Musa Sabedini, Gjilan
– Sot, të jesh gazetar në Kosovë nuk është aspak e lehtë. Përkundrazi, është një profesion që kërkon kurajë, durim dhe integritet për të punuar në një klimë të rënduar nga gjuha e urrejtjes, linçimi publik dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve.
Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën.
Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës Ky lumë fyerjesh dhe diskursi degradues nuk e dëmton vetëm dinjitetin e gazetarit; ai cenon vetë kulturën demokratike dhe përpjekjet për ndërtimin e një gazetarie profesionale, të lirë dhe moderne. Megjithatë, zhurma nuk e zëvendëson kurrë të vërtetën.
Faktet, argumentet dhe puna serioze gazetareske mbeten gjithmonë më të forta se propaganda dhe etiketimet. Gjatë rrugëtimit tim shumëvjeçar në gazetari, veçanërisht në gazetarinë hulumtuese, jam përballur me kërcënime, presione e tentativa të ndryshme për të më heshtur. Asnjëra prej tyre nuk më ka ndalur. Përkundrazi, ato më kanë bindur edhe më shumë se gazetaria ka kuptim vetëm kur sfidon krimin e organizuar, korrupsionin politik e ekonomik dhe çdo formë të abuzimit me pushtetin.
Në çdo rrethanë kam qëndruar në mbrojtje të kolegëve, edhe atëherë kur disa prej tyre zgjodhën të heshtnin përballë sulmeve ndaj meje. Por ajo që sot më shqetëson më së shumti nuk janë sulmet që vijnë nga politika apo grupet e interesit. Më shqetëson servilizmi i një pjese të vogël të gazetarëve, të cilët, në vend se ta mbrojnë profesionin, shndërrohen në zëdhënës të pushtetit dhe përpiqen të diskreditojnë kolegët e tyre me narrativa të fabrikuara dhe argumente të imponuara. Ky deformim i rolit të gazetarit është ndër goditjet më të rënda që mund t’i jepen profesionit.
Gazetaria nuk mund të ushtrohet me nënshtrim, as me besnikëri ndaj pushtetit. Misioni i saj është t’i shërbejë publikut dhe interesit qytetar, jo interesave politike apo personale. Askush nuk është i pagabueshëm. Edhe gazetarët dhe mediat bëjnë gabime. Por ekziston një dallim thelbësor mes gabimit profesional dhe fushatës së organizuar për ta njollosur një koleg. Është e papranueshme që gazetarët të përdoren si instrumente për të goditur gazetarët e tjerë. Solidariteti profesional nuk nënkupton pajtim me çdo qëndrim, por respekt për parimet mbi të cilat ndërtohet liria e medias.
Fatkeqësisht, këtë klimë përçarëse e ka ushqyer edhe retorika e pushtetit aktual, i cili në vazhdimësi ka zgjedhur përballjen me mediat, duke i etiketuar ato si “media të Serbisë” apo duke i sulmuar për faktin se funksionojnë si biznese mediatike. Këto janë narrativa që nuk i shërbejnë demokracisë dhe nuk i shmangin institucionet nga përgjegjësia për transparencë e llogaridhënie. Mediat financohen nga puna e tyre, nga audienca, nga shërbimet dhe tregu që u lejon të mbijetojnë. Në një shtet demokratik, kjo është krejtësisht legjitime.
Pyetja që shtrohet është një tjetër: kush mban përgjegjësi për mënyrën se si shpenzohen paratë publike dhe për çdo cent të taksapaguesve? Pikërisht këtu duhet të drejtohet vëmendja e pushtetit, e jo te përpjekjet për ta delegjitimuar gazetarinë kritike. Respekt për të gjithë ata gazetarë që, pavarësisht presioneve, vazhdojnë ta mbrojnë integritetin profesional, etikën dhe besueshmërinë e medias. Janë pikërisht ata që e mbajnë gjallë misionin e gazetarisë së lirë dhe e dëshmojnë se e vërteta nuk mund të mposhtet nga propaganda, por vetëm nga heshtja.
Prandaj, heshtja nuk duhet të jetë kurrë zgjedhje. Një fjalë edhe për ata që, të fshehur pas profileve në rrjetet sociale, qofshin nga Evropa, Amerika apo kudo tjetër, e kanë shndërruar fyerjen, kërcënimin dhe linçimin virtual në mjet “debati”. Kujdes me gjuhën që përdorni dhe me rolin që i jepni vetes. Askush nuk ka të drejtë të marrë në dorë “gjykimin” e gazetarëve, të shpallë fajtorë apo të nxisë urrejtje ndaj tyre, sikur Kosova të mos ishte shtet me ligje, institucione, polici dhe drejtësi. Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën.
Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës.
- Autori është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT


