si flamur, si provë morali, si vijë ndarëse. Unë kam parë një model tjetër. Një fe që rri në sfond. Një mosbesim që nuk përqesh. Një familje që nuk shpërbëhet nga bindjet. Dhe ndonjëherë pyes veten: a po largohemi nga ajo pjekuri?
Më fal, por nëse të qenit besimtar do të thotë ta shpallësh bindjen si standard për të gjithë dhe të presësh që të tjerët të përshtaten pa kushte, atëherë e ndiej se rruga ime është tjetër. Dhe nuk kam asnjë dyshim për zgjedhjen time, jam në paqe me këtë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu