Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë përfaqësues të popullit dhe mandatin e tyre e ushtrojnë në mënyrë të lirë. Ky parim, i njohur në të drejtën kushtetuese si mandati i lirë parlamentar, nënkupton se deputeti nuk është i detyruar të zbatojë urdhra apo të veprojë sipas kërkesave imperative të partisë së tij politike ose të cilitdo autoritet shtetëror.
Nga ky parim rrjedhin disa të drejta themelore:
– deputeti është i lirë të votojë pro, kundër ose të abstenojë;
– deputeti mund të mos marrë pjesë në votim;
– deputeti nuk mund të detyrohet nga askush që të votojë në një mënyrë ose për një çështje të caktuar.
Ky parim dhe këto të drejta janë në përputhje të plotë me praktikat e konsoliduara të demokracive parlamentare evropiane.
Megjithatë, edhe përkundër faktit se deputeti gëzon mandat të lirë, ai ka edhe detyrime institucionale ndaj funksionimit të Kuvendit. Këto detyrime burojnë nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës.
Në këtë kuptim, deputeti duhet të marrë pjesë në seancat plenare dhe në komisionet parlamentare, si dhe të kontribuojë në ushtrimin e funksioneve themelore të Kuvendit (funksioni legjislativ, mbikëqyrës dhe përfaqësues).
Mirëpo këto detyrime janë vetëm të natyrës politike dhe procedurale, e jo detyrime të sanksionuara drejtpërdrejt me përgjegjësi ligjore ose kushtetuese të deputetit. Për mos-pjesëmarrje në seancë, deputetit zakonisht i reduktohen mëditjet dhe kompensimet materiale të parapara me rregullore.
Pra, sipas legjislacionit në fuqi, nuk ekziston asnjë mekanizëm juridik i cili e detyron deputetin të marrë pjesë në seancë dhe të votojë.
Në praktikën parlamentare evropiane, deputetët mund të përdorin disa forma të mos-pjesëmarrjes se tyre në votim:
– Abstenimi – deputeti është i pranishëm, por nuk voton.
– Mosregjistrimi në votim – deputeti qëndron në sallë, por nuk merr pjesë në procesin e votimit.
– Bojkotimi i seancës – deputeti ose grupi parlamentar nuk merr pjesë fare në seancë.
MIRËPO, edhe perkunder faktit se deputeti ka mandat të lirë dhe nuk mund të detyrohet të votojë, në rastet kur mos-pjesëmarrja në votim shkakton paralizim te institucioneve vitale shtetrore, mund të aktivizohet kontrolli kushtetues.
Në situata të tilla, interpretimi përfundimtar i dispozitave Kushtetuese i takon Gjykatës Kushtetuese te Republikës së Kosovës, e cila gjithmonë duhet të vendosë duke ruajtur ekuilibrin ndërmjet lirisë së mandatit parlamentar dhe funksionimit normal të institucioneve të shtetit.
Në praktikën juridike evropiane, gjykatat kushtetuese zakonisht janë shumë të kujdesshme për të mos ndërhyrë në autonominë parlamentare, përveç rasteve kur rrezikohet funksionimi i rendit kushtetues ose stabiliteti institucional i shtetit.



