ARKIVI:
12 Qershor 2026

Protestat: Mbrojtje e mjedisit apo fushatë e huaj për destabilizim?

Shkrime relevante

Protestat: Mbrojtje e mjedisit apo fushatë e huaj për destabilizim?

Prof. Dr. Pirro Prifti, Tiranë Nga një vështrim kritik mbi protestat e...

Jemi popull i fragmentuar nga kufijtë, nga partitë, nga fetë, nga klanet, nga rrëfimet kundërthënëse

Korab Rashiti Shqiptarët përballë krizës së tyre të brendshme Shqiptarët, qoftë në Shqipëri,...

Protesta të reja dhe ndjekje të të huajve në Belfast

Policia po përpiqet të largojë demonstruesit pranë Newtownabbey në Belfast më...

Në 27 vjetorin e çlirimit nga Serbia

Florim Zeqa Pse dita e çlirimit nuk është festë shtetërore?! Të paktë janë...

Zbulim arkeologjik i paleolitit të hershëm në Zvërnec të Vlorës

Në perëndim të qytetit të Vlorës, pak kilometra larg tij, ndodhet...

Shpërndaj

Prof. Dr. Pirro Prifti, Tiranë

Nga një vështrim kritik mbi protestat e fundit në Shqipëri

Prej disa ditësh Shqipëria po përjeton një valë protestash që filluan si reagim ndaj një incidenti në Zvernec, por shpejt u shndërrua në një lëvizje me ngjyra të qarta politike dhe gjeopolitike. Çfarë filloi si kundërshtim ndaj largimit të një protestuesi nga gardhi i një prone private, u kthye në një arenë ku bashkëjetojnë parrulla mjedisore, thirrje për revolucion, sulme ndaj qeverisë dhe madje mesazhe anti-amerikane.

Fillimisht, protestat nisën menjëherë të nesërmen pas incidentit në Zvernec. Policia private kishte larguar një protestues nga gardhi i një prone private që ishte blerë për të zhvilluar një resort të madh turistik nga investitorë amerikanë, me pjesëmarrjen e Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Investimi i paralajmëruar arrin potencialisht deri në 4 miliardë dollarë, duke përfshirë jo vetëm resortin, por edhe zhvillimin e ishullit të Sazanit. Ky projekt konsiderohet si një nga investimet më të mëdha të huaja në historinë e Shqipërisë pas viteve ’90.

Reagimi grek ndaj këtij investimi ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Politikanë grekë deklaruan publikisht se Zverneci ndodhet në “tokë greke”, ndërsa ambasadorja greke në Tiranë paralajmëroi se “mosrespektimi i minoritetit grek” mund të çojë në bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë. Kjo deklaratë vetëm sa i dha zjarr protestave.

Në fillim protestat u paraqitën si paqësore dhe jo-politike, të përqendruara te mbrojtja e mjedisit (zona afër Zvernecit është habitat për pelikane dhe zogj të rrallë). Por shumë shpejt, në protestën e Tiranës pranë Kryeministrisë, u shfaqën parrulla krejtësisht të ndryshme: “Edi Rama dorëhiq”, “Rama dhe Berisha në burg”, sulme të rënda personale ndaj Kryeministrit, por edhe parrulla kundër Izraelit, Ivanka Trump dhe investimeve amerikane.

Një paradoks tjetër ishte pjesëmarrja e qytetarëve nga Kosova, disa prej të cilëve të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët bënë thirrje të hapura për “revolucion”. Kjo ndodhi pavarësisht se shqiptarët e Shqipërisë kurrë nuk kanë marrë pjesë në protesta politike në Kosovë. Ditet e fundit u bashkuan edhe elementë të opozitës shqiptare, të kamufluar me qeleshe për të ruajtur iluzionin e një proteste “popullore”.

Këto zhvillime nuk duket se janë thjesht një shpërthim spontan zemërimi popullor. Përkundrazi, ato mbartin të gjitha shenjat e një fushate të orkestruar nga interesa të huaja që duan të pengojnë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe afrimin e saj me Perëndimin.

Sa herë ka pasur probleme në Serbi apo në Kosovë, dhe sa herë që interesat greke preken, ato kërkojnë menjëherë shkak për të ndërhyrë. Sikurse në rastin e Zvernecit: ky territor nuk është tokë greke, por tokë shqiptare ku banon një minoritet i vogël grek, i cili në fakt do të përfitonte drejtpërdrejt nga një investim kaq i madh. Megjithatë, Athina preferon të përdorë çështjen e minoritetit si instrument presioni politik dhe gjeopolitik, duke treguar qartë se prioriteti nuk është mbrojtja e minoritetit, por pengimi i çdo zhvillimi serioz në Shqipëri.

Kryeministri akuzoi edhe hackerat Iranianë që përpiqen të destabilizojne dhe të përçajnë Shqipërinë nëpërmjet porteve të veçanta apo IP të shumta që japin disinformime.

Së pari, një turmë nuk është popull. Populli e shpreh vullnetin e tij në zgjedhje dhe me vote, jo me ulërima dhe sharje në shesh. Protestat e këtij lloji, të nxitura nga fqinjtë, synojnë të krijojnë përçarje të thellë shoqërore dhe të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë si vend stabil për investime.

Së dyti, lufta kundër korrupsionit nuk bëhet në rrugë, por nëpërmjet institucioneve të drejtësisë. Nëse drejtësia nuk funksionon si duhet, atëherë duhet të kërkojmë përgjegjësi institucionale, jo të shkatërrojmë çdo mundësi zhvillimi. Qeveria ka detyrime të qarta ndaj Bashkimit Europian për integrim dhe është e detyruar t’i plotësojë ato.

Së treti, argumentet e protestuesve – “të gjithë hajdutë”, “Rama ik”, “zgjedhje të reja” – janë të njëjta me ato të opozitës së dështuar dhe të përçarë. Ato po përdoren nga aktorë që qëndrojnë në hije dhe që financojnë lëvizje të tilla për të mbajtur Shqipërinë peng.

Së katërti kush e finacon këtë proteste e cila është pa kokë te dukshme? Kush janë drejtuesit e vertete? Perse nuk kerkojne takim per zgjidhjen e problemeve që kanë ngritur? Këto paradokse të krijojne dyshim të arësyeshëm se protestuesit mund të jenë të pastër por drejtohen nga individe qe nuk e duan Shqiperinë, por fshihen pas akuzave bajate  të përdorura nga opozita disa herë.

Një shembull i ngjashëm është rasti i Moldavisë në vitet 2020. Atje u dokumentuan protesta të vazhdueshme që dyshohej se financoheshin nga oligarkë në mërgim dhe përforcoheshin nga rrjete dezinformimi të mbështetura nga fuqi të huaja. Dinamika ishte e njëjtë: pastrimi i informacionit me narrativa përçarëse, legjitimimi nga opozita vendase, financim i fshehtë dhe shfrytëzimi i lirisë së tubimit për të destabilizuar vendin. Shqipëria po përjeton një skenar shumë të ngjashëm.

Në përfundim mendoj se Shqipëria sot ndodhet në një moment delikat: nga njëra anë ka mundësinë e një investimi historik që mund të transformojë ekonominë dhe turizmin, nga ana tjetër po përballet me një fushatë hibride që synon ta kthejë përsëri në “vendin e përplasjes SHBA-BE” ose interesave greke dhe serbe.

Protestat e këtij lloji nuk sjellin zgjidhje. Ato vetëm sa pengojnë integrimin europian, trembin investitorët dhe forcojnë përçarjen. Zhvillimi ekonomik, respektimi i pronës private dhe forcimi i institucioneve mbeten rruga e vetme për një Shqipëri më të fortë. Populli nuk ka nevojë për revolucione të importuara, por për punë, stabilitet dhe vizion afatgjatë.

priftipirro2017@gmail.com

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu