Parullat dhe fjalimet e protestuesve në Tiranë, e sidomos opinionet e pseudoanalistëve përkrahës të protestave, që po dominojnë të gjitha emisionet debatuese televizive, po më nxisin të shtjelloj tematikën “kapitalizëm social APO socializëm enverist”.
Pothuajse rreth 8 televizione të Shqipërisë (që kam mundësi t’i përcjell), duke përfshirë edhe RTSH-në shtetërore, po u bëjnë tifozëri idiote protestave, pa guxuar të ofrojnë analiza kritike, bile pa guxuar as ta thonë numrin sa më të përafërt të pjesëmarrësve, sepse u tremben linçimeve që do t’ua bënin jeniçerët e shumtë, të angazhuar në rrjetet sociale. Postimin tim të mbrëmshëm — fotografi e momentit të orës 19:04, e huazuar nga Report TV (sepse vetëm ai po ofron herë pas herë video-emetime nga lartësia me dron) dhe shifra e pjesëmarrësve, rreth 450-600 veta, siç i “numëroi” IA — e kanë shpërndarë vetëm dy herë. Nëse do të gënjeja se ishin 45-65 mijë pjesëmarrës, do ta kishin shpërndarë shumë jeniçerë…
Fatkeqësisht, bashkëveprimtarët e mi shumëvjeçarë, që në shumicë të madhe ishin (pseudo)enveristë, do më keqkuptojnë sikur po synoj ta diskreditoj “socializmin enverist”, nëse shumicën e parullave dhe fjalimeve të protestuesve i (dis)kualifikoj si enveriste, duke filluar nga ato që thotë lideruci partiak Arlind Qori, e deri te këshilltari i KM Kurti, (pseudo)filozofi Elvis Hoxha. Po njësoj po broçkullisin edhe organizatorët klandestinë të protestave, si kuksiani Alben Kola (i cili me megafon “udhëzon” protestuesit sektaristë se ku e si duhet të marshojnë, pasi të kenë thirrur disa herë: “revolucion!”, “revolucion!”, sepse u duhet adrenalinë revolucionare), dhe zonjat Albina Kola e Luçiana Lleshi.
Pastaj vazhdon kori i analistëve dhe opinionistëve, si me qenë të orkestruar, me tifozëri propagandiste të atyre rreth 600 protestuesve të mbrëmshëm (te kryeministria, rreth orës 19), se kërkesat e “protestës popullore”, të “protestës qytetare”, të “protestës së rinisë”, bile të “protestuesve nëna me fëmijë të vegjël” (sikur kjo qenkësh vlerë e jo shpërdorim i fëmijëve), po i injoron Edvin Rama, të cilin e quajnë edhe kriminel, hajn, tradhtar, vëlla i Vuçiqit, pa u rezervuar se në maj të vitit të kaluar 53% e votuesve e kanë votuar për kryeministër. As moderatorët e emisioneve debatuese nuk po e ruajnë neutralitetin, sepse po duan të jenë me “popullin”, pasi e kanë të sigurt që protestuesit do e bëjnë revolucionin.
Kapitalizmi social gjerman
Duke mos u trembur se do damkosem sipas proverbit “qeni leh për atë që e ushqen”, po u ofroj disa të dhëna konkrete të shtetit gjerman, i cili praktikon kapitalizëm social. Janë shifra që i mora nga IA (meqë do më duhej shumë kohë t’i gjeja në faqen zyrtare të Entit Federativ Statistikor gjerman):
• Të hyrat nga të gjitha llojet e taksave në vitin 2025 (federale, republikane, komunale): rreth 990 miliardë Euro.
• Të ardhurat e përgjithshme publike për vitin 2025 ishin DY bilionë e 140 miliardë Euro.
• Buxheti federativ për vitin 2026 është përcaktuar 524.5 miliardë Euro.
• Buxheti për vitin 2026 i 16 republikave gjermane është rreth 450 miliardë Euro.
• Fondi i pensioneve subvencionohet met 119 miliardë Euro nga buxheti federativ (ndërsa 370 miliardë Euro janë të hyra nga kontributet e të punësuarve).
• Për ndihma sociale (dhe shtesat për fëmijët) nga buxheti i shtetit do të jepen 126 miliardë Euro.
• Për shëndetësinë nga buxheti i shtetit do jepen 14.5 miliardë Euro (mbi 300 miliardë i japin kompanitë e sigurimeve shëndetësore, të grumbulluara nga pagat e të punësuarve).
[Deri tani, këtë vit Gjermania e ka ndihmuar Ukrainën me mbi 12 miliardë Euro dhe po strehon mbi NJË milion ukrainas, që ndihmohen njësoj si mbi KATËR milionë gjermanë që jetojnë nga ndihmat sociale.]
Ata që dinë gjermanisht dhe i përcjellin debatet televizive, do të dëshmojnë sa të alarmuar janë gjermanët pse nuk u ofrohet shëndetësi aq sa duan; para dy muajve nuk mund të caktosh termin për kontroll mjekësor te mjekët specialistë; për secilën recetë në apotekë duhet paguar 5 Euro, edhe nëse ilaçi kushton me mijëra Euro; në çdo tre muaj paguheshin 20 Euro (Praxisgebühr), sepse pleqtë e të papunët asocialë shkonin kot më kot, vetëm sa për muhabet te mjeku; për çdo natë të qëndrimit në spital pacienti paguan 10 Euro, edhe pse është i siguruar, sepse kishte pacientë që e shpërdoronin duke simuluar se janë të sëmurë, për hir të ushqimit dhe trajtimit dinjitoz në spital…
Tashmë ankesat më të mëdha janë kundër pensioneve “shumë të ulëta” (Gjermania ka mbi 21 milionë pensionistë, me pension mesatar mujor rreth 1,200 Euro). Gjithandej “kukasin” për ndihmat e ulëta sociale që i marrin rreth 5.4 milionë banorë në Gjermani (janë minimum 540 Euro në muaj për jetesë, plus qiraja).
Ky kapitalizëm social mund të realizohet për shkak të zhvillimit të kapitalizmit, për çka meritorët kryesorë janë “oligarkët” dhe sovraniteti i rrudhur shtetëror gjerman për hir të “federatës” së Bashkimit Europian, si edhe i investimeve nga të huajt, dhe i rreth 46 milionë të punësuarve me pagë mesatare rreth 4,800 Euro (bruto).
[Nëse një punëtor është beqar (klasa e taksimit 1) dhe fiton pagën mesatare prej 4,500 euro bruto, shteti “social” ndërhyn menjëherë: rreth 41% e rrogës ikën direkt përpara se paratë të prekin llogarinë bankare. Nga këto, rreth 900 euro shkojnë si kontribute direkte për arkat sociale (pensioni, shëndetësia, papunësia, kujdesi në pleqëri). Rreth 650 euro shkojnë si tatim mbi të ardhurat (Lohnsteuer). Punëtorit i mbeten neto në xhep rreth 2,950 euro.]
Kriptoenveristëve Arlind Qori dhe Elvis Hoxha po ua ofroj edhe këtë informatë: parvjet qeveria gjermane joshi kompaninë amerikane INTEL me truall e infrastrukturë falas dhe DHJETË miliardë Euro subvencion, vetëm që të hapë repart prodhues në Gjermani. Njësoj veproi edhe ndaj një kompanie tajvaneze (TSMC), por asaj i dha “vetëm” GJASHTË miliardë Euro. Këtë “krim” qeveria gjermane e bëri vetëm për të siguruar furnizimin me kohë me ÇIPA, sepse importimi nga SHBA, Kina e Tajvani po rrezikohet edhe për shkak të pasigurisë gjatë transportit. Ky favor u bëhej oligarkëve që prodhojnë auto, makineri të gjithëllojshme, kompjuterë, etj., që të mos zvogëlohet prodhimi dhe fitimi i tyre në mungesë të çipave. [Edhe suedezët ua kanë shit kompaninë VOLVO kinezëve, edhe pse e kishin krenari kombëtare, bile të mitizuar; nuk më besohet se shqiptarët janë më patriotë e më sovranistë se suedezët! Ndërsa Kina ka ble në USA të paktën 150 mijë hektarë tokë që kultivojnë grurin. Janë amerikanë më pak sovranistë se shqiptarët? Kina ka ble edhee dhjetra porte, deri edhe në Gjermani e shtete tjera…]
Socializmi enverist
Meqë nuk e njoh mirë teorinë e Marksit për socializmin, e as socializmin që e imponoi Enver Hoxha me shokë, po (sh)përdor IA (Gemini), sepse nuk dua të improvizoj intelektualin më të informuar se inteligjenca artificiale. Në pyetjet e mia se cila ishte gjendja zhvillimore, arsimore, shëndetësore dhe sociale në Shqipëri kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore dhe kur ndodhi kolektivizimi, mora përgjigjet vijuese:
“Kur komunistët morën pushtetin në nëntor 1944 dhe nisi viti 1945, Shqipëria ishte një vend pothuajse mesjetar në mes të Europës. Gjendja mund të përmblidhet në tri shtylla:
• Gjendja Arsimore (Analfabetizmi masiv): Rreth 80% deri në 85% e popullsisë ishte plotësisht analfabete. Në zonat rurale, ky numër shkonte mbi 95%, dhe pothuajse asnjë grua në fshat nuk dinte shkrim e këndim. Kishte vetëm disa gjimnaze në mbarë vendin (si Liceu i Korçës apo Shkolla Teknike e Tiranës) dhe asnjë universitet.
• Gjendja Shëndetësore (Epidemitë): Jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve ishte rreth 38-40 vjeç. Vendi ishte i gjunjëzuar nga sëmundjet infektive. Malaria prekte më shumë se gjysmën e popullsisë, ndërsa tuberkulozi, sifilizi dhe vdekshmëria foshnjore ishin në nivele alarmante. Kishte më pak se 100 mjekë në të gjithë vendin.
• Gjendja Zhvillimore dhe Ekonomike: Shqipëria ishte një vend thjesht agrar primitiv. Nuk ekzistonte asnjë linjë hekurudhore. Rrugët ishin kryesisht shtigje karrocash, dhe urat kryesore ishin hedhur në erë nga tërheqja e trupave gjermane. Nuk kishte industri kombëtare, përveç ndonjë punishteje të vogël vajguri apo mielli. Monedha ishte e zhvlerësuar dhe tregtia bëhej shpesh me shkëmbim mallrash (barter).
Enver Hoxha e përdori pikërisht këtë pikënisje mizerable për të justifikuar brutalitetin e regjimit të tij, duke e shitur çdo shkollë apo spital të ndërtuar më pas si “dhuratë të partisë”, duke fshirë nga memoria faktin se çmimi që u pagua ishte liria totale e individit.
Kolektivizimi i tokës (marrja e tokës nga fshatarët dhe kthimi i saj në kooperativa shtetërore sipas modelit stalinist të BRSS) në Shqipëri nuk u bë brenda një nate, por u krye në disa faza, duke u përmbyllur si proces total në vitin 1967.
Historikisht, procesi kaloi nëpër këto etapa:
• Reforma Agrare (1945-1946): Në fillim, regjimi përdori parullën “Toka u takon atyre që e punojnë”. U mori tokën pronarëve të mëdhenj (bejlerëve dhe agallarëve) dhe ua ndau fshatarëve të varfër për të fituar mbështetjen e tyre. Por kjo ishte vetëm kurth.
• Fillimi i Kolektivizimit (1946-1955): Sapo mori veten, shteti nisi t’u kërkonte fshatarëve t’i dorëzonin vullnetarisht (me saktë, me dhunë e presion) tokat në kooperativa. Fshatarët rezistuan masivisht, dhe kjo periudhë u shoqërua me shpalljen e shumë fshatarëve punëtorë si “kulakë” (armiq të klasës), burgosjen apo pushkatimin e tyre.
• Hovi i Madh (1956-1960): Pas Kongresit të III të PPSH-së, kolektivizimi u përshpejtua me egërsi në zonat fushore. Deri në vitin 1960, rreth 86% e tokës arë në fusha ishte kolektivizuar.
• Kolektivizimi Total (1965-1967): Goditja përfundimtare erdhi me të ashtuquajturën “Revolucionarizim të jetës së vendit” (të kopjuar nga Revolucioni Kulturor Kinez). Në vitin 1967, regjimi deklaroi përfundimin e plotë të kolektivizimit, duke përfshirë edhe zonat më të thella malore.
Detaji më ekstrem i socializmit enverist:
Nëse në vitin 1967 u mor edhe lëpjeta e fundit e tokës në malësi, çmenduria arriti kulmin në vitin 1981. Me ndryshimet e reja, fshatarit iu ndalua edhe “oborri kooperativist”. U quajt heretike që një familje fshatare të kishte qoftë edhe një lopë, disa pula apo një dhi për vete. Çdo gjë u “tufëzua” (krijimi i tufëzave të përbashkëta). Ky ishte momenti kur socializmi enverist u shkëput plotësisht nga realiteti: fshati shqiptar, që supozohej se prodhonte ushqimin, filloi të vuante për bukë, qumësht e vezë, duke përfunduar tek tollonat famëkeqe.”
***
Fundin e socializmit enverist e preka kur hyra në Shqipëri (me traget Trieste-Durrës), më 29 dhjetor 1990. Sapo zbrita në portin e Durrësit u zhgënjeva në përmasa të tilla sa u shkreha në vaj deri edhe në alivanosje. Më keqpriti sigurimsi madhor Luan Pobrati, meqë donte marrëveshje të kushtëzuar me mua: “Jemi të informuar se je rebel anarkist, prandaj po deshe të mos të kthejmë, duhet të jesh i urtë e i heshtur…” (parafrazim).
Kur më kaloi afati njëmujor i vizës turistike (lëshuar nga Ambasada shqiptare në Stokholm), sepse ishte vizë grupore për turistë nga Norvegjia, nuk donin të më toleronin më gjatë. Miku Erich Rathfelder (kryeredaktor i gazetës berlineze TAZ), më dërgoi me faks dëshminë për angazhimin tim si korrespondent në Shqipëri. Kjo ma mundësoi të qëndroja. Bile në mars 1991, me “të njohshëm”, Presidenca ma dhuroi shtetësinë, pa i zbatuar procedurat “normale”. Pata bërë një shkrim për TAZ, duke paraqitur gjendjen. E emetoi “Zëri i Amerikës” (VOA) në shqip. Gjithandej më fyenin pse e kisha prezantuar gjendjen në mënyrë kritike. Prandaj nuk i dërgova më shkrime TAZ-it.
Megjithatë, si enverist adoleshent që kam qenë në Kosovë (deri kur u arratisa në Gjermani në vitin 1976), edhe tani i arsyetoj disa masa të para, edhe pse ishte tepër i dhunshëm “pushtetit popullor”. Arsyetoj që duhet t’u merret me dhunë drithi nëse kanë rezerva të mëdha “kulakët”, për t’i ushqyer ata që po vdisnin nga uria. Duhej detyruar frekuentimi i shkollave edhe nga vajzat e prindërve fundamentalistë myslimanë. Duhej reforma agrare, sepse pronarët e tokave nuk ishin legjitimë, meqë në vitin 1913 qeveria e Shqipërisë gabimisht e padrejtësisht i ka njohur “tapitë” osmane; në Perandorinë Osmane me Sheriat e Kuran ishte e ndaluar pronësia private e tokës, meqë “toka i takon vetëm Allahut, ndërsa e menaxhon kalifi/sulltani, i autorizuar nga Allahu.” Prandaj e gjithë toka punuese do të duhej t’u jepej vetëm në shfrytëzim atyre që donin ta punonin. Kjo duhej të ndodhte edhe në vitin 1991, e jo t’u durohej tokë pune e kullotë edhe atyre që do ta linin djerrë, për t’u shpërngulur në toka të zaptuara në periferi të Tiranës…
Edhe kolektivizimin e tumirja duke u bazuar në logjikë matematikore e sociale; rritja e parcelave, duke hequr mexhat, e rriste prodhimin. Fshataret e shndërruara në kooperativiste (me pagë) emancipoheshin dhe çliroheshin patriarkalizmi skllavërues…
Fatkeqësisht këto reforma nuk dhanë sukses, edhe për shkak se blloqet ushtarake NATO dhe ai i Varshavës u përcaktuan ta izolonin e gjunjëzonin “diktaturën e proletariatit” që praktikonte diktatori Enver Hoxha. Dhe nuk ndodhte vetëm izolimi paqësor, por ndërmerrnin edhe diversione kriminale përmes agjenturave të tyre.

Për ta ilustruar se si ndikonte izolimi, po rrëfej dy përjetime. Në vitin 1979, ditë e shtunë, rastisi të takoj dy burra të cilët po komentonin gjërat që shihnin në vitrinën e një shitoreje në rrugën “Graf-Adolf-Straße” në Dyseldorf (afër Klubit shqiptar). Meqë e dallova të folmen e tyre se ishin nga Shqipëria, i befasova me përshëndetje. Ishin dy shoferë. Maunën (kamionin) e kishin të bllokuar në doganë deri të hënën, kur do të doganohej. Dukej lodhja dhe pagjumësia e tyre. I mora mysafirë në Klub, ku i mbajtëm deri të hënën. Për shkak të përkthimit, i shoqërova. Rezultoi të kishin ngarkesë tepiha (qilima). Blerësi u befasua pse ishim tre, sepse herëve pararëndse ishin vetëm dy. Gënjeva: “Më kanë detyruar ti shoqëroj si përkthyes.” Pronari nxori nga xhepi dhe na dhuroi nga 100 DM secilit. U tmerrova duke dëgjuar bisedat e tyre, të atij që e kishte bërë pazarin blerës në Shqipëri me shefin e tij, para se unë të prezantohesha si përkthyes. Flisnin për shifra marramendëse që do t’i fitonin nga shitja. U penduan për bisedat që kishin bërë. Bile kishin thënë shkoqur: “Duhet shfrytëzuar sa më shumë e sa më shpejt izolimi i Shqipërisë”.
Tregtari shqiptaro-turk Shaban Jolderim, me seli në Mynhen, u pasurua shumë duke blerë presh në Shqipëri me 10 Pfening (5 centë) kilogramin, të cilin ia shiste fabrikës së konservave me 1.90 DM kg. Ai ishte mik shumë i respektuar i politbyroistëve, sepse u kishte dhuruar televizor me ngjyra. Bosët e Shqipërisë gëzoheshin që po e çanin “rrethimin imperialist” me angazhim të Shabanit. Por me një kamion presh nuk mund ta blenin as edhe një kompjuter…

Fatkeqësisht, Enver Hoxha ndërpreu marrëdhëniet “vëllazërore” edhe met kinezët, sepse Mao tradhtoi “socializmin” kur e priti në vizitë presidentin e SHBA-ve, “imperialistin” Nikson…
I kuptoj kriptoenveristët që duan ta kthejnë sovranitetin dhe barazinë sociale të socializmit enverist, “fanarit të socializmit në botë”, por nuk po i kuptoj islamistët që u janë bashkëngjitur atyre edhe si bashkorganizatorë, meqë Enver Hoxha e kishte ndaluar praktikimin publik të religjioneve, duke hyrë në analet e historisë botërore si shteti i parë ateist (me definim kushtetues). Për ata që bëhen sikur nuk e dinë, e sidomos për ata që vërtet nuk e dinë, këta kundrina ekstremistësh i lidh sidomos armiqësia kundër “imperializmit” amerikan dhe sionizmit izraelit.
PS.:
Organizuesit e protestove nuk po protestojnë më për mbrojtjen e flamingove, që vinë të kamufluar si “turistë” për t’i kollofit gjallesat vendore të kënetave të Zvernecit, ndoshta për shkak se e kanë kuptuar që po cenojnë sovranitetin dhe beiodiversitetin e Shqipërisë!



